Medina Pasoma
Historia e shqiptarëve dhe e vendeve të tjera ballkanike është përfshirë në projektin e organizatës “Qendra për Demokraci dhe Pajtim në Evropën Juglindore”. E kaluara jonë në vëllimin prej 6 librave është shkruar nga historianët Frashër Demaj, Jusuf Bajraktari e Fehmi Rexhepi. Në anën tjetër, Shkëlzen Gashi kur ka lexuar këto tekste ka hasur në shtrembërime historike, me ç’rast analizat e tij, që kundërshtojnë po këtë shtrembërime, i ka përmbledhur në librin “Të damkosurit e Ballkanit”, promovimi i të cilit zuri vend në ambientet e KultPlus Caffe Gallery, shkruan KultPlus.
Organizata me qendër në Selanik të Athinës me qëllim të dokumentimit historik dhe krijimit të paqes mes popujve ballkanas kishte nisur “Projektin e Historisë së Përbashkët” me gjithsej 6 vëllime të botuara, të cilat përfshijnë Luftën e Parë dhe të Dytë Botërore, Luftën e Ftohtë, kombet dhe shtetet në Evropën Juglindore, periudhën e Perandorisë Osmane si dhe luftërat ballkanike. Ndërkaq, Kosova në këtë projekt, u prezantua nga historianët Frashër Demaj, Jusuf Bajraktari dhe Fehmi Rexhepi.
Shkëlzen Gashi në verën e vitit të kaluar kishte lexuar librin e fundit të këtij projekti, atë në të cilin kalonin luftërat e fundit të Jugosllavisë. Kur kishte parë mënyrën se si ishte dokumentar historia, ai kishte reaguar duke publikuar analizën e tij në mediume të ndryshme. Përfaqësuesit e Ambasadës Zvicerane kur e kanë lexuar atë, kanë shprehur gatishmërinë për financim të analizave të Gashit për këto libra. Kësisoji kishte nisur rrugëtimi i publikimit të shkruar në gjuhën shqipe, angleze dhe serbe, të quajtur “Të damkosurit e Ballkanit, Shqiptarët dhe Kosova në tekstet alternative gjithëballkanike të historisë”, e cila është realizuar nga “Admovere”.
Përgjatë prezantimit, moderatorja Aulonë Memeti deklaroi se ky publikim iu është dërguar Presidencës, Kryeparlamentares, Kyeministrisë, Ministrisë së punëve të jashtme, Komisionit për Arsim dhe Shkencë, Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Institutit të Historisë dhe të Albanologjisë, kryetarëve të gjitha partive në Kosovë dhe institucioneve tjera të Shqipërisë. Publikimi ky, i cili iu kushtohet mikut të Gashit, Bekim Lumit.
Në kopertinën e librit është një fotografi të realizuar në nëntor të vitit 1912 te trekëndëshi në Prishtinë. “Fotografia është bërë prej një agjencioni francez, me shënimin “ushtarët serb duke korrektuar kryengritësit dhe keqbërësit në Prishtinë”, taman duken ushtarët serb duke i damkosur dhe stigmatizuar shqiptarët”, shprehet autori Gashi.
Shkëlzen Gashi tha se ka analizuar këto tekste duke pasur tre qëllime: të shoh se si janë paraqitur shqiptarët në to, ngjarjet më të rëndësishme të shqiptarëve dhe Kosovës dhe se cilat ngjarje nuk janë përfshirë dhe si do të duhej të paraqiteshin.
Në librin e parë i cila i kushtohet periudhës osmane, Gashi thekson se nuk janë të përfshira kryengritjet shqiptare kundër shtetit osman, specifikisht 25 vitet e rezistencës së Gjergj Kastriotit; kryengritjet e fundit që përfshijnë vitet 1878-1912, pozitat kyce si kryevezirë që 42 shqiptarë në këtë Perandori i kanë gëzuar, familjet e famshme si ato Tepelena, Bushatliu, Begolli, Kryeziu, Gjinoli.
“Këta autorë t’i nxjerrin sytë për Skënderbeun, Pjetër Bogdanin dhe të gjitha kryengritjet që kanë ndodhur gjatë Rilindjes Kombëtare 1878-1912 kur hartojnë tekste mësimore për nxënësit e shkollave fillore e të mesme në Kosovë. Por, kur shkojnë në Selanik nuk e prezantojnë asnjërën prej këtyre kryengitjeve”, u shpreh Gashi, duke përmendur Selanikun si vendin e botimit të librave.
Tutje ai shton se në këtë libër shqiptarët shihen si persona që s’e dinë ç’është dashuria, madje neveriten dhe i përbuzin gratë ndërkaq martohen sa për të pasur një sllave në shtëpitë e tyre. Në anën tjetër, gratë portretizohen si të paarsimuara, përdoren për bagëti, ndëshkohen me goditje dhe nuk dinë asnjë gjuhë tjetër pos shqipes.
“Gjëja më e rëndë te libri i parë për Perandorinë Osmane është se shqiptarët portretizohen si ushtarë me pagesë që iu kanë bashkuar ushtrive armike, për t’i plaçkitur provincat osmane, si njerëz që kanë bërë pasuri përmes fajdeve, që kanë krijuar ushtri private për kontroll politik në provinca”, theksoj Gashi.
Për librin e dytë “Kombet dhe shtetet në Evropën Juglindore”, Shkëlzen Gashi thotë se Rilindja Kombëtare është prezantuar jo mirë, madje sipas tij, edhe po t’iu lihej dokumentimi historianëve serb apo grek nuk do të dinin ta bënin më keq.
“Gjëja më e rëndë te ky libër është se nuk prezantohen askund krimet e vitit 1878-79 në Sanxhakun e Nishit. Ndërkaq mos prezantimi i këtyre krimeve është karakteristikë e këtyre gjashtë vëllimeve, me përjashtim të luftës së fundit por, edhe aty prezantohen në mënyrë sipërfaqësore, të pasaktë dhe tendencioze”, tha autori i “Të damkosurit e Ballkanit”.
Teksa të gjitha shtetet prezantohen në këtë libër me flamujt, stemat, himnet dhe shkrimet prej personaliteteve të rëndësishme shtetërore, Gashi thotë se për Kosovën këto mungojnë.
Librin e tretë të titulluar “Luftërat Ballkanike” Gashi e vlerëson si më të rëndin për të, për shkak të mos përfshirjes së krimeve të forcave serbe në periudhën 1912-1913 në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni Perëndimore.
“Është një tabelë ku prezantohen krimet ndaj bullgarëve, serbëve, malazezëve, turqve, të gjitha vendeve por, vetëm për shqiptarët nuk ka asgjë”, u shpreh Shkëlzen Gashi.
Ndërkaq në librin e katërt në të cilën shkruhet për periudhën e Luftës së Dytë Botërore nuk ka të shkruar asgjë për shqiptarët e Kosovës dhe Jugosllavinë përgjithësisht sipas Gashit.
“Lufta e Ftohtë” është libri i pestë me radhë, për të cilin Shkëlzen Gashi u shpreh se nuk përfshihet e ashtuquajtura “periudha e Rankovicit”.
“Nuk ka kurrgjë për dhunën e tmerrshme dhe terrorin e dy dekadave ndaj shqiptarëve civil e të pafajshëm, depërtimin e dhjetëra mijëra shqiptarëve për në territorin e Turqisë, konfiskimit të shumë pronave dhe maltretimit të shumë njerëzve”, theksoj Shkëlzen Gashi.
Një gabim tjetër i lëshuar sipas tij qëndron te prezantimi i demonstratave, ku në libër përmenden ato të vitit 1968 dhe 1981. Fotografitë të cilat janë të realizuara nga periudha ku protestat studentore bënë bujën e vet për thirrje mbarëpopullore, ato të vitit 81, në këtë libër etiketohen si të ishin të periudhës së vitit 1968.
“Këto tekste janë të shkruara prej historianëve që janë jo veç anti-Kosovë por, edhe anti-NATO. Kur prezantohet lufta në Kosovë gjatë viteve 98-99 ilustrohet me fotografi të bombardimeve të NATO-së, shkatërrimit të urave dhe objekteve nëpër territorin e Serbisë, mirëpo nuk ka asnjë fotografi për shkatërrimet e 120.000 shtëpive në territorin e Kosovës, e shkatërrimit të 232 xhamive, për shtëpitë tradicionale dhe momunentet e tjera të rëndësishme”, theksoj autori i publikimit “Të damkosurit e Ballkanit”.
Një mungesë tjetër e vërejtur nga ana e tij qëndron në kapitullin ku përkujtohet e kaluara, e në të cilën nuk janë fotografi të masakrave të Kosovës. Përkundrazi, aty prezente janë fotografi të dy monumenteve në Beograd, njëra është një monument për 16 punëtorë të Radio Televizionit të Serbisë dhe tjetra është një memorial në parkun e qytetit të Beogradit, për Milica Rakiq, një fëmijë 4 vjecar, të dy këto grupe të vrara përgjatë 78 ditëve të bombardimeve të NATO-së.
Ai i kritikoi edhe fotografitë e përfshira në libra, ku përderisa refugjatët kosovarë në Maqedoni ose Shqipëri shfaqen në pamje prej më së shumëti 40 personash, serbët shfaqen me qindra e mijëra refugjatë.
Gashi për fund theksoj se këto libra ndoshta nuk do të përdoren në Kosovë, mirëpo në vendet e Ballkanit ku mësimdhënësit do të mund të ligjërojnë me to si literaturë alternative, do të bëhet keqinterpretimi i historisë së kombit tonë.
Ai rekomandoi që institucionet e Kosovës të cilat tanimë veçse i kanë këto tekste të reagojnë sa më parë dhe të angazhojnë historianë ndërkombëtarë të cilët do të ndërhyjnë në vendet e duhura me ndryshimet e nevojshme.
Përvec Shkëlzen Gashit, për këto gjashtë vepra ka reaguar edhe historianja Emine Bakalli Arifi në vitin 2006 nëpërmjet një publikimi në një revistë dhe kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Mehmet Kraja. / KultPlus.com