“Hylli i Dritës”, revista e themeluar nga At Gjergj Fishta dhe e ringjallur nga At Zef Pllumi (FOTO)

“Hylli i Dritës”, revistë kulturore – letrare, u themelua nga Át Gjergj Fishta, në vitin 1913, pikërisht në kohën e pavarësisë kombëtare, kur shtetit të ri, duhej t’ i jepej shpirt dhe orientim, përcjell KultPlus.

“Dijetarët dhe patriotët e bashkuar rreth idesë së kësaj reviste, punonin me shumë dashuri e përkushtim për një përlindje shpirtërore e kulturore. Punonin që shtetit t’i jepej shpirt dhe orientim të qartë perëndimor. Prej asaj kohe, revista luajti rol të jashtëzakonshëm në formimin kulturor të Shqipërisë, duke u bërë një lloj institucioni, që arriti t’ i bashkoi mendjet më të ndritura të kohës, rreth idesë së emancipimit kulturor dhe lartësimit kombëtar”, shkruan Ndue Ukaj në një postim të tij në Facebook, pasi ka marrë në dorë numrin e fundit të kësaj reviste.

Át Zef Pllumi, i cili e ringjalli “Hyllin e Dritës” pas disa dekadave, e quajti atë “busulla në të cilën shënohet vetëm një drejtim: Europë.”

Kjo revistë, lindi “nëper ag të qytetnisë së Shqypnisë”, dhe u bë shenja më domethënëse e qytetnisë dhe kulturës kombëtare.
“Revista vazhdon edhe sot të botohet nga Provinca Françeskane e Shqipërisë. Ky është numri i fundit”, përfundon Ukaj./ KultPlus.com

Fjalët e Ismail Kadaresë për librin e At Zef Pllumit

Vepra “Rrno vetëm për me tregue” nga At Zef Pllumi ka marrë kritikat letrare të nevojshme, por edhe bekimin e plot njerëzve si libër që duhet lexuar për ta kuptuar jetën e priftit shqiptar në një kohë tjetër për shqiptarët.

Frati françeskan dhe një publicist e shkrimtar i palodhshëm, At Zef Pllumi na e la këtë libër si dëshmi që jetoi dhe dha kontribut në disa fusha.

Vëllimi i parë i librit është botuar në vitin 1995, ndërsa vëllimi i dytë në vitin 1997. Redaktori i librit, sikundër edhe në dy vëllimet e para, është Aurel Plasari.

Në mesin e njerëzve që e vlerësuan librin dhe thanë fjalët më të mira për të, ishte edhe Ismail Kadare, shkrimtari shqiptar.

“Gjithë shoqëria shqiptare ka nevojë për këtë vepër. Kanë nevojë për ata që e kanë jetuar atë kohë, e po aq, në mos më tepër, ata që s’e kanë jetuar. Kanë nevojë të shtypurit e të nëpërkëmburit, e po aq, në mos më tepër, ata që shtypën të tjerët. Kanë nevojë antikomunistët, e po aq, ndoshta më tepër, komunistët.
Shkurt për të ka nevojë ndërgjegjja jonë.”

Kujtimet e Pllumit, dhe të disa emrave të tjerë që i kanë kaluar ato rrathë ferri, janë beteja më e ashpër kundër dinakërisë së një pjese të shoqërisë që është përpjekur për të harruar të shkuarën – një e harruar që i krijon hapësirë vetëm atyre që kanë mbështetur atë përbindësh e që nuk duan për asnjë çast që t’i zbathet e shkuara. Duke sjellë përmes një rrëfimi shumëçka që ka ndodhur me të dhe shumë persona rreth tij, e sidomos në burgjet shqiptare, At Zef Pllumi ka ngritur pikëpyetjen e drejtpërdrejtë mbi atë çfarë duhet bërë me të shkuarën e prindërve dhe gjyshërve tanë. / KultPlus.com

“Ky popull, edhe me i shtie opangën në gojë nuk flet…”

Një intervistë e dikurshme e At Zef Pllumit është ajo çka i duhet për të reflektuar sot popullit shqiptar kudo.

Intervista është bërë në vitin 2005 dhe Pllumi është i shqetësuar për faktin se Kisha Katolike ka rënë në duart e të huajve.

82-vjeçari e quan veten të pafuqishëm për të ndikuar në përmirësimin e gjërave, në përgjithësi në shoqërinë shqiptare.

“Unë jam në moshë të thyeme dhe mund të thonë ‘ky asht i marrë’. Ama, kur ato që unë them nuk u pëlqejnë, më quajnë të marrë, kur u kanë pëlqye, thonë ‘ky di shumë’. Por tani që puna ka përfundue, mendimi em ndoshta nuk zen vend. Ne jemë nji popull që kemë kalua një diktaturë shumë të vështirë. Por, para kësaj diktature, përveç një periudhe shumë të shkurtë lirie, kemë kalue nji robni 500-vjeçare. Në këtë mënyrë, ky popull asht mësue që, edhe me i shtie opangën në gojë, nuk flet, as bërtet. Këtu nuk jam dakord me popullin tem”.

Kjo intervistë e ndjerë e At Zef Pllumit vjen në kohën e një dëshpërimi të përgjithshëm në opinionin publik dhe duket si një ‘gjamë’.

Vetë At Zef Pllumi në librin e tij ‘Rrno për me tregue’ ka treguar me kaq pasion se si e përjetoi ‘gjamën e fundit’ në Malësi, pak pasi regjimi komunist kishte vendosur ndalimin.

Zef Pllumi ishte frat françeskan, publicist e shkrimtar. Me prirje përgatitore për kah historia para se të ndërmerrte kalvarin, me të arritur lirinë merr ndër duar frerët kulturorë të trashëgimisë françeskane. shte 22 vjeç, kur më 14 dhjetor 1946 arrestohet dhe dënohet me tre vjet burg, dënim që vuajti pranë Burgut të Madh të Shkodrës dhe në kampet famëkeqe të Bedenit në Myzeqe, dhe Orman-Pojanit në Maliq. Me t’u liruar shkon herë në Shkodër e herë në Shëngjin, tek familja e tij, në vartësi të situatës. / KultPlus.com

Hapet ekspozita me dorëshkrimet dhe gjërat personale të At’ Zef Pllumit në BKK (FOTO)

Në dhjetë vjetorin e ndarjes nga jeta të At Zef Pllumit, veprimtaria e tij është e shtrirë në një ekspozitë e cila u hap sot në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, shkruan KultPlus.

Gili Hoxhaj

Biblioteka Kombëtare e Kosovës dhe Provinca Françeskane Shqiptare organizuan këtë ekspozitë me dorëshkrime dhe gjëra personale të Át Zef Pllumit, Át Shtjefën Gjeçovit dhe Gjergj Fishtës.

Në hollin e Bibliotekës Kombëtare kishin zënë vend dorëshkrimet e tij të shkruara në mënyrë klasike përmes lapsit , brenda kësaj ekspozitë gjendej edhe Bibla e tij personale dhe disa nga dorëshkrimet e veprës “Rrno për më tregue”. Po ashtu në mes të kësaj ekspozite ndodheshin tre shkopinjtë e Át Zef Pllumit, Át Shtjefën Gjeçovit dhe Gjergj Fishtës, dhe shumë pranë tyre maska mortore e At’ Gjergj Fishtës.

Akademiku Sabri Hamiti, e quajti Pllumin si një misionar të humanizmit, dhe jo vetëm i besimit dhe i kulturës.

“Ky takim dhe takimet e tjera dëshmojnë se mirënjohja jonë për Zefin, ekziston andaj dhe mirënjohja jonë për Zefin sot është ta lexojmë veprën e tij. Botimet françeskane kanë bërë një punë mirënjohjes sepse i kanë botuar librat e tij, bile në një libër kanë botuar edhe një dorëshkrim të tij”, ka thënë Hamiti në ceremoninë hapëse të kësaj ekspozite.

Prirësi katolik në Kosovë, Don Lush Gjergji tha se e gjithë veprimtaria e Zefit përmblidhet në dy shtylla të besimit të krishterë, që janë e vërteta dhe dashuria që aftësojnë dhe dhurojnë vlerën më të madhe për falje dhe pajtim.
“At’ Zef Pllumbi është një histori e gjallë dhe tronditëse e tmerrit dhe ferrit shqiptar që pa dorëza dëshmoi dhe tregoi ideologjinë komuniste dhe ateiste. Kjo histori dhe dëshmi ka edhe një anë tjetër ku vjen edhe vuajtja, qëndresa, pafajësia, shpresa, duresa stoicizmi i besimit të krishterë deri të ngadhënjimi, paqja, liria demokracia që përmblidhen në kryeveprën e tij që përmblidhen në veprën “Rrrno për me tregue”.

Kjo ishte ekspozita e cila u hap sot në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, dhe do të vazhdoj të qëndroj e hapur përgjatë 1 jave./ KultPlus.com

Ekspozohen letrat e rralla dhe sendet personale të At’ Fishtës e At’ Pllumit (FOTO)

Dorëshkrimet, botimet, sendet personale të At Gjergj Fishta dhe At Zef Pllumi u ekspozuan për publikun e gjerë në katedralen e Shën Palit.

Nuk është i rastësishëm takimi i dy françeskanëve në këtë ekspozitë. At Zef Pllumbi ka ruajtur një sërë dorëshkrimesh dhe sende personale të at Fishtës të cilat sot janë pjesë e pasurisë kombëtare dhe bibliotekave françeskane.

I tillë është dorëshkrimi i Fishtës Juda Makabre i ruajtur nga At Zef Pllumbi, botimi origjinal i Lahutës së Malësisë që i parkete dy shtatorit 1939, dy bastunët personal të françeskanëve, dhe maska mortore e Gjegj Fishtës.

At Zef Pllumi ka dorëshkrimet dhe kujtimet gjatë kohës së internimit dhe vuajtjes së dënimit për më shumë se 20 vjet. Ai është një nga figurat e qëndresës nën diktaturë dhe mendimit të përparuar shqip. Kreu i Kishës Katolike, ipeshkv i dioqezës Tiranë-Durrës George Frendo u shpreh i lumtur që kjo pasuri letrare u ekspozuan për besimtarët katolik dhe për të gjithë qytetarët.

George Frendo: Këtu janë shkrimet e At Gjergj Fishtës që i kishte ruajtur vetë padër At Zef Pllumbi, at Hanton Arapi.

Klerikët thonë se At Zef Pllumi, është një ndër figurat e ndritura të njeriut që “Rrnojti për me tregue” dhe dëshmoi para Zotit dhe gjithë brezave vuajtjet gjatë diktaturës, djegien e Kishave, tentativat e shfarosjes së besimit dhe mënyrës se si trajtoheshin barbarisht besimtarët, pjesë më e madhe e tyre të shpallur martirë.

Në botimet voluminoze “Rrno me tregue: At Zef Pllumi shkruan “Unë tanë jetën e kam kalue në burg, por mendimtár i lír. Ta mendojmë vedin zogj të lirë e fluturojmë ku të duem…”./KultPlus.com


Ekspozitë me dorëshkrime dhe objekte personale të At Gjergj Fishtës dhe At Zef Pllumit

Në vijim të aktiviteteve me rastin e 10 vjetorit të ndarjes nga jeta të një nga figurave më të shquara të kulturës shqiptare, At Zef Pllumit, do të hapet edhe një ekspozitë, shkruan KultPlus.

Provinca Franceskane e Shqipërisë në bashkëpunim me Arqipeshkëvinë Metropolitane të Tiranës – Durrësit dhe Bibliotekën Kombëtare me rastin e 10 vjetorit të vdekjes së At Zef Pllumit, në ambientet e Kurias Ipeshkvore (pranë Katedrales së Shën Palit) Tiranë, organizon ekspozitën me dorëshkrime dhe gjëra personale të At Gjergj Fishtës dhe At Zef Pllumit, të shtunën, më 30 shtator, ora 12:00.

Më këtë rast një fjalë përshëndetëse do ta mbaj Shkëlqesia e Tij Imzot George Frendo. / KultPlus.com

Fotografia që na dha trishtim

Fotografia e vitit 1967, të cilën historiani shqiptar, Kastriot Dervishi e publikoi për herë të pare me rastin e 10 vjetorit të vdekjes së At Zef Pllumit na dha tronditje e trishtim.

Është fiksuar çasti kur At Zef Pllumi u arrestua nga komunistët, derisa provoi të kapërcente ilegalisht kufirin.

Pikërisht në vitin 1967, regjimi komunist ndaloi besimin në Zot dhe Shqipëria zyrtarisht u shpall i vetmi shtet ateist në botë!

At Zef Pllumi vuajti plot 25 vjet burg në Diktaturën shqiptare. Nëse shqiptarët mendojnë se janë liruar nga hija e këtij regjimi, gabojnë rëndë.

Pasi komunistët në Kosovë e Shqipëri, nuk u ndëshkuan për krimet e bëra për gjysmë shekulli, pasardhësit e tyre neokomunistët e rinj, sërish kanë nxjerrë kokën dhe dy shtetet shqiptare vazhdojnë të kërcënohen me mungesë perspektive në varfëri e izolim.
Neokomunistët ende luftojnë kundër sloganit të shenjtë: Për Fe e Atdhe. (Shkruan Bajram Mjeku)/ KultPlus.com

‘Në kujtim të At Zef Pllumit’, ekspozitë dhe forum në Bibliotekën Kombëtare

Sot me fillim nga ora 11:00, në Bibliotekën Kombëtare në Tiranë, do të mbahet ekspozita kushtuar memuaristikës shqipe dhe forumit ‘At Zef Pllumi-dëshmi’, shkruan KultPlus.

Në këtë ngjarje do të marrin pjesë Odile Daniel, Sabri Hamiti, Ardian Marashi, Keda Kaceli, Mark Marku, Enriketa Pandelejmoni, Blendi Fevziu, Agron Tufa, Elsa Demo, Rudi Erebara, Arben Bajo, Pashkë Përvathi, Arben Derhemi, Milto Kutali dhe Persida Asllani.

Po në këtë event do të bëhet promovimi i botimit të veprës së At Zef Pllumit të plotë në ‘Botimet Franceskane’, nga At Vitor Demaj dhe At Mirash Marinaj./ KultPlus.com

Lezha kujton At Zef Pllumin në 10 vjetorin e vdekjes

Lezha ka sjellë në kujtese françeskanin “At Zef Pllumi”. Në 10 vjetorin e ndarjes nga jeta të tij, Bashkia organizoi një aktivitet përkujtimor, ku merrnin pjesë studiues, shkrimtar, miq, bashkëpunëtorë si dhe të afërm të françeskanit, që vuajti shumë gjatë regjimit komunist.

Të pranishmit referuan mbi jetën dhe veprën e At Zef Pllumit.

Frano Kulli, botues: Ruaj të njëjtat impresione, kujtime të cilat i ka shumëkush prej atyre që e kanë njohur.

Kryetari i Bashkisë Lezhë Fran Frrokaj u shpreh se At Zef Pllumi është një pjese e historisë së kombit shqiptar e cila nuk duhet harruar asnjëherë.

Rrokaj: Historia e tij nuk duhet harruar.

At Zef Pllumi do të mbesë gjatë në memorien e të gjithëve për veprimtarinë e tij të shkëlqyer si klerik dhe shkrimtar si dhe për kalvarin e vuajtjeve në burgjet e komunizmit. / KultPlus.com

Botohet e plotë vepra e At Zef Pllumbit (VIDEO)

Provinca françeskane në Shqipëri ka përgatitur botimin e veprës së plotë të At Zef Pllumit, e cila do të promovohet në shtator, me rastin e 10 vjetorit të ndarjes së tij nga jeta.

Françeskani At Zef Pllumi vuajti 23 vite të jetës së tij në burgjet dhe kampet e diktaturës komuniste dhe, vitet e fundit të jetës, botoi veprën e tij më të rëndësishme “Rrno vetëm për me tregue”, një dëshmi e persekucionit komunist në Shqipëri.

“Zëri i Amerikës” bisedoi me patër Viktor Demaj, i cili punoi për mbledhjen dhe botimin e veprës së At Zef Plumit. / KultPlus.com