128 vjetori i lindjes së Avni Rustemit, atdhetari që vlerësohet për idetë e tij demokratike e revolucionare

Muzeu Historik Kombëtar kujton sot në 128-vjetorin e lindjes, patriotin dhe atdhetarin e shquar Avni Rustemin.

Avni Rustemi lindi në Libohovë, në një familje atdhetare. I ati ishte qehaja i familjes së Arsllan-Pashalinjve, oxhakut të Libohovës. Mësimet e para i mori në vendlindje, më pas vazhdoi Normalen e Elbasanit dhe pastaj kolegjin arbëresh të Shën Adrianit në Shën-Mitër, Itali. Studimet e larta për pedagogji i filloi në Universitetin e Romës. Më 1908 braktisi bankat e shkollës për t’u bashkuar me çetën e Çerçiz Topullit. Më 1910 tentoi për të vrarë në Shkodër komandantin e ekspeditës ushtarake osmane, gjeneral Shefqet Turgut pashën. Më 1914 u radhit në forcat shqiptare për çlirimin e Shqipërisë së Jugut nga pushtimi i forcave greke. Gjatë veprimtarisë së tij, më 1910, ai punoi si mësues në Libohovë, në Tragjas të Vlorës më 1913, dhe në Tepelenë e në Vlorë në vitet 1916-1918. Më 1918 me nismën e tij, u formua në Vlorë shoqëria atdhetare e rinisë vlonjate me emrin “Djalëria e Vlorës” dhe në krye të saj organizoi demonstratën e 28 nëntorit 1918 kundër pushtuesve italianë.

Në pranverë të vitit 1919 në Shën Mitër krijoi “Lidhjen e Rinisë Shqiptare”, për mbrojtjen e të drejtave kombëtare kurse më 13 qershor 1920 vrau me antetat në Paris, Esat Pashë Toptanin.

Me rikthimin e Avni Rustemit në Shqipëri, veprimtaria e tij politike vjen duke u intesifikuar. Pikërisht, më dhjetor 1920 ai filloi punën për bashkimin e shoqërive demokratike ekzistuese në një organizatë të vetme. Kongresi i mbajtur më 25 prill 1921 në Vlorë krijoi një shoqëri, që mori emrin federata “Atdheu”. Kryetar nderi i saj u zgjodh Avni Rustemi.

Me nismën e tij u krijuan dhe organizata profesionale të mësuesve. Me nismën e Avni Rustemit, më 13 tetor 1922 u krijua në Tiranë shoqëria demokratike “Bashkimi”. Avni Rustemi, nuk qe vetëm organizatori kryesor i shoqërive demokratike, por edhe një ndër ideologët më të shquar demokratë.

Daljen e vendit nga prapambetja, Avni Rustemi e shikonte në zhvillimin e ekonomisë së pavarur kombëtare. “Pa pavarësi ekonomike, – shkruan ai, – nuk mund të ketë pavarësi politike”.

Idetë e tij demokratike e revolucionare ai i shprehu edhe në Asamblenë Kushtetuese të vitit 1924, ku u zgjodh deputet nga populli i ish-prefekturës së Kosovës.

Në kushtet e ashpërsimit të kontradiktave klasore e politike të vëndit nga njerëz të vënë prej qeverisë së asaj kohe, atij i bëhet atentat më 20 prill 1924 pranë Pazarit të Ri në Tiranë, dhe vdes 2 ditë më vonë pikërisht më 22 prill 1924. Vrasja e deputetit shërbeu si shkëndijë e Lëvizjes, që triumfoi më 10 qershor 1924. / KultPlus.com

Kujtohet poeti, dramaturgu e atdhetari Andon Zako Çajupi

Më 11 korrik 1930 ndërroi jetë dramaturgu e atdhetari, Andon Zako Çajupi.

Emri i vërtetë ishte Andon Çako, ndonëse identifikohet gjerësisht si “Çajupi”. Me këtë emër mundi të mbarte në krijimtarinë e tij gjurmë të vendlindjes, Zagorisë, ku gjendet mali prej nga derivon pseudonimi i tij letrar.

Pas shkollimit bazë, do ta linte Zagorinë për t’iu bashkuar të atit, Harito Çakos, veprimtar në lëvizjen atdhetare. Atje do të ndiqte një kolegj francez, prej të cilit kultivoi njohuri të larmishme. I pajisur me botëkuptim europian, do t’i drejtohej Gjenevës, ku në vitet 1887-1893, kreu studimet për drejtësi.

Më tej, u vendos në Kajro dhe nisi të ushtronte profesionin e avokatit. Do të hiqte dorë nga kjo detyrë për t’iu përkushtuar lëvizjes patriotike të shqiptarëve të ngulimeve të Egjiptit. U bë figurë protagoniste e shoqërisë atdhetare e kulturore të atjeshme, përmes përpjekjeve për të siguruar mbrojtjen e interesave të Shqipërisë dhe të popullit shqiptar.

Përmbledhja poetike “Baba Tomorri” (1902) që përfshin edhe komedinë “Katërmbëdhjetë vjeç dhëndërr”, veçohet si vepra e tij kryesore. Përshtati në shqip “Përrallat e La Fontenit” (1921), “Lulet e Hindit” (1922), një sërë vjershash të letërsisë sanskrishte. Pena e tij u vlerësua edhe në rrafshin e publicistikës të kohës, sidomos me pamfletin “Klubi i Selanikut” (1909)./ atsh / KultPlus.com

Mitrush Kuteli, drejtuar gruas: Fëmijët i porosit ta duan vendin dhe gjuhën tonë gjer në vuajtje

Dhimitër Pasko ka lindur më 13 shtator të vitit 1907, ka qenë shkrimtar, përkthyes dhe ekonomist shqiptar, i njohur ndryshe me emrin e penës Mitrush Kuteli. Pseudonime të tjera që përdori për të shkruar qenë edhe Janus, Izedin Jashar Kutrulia me Dr. Pas.

Kjo është Letra-Testament, që shkrimtari Mitrush Kuteli, u drejtoi gruas dhe fëmijëve të tij, para se të ndahej nga jeta, në kushtet e njohura kur nuk i lejohej dalja në dritë, botimi i veprave të tij, dhe, sigurisht, për pasojë, edhe të vuajtjeve të thella shpirtërore.

Një nga themeluesit e prozës moderne shqiptare, autor i dhjetëra novelave, (apo rrëfenjave, siç i quante), romaneve, poeti, studiuesi, përkthyesi i shkëlqyer, ekonomisti i talentuar dhe atdhetari i madh, u dënua me burg pas një gjyqi farsë, duke u akuzuar, madje, edhe si propagandist i Luftës së Tretë Botërore (!)…

Gjimnazistet e Shkollës së Gjuhëve të Huaja, Fiona Kopali dhe Klaudia Hasanllari, ia kërkuan Letrën-Testament familjes së shkrimtarit.

Po e botojmë këtë Letër–Testament, me disa pak shkurtime të pjesëve thjesht familjare.

E dashur Efterpi,

Këtë letër, që është ndoshta e fundit, desha të ta shkruaj me dorë, po nuk mund. Sot nuk e kam dorën të sigurt, më dridhet. Ti s’je këtu. Ke shkuar me Pandin në Rrushkull për të parë Poliksenin dhe Atalantën. Të nxita më shumë unë. Nga brenga, nga malli. Jam vetëm në shtëpi. Doruntina ka shkuar të lozë me vajzat e Bajramit.

Mendjen e kam të turbullt nga pagjumësia, nga ëndrrat e këqija. Sikur më ndiqnin gjermanët, që të më varnin. Iknja me vrap, hynja në gropa e puse, dilnja prapë. Ata më ndiqnin. Ment më kapnin. Iknja përsëri. Në një çast u gjende edhe ti pranë meje. Dhe iknim. Pastaj u ndamë. Fundja u gjenda i ndjekur nga njerëzit tanë. Prapë gropa, puse, gremina. Sikur isha në Berat, nën Kala. Në një sterrë të Kalasë, pranë Kishës. Më tej në Fier. Kisha shpëtuar nga ndjekjet dhe kërkonja ndonjë shtëpi për t’u fshehur. Isha i zbathur, i zhveshur. Dikush më thirri: “Qëndro, Dhimitri! Të zumë”. Më rrethuan, më zunë dhe po më shpinin të më vrisnin. Unë qeshnja. Kisha qejf të më vrisnin… Dhe ja, u gjenda në burg. Shumë njerëz. Midis tyre Sofo Çomorra, që ka vdekur. Më shikonte me dhembje. “Si u bë kështu, o Pasko? Ç’ke bërë?” –“S’di”. –“Shiko këtu”. Dhe më dha ca shkresa të shkruara bukur: një akt akuzë dhe ca lidhje të tjera. Më quanin bejtexhi. Më thoshin se kisha bërë një vjershë për glyrën me rima italiane. Pashë Andrean. I ardhi keq. U vendos të më vrasin. Prapë u gëzova. –“Fundja, do vdes, thashë. Do të shpëtoj. Do çlodhem. Jeta ime ka qenë shumë e turbullt, e ngatërruar, e mirë dhe e keqe. Sa mirë që mbaroi”. Kur u ngrita, ti po bëheshe gati për në Rrushkull. Kokën e kisha dhe e kam të rëndë. Ti shkove më 7 e gjysmë. Pas 5 minutash ardhi Ilua i Sterjos e më solli lajmin: vdiq Thanas Cikuli… Sipas mendjes sime, shpëtoi. E kam zili. Vdekja është prehje e madhe, shkëputje nga dhembjet. Vërtet, edhe nga gazet, por në një kohë, kur njeriu është shumë i sëmurë, i mërzitur, vdekja është shpëtim: nga dhembjet fizike e shpirtërore. Që të dyja janë të rënda. Ti e di sa dhembje të tilla kam pasur kohët e fundit. Njëra, që ti ma di, është se si pasojë e tyre nuk jam i zoti të punoj, të krijoj, të paguaj bukën që më jep shteti për vete e për fëmijët. Unë s’kam qenë e s’dua të jem kurrë parazit. Po ç‘të bëj, grua? S’mund. Kokën e kam të turbullt…..

Letrën ta nisa për tjetër gjë: të të përsëris porositë e mija të fundit. Më fal se të mërzit. Unë t’i kam thënë kaq herë. Të kam helmuar jetën, sepse edhe mua ma kanë helmuar të tjerët. Dhe s’kam qenë i zoti ta mbaj helmin për vete, siç më takon. Ky qoftë i fundit që po të sjell.

Ne u bashkuam, rrojtmë e bëmë fëmijë në vjete stuhie: burg, urbanizëm, hotel. Po atëherë kisha shëndet dhe i kapërceva të gjitha. Tani, ti e di… I di ditët e netët ë mija. Sëmundjet dhe brengat më brehnë, më hëngrën. Unë e shoh tani vdekjen si një lirim nga dhembjet. Nuk e dua,po nuk e largoj dot. E shoh se afrohet, më çik. Më vjen keq se do t’i lë fëmijët të vegjël, pa krah, mbase në vobektësi të madhe, në pamundësi për t’ua arritur synimeve. Pensioni im nuk do të mjaftojë. S’kam “vjete shërbimi”. Domosdo, 22 vjet jashtë. Edhe atje kam punuar sa jam shuar,po këta vjetë pune nuk peshojnë për efekt pensioni. Fati im i keq, fati i tyre i keq. Ndofta,pas vdekjes, kur të pushojnë pasionet dhe urrejtjet, shteti ynë mund t’ju ndihmojë për hir të punës sime të kaluar; në gazetari dhe letërsi, që në moshë të njomë, dhe sidomos në fushën ekonomike. Një pjesë e shkrimeve të mija-shqip dhe rumanisht- janë aty, në Bibliotekën Kombëtare. Disa njerëz i dinë përpjekjet e mija kundër kapitalit italian, kundër grabitjeve gjermane. Kam punuar pa interes vetiak. Nuk kam ndjekur kurrë pasurimin tim, sepse ky pasurim mund të bëhej vetëm me dy mjete: me vjedhje (ka njëmijë e një mënyra vjedhjeje dhe unë s’kam përdorur asnjërën) dhe me tradhëti, duke u shërbyer të huajve për të grabitur vendin dhe duke marrë për këtë shërbim. Zgjodha rrugën e kundërt: luftën kundër atyre që donin të grabisnin, atyre që grabisnin. Nuk i ndala dot të tëra, jo se s’desha, jo se kisha interes,po se s’munda. Kaq munda,kaq bëra. Kundër grabitjeve italiane, kundër grabitjeve gjermane, kundër grabitjeve jugosllave. Nuk zgjodha kurrë udhën e rehatit vetjak, udhën e “urtë e butë e lugën plot”. Kam punuar shumë, kam dashur shumë, kam gabuar shumë. Tani jeta shkoi e nuk kthehet dot,nuk ndreqet dot. Të kam treguar se gjermanët do të më varnin përpara bashkisë,kur muarën vesh se kisha sabotuar nxjerrjen e monedhës së re që donin të bënin. Më shpëtoi fati. Nuk do të skuqem kurrë nga turpi as me veprimin tim në ditët e para të çlirimit. Punova si i marrë. Luftova kundër grabitjeve jugosllave. Aq më fort nuk mund të skuqem nga turpi as me veprimtarinë time praktike-në fushën ekonomike-në Rumani. Edhe atje kundër gjermanëve. Unë kam pasur gjithnjë, si bir i një populli të vogël, një urrejtje të madhe kundër idesë së zezë “popuj mbi popuj” ose “të mëdhenj mbi të vegjël”, por “popuj përkrah popujsh”. Ky parim ka ushqyer në mënyrë të vetëdijshme dhe të pavetëdijshme, automatikisht,veprimtarinë time. Kam qenë kundër rusëve, sepse ata mbajnë nënvete dhe shkombëtarizojnë popuj të tjerë, kundër gjermanëve sepse kanë shfrytëzuar dhe zhdukur popuj të tjerë, kundër anglezëve për të njëjtën arsye. Biri i një populli të vogël nuk mund të bënte ndryshe. Në Rumani kam luftuar,aq sa mund të luftojë një njeri i vogël, kundër shfrytëzimit të kapitalit vendas dhe të huaj. Këtë qëndrim kam pasur edhe kur isha drejtor banke. Një nga pasojat e para ka qenë një “skedë e zezë” në aparatin gjerman të Vjenës, më 1940-41. Për këtë “skedë të zezë” ardhi e më foli dikush në bankë: “Ç’po bën kështu? Nuk e di ç‘të pret? Pse kundërshton që vendin e kapitalit çifut ta zerë kapitali mik gjerman?” Unë di një gjë: kapitali s’mund të jetë kurrë mik, po vetëm kapital. Ay ushqehet me fitime, mbahet me fitime, rron për fitime. Dhe fitimet s’kanë kurrë të mbaruar. Njëja kërkon të bëhet dy, dyja katër, katra tetë, mija dhjetë mijë, milioni qindmilion e kështu me radhë. Në dëm të njerëzve, të popujve. Si ish drejtor tri bankash (gjithnjë i varfër) di se fitimi i vjetër nuk ngopet me fitim të ri, siç nuk ngopet deti me ujë.

Do të më njohë dhe do të më kuptojë dikush, të paktën pas vdekjes? Nuk e di. Desha të më kuptonte dhe njihte jo për nder e lavdi, po që fëmijët e mij-të cilëve u lë trashëgim punën dhe ëndrrat e mija- të mos vuajnë për bukë sa janë të vegjël, të ndjekin studimet dhe të gjejnë udhën e tyre në jetë.

Jam i sigurt se po të vlerësohej në këtë drejtim puna dhe përpjekjet e mija në të kaluarën, fëmijët nuk do të vuanin.

Nisa të shkruaj një letër të shkurtër lamtumire, dhe u nxeva-ndonëse më buçasin veshët e më dhemb koka prapa- dhe shiko se ku arrita.

Dëgjo!

Shenjat nuk i kam të mira. Tensioni ngrihet e ulet, zemra ngec. Nisem për në zyrë a për shëtitje dhe më priten këmbët, më mbahet fryma. Ndalem e helmohem me ilaçe. Netët i kam skëterrë, siç e di vetë. Këto të gjitha thonë se nuk e kam të gjatë. Pra, mos u hidhëro se po të porosit edhe një herë.

1.Kur të vdes mos bëni lajmërime nga ato që ngjiten nëpër muret.

Vdekja është një ngjarje që i takon atij që vdes dhe shtëpisë së tij. Pse ta dijë bota? S’dua!

Nuk do të lajmëroni para varrimit, asnjeri, me përjashtim të pesë a gjashtë njerëzve më të afërm për të bërë formalitetet e varrimit dhe varrimin. Kaq.

S’kam qejf të mërzit njeri. Sikush ka hallet e veta.

2. Dikur kisha dashur të varrosesha në Pogradec, pranë babajt e nënës ose lart në gështenjat, në Shën e Djelë. Tani e kam ndryshuar mendjen. Varrimi është një ngatërresë. Varrosmëni këtu, në Tiranë. Gjith Shqipëri është! Nuk dua asnjë shkrim mbi varr. Vetëm një kryq, si babaj, gjyshi, stërgjyshi.

3……………………..

4. Fëmijët i porosit ta duan vendin dhe gjuhën tonë gjer në vuajtje.

Të mos u shqasë zemra kundër Shqipërisë as kur do të vuajnë pa faj. Atdheu është atdhe, bile edhe atëherë kur të vret. Këtu kanë lindur, këtu të rrojnë me mish e shpirt, qoftë edhe me dhembje. Atalanta dhe Pandeliu kanë prirje për letërsi. Le të mbarojnë studimet në ndonjë degë praktike-ajo fizikë, ay mjekësi ose ndonjë fakultet tjetër, fjala vjen, për arësimtar, dhe le të merren edhe me letërsi. Por jo si profesion kryesor. Profesionizmi në letërsi, në vendin tonë, është, hë për hë, një rrugë vuajtjesh, buka e tij është e hidhur. E hidhur, them, për atë që s’di marifete dhe hipokrizira. Terreni i letërsisë është një tokë tek gëlojnë gjarpërinjtë. Të vrasin shokët, se u bën hije. Dhe kur nuk u bën hije do të thotë se nuk je i zoti për letërsi. Dorëshkrimet ua lë atyre të dyve, sidomos Pandeliut. Të mos i prekë askush! Ay do të rritet,do të lexojë shënimet e parealizuara, do t’i përpunojë. Për këtë duhet të grumbullojë më parë shumë kulturë. Talenti, prirja nuk vlejnë asgjë pa punë, pa kulturë.

Askush të mos i prekë dorëshkrimet para se të më rritet djali! I vini në arkë, i mbyllni!

Polikseni dhe Atalantë! Pandeli dhe Doruntinë! Të doni njeri-tjetrin, të ndihmoni njeri-tjetrin, të duroni njeri-tjetrin! Mos i vini re vogëlsirat, mos u grindni për vogëlsira, për asgjë. Hidhni tutje inatin, se ay është burim i shumë të këqijave. Përpiqi të mos ju rritet mendja. Inati dhe mendjemadhësia na kanë bërë dëme të mëdha. Na prishnë. Zemra juaj të mos njohë urrejtjen, grindjen, mërinë. Urtësi,butësi, zemërgjerësi! Hapni sytë për çdo hap që bëni në jetë. Jeta mund të prishet nga një hap i gabuar, vetëm nga një hap. Pastaj vinë greminat. Kur t’ju vijë koha, martohuni. Të dëgjoni zërin e zemrës, po edhe të arsyes. Shpesh, zemra të shpie në udhë të gabuar, në qoftë se nuk e drejton arsyeja. Mos i kërkoni shumë jetës, sepse jeta është koprace në mirësi. Mos ëndërroni ato që nuk realizohen dot. Mos u matni me hijen e mëngjesit, me mendjemadhësinë. Do t’i kërkoni jetës aq sa mund t’ju japë.

Ta doni dhe ta nderoni mamanë, se ka qenë trime në jetë, ka vojtur shumë. Të dy kemi vojtur. Embëlsojani pak pleqërinë pas kaq tufanesh. Ajo ka grumbulluar shumë përvojë nga jeta e hidhur dhe kjo përvojë mund të jetë e dobishme për ju, që të mos vuani.

Doruntina është më e vogla. Ajo ka nevojë për mjaft vjet ndihme dhe drejtimi. Mos i kurseni ndihmën tuaj, që të mund të prehem i qetë në dhe.

Mos më qani! Mbahuni! Unë e rrojta jetën, mbarova qerthullin tim. Nuk dua t’ju shohin të tjerët kur qani. Më dëgjoni? Lotët janë të kotë. Kush vdes nuk ngjallet. Unë as që dua të ngjallem, as që dua ta filloj jetën përsëri. Mjaft! Këtë porosi mos e shkelni.

Efterpi, më fal për këtë mërzitje të fundit! Mbahu dhe jepu zemër fëmijëve. Bëj siç të porosita. Mos ndrysho asgjë. Nuk dua njerëz në varrimin tim. Më të shumtit vinë për sehir, për formë. Unë i kam urryer ngahera varrimet e bujshme, me kallaballëk. Edhe disa fjalë: kuptohet se nuk do të lajmërosh as njerëzit e tu, këtu ose në Korçë, me përjashtim të Foqit dhe Nestit.

Të përqafoj, të lutem të më falësh dhe lamtumirë!

Yti

Dhimitraq /KultPlus.com

Murat Toptani, atdhetari që punoi shumë për futjen e gjuhës shqipe në shkollat turke

Më 13 korrik kujtojmë ditën e lindjes së patriotit dhe firmëtarin e Pavarësisë Murat Toptani.

Murat Toptani ka lindur më 13 korrik 1867 në Aka, (Kaukaz) në kohën e internimit të babait-Said Toptanit. Ai ka qenë patriot, atdhetar, ushtarak, poet, publicist, piktor, skulptor si dhe mësues, që punoi shumë për futjen e gjuhës shqipe nëpër shkollat turke.

Gjithashtu zotëronte disa gjuhë të huaja si, turqisht, frëngjisht, arabisht, persisht, gjermanisht dhe italisht.

Mësimet i filloi në shkollën “Madam Fyrer”, ndërsa studimet e larta i vazhdoi në “Gallata Saraj” të Stambollit. Gjatë vijimit të mësimeve në “Madam Fyres”, pati rastin të njihet me Asijen, vajzën e poetit komëtar Naim Frashërit. Kjo njohje motivoi lindjen e një dashurie të sinqertë në mes Muratit dhe Asijes, ndërsa më vonë me pëlqimin e vëllezërve Frashëri këta dy të rinj u martuan. Lidhjet mes familjes Toptani dhe Frashëri u forcuan edhe më shumë kur Vesimeja, motra e Murat Toptanit, u martua me më të voglin e vëllezërve Frashëri, me Mehmet Frashërin.

Më 1912 Murat Toptani ka qenë përfaqësues i Tiranës në Kuvendin e Vlorës, ku firmosi Aktin e Pavarësisë. Murat Toptani njihet si dhe një nga pionerët e skulptures shqiptare, me realizmin e bustit të Skënderbeut. Ai vdiq në Tiranë në vitin 1918. / KultPlus.com

“E jap Dinin, por nuk e jap Drinin”

Mulla Zekë Bërdyna u lind rreth vitit 1918 në fshatin Novosellë të Pejës. Prej vitit 1941 e deri në vitin 1944 ka qenë në frontin e Rozhajës dhe Novi Pazarit, duke iu kundërvënë çetave çetnike me çetat vullnetare. Në njërën prej këtyre betejave, në vitin 1943, në masakrën e Bihorit, plagoset rëndë. Në vitin 1948 burgoset dhe dërgohet në Nish për katër vite dhe në Goli Otok në vitet 1952-1960 nën akuzën si prostalinian. Mulla Zeka, pasi doli nga burgu, përveç si imam i fshatit Novosell, u aktivizua sidomos në pajtimin e gjaqeve dhe konflikteve mes njerëzve. Vdiq më 12 janar 1987.

Mulla Zekë Bërdyna i cili njihet edhe si një nga atdhetarët që kishte kuftuar për të mbrojtur kufijtë e Kosovës e të Shqipërisë Etnike kishte thënë që ai do të sakrifikonte Dinin para Drinit.

Më poshtë gjeni fjalinë e tij të plotë:

“Vëllezër shëtitëm krejt Anadollin, por Kosovën kërkund nuk gjetëm. E jap Dinin, por nuk e jap Drinin”./ KultPlus.com

Një atdhetar ndryshe…

Nga Pjeter Logoreci

Kushtue atdhetarit Shtjefen Ivezaj në përvjetorin e Muzeut të Malsisë në Tuz.

Mbas udhëtimit prej nji ore nga Shkodra, në territorin e Malit të Zi, u ndala para nji porte të vjeter, mbas të cilës hapej nji oborr i madh, ku përmjedis, zgjatej shtegu qi të drejtonte tek nji banesë e thjeshtë katundi, me pak kambë shkallë, e që rrethohej nga do fusha të gjana ku tek tuk shihej ndoj shtëpi a vilë tjetër.

Porsi pemët qi rriten përpjetë tuj kërkue diellin, njashtu në mes të oborrit, nji mbajtës disa metra i naltë, qi ja kalonte edhe kulmit të shtëpisë, mbante flamurin kuq e zi që naltohej sikur kërkonte frymëmarrje, tuj u tundë pa pra edhe pse ishte ditë gushti. Mu lidhën fjalët e ashtu i heshtun, ndava mendjen të shijoj pamjen që mu hap përpara… Pasi përshkova ngadalë oborrin, trokita në derën e shtëpisë, mbas së cilës lehja e mprehtë e një qenit sikur i zgjoj banorët.

Mbas pak çastesh dera u hap, e ftyra e nji grueje të moshueme malsore, me krye të mbluem, mu shfaq përpara. Ishte Gjystja, e zoja e shtëpisë, grueja sokoleshë që mbante mbi durimin e saj të gjithë mundin e të hjekunit të asaj çka vizitorin aty e mahnitë. Mbasi na vendoj në një nga dhomat muze, grueja, mori ndër duer nji telefon të viteve 60 dhe thirri të shoqin, Shtjefnin, i cili nuk ndodhej aty. Si aparati i telefonit ashtu tavolina mbajtëse e blloku ku mbaheshin numrat, ishin objekte të vjetra, pjesë e muzeut. Shumë kisha ndigjue e lexue për Muzeun Etnografik të Malsisë, kishte qëllue me pa edhe foto apo ndonji copë filmi dokumetar, nga ku mora shkak për me ba këtë vizitë krejt të veçantë. Me të zotin e shtëpisë ose ideatorin dhe krijusesin e këtij Muzeut, Shtjefen Ivezaj, ishim miq virtual, njohë e komunikue disa herë nëpërmjet internetit. Qysh në kontaktin e parë, më befasoj interesi i Shtjefnit për fotografinë dhe objektet historike. Më vonë, i ftuem prej tij për me vizitue Muzeun, pata mundësi me pa nga afër objektet e koleksioneve të tij të vlefshme. Shtjefen Ivezaj, asht biri i një familje të njohun nga Malsia e Madhe.

Ai ka lindur me 30 gusht 1937, në Pikalë / Tuz të Malit të Zi, në kryeqytetin e së cilit (Podgoricë), ka krye dhe arsimin e mesëm në gjuhën serbokroate. Ai asht babai i tre femijëve, dy djelm e një vajzë. Për të përballue jetesën, Shtjefni, punoj për disa vite në zanatin e tornitorit, por që në vitin 1954 arriti të realizojë deshirën e tij për tu ba fotograf profesionist, tuj punue gjatë karrierës së tij, në të gjitha zonat e ish Jugosllavisë nga ku flet gjuhët: shqip, serbisht, kroatisht, boshnjake e malazeze. Si rezultat i punës krijuese dhe talentit të tij, në vjetin 1966, Shtjefni krijoi laboratorin e parë profesional të fotografisë në Malsi – Tuz. Edhe pse pat shumë pasoja e probleme nga autoritetet malazeze, Shtjefni, për tu përshtatun në treg, por edhe për ti shërbye komunitetit shqiptar, stampoi disa fotografi kartolina, me temë nga historia kombëtare, të cilat shiteshin për turistë si dhe për të urue festat tradicionale shqiptare.

Me kalimin e kohës, kartolinat e para me flamurin shqiptar (pa yll), me heroin kombëtar Gjergj Kastriotin Skanderbegun apo Dedë Gjon Lulin, do të baheshin të njohtuna në të gjitha trojet shqiptare e në diasporë. Krahas artit të fotografisë, atij, ju rrit dëshira për të koleksionue aparate fotografike, libra, fotografi, vegla muzikore e bujqësore, objekte kulturore, orendi shtëpijake, të gjitha këto nga trevat dhe kultura shqiptare, për ti shndërrue të gjitha ambientet e shtëpisë së tij, qysh nga 1 maji 2002, në një galeri qi sot asht Muzeu Etnografik i Malsisë. Shtëpija e familjes së Shtjefen Ivezajt ose Muzeu Etnografik i Malsisë, gjindet në fshatin Lekaj të komunës së Tuzit në Malin e Zi. Në përbamje të Muzeut, në fillim ishin: Fototeka, Biblioteka me libra të rinj dhe të vjeter, si dhe Koleksioni i Filatelisë. Edhe pse me mundësi të pakta financiare, Shtjefni, ju përkushtue mbajtjes dhe dokumentimit të kulturës, të një ndër popujve më të vjeter në Ballkan, atij shqiptar. Koleksioni i parë, ai i pullave postare, e ka zanafillën në vitin 1947, ndërsa ai i etnografisë qysh nga viti 1966. Ndikim shumë negativ dhe humbje të mëdha në ekonomine e tij private, i shkaktoi Shtjefnit, kriza monetare e Dinarit, por edhe futja në përdorim e monedhës europjane, duke detyruar atdhetarin Ivezaj, qi për mbijetesë, të shesë pjesë nga trojet e familjes dhe aktivitetin e tij si fotograf në Tuz. Ivezaj, me koleksionet e tija fotografike dhe etnografike, ka marrë pjesë në disa ekspozita në Mal të Zi e Kosovë.

Po ashtu, nën kujdesin e dashamirëve, ndërhyrjen e disa sponsorëve apo të komunës, Muzeu ka festuar disa përvjetorë. Në maj 2006, 4 vjetorin e themelimit, të organizuar nga Prof. Xhoana Përkaj; në maj 2007, 5 vjetorin të organizuar nga këngëtari i njohur Lindon Camaj; po ashtu dhe 8 vjetorin të organizuem nga Sytki Ndrecaj n/Prefekti i Malsisë së Madhe, aktivitete të cilat u pasqyruen gjërësisht në mediat lokale e kombëtare. Për punën dhe përkushtimin e tij në ruajtjen e traditës dhe të vlerave shqiptare, Shtjefen Ivezaj asht nderue me shumë: Medalje, Mirënjohje, Diploma e Falenderime nga përsonalitete të ndryshme si dhe ka titullin Ambasador i Paqës. Janë të shumtë dhe të ndryshëm personat që interesohen dhe vizitojnë Muzeun e Etnografik të Malsisë: etnografë, studentë, gazetarë, arkeologë, shkrimtarë, studjues, nga trojet shqiptare por edhe shumë të huaj. Personalisht, vizita në Muzeun e Malsisë, më la përshtypje të pashlyeshme. Natyra e shumëllojshme e qindra objekteve, ku secili ka historinë e vet, më emocionoj shumë.

Veçanërisht befasuese ishte vendosja e orendive jetësore që familja përdor çdo ditë, në mënyrë funksionale dhe pa “damtue” pamjen e ambientit rrethues. Magja ku Gjystja gatoi bukën e drekës, vatra, saçi dhe çerepi, enët prej dheut apo mjetet e të ngrënit, më kthyen shumë mbrapa në kohë. Po ashtu e admirueshme asht vendodhja e shtratit bashkëshortor në mes të koleksioneve me objekte të ndryshme mekanike. Por, në mes të qindra objekteve me vlerë, më mbeti në mendje aparati fotografik me të cilin Shtjefni kishte punue, të cilin, në pa mundësi ekonomike për ta blerë të ri, e kishte krijue vetë me pjesë të mbledhuna nga aparatura të vjetra. Flamuri kombëtar si dhe figurat e atdhetarëve më të randësishme të kombit si: Nënë Tereza, Gjergj Kastrioti Skanderbeg, Dedë Gjon Luli, Luigj Gurakuqi, Ismail Qemali, etj, paraqiten në të gjithë ambientet e shtëpisë Muze. Një herë një gazetar i TVsë shqiptare, i mrekulluem nga sa kishte parë, ishte shprehë: “…Ky asht Muzeu ma i çuditshëm në botë, se asht i vetmi Muze që nuk ka buxhetin e vet, nuk ka makinen e vet, nuk ka kamera sigurie, nuk ka administratë, nuk ka rojen e natës.”

Mbas vizitës së Muzeut, i ulur nën hije pranë çoshkut të shtëpisë, po admiroja pasionin dhe sakrificën e Shtjefnit për ta krijue këtë pasuni kombëtare. Sigurisht, sikur eksponatet “të flisnin” për historinë malazeze, Muzeu do të kishte pamje tjetër dhe familja Ivezaj nuk do të jetonte në varfëri, me një pension mujor 90 euro. I kënaqun dhe krenar nga sa pashë, vlerësoj pakufi përpjekjet e atdhetarit Shtjefen Ivezaj: … përballë keqdashjes së shtetit e politikës malazeze, përballë keqdashjes së disa banorëve të krahinës, për shpenzimet e mëdha nga arka private e familjes, humbjen e hapsinave jetsore të shtëpisë dhe prishjen e qetësisë e rehatisë përsonale e familjare. Sot, në moshen 82 vjeçare, burri shtatvogël por energjik Shtjefen Ivezaj, shijon frutet e pasionit të tij, të një pune kolosale dhe i gëzohet pa masë vizitave e lavdrimeve të turistët që vijnë të shohin Muzeun.