Shqiptari Atdhe Belegu, arkitekti më i vlerësuar me çmime në Norvegji

Arkitekti me origjinë shqiptare Atdhe Belegu është personazhi i përzgjedhur në kopertinën e gazetës mujore “Arkitektnytt”. 28 vjeçari i lindur në Norvegji, me prejardhje nga Peja po i ngjit suksesshëm shkallët e karrierës. Gazeta e njohur norvegjeze i kushton plot 7 faqe arkitektit shqiptar Atdhe Belegu ku shkruhen detaje për prejardhjen e tij, suksesin, studimet e suksesshme dhe çmimet e fituara në fushën e arkitekturës.

Ndonëse vetëm 28 vjeç Atdhe Belegu është arkitekti më i vlerësuar me çmime në Norvegji. Në 2017 ai mori çmimin më të lartë nga shkolla e arkitekturës në Bergen për punimin e tij të magjistraturës. Me vonë ai fitoi çmimin e “Statsbygg” për arkitekturë të shkëlqyeshme (2017), çmimin Aspelin Ramm (2018), Europan Norway (2019) dhe çmimin DOGA (2020). Në 2019 Estate Media e përfshiu Atdhe Belegun në listën e “10 të rinjve në ngritje’’.

Në intervistën e dhënë për “Arkitektnytt” ai flet për punën e tij, për sfidat e mëdha të proceseve aktuale të zhvillimit urban në Norvegji dhe se si një vend ku mund të ketë zhvillim të suksesshëm dhe të qëndrueshem përmes një zhvillimi të kontekstualizuar, e cila po ashtu karakterizon punën e Atdheut. 28-vjeçari me prejardhje nga Peja, i lindur në Norvegji, ka kryer studimet master në shkollën e arkitekturës në Bergen të Norvegjisë me projektin “03 Assembly Palace”, me të cilin edhe kishte garuar për çmimin “Aspel Ramm”, duke u shpallur fitues.

Menjëherë pas studimeve, Belegu filloi punën si arkitekt në studion arkitekturore “Mad”, në Norvegji, duke nisur kështu një karrierë të suksesshme që deri më sot është vlerësuar mjaft.`/ diasporashqiptare/ KultPlus.com

Atdhe Belegu fiton çmimin “Aspel Ramm” në Novergji

Kohëve të fundit janë shpeshtuar sukseset e të rinjve kosovarë në fushën e arkitekturës. Këtë e dëshmon edhe një herë rasti i Atdhe Belegut, i cili ka fituar çmimin “Aspel Ramm”, një prej çmimeve më të rëndësishme arkitekturore në Norvegji.

Dhe jo vetëm kaq. Ky është çmimi i dytë që Atdhe Belegu mban, përfshirë edhe çmimin “Statsbygg”.

Ndërtimi.info ka kontaktuar me Belegun, i cili ka treguar rreth pjesëmarrjes së tij në garën për këtë çmim, i cili përpiqet të inkurajojë zhvillimin e njohurive që kontribuojnë për një një zhvillim më të mirë dhe më të orientuar të qyteteve.

25-vjeçari me prejardhje nga Peja, i lindur në Norvegji, ka kryer studimet master në shkollën e arkitekturës në Bergen të Norvegjisë me projektin “03 Assembly Palace”, me të cilin edhe kishte garuar për çmimin Aspel Ramm, duke u shpallur fitues.

Menjëherë pas studimeve, Belegu kishte filluar punën si arkitekt në studion arkitekturore “Mad”, në Norvegji.

“Për të kandiduar për çmim, projekti me të cilin kandidon duhej të ishte jo më i vjetër se 5 vjet. Pasi që të gjitha dokumentet përkatëse u dërguan, juria përzgjodhi 4 projekte të cilat më pas, ne 4 finalistët, i prezantuam në Oslo Urban Arena me 18 shtator”, tregon Belegu rreth pjesëmarrjes.

E për të depërtuar në këto gara, ai thotë se nuk ka qenë edhe e lehtë.

“Nganjëherë mund të jetë sfidues formati i projektit që përcaktohet e kërkohet për dorëzim nga organizatorët pasi që jo çdoherë përkon me formatin në të cilën e ke përshtatë ti vetë nga fillimi. Jashtë kësaj nuk kam përjetuar ndonjë pengesë”, shprehet Belegu për ndertimi.info.
Ai tani është duke punuar me projektin për ndërtimin e një parku institucional në Tønsberg të Norvegjisë, megjithatë, suksese e arritura deri tani, po e frymëzojnë atë për t’u bërë pjesë e garave të ndryshme ndërkombëtare.

“Ende nuk kam kandiduar për ndonjë çmim ndërkombëtar, por këto që i kam fituar tani në Norvegji me frymëzojnë të shikoj edhe përtej Norvegjisë. Momentalisht jam i përfshirë në një projekt në Tønsberg të Norvegjisë ku jemi duke e realizuar një park të ri institucional në atë rajon”, tregon ai.

Edhe pse Belegu nuk ka punuar ende me ndonjë projekt në Kosovë, ambiciet e tij për të ardhmen përfshijnë, ndër të tjera, ndërtimin dhe stimulimin e mekanizmave që frymëzojnë një zhvillim më të qëndrueshëm të arkitekturës në Kosovë./KultPlus.com