Drama ‘Gërrdia’ e shkruar nga Astrit Kabashi ka fituarn çmimin e parë si drama më e mirë në konkursin ‘Katarina Josipi’, përjcell KultPlus.
Njoftimin e ka bërë Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit nëpërmjet një postimi në Facebook.
Në vijim, KultPlus ua sjell postimin e plotë të MKRS-së:
Njoftim për shpalljen e fituesve të Çmimeve të Konkursit të Dramës Origjinale Shqipe “Katarina Josipi”
Juria Profesionale për vlerësimin e dramave në konkursin e Dramës Origjinale Shqipe “Katarina Josipi” për vitin 2023, sipas konkursit të shpallur publik, ka bërë përzgjedhjen e fituesve si në vijim:
1️⃣ Çmimi i parë: “Gërrdia” 2️⃣ Çmimi i dytë: “Uellsi ka një Mbret” 3️⃣ Çmimi i tretë: “Marshi i hijeve të diellit”
Laureatët e çmimeve, sipas shifrave përkatëse, ftohen të lajmërohen sa më parë sipas udhëzimeve në këtë vegëz:/KultPlus.com
Me skenar të Doruntina Bashës, Robert Budina e Akola Daja e me regji të Robert Budina kanë filluar xhirimet e filmit artistik me metrazh të gjatë “Pikë uji”, xhirime që për momentin janë duke u realizuar në Pogradec, shkruan KultPlus.
Bëhet e ditur se në këtë film me role kryesore janë përfshirë tre aktorë të mrekullueshëm si; Gresa Pallaska, Astrit Kabashi e Arben Bajraktaraj, kurse ky projekt filmim është bashkëprodhim mes Shqipërisë, Italisë Rumanisë e Kosovës me produksionet Rafilm- Avanpost, Redibis dhe Iliria Film./ KultPlus.com
“Ekrani është një medium magjik. Ka një fuqi të tillë që mund të ruajë interesin teksa përcjell emocione dhe gjendje shpirtërore që asnjë formë tjetër arti as nuk mund të shpresojë t’i trajtojë”. Është një nga thëniet më të famshme që vjen nga regjisori Stanley Kubrick, dhe një e tillë padyshim që vlen edhe për kinematografinë kosovare e cila ka vënë vulë të konsiderueshme në kinematografinë botërore, shkruan KultPlus.
Duke filluar nga loja e aktorëve, zgjuarsia e regjisorëve, shkrepjet e mahnitshme e deri tek shpalosja e historive të ndryshme shqiptare e jo vetëm, filmi është aset që po promovon më së shumti Kosovën nëpër vende të ndryshme të botës. Dy nga filmat më të suksesshëm këtë vit janë “Vera andrron detin” me regjinë e Kaltrina Krasniqit dhe skenarin nga Doruntina Basha dhe “Virgjëresha Shqiptare” me skenar të Katia Kittendrof e regji të Bujar Alimanit, që kanë triumfuar nëpër festivale të ndryshme, përfshirë këtu edhe Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Prishtinë, ‘PriFest’.
Në këto dy projekte filmike që kanë pasur sukses të jashtëzakonshëm nëpër botë, kanë qenë pikërisht edhe dy rolet e ndryshme që kanë ardhur nën aktrimin e Astrit Kabashit, ato që kanë treguar dukshëm për një pasion për interpretimin, element kyç i të qenurit një aktor i mirë. Por aktori Astrit Kabashi kapërcen edhe një hap tutje me portretizimin e bindshëm tek dy rolet e tij. Ai komunikon ndryshe me audiencën. Kabashi përcjell emocion të papërshkrueshëm, i shfaq mahnitshëm synimet e personazheve përmes lëvizjeve fizike, të folurit e sidomos shprehjeve të fytyrës. Por, nuk mjafton vetëm me kaq.
Është ajo shkrirja e tij në të dy rolet, që e bënë publikun ta “urrej” personazhin që ai e luan, e kjo sidomos vërehet tek roli i Ahmetit në filmin “Vera andrron detin”, ku ai shantazhohet e detyrohet për të kërkuar medoemos “pasurinë” e vetme të lënë nga kushëriri i tij i ndjerë, ani pse nuk i takon atij që ta marr atë, por që konsiderohej se prona duhet të trashëgohet nga një mashkull i familjes. Pabarazia gjinore është karakteristika kryesore që e fut kokën në këtë histori dhe Ahmeti (Astrit Kabashi), këtë e sjellë më së miri. Ndërsa, tek filmi “Virgjëresha Shqiptare”, rolin që e luan Kabashi është ai i axhës së ‘Burrneshës’, me ç’rast iu nënshtrohet rregullave të Kanunit. Ai e kryen vrasjen e vajzës së tij dhe ajo ftohësi e portretizuar është ajo nëpërmjet së cilës audiencës i dhurohet një akullsi vizuale.
Aktori Astrit Kabashi dukej se është përhumbur plotësisht në të dy rolet dhe “besonte” se personazhet ishin të gjallë ose të paktën kjo është ajo se me çfarë përballen sytë e publikut. Historitë në të dy filmat janë histori që nuk janë të padëgjuara më parë. Andaj, aktrimi i Kabashit ka sjell momente intime dhe detaje që të bëjnë të besosh se nuk je duke e shikuar aktorin, por je ulur dikur afër një familjeje shqiptare dhe po e sheh realitetin në të cilin kanë jetuar e që mund të jetë dhe aktual. Aktori Kabashi ka përcjellë me sukses ndjenjat e synuara dhe shkathtësia e aktrimit të tij në ndërlidhje me llojllojshmërinë e paraqitjes së karaktereve, është patjetër një nga dhuntitë e tij më të çmuara.
Ndërkaq, në një intervistë për KultPlus, aktori Astrit Kabashi ka folur rreth rrugëtimit të tij nëpër “Vera andrron detin” dhe “Virgjëresha Shqiptare”, ka treguar emocionet dhe ka ndarë mendimet e tij për të dyja këto role.
“Po kam pasur fatin të jem pjesë e dy projekteve filmike që pas një rrugëtimi të gjatë dhe të suksesshëm u shfaqën para publikut vendas në Kosovë në festivalin “PriFilm” në Prishtinë. E është gjithmonë kënaqësi kur filmi shfaqet në kinematë tona, sepse edhe është obligim, pasi që këta filma bëhen nga taksat e këtij publiku. Pyetet edhe për ndjesinë time kur filmi ka rrugëtim te suksesshëm, dhe në fakt aty edhe duhet të jetë qëllimi i këtyre projekteve, përveç ndjesisë së mirë, gjithmonë duhet menduar edhe për një përfaqësim të denjë në festivalet botërore dhe të mos mendohet lokalisht”, ka thënë Kabashi.
Sipas tij, me regjisoren Kaltrina Krasniqi ai është njoftuar edhe më herët dhe ka punuar me të në filmin “Relax”, me ç’rast ka qenë një eksperiencë e mirë, ndërsa kur edhe është ofruar roli, ai nuk ka hezituar aspak. Për sa i përket filmit “Virgjëresha shqiptare”, Kabashi është kontaktuar fillimisht nga producentja Anita Elsani me të cilën ka punuar më herët edhe në filmin “Der Schubling” dhe nga producenti Besnik Krapi, pastaj edhe nga regjisori Bujar Alimani, ku pastaj e ka pranuar rolin.
Për realizmin e dy roleve dhe vështirësive potenciale të hasura gjatë dy rrugëtimeve, aktori Kabashi thotë se ekzistojnë shumë faktorë që nuk varen vetëm nga vetë ai, por që kanë ndikim në performancën e tij si artist.
“Nuk mendoj që ka role të lehta për t’u realizuar, qoftë ai rol epizodik apo rol kryesor. Gjithmonë varet sa ti do t’ia bësh vetes të lehte. Nëse do lehtë dhe mirë, atëherë duhet shumë punë e mund. Çdo herë varet edhe sa jep mundësi skenari, e që është punë që nuk varet vetëm nga ti por nga shumë faktor, si regjia, montazhi, dritat, kamera, grimi, partneri e të tjera”, thotë Kabashi.
Ai tutje tregon se duke marr gjithmonë parasysh kontekstin kohor në të cilin zhvillohen ngjarjet, të dy rolet në të dy projektet filmike, nuk ngjasojnë aspak me njëra-tjetrën, por ngjashmëria e vetme që kanë është patriarkati, e që aktori Kabashi e konsideron si një fatkeqësi që burrat gjithmonë kanë vendosur.
Kujtojmë se ”Vera Andrron Detin” pati premierën botërore në Festivalin e Venedikut, ku u bë filmi i parë kosovar i metrazhit të gjatë që u paraqit në këtë festival, me ç’rast pati rrëmbyer dy çmime. Po ashtu, filmi ”The Albanian Virgin” pas premierës botërore në edicionin e 37-të të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Varshavë, në kategorinë zyrtare të konkursit ndërkombëtar, ka fituar dy çmime kryesore, “Çmimin Special të Jurisë” si dhe “Çmimin Ekumenik”. Filmi “Virgjëresha Shqiptare” po ashtu ka triumfuar edhe në Festivalin e Filmit në Ostend, duke fituar “Çmimin e Publikut”, ndërsa aktorja Rina Krasniqi me rolin e saj në “Virgjëresha Shqiptare” është shpërblyer me ‘Special Mention’ në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Cabourg.
Këto suksese të shumta të kinematografisë kosovare, aktori Kabashi i ka cilësuar si vlerësime që dëshmojnë për punën e mirë që është krijuar. Ai tutje thekson se duke pasur parasysh se në cilat festivale janë shpërblyer këto filma, motivi është shtuar në masë të madhe edhe për punët e projektet e tjera të radhës që do vijnë.
Krejt për fund, aktori Kabashi na shpalos se së fundmi ka punuar një film me regjisorin Ilirian Himaj, film ky që si duket, është në përfundim e sipër. Ndërsa, për momentin, ai është duke xhiruar një serial jashtë vendit, e që gjithashtu po pritet që të shfaqet së shpejti.
“Mendoj që kinematografia e Kosovës është në momentin e saj më të mirë. Por, jo gjithmonë kjo punë varet nga artistët, sidomos në kinematografinë tonë që financohet direkt nga buxheti i shtetit, andaj nëse do të ketë financim, patjetër që do ketë edhe film të mirë, siç edhe është dëshmuar”, thotë Kabashi i cili e përmbyll intervistën me faktin që prodhimi i filmit është një promovim i pakrahasueshëm i Kosovës.
“Deri tash prodhimin më të mirë që e ka shteti i Kosovës është filmi.”
Filmi ”The Albanian Virgin” nën regjinë e Bujar Alimanit pas premierës botërore në edicionin e 37-të të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Varshavë, në kategorinë zyrtare të konkursit ndërkombëtar ku fitoi dy çmime kryesore, tani do të shfaqet edhe në Ostend Film Festival të Belgjikës, shkruan KultPlus.
Kështu, shënohet një sukses i radhës i filmave shqiptar, premierat e të cilëve po jepen gjithandej në Festivale Ndërkombëtare.
Ndërsa, lajmin e ka bërë të ditur aktori Astrit Kabashi, i cili ka shpërndarë lajmin në rrjetet sociale.
Filmi zë vend në Shqipërinë e vitit 1958, ku një djalë dhe një vajzë rriten së bashku në të njëjtin fshat. Ata janë miqtë më të mirë. Luana është vajza e një njeriu shumë të respektuar, Agimi biri i tradhtarëve të cilët u ndaluan nga qyteti nga komunistët. Pavarësisht nga këto rrethana të pafavorshme, të dy ruajnë miqësinë e tyre për 10 vjet. Si një grua e re Luana përjeton gjithnjë e më shumë se të jesh grua është një mallkim dhe ndërmerr veprime të pazakonta, i jep fund situatës së saj si viktimë dhe fiton fuqinë për të vendosur vetë. / KultPlus.com
Filmi me regji të Kaltrina Krasniqit “Vera Andrron Detin” ka bërë një postim falënderues në rrjetin social “Facebook”, duke treguar se tre muaj pas premierës kanë fituar një sërë çmimesh, shkruan KultPlus.
“Kanë kaluar vetëm tre muaj nga premiera jonë në La Biennale di Venezia . Që atëherë, ne kemi pasur premierë në shumë vende në Evropë, Amerikën Veriore dhe Jugore dhe Azi, duke fituar katër çmime”, shkruhet në postim.
Ata gjithashtu kanë falënderuar të gjithë për mbështetjen e jashtëzakonshme që e kanë ofruar për filmin e tyre, gjë e cila do të thotë shumë për ekipin.
“Gëzuar festat dhe shihemi vitin tjetër! 2022 jemi gati!”, thuhet në fund.
E zhytur në një atmosferë të tensionuar, “Vera Andrron Detin” është një portret intim por edhe universal i një gruaje e cila lufton një realitet të vrazhdë pabarazishë gjinore thellë të rrënjosura në shoqëri edhe në ditët e sotme’.
Në film luajnë: Teuta Ajdini Jegeni, Alketa Syla, Refet Abazi, Astrit Kabashi, Arona Zyberi, Aurita Agushi, Ilire Vinca, Xhevat Qorraj, etj. Drejtoreshë e fotografisë: Sevdije Kastrati; Producent: Shkumbin Istrefi.
Vera andrron detin’ është bashkëprodhim në mes të Kosovës (Puntoria Kreative Isstra, Vera Films), Maqedonisë së Veriut (Dream Factory) dhe Shqipërisë (Papadhimitri Productions) i mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës, Agjencia e Filmit e Maqedonisë së Veriut dhe Qendra Kombëtare e Kinematografisë – Shqipëri. / KultPlus.com
Filmi i gjatë artistik ‘Vera Andrron Detin’ me regji të Kaltrina Krasniqit dhe skenar të Doruntina Bashës, nesër në Bienalen e Venedikut do të ketë premierën botërore, përcjell KultPlus.
Shkumbin Istrefi, njëherit edhe producenti i filmit sëbashku me artistin e mirënjohur Astrit Kabashin kanë filluar me një kampanjë për liberalizim e vizave nga Bashkimi Evropian.
”A film from Kosovo? Welcome Crew? Sorry, you need visa to ente EU”, thuhet në mbishkrimet e bluzave të dy artistëve.
Vlen të ceket se filmi në fjalë ka për personazh kryesor një 64-vjeçare përkthyese e gjuhës së shenjave, që jeton në Kosovë. Ajo e sfidon burrin e saj patriarkal me qëllim që të mbrojë vajzën e saj të cilën ai e ka mohuar.
Filmi “Vera Andrron Detin” me producent Shkumbin Istrefin, është bashkëprodhim i Puntoria Kreative Isstra (Kosovë), Dream Factory (Maqedoni e Veriut) dhe Papadhimitri Production (Shqipëri), dhe është mbështetur nga Qendra Kinematografike Kosovës, Agjensioni i Filmit i Maqedonisë Veriore dhe Qendra Kombëtare e Kinemaografisë në Shqipëri. / KultPlus.com
Orari i orës policore është zgjatur dhe mbledhimet e ndryshme për fushata zgjedhore dita ditës po shtohen, kjo gjë si duket ka ndikuar edhe në rritjen e të infektuarëve me Covid19, shkruan KultPlus.
Mirëpo, komuniteti i artistëve ka nisur një fushatë në rrjete sociale, ku bëjnë thirrje të ndalen fushatat dhe të ndërmerret diçka në lidhje me vaksinën Anticovid.
Kanë qenë Astrit Kabashi dhe Fatmir Spahiu të parët që në llogarinë e tyre personale, publikuan postimin, ku shkruanin ”Jofushatëporvaksina’ .
Ndërkaq, kjo iniciativë është pëlqyer nga shumica dërmuese dhe menjëherë ka marrë vëmndjen dhe përkrahjen nga shumë persona në rrjete sociale. / KultPlus.com
Në librin ‘Gjuha Shqipe’ të klasës së pestë, në njërin nga tregimet thuhet ‘Ja po flet, ja e preva djalin! – Mos ma pre djalin’, përcjell KultPlus.
Fotografia u bë publike nga aktori i mirënjohur Astrit Kabashi, i cili ka shprehur shqetësim në raport me atë se çfarë u servohet nxënësëve të klasës së pestë.
‘Nga këta libra mësojnë fëmijët tanë. Gjithmonë me shpresë që më fund dikush do të mirret me këta libra që promovojnë dhunë’, ka shkruar Kabashi. / KultPlus.com
Në fshatin Gurrakoc të Istogut, gjendet ndërtesa e ish burgut të tmerrshëm të ish regjimit ku janë torturuar me mijëra shqiptarë para dhe gjatë luftës, ndërkaq sot ky burg pritet të rrënohet, shkruan KultPlus.
Mirëpo, shumë persona janë kundër rrënimit të këtij burgu, përfshirë këtu edhe aktorin e mirënjohur Astrit Kabashi, i cili përmes një statusi në rrjetin social Facebook ka potencuar se pikërisht në atë burg është maltretuar edhe vëllau dhe djali i axhës së tij.
Kabashi ndër të tjera ka potencuar se këtë burg duhet kthyer në muze, njejtë siç është vepruar edhe me burgun që gjendet në qytetin e Prishtinës.
‘Komuna paska vendosë me e rrënu, ky është një gabim i madh. Në Prishtinë nuk u rrënua burgu, por u kthye në muze, njejtë duhet të ndodhë edhe me fatin e kësaj ndërtese! Nëse nuk dini çfarë të bëni, të paktën mos e rrënoni! Mendoni më shumë për vende të reja të punës’, ka shkruar ndër të tjera Kabashi. / KultPlus.com
Pesëmbëdhjetë marsi i këtij viti shënoi mbylljen e gjithçkaje, e gjithë bota tashmë po qëndronte brenda një guaske. Por, qëndrimi brenda kësaj guaske nuk zgjati shumë, ngase botës i duhej normalizimi. E kështu filloi hapja e ngadalshme e pothuajse secilës derë që dha punë, argëtim e dituri, por e mbetur nën hije, me derën e mbyllur tash e shtatë muaj, janë aktivitetet kulturore. Në muret e sallat e teatrove e të kinemave mungon publiku, duartrokitjet e ngazëllimi i përhershëm që zakonisht përçohej në hapësira e këtyre ambienteve kulturore shkruan KultPlus.
Institucionet kulturore premtuan se teatrot do të hapen në fillim të qershorit, mirëpo, siç tashmë nuk konsiderohet çudi shkelja e premtimeve nga institucionet tona edhe ky premtim dështoi të mbahej. Kjo gjë bëri që para disa ditëve, komuniteti i artistëve të nisë një peticion për hapjen e teatrove, por që nuk duket të ketë pasur efektin e merituar tek krerët e institucioneve përkatëse, kështu, artistët filluan me hapin tjetër, që ishte një protestë virtuale e që me shumë gjase nuk do të mbarojë me kaq.
Poashtu, me 29 korrik të këtij viti është marrur vendimi për ndalimin e të gjitha aktiviteve kulturore, vendim ky që tash e sa kohë nuk është duke u përfillur. Deri tash janë mbajtur promovime, ditë të trashëgimisë, ekspozita e shumë të tjera aktivitete që prezent kanë pasur shumë njerëz, duke rënë në kundërshtim me masat AntiCovid.
Bëhet fjalë për fushatën ‘Teatrot të hapen tani’, nismëtar i së cilës ishte regjisori dhe Drejtori i Teatrit të Gjilanit, Erson Zymberi. KultPlus kontaktoi me Zymberin i cili u shpreh i mllefosur dhe i shqetësuar në lidhje me moshapjen e teatrove, duke e konsideruar si të pakuptimtë dhe dëshpërues faktin që akoma qëndrojnë të mbyllur. Sipas tij, teatrot do të mund të kontrollonin shumë lehtë numrin e spektatorëve përmes shitjes së biletave dhe distancës në mes të ulësëve. ‘Gjendja, mbyllja dhe kufizimi nëpër të cilën kemi kaluar si shoqëri gjatë pandemisë, mendoj që ka nevojë shumë për një infuzion artistik e bashkë me këtë edhe skena kulturore ka nevojë për të kaluar këtë gjendje pothuajse të një kollapsi kulturor. Gjendja, mbyllja dhe kufizimi nëpër të cilën kemi kaluar si shoqëri gjatë pandemisë, mendoj që ka nevojë shumë për një infuzion artistik e bashkë me këtë edhe skena kulturore ka nevojë për të kaluar këtë gjendje pothuajse të një kollapsi kulturor’, potencon Zymberi për KultPlus.
Ndër të tjera, Zymberi shprehet se komuniteti artistik është i gatshëm të bashkëpunoj edhe me organet gjegjëse për të krijuar një manual apo udhëzim se si do të mund të funksionojnë teatrot tona në rast të hapjes së tyre, duke pasur parasysh situatëën pandemike.
Aktorë të shumtë iu bashkuan kësaj iniciative, ndërkaq KultPlus kontaktoi disa prej tyre. Të gjithë artistët shprehën mllef e revoltë në lidhje me moshapjen e teatrove, duke e konsideruar të pakuptimtë një gjë të tillë, pasiqë edhe brenda këtyre hapësriave ekziston mundësia e zhvillimeve kulturore duke respektuar masat AntiCovid. Ata poashtu u shprehën shumë të gatshëm për një portestë të mundshme në rast se edhe kjo fushatë has në vesh të shurdhër.
Astrit Kabashi konsideron se qeveria duhet të shqyrtojë edhe njëherë ato vendime. ‘Pa kulturë ky vend vdes’, deklaron ai. ‘Ne besojmë që institucionet kulturore do të hapen, sepse përveç për komunitetin artistik që është e nevojshme dhe për qytetarët, më së shumti do t’i bënte mirë qeverisë në Kosovës. Pak kulturë nuk do t’u bënte keq këtyre të fundit. Ne nuk po kërkojmë të rrezikojmë shëndetin e askujt, ne po mendojmë vetëm për shëndetin mendor dhe shpirtëror të qytetarëve të Kosovës’, deklaroi tutje Kabashi për KultPlus.
Dramaturgu Jeton Neziraj, është shprehur fushata ‘Teatrot të hapen tani’ do të përfshijë një seri aksionesh dhe nuk to të kufizohet vetëm në rrjete sociale, pra, sipas tij, nuk përjashtohen as format tjera të protestës ‘Do t’i bashkohem gjithësecilës iniciative, kërkese për hapjen e teatrove, natyrisht, argumentet pro hapjes së teatrove janë bindëse dhe ato më nuk mund të kontestohen, sidomos për faktin që janë lejuar të funksionojnë qendrat tregtare, gym-et, kafeteritë e kështu me radhë. Madje, vet qeveritarët këtyre ditëve i kemi parë tek kanë organizuar apo kanë marrë pjesë në evente të ndryshme publike. Një i tillë u organizua ditë më parë nga komuna e Prishtinës’, ka deklaruar tutje Neziraj për KultPlus.
Ndërkaq, në anën tjetër, Sindikata e Teatrove të Kosovës tash e sa kohë është në përpjekje për të bindur qeverinë që të lejojë hapjen e teatrove, mirëpo deri tash nuk është hasur në ndonjë përgjigje pozitive
Kushtrim Qerimi tregoi për KultPlus se e konsideron teatrin tejet të rëndësishëm, sipas tij teatri kontrollohet vetëm në vende totalitare për shkak të ndikimit të tij të madh tek masa njerëzore. ‘Për më thjeshtë do të citoja Nolin, ”Një vepër e luajtur mjeshtërisht nga aktorët në teatër, vlen më tepër se njëqind herë leximi i saj’. Andaj, roli edukativ i teatrit në shoqëri është shumë herë vendimtar. Komuniteti teatror është diskriminuar nga masat edhe ashtu naive AntiCovid, andaj që të mos vie deri te shpërfillja e këtyre masave edhe ashtu të parespektuar në radhë të parë nga vetë ata që i kanë vendosur, uroj që teatri sa më parë të filloj punë. ‘, shprehet Qerimi.
Sherif Bega, ishte ndër aktorët e shumtë që iu bashkuan kësaj nisme. Ai potencoi për KultPlus se është i gatshëm për një protestë në të ardhmen e afët, nëse nuk ndërmerret asgjë mbi hapjen e teatrove. ‘Teatri është shumë i rëndësishëm në shoqëri, e sidomos në këtë periudhë pandemike ku për pothaujse 8 muaj teatri e kinemaja kanë qenë të mbyllura, qytetarët janë të lodhur, prandaj hapja e teatrove është e domosdoshme”, potencon tutje Bega për KultPlus.
Ndërkaq, Florent Mehmeti për KultPlus shprehi dëshpërimin e madh në lidhje me këtë çështje dhe me vendimet e paarsyeshme të qeverisë, pasiqë sipas tij, këta të fundit vetë i kanë sjellë këto vendime dhe janë pikërisht ata që nuk po i zbatojnë ato.
‘E konsideroj teatrin si pjesë të pandashme të jetës Teatri flet shumë edhe për nivelin e emancipimit të një shoqërie, është një fjali e njohur që thotë se nëse don me njoftë nivelin kulturor të një vendi duhet me e pa se si i kanë të rregulluar teatrin dhe varrezat. Teatri është pjesë e pandashme e botës qysh prej kohës së antikiteti’, u shpreh ai.
Mehmeti, ndër të tjera potencoi se jemi shumë vonë në kushtim të rëndësisë së teatrit, ai konsideron se autoritetet përkatëse përtojnë të merren më çështjen e teatrit.
‘Jemi mësu në parlament me pasë teatër, kushdo që paguhet prej taksave të qytetarëve është duke bërë teatër, është për të ardhur keq që qeveria e lejon këtë gjë. Instancat qeveritare, qoftë ato lokale qofë të nivelit qëndror po organizojnë aktivitete kulturore në baza ditore, me shumë njerëz e me salla të mbyllura, e çka është tjetër kjo pos teatrit?!’, deklaron për KultPlus Mehmeti.
Teatri është ndër hapësirat më të rëndësishme kulturore të një vendi. Fakti që këto hapësira akoam qëndrojnë të mbyllura, flet shumë për krerët e institucioneve përkatëse. ‘Teatrot të hapen tani’ nuk mbaron me kaq. Kjo fushatë nuk ka për t’u ndalur derisa të merret një vendim i përshtatshëm mbi hapjen e tyre. / KultPlus.com
Aktori i njohur kosovar, Astrit Kabashi, ka reagur përmes një statusi në llogarinë e tij në Facebook, ku haptazi ka shprehur revoltën drejtuar sistemit qeverisës në Kosovë, shkruan KultPlus.
Bashkangjitur gjeni statusin e plotë të Kabashit. / KultPlus.com
Aktori Astrit Kabashi nuk do të jetë pjesë e shfaqjes “Bordel Ballkan” me datë 15 shtator.
Aktori Astrit Kabashi, një prej aktorëve më të mirë kosovarë dhe goxha aktiv në disa projekte teatrore, ka treguar për KultPlus se për shkak të moskryerjes së detyrimeve që ka Teatri Kombëtar i Kosovës ndaj tij dhe aktorëve tjerë, ai nuk do të luajë në këtë shfaqje, në këtë datë.
“Për shkak të moskryerjes së detyrimeve nga Teatri Kombëtar unë refuzoj të luaj shfaqjen “Bordel Ballkan” me datë 15 shtator dhe shpresoj që edhe aktorët tjerë të jashtëm ta bëjnë një gjë të tillë” tregon Kabashi.
Kabashi thotë se me gjithë grevën e cila së fundmi zuri vend në Teatër nga Ansambli Rezident, aktorët tjerë të jashtëm vazhdojnë të diskriminohen pasi nuk kanë një Sindikatë të organizuar.
“Në shenjë proteste nuk do të luaj në shfaqje. Ka 3 muaj e më shumë që Teatri nuk ka kryer obligimet ndaj meje dhe një pjese të ekipës që luajmë në këtë shfaqje. Nuk jemi vetëm ne, sa kam dëgjuar të gjitha institucionet kulturore janë në kolaps financiar dhe përgjigjja është që nuk do të ketë të holla deri në janar të vitit tjetër” tregon Kabashi për KultPlus.
“Bordel Balkan” prekë temën e luftës dhe pasluftës në Kosovë, ndërsa në natën e premierës në Prishtinë, në prillin e vitit të kaluar, edhe pse u lajmëruan kërcënime të ndryshme, shfaqja erdhi fuqishëm dhe pa ndonjë incident.
Shfaqja është menduar të jetë pjesë e Festivalit MESS në Sarajevë, festival ky prestigjioz i teatrove.
Kabashi thotë se në mes të këtij kaosi kulturor në Kosovë dhe faktit që askush nuk jep përgjegjësi, pjesëmarrja në Sarajevë po rrezikohet.
“Jemi ftuar në MESS në Sarajevë por shfaqja ëshë në rrezik të mos marrë pjesë në këtë festival. Por nuk e di pse të gjitha institucionet kulturore po e mbajnë të fshehtë faktin që janë në kolaps financiar, kjo ndoshta shkaku i presionit që bëhet nga Ministria e Kulturës” tregon Kabashi.
Autor i shfaqjes është Jeton Neziraj, ndërsa në të luajnë edhe Adrian Morina, May-Linda Kosumovic, Shengyl Ismajli, Ylber Bardhi, Arta Selimi e aktorë tjerë. / KultPlus.com
Në vitet e 90-ta, Faruk Begolli kishte dërguar shfaqjen “Profesor jam talent se jo mahi”, në Istog, në mënyrë që qytetarët e asaj ane të jenë më afër teatrit. Por lërë që audienca e atjeshme e shijoi këtë shfaqje, por pikërisht kjo shfaqje vulosi të ardhmen e Astrit Kabashit. Ai deri më atëherë nuk e kishte ditur se kishte degë të aktrimit në Prishtinë, dhe me të parë këtë shfaqje atij i lindën shkëndijat e se ardhmes.
Tashmë, me shumë role prapa vetës: në teatër, film e seriale, Astrit Kabashi të len përshtypjen se gjithnjë luan në ato projekte me shije të hollë.
Në intervistën e fundvitit të dhënë për KultPlus, ai ka treguar se me fanatizëm ruan mendimin për filmin “Babai”, si filmi më i mirë i realizuar deri më tashti në Kosovë, sikurse që ka folur edhe për projektin e ardhshëm “Zana”, të cilin po e pret me të njëjtën dashuri.
Kabashi në këtë intervistë ka folur edhe për shfaqjen “Eshtrat që vijnë vonë”, ku mund të lexoni se pse mendon që kjo shfaqje mbetet si eksperienca më e vecantë për të.
Sarandë Selimi
KultPlus: Jeni një prej aktorëve më të dashur për audiencën shqipfolëse, dhe pikërisht kjo ka ardhur si sukses i roleve tua jo vetëm në teatër e film por edhe në seriale. E kishe ëndrruar këtë profesion apo ndodhi ndonjë rastësi që të rrëmbeu drejt këtij profesioni?
Astrit Kabashi: Çdo gjë filloi në vitin 1990-1991, kur aktori dhe profesori ynë i madh Faruk Begolli, tashmë i ndjerë, vizitoi qytezën e Istogut me shfaqjen “Profesor jam talent se jo mahi”, aty të them të vërtetën u mahnita me profesorin, e para, sepse kisha mundësi ta shihja nga afër, dhe e dyta, gëzimi i madh që e mora vesh se brenda Fakultetit të Arteve ekzistonte dega e Aktrimit. Aty filloi gjithçka.
KultPlus: Dhe magjia e Faruk Begollit të bëri për vete që të ndjekësh këtë profesion, më pas, kur ndodhi që ju personalisht të ngjiteni në dërrasat e teatrit?
Astrit Kabashi: Menjëherë pasi që u regjistrova në Fakultetin e Arteve, në degën e Aktrimit te Prof. Faruk Begolli, qysh në vitin e parë kam filluar në teatër. Shfaqja ime e parë ka qenë “Shtatë ngjyra lamtumire” në regji të Orhan Kerkezit dhe gjithmonë nën mbikëqyrjen e profesor Begollit, pastaj me shfaqjen “Tit Androniku” në regji të Florent Mehmetit, “Maturantët” në regji të profesorit Faruk Begollit e shumë shfaqje të tjera. Të gjitha këto në teatrin Dodona, i vetmi institucion kulturor që funksiononte në Prishtinë dhe jo vetëm në Prishtinë.
KultPlus: Por nga ajo kohë ju rrugëtuat edhe në shumë role të tjera, që tashmë Astrit Kabashin e kanë shndërruar në një figurë tejet komplekse për teatrin dhe filmin. “Bordel Ballkan”, është shfaqja e fundit në të cilën të kemi parë në skenën e Teatrit Kombëtar të Kosovës, shfaqje kjo që edhe krijoi një ‘rrëmujë’, sa je ndjerë i ngarkuar në rolin e komandantit, rol kryesor në këtë shfaqje?
Astrit Kabashi: Jo vetëm roli i komandantit, por çdo rol e ka peshën e vet, mendoj që një aktor profesionist përderisa punon shfaqjen nuk ka pse të merret me rrëmujat ditore të politikës, ne jemi aty të kryejmë punën tonë për çka edhe jemi të thirrur. Të them të drejtën asnjë shqetësim nuk kam pasur përgjatë asaj “rrëmuje” përveç shqetësimit artistik se si do të pritet shfaqja dhe roli im.
KultPlus: Ju erdhët në rolin e komandantit nëpërmjet kësaj shfaqje në TKK, rol që natyrshëm sjellë pushtetin e komandantëve, përmes këtij roli sa mendoni që shpalosët komandantët e luftës?
Astrit Kabashi: Në këtë pyetje përgjigjen më të mirë dhe më të saktë mund t’ua jap autori i veprës Jeton Neziraj, edhe pse mendoj se komandantin që unë e luaj nuk përcaktohet në atë se cilit rajon dhe etnitet i përket. Shumë lehtë ky tekst do të mund të vihej në skenë edhe në Timorin Lindor, apo Sudanin Jugor, apo kudo që ka pasur luftë.
KultPlus: Ndërkohë, emrin e Astrit Kabashit gjithmonë e gjejmë në shfaqje të mëdha, në shfaqje të suksesshme. Me shumë sukses është përcjellë edhe shfaqja “Eshtrat që vijnë vonë”, cfarë emocioni apo përvoje të solli kjo shfaqje?
Astrit Kabashi: “Eshtrat qe vijnë vonë” ndoshta është njëra prej eksperiencave më të çuditshme që kam pasur në teatër deri më tash, e në veçanti me regjisorin Martin Koçovski. Një shfaqje komplet regjisoriale në plan të parë, aktori në plan të dytë e teksti në plan të tretë, apo fare i rëndësishëm, por që me shume mjeshtri arriti të bëjë një shfaqje të suksesshme dhe shumë të pranuar nga publiku, jo vetëm në Kosovë por edhe jashtë shtetit, ku edhe u shpërblye me shumë çmime ndërkombëtare. Sa i përket eksperiencës me koleget gjithmonë është një kënaqësi, e që nuk është hera e parë qe luajmë se bashku në skenën e TKK-se.
KultPlus: Dhe viti 2018 do të gjejë në sheshxhirim të filmit “Zana”, me regji të Antoneta Kastratit, është herët të flasim për pritjet nga ky film, por nga leximi i skenarit, cfarë të rrëmbeu në këtë projekt?
Astrit Kabashi: Filmi “Zana” është në përgatitje e sipër për të filluar me xhirime, jam shumë i lumtur qe jam pjesë e këtij projekti, duke u nisur nga skenari, regjisorja, kasta e aktorëve, shpresoj që gjithçka do të shkojë mirë. T’iu them të drejtën, nëse nuk do t’më kishte pëlqyer skenari nuk do të kisha pranuar të luaj, qysh nuk kam luajtur në shumë e shumë filma të tjerë, për mua nuk mjafton të luaj edhe në një film, mjaftohem vetëm atëherë kur luaj në një film të mirë.
KultPlus: Atëherë, nëse bazohemi te kjo se çfarë u tha më lartë, si e vlerësoni filmin “Babai”, të cilin Kosova e pat propozuar edhe për çmimin Oscar?
Astrit Kabashi: Filmi “Babai” ka qenë eksperienca më e mirë për mua deri më tani në film, mendoj që ka qenë dhe ende mbetet filmi më i mirë që është punuar ndonjëherë në Kosovë, por edhe në Shqipëri apo kudo që ka shqiptarë. Më vjen keq që po dal jashtë modestisë time, sepse jam pjesë e këtij filmi, por të njëjtën gjë e tregojnë edhe prezantimet e këtij filmi, çmimet e shumta ndërkombëtare dhe mendoj që është film që ka vënë standarde në kinematografinë tonë.
KultPlus: Filmi “Babai”, ishte filmi të cilin Kosova e nominoi për Oscar, ndërsa tashti, për filmin “Zana” ka pasë disa opinione që e kanë quajtur si filmin më gjigant të Kosovës, sa je i përgatitur për një rol gjigant në këtë film?
Astrit Kabashi: Kjo fjala gjigant me frikëson pak… hahahaha… Unë shpresoj që filmi “Zana” ta ketë fatin e filmit “Babai”, e pse jo fat edhe më të mire. Sa i përket rolit do të mundohem ta jap më të mirën, gjithmonë në bashkëpunim me regjisoren Antoneta Kastrati- Cooper.
KultPlus: Mirëpo, një pjesë e madhe e qytetarëve të Kosovës të njohin nga roli i Bekimit, tek seriali “Kafeneja Jonë”. Sa ka qenë e vështirë realizimi i atij roli dhe si ndjehesh kur njerëzit të referohen me emrin Bekim?
Astrit Kabashi: Po, “Kafeneja jonë” ka qenë prezentë një kohë të gjatë në televizionet tona, e sidomos në televizionin publik, pothuajse për 10 vite me radhë. Nuk çuditem që shumica e njerëzve me thërrasin shpesh në këtë emër, edhe pse këtë emër ja kam vu vetvetes, sepse kam qenë edhe skenarist. Sa i përket realizimit të rolit, ndihmën më të madhe e kam pasur nga kolegët e mi të mrekullueshëm të atij seriali. Mendoj që më shumë e kanë “luajtur” ata Bekim Qorrin se sa unë.
KultPlus: Ju keni edhe një detyrë tjetër, atë të profesorit në Fakultetin e Arteve-Dega Arteve Dramatike, sa premtues është brezi i ri i aktorëve?
Astrit Kabashi: Kam pas nderin të jem asistent i profesor Faruk Begollit, me ikjen e tij ne tani mundohemi ta mbulojmë atë zbrazëtirë që e ka lënë pas. Tash jam profesor i assocuar dhe është gjenerata e tretë që unë e përcjell, mendoj që duhet të ndihemi krenarë me aktorët që dalin nga ai fakultet, por është e dhimbshme perspektiva e tyre, kur në krejt Kosovën funksionon vetëm një teatër dhe brenda vitit bëhën dy ose tre filma.
KultPlus: Nëse do detyroheshe të zgjidhje mes teatrit dhe filmit, cilën do e merrje përpara, ku i fle shpirti më shumë Astrit Kabashit?
Astrit Kabashi: Në mes teatrit dhe filmit do të zgjidhja Teatrin dhe Filmin.
KultPlus: Krejt në fund, cilat janë planet e juaja për vitin 2018-të dhe çfarë urimi do kishit për adhuruesit e juaj?
Astrit Kabashi: Po, për vitin 2018 normalisht që do vazhdoj punën në fakultet, gjithashtu priten edhe dy ose tri projekte filmike për të cilat momentalisht nuk mund të flas, por që shpresoj që do realizohen. E sa i përket teatrit të shohim se a do të ketë ndonjë ofertë. Jo vetëm adhuruesve të mi, por të gjithë qytetarëve të Kosovës ju uroj së pari shëndet për vitin 2018, ta duan njëri-tjetrin dhe ta vizitojnë Teatrin./ KultPlus.com
Aktori Astrit Kabashi është shumë i pëlqyer nga publiku për rolet e tij në projekte të ndryshme filmike.
Ai ka përfunduar Akademinë e Arteve në Prishtinë – dega aktrim, dhe si çdo aktor tjetër i gjeneratës së tij, edhe ai ka kaluar përmes duarve të të madhit Faruk Begolli, i cili njëherësh ishte edhe profesor në këtë Universitet.
Tash e sa vite, Begolli është ndarë nga jeta, teksa studentët e tij vazhdojnë ta kujtojnë atë me mall vetëm përmes fotografive që u kanë mbetur.
Këtë ka bërë së fundmi aktori Kabashi, i cili ka publikuar në llogarinë personale në Instagram një fotografi bardhë e zi, ku shfaqet pranë aktorit Faruk Begolli.
Ndryshe, aktorin do ta shohim në javët në vazhdim në projekte të ndryshme teatrale dhe filmike. / KultPlus.com
Është film me metrazh të gjatë, dhe në thelb të rrëfimit ka luftën e fundit në Kosovë, shkruan KultPlus.
Ky projekt filmik i Shtëpisë filmike “Crossing Bridges Films, me skenar dhe regji të Antoneta Kastratit dhe producent Casey Cooper Johnosn, që tashmë ka thirrur edhe audicion për aktorët, ka gjetë mbështetje edhe në Shqipëri.
Vetë Antoneta Kastrati ka njoftuar se projekti i saj tashmë është mbëshetur nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë në Shqipëri.
“Me kenaqesi ju njoftojme se Qendra Kombëtare e Kinematografisë ka mbeshtetur projektin filmik “Zana” me Co-producent DriTan HuqiFalenderojme QKK-ne dhe Bordin Drejtues te miratimit te Projekteve per mbeshtetjen dhe besimin”, ka shkruar Kastrati./KultPlus.com
Tre artistët kosovarë, Astrit Kabashi, Adriana Matoshi dhe Trim Musliu janë anëtarët më të ri të Akademisë prestigjioze të Filmit Evropian EFA duke numëruar kështu 17 anëtarë nga Kosova të cilët janë pjesë e Akademisë.
Në bazë të sukseseve të arritura Astrit Kabashi dhe Adriana Matoshi si aktorë të filmit ‘Babai’ dhe Trim Musliu si producent i filmit ‘Home Sweet Home’, janë ftuar të anëtarësohen nga Akademia e Filmit Evropian me propozim nga drejtori i QKK-së, Arben Zharku.
Akademia e Filmit Evropian është themeluar në vitin 1989 me drejtorin e parë Ingmar Bergman bashkë me anëtarët tjerë themeluese si Pedro Almodovar, Lindsay Anderson, Bernardo Bertolucci, Sir Ben Kingsley, Andrzej Wajda, Wim Wenders etj.
Së fundmi edhe regjisori Visar Morina i është bashkangjitur Akademisë së Filmit Evropian. / KultPlus.com