Epshi, shtypja e tij dhe debatet e dobëta shqiptare vijnë përmes ‘At Sergit’ në Prishtinë

Arbër Selmani

Dashuria e çmend njeriun. Ose ndoshta çmendia e bën njeriun më të dashur. Në këtë raport, di ndonjëherë të trokasë Zoti. E Zoti është mizor, xheloz, dhe i pakujdesshëm me fëmijët e tij. Mizoria dhe Zoti shumë herë në histori, dhe në jetërat e disa njerëzve, kanë ecur si dy shoqe të ngushta.

Skenari i tillë e ka goditur jetën e Stefan Kasatskit. Një burrë i dashuruar në Maria Korotkovën, në pallatin e Carit, e kupton se dashuria e jetës së tij po shkon me një burrë tjetër. Dhe me kë se, me askë tjetër por vetë Car Nikolasit. Stefani ndërron kahje të jetës. Izolohet në vetminë e Kishës Ortodokse Ruse dhe shndërrohet në murg. Një murg i mirë, i dënuar të mos ketë më asnjë epsh seksual. Vijnë e shkojnë provokimet që epshi i tij të zgjohet nga gjumi, por ai duhet t`ia ndalojë vetes epshin seksual. Seks. Seks. Seks. Seks. Rrëfimtari e tmerron At Sergin, pra dikur Stefanin, derisa i thotë këto fjalë.
“At Sergi”, është pak a shumë përthekimi i tillë i shfaqjes që erdhi mbrëmë në Teatrin Kombëtar të Kosovës. Njëjtë siç erdhi feja, religjioni, seksi, dashuria, epshi, prerja e gishtit të murgut, nëna histerike e tij që nuk i falet Zotit kurrë, gruaja në karrocë e cila prej Zotit në këmbim morri veç ëndrrën dhe jo këmbët për të ecur, erdhi mbrëmë në Prishtinë edhe debati i vakët shqiptar televiziv me figurat marioneta që nuk kanë asnjë fjalë e argument kur marrin kohë televizive të panevojshme.

Fatos Berisha, regjisori i shfaqjes ‘At Sergi’, emri kryefjalë në shfaqje, tregon më shumë për KultPlus rreth këtij prezantimi.
“Sonte e sollëm shfaqjen për herë të 13-të, pas 12-të herave në Shqipëri. Është një shfaqje e cila përmban një kohë asnjëanëse, pra nuk ndodhë në shekullin e 19-të, dhe prandaj mund të jetë edhe koha e sotme. Këtu ishte reagimi tjetër sidomos tek pjesa e debateve e inkuadruar në shfaqje, dhe pikërisht kjo ishte ajo që unë dëshiroja” tregon Fatosi.

Në mes të tregimit mbi At Sergin, djaloshin plot epsh që duhet ta shtypë veten dhe organin e tij gjenital me çdo kusht drejt fjetjes kur sheh gra e femra të bukura rreth vetes, tash në epitetin e Atit, disa debate televizive e sjellin religjionin në këtë kohë moderne. Një tip Blendi Fevziu që nuk dëgjon çka i thonë të ftuarit në studio, nën hundë lëshon zëra të çuditshëm, kërkon nga regjia të reagojë kur të ftuarit flasin kotësira, derisa dëgjohen lutjet edhe të Islamit edhe të Krishterimit. Mysafirja e tretë është epike dhe i detyron të tjerët ta mbyllin gojën. Ajo e sjellë pasazhin e Saganit, “Pale Blue Dot”.

“Çdo fëmijë, çdo çift i dashurum, çdo nënë, çdo baba, çdo zbulues e shkencëtar, çdo mëkatar e shenjëtor, çdo superstar, çdo politikan i korruptuar – të gjithë kanë jetuar këtu, në një gotë pluhuri të pezulluar në rreze dielli”.

“Sot është koha e debateve, koha kur religjioni është bërë ‘televised’, dhe është kthyer në një reality shoë. Sot ke më shumë teatër në televizion sesa në teatër e në film, dhe prandaj këto elemente janë futur në shfaqje. Në anën tjetër, shfaqja merret edhe me seksualitetin, sado që teksti i Tolstoit është i vështirë dhe disi ‘i rrezikshëm’ në kuptimin e zanatit” tregon tutje Fatos Berisha për KultPlus.

Tregimi “At Sergi” është shkruar nga Tolstoi në mes të viteve 1890-1898 ndërsa u publikua për herë të parë në vitin 1911. Fatosi me ekipin e tij e solli në Shqipëri, ndërsa mbrëmë edhe në Kosovë, për të tentuar pjesëmarrjen edhe në festivale jashtë vendit. Që tregimi i At Sergit dhe feja e aktualiteti ndër shqiptarë ta shohin botën përtej mendjeve shqiptare.

Igli Zarka, Rovena Lule, Lulzim Zeqja, Egla Ceno, Besmir Bitraku, Julinda Emiri, Valmir Krasniqi dhe Arta Lahu, shoqëruar në instrument nga Gjergj Kaçinari, për më shumë se 60 minuta sollën në skenë ‘At Sergin’ jo të lehtë. Një shfaqje që veç e thjeshtë dhe lineare nuk është.

“Për mua ishte kënaqësi të luaja në shfaqje, në një rol aspak të lehtë. Sidomos puna me regjisorin Fatos Berisha dhe emocionet që morra sot këtu në Kosovë janë tepër motivuese për mua si një aktore e re” tregon Arta Lahu, aktore në shfaqje.
Kthehemi te “At Sergi”. Makovkina, një grua që dëshiron të mëkatojë por bota i rrotullohet, bën që me provokimet e saj ta shtyjë Atin drejt një akti të tmerrshëm, prerjes së gishtit. Makovkina nuk do të jetë më asnjëherë e njëjta grua.

Valmir Krasniqi, aktor në shfaqje, tregon se shfaqja kudo që do të shkojë, do të kuptohet se është shfaqje për njeriun dhe ndjenjat.
“Është shfaqje që flet për njeriun dhe çoje në fund të botës, ajo do të kuptohet sepse flet për epshin, ndjenjat, e çdo njeri përbëhet prej ndjenjave. Unë e kam pasë një paramendim ndryshe për bashkëpunimin tonë me aktorët në Shqipëri por jam befasuar për procesin e punës dhe se sa mirë ka ecë gjithçka. Jam i lumtur që mesazhi ka shku te spektatori” tregon Valmir Krasniqi.
Shfaqja, tekstin e së cilës e ka përshtatur për skenë Shpëtim Selmani, erdhi me produksion të Kozeta Kurtit, ndërsa para Kosovës u shfaq në Shqipëri, në Teatrin Eksperimental të Tiranës dhe në “arTurbina”. / KultPlus.com