Greqi, zjarret shpërthejnë në perëndim të Athinës dhe në Rodos

Zjarrfikësit grekë vazhdojnë të luftojnë tre fronte kryesore të zjarrit për të tretën ditë radhazi, në perëndim të Athinës.

Pesë avionë zjarrfikës dhe tetë helikopterë zjarrfikës u vendosën sot në mëngjes në dispozicion, tha një zëdhënës i brigadës së zjarrfikësve.

Në perëndim, afër qytetit të Loutraki, katër avionë zjarrfikës dhe tre helikopterë u ngritën në ajër për të shuar një tjetër flakë, sipas shërbimit zjarrfikës.

Erërat verilindore pritet të fryjnë në rajon gjatë ditës, duke i bërë operacionet e shuarjes së zjarrit shumë më të vështira dhe potencialisht të nxisin rindezjen e zjarreve.

Një zonë pyjore ishte gjithashtu në flakë në ishullin Rodos, një destinacion popullor pushimesh. Megjithatë, banesat apo fshatrat thuhet se nuk janë kërcënuar nga zjarret.

“Zjarri ne pyjet e ishullit pranë fshatit Apollona mbulon një sipërfaqe prej rreth 30 hektarësh”, sipas brigadës së zjarrfikësve.

Në Greqi prej disa kohësh nuk bie shi.

Fundjavën e kaluar, një valë e nxehtë disaditore e intensifikoi thatësirën.

Në fundjavë, temperaturat pritet të rriten sërish deri në mbi 40 gradë Celsius në shumë vende./ atsh/KultPlus.com

Thanas Jane, shkrimtari i shqiptarëve të Greqisë

Thanas Jane ose siç e njohin të gjithë Nase Jani, e ka nisur jetën në Stegopul të Lunxhërisë, Gjirokastër, më 25 maj 1947. Mësimet e para i mori në vendlindje, pastaj në Kuçovë e në Vlorë, ku mbaroi edhe parashkollën e mesme. Më pas vijoi studimet në Shkollën ushtarake “Skënderbej”, në Tiranë, shkollën e lartë të Marinës në Vlorë dhe shkollën e lartë ushtarake të Oficerave në Tiranë. Përveç studimeve në shkollat ushtarake, z.Jani, ka studiuar për letërsi, dramë-regjisurë dhe filozofi.

Si shumë shqiptarë edhe “Nasen” viti 1997 e gjeti në Athinë. Jeta në një vend të ri në një realitet të ri, nuk e pengoi t’i përkushtohej pasionit të tij përhershëm të krijimtarisë letrare. Shtëpia, vendlindja, atdheu, janë pikënisja dhe pikëmbërritja në odisenë e jetës dhe krijimtarisë së tij.

Ai është autor i 35 librave, me poezi, tregime, romane, dramë, letërsi për fëmijë, publicistikë, kritika letrare. Krijimtaria e tij është përkthyer dhe botuar, me vepra ose pjesërisht, në gjuhën greke, italiane, angleze (SHBA), rumune, frënge, suedeze, izraelite. Është autor i 5 Antologjive letrare. Ai është përfshirë në disa Antologji brenda dhe jashtë Shqipërisë.

Vepra e tij letrare është vlerësuar me disa çmime konkursesh dhe çmime vjetorë. Veçojmë veprën “Duke pritur dashurinë”, monodramë për Lasgush Poradecin, fituese e Festivalit Ndërkombëtar të monodramave,

U shqua jo vetëm si një shkrimtar i brezit të parë të komunitetit shqiptar në Greqi, por edhe si një qytetar që ka kontribuar në jetën social-kulturore të tij. Ai është themelues dhe kryetar i Klubit të Shkrimtarëve dhe Artistëve “Drita”  dhe i revistës letrare–kulturore “Pelegrin” , themeluesi i shoqatës ‘Lunxhëria’ në Athinë. Klubi “Drita” dhe revista “Pelegrin”, në drejtimin e z. Nase Jani, krijuan “Bibloteka qytetare në natyrë” në qytetin e Vlorës, e para e këtij lloji në Shqipëri

Për gjithë atë çka i ka dhënë vendit Nase Jani është vlerësuar me disa tituj. Është dekoruar me medalien “Naim Frashëri”; Urdhërin “Ylli i kuq”; Urdhërin ‘Naim Frashëri i Artë’; “Diplomë Mirënjohje’ nga Lidhja e Botuesve të Shqipërisë; “Certifikatë Mirënjohje’ nga kryetari i Bashkisë, z. Erion Veliaj; “Qytetar Nderi” i Kuçovës. Gjithashtu Klubi ‘Drita’, është dekoruar nga Presidenti i RSH-së, me ‘Medalia e mirënjohjes’ dhe Revista “Pelegrin” është vlerësuar: Revista më e mirë e vitit 2004, nga Klubi i ideve dhe UNESCO, Athinë.

Marrë nga profili i Ambasadës Shqiptare në Greqi. / KultPlus.com