Sheshi “Skënderbej” është kthyer në një hapësirë argëtimi për të gjitha moshat. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka njoftuar se kjo hapësirë do të qëndrojë e hapur deri në datë 10 nëntor.
Ai thotë se çdo ditë për të pranishmit do të ketë ushqime të shijshme, pije dhe muzikë live për t’u argëtuar me miqtë.
“Deri më 10 nëntor, sheshi “Skënderbej” shndërrohet në vendin ideal për t’u argëtuar me miqtë! Ushqime të shijshme, pije dhe muzikë live çdo ditë! Mos e humbisni atmosferën e paharrueshme në zemër të Tiranës”, shkruan Veliaj./ BalkanWeb/ KultPlus.com
Qyteti i Shkodrës po përjeton ditët e bukura festive të Karnavaleve që nisën të premten dhe përfundojnë të dielën me Paradën e Karvanit.
Agjencia Telegrafike Shqiptare ishte e pranishme në Shkodër me fotoreporterin Agim Dobi për të kapur momentet më interesante të Karnavaleve dhe për të përcjellë atmosferën e gëzueshme që ato sollën në qytet.
Qindra qytetarë, të mëdhenj dhe të vegjël, i janë bashkuar nismës së bashkisë së Shkodrës për ta shndërruar qytetin në një “ballo me maska” për tre ditë e tre netë rresht, ndërsa aktivitetet e planifikuara kanë angazhuar dhjetëra të rinj e të reja.
Prej disa ditësh fëmijë, të rinj e të rritur, nxënës e mësues, artistë, instrumentistë e akrobatë, artizanë e bejtexhinj, punonjës të hotelerisë e kulinarisë, fotografë e dizenjues po përfshihen në atmosferën e karnavaleve.
Nga e premtja deri sot ata garuan me krijimtarinë dhe imagjinatën e tyre, ndërsa një juri profesioniste do të vlerësojë me çmime më të mirët.
E shtuna nisi me Paradën e të rinjve, ndërsa vijoi me performanca artistike nga shkollat, ndërsa pasdite pati aktivitete në punëtori, krijim i maskave, Facepainting, Kllounata.
Atmosfera vijon me shfaqjen e dritave në fasada ndërsa deri pas mesnate grupe shëtitëse artistësh me veshje e maska veneciane vizitojnë baret e restorantet e qytetit.
Aktiviteti kryesor i së dielës do të jetë parade e Karvanit.
Shkodra është qyteti që e ka festuar më herët Karnavalen. Festimet e para i përkasin gjysmës së dytë të shekullit XIX, saktësisht vitit 1860, duke krijuar një traditë solide që vazhdoi deri në vitin 1946, ku për shkak të regjimit komunist, u ndalua së festuari për t’u rikthyer sërish si traditë pas viteve ’90./atsh/KultPlus.com
Magjia e festave të Fundvitit ka përfshirë edhe qytetin bregdetar të Sarandës, duke e renditur tregun e Krishtlindjeve ndër më të mirët në Europë.
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale shkrimet e botuara në Forbes, Traveler dhe European Best Destinations, të cilat kanë përshkruar atmosferën festive në qytetin e Sarandës, i cili është destinacioni i mijëra turistëve vendas e të huaj gjatë sezonit veror, por jo vetëm.
“Saranda destinacion edhe në dimër. Atmosfera festive e Krishtlindjeve sarandiote, ndër më të bukurat sipas Forbes, Traveler dhe European Best Destinations”, shkruan Rama.
Në tregun e Krishtlindjes në Sarandë mbizotërojnë dekorime vezulluese, shesh patinazhi, karusel, kasolle druri dhe skena për muzikë dhe aktivitete të ndryshme kulturore në këto ditë festash.
Vitet e fundit Saranda po tërheq gjithnjë e më shumë turistët e huaj, shkak për këtë janë bërë edhe investimet e rëndësishme si shkallaret, bulevardi, ndriçimi, sinjalistika, që i kanë dhënë tjetër pamje qytetit bregdetar./Atsh/KultPlus.com