Pasioni për aktrim, e bëri Astrit Alihajdarajn artist të njohur në Austri

Në Austri kishte ardhur për të vazhduar studimet e ndërprera në ekonomi. Por, ëndrra për artin nuk e linte të qetë. Kështu, Astrit Alihajdaraj bëhet aktor i dalluar i filmit dhe teatrit austriak.

Aktori Astrit Alihajdaraj po bën hapa të rëndësishëm në karrierën e tij artistike në Austri. Djaloshi nga Istogu është bërë shumë i njohur për publikun austriak, duke qenë personazh kryesor i shumë filmave dhe shfaqjeve teatrale si në Kosovë, ashtu edhe në Austri. Astriti është pjesë e shumë serive televizive që transmetohen në televizionet austriake, ndërsa filmi “Gone Back” në të cilin ka marrë pjesë Astriti, në “Javën e filmit shqiptar” në Nju-Jork ka fituar çmimin “Filmi më i mirë” dhe “Aktori më i mirë”.

Vite më parë Astrit Alihajdaraj kishte konkurruar për t’u regjistruar në Fakultetin e aktrimit në Prishtinë, por nuk ishte pranuar. E kishte regjistruar ekonominë duke i shuar shpresat se mund të realizonte ëndrrën e tij. Situata në të cilën gjendej Kosova në vitet e 90-ta, si shumë të rinj të tjerë, edhe Astritin e largoi nga Kosova për të vazhduar studimet në Austri. Këtë mundësi e pati falë vëllait të tij, Xhevdetit, i cili ishte një nga studentët e parë shqiptarë të kohëve të reja në këtë shtet.

Në Vjenë Astriti erdhi për të vazhduar studimet e ekonomisë. Por, shpirti artistik i tij nuk e linte rehat. Kështu, ai sillej vërdallë teatrove të Vjenës ose lexonte çdo ditë gazetat që shkruanin për aktrim.

  • Kur “ndez” me të parën!

Papritur, një ditë sheh në gazetë një konkurs, ku një agjenci filmi kërkonte statistë për një film. Pa menduar shumë, djaloshi nga Istogu vrapoi të konkurrojë me shpresën se të paktën do ta shihte veten në një film. Aty filloi e gjitha. E njëjta agjenci Astritit ia ofron rolin kryesor në filmin “Nordrand”, nga ku edhe fillojnë ëndrrat t’i bëhen realitet.

”Ishte viti 1999 kur mora pjesë në filmin “Nordrand” të regjisores Barbara Albert. Ky film u bë shumë i suksesshëm, duke marrë pjesë në festivalin e Filmit në Venedik dhe duke u shpallur si filmi më i mirë i Austrisë në atë vit. Me këtë film filloi një epokë e re e filmit në Austri, pasi që filmi ynë mori pjesë pas shumë dekadave përsëri në festivalin e Venedikut.

Gazeta prestigjioze austriake “Der Standard” ka mbledhur filma të vjetër dhe të rinj austriakë, duke i renditur këta filma sipas pëlqyeshmërisë. Filmi “Nordrand” renditet në vendin e parë dhe kjo më ka bërë shumë krenar”, thotë për albinfo.at Astriti, i cili arriti t’i përfundojë edhe shkollimin për aktrim në Austri.

Ky film për aktorin shqiptar ishte vetëm fillim i roleve të shumta që pasojnë më vonë qoftë në teatër apo në kinematografinë austriake. “Nuk më ka interesuar të bëj listë të gjatë të roleve të mia. Përveç filmave të ndryshëm, në të cilët kam marrë pjesë, siç janë: “Nordrand”, “Tatort”, “Balkan Traffic”, “Schnell Ermittelt”, “Medcrimes”, Gone Back”, e të tjerë, rëndësi të veçantë kanë edhe angazhimet e mia në shfaqje të ndryshme teatrale.

  • Në festivalin e filmit në Nju-Jork, shpallet aktori më i mirë

Këtu duhet të theksoj pjesëmarrjen time vite me radhë në “Festspiele Reichenau” nga ku kam bashkëpunuar me aktorët më të mirë gjermanofolës. Nuk mundem pa i përmendur edhe rolet e mia në filmat shqiptarë, veçanërisht në filmin e Agim Sopit, “Agnus Dei”, në të cilin pata fatin të luaj po ashtu me aktorët më të mirë shqiptarë”, tregon aktori Alihajdaraj për përvojat e tij artistike.

Ndërkaq, ai e zbulon për “albinfo.at” se në Kosovë ka hapur edhe produksionin filmik “Illyria Film” me të cilin kanë xhiruar filmin “Gone Back” me regji të Ernest Mehollit. Pos shumë aktorëve të huaj, në këtë film luan edhe aktori tjetër shqiptar, Blerim Destani. Me filmin “Gone Back” aktori shqiptar mori pjesë në  “Javën e filmit shqiptar” që u mbajt në Nju-Jork, me ç’rast ky film fitoi çmimin “Filmi më i mirë” dhe “Aktori më i mirë”.

“Në Amerikë u mbajt “Albanian Film Week” apo “Java e filmit shqiptar” që u organizua në Nju-Jork. Ndihem shumë i lumtur që filmi ynë “Gone Back” pati hapur edicionin e atij viti, dhe nga afro 50 filma shqiptarë, ai fitoi dy çmime: “Filmi më i mirë” dhe “Aktori më i mirë”, u shpreh ai.

Aktori Alihajdaraj tash e sa vite është pjesë e filmave dhe serialeve të njohura televizive në Austri dhe Gjermani. Ai  përmend filmin e parë “The Remigrant” që e ka realizuar si regjisor në vitin 2017 i cili ka marrë pjesë në më shumë se 20 festivale ndërkombëtare. Filmi kishte premierën në “Dokufest” në Kosovë, pastaj vazhdoi në “Tirana International” ku u nderua me çmimin “Special Mention”. Rrugëtimin e tij e vazhdoi në festivale ndërkombëtare si: ”This Human World” në Vjenë, “Queens World Film Festival” në Nju-Jork, “Souq Film Festival” në Milano e pastaj në Oslo, Moskë, Londër, në Bursa të Turqisë, Riga të Lituanisë e të tjerë.

“Përveç suksesit të filmit të parë “The Remigrant” si regjisor, viteve të fundit kam qenë shumë aktiv në televizionet austriake dhe gjermane si aktor duke luajtur në filma dhe serie të ndryshme, si: “Südpol”, “Soko Kitzbühel – Unten”, “, “Walking on Sunshine” të transmetuar në televizionin ORF, pastaj filmi kriminalistik kroat “Der Henker” (Xhelati) në ARD, “Kommissar Lucas” në ZDF, “Alarm für Cobra” në RTL e shumë filma të tjerë televizivë dhe shfaqje teatrale”, ka thënë ai.

Aktori Astrit Alihajdaraj ka deklaruar se është në përgatitje të shumë projekteve të reja filmike dhe teatrale, të cilat do të shfaqen gjatë vitit 2020, detaje të cilat konsideron se ende është heret për t`i bërë publike.

Box 1

Aktor në filmin më të suksesshëm austriak të të gjitha kohëve

”Ishte viti 1999 kur mora pjesë në filmin “Nordrand” të regjisores Barbara Albert. Ky film u bë shumë i suksesshëm, duke marrë pjesë në festivalin e Filmit në Venedik dhe duke u shpallur si filmi më i mirë i Austrisë në atë vit.

Box 2

Ka provuar veten edhe si regjisor

Aktori Alihajdaraj tash e sa vjet është pjesë e filmave dhe serive të njohura televizive në Austri dhe Gjermani. Ai  përmend filmin e parë “The Remigrant” që e ka realizuar si regjisor në vitin 2017, i cili ka marrë pjesë në më shumë se 20 festivale ndërkombëtare. Filmi kishte premierën në “Dokufest” në Kosovë, pastaj vazhdoi në “Tirana International”, ku u nderua me çmimin “Special Mention”. /Albinfo.ch /KultPlus.com

“The Remigrant” me regji të Astrit Alihajdarit shfaqet në Milano

“The Remigrant” me regji të Astrit Alihajdarajt, është filmi 18 minutësh i cili vetëm gjatë muajit tetor dhe nëntor ishte pjesë e katër festivaleve të ndryshme, shkruan KultPlus.

Filmi i Alihajdarit, së fundmi do të shfaqet më 17 nëntor në SOUQ Film Festival in Milano.
“The Remigrant” ishte pjesë edhe i festivaleve si Europanorama – Oslo International Short Film Festival, LINZ International Film Festival, International Film Festival në Bottrop, Germany.

“The Remigrant” është filmi i cili e sjellë për herë të parë në rolin e regjisorit aktorin e njohur Astir Alihajdari. Ky film flet për shumë tema në të njëjtën kohë. Migrimi, harmonia në familje, edukimi i fëmijëve, janë disa nga temat që jetësohen përmes aktorëve: Florist Bajgora, Ilire Vinca, Veton Osmani dhe Leze Qena./ KultPlus.com

Filmi i Astrit Alihajdarit në Tirana International Film Festival

“The Remigrant” me regji të Astrit Alihajdari, është filmi 18 minutësh i cili është pjesë e edicionit të 15-të të festivalit Tirana International Film Festival, shkruan KultPlus.

“The Remigrant” është filmi i cili e sjellë për herë të parë në rolin e regjisorit aktorin e njohur Astir Alihajdari. Ky film flet për shumë tema në të njëjtën kohë. Migrimi, harmonia në familje, edukimi i fëmijëve, janë disa nga temat që jetësohen përmes aktorëve: Florist Bajgora, Ilire Vinca, Veton Osmani dhe Leze Qena.

Filmi ka nis të shfaqet tani në TIFF./ KultPlus.com