At Shtjefën Gjeçovi, intelektuali françeskan i vrarë nga shovinistët serbë

Muzeu Historik Kombëtar përkujtoi sot 95-vjetorin e ndarjes nga jeta të At Shtjefën Gjeçovit.

At Shtjefën Gjeçovi lindi në Janjevë të Kosovës më 12 korrik, të vitit 1874. Pasi kreu kolegjin françeskan në Troshan, në vitin 1888 u nis për të ndjekur studimet në Kroaci. Pas përfundimit të studimeve në vitin 1896 u dorëzua prift dhe shërbeu në Pejë, Gomsiqe, Theth, Rubik etj.

At Shtjefën Gjeçovi përfaqësonte intelektualin erudit, i cili grumbulloi qindra gojëdhëna, përgatiti monografi shkencore, shkroi artikuj, hartoi tekste mësimore, përktheu nga letërsia botërore, etj. At Shtjefni ka botuar këta libra: “Jeta e shën Luçis, pajtores s’arkidieçezit të Durrsit” (1904), “Mark Kuli Kryeqitas” (1905), “Agimi i qytetnis”,(1910), “Shna Ndou i Padues” (1912), “Atil Reguli” (përkthim i lirë i dramit me tri pamje të Pjetër Metastasit) (1912), “Vajza e Orleans-it ase Joana d’Ark”, (1915), “Atil Reguli” (1912), “Moisi Golemi” dhe “Kanuni i Lekë Dukagjinit” (1933).

At Shtjefën Gjeçovi u bë i famshëm me librin “Kanuni i Lekë Dukagjinit”. Rregullat e kanunet ai i mblodhi nga goja e popullit dhe fillimisht i botoi në revistën “Hylli i Dritës”. Ai u vra nga shovinistët serbë më 14 tetor të vitit 1929 në katundin Zym të Prizrenit ku shërbente si famulltar./KultPlus.com

150 vjet nga lindja e At Shtjefën Gjeçovit, ‘babai’ i studimeve folklorike shqiptare

Më 12 korrik 1874, në Janjevë të Kosovës, lindi Shtjefën Mëhill Konstantin Gjeçi-Kryeziu, i njohur si At Shtjefën Gjeçovi, prifti katolik, etnologu dhe folkloristi shqiptar, i cili konsiderohet si babai i studimeve folklorike shqiptare.

Ai u shkollua nga françeskanët në Bosnje (nën kontrollin e Austro-Hungarisë) dhe u shpërngul në Shqipëri në vitin 1896, pasi u bë prift, dhe kaloi vitet midis 1905 dhe 1920 midis fiseve malësore shqiptare, duke mbledhur literaturë gojore, ligj fisnor, arkeologji dhe folklori.

Kryevepra e tij, Kanuni i Lekë Dukagjinit, është përmbledhja e ligjit zakonor shqiptar, e cila u botua pas vdekjes së tij, në vitin 1933.

Atdhetar shqiptar dhe studiues i zellshëm i gjithçkaje që lidhet me të kaluarën shqiptare, ai ishte i urryer nga popullata serbe dhe autoritetet lokale. Ai u vra nga nacionalistët serbë më 14 tetor 1929, në fshatin Zym afër Prizrenit, Kosovë (në atë kohë pjesë e Mbretërisë Jugosllave), ndërsa shërbente si prift dhe mësues vendas.

Për nder të tij ka monumente si në Zym ashtu edhe në Janjevë, ndërsa shtëpia ku ai lindi u bë muze. Varri i tij ndodhet në fshatin Karashëngjergj jo shumë larg Zymit. Emrin e tij e mbajnë disa shkolla në Kosovë dhe Shqipëri.

“Gjurmët e Gjeçovit” është një aktivitet vjetor që mbahet në vendlindjen e tij Janjevë që nga viti 2000, për të përkujtuar dhe promovuar veprën dhe trashëgiminë e tij. / KultPlus.com

Atë Shtjefën Gjeçovi, njeriu që hapi shkollat e para shqipe pas pavarësisë

Shkruan: Andreas Dushi

Poliedrija, apo ndryshe gjithëdija e personaliteteve shqiptare, kufizon ndjeshëm dëshirën e atyre që duan të shkruajnë për to, pasi sikurse thonin grekët e lashtë, është e vështirë që të vdekshmit të shkruajnë për të pavdekshmit. Çfarë sot po marr guximin të bëj, në përvjetorin e lindjes së figurës së shquar të shqiptarisë Atë Shtjefën Gjeçovit, është pikërisht kjo: Një i vdekshëm po shkruan për një të pavdekshëm.

Kur pata fatin të vizitoja disa prej trevave të zonës së Dukagjinit, më bëri shumë përshtypje që në çdo shkollë apo godinë që dikur përdorej si shkollë kishte pllaka të mermerta ku shkruhej emri i një njeriu që nuk ishte edhe emri i shkollës. Në Prekal, fjala bie, ishte emri i Atë Shtjefën Gjeçovit si i pari që çeli një shkollë shqipe atje.

Duke vijuar më tej, këtë emër e shoh të shkruar edhe sa e sa herë, ndër sa e sa pllaka çka pa frikë më bëri të kuptoj diçka: Dukagjini, një trevë e quajtur “e prapambetur” nga dashakeqësit e saj, ka një fat që shumë krahina të tjera të Shqipërisë nuk e kanë: Prej 100 vjetëve ka arsim.

Ky fat, i cili buron nga prania e etërve françeskanë si të vendosur të përhershëm apo vizitues të herë pas hershëm falë programeve të misioneve shëtitëse (të përmendura nga Atë Zef Valentini apo Atë Domenico Pasi në librat e tyre “Misionet Shëtitëse” botuar nga “Plejad”), akoma edhe sot vazhdon të tregojë të mirat që ka sjellë.

Atë Shtjefën Gjeçovi, figura e jashtëzakonshme e kulturës së shqiptarisë, i lindur në Janjevë të Kosovës është ai i cili meriton jo respektin e gjithkujt, pasi me sa e njoh mes shkrimeve të të tjerëve ai nuk synonte të ishte i “gjithëdashur”, por të paktën njohjen nga gjithkush pasi ai qe i pari në shumëçka dhe, për fat të keq, edhe i fundit si punues serioz në thuajse çdo fushë që lëvroi./ KultPlus.com

148 vjet nga lindja e At Shtjefën Gjeçovit, ‘babai’ i studimeve folklorike shqiptare

Më 12 korrik 1874, në Janjevë të Kosovës, lindi Shtjefën Mëhill Konstantin Gjeçi-Kryeziu, i njohur si At Shtjefën Gjeçovi, prifti katolik, etnologu dhe folkloristi shqiptar, i cili konsiderohet si babai i studimeve folklorike shqiptare. Ai u shkollua nga françeskanët në Bosnje (nën kontrollin e Austro-Hungarisë) dhe u shpërngul në Shqipëri në vitin 1896, pasi u bë prift, dhe kaloi vitet midis 1905 dhe 1920 midis fiseve malësore shqiptare, duke mbledhur literaturë gojore, ligj fisnor, arkeologji dhe folklori.

Kryevepra e tij, Kanuni i Lekë Dukagjinit, është përmbledhja e ligjit zakonor shqiptar, e cila u botua pas vdekjes së tij, në vitin 1933.

Atdhetar shqiptar dhe studiues i zellshëm i gjithçkaje që lidhet me të kaluarën shqiptare, ai ishte i urryer nga popullata serbe dhe autoritetet lokale. Ai u vra nga nacionalistët serbë më 14 tetor 1929, në fshatin Zym afër Prizrenit, Kosovë (në atë kohë pjesë e Mbretërisë Jugosllave), ndërsa shërbente si prift dhe mësues vendas.

Për nder të tij ka monumente si në Zym ashtu edhe në Janjevë, ndërsa shtëpia ku ai lindi u bë muze. Varri i tij ndodhet në fshatin Karashëngjergj jo shumë larg Zymit. Emrin e tij e mbajnë disa shkolla në Kosovë dhe Shqipëri.

“Gjurmët e Gjeçovit” është një aktivitet vjetor që mbahet në vendlindjen e tij Janjevë që nga viti 2000, për të përkujtuar dhe promovuar veprën dhe trashëgiminë e tij. / KultPlus.com

‘Mua edhe mund të më vrasin, por gjuhën dhe kombin shqiptar nuk do të mund t’i vrasin kurrë’

Me 14 tetor të vitit 1929, derisa po kthehej nga Prizreni në Zym, aty rreth muzgut, Shtjefën Gjeçovi u sulmua në një pritë nga xhandarët serbë. Me dhjetëra plumba u shkrepën mbi të. Vdekja ishte e menjëhershme. Vendimi për vrasjen e tij ishte marrë ne Beograd. Nga viti 1921 Gjeçovi, në mënyrë të hapur dhe aktive, i ishte kundërvënë politikës serbe, e cila synonte deshqiptarizimin total të Kosovës. Kudo që shkonte e predikonte, Gjeçovi fliste hapur kundër kësaj politike. Ai ishte një intelektual tipik i Rilindjes Kombëtare, që besonte se feja ka vlerë vetëm për aq kohë sa i shërben mirëqenies së kombit.

Si një lexues pasionant i dijeve sociologjike të kohës, ai e dinte se identiteti i një kombi është kontratë me të parët e tij, një rigjetje e rrënjëve të tij të mbulura nga stuhitë e historisë. Kështu, ai i vetëm i hyri një pune të madhe: gjetjes së këtyre rrënjëve. Sapo përfundonte liturgjitë fetare, ai shndërrohej në arkeolog dhe etnolog, për t’u dëshmuar bashkëatdhetarëve të tij dhe botës rrënjët evropiane të popullit shqiptar.

Por Gjeçovi nuk kishte shije të sofistikuara vetëm për arkeologjinë, etnologjinë e gjuhësinë. Ai kishte edhe një sens të hollë për zhvillimet politike të kohës. Ai i kuptonte me një qartësi të mahnitshme ngjarjet politike rreth tij, lojërat dhe intrigat që luheshin në kurriz të shqiptarëve. Në vitin 1921 kryeministri dinak serb, Nikolla Pashiq ia kishte dalë ta mashtrojë kapedanin e Mirditës Gjon Marka Gjonin, duke e bindur atë se qeveria e Tiranës ishte thjesht një qeveri islamike e se ai duhej ta shpallte shtetin e tij të pavarur nga shteti shqiptar, të ashtuquajturën “Republika e Mirditës”.

Pashiqi i kishte premtuar se Serbia do ta njihte menjëherë pavarësinë e Mirditës dhe do të ndikonte që edhe Lidhja e Kombeve të bënte të njëjtën gjë. I mashtruar Gjon Marka Gjoni u nis për në Prizren, aty ku ishin bërë përgatitjet për shpalljen e Republikës së Mirditës. Shtjefën Gjeçovi, që ato ditë ndodhej në Zllakuqan, e morri vesh lajmin. Tronditja e tij ishte e madhe. E la në gjysmë liturgjinë që po udhëhiqte, hyri në dhomën e tij private, morri një flamur kuq e zi që e mbante gjithmonë afër vetës dhe i tha ndihmësit të tij se duhej të niseshin menjëherë për në Prizren.

Një gjamë e madhe po i gatuhej kombit dhe ai nuk mund të rrinte duarkryq. Kur arriti në Prizren, kapedani i Mirditës kishte kohë që ndodhej aty. Gjeçovi i kërkoj takim sy me sy për t’ia hapur sytë e çorruar nga mashtrimi i Pashiqit. Gjeçovi i tha kapedanit të Mirditës se ka ra në kurthin e Pashiqit, se qeveria e Tiranës nuk është qeveri antikatolike, por një qeveri kombëtare shqiptare, se qëllimi i Pashiqit është të nxisë luftë ndërfetare midis shqiptarëve dhe kështu të shkatërroj shtetin e sapo krijuar shqiptar dhe pas kësaj t’i bindë fuqitë e mëdha për një ricoptim të tokave shqiptare. Kapedani i Mirditës s’po u besonte veshve, çfarë ishte duke dëgjuar. Gjeçovi u ngrit të dilte nga takimi dhe në derë ia tha fjalët e fundit : “Kjo rrugë që ke marrë është rrugë e tradhtisë kombëtare”.

Një njeri që nuk kishte tjetër mjet në dorë, përveç fjalës, nuk mund të bënte më shumë. Gjeçovi u nis për t’u kthyer në Zllakuqan, por fjalët e tij ndikuan shumë që mashtrimi i Pashiqit të demaskohej dhe turpërimi i Mirditës të përfundonte me pak pasoja. Natyrisht, këtë dhe shumë veprime të tjera, qeveria e Beogradit nuk do t’ia falte kurrë Gjeçovit. Pasi kishte shkatërruar lëvizjen e armatosur antiserbe në Kosovë, kjo qeveri tani i ishte kthyer shkatërrimit edhe të atyre pak individëve që po përpiqeshin për një rezistencë shpirtërore kundër sundimit brutal serb në Kosovë.

Sigurisht i pari që duhej të goditej ishte Shtjefën Gjeçovi dhe kjo gjë ndodhi në muzgun e 14 tetorit të vitit 1929. Gjeçovi, një mendje iluministe dhe guximtare, që po përpiqej të ndriqonte në natën e madhe të robërisë së Kosovës, u shua atë ditë në shpatijet e Zymit nga plumbat e xhandarëve serbë. Pas mbetën fjalët e tij profetike : “Mua edhe mund të më vrasin, por gjuhën dhe kombin shqiptar nuk do të mund t’i vrasin kurrë”./ KultPlus.com