Lansohet fushata për ndërgjegjësimin mbi kancerin e gjirit, Jahjaga: Zbulimi i hershëm është mbijetesë

Ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, përmes një reagimi në rrjete sociale ka treguar se është lansuar fushata për ndërgjegjësimin mbi kancerin e gjirit.

Jahjaga është shprehur se Nafije Latifi bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë ishin në krye të kësaj fushate.

“Në lansimin e fushatës për ndërgjegjësimin mbi kancerin e gjirit. Zonja e hekurt Nafije Latifi në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë dhe shumë bashkëpunëtorë të tjerë ishin në krye të kësaj fushate. E ardhmja e gruas është e ardhmja e shoqërisë! Zbulimi i hershëm është mbijetesë!”, është shprehur Jahjaga.

Atifete Jahjaga pret në takim Emina Çunmulaj: Do dhurojmë donacion për organizatat që punojnë me të mbijetuarat e dhunës seksuale

Ish-presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, ka pritur në takim modelen e njohur shqiptare Emina Çunmulaj.

Jahjaga ka treguar se Çunmulaj ka ardhur në Kosovë me një mision specifik, që bashkë me Fondacionin Jahjaga të dhurojnë donacion për dy organizata që punojnë me të mbijetuarat e dhunës seksuale në Kosovë.

“Zemra e saj e madhe e shpirti i saj bujar nuk rresht së punuari kudo që është për gratë shqiptare. Ajo, përgjatë kësaj vizite është me mision specifik, ku së bashku me Fondacionin Jahjaga do dhurojmë donacion për dy organizata të cilat punojnë direkt me të mbijetuarat e dhunës seksuale në Kosovë. Kjo, vetëm dëshmi e përkushtimit të saj të palëkundur për të mbështetur dhe fuqizuar gratë që kanë përjetuar kaq shumë”, ka shkruar Jahjaga.

Tutje, ajo u shpreh falënderuese ndaj modeles që na kujton se dashuria dhe dhembshuria për gratë kudo në botë janë forca më e fuqishme që kemi./KultPlus.com

Jahjaga kërkon drejtësi për të mbijetuarit e dhunës seksuale në luftën e fundit

Ish-Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka ndarë panelin me Emina Cunmulaj, me ç’rast ka diskutuar për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë, shkruan KultPlus.

Lajmin e ka bërë të ditur përmes një postimi në “Facebook”.

Postimi i plotë:

“Krahas festës në këtë datë historike, pata kënaqësinë të ndaj panelin me Emina Cunmulaj për të diskutuar një kauzë që na bashkon, kauza e të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Nën moderimin e Ambasadorës Zana Rudi, shpalosëm fakte mbi përdorimin e dhunës seksuale si armë lufte, për shëndrrimin e padrejtë të trupit njerëzor në një fushëbetejë, për fatin e dhimbshëm të rreth 20.000 të mbijetuarëve të dhunës seksuale. Ky diskutim është një thirrje për veprim, thirrje për drejtësi, thirrje për njohjen e qëndrueshmërisë së këtyre të mbijetuarve duke kujtuar se lufta jonë për liri dhe pavarësi është e lidhur ngushtë me sakrificat dhe guximin e tyre.

Jam e lumtur që nga tani e tutje Fondacioni Jahjaga dhe Fondacioni Emina’s Hand kanë bashkuar forcat për të punuar në fuqizimin e të mbijetuarëve dhe avokimin për drejtësi në nivelin ndërkombëtar”, shkruhet në postim. /KultPlus.com

Jahjaga: Isha e përgatitur për të udhëheqë shtetin, por ajo për të cilën nuk isha gati, ishte seksizmi

Ish presidentja Atifete Jahjaga ka marr pjesë në edicionin e dytë të FemFest që po mbahet në Tiranë, dhe për herë të parë ka prezantuar përballjen me seksizmin, përgjatë mandatit të saj si presidente e Republikës së Kosovës. KultPlus ju sjell të plotë fjalimin e ish presidentes Jahjaga.

E Dashur Iliriana Loxha-Basha,

Ambasadore Hastad,

Perfaqesues te UNWOMEN,

E dashur Elisa,

E Dashur Jorida,

E dashur Mirela,

E Dashur Igo,

E Dashur Linda Shala,

Paneliste te nderuar,

Mike te Dashura,

Kam një kënaqësi të vecantë të jem në mesin tuaj sot që së bashku të shënojmë Ditën Ndërkombëtare të Gruas. Ju falenderoj përzemërsisht për ftesën, e vecanërisht për temën për të cilën jam e ftuar të flas – Seksizmi në Politikë.

Kam shumë për të ndarë nga përvoja ime personale në shërbim publik, por edhe nga observimet e mia në lidhje me këtë temë përgjatë viteve.

Jam menduar shumë se si t’i çasem kësaj teme. Të zbukuroj realitetin, apo të tregohem e sinqertë? Edhe pse kam shërbyer në politikë nga një pozitë neutrale si Presidente e Republikës së Kosovës, vendosa të mos tregohem politikisht korrekte dhe të zgjedhë opsionin e dytë – të jem e sinqertë me ju.

Seksizmi në politikë është një fenomen edhe më i shprehur nga ç’duket. Është aq prezent dhe i përbrendësuar në sistem, sa që është i normalizuar, ç’është më e keqja. Atë e gjejmë brenda partive politike, në parlament, në analiza të ekspertëve, e në media.

Shërbimi im në Presidencë, si gruaja e parë që mban këtë titull në Kosovë dhe në rajon nuk ishte aspak i lehtë. Kur ju them që nuk ishte i lehtë, nuk e kam fjalën për vështirësinë e të drejtuarit një shtet, sepse për atë isha e pregaditur profesionalisht dhe psikologjikisht – e dija se cilat ishin detyrat, obligimet, e sfidat e detyrës. Por, ajo për të cilën nuk isha gati ishte seksizmi i shprehur kundrejt meje në shumë fronte, e nga pothuaj secili entitet i shoqërisë.

Debati që dominonte në diskursin publik ishte pamja ime. Ishin takat e mia, ngjyra e flokëve, thonjët e mi, madhësia e çantave të mia, e pesha ime. Sulmet seksiste ndaj meje janë shprehur në formë komentesh misogjene nga politikanë e politikane, në formë të mungesës së përkrahjes nga shoqëritë civile, me një përjashtim, kur seksizmi manifestohej kundrejt meje, e madje edhe në formë grafitesh me siluetë gjysmë të zhveshur në mure të ndërtesave në qytetet e Kosovës, për të cilat nuk kishte pothuajse fare reagime, përveq nga Rjeti Grave të Kosovës.

Do të isha shumë dakord nëse do analizohesha në linjat e punës simë – në mandatin për të cilin thirresha. Kritika konstruktive më kontribuonte edhe mua për të përmirësuar kualitetin e punës dhe shërbimit ndaj vendit e qytetarëve, por komentet mbi kilogramët e trupit tim, apo gjatësia e flokëve të mi nuk më kanë hyrë aspak në punë, e as nuk më kanë ndihmuar në udhëheqje më efikase. Ndjej keqardhje që e njëjta çasje jokonstruktive, misogjene, e seksiste është ende prezente pasi që e observoj në media, qëndrime politike, e qytetare ndaj Presidentes aktuale të Republikës së Kosovës. Më vjen shumë keq që 12 vite pas marrjes sime të mandatit, gjërat nuk kanë ndryshuar aspak!

Kuotat kanë bërë mrekulli në rritjen e numrit të grave në politikë. Ky mekanizëm ka ndihmuar në shumë aspekte, duke filluar nga inkurajimi i grave dhe vajzave të hyjnë në shërbimin publik, e deri tek perceptimi i qytetarëve për t’ju besuar këto pozita politike grave. Por, kuota nuk ka arritur që plotësisht ta ndryshojë mentalitetin ku pozitat e larta udhëheqëse iu besohen grave.

Gratë që udhëheqin parti në Kosovë e Shqipëri mund të numërohen me gishtat e një dore. Përveç kësaj, seksizmin brenda partive politike mund ta hasim edhe në mënyrën se si alokohen fondet për politikane dhe politikanë brenda partisë. Politikanëve iu sigurohen makina, çasje të shpejtë në resurse financiare dhe humane të partisë, dhe gatishmëri më e madhe e liderëve të partisë për t’ju vënë në ndihmë. Ndërsa politikaneve iu alokohen shumë më pak nga këto resurse. Në fakt, aq është dramatik ky dallim, sa që e dallon edhe garën politike mes dy gjinive. Kampanjat politike mes tyre dallojnë drastikisht.

Të mos flasim për seksizmin jashtë partiak gjatë diskutimeve në parlament, gjatë bashkëbisedimeve me komisione parlamentare, apo gjatë takimeve ndërpartiake. Talljet, fyerjet, misogjinia, e mentaliteti patriarkal janë gjithmonë aty. Janë pjesë e retorikës së përditshme në politikë duke i shtyrë gratë e vajzat në margjina të vendimarrjes, politikbërjes, e udhëheqjes së institucioneve.

Madje, shumë shpesh egziston edhe stereotipizimi i punëve edhe brenda politikës – politikanet mirren me punët e grave siq janë – e që s’do duhej të ishin – të drejtat e njeriut, dhuna në familje, dhuna ndaj grave; ndërsa punët e politikanëve ndahen mes tyre në siguri, rend dhe ligj, infrastrukturë e deri vonë edhe diplomaci.

Të dashura Mike,

Pa dashur të gjeneralizoj, por po e ndaj me ju pasi e kam vërejtur si një fenomen të shprehur, ka edhe burra që përforcojnë bindje seksiste ndaj grave në politikë e më pas flasin për seksizmin sikur një dukuri negative që duhet luftuar.

Mbaj mend që disa vite më herët, gjatë kohës sa unë isha duke shërbyer si Presidente e Republikës së Kosovës, Z. Erion Brace, njëri nga panelsitët tentativë të këtij diskutimi sot, emrin e të cilit e kam parë në draft agjendë por që fatkeqësisht nuk gjindet këtu sot, më ofendonte rëndë duke i kontribuuar klimës misogjiniste që tkurrë pjesëmarrjen e grave në sferën publike. Më vjen mirë nëse Z. Brace ka reflektuar dhe bindjet e tij janë transformuar.

Këtij diskursi seksist ndaj grave në politikë po i kontribojnë në mënyrë dramatike edhe mediat dhe analistët politikë. Casja e tyre ndaj politikaneve është, në të shumtën e rasteve, plotësisht e padrejtë, e pavend, jo etike, dhe aspak profesionale. Përderisa fokusi duhet të jetë tek kualiteti i punës dhe rezultatet konkrete të qeverisjes e politikbërjes së tyre, vëmendje e vecantë i vihet pamjes, sjelljes gjoja ‘agresive‘ dhe jo femërore, apo shumë femërore në disa raste, e deri tek jeta personale që nuk vihet ne diskutim në të njejtën masë tek politikanët burra.

Të dashura Mike,

Më duhet që patjetër të theksoj edhe seksizmin që e ushqejmë edhe ne si gra ndaj njëra-tjetrës. Numëroj raste të panumërta ku gratë politikane kanë qenë shumë më të ashpra e me të padrejta ndaj grave në politikë. Më ka ndodhur edhe mua, por besoj që secila këtu në sallë, ka rënë pre e një trajtimi të tillë të paktën një herë gjatë karrierës së tyre. Mungesa e solidaritetit po e ndalon progresin tonë kolektiv, të dashura mike. Ne po shndërrohemi në faktorë që e mirëmbajnë patriarkatin. Popullizmi feminist nuk na duhet. Deri diku pajtohem me Maisie Ëilliams e cila thotë që duhet të ndalojmë së thirruri veten feministë, dhe vetëm t‘i emërtojmë ata që nuk janë feministë si seksistë!

Uroj që vetëdijësimi ynë të jetë sa më i shpejtë e të jemi më kritikë ndaj këtij fenomeni sepse asnjë shoqëri nuk e posedon luksin për të humbur kapacitete e potencial që gratë kanë, e që si pasojë e kësaj misogjinie e përbrendësimi të vlerave negative, po stagnojmë. Nga seksizmi nuk përfiton askush, madje as burrat. Sa më parë të e pranojmë këtë fakt, aq më mirë do të jetë për të gjithë ne.

Në fund, dua të bëj thirrje për unitet e solidaritet mes grave në politikë. Dua që të ushqejmë një lidhje të shëndoshë me njëra tjetrën, edhe nëse nuk pajtohemi ideologjikisht apo politikisht – është plotësisht e pranueshme të kemi diversitet mendimesh. Por, e shoh rrënjësore që përkrahja ndaj njëra tjetrës të mos mungojë që ta luftojmë së bashku seksizmin e t’i zhdukim pabarazitë në shoqëri.

Ju faleminderit!/ KultPlus.com

Jahjaga: E kush tjetër mund të fliste më mirë për seksizmin në politikë?

Ish presidentja e Republikës së Kosovës Atifete Jahjaga ka marr pjesë në FemFest në Tiranë, e cila ka ndarë përvojën e saj në luftën me seksizmin, përgjatë periudhës sa ishte presidente e Kosovës, shkruan KultPlus.

KultPlus ju sjell të plotë njoftimin e Jahjagës për këtë pjesëmarrje.

E kush tjetër mund të fliste më mirë për seksizmin në politikë?

Në FemFest në Tiranë, sot ndava pak nga eksperienca ime në luftën me seksizmin, gjatë por edhe pas mandatit tim si Presidente.

Vazhdojmë të kemi raste të panumërta dhe të vazhdueshme të shoqërisë sonë skeptike ndaj forcës dhe dijës së gruas. Fatmirësisht, gratë në Kosovë e Shqipëri i’u janë kundërpërgjigjur këtij mosbesimi dhe fyerjeve jo me fjalë por vetëm me vepra, duke ju dëshmuar të kundërtën.

Andaj, jo vetëm në muajin Mars, por çdo ditë, gratë duhet të guxojnë e dëshmojnë që janë të zonja dhe të forta./ KultPlus.com

Nesër bëhet hapja e “Aspire Balkans Demo Day”, programi mbështetës për gratë sipërmarrëse nga Ballkani

Nesër bëhet hapja e “Aspire Balkans Demo Day”, me fillim nga ora 14:00, në ICK/event area (Qendra e Inovacionit të Kosovës).

Në mesin e folësve në hapje të programit pritet të jenë Shkëlqesia e Saj, Atifete Jahjaga, ish-Presidente e Republikës së Kosovës, Shkëlqesia e Saj ambasadorja Tamar Ziv, Shkëlqesia e Saj ambasadorja Simona Frankel, Rozeta Hajdari, Ministre e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë e Republikës së Kosovës, dhe Donjeta Sahatçiu, Nënkryetare e Komunës së Prishtinës.

“Aspire Balkans”, në kuadër të raundit të dytë të Kapitullit Republika e Kosovës/Maqedonia e Veriut, është një program unik që inkurajon gratë nga Ballkani të bëhen sipërmarrëse dhe t’i shndërrojnë idetë e tyre biznesore në startup, përmes mentorimit nga partnerët izraelitë.

Programi është i frymëzuar nga dhe në partneritet me programin “ASPIRE” në Përshpejtuesin AtoBe në Jerusalem të Shtetit të Izraelit.

Programi mbështetet nga Ministria e Punëve të Jashtme të Shtetit të Izraelit, me partneritet të përbashkët të Shkëlqesisë së Saj Tamar Ziv, Ambasadore e Shtetit të Izraelit në Republikën e Kosovës, dhe Shkëlqesisë së Saj Simona Frankel, Ambasadore e Shtetit të Izraelit në Maqedoninë e Veriut, dhe me partnerë kryesorë Shoqatën e Kosovës për Teknologjinë e Informacionit dhe Komunikimit (STIKK) dhe “Together Advancing Common Trust” (TAKT) nga Maqedonia e Veriut.

Ky program mori 46 aplikime. Pjesëmarrësit kaluar dy javë intensive leksionesh dhe seancash mentorimi.
12 prezantimet më të mira do të prezantohen në “Demo Day”, ndërsa dy fitueset/fituesit do të fitojnë çmimin për Turne Inovacioni, të mbështetur nga Ministria e Jashtme e Shtetit të Izraelit. / KultPlus.com

Fondacioni Jahjaga lanson koleksionin “One in Three and All for One”, synohet fuqizimi ekonomik i grave

Fondacioni Jahjaga mbrëmë ka lansuar koleksionin e ri të veshjeve të brendit ”One in Three”, brend ky që është iniciativë e Fondacionit Jahjaga dhe ka për qëllim fuqizimin ekonomik të grave përmes punës në fushën e rrobaqepësisë, shkruan KultPlus.

Atmosfera mbrëmë në Vendum Lounge në Prishtinë nisi qysh në orën 19:00, atëherë dhe kur ambasadorë, pjesëmarrës nga bota e biznesit, showbizit dhe fytyra të shumta publike po mbushnin hapësirën dalëngadalë. Të mbledhur të gjithë për brendin “One in three”, emërtimi i së cilit ka për qëllim rritjen e vetëdijes për shkallën e dhunës me bazë në gjini, duke pasur parasysh që në nivel global, një në tre gra përjeton dhunë, të gjithë pjesëmarrësit bisedat e tyre i drejtonin rreth veshjeve të cilat në një kënd po qëndronin të kuruara deri në pikë të fundit.

Këtij koleksioni i janë bashkuar figura të ndryshme publike dhe aktivistë të cilët kanë kontribuar drejtpërdrejtë në fuqizim ekonomik të grave, duke ofruar dizajne të veshjeve për këtë koleksion. Më pas, këto produkte janë qepur me shumë dashuri dhe përkushtim nga gratë e angazhuara në këtë projekt.

Ngjarja është shoqëruar nga fjalime prej ish-presidentes Atifete Jahjaga (Presidente e Republikës së Kosovës 2011-2016) dhe Carolin Ziadeh, Përfaqësuese Speciale e Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, ndërkaq veshjet janë prezantuar nga individë të njohur për publikun të cilët kanë kontribuuar në koleksion duke i dizajnuar këto veshje.

“Ky projekt me brendin “Një në tre” është një kreacion i cili është punuar nga fillimi me shumë dashuri, me shumë pasion dhe për qëllim kryesor ka pasur fuqizimin ekonomik të grave dhe vajzave përmes punës së tyre të dorës dhe pavarësimin e tyre financiar. Fatkeqësisht, ne të gjithë e dimë që tregu i punës nuk është një hapësirë e barabartë për të gjithë, sidomos kur bëhet fjalë për vajzat dhe gratë. Pikërisht për këtë arsye, fondacioni Jahjaga vitin e kaluar ka lansuar këtë projekt me qëllimin e vetëm, pikësëpari që të shkëputet ky zinxhir i dhunës që po shtohet ndaj vajzave dhe grave të Kosovës”, thotë Jahjaga.

Sipas saj, para disa muajve, ky projekt ka filluar vetëm me një dyqan virtual me disa gra kreatore, me një vizion dhe pasion të jashtëzakonshëm për të punuar kreacione, por tani disa muaj më pas, po lansohet edhe linja e dytë.

“Ne e dimë që Kosova ka pasur dhe ka gra të zonja të cilat e kanë dëshmuar veten dhe po e dëshmojnë veten dita ditës, por ato gra nuk do të mund të kishin arritur këtu ku janë sot, pa kaluar një numër të madh të sfidave. Një në tre gra në botë është viktimë e dhunës fizike apo psikike përbrenda familjes. Mjafton vetëm një individ që të ngritë zërin apo të marrë një iniciativë për të vetëdijesuar shoqërinë. Ne që jemi mbledhur sot në këtë masë është një tregues i qartë që neve duhet të përçojmë një mesazh të rëndësishëm që dhuna nuk lejohet dhe të arrihet barazia mes nesh”, përfundon ajo.

Ndërkaq, përfaqësuesja speciale e Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Carolin Ziadeh, ka thënë se është një privilegj që ajo ishte mbrëmë në mesin e tyre.

“Është privilegj të jem këtu sot. Ky projekt është një demonstrim i gjallë i një rruge të suksesshme drejt barazisë gjinore”, ka thënë ajo.

Kështu krejt në fund u prezantuan edhe veshjet e mahnitshme nga vetë figurat e pranishme që janë pjesë e këtij koleksioni.

Deri më tani, Fondacioni Jahjaga ka lansuar dy koleksione –One in three: Atifete Jahjaga dhe One in Three: Hope, duke ofruar mundësi pune për disa gra, dhe duke zgjeruar punën synojmë të punojmë më tutje drejt fuqizimit ekonomik dhe pavarësisë financiare të grave.

Veshjet mund ti gjeni edhe online KËTU. / KultPlus.com

Jahjaga: Karakteri luftarak i Albright dhe angazhimi për liri, demokraci dhe të drejtat e njeriut e bënë atë lidere të madhe

Ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga është duke marrë pjesë në ceremoninë lamtumirëse të Sekretares së Shtetit të SHBA-së, Madeleine Albright.

Jahjaga ka postuar disa fotografi nga kjo ceremoni, ku pjesë ishin edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Ndër tjerash ish-presidentja ka shpërndarë një fotografi nga një takim që ka pasur me Kurtin dhe Osmanin në këtë ceremoni.

“Karakteri i saj luftarak dhe angazhimi për liri, demokraci dhe të drejtat e njeriut e bënë atë lidere të madhe, ndërsa shpirti i saj fisnik e human e bëri edhe njeri të madh.

Ndihem krenare që në Katedralen e Washingtonit, busti dhe vizita e Sekretares në vitin 2019 në Kosovë, të cilat u realizuan me inciativën time për të shënuar 20 vjetorin e çlirimit të Kosovës, e dëshmuan këtë lidhje mes popullit të Kosovës dhe Sekretares Albright. E nderuam siç e meritonte”, shkroi Jahjaga.

Ajo tha se Kosova dhe populli i saj do të jenë përjetësisht falënderues për rolin e saj.

Po ashtu, Presidentja Osmani dhe kryeministri Kurti kanë takuar Sekretarin e Shtetit Antony Blinken në Washington DC. / KultPlus.com

Jahjaga viziton artisten ukrainase që jeton në Kosovë: Ajo frikën për familjarët po e kalon duke punuar aksesorë nga  argjila

Ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka njoftuar se ka vizituar sot artisten ukrainase e cila jeton që 11 vite në Kosovë, përcjell KultPlus.

Jahjaga thotë se Elena po e kalon frikën e dhimbjen për më të dashurit e saj, të cilët ndodhen në Ukrainë, duke punuar aksesorë të ndryshëm punëdore nga argjila.

KultPlus ua sjell postimin e plotë të saj:

Në agjendën time sot vendosa ta vizitoj një artiste nga Ukraina e cila jeton dhe vepron në Kosovë që 11 vite.

Ajo frikën e dhimbjen për më të dashurit e saj, të cilët ndodhen në Ukrainë, po e kalon duke punuar aksesorë të ndryshëm punëdore nga argjila.

Elena e diplomuar në dizajn grafik, ka vendosur që kreativitetin e saj ta shfaqë në këtë mënyrë duke i ofruar tregut të Kosovës qafore, broshë e aksesorë të tjerë tejet unik e të bukur.

Gratë gjithmonë gjejnë forcën të depërtojnë e të arrijnë aty ku duan. Elena nuk preferon zonën komforte, prandaj, përveç angazhimeve të saja tjera, ajo ka vendosur që të sjellë edhe këto produkte të cilat mund t’i shihni në @elenalushakuacessories./ KultPlus.com

Atifete Jahjaga iu bën thirrje grave që t’u nënshtrohen kontrolleve kundër kancerit të gjirit

Ish-presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, në aktivitetin përmbyllës kundër kancerit të gjirit, iu ka bërë thirrje grave që t’u nënshtrohen kontrolleve të vazhdueshme në mënyrë që të parandalojnë këtë sëmundje.

“Përmes këtij aksioni simbolik ne kemi dashur të shprehim përkrahjen dhe mbështetjen tonë ndaj të gjithëve të prekurve kundër kancerit të gjirit, dhe njëherit ju bëjmë thirrje të gjithëve dhe veçanërisht grave që t’u nënshtrohen kontrolleve të rregullta, kontrolleve sistematike, si mënyra më e mirë për të parandaluar këtë sëmundje, sepse një kontroll e rregullt te një specialist do të nënkuptonte jo vetëm zbulimin e hershëm të kësaj sëmundje, por njëherit do të nënkuptonte trajtimin më të mirë, dhe një luftë me efikase kundër kancerit të gjirit”, theksoi Jahjaga.

Tutje, Jahjaga tha se gjendja ka qenë më e vështirë më parë në Qendrën Klinike Universitare, por tani janë të gjitha kushtet e duhura, transmeton Klankosova.tv.

“Disa vite më parë ka qenë më vështirë, por tani duke pasë parasysh që në Qendrën Klinike Universitare janë të gjitha pajisjet, teknologjia e kohës së fundit, janë mjekët dhe motrat që janë të trajnuara dhe të specializuara, njëherit kemi edhe monografinë mobil, i cili është në dispozicion të kontrolleve të vazhdueshme, ju bëjmë thirrje grave që t’u nënshtrohen të gjitha këtyre kontrolleve, sepse kjo do nënkuptonte shpëtimin e jetës”, tha Jahjaga.

Ajo në fund tha se një skanim vjetor do të nënkuptonte zbulimin e hershëm dhe shpëtimin e jetës. / KultPlus.com

Jahjaga: Gjurgjialo, gruaja që punon plisin tash e 35 vjet

Ish presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga tash e sa kohë po viziton bizneset që udhëhiqen nga gratë, shkruan KultPlus.

Ajo së fundi ka vizituar punëtorinë e Ergyle Gjurgjialo në Prizren, e cila është një ndër gratë e pakta në Kosovë që e punojnë plisin.

Përgjatë vizitës, Jahjaga ka vënë një plis në kokë, përderisa ka parë nga afër zhvillimet e këtij biznesi.

KultPlus më poshtë ju sjell postimin e plotë të Jahjagës.

Znj. Ergyle Gjurgjialo tradicionalen e ka në zemër! Me plis në kokë e me sofër shtruat ashtu si e do rendi tek shqiptarët na priti në punëtorinë e saj në Prizren.

Si një ndër gratë e pakta e thuajse e vetmja në Kosovë, ajo tashmë 35 vite punon plisin – kapelen identifikuese të shqiptarëve ndër shekuj.

Ergylja kjo trimëresh, nuk ndalet as edhe një ditë së punuari plisin, me fanatizëm e shumë dashuri, në mënyrë që tradita jonë të mbetet gjallë./ KultPlus.com

Atifete Jahjaga: Luljeta Pula ishte model i avancimit politik të gruas në Kosovë

Ish-presidentja e republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga në një takim me gruan protagoniste të viteve të 90-ta, Luljeta Pula Beqiri, kanë biseduar rreth arritjeve në fuqizimin e gruas kosovare dhe sfidave që priten të vinë përpara, përcjellë KultPlus.

“Me punën, përkushtimin e guximin e saj ajo është bërë model i angazhimit e avancimit politik të gruas në Kosovë. Me gra të fuqishme si Luljetën mund të bëjmë shumë gjëra të mrekullueshme në fuqizimin politik të grave në Kosovë”, ka thënë Jahjaga.

KultPlus ju sjell statusin e saj të plotë:

Një takim i shkëlqyeshëm me Luljeta Pula Beqirin, me të cilën biseduam për arritjet në fuqizimin e gruas kosovare dhe sfidat që kemi përpara në këtë drejtim.
Luljeta ishte politikisht aktive qysh prej kohës së hershme të levizjes sonë kombëtare për krijimin e Kosovës shtet. Me punën, përkushtimin e guximin e saj ajo është bërë model i angazhimit e avancimit politik të gruas në Kosovë.
Me gra të fuqishme si Luljetën mund të bëjmë shumë gjëra të mrekullueshme në fuqizimin politik të grave në Kosovë. / KultPlus.com

Jahjaga: Sistemi i drejtësisë po dijka të funksionojë mrekullueshëm kur kryesit e vrasjeve janë gratë

Ish-Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga ka komentuar nëpërmjet një statusi në rrjete sociale vendimin e Gjykatës Themelore në Ferizaj për dënimin me 18 vite burgim të gruas, e cila ka vrarë të dashurin e saj, shkruan KultPlus.

Jahjaga në këtë status është shprehur se kur gratë janë kryesit e krimeve, ato marrin dënimet e duhura, ndërkaq kjo nuk ndodh njësoj kur gratë janë viktima teksa kryesit e krimeve janë burrat.

KultPlus ua sjell të plotë statusin e Jahjagës:

Gjykata Themelore në Ferizaj paska dënuar sot një grua, e cila ka vrarë të dashurin e saj në vitin 2018, me 18 vite burgim.

Sistemi i drejtësisë, pra, po dijka të funksionojë par excellence kur kryesit e vrasjeve janë gratë.

Ndërsa, kur gratë janë viktima dhe vriten nga burrat e tyre, e tërë Kosova duhet të ngrihet në protestë për t’u bërë thirrje gjykatave që t’u shqiptojnë vrasësve dënimet e merituara.

Çfarë ironie e hidhur e një populli i cili është vrarë nga okupuesit e tij me shekuj të tërë.

Lirinë dhe pavarësinë e ndërtuam mbi premisat e barazisë, drejtësisë, dhe barazisë para drejtësisë! Nuk kemi bërë asgjë nëse shkas për devijimet nga këto vlera e parime bëhet gjinia! / KultPlus.com

Në Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut, Jahjaga kujton të mbijetuarat e dhunës seksuale

Presidentja e parë e Republikës së Kosovës nëpërmjet një postimi sot në Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut ka kujtuar të mbijetuarat e dhunës seksuale, shkruan KultPlus.

Atifete Jahjaga ka shpërndarë një fund të kaltër të një të mbijetuare, e cila e ka pasur të veshur në ditën kur u dhunua nga serbët. Në të shkruhet “Ky fund ka një histori të mbyllur nga pranvera 1998!”.

Jahjaga e ka bërë këtë postim duke kërkuar të drejta për këtë kategori të shoqërisë, duke shkruar “Po për të drejtat e kësaj heroine?”.

KultPlus ua sjell të plotë shkrimin e Atifete Jahjagës:

Shkrim nga dora e një të mbijetuare të dhunës seksuale gjatë luftës, në fundin që kishte veshur në ditën kur është kryer krimi që ka lënë plagë të hapura në të edhe dy dekada pas.

Në Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut duhet të pyesim: Po për të drejtat e kësaj heroine? / KultPlus.com

Jahjaga me ambasadorët amerikanë të Kosovës dhe Shqipërisë flet për rëndësinë e diasporës shqiptare

Ish-presidentja Atifete Jahjaga ka hapur konferencën “Diaspora Flet 2020” ku pjesëmarrës ishin edhe dy ambasadorët amerikanë të Kosovës dhe Shqipërisë, Philip Kosnett dhe Yuri Kim.

Sipas njoftimit aty u zhvillua një maratonë diskutimesh, propozime dhe reflektime mbi angazhimin e diasporës nga profesionistë shqiptarë kudo në botë.

“Reflektim mbi 20 vitet e fundit të angazhimit të Diasporës Shqiptare, se çfarë kemi mësuar nga e kaluara dhe çfarë mbart e ardhmja në 20 vitet e ardhshme dhe a kemi bërë sa duhet për të ndërtuar komunitetet tona në mënyrë sistematike, ishin disa nga pyetjet të cilat ngjallën debat të strukturuar në 5 sesionet e realizuar me temën avokimi dhe diplomacia”, thuhet në njoftim.

Gjatë një bisedimi 30 minutësh në mes të ish-presidentes Jahjaga dhe Valbona Zeneli, udhëheqëse e Departamentit të Nismave Strategjike në qendrën “George C. Marshall”, u fol për migracionin, rolin e grave në migrim, remitancat dhe nevoja për bashkërendimin e aktiviteteve në mes të diasporës dhe institucioneve të vendit amë.

Jahjaga e pyetur rreth fenomenit të migracionit u shpreh se migrimi duhet të jetë një zgjidhje dhe jo një obligim i ndikuar nga faktorët e brendshëm.

Ajo kërkoi një angazhim dhe një seriozitet nga elita politike për të trajtuar diasporën si pasuri kombëtare duke shprehur në fund përulje ndaj diasporës dhe ndihmës së saj në ndërtimin e Kosovës.

Vlerësim ndaj rolit të diasporës në etapa të ndryshme u tha edhe në panelin e dytë me temë angazhimi i diasporës 20|20 – Forcimi i bashkëpunimit. Një reflektim mbi të kaluarën, rrëfim mbi lobimin e shqiptarëve jashtë vendit, rezistencën dhe roli i diasporës sot u diskutuan përgjatë këtij paneli, ku folës ishin Avni Mustafaj, Edita Tahiri, Shenasi Rama, Afërdita Rakipi dhe Besnik Pula.

Ndërsa sa i përket përfaqësimit politik të diasporës u theksua se mungon vullneti politik për të integruar diasporën në politkëbërjen ditore dhe shtetërore. Në këtë panel u përmend edhe projektligji për Diasporën dhe votimi i tyre në misionet diplomatike.

Sipas ish-deputetit Korab Sejdiu ajo çfarë ndodhi ishte se politikanët e pozitës vendosën që ta mbanin peng këtë projektligj ngase e dinin se nuk mund të kalkulonin në votat e diasporës.

Ndërkohë, ish-kryeministri shqiptar Pandeli Majko tha se marrëdhënia me diasporën po kthehet nga sasiore në cilësore.

Liza Gashi, folëse në këtë panel theksoi se partitë politike nuk duhet të jenë prezente në diasporë por duhet të përfshijnë atë brenda programeve të veta.

Mark Gjona, Këshilltar Bashkiak i Nju Jorkut njëherësh edhe kryetari i Këshillit Kombëtar të Diasporës (KKD) tha se shtetet shqiptare duhet të koordinohen për angazhimin e diasporës si një komunitet global dhe unik.

Në këtë ditë nuk munguan edhe fjalimet inspiruese si dhe debati i frymëzuar për artin dhe diplomacinë. Ylfete Fanaj, Shpresa Loshaj, Osman Osmani, Ori Hoxha, Ermal Sulaj, Desar Sylemjani, Ariana Kosova dhe Adelajda Matuka, profesionistë nga diaspora, përmes mesazheve 5 minutëshe treguan historitë e tyre inspiruese. Ylefete Fanaj filloi fjalimin me këngën ‘moj e bukura more’ dhe u shpreh se ajo nuk jeton në një botë zvicerane të ndarë dhe një botë shqiptare të ndarë, por në një botë unike ku i sheh të përbashkëtat para dallimeve. / KultPlus.com

Dumoshi nga stadiumi ‘’Fadil Vokrri’’: Zëri i heroinave të Kosovës sot kumbon për fitoren e madhe

Ministrja për Kulturë, Rini dhe Sport, Vlora Dumoshi ka vizituar stadiumin ‘’Fadil Vokrri’’, meqë rast ka shprehur përkrahjen e saj ndaj lojëtarëve të Kosovës për lojën kundër Moldavisë, shkruan KultPlus.

Të veshur me fanela të cilat janë një kombinim mes Dardanëve dhe llogos së fushatës si përkrahje ndaj të mbijetuarve të dhunës seksuale, Dumoshi ka shpërndarë fotografi bashkë me kryeministrin Avdullah Hoti dhe ish-presidenten Atifete Jahjaga.

‘’Forca djelmoshave që sonte sfidohen në lojën kundër Moldavisë. Bashkë me Kryeministrin Hoti dhe ish-Presidenten Jahjaga sapo vizituam stadiumin “Fadil Vokrri” ku do të mbahet ndeshja e i cili sot është veshur nga “Dardanët” në mbështetje të fushatës senzibilizuese ‘Bëhu zëri im’ në përkrahje të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë’’, ka shkruar ministrja Dumoshi.

Tutje ajo ka theksuar se zëri i heroinave të Kosovës sot kumbon për fitoren e madhe.

Ulëset e stadiumit ‘’Fadil Vokrri’’ sot morrën një pamje tjetër, duke u veshur me llogot e lules Anemone, kuptimi i së cilës është shpresë për të mbijetuarit e dhunës seksuale./ KultPlus.com

Police e presidente, gjashtë fakte për Atifete Jahjagën

Atifete Jahjaga është presidentja e parë femër e Kosovës, dhe e katërta në rradhë nga presidentët e Republikës.

Jahjaga ka lindur në Gjakovë, ka përfunduar studimet në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës në vitin 2000. Në vitet 2006-2007 ka ndjekur programe pasuniversitare për Menaxhim Policor dhe Ligjin Penal në Universitetin e Leicester-it në Mbretërinë e Bashkuar. Po ashtu ka ndjekur programin pasuniversitar për Shkencën mbi Krimin, në Universitetin e Virginia-s në Shtetet e Bashkuara në vitin 2007.

Më poshtë ju sjellim 6 fakte që noshta s’i keni ditur rreth saj:

1. Jahjaga është liderja femër më e re në botë e zgjedhur në postin e Presidentes dhe po ashtu Presidentja e parë femër në historinë moderne të Ballkanit.

2. Asnjë rast korrupsioni për Atifete Jahjagën nuk është raportuar gjatë mandatit të saj si presidente e vendit.

3. Është presidentja e parë e Kosovës që e ka mbajtur mandatin e plotë 5 vjeçar (2011-2016).

4. Thuajse në çdo konferencë, apo prezantim ndërkombëtar, Jahjaga ka përmendur luftën çlirimtare të Kosovës dhe viktimat e dhunuara gjatë luftës.

5. Ka shërbyer si zëvendës drejtoreshë e Policisë së Kosovës, duke mbajtur gradën e gjeneral majorit, grada më e lartë në mesin e grave në Evropën Juglindore.

6. Ajo njihet si ‘Presidentja e Zarfit’ për shkak se është zgjedhur nga marrëveshja e partive politike PDK-LDK-AKR, dhe emri i saj është nxjerrë nga një zarf të cilin e ka dërguar ambasadori i atëhershëm i SHBA-ve në Kosovë, Christopher Dell., shkruan Metro.

Presidenca ‘Jahjaga’ njihet për respektim të plotë të ligjit, kujdes në përdorimin e parasë publike dhe kursim të buxhetit vjetor./ KultPlus.com

Jahjaga renditet në mesin e njerëzve që ndryshuan botën, krahas saj edhe Elanor Roosevelt

Ambasada Amerikane në Kosovë e renditë ish presidenten e Kosovës, Atifete Jahjagën në mesin e atyre që ndryshuan botën për të mirë, duke e bërë bashkë në listë edhe me drejtuese tjera shtetërore si Elanor Roosevelt, përcjellë KultPlus.

Jahjaga e ka konsideruar nder dhe privilegj renditjen që i është bërë nga Ambasada Amerikane e Kosovës. Ajo është shprehur se është privilegj të renditesh në mesin e atyre që ndryshuan botën për të mirë dhe hapën rrugën që njerëzit të gëzojnë të drejta të barabarta.

“Çfarë nderi dhe privilegji që të renditesh në mesin e drejtuesve të tjerë si Eleanor Roosevlet nga #USEmbassyPristina si një nga ato që e ndryshuan botën për më mirë dhe hapën rrugën që njerëzit të gëzojnë të drejta të barabarta. #RightstoFreedom #USëithKosovo”, ka shkruar Jahjaga në Facebook.

Ndërkaq nga Ambasada Amerikane në Kosovë u tha se Jahjaga është gruaja e parë Presidente e Kosovës e cila foli për rëndësinë e pjesëmarrjes së grave dhe sfidoi mentalitetin patriarkal në politikë si dhe ndjeki kauzën e saj për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës. / KultPlus.com

Jahjaga takon djaloshin me koeficient të inteligjencës 145, e quan “Ajnshtajn të kohës moderne”

Ish-presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga, sot ka pritur në takim djaloshin Lum, i cili ka koeficient të inteligjences 145, shkruan KultPlus.

Ajo shprehet se Lumi qysh nga mosha dy-vjeçare ka shfaqur nivel të inteligjencës jo të zakonshme me fëmijët e moshës së tij. Tutje Jahjaga e quan djaloshin “Ajnshtajn të kohës moderne”.

Postimi i plotë i Jahjagës:

Ishte kënaqësi e veçantë që të pres në vizitë Lumin, një djalosh kurioz i cili premton shumë për të ardhmen e vendit tonë. Lumi ka treguar inteligjencë mbi mesatare me koeficient të intelegjencës 145 dhe është pjesë e Institutit “Atomi”.

Pasuria më e madhe e Republikës së Kosovës janë fëmijët inteligjentë si Lumi. Mirëpo, na takon neve që këtë pasuri ta përkrahim duke i ofruar të gjitha kushtet e nevojshme për zhvillimin intelektual.

Lumi qysh nga mosha 2 vjeçare ka shfaqë një nivel të intelegjencës jo të zakonshme me fëmijët e moshës së tij. E fëmijët si Lumi, të cilët e di që nuk janë pak në numër, duhet përkrahur që intelegjencën e tyre ta sfidojnë në kushte dhe mundësi të duhura.

Lumi – Ajnshtani i kohës moderne, shpresoj që në të ardhmen, ta vendosësh Kosovën në harten e gjenive botëror. /KultPlus.com

Jahjaga viziton Klinën, takon gratë e komunitetit RAE

Ish-Presidetja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka vizituar Klinën ku ka takuar gra të komunitetit Romë, Ashkali dhe Egjiptian. Ajo ka thënë se takimi me ta ishte inspirues, shkruan KultPlus.com

“Bashkë me UNHCR, këtë herë ishim në komunën e Klinës për të biseduar me gratë e komunitetit Romë, Ashkali dhe Egjiptian të kësaj komune. Përkundër sfidave, këto gra janë forca e komuniteteve të tyre, dhe çdo takim me ato është inspirues.

Faleminderit UNHCR për organizimin dhe punën e jashtëzakonshme”, ka shkruar Jahjaga në Facebook.

Jahjaga kërkon mbështetje për viktimat e dhunës seksuale në Kosovë

Ish-Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka kërkuar mbështetje nga të gjitha institucionet për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, për të iu ofruar atyre drejtësi si dhe një ri-integrim më të lehtë në shoqëri. KultPlus.com

Këto komente ajo i ka bërë gjatë pjesëmarrjes së saj në konferencën “Speak Up on Time” të organizuar nga Instituti i Mjekësisë Ligjore.

“Në konferencën “Speak Up on Time” të organizuar nga Insituti i Mjekësisë Ligjore fola për nevojën e intensifikimit të bashkëpunimit të të gjithë akterëve relavantë në mbështetjen e të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë dhe ri-integrimin e tyre në shoqëri. Theksova se, për të bërë këtë, ne kemi punuar, por duhet të punojmë akoma më shumë në disa rrafshe: në aspektin ligjor, atë institucional, social, ekonomik dhe në ofrimin e qasjes në drejtësi për të mbijetuarit”, ka shkruar Jahjaga në Facebook.

Fillon fushata ‘Ma thuaj me kohë – dhuna seksuale është krim’

Instituti i Mjekësisë Ligjore në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in, organizojnë tryezën me temën ‘Ma thuaj me kohë – dhuna seksuale është krim’, me të cilën nis fushata në lidhje me ruajtjen e provave biologjike në rastet e dhunës seksuale.

Në këtë tryezë merr pjesë edhe ish-presidentja, Atifete Jahjaga.

Fushata ka për qëllim ngritjen e vetëdijes për situatat e mundshme që i ekspozojnë kategoritë e ndjeshme në rrezikun e të qenit viktimë e dhunës seksuale/KultPlus.com

Delegacioni i Kosovës dëshmon në Parlamentin Italian për dhunën seksuale gjatë luftës

Një delegacioni i Kosovës i udhëhequr nga ish-Presidentja Atifete Jahjaga në përbërje të cilit ishin deputetët Mexhide Mjaku-Topalli, znj.Saranda Bugujevci si dhe e mbijetuara e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, Znj Vasfije Krasniqi-Goodman, të mërkurën me 26 qershor dëshmoi për krimet e dhunës seksuale gjatë luftës në dy dhomat e Parlamentit Italian, transmeton KultPlus.

Takimi i parë i delegacionit u zhvillua në Senatin e Republikës, me kryetaren e Komisionit Parlamentar të Hetimeve mbi Feminicidin (vrasje e grave) si dhe mbi të gjitha format e dhunës me bazë gjinore, senatore Valeria Valente, Ndërsa gjatë pasdites delegacioni u prit nga Komisioni për Punët e Jashtme i Dhomës së Deputetëve, ku përvec kryetares Marta Grande merrnin pjesë edhe disa anëtarë të këtij Komisioni. Ish-presidentja Jahjaga në fjalën e saj, pasi prezantoi shumë fakte rreth krimeve të luftës të kryer nga forcat serbe në Kosovë, në të dy takimet foli në emër të grave të dhunura gjatë luftës, dhe kërkoi nga Parlamenti Italian të ndihmojnë Kosovën në betejën ndërkombëtare për drejtësi të këtyre grave. Ajo kërkoi që të ushtrohet presion mbi Serbinë e cila vazhdon të mohojë krimet e luftës dhe strehon kriminelët. Zonja Jahjaga kërkoi miratimin e një Rezolute nga Parlamenti Italian ku të njihen dhe dënohen krimet e dhunet seksuale që kanë ndodhur në Kosovë gjatë luftës, dhe të ushtrohet presion mbi Serbinë rreth kësaj cështjeje. Ajo shpjegoi edhe betejën me shoqërinë Kosovare e cila deri vonë këtë temë e ka konsideruar si tabu.
Më pas në të dy takimet, foli e mbijetuara e dhunës seksuale znj. Vasfije Krasniqi Goodman, e cila me emocione të shumta shpjegoi historinë e saj. Ajo shpjegoi edhe betejat me drejtësinë ndërkombëtare në Kosovë, fillimisht me UNMIK-un i cili e kishte humbur dëshminë e saj dhe më pas me EULEX-in. Ajo tha se dy dhunuesit e saj ende nuk janë dënuar nga Gjykata, edhe pse ajo i ka denoncuar dhe se do të vazhdonte të luftonte për drejtësi. Zonja Krasniqi-Goodman kërkoi që serbët të dënohen për krimet që kanë bërë, po kështu shteti Serbi të kërkojë falje për ato krime.
Ndërsa kryetarja e Grupit të Grave Deputete znj. Mexhide Topalli Mjaku tha se në Kosovë nuk kanë ndodhur krime vetëm në vitet 1998 – 1999 por edhe më përpara duke rikujtuar represionin dhe shkeljen masive të të drejtave të njeriut nga pushteti serb për dekada me radhë. Ajo i ftoi deputetët italianë të vizitojnë Kosovën dhe për të pare realitetin nga afër.
Deputetja tjetër e Kuvendit të Kosovës Saranda Bogujevci rrëfeu historinë e vrasjes së familjes së saj dhe betejën për drejtësi që ka zhvilluar me ndihmën e shtetit britanik. Ajo kërkoi që shteti italian që është prezent në Kosovë të ndokojë që kriminelët e luftës të sillen përpara drejtësisë si dhe të ndihmojë në rehabilitimin e viktimave të dhunës seksuale.


Në Komisionin për Punë të Jashtme pasi edhe diskutime nga deputetët prezentë mes të cilave deputetja Laura Boldrini, ish-kryetare e parlamentit, e cila foli sesi ajo vetë kishte takuar me dhjetëra gra pas luftës në Kosovë që ishin dhunuar në mënyrë të vazhdueshme nga paramilitarët e Arkanit, dhe se do të angazhohej në zbardhjen e së vërtetës për këto krime monstruoze, dhe se është e vërtetë se nuk ëhstë bërë asgjë për këto krime.
Deputetë të tjerë që morën fjalën u shprehën se ishin të prekur nga dëshmitë e rënda që dëgjuan nga dy të mbijetuarat e luftës dhe i inkurajuan ato për guximin e treguar.
Edhe Ambasadorja Lama bëri një pasqyrë të shkurtër përpara këtij komisioni në lidhje me iniciativën e hapjes së gjykatës për krime luftë në Kosovë menjëherë pas luftës, por që nuk u themelua nga ndërkombëtarët me arsyetimin se do të ndikonte negativisht në armiqësimin e mëtejshëm të shqiptarëve dhe serbëve dhe vecanërisht me nënvlerësimin e krimeve të dhunës seksuale nga misionet ndërkombëtare. Ajo kërkoi që tani që ekziston një atmosferë tjetër edhe në nivelin ndërkombëtar rreth dhunës seksuale të përdorur si taktikë lufte, Italia të angazhohet në kushtëzimin e Serbisë në procesin e integrimit europian, në mënyrë që të njohë këto krime dhe të bashkëpunojë për të sjellë kriminelët përpara drejtësisë.

Këto aktivitete u realizuan nga Ambasada e Republikës së Kosovës në Itali, në kuadër të internacionalizmit të njohjes së dhunimeve seksuale në Kosovë si mjet lufte, të nënshtrimit dhe poshtërimit të popullit të Kosovës nga regjimi i Millosheviqit./KultPlus.com

Jahjaga: Madeleine Albright, njëra nga kontribuueset më të fuqishme në lirinë dhe pavarësinë tonë

Madeleine Albright, ish-sekretarja e SHBA-ve, zonja më e respektuar për shqiptarët, sapo ka arritur në Kosovë për të ju bashkuar festimeve për shënimin e 20-të vjetorit të lirisë së shtetit kosovar, ku me këtë rast ajo nesër do të mbajë një fjalim për ndërhyrjen e aleancës së NATO-s në Kosovë.

Ish presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, e ka pritur në aeroport Madeleine Albright prej ku ka ndarë edhe disa fotografi të cilat i shoqëroi me një falënderim të veçantë për ish-sekretaren e SHBA-ve për gjithë kontributin e saj dhënë për vendin tonë në kohën më të vështirë. Ajo është shprehur krenare që ka pritur Albright duke e konsideruar si një nga kontribuueset më të fuqishme në lirinë dhe Pavarësinë e vendit tonë.

“Jam krenare që, njëzet vite pas çlirimit, të mirëpres në Kosovë ish-Sekretaren Amerikane të Shtetit, Madeline Albright- njërën nga kontribuueset më të fuqishme në lirinë dhe pavarësinë tonë. Vendosmëria dhe përkushtimi i Sekretares Albright për ta ndalur gjenocidin në Kosovë dhe për t’ia kthyer lirinë dhe shpresën një populli të shtypur ishin kruciale për të ardhmen e popullit tonë. Sekretarja Albright, e cila ishte e pakompromis ndaj dhunës që regjimi i Millosheviqit po ushtronte në Kosovë, sot erdhi në një Kosovë që kultivon vlerat për të cilat ajo është angazhuar- lirinë, demokracinë, tolerancën dhe paqen.

Përjetësisht mirënjohës!”, ka shkruar Jahjaga në Facebook. / KultPlus.com