Ish-udhëheqësja e demokracisë së Mianmarit [Birmani], Aung San Suu Kyi, u dënua me shtatë vjet të tjera burgim, pasi seria e saj e gjatë e gjyqeve përfundoi të premten dhe ajo do të përballet me më shumë se tri dekada prapa hekurave. Fituesja e çmimit Nobel për Paqe u burgos nga ushtria, e cila e mori pushtetin përmes një grushti shteti, vitin e kaluar.
Suu Kyi, 77 vjeçe, është dënuar për çdo akuzë të ngritur kundër saj, duke filluar nga korrupsioni deri te posedimi i paligjshëm i pajisjeve të komunikimit, si dhe shpërfillja e kufizimeve të COVID-19. Më 30 dhjetor, ajo u dënua më shtatë vjet të tjera burgim për pesë akuza për korrupsion në lidhje me punësime, mirëmbajtjen dhe blerjen e një helikopteri për një ministër të qeverisë, rast në të cilin ajo dyshohet se i shkaktoi “një humbje shtetit”.
Suu Kyi, e dënuar me një total prej 33 vjetësh burgim pas 18 muajsh procese gjyqësore që grupet e të drejtave të njeriut i kanë cilësuar si mashtrim, u shfaq në gjendje të mirë shëndetësore, i tha AFP-së një burim i informuar mirë për rastin. “Të gjitha rastet e saj kanë përfunduar dhe nuk ka më akuza kundër saj”, tha burimi, i cili kërkoi të mbetet anonim pasi nuk ishte i autorizuar të fliste për mediat./ KultPlus.com