Kulla e Ngujimit, Monument Kulture i kategorisë së parë është një nga monumentet e rralla të historisë arkitekturore të veriut. Ndërtimi unik njihet në Dukagjin si vendi ku qëndronin ata që kishin kryer një akt në kundërshtim me ligjet e kanunit dhe prisnin derisa të arrihej pajtimi.
Kulla e Ngujimit gjendet në Theth dhe njihet si një nga atraksionet turistike kryesore të këtij fshati të njohur alpin.
Kulla ka strukturë katërfaqëshe me çati tipike alpine. Ekzistenca e saj përmendet nga Franc Nopça, një nga studiuesit më të njohur hungarezë, i cili ka udhëtuar në viset malore të Shqipërisë në fillim të shekullit XX.
Mënyra e ndërtimit mbi shkëmb, dhe izolimi me gurë i kullës është karakteristike për trevat e thella të Veriut. Këto fortesa dominojnë ndërtimet e tjera shqiptare në aspektin e vetëmbrojtjes. Dritaret e vogla si frëngji u jepnin përparësi banorëve të kullës të ndiheshin të sigurtë dhe të mos diktoheshin nga armiqtë jashtë fortesës.
Kulla e Thethit e ka kryer edhe funksionin e ngujimit, pasi aty izoloheshin ata që kryenin një akt të rëndë, por edhe funksionin e pajtimit. Në kohën që i ngujuari qëndronte i izoluar në kullë, pleqtë e fshatit nisnin bisedimet mes familjeve që ishin prekur nga konflikti.
Fortesat e tilla nuk mund të ruheshin nga armiku pa armët e zjarrit. Periudha kur këto tipologji kullash e humbën kuptimin e ndërtimit të tyre ishte ajo e viteve `45-`90, ku shumë prej tyre u kthyen në magazina bujqësore, vatra kulture, apo dhe u shembën nga harresa. / atsh / KultPlus.com
Zona e Steblevës në Librazhd, si pjesë e Parkut Kombëtar Shebenik-Jabllanicë, është një nga zonat më të bukura të Shqipërisë dhe atraksion turistik në çdo stinë.
Kjo zonë, gjatë këtyre ditëve marsi, është mbuluar nga dëbora ku vizitorë të shumtë e kanë zgjedhur atë si destinacionin e fundjavës.
Parku Kombëtar Shebenik- Jabllanicë shtrihet në verilindje të vendit tonë dhe ka sipërfaqe të përgjithshme prej 33 927,66 ha, ku pjesën kryesore e zënë pyjet, kullotat, tokat bujqësore etj.
Në këtë park turistët kanë mundësi të shijojnë liqenet karstike, liqenin e Fushë-Studnës, Vlaskën, Fushën e Dorëzit, Bredhin e Fushë-Kuqes, Rrapin e Taksimit, Shkallën e Skënderbeut, Gurrën e Ariut e shumë zona të tjera që presin vizitorë.
Moratoriumi i gjuetisë ka bërë që edhe kafshët e egra të shtohen për t’i dhënë më tepër gjallëri kësaj zone./ atsh / KultPlus.com
Tirana ka njohur katërfishim të numrit të turistëve të huaj, duke u kthyer në një aktor të rëndësishëm të industrisë së turizmit.
Gjatë një takimi me me guidat turistike në kryeqytet, kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj theksoi se ky “boom” turistësh ka ardhur pas investimeve dhe transformimit që ka përjetuar Tirana, ku veçoi zonat më ikonike të saj, sheshin “Skënderbej”, Pazarin e Ri dhe Kalanë e Tiranës.
“Sidomos në vitin e kaluar kur kemi pasur edhe titujt Kryeqyteti Europian i Rinisë, apo këtë vit ai i Sportit, e kam pasur sfidë të hyj e të dal nga bashkia prej grupeve të turistëve. Jam ndjerë sikur jetoja në Babel, kur dëgjoja çfarë gjuhe fliste një grup dhe nuk e fliste grupi tjetër. Në këtë sens, unë besoj që këto janë ditët më të mira të turizmit në Tiranë. Pra, me gjithë problematikat që kemi, më mirë se kaq nuk ka qenë përpara dhe nuk ka qenë kurrë,” tha Veliaj.
Kreu i bashkisë së Tiranës renditi disa nga atraksionet kryesore turistike ku është ndërhyrë së fundmi, ndërsa veçoi Piramidën, për të cilën tha se shumë shpejt do jetë në 3 pikat më të vizituara të Tiranës.
“Nuk besoj ka kaluar një vit që s’kemi shtuar një stacion të ri ku vërtet ia vlen të çosh turistë. Filluam me “Shtëpinë e gjetheve”, vazhduam me “Pazarin e Ri”, me Kalanë e Tiranës dhe janë bërë disa të quajtura “tourist traps”. Jam i bindur që Piramida do jetë atraksioni, në mos vendi më i instagramuar, të paktën tek tre më të kërkuarit nga turistët. Ai është një ballkon 360 gradë i Tiranës,” deklaroi ai.
Kryebashkiaku bëri më dije se dy stacionet e reja për t’u vizituar nga turistët që do shtohen shumë shpejt janë “Sarajet” që është shpronësuar nga bashkia dhe do të kthehet në Muzeun Etnografik të Tiranës dhe Shtëpia e Libohovitëve. Ndërkohë, ai sqaroi më tej se ka filluar puna për shtëpinë “Dritëro Agolli”, siç është bërë edhe te “Shtëpia e gjetheve” apo te shtëpia e Ismail Kadaresë.
Për destinacionet më të largëta nga qendra, Veliaj e vuri theksin te ecja në këmbë.
“Te “Bulevardi i Ri” është punuar që në fillim për më shumë hapësirë për ecjet dhe ato që quhen “linear parks”. Në disa raste të tjera na është dashur të bëjmë një lloj kompensimi në urbanistikë, si tek Bulevardi “Zogu I”, një tjetër rrugë që vizitohet shumë, ku hoqëm gjithë parkimin”, sqaroi kryetari Veliaj.
Për sa i përket autobusëve dhe terminaleve, ai tha se tashmë ka mbaruar terminali lindor, ndërsa te “Kthesa e Kamzës” do fillojnë punimet shumë shpejt për terminalin e ri perëndimor.
“Jemi duke shqyrtuar mundësinë që të kthejmë sheshin “Nënë Tereza” në një parkim nëntokësor, i cili të jetë ekskluziv vetëm për autobusët. Ndërkohë jemi duke menduar që xhepin e parkimit që fituam te Garda, që ta përshtatim për autobusë dhe ta kthejmë në stacion, derisa të bëjmë një zgjidhje nëntokë në sheshin “Nënë Tereza”. Duhet të pranojmë që kemi bërë një revolucion me transportin e taksive, ku 60% janë elektrike. Impakti i parë kur vjen në Rinas, apo kur lëviz në Tiranë me një mjet ekologjik, është një publicitet i mirë për qytetin,” nënvizoi Veliaj.
Ai njoftoi se bashkia sapo ka miratuar një investim për kthimin e 80 stacioneve të autobusëve në stacione elektronike dhe aplikimin e biletimit elektronik.
Në vitin 2022, Tirana ishte Kryeqyteti Evropian i Rinisë, me mundësi të pafundme për të rinjtë, përmes 1000 aktiviteteve, për të vijuar këtë vit, si Qyteti Evropian i Sportit, gjë që do të sjellë akoma më shumë tërheqje e atraksion për turistët e apasionuar pas aktiviteteve sportive./ atsh /KultPlus.com
Situata në Spanjë për shkak të shpërthimit të vullkanit La Palma nuk i ka shqetësuar aspak turistët të cilët kanë shkuar për të parë nga afër vullkanin. Madje këshilli Bashkiak ka shtuar numrin e autobusëve duke filluar nga kryeqyteti Santa Cruz në El Paso.
Autoritetet lokale dhe banorët kanë ftuar turistët në La Palma për të parë fenomenin live. Miguel Angel Morkouente, drejtori teknik Pevolca, organi që harton planin për sigurinë në rajon për shkak të vullkanit, tha: “Është diçka e bukur të shohësh turistët që vijnë për La Palma. Kemi kërkuar mbështetjen e popullit dhe kjo e ka dëshmuar më së miri. Ishulli është i sigurt.”
Është bërë e ditur se gjatë gjithë periudhës së aktivitetit vullkanik, mbi 10,000 persona kanë vizituar Ishujt Kanarie, sipas gazetës spanjolle “El País” . Megjithatë, jo të gjithë banorët janë dakord pasi paratë që kanë lënë turistët nuk shkojnë direkt për zonat dhe njerëzit që janë prekur. Në të njëjtën kohë ata pohojnë se për shkak të turizmit janë rritur çmimet e qirave, si pasojë personat që kanë humbur shtëpitë e kanë të vështirë të gjejnë shtëpi të reja.
Hotelet raportojnë se dhomat janë të pakta pasi 85% e dhomave të tyre janë në shërbim te personave që kanë mbetur pa shtëpi për shkak të vullkanit. / KultPlus.com
Një anije e prodhimit kinez është mbytur qëllimisht sot në plazhin e Dhërmiut, për t’u kthyer në atraksion turistik, për zhytësit dhe eksploruesit e botës nënujore.
Emri i anijes që u mbyt sot është ‘Polumbarja Kineze’ ndërsa në qytetin e Vlorës ka ardhur në vitin 1974 si pjesë e marinës.
Përveç kësaj anije, do të mbyten edhe dy të tjera që po ashtu do të kthehen në destinacione për tu vizituar nga eksplorues të ndryshëm.
Në këtë operacion detar të Forcave Detare që konsistoi në transportin e pastaj mbytjen ne bregdetin jonian të kësaj anijeje polumbare ushtarake të nxjerrë jashtë përdorimit mori pjesë edhe ministri Blendi Klosi/Shqip/ KultPlus.com
Pas dy dekadash harrese, Programi Kombëtar i Rilindjes Urbane ka transformuar edhe qytetin historik të Krujës.
Kryeministri Edi Rama solli pamje nga Kruja e rilindur turistike, ku duket qartë ndryshimi që ka pësuar pjesa tradicionale e qytetit.
“Mirëmëngjes dhe me pamjet nga Kruja e rilindur turistike, ju uroj një ditë të mbarë”, tha Rama.
Qyteti i Krujës është një nga destinacionet e pakta turistike në Shqipëri që të çon në periudhën arkitekturore osmane.
Mbi 17 mijë banorë të Krujës, por edhe mijëra turistë që vizitojnë këtë qytet, përfituan nga financimet e qeverisë për qendrën e rikualifikuar dhe rrugën hyrëse në qytet.
Në kuadër të Programit Kombëtar të Rilindjes Urbane, në Krujë është bërë rikonstruksioni i Pazarit të Vjetër, rruga e Kalasë dhe Kulla e saj, duke i dhënë Krujës turistike pamjen mikpritëse që meriton.
Parkimi nëntokësor, rregullimi i rrugës hyrëse dhe krijimi i hapësirave me ndriçim dhe gjelbërim e bënë këtë qytet më tërheqës për turistët.
Si një nga trashëgimitë kulturore dhe historike të këtij qyteti, Pazari i Vjetër i Krujës pret vizitorë nga Shqipëria, rajoni dhe gjithë bota pothuajse në çdo stinë të vitit.
Zona turistike Pazari i Krujës është cilësuar monument kulture i kategorisë së parë nga Instituti i Monumenteve të Kulturës së Shqipërisë dhe është një nga destinacionet turistike më të vizituara në vend në çdo stinë të vitit.
Në këtë zonë turistike janë të vendosur tregtarë dhe artizanë që ofrojnë për turistët dhe vizitorët artikuj e sende të ndryshme, duke filluar nga enët e bakrit, qilimat, veshjet me motive kombëtare, qeleshet, aksesorë të ndryshëm me motive kombëtare, suvenire e tjerë.
Pazari i Krujës është një destinacion shumë atraktiv për turistët, ku krahas arkitekturës së veçantë ofron edhe shërbime të ndryshme karakteristike dhe historike.
Në të gjenden dhjetëra dyqane që ofrojnë një shumëllojshmëri të objekteve dhe që në Shqipëri janë edhe unike.
Në zonën ku shtrihet Pazari i Krujës janë realizuar edhe punime restauruese, ku projekti restaurues i të gjitha dyqaneve përfshin çatitë, fasadat, ndriçimin dhe sinjalistikën, punime nëntokësore si dhe përmirësimin e kalldrëmit të një prej vendeve historike të veçanta në Shqipëri.
Krahas Pazarit, qyteti i Krujës ofron edhe vende të tjera interesante për t’u vizituar nga turistët, ku ndër të tjera mund të përmendet Kalaja, Muzeu Historik si dhe Muzeu Etnografik./atsh / KultPlus.com
Sezoni turistik i këtij viti ka qenë i suksesshëm në Gjirokastër. Të paktën nëse i referohemi vetëm numrit të vizitorëve në kala.
Shifrat e bëra publike nga Drejtoria e Kulturës Kombëtare në Gjirokastër, tregojnë për rritje me mbi 60% të numrit të vizitorëve për 7 muajt e parë të këtij viti, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, njofton ATSH.
Gjatë vitit 2017 për periudhën janar-korrik, numri i vizitorëve është 31,085 ndërsa po për të njëjtën periudhë të vitit 2018 numri i vizitorëve është rritur në mënyrë të ndjeshme me 50,481 turistë vendas dhe të huaj të cilët vendet që mbartin histori i kanë kthyer tashmë në destinacionet më të preferuara gjatë viteve të fundit.
Kalaja është një histori e lidhur me qytetin e Gjirokastrës dhe përmendet për herë të parë si qytet dhe kështjellë në vitin 1336.
Kulmin e historisë së saj kjo kështjellë do ta kishte në periudhën e Pashallëkut të Janinës, kur Ali Pashë Tepelena do të realizonte një sërë ndërtimesh të reja apo ndërhyrje të tjera, duke i dhënë Kalasë së Gjirokastrës fizionominë arkitektonike dhe ndërtimore që ka sot.
Duke filluar nga viti 1968 skena e gurtë e Kalasë së Gjirokastrës do të priste me bujari instrumentistët, këngëtarët dhe valltarët e folkut në kuadër të Festivalit Folklorik të Gjirokastrës, shkruan ATSH.
Njëkohësisht gjatë këtyre viteve mjediset e Kalasë kanë shërbyer edhe për organizimin e koncerteve, spektakleve dhe panaireve të ndryshëm kulturorë. Kalaja e gurtë është edhe një prej pikave më tërheqëse në guidat e grupeve turistike vendase dhe të huaja që vizitojnë Gjirokastrën e mbrojtur nga UNESCO.
Falë vlerave historike dhe arkitektonike që mbart kështjella e gurtë e Gjirokastrës, vazhdon të ngelet monumenti më i preferuar për t’u vizituar nga grupet turistike vendase dhe të huaja përgjatë guidave dhe udhëtimeve të tyre në zonën e Gjirokastrës.
19th-century traditional Ottoman houses, mosque, from Castle hill in Gjirokastra (Gjirokaster), UNESCO World Heritage Site, Albania