Edicioni i dytë i Festivalit Ndërkombëtar të Fotografisë, FOTOIST, i cili mbahet në Prishtinë, sjell në fokus debatet rreth çështjes së të pagjeturve nëpërmjet tre ekspozitave fotografike. Këto ekspozita paraqesin punët e Hrair Sarkissian, artist i njohur ndërkombëtar, Atdhe Mulla, fotograf i shquar kosovar, dhe Korab Krasniqi, hulumtues ne forumZFD programin ne Kosovë, dhe u kushtohen Ditës Ndërkombëtare të Viktimave të Zhdukjeve të Detyruara, duke shërbyer si një thirrje për empati, ndërgjegjësim dhe përkujtim.
Ekspozita hapet më 30 gusht 2024, në ora 17:00, në katin e pestë të Hotel Grand.
“Trilogji Vizuale për të Pagjeturit e Luftës” organizohet në bashkëpunim ndërmjet FOTOIST, forumZFD programi në Kosovë, Barabar, Integra dhe Qendra Burimore për Persona të Zhdukur./ KultPlus.com
Fjala e urtë “Të shohësh është të besosh” është themeli i fotografisë pasi shpesh shihet si mjeti i vetëm për regjistrimin e realitetit objektiv. Fotografitë janë të njohura për të treguar histori dhe për të ngjallur ndjenja. Çdo imazh ka një tregim të bashkangjitur me të. Qoftë kjo një ditë e qetë në diell apo një fushëbetejë e pasluftës e mbuluar me gjak, shkruan KultPlus.
Për të treguar fuqinë e tyre dhe për të shërbyer si thirrje në mbështetje të viktimave dhe grupeve të tjera të prekura nga lufta, në kërkimin e tyre për të vërtetën dhe drejtësinë, 4 fotografë: Atdhe Mulla, Arbnora Memeti, Nake Batev dhe Borislav Pesič, u bënë bashkë nga organizatorët e ekspozitës “Gjithë lotët tanë”, e cila i kushtohet rrëfimeve të viktimave të luftërave në rajon, pikërisht më datë 10 dhjetor, kur edhe shënohet Dita Ndëkombëtare e të Drejtave të Njeriut.
34 fotografi të vendosura në katin e tretë të një prej hoteleve më të njohur në kohën e ish-Jugosllavisë, pikërisht në periudhën për të cilën këto fotografi u realizuan dhe u kthyen në jetë, ndodheshin në disa dhoma, ku mund të shihje edhe histori nga të ndryshmet. Duke filluar nga vdekja e të vetmit që i mbijetoi një masakre, e deri te gërmimet në Kizhevak.
I pari që mori fjalën ishte Bajram Qerkini nga Qendra Burimore për Persona të Zhdukur.
“Mas vështiri është me fol përpara juve. Këtu jemi sepse është një ditë për të drejtat e njeriut. Kuptoni si të doni, por të drejtat e njeriut te ne po shkelen për çdo ditë. Të drejtat elementare për zbardhjen e të pagjeturve po shkelen çdo ditë. Sot po thuhet se kërkojmë të zbatohen të drejtat e njeriut, ashtu siç janë të garantuara me konventa ndërkombëtare. Ne nuk e dijmë se ku i kem edhe 1600 persona tjerë qe 23 vite. Kush duhet ta shtyjë këtë proces përpara më shumë se na familjarët e të tjerët”, tha Qerkini.
Ndërkaq, ai gjithashtu u bëri thirrje vendorëve që të ushtrojnë presion më të madh te ndërkombëtarët, në mënyrë që të zbardhet fati i të pagjeturve.
“Vendorët t’i hapin pak ma shumë sytë dhe t’i çelin pak ma shumë veshtë që të bëjnë presion te ndërkombëtarët për fatin e të pagjeturve. Sot shihet edhe një ekspozitë, jo vetëm për Kosovë, por ekspozitë ndërkombëtare dhe shumë e veçantë. Ka qenë në Maqedoni, në Beograd tash edhe në Kosovë. Faleminderit të gjithëve”, tha në fund Qerkini.
Kryetar i Komisionit Qeveritar të Personave të Zhdukur të Kosovës, Andin Hoti, deklaroi se në ditën e të drejtave të njeriut, attij i bllokohet fjala kur flitet për të drejtat e njeriut.
“Sot është dita e të drejtave të njeriut, ku mua më bllokohet fjala kur flitet për të drejtat e njeriut. Edhe si familjar i personave të zhdukur edhe si pjesë e Komisionit të Personave të Zhdukur. E drejta për të ditur na është mohuar për 23 vite. 1600 tjerë vazhdojnë të presin për një të drejtë elementare, që është e drejta për të ditur”, deklaron ai.
Tutje, Hoti tregon se çdo ditë përballet me disa pyetje të njëjta, por e thotë fuqishëm se nuk do të dorëzohen asnjëherë në kërkimin e drejtësisë.
“Mua më bëhet çdo ditë pyetja, si po kalon, a ke emocione, a është e ndijshme? Kom emocione, është e ndijshme, është e lodhshme por kurrë me u ndalë jo, as unë e as ju. Kushdo që mendon që kemi me i humb shpresat, një gjë të tillë nuk do ta bëjmë asnjëherë. A po punojmë sa duhet? Jo, por po punojmë sa mundemi. Ne po punojmë, ne po bëjmë atë që mundeni, nuk po bëjmë sa duhet, sepse nëse do ta bënim do të ishin edhe 1617 persona me statut tjetër. Kjo është informata, që fatkeqësisht e marrim, kjo është e drejta për të ditë që neve na servohet”, tregon kryetari i Komisionit Qeveritar të Personave të Zhdukur të Kosovë.
Mes shumë lokacioneve të gërmuara, ata janë në pritje të ADN-së
“Komisioni Qeveritar për Personat e Zhdukur ka gërmuar mbi 20 lokacione në Kosovë dhe një në Serbi. Mbi 7 lokacione të vitit 2022 janë me gjetje dhe ende jemi në pritje të ADN-së. Në vazhdimësi kemi pasur mbi 8 takime të nëngrupeve punese mes Kosovës dhe Serbisë, duke menduar gjithnjë që të marrim atë informacionin e nevojshëm për të ditur më shumë. Uroj që ata të ndryshojnë mendësinë e tyre dhe familjarët e personave të zhdukur të flejnë të qetë”, përfundon Hoti.
Në anën tjetër, njëri prej fotografëve pjesëmarrës në këte ekspozitë, Atdhe Mulla, ka thënë për KultPlus se bashkëpunimi erdhi nga puna e organizatorëve, derisa ai ka pasur detyrë që të sjellë fotografi nga lufta në Kosovë.
“Ekspozita e ka për qëllim që të mbledhë disa prej tregimeve prej familjeve që kanë pësuar gjatë luftës dhe terrorit në kohën e ish-Jugosllavisë. Më ka pëlqy shumë që t’ia japim një dokumentim gjërave që kanë ndodhur, specifikisht për Kosovën. Në fotografitë e mia ka disa prej të cilave i kam bërë në një kohë më herët, por janë të disa personave e masakrave që kanë ndodhur dhe janë të vlefshme në ekspozitë. Pak a shumë është një kollazh i disa tregimeve dhe kjo ekspozitë nuk e ka tendencën që të mbledhë të gjitha storiet, por disa prej tyre t’i paraqes se çfarë ka ndodhur. Në të njejtën kohë e keni edhe fotografinë e masakrës së Kizhovakut, hapësira e fundit ku janë gjetur mbetje të luftës. Mirëpo, ka akoma shumë storie që do të duhej të tregoheshin dhe vështirësia në këtë aspekt po vazhdon, shprehet ai.
Përcjellja e gjithë emocioneve, vetëm përmes fotografisë
“Është shumë e ndishme por me një moment e kom gjet si shumica e këtyre njerëzve e gjojnë një fuqi t’u mos pasë përgjigjje prej komunitetit ndërkombëtar e lokal. Shumë e ndishme është që t’i ktheshë njerëzit në kohë, por prej tyre e kom gjetë një energji e fuqi të madhe që dëshirojnë të tregojnë storien e tyre dhe që më kanë jep mundësinë e tyre me i fotografu. Ata e shohin këtë si një moment të plasimit të informatës, është e vështirë kur dëshiron t’i kthesh njerëzit në momentin kur ka ndodhur ngjarja, por kam gjetë forcë të madhe prej tyre për të realizuar fotografi. Ekspozita ka qenë e hapur edhe në Beograd, në Maqedoni dhe tani stacioni i fundit është Kosova, mendoj dhe besoj që është pritur shumë mirë”, thotë kuratori i ekspozitës.
Në anën tjetër, Kushtrim Koliqi nga organizata “Integra” dha edhe disa të tjera të ndryshme për KultPlus rreth ekspozitës.
“Kjo ekspozitë është rajonale dhe ekspozita e parë është mbajtur në Beograd dhe para një muaj ose dy është mbajtur në Maqedoni, e ne kemi dashtë që për shkak të 10 dhjetorit, ditës ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, ta shfaqim edhe në Kosovë. Ekspozitën e kemi vendosur me qëllim në Grand, edhe të hapësirës edhe pse është në qendër edhe që ishte Manifesta. Jemi duke e diskutuar që ta bëjmë një ekspozitë virtuale që më pas ta publikojmë. Planet kanë qenë që fillimisht të përfundojë rrugëtimi i saj e më pas edhe të bëhet diçka tjetër”, deklaron Koliqi.
Lufta e papërfunduar, e shfaqur përmes fotografive për emocione të mëdha
“Puna e jashtëzakonshme, e fuqishme emocionalisht edhe estetikisht kreative, prandaj jemi krenarë me këta fotografë që kemi bashkëpunuar. Ekspozita tregon rrëfime prej këndvështrimeve të ndryshme, i prek masakrat masive, gërmimet, familjarët e pagjetur, viktimat civile, gratë e dhunuara etj, me këtë rast jemi munduar që fokusinë ta ketë viktimat civile të luftës prej momentin kur i kanë humbur më të dashurit e tyre deri në momentin e ditës se qysh i thojnë ata sot. Siç e dijmë disa prej kategorive të viktimave civile të luftës si gratë e dhunuara dhe familjarët e personave të pagjetur akoma janë në luftë, për ata lufta ende nuk ka përfundu”, shprehet ai.
Në fund, por jo nga rëndësia, Koliqi thekson gjithashtu se janë të lumtur që kanë përfshirë histori nga Maqedonia e Veriut në ekspozitat e tyre, pasi ato shpesh nuk përmenden.
“Jemi gjithashtu të lumtur dhe krenar që e kemi përfshirë edhe Maqedoninë Veriore në këtë ekspozitë, pasi kur e përmendim masakrat e ish-Jugosllavisë, e shohim që edhe aty ka viktima, jo me numër të njejtë po megjithatë ka”, thotë ai.
Organizuar nga Qendra Burimore për Persona të Zhdukur, Integra, Iniciativa e Re Sociale, Aksioni Paqësor dhe Iniciativat Qytetare, me përkrahje nga PAX dhe ICTJ, kjo ekspozitë rajonale pari hapjen e saj të tretë në Prishtinë, pas hapjes së saj në Beograd dhe Shkup. Atë mund ta vizitoni çdo ditë nga ora 10:00 – 17:00, deri më 18 dhjetor 2022. /KultPlus.com