Shtegu i Goricës, atraksioni më i ri turistik në Berat

Një atraksion i ri turistik i është shtuar Beratit për aventurierët dhe të dashuruarit pas natyrës.

Kryetari i bashkisë së Beratit, Ervin Demo, ndau pamje nga shtegu i Goricës, një destinacion me vlera kulturore dhe natyrore.

Në këtë shteg është vendosur edhe një pikë vrojtimi me konstruksion druri për vizitorët.

“Një shëtitje eksploruese, me shtegun e pastruar dhe sistemuar duke ruajtur habitatin natyror të zonës, në ajrin e pastër të qytetit tonë, me një bukuri panoramike të rrallë, çfarë duhet më shumë? Foto të bukura? Kemi menduar edhe për këtë! Mund t’i bëni edhe ato në sheshin mbi rrënojat e kalasë së Goricës. Aty do të gjeni pikën e vrojtimin me konstruksion druri. 180 gradë mbi qytetin, kur ke në pëllëmbë të dorës Kalanë, luginën e lumit Osum, gjithë qytetin 2500-vjeçar”, tha Demo.

Shtegu ndodhet mbi kodrën e lagjes “Goricë” dhe pamja që shfaqet në ngjitje të tij është e mrekullueshme. Në këtë shteg ndodhen edhe rrënojat e kalasë së Goricës, të cilat datojnë që në gjysmën e parë të shekullit III.

Shtimi i kërkesave të vizitorëve për itinerare natyrore të reja ka bërë që të hapet edhe ky shteg dhe të vendoset në udhërrëfyesit që u ofrohen vizitorëve./atsh/KultPlus.com

Mali i Gramozit, atraksioni turistik i Kolonjës që frekuentohet nga alpinistët

Mali i Gramozit është një tjetër atraksion turistik i Kolonjës, që gjatë stinës së dimrit frekuentohet nga alpinistët dhe të apasionuarit e hiking.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga Gramozi nën petkun e borës.

Mali i Gramozit me liqenin e tij akullnajor, monument natyre në një lartësi prej 2523 m mbi nivelin e detit është një nga atraksionet më të vizituara në Kolonjë.

Reshjet e borës dhe të shiut janë ushqimi kryesor i këtij ujëmbledhësi. Përreth ka bimësi të larmishme natyrore. Monumenti ka vlera shkencore, estetike e turistike.

Të apasionuarit pas lartësive, ngjiten në këto relieve të thyera për të ushtruar sportin e alpinizmit, të ecjeve malore dhe të admirojnë natyrën e rrallë të këtyre majave./atsh/KultPlus.com

Muzeu me identitet të dyfishtë, ndër më të vizituarit këtë sezon në Gjirokastër

Muzeu etnografik në Gjirokastër përfaqëson një atraksion me identitet të dyfishtë.

Ai njihet si një objekt që koleksionon pasuri të rralla të traditës materiale etnografike por njëkohësisht edhe si shtëpia e lindjes së Enver Hoxhës, figurës që u bë fytyra e diktaturës më të egër në Europë. I restauruar dy vite më parë muzeu është risjellë me një qasje të re për vizitorët qasje e orientuar nga teknologjia. Këtë sezon më shumë se 10 mijë vizitorë në 80% të tyre të huaj e vizituan këtë muze.

Kemi sektorin e zonave etnologjike të Gjirokastrës që diferencohen nga njëra-tjetra për shkak të ndryshimeve me karakter etnik dhe janë të ekspozuara apo ilustruara nëpërmjet kostumeve.

Kemi sektorin e simbolizmit fetar brenda të cilit gjenden objekte të importuara nga kisha e Shën Sotirit, objekte që mbajnë motive të ndikimit fetar. Vizitorët e huaj janë shumë të interesuar për pjesën e simbolizmit fetar pasi kjo pjesë ngjall kërshëri për shkak të bashkëjetesës dhe harmonisë fetare në Gjirokastër ku bashkëjetojnë tre besime fetare”- tha Iris Shane, cicerone e muzeut.

Restaurimi i këtij muzeu u parapri nga një diskutim rreth përmbajtjes, nëse do të duhej të kishte një dhomë dedikuar figurës së Enver Hoxhës, nëse do të duhej të ishte muze etnografik apo një muze i diktaturës. Irisi që udhëheq vizitorët në mjediset e banesës tri katëshe tregon se pyetjet për diktatorin nuk mungojnë por dëshmitë materiale për të janë minimale. Vizitorët shqiptarë do të dominojnë periudhën e dimrit dhe janë ata që kanë kuriozitet të lartë për të dy identitetet e muzeut.

Të huajt e konsiderojnë dhe vlerësojnë sepse është pjesë e historikut të kësaj shtëpie. Shqiptarët kanë edhe më shumë interes për shkak të të jetuarit në dy sisteme por edhe lidhjes historike me vendin tonë. Por ekspozitori i Enver Hoxhës është i përqëndruar më shumë tek lidhja e tij me këtë shtëpi. Ai ka lindur këtu më 1908 dhe ka jetuar deri në moshën 8 vjeçare, kohë kur shtëpia u dogj aksidentalisht. Më pas u rikostruktuar në këtë lloj arkitekture fillimisht si muze të Luftës Nacional-Çlirimtare por njëkohësisht e bëri të njohur për popullin edhe si shtëpinë e tij të lindjes– tha Shane.

Në Gjirokastër janë aktualisht aktivë 4 muzeume publikë dhe 2 privatë. Ndërkohë jashtë funksionit janë shtëpitë muze të familjes së Çerçiz Topullit, Musine Kokalarit e Eqrem Çabejt. Fondi material i relikeve të të gjithë muzeumeve ka qenë i jashtëzakonshëm. Me kalimin e viteve shumë ekzemplarë të objekteve etnografike kostumeve, pikturave janë zhbërë ndërsa më shumë se 1000 objekte të shpëtuara kanë ende nevojë për restaurim dhe konservim. Muzetë kryesorë të Gjirokastrës janë vizituar gjatë sezonit veror nga gati 200 mijë vizitorë./topchanel/KultPlus.com

Media hungareze, “Coloré”: Shqipëria atraksion i papërsëritshëm edhe në vjeshtë

Eksperiencë plazhi e jashtëzakonshme, pak turistë, ambient miqësor. Kjo është receta për udhëtimin perfekt. Plazhet e Shqipërisë presin vizitorë që janë ngopur me destinacionet kryesore evropiane, dhe duan të shpëtojnë nga turmat e turistëve, ndonjëherë mbytëse, shkruan në një artikull gazetarja Rozc Franciska, të botuar në të përditshmen hungareze “Coloré.hu”.

Kur bëhet fjalë për eksperiencat evropiane të plazheve, zakonisht të vijnë në mendje plazhet dalmate, spanjolle apo italiane.

Megjithatë, në ditët e sotme, këto vende janë shpesh aq të mbipopulluara sa bukuria e natyrës bëhet e pakëndshme.

Ky nuk është aspak rasti me plazhet e Shqipërisë, të cilat nga njëra anë rezultojnë të jenë shumë më miqësore me buxhetin sesa qendrat turistike të krijuara, dhe meqë ra fjala, ata u premtojnë adhuruesve të detit një pamje të mahnitshme.

Shqipëria e pazbuluar

Riviera shqiptare zyrtarisht 450 kilometra e gjatë (ose seksioni i njohur lokalisht si Bregu) shtrihet në pjesën verilindore të detit Jon: bregdeti shtrihet përmes Vlorës dhe Sarandës deri në Parkun Kombëtar të Butrintit dhe kufirin grek.

Bregu është shtëpia e disa prej plazheve më të bukura të Shqipërisë, si dhe shumë atraksioneve të tjera, duke përfshirë mrekullitë natyrore si shpellat dhe burimet nënujore, por edhe fshatrat simpatikë bregdetar, pamjet mahnitëse, rrënojat e lashta, madje edhe bunkerë bërthamor të pashfrytëzuar.

Plazhet e Shqipërisë: Plazhi i Gjipesë

Edhe pse nuk mund të themi kurrsesi se plazhi i Gjipesë është një nga plazhet lehtësisht të aksesueshme (një rrugë e pashtruar të çon në një nga perlat e bregdetit shqiptar).

Gjipe është edhe ndër plazhet shqiptare që konsiderohen të paprekura.

Gjipe është një plazh me guralecë që u ofron vizitorëve ujë të ngrohtë dhe të pastër kristal, duke e bërë atë një vend ideal për not.

Në verë, kajakë dhe SUP gjithashtu mund të merren me qira në zonë, por ju mund të sillni një ombrellë me vete.

Disa kafene në plazh ofrojnë ushqime të shijshme shqiptare, por numri i njësive të kateringut nuk është aq i lartë sa në plazhet e tjera të Evropës.

Plazhi i Gjipes ndodhet afërsisht 1,5-2 orë me makinë nga qyteti i Vlorës.

Plazhi i Dhërmiut

Plazhi i Dhërmiut, i vendosur në veri të Gjipesë, cilësohet si plazhi më i bukur në Shqipëri.

Edhe pse bregdeti i Dhërmiut nuk është me rërë, guralecat e lëmuara, të bardha dhe uji i bruztë i ofrojnë vizitorëve një eksperiencë vizuale të papërsëritshme.

Duke qenë se plazhi i Dhërmiut është më i lehtë për t’u aksesuar sesa i Gjipes, edhe familjet mund të pushojnë në këtë zonë bregdetare.

Shezlongët dhe çadrat mund të merren me qira në këtë plazh, dhe restorantet dhe kafenetë ofrojnë ushqime të shijshme për turistët dhe vendasit që e vizitojnë.

Është interesante që jeta në plazhin e Dhërmiut nuk ndalet as gjatë natës: me perëndimin e diellit, zona e bregdetit bëhet skena e festave të egra të plazhit.

Plazhi i Dhermiut ndodhet dy orë nga Saranda dhe 1,5 orë nga Vlora.

Plazhi i Potamit

Plazhi i Potamit, i vendosur në skajin verior të rivierës shqiptare, ka një efekt shumë më të izoluar, pasi shtrihet mes maleve dhe një zone të gjelbëruar.

Si rezultat, plazhi është kryesisht me hije gjatë ditës, por kjo është shumë e nevojshme në vapë, në fakt!

Plazhi i Potamit, ashtu si Gjipe apo Dhërmiu, ka gjithashtu një plazh me guralecë, por këtu ka gurë të mëdhenj e të rrumbullakët dhe jo guralecë të vegjël.

Potami ka një gamë të gjerë baresh dhe restorantesh në plazh, ku mund të ndjeheni të lirë të provoni disa ushqime të shijshme dhe pije të ftohta duke admiruar pamjen e pazakontë.

Plazhi i Potamit ndodhet pesë minuta me makinë nga qyteti i Himarës. /atsh / KultPlus.com



Liqenet e Jezercës, atraksion turistik me bukuri të rrallë

 Alpet Shqiptare, me bukuritë magjepsëse të tyre, tërheqin gjithnjë edhe më shumë vëmendjen e turistëve vendas dhe të huaj.

Ministrja e Shtetit për Standardet e Shërbimeve, Milva Ekonomi përcolli sot në rrjete sociale, foto me pamje të mrekullueshme nga liqenet e Jezercës.

“Bukuri e natyrës liqenet e Jezercës në lartësinë mbi 2600 m”, shkroi Ekonomi.

Liqenet gjenden në anën veriore të malit të Jezercës, në një luginë të vogël e të rrethuar me maja të larta, e cila fillon në Jezercë dhe përfundon në Vuthaj dhe më poshtë në Guci (Mali i Zi) ku bashkohet me lumin e Vermoshit.

Ashtu siç shihet edhe nga pamjet në foto, Alpet Shqiptare janë territoret më atraktive dhe më magjepse të trevave tona, me bukuri të shumta natyrore dhe pasuri të mëdha turistike.

Në gjithë Alpet Shqiptare gjenden 30 liqene akullnajore, por grupi i liqeneve të Jezercës është i pa krahasueshëm.

Regjimi i këtyre liqeneve është tipik alpin. Gjatë dimrit ngrijnë të gjithë. Disa nga liqenet janë 3-4 metra të thellë, ndërsa disa të tjerë janë krejt të cekët. Pavarësisht faktit se gjenden mbi formacione gëlqerorësh, ata mbajnë ujë për një periudhë të gjatë edhe në stinën e verës.

Vitet e fundit, fluksi i turistëve për të vizituar këtë zonë ka ardhur në rritje të vazhdueshme. Majat e malit të Jezercës duket sikur arrijnë qiellin, teksa bukuria mahnitëse pasqyrohet në liqenet akullnajore që ofrojnë një qetësi përrallore dhe peizazh natyror  spektakolar./atsh/KultPlus.com

Liqeni i Degës, ndër atraksionet e shumta të zonës së Dumresë

Liqeni i Degës, është një ndër liqenet më të bukur në Dumre, i njohur ndryshe edhe si “Liqeni i luleve”.

Ai shtrihet pranë fshatit Fierzë, në pllajën e Dumresë, në Elbasan, në lartësinë rreth 160 m mbi nivelin e detit.

Me pamjen e mrekullueshme që ofron, ai është kthyer në një prej atraksioneve të shumta të zonës së Dumresë.

Liqeni i Degës, klasifikohet si liqen karstik, me formë tepër të zgjatur. Është ndër liqenet më të bukur në grupin e atyre të Dumresë. të formuar nën veprimin e karstit në gjipse nga bashkimi i disa hinkave karstike të mbushura me ujë, si pasojë e bllokimit me materiale të patretshme dhe të papërshkueshme të kanaleve nënëtokësore karstike.

Formon një ekosistem të veçantë liqenor me botë të gjallë të pasur./atsh/KultPlus.com

Bregdeti i Darzezës e Pish Poros në Fier, atraksion për të apasionuarit e sporteve të ujit

Bregdeti i Darzezës e Pish Poros në Fier, me valët e forta të detit, është kthyer në atraksion për të apasionuarit e sporteve të ujit.

Të apasionuarit e kitesurfing, windsurf, wakeboard, si dhe sporteve të tjera ujore i janë drejtuar këto ditë bregdetit të Fierit për të shijuar dallgët e forta.

Drejtuesi politik i PS-së në qarkun e Fierit, Taulant Balla ndau sot në rrjetet sociale pamje nga bregdeti i Darzezës dhe Pish Poros në Fier, me vijën e gjerë bregdetare që ofron hapësira publike dhe frekuentohet çdo ditë nga pushues të shumtë.

“Tashmë ky bregdet i mrekullueshëm frekuentohet nga turistët e huaj dhe vendas që ushtrojnë sportet ujore”, u shpreh Balla.

Me rreth 9.5 km vijë bregdetare, Pish Poro në Fier ofron plazhe ranore të pashfrytëzuara me detin e pastër dhe pyllin me pisha të buta.

Vija bregdetare ranore e Pish Poros në Novoselë, mbetet një destinacion turistik ende për t’u zbuluar.

E shtrirë mes derdhjes së lumit të Vjosës e deri në Zvërnec të Vlorës, Pish Poro ofron një vijë bregdetare shumë të përshtatshme për zhvillimin e turizmit familjar.

Pishë Poro është shpallur zonë e mbrojtur e kategorisë IV ndërsa njihet si një zonë e pyjeve të pishës mesdhetare.

Në ujërat e pastra të deltës së Vjosës takohet lloji globalisht i rrezikuar lundërza, si dhe peshqit migratore (troftat). Pish Poro mbetet po ashtu një zonë e rëndësishme për shpendët./atsh/KultPlus.com