Biblioteka e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë nderojnë At Shtjefën Gjeçovin në 150-vjetorin e lindjes së tij

Ekspozita “Kujtesa e Gjeçovit” bëri bashkë Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë dhe Bibliotekën Kombëtare të Kosovës për të nderuar studiuesin e madh shqiptar At Shtjefën Gjeçovin në 150-vjetorin e lindjes së tij.

Kështu bëri të ditur ministria e Kulturës përmes një njoftimi në Facebook.

“Në kuadër të Javës së Kulturës Kombëtare, me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës së Kosovës, Ministrisë së Kulturës së Shqipërise dhe Ambasadës së Kosovës në Shqipëri, kjo ekspozitë prezanton për herë të parë për publikun shqiptar botime dhe artikuj nga periudha të ndryshme në koleksionet e BKK-së mbi figurën më poliedrike që njeh historia e kulturës shqiptare: françeskanin At Shtjefën Gjeçovi”, thuhet në njoftimin e MKRS-së./KultPlus.com

Shqipëria dhe Kosova me konferencë të përbashkët “Krijimtaria e Shtjefën Gjeçovit”

Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës dhe Akademia e Shkencave e Shqipërisë organizojnë konferencën shkencore ndërkombëtare me temën “Krijimtaria e Shtjefën Gjeçovit”.

Kjo konferencë mbahet më 14.10.2024, ora 09:00, në sallën e ASHAK-ut në Prishtinë dhe organizohet në shenjë të 150-vjetorit të lindjes së Shtjefën Gjeçovit.

Studiuesit nga Instituti Albanologjik-Prishtinë që do të marrin pjesë me kumtimet e tyre në të janë:

– Dr. Arbnora Dushi: “Këngë popullore nga botimet e Gjeçovit: mbi një dorëshkrim të botuar, por të zhdukur”,

– PhD. Cand. Zana N. Hoxha: “Shtjëfen Gjeçovi: Kontributi në arkeologji drejt identitetit kombëtar”,

– Dr. Kujtim Mani: “Hija arkaike e koncepteve kanunore”,

– Dr. Lush Culaj: “Diskutimet në Parlamentin e Shqipërisë për vrasjen e Shtjefën Gjeçovit”. / KultPlus.com

“Mua edhe mund të më vrasin, por gjuhën dhe kombin shqiptar nuk do të mund t’i vrasin kurrë”

Me 14 tetor të vitit 1929, derisa po kthehej nga Prizreni në Zym, aty rreth muzgut, Shtjefën Gjeçovi u sulmua në një pritë nga xhandarët serbë. Me dhjetëra plumba u shkrepën mbi të. Vdekja ishte e menjëhershme. Vendimi për vrasjen e tij ishte marrë ne Beograd. Nga viti 1921 Gjeçovi, në mënyrë të hapur dhe aktive, i ishte kundërvënë politikës serbe, e cila synonte deshqiptarizimin total të Kosovës. Kudo që shkonte e predikonte, Gjeçovi fliste hapur kundër kësaj politike. Ai ishte një intelektual tipik i Rilindjes Kombëtare, që besonte se feja ka vlerë vetëm për aq kohë sa i shërben mirëqenies së kombit.

Si një lexues pasionant i dijeve sociologjike të kohës, ai e dinte se identiteti i një kombi është kontratë me të parët e tij, një rigjetje e rrënjëve të tij të mbuluara nga stuhitë e historisë. Kështu, ai i vetëm i hyri një pune të madhe: gjetjes së këtyre rrënjëve. Sapo përfundonte liturgjitë fetare, ai shndërrohej në arkeolog dhe etnolog, për t’u dëshmuar bashkatdhetarëve të tij dhe botës rrënjët evropiane të popullit shqiptar.

Por Gjeçovi nuk kishte shije të sofistikuara vetëm për arkeologjinë, etnologjinë e gjuhësinë. Ai kishte edhe një sens të hollë për zhvillimet politike të kohës. Ai i kuptonte me një qartësi të mahnitshme ngjarjet politike rreth tij, lojërat dhe intrigat që luheshin në kurriz të shqiptarëve. Në vitin 1921 kryeministri dinak serb, Nikolla Pashiq ia kishte dalë ta mashtrojë kapedanin e Mirditës Gjon Marka Gjonin, duke e bindur atë se qeveria e Tiranës ishte thjesht një qeveri islamike e se ai duhej ta shpallte shtetin e tij të pavarur nga shteti shqiptar, të ashtuquajturën “Republika e Mirditës”.

Pashiqi i kishte premtuar se Serbia do ta njihte menjëherë pavarësinë e Mirditës dhe do të ndikonte që edhe Lidhja e Kombeve të bënte të njëjtën gjë. I mashtruar Gjon Marka Gjoni u nis për në Prizren, aty ku ishin bërë përgatitjet për shpalljen e Republikës së Mirditës. Shtjefën Gjeçovi, që ato ditë ndodhej në Zllakuqan, e morri vesh lajmin. Tronditja e tij ishte e madhe. E la në gjysmë liturgjinë që po udhëhiqte, hyri në dhomën e tij private, morri një flamur kuq e zi që e mbante gjithmonë afër vetës dhe i tha ndihmësit të tij se duhej të niseshin menjëherë për në Prizren.

Një gjamë e madhe po i gatuhej kombit dhe ai nuk mund të rrinte duarkryq. Kur arriti në Prizren, kapedani i Mirditës kishte kohë që ndodhej aty. Gjeçovi i kërkoj takim sy me sy për t’ia hapur sytë e çorruar nga mashtrimi i Pashiqit. Gjeçovi i tha kapedanit të Mirditës se ka ra në kurthin e Pashiqit, se qeveria e Tiranës nuk është qeveri antikatolike, por një qeveri kombëtare shqiptare, se qëllimi i Pashiqit është të nxisë luftë ndërfetare midis shqiptarëve dhe kështu të shkatërroj shtetin e sapo krijuar shqiptar dhe pas kësaj t’i bindë fuqitë e mëdha për një ricoptim të tokave shqiptare. Kapedani i Mirditës s’po u besonte veshëve, çfarë ishte duke dëgjuar. Gjeçovi u ngrit të dilte nga takimi dhe në derë ia tha fjalët e fundit : “Kjo rrugë që ke marrë është rrugë e tradhtisë kombëtare”.

Një njeri që nuk kishte tjetër mjet në dorë, përveç fjalës, nuk mund të bënte më shumë. Gjeçovi u nis për t’u kthyer në Zllakuqan, por fjalët e tij ndikuan shumë që mashtrimi i Pashiqit të demaskohej dhe turpërimi i Mirditës të përfundonte me pak pasoja. Natyrisht, këtë dhe shumë veprime të tjera, qeveria e Beogradit nuk do t’ia falte kurrë Gjeçovit. Pasi kishte shkatërruar lëvizjen e armatosur antiserbe në Kosovë, kjo qeveri tani i ishte kthyer shkatërrimit edhe të atyre pak individëve që po përpiqeshin për një rezistencë shpirtërore kundër sundimit brutal serb në Kosovë.

Sigurisht i pari që duhej të goditej ishte Shtjefën Gjeçovi dhe kjo gjë ndodhi në muzgun e 14 tetorit të vitit 1929. Gjeçovi, një mendje iluministe dhe guximtare, që po përpiqej të ndriçonte në natën e madhe të robërisë së Kosovës, u shua atë ditë në shpatijet e Zymit nga plumbat e xhandarëve serbë. Pas mbetën fjalët e tij profetike : “Mua edhe mund të më vrasin, por gjuhën dhe kombin shqiptar nuk do të mund t’i vrasin kurrë”./ KultPlus.com

93-vjetori i vdekjes së At Shtjefën Gjeçovit, intelektualit erudit që u vra nga shovinistët serb

At Shtjefën Gjeçovi lindi në Janjevë të Kosovës më 12 korrik, të vitit 1874. Pasi kreu kolegjin françeskan në Troshan, në vitin 1888 u nis për të ndjekur studimet në Kroaci. Pas përfundimit të studimeve në vitin 1896 u dorëzua prift dhe shërbeu në Pejë, Gomsiqe, Theth, Rubik etj.

Atë Shtjefën Gjeçovi përfaqësonte intelektualin erudit, i cili grumbulloi qindra gojëdhëna, përgatiti monografi shkencore, shkroi artikuj, hartoi tekste mësimore, përktheu nga letërsia botërore, etj.

Atë Shtjefni ka botuar këta libra: “Jeta e shë Luçis, pajtores s’arkidieçezit të Durrsit” (1904), “Mark Kuli Kryeqitas” (1905), “Agimi i qytetnis”,(1910), “Shna Ndou i Padues” (1912), “Atil Reguli” (përkthim i lirë i dramit me tri pamje të Pjetër Metastasit) (1912), “Vajza e Orleans-it ase Joana d’Ark”, (1915), “Atil Reguli” (1912), “Moisi Golemi” dhe “Kanuni i Lekë Dukagjinit” (1933).

Atë Shtjefën Gjeçovi u bë i famshëm me librin “Kanuni i Lekë Dukagjinit”. Rregullat e kanunet ai i mblodhi nga goja e popullit dhe fillimisht i botoi në revistën “Hyll të Dritës”.

Atë Gjeçovin e vranë shovinistët serbë më 14 tetor të vitit 1929 në katundin Zym të Prizrenit ku shërbente si famulltar. / KultPlus.com

‘Mua edhe mund të më vrasin, por gjuhën dhe kombin shqiptar nuk do të mund t’i vrasin kurrë’

Me 14 tetor të vitit 1929, derisa po kthehej nga Prizreni në Zym, aty rreth muzgut, Shtjefën Gjeçovi u sulmua në një pritë nga xhandarët serbë. Me dhjetëra plumba u shkrepën mbi të. Vdekja ishte e menjëhershme. Vendimi për vrasjen e tij ishte marrë ne Beograd. Nga viti 1921 Gjeçovi, në mënyrë të hapur dhe aktive, i ishte kundërvënë politikës serbe, e cila synonte deshqiptarizimin total të Kosovës. Kudo që shkonte e predikonte, Gjeçovi fliste hapur kundër kësaj politike. Ai ishte një intelektual tipik i Rilindjes Kombëtare, që besonte se feja ka vlerë vetëm për aq kohë sa i shërben mirëqenies së kombit.

Si një lexues pasionant i dijeve sociologjike të kohës, ai e dinte se identiteti i një kombi është kontratë me të parët e tij, një rigjetje e rrënjëve të tij të mbulura nga stuhitë e historisë. Kështu, ai i vetëm i hyri një pune të madhe: gjetjes së këtyre rrënjëve. Sapo përfundonte liturgjitë fetare, ai shndërrohej në arkeolog dhe etnolog, për t’u dëshmuar bashkëatdhetarëve të tij dhe botës rrënjët evropiane të popullit shqiptar.

Por Gjeçovi nuk kishte shije të sofistikuara vetëm për arkeologjinë, etnologjinë e gjuhësinë. Ai kishte edhe një sens të hollë për zhvillimet politike të kohës. Ai i kuptonte me një qartësi të mahnitshme ngjarjet politike rreth tij, lojërat dhe intrigat që luheshin në kurriz të shqiptarëve. Në vitin 1921 kryeministri dinak serb, Nikolla Pashiq ia kishte dalë ta mashtrojë kapedanin e Mirditës Gjon Marka Gjonin, duke e bindur atë se qeveria e Tiranës ishte thjesht një qeveri islamike e se ai duhej ta shpallte shtetin e tij të pavarur nga shteti shqiptar, të ashtuquajturën “Republika e Mirditës”.

Pashiqi i kishte premtuar se Serbia do ta njihte menjëherë pavarësinë e Mirditës dhe do të ndikonte që edhe Lidhja e Kombeve të bënte të njëjtën gjë. I mashtruar Gjon Marka Gjoni u nis për në Prizren, aty ku ishin bërë përgatitjet për shpalljen e Republikës së Mirditës. Shtjefën Gjeçovi, që ato ditë ndodhej në Zllakuqan, e morri vesh lajmin. Tronditja e tij ishte e madhe. E la në gjysmë liturgjinë që po udhëhiqte, hyri në dhomën e tij private, morri një flamur kuq e zi që e mbante gjithmonë afër vetës dhe i tha ndihmësit të tij se duhej të niseshin menjëherë për në Prizren.

Një gjamë e madhe po i gatuhej kombit dhe ai nuk mund të rrinte duarkryq. Kur arriti në Prizren, kapedani i Mirditës kishte kohë që ndodhej aty. Gjeçovi i kërkoj takim sy me sy për t’ia hapur sytë e çorruar nga mashtrimi i Pashiqit. Gjeçovi i tha kapedanit të Mirditës se ka ra në kurthin e Pashiqit, se qeveria e Tiranës nuk është qeveri antikatolike, por një qeveri kombëtare shqiptare, se qëllimi i Pashiqit është të nxisë luftë ndërfetare midis shqiptarëve dhe kështu të shkatërroj shtetin e sapo krijuar shqiptar dhe pas kësaj t’i bindë fuqitë e mëdha për një ricoptim të tokave shqiptare. Kapedani i Mirditës s’po u besonte veshve, çfarë ishte duke dëgjuar. Gjeçovi u ngrit të dilte nga takimi dhe në derë ia tha fjalët e fundit : “Kjo rrugë që ke marrë është rrugë e tradhtisë kombëtare”.

Një njeri që nuk kishte tjetër mjet në dorë, përveç fjalës, nuk mund të bënte më shumë. Gjeçovi u nis për t’u kthyer në Zllakuqan, por fjalët e tij ndikuan shumë që mashtrimi i Pashiqit të demaskohej dhe turpërimi i Mirditës të përfundonte me pak pasoja. Natyrisht, këtë dhe shumë veprime të tjera, qeveria e Beogradit nuk do t’ia falte kurrë Gjeçovit. Pasi kishte shkatërruar lëvizjen e armatosur antiserbe në Kosovë, kjo qeveri tani i ishte kthyer shkatërrimit edhe të atyre pak individëve që po përpiqeshin për një rezistencë shpirtërore kundër sundimit brutal serb në Kosovë.

Sigurisht i pari që duhej të goditej ishte Shtjefën Gjeçovi dhe kjo gjë ndodhi në muzgun e 14 tetorit të vitit 1929. Gjeçovi, një mendje iluministe dhe guximtare, që po përpiqej të ndriqonte në natën e madhe të robërisë së Kosovës, u shua atë ditë në shpatijet e Zymit nga plumbat e xhandarëve serbë. Pas mbetën fjalët e tij profetike : “Mua edhe mund të më vrasin, por gjuhën dhe kombin shqiptar nuk do të mund t’i vrasin kurrë”./ KultPlus.com

Atë Shtjefën Gjeçovi, njeriu që hapi shkollat e para shqipe pas pavarësisë

Shkruan: Andreas Dushi

Poliedrija, apo ndryshe gjithëdija e personaliteteve shqiptare, kufizon ndjeshëm dëshirën e atyre që duan të shkruajnë për to, pasi sikurse thonin grekët e lashtë, është e vështirë që të vdekshmit të shkruajnë për të pavdekshmit. Çfarë sot po marr guximin të bëj, në përvjetorin e lindjes së figurës së shquar të shqiptarisë Atë Shtjefën Gjeçovit, është pikërisht kjo: Një i vdekshëm po shkruan për një të pavdekshëm.

Kur pata fatin të vizitoja disa prej trevave të zonës së Dukagjinit, më bëri shumë përshtypje që në çdo shkollë apo godinë që dikur përdorej si shkollë kishte pllaka të mermerta ku shkruhej emri i një njeriu që nuk ishte edhe emri i shkollës. Në Prekal, fjala bie, ishte emri i Atë Shtjefën Gjeçovit si i pari që çeli një shkollë shqipe atje.

Duke vijuar më tej, këtë emër e shoh të shkruar edhe sa e sa herë, ndër sa e sa pllaka çka pa frikë më bëri të kuptoj diçka: Dukagjini, një trevë e quajtur “e prapambetur” nga dashakeqësit e saj, ka një fat që shumë krahina të tjera të Shqipërisë nuk e kanë: Prej 100 vjetëve ka arsim.

Ky fat, i cili buron nga prania e etërve françeskanë si të vendosur të përhershëm apo vizitues të herë pas hershëm falë programeve të misioneve shëtitëse (të përmendura nga Atë Zef Valentini apo Atë Domenico Pasi në librat e tyre “Misionet Shëtitëse” botuar nga “Plejad”), akoma edhe sot vazhdon të tregojë të mirat që ka sjellë.

Atë Shtjefën Gjeçovi, figura e jashtëzakonshme e kulturës së shqiptarisë, i lindur në Janjevë të Kosovës është ai i cili meriton jo respektin e gjithkujt, pasi me sa e njoh mes shkrimeve të të tjerëve ai nuk synonte të ishte i “gjithëdashur”, por të paktën njohjen nga gjithkush pasi ai qe i pari në shumëçka dhe, për fat të keq, edhe i fundit si punues serioz në thuajse çdo fushë që lëvroi./ KultPlus.com

Një vepër pak e njohur e Shtjefën Gjeçovit

“Shpërblesi i botës ase Jeta e Jezu Krishtit”, të cilën, si duket, Atë Shtjefën Gjeçovi e shkroi gjatë qëndrimit të tij si famullitar e mësues në Zym të Hasit (1928-1929), është vepër e pambaruar në dorëshkrim, mbase vepra e fundit e Atë Shtjefën Gjeçovit. Teksti është në dorëshkrim dhe i pambaruar dhe ka 93 faqe. Një gjë, por, është evidente, “Shpërblesi i botës ase Jeta e Jezu Krishtit” e Atë Shtjefën Gjeçovit do të mbetej vepër e humbur apo e harruar pa kujdesin e Imzot Nikë Prelë s, ipeshkëv. Këtë dorëshkrim, të cilin me vigjilencë e ruajti shkëlqesia e tij, po ia paraqesim në një botim të veçantë, lexuesit dhe studiuesit tonë, dhe jo vetëm atij.

Fragment nga dorshkrimi i romanit “Shpërblesi i Botës” të Sh. Gjeçov-Kryeziu.

Dorëshkrimi “Shpërblesi i botës ase Jeta e Jezu Krishtit” i Atë Shtjefën Gjeçovit, siç e thotë edhe vetë titulli, rrok shtjellimin dhe trajtimin e jetës së Shpërblesit të botës, jetën dhe veprën e Jezu Krishtit. Teksti është ndërtuar me një sistem tejet të organizuar e të theksuar dhe merret jo vetëm me jetëshkrimin e jetës dhe veprës së Jezu Krishtit, por edhe me shqyrtime të thella filozofike, teologjike dhe shkencore. Teksti është shkruar me një dije e përkushtim të rrallë krijues, që më në fund mbetet veçanti e shkrimeve të përgjithshme të Atë Shtjefën Gjeçovit, të cilin Faik Konica  e ka vlerësuar si njërin nga njerëzit më të lartë që ka pasur Shqipëria.

Kanë kaluar mbi gjashtë dekada nga koha e shkrimit të këtij teksti. Dhe sot kur, pas gjashtë dekadave, e lexojmë “Shpërblesin e botës ase Jetën e Jezu Krishtit” të Atë Shtjefën Gjeçovit, rëndësia e këtij teksti, e këtij libri që për herë të parë po i jepet lexuesit shqiptar, del e shumëfishtë. Sepse, së pari kemi edhe një vepër deri tash të panjohur të Atë Shtjefën Gjeçovit. Së dyti, e kemi një vepër të një krijuesi të madh, që është mbështetur fuqimisht në përvojën krijuese të traditës shqiptare dhe evropiane.

Dhe së treti, Atë Shtjefën Gjeçovi duke shkruar këtë libër (kështu ai e quan veprën e vet), deshi ta përtërijë traditën e shkrimit shqip sipas shembullit të Bogdanit duke krijuar kësodore, natyrisht, një vepër të re, origjinale e të mbështetur në baza të forta biblike, teologjike, filozofike e letrare – stilistike të traditës shqiptare dhe evropiane. Kjo vepër e Atë Shtjefën Gjeçovit në të vërtetë është një hallkë lidhëse në vargun e veprave të traditës “letrare hasjane” si do të shprehej Dh. S. Shuteriqi. Në këtë traditë do të hynin Pal Hasi, Pjetër Mazreku, Andre, Pjetër e Lukë Bogdani. Vepra e Atë Shtjefën Gjeçovit, si ndërlidhëse brenda një aktiviteti letrar dhe brenda traditës hasjane, historikisht, si do të shprehej edhe I. Rugova, mund të konsiderohet sintezë e përgjithshme e përpjekjeve shekullore, por edhe si kurorëzim i një literature me orientim thjeshtë evropian.

Dhe si e tillë, kjo vepër, edhe pse e papërfunduar, do të mbetet gur i çmueshëm në letërsinë kishtare shqiptare.

V.o. Pjesa është shkëputur nga parathënia e përgatitur nga Isak Ahmeti,1992. / KultPlus.com

Shtjefën Gjeçovi, intelektuali dhe pishtari i ndriçimit të historisë dhe kombit shqiptar

“Sa mûnd t’mêndohet dielli pa dritë, aq mund t’mêndohet komi pa giuhë. Asht nji gjâa sênd qi nuk mûnd t’blehet, nuk shitet e nuk ndrrohet; nji sênd âsht, qi do t’ruhet si nji gur i çmue, do t’ruhet si nji dhântii e posaçme e Perendis e si nji trashigim i t’parvet tonë… do t’ruhet si drita e synit. Kjo dhânti… âsht giuha shqype”.

I rreshtuar përkrah Fishtës e Harapit, françeskani Shtjefën Gjeçovi është figura më e lartë e gjuhës dhe kulturës shqiptare, i cili u dallua në veçanti në sferën e zbulimit dhe promovimit të traditave tona etnokulturore, shkruan gazeta Flatra.

U lind në Janjevë ndërsa u shkollua në kolegjin Françeskan të Troshanit, e më pas studio Teologji në Bosnjë. Krijimtaria e tij karakterizohet nga mbledhja e këngëve, përrallave, miteve, dokeve e zakone popullore e mbi të gjitha, atë që do ta bënte të pavdekshëm, “Kanuni i Lekë Dukagjinit”, monument i gjuhës e i kulturës sonë, për të cilin Universiteti i Lajpcigut i dha titullin “Doktor i Shkencave in Honoris Causa”.

Disa nga veprat tjera të njohura të Gjeçovit janë: “Dashnia e atdheut”, “Agimi i qytetnisë”, “Shqiptari ngadhënjyes”, “Përkrenarja e Skënderbeut”, “Trashëgime trako-ilire” dhe shumë artikuj e studime etnologjike e arkeologjike, të cilat u botuan në organe të ndryshme të shtypit të kohës, sidomos në revistën “Albania” të F. Konicës. Ai la shumë vepra në dorëshkrim, si “Shqiptari ngadhnjyes”, “Princi i Dibrave”, “Mojsi Golemi”, “Mnera e Prezës”, “Përkrenarja e Skënderbeut” etj.

91 vjet më parë At Shtjefën Gjeçovi u ekzekutua me urdhër të komandantit të xhandarmërisë serbe, duke lënë pas vepra dhe krijime të rralla, që ngritën në një nivel tjetër kulturën dhe historinë shqiptare.

Ishte dhe mbetet intelektuali dhe pishtari i ndriçimit të historisë dhe kombit shqiptar./KultPlus.com

90 vjet nga vrasja e Atë Shtjefën Gjeçovit, përurohet rastaurimi i varrit të tij

Në 90 vjetorin e vrasjes së Atë Shtjefën Gjeçovit, këtë të shtunë, u mbajt manifestimi “Takimet e Gjeçovit”, në Zym të Hasit.

Të pranishmit fillimisht vizituan varrin e Shtjefën Gjeçovit në Shën Gjergj, restaurimi i të cilit u përurua.

I pranishëm ishte edhe lideri i LVV, Albin Kurti. Me këtë rast ai u shpreh se Atë Shtjefën Gjeçovi ka bërë studime të kulturës shqiptare dhe kishte grumbulluar thesarin e traditës sonë, ndërsa duke përkujtuar atë vendi ynë mund të ecë sigurt para. / KultPlus.com

Sesion shkencor kushtuar Atë Shtjefën Gjeçovit

Me rastin e 90-vjetorit të vrasjes së Atë Shtjefën Gjeçovit në Zym të Hasit, komuna e Prizrenit, më 30 nëntor 2019, organizon sesionin e katërt të veçantë shkencor me temën “Atë Shtjefën Gjeçovi”.

Temat ku mund të përqendrohen studiuesit janë rinia dhe shkollimi i Atë Shtjefën Gjeçovit, fillet e veprimtarisë fetare dhe kombëtare në Troshan dhe Rubik, veprimtaria kulturore fetare dhe kombëtare në Zllakuqan të Klinës, hapja e Shkollës Shqipe në Zllakuqan, hapja e Shkollës Shqipe në Laç dhe të tjera.

Sesioni shkencor kushtuar Atë Shtjefën Gjeçovit organizohet nga Shoqata e Intelektualëve Shqiptar “Trojet e Arbrit“ Prishtinë dhe Shoqata e Shkrimtarëve “Shtjefën Gjeçovi“ Zym.

Atë Shtjefën Gjeçovi, françeskan shqiptar kosovar, është një nga figurat vigane që krishterimi i fali kulturës kombëtare shqiptare, i cili për kontributi e tij, radhitet përkrah gjenive të tjerë të krishterimit ndër shqiptarë, si imzot Pjetër Budi, imzot Pjetër Bogdani, Atë Gjergj Fishta e shumë të tjerë. Sapo kujton emrin e Atë Shtjefën Gjeçovit (1874-1929), edhe më të fundmit të shqiptarëve që ka pasur rastin të bëjë qoftë edhe dy klasë shkollë, do t’i vejë menjëherë mendja te “Kanuni i Lekë Dukagjinit”, mbledhur e kodifikuar nga frati i madh. Shkroi në të tria gjinitë letrare, mblodhi këngë, përralla, mite, doke e zakone popullore e, mbi të gjitha, atë që do ta pavdekësonte, “Kanunin e Lekë Dukagjinit” monument i gjuhës e i kulturës së Kombit Shqiptar, për të cilin Universiteti i Lajpcigut i dha titullin “Doktor i shkencave in honoris causa”.

Disa prej veprave të tij janë “Dashnia e atdheut”, drama “Agimi i qytetnisë”, “Shqiptari ngadhënjyes”, “Përkrenarja e Skënderbeut”,  botimi i “Kanunit të Lekë Dukagjinit”, vepra “Trashëgime trako-ilire”,  “Jeta e Shën Luçisë, Shna Ndou i Padues, Atil Reguli” – përkthim i lirë i dramës me 3 akte të Pjetër Metasatasit,  etj.

Ndryshe, Atë Shtjefën Gjeçovi u vra më 14 tetor 1929 në Zym të Hasit. / KultPlus.com

Thaçi: Gjeçovi ishte figurë poliedrike

At Shtjefën Gjeçovi i përket plejadës së patriotëve më të shquar të tri dekadave të fillimit të shekullit njëzet, ka thënë presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në manifestimin letrar, kulturor e shkencor “Takimet e Gjeçovit”, që po mbahet në Zym të Hasit.

Me këtë rast i pari i vendit tha se Zymi ka një histori të veçantë, ngase ky emër lidhet me punën e palodhshme të patriotit të shquar të fazës së vonë të Rilindjes Kombëtare, me emrin e Shtjefën Gjeçovit.

“Një intelektual me mendje të rrallë, At Shtjefën Gjeçovi ishte figurë poliedrike: arkeolog, etnograf, mbledhës i folklorit, autor i disa librave e mbi të gjitha mbledhës dhe sistemues i “Kanunit të Lekë Dukagjinit”, i kësaj kryevepre, që njihet si kod juridik dhe zakonor i shqiptarëve për një kohë të gjatë. Ai ishte në kontakt të vazhdueshëm me ideatorin e pavarësisë së Shqipërisë, Hasan Prishtinën, me Dedë Gjo Lulin, Bajram Currin, Azem Bejtën dhe patriotë tjerë të kohës. Prandaj idetë e tij përparimtare për unitetin kombëtar pavarësisht bindjeve fetare, përhapja e librit shqip, lidhjet me intelektualët dhe patriotët e kohës, bënë që ai një ditë vritet në pritë nga qarqet antishqiptare, në vitin 1929”, tha i pari i vendit.

Presidenti Thaçi tha se Zymi i Hasit njihet si vend nga ku dolën figura të mëdha kombëtare, si Pjetër Bogdani, Katarina Josipi, Anton Pashku dhe shumë intelektualë që me veprën e tyre ndikuan në emancipimin e këtyre viseve.

“Hasi i figurave madhore historike, kulturore e kombëtare hapi një kapitull të ndritur në kohën e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Hasjanët nuk hezituan asnjë çast t’i bashkohen luftës çlirimtare”, theksoi presidenti Thaçi.

Ai ka përmendur faktin se Hasi ishte arteria kryesore për sjelljen e armatimit në Kosovë, por edhe të luftëtarëve të lirisë.

“Hasi ishte fushëbeteja e luftërave të mëdha. Hasi ishte kjo arenë e fushëbetejave që nxiti edhe komunitetin ndërkombëtarë të mendoj seriozisht për Kosovën”, shtoi i pari i vendit, duke theksuar se “Sot, përballë bjeshkëve të Pashtrikut legjendar, kujtojmë me respekt dhe përkulemi para të gjithë dëshmorëve të Hasit të rënë për lirinë dhe pavarësinë e vendit”.

Në fund, i pari i vendit tha se nuk ka si të mos shprehin konsideratë për të gjithë intelektualët e veprimtarët që mbajtën të gjallë manifestimin letrar dhe kulturor “Takimet e Gjeçovit”. / KultPlus.com