“L’Univers israélite” ka botuar, me 16 maj 1886, në faqen n°42, një shkrim në lidhje me organizimin e një feste nga Pashko Vasa, asokohe guvernator i Libanit, për nder të shkollave të Aleancës Izraelite, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet blogut të tij “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :
“—Një festë e shkëlqyer, nën patronazhin e Vasë Pashait, guvernator i Libanit, u mbajt në Bejrut për nder të shkollave të Aleancës Izraelite.
Të gjitha personalitetet politike, ushtarake dhe administrative e nderuan ballon me praninë e tyre, ashtu si dhe disa konsuj evropianë e tridhjetë emirë nga Libani, të ftuar posaçërisht nga guvernatori.” / KultPlus.com
Gazeta kulturore franceze, “Comoedia”, ka botuar, të premten e 15 janarit 1932, në faqen n°2, një shkrim në lidhje me dramën “I burgosuri” të Aleksandër Moisiut, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet blogut të tij “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :
Teatrot
“I burgosuri” i Aleksandër Moisiut do të luhet në Paris
“Autori i famshëm Aleksandër Moisiu sapo i ka kërkuar bashkëpunëtorit tonë të shkëlqyer E. Garry që të përkthejë në frëngjisht dramën e tij “I burgosuri” e cila flet për Napoleonin në Shën-Helenë.
Vepra e tij pati shumë sukses në Hamburg dhe aktualisht po luhet në Berlin po me të njëjtin sukses.
Në Paris do të luhet përkthimi (përshtatja) e z. E. Garry.
Kjo është një veprimtari e bukur në perspektivë.”/KultPlus.com
“Le Matin” ka botuar, të mërkurën e 18 shkurtit 1914, në faqen n°3, një shkrim në lidhje me shkëmbimet Esat Pashë Toptanit me mbretëreshën e Italisë (Jelena Petrović-Njegoš)në ballon e oborrit mbretëror, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :
Dialog midis Mbretëreshës së Italisë dhe Esat Pashës
Romë, 17 Shkurt. Shkresë special e “Le Matin”.
Esat Pasha dhe anëtarët e delegacionit shqiptar u larguan nga Roma këtë mbrëmje në orën njëmbëdhjetë; ata do të shkojnë direkt në Neuwied, përmes Këlnit. Koha e qëndrimit të tyre këtu shpjegohet nga nevoja që shumica e anëtarëve të delegacionit të krijojnë një gardërobë perëndimore dhe t’i sigurojnë vetes rrobat ceremoniale të nevojshme për realizimin e misionit të tyre në Romë, duke patur parasysh se në Durrës nuk mungon vetëm strehimi, por edhe rrobaqepësit.
Kjo vonesë i mundësoi mbrojtësit të famshëm të Shkodrës që të merrte pjesë mbrëmë në ballon e oborrit mbretëror. Gjenerali Esat Toptani, i njohur më mirë me emrin e tij turk të Esat Pashait, ishte me rroba civile.
Mbretëresha, raporton “Italia”, iu drejtua atij me komplimentin që mund ta prekte më së shumti, duke ardhur nga vajza e kundërshtarit të tij të një viti më parë.
“Jam e lumtur, gjeneral, të përgëzoj mbrojtësin heroik të Shkodrës.”
Esat Pasha u përul dhe iu përgjigj me të njëjtën monedhë :
“Ne thjesht kemi bërë çmos që të mos jemi kundërshtarë shumë të padenjë përballë babait të lavdishëm të Madhërisë Suaj dhe ushtarëve të tij trima.”
Meqë mbretëresha pati delikatesën t’i adresojë komplimentin e saj Esat Pashës në gjuhën shqipe, gjenerali shqiptar iu përgjigj asaj në gjuhën serbe. Thuhej se Esat Pasha dinte vetëm shqip dhe turqisht. Ai vërtetoi të kundërtën. / KultPlus.com
“Excelsior” ka botuar, të hënën e 16 shkurtit 1914, në faqen n°2, një shkrim në lidhje me një veprim të çuditshëm të Esat Pashë Toptanit ndaj delegatëve të Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :
Në Shqipëri
Esat Pasha kishte falsifikuar një dokument
Ai kishte shtrembëruar përkthimin e tekstit frëngjisht me të cilin dha dorëheqjen.
Romë, 15 Shkurt (Nga korrespondenti ynë i veçantë). – Esat Pasha qëllimisht tregohet besnik ndaj Princ Vidit që kur ka ardhur në Romë. A është kjo besnikëri… besnike ? Sovrani i ardhshëm i Shqipërisë do të bënte mirë që t’i besojë me një kujdes më të madh.
Sepse arti i lojës së dyfishtë duket i lindur te gjenerali që e ktheu Shkodrën te Malazezët në kushtet që ne i dimë. Dëshmon kjo anekdotë pikante, ekskluzive, vërtetësia e së cilës sfidon çdo përgënjeshtrim.
Kur Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit shkoi në Durrës kohët e fundit për t’i kërkuar Esat Pashës që të jepte dorëheqjen si President i Senatit shqiptar, delegatëve iu desht të shtonin përpjekjet për të arritur qëllimin e tyre. Më në fund ata ia arritën : Esat Pasha premtoi të nënshkruajë dorëheqjen e tij.
E shkruajtën menjëherë dokumentin, teksti frëngjisht i të cilit përafërsisht ishte si më poshtë :
“Unë, ESAT PASHA, deklaroj të jap dorëheqjen time dhe të marr përsipër të largohem sa më shpejt nga Durrësi.”
Para nënshkrimit të këtij dokumenti, Esati kërkoi që t’i lejohej të shkruante një kopje të dytë, të përkthyer në turqisht, për përdorimin e tij personal; ai dhe delegatët gjithashtu duhej të nënshkruanin këtë kopje të dytë.
Meqë nuk flet frëngjisht, kërkesa e tij u duk e natyrshme. Një sekretar i Esat Pashës bëri përkthimin. Të dy dokumentet, frëngjisht dhe turqisht, u vendosën në një tryezë për nënshkrim kolektiv. Delegatët ishin gati të nënshkruanin përkthimin në turqisht, kur njëri prej tyre, ndërroi mendje dhe e përktheu atë tek një njeri që kishte besim.
O befasi ! Fjalia thelbësore u shtrembërua si më poshtë :
“Unë, ESAT PASHA, deklaroj se marr përsipër të jap dorëheqjen kur të largohem nga Shqipëria.”
Ndryshimi ra në sy, dhe me siguri, pashai i shkëlqyer i rezervonte vetes t’u vërtetonte një ditë anëtarëve të komisionit, dokumentin e nënshkruar nga dora e tyre, se ai kurrë nuk kishte dhënë dorëheqjen, meqë ishte gjithmonë në Shqipëri !
Më siguruan se kur u zbulua ky mashtrim, delegati anglez ishte aq i indinjuar sa që, me një gjest nervozizmi, grisi kapelën e tij.
Ndërsa Esati, thjesht buzëqeshi. Dhe, si një fatalist i mirë oriental, ai nuk kundërshtoi nënshkrimin e një dokumenti të ri të korrigjuar siç duhej. Sepse, me siguri mendoi ai, se, këtë herë të paktën, komisioni nuk do të binte në grackën e tij. — LÉON CONSEIL. / KultPlus.com
“Le Journal” ka botuar, të dielën e 13 qershorit 1920, në faqen n°3, një shkrim në lidhje me personin që njihte sekretin e parfumit të Esat Pashë Toptanit dhe vendin ku mund të blihej ai, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :
Queveria ë Shqipënisë
_________________
QEVERIA E SHQIPËRISË
________________________
Selanik, 1 janar 1919
Unë, ESAT PASHA, President i Qeverisë së Shqipërisë, deklaroj se Z. Fernand NONZA, i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrive Aleate të Lindjes, bashkëpunëtor i im, gjatë luftës së 1914 – 1918, është i vetmi që di sekretin e Parfumit Tim.
Autorizoj vetëm atë që ta prodhojë dhe ta vë në shitje nën emrin :
“PARFUMI I ESAT PASHËS”
Gjenerali ESAT TOPTANI
President i Qeverisë së Shqipërisë
ESATI.
Shitet në të gjitha Parfumeritë ose dërgohet me postë kundrejt 36.30 frangave në këtë adresë :
PARFUMET E ARTIT NONZA, rruga Tronchet nr 8, Paris. / KultPlus.com
Për ata që duan të kenë një vështrim më të afërt mbi luftën e ndikimeve të së cilës Shqipëria aktualisht është teatër dhe të kuptojnë në vend disa nga forcat që ushtrojnë aksionin e tyre atje, para së gjithash rekomandohet një udhëtim në Romë. Sapo mbërrita këtu, takova, në të njëjtën ditë, dy burra, dy shefa shqiptarë, të llojit shef klani, të cilët, me sa duket, luanin dhe do të luajnë një rol të konsiderueshëm në politikën e vendit të tyre, pra, e kam fjalën për Esat Pashën dhe Ismail Qemal beun.
Esati, i dëbuar nga Durrësi në rrethanat që i njohim, nuk pati asnjë moment hezitimi. Ai kërkoi dhe u strehua në Itali. Pas ndalesës në Napoli, ja ku gjendet këtu në Romë. Ismail Qemali, i cili ka disa muaj që po pushon në Evropë, tha se pushimet kishin mbaruar dhe se kishte ardhur koha të kthehej në Shqipëri. Ai gjithashtu kaloi nga Roma. Fati bashkoi kështu, në Qytetin e Përjetshëm, këta dy burra që xhelozojnë, vëzhgojnë dhe urrejnë njëri-tjetrin. Ata jetojnë në hotele fqinje, në rrugë fqinje. Ata kryqëzohen në daljet e tyre. Që të dy kanë bisedime të gjata dhe të shpeshta me ministrat dhe diplomatët.
Esati është mirëpritur këtu me konsideratë dhe madje me nder. Ai është një njeri i fuqishëm në shtetin shqiptar, ekzistenca e çmuar e të cilit duhet të ruhet me kujdes nga çdo aksident. Sepse ka shumë shqiptarë në Itali dhe asnjëherë nuk e dimë se çfarë fantazie gjakmarrëse mund të prekë njërin prej këtyre malësorëve për të cilët revolveri ose thika janë shoqëruesit e tij të natyrshëm. Kështu që policia italiane po vëzhgon ditët e tyre me një zell të jashtëzakonshëm dhe një luks të masave paraprake për të cilat nuk ia kemi idenë. Mbrëmjen e mbërritjes së tij, ai bëri një paradë midis një gardhi të dyfishtë xhandarësh dhe truprojash. Një togë agjentësh sekretë qëndron te dera dhe në hollin e hotelit të tij – në Itali si gjetkë asgjë nuk është më e lehtë të hamendësohet, në shikim të parë, sesa një agjent i policisë sekrete. Në korridorin e banesës së tij, dy hapa nga dera e tij, dy burra vëzhgojnë natë e ditë. Për më të fuqishmit, për monarkët me të kërcënuar, nuk do të bëhej më shumë…
Unë dhashë kartën time për Esatin dhe menjëherë ai u përgjigj se do të ishte shumë i lumtur që të më priste. Por ai flet vetëm turqisht dhe shqip dhe përkthyesi i shkëlqyer që i kishin premtuar nuk kishte mbërritur akoma. Me këtë fjalë përkthyesi, e pranoj, se më kap njëfarë shqetësimi. Në fakt, kam pasur mundësinë shumë herë gjatë udhëtimeve të mia në Indi dhe Kinë të bisedoi me razhat dhe mandarinët, falë shërbimeve të mira të një ndërmjetësi profesional. Asgjë nuk është më zhgënjyese sesa intervista të tilla. Përkthyesi, natyrshëm i etur për të shkurtuar fjalët që ai e konsideron të rrezikshme, i kërkon razhës gjëra pa vend, sipas fantazisë së tij dhe i përgjigjet po me të njëjtën mënyrë.
Por këtë herë frika ime ishte e pabazuar. Italia, marrëdhëniet e së cilës me Lindjen janë shekullore, nuk i mungojnë njerëzit për të cilët turqishtja është gjuhë familjare.
Esati është pesëdhjetë vjeç; ai ka pamjen e jashtëzakonshme të një vigani, i fortë dhe energjik. Një trup vigjilent dhe i proporcionuar mirë, një maskë vullnetare, sytë me disa damarë gjaku, sy në lëvizje, dremitës, mosbesues, sikur vrojtojnë disa armiq të gatshëm për ta goditur. “Ai nuk i mbyll sytë, madje edhe kur fle, edhe kur ai gërhet.” – tha një nga shokët e tij që e shoqëronte gjatë udhëtimit nga Napoli për në Romë.
Me kokë të një “condottiere”, me pak fjalë; atë të një njeriu tek i cili impulset nxiten papritur dhe në mënyrë të papërmbajtshme. Fotografitë e tij që kisha parë nuk përcjellin këtë fytyrë brutale dhe të tensionuar. Ato tregojnë vetëm një nga karakteristikat, mashtrimin dhe dinakërinë.
Kur fillova ta pyes Esatin, dhe i bëra një pyetje të shkurtër mbi marrëdhëniet e tij me princin e Shqipërisë, mbi shkaqet e arrestimit të tij, nuk pata menduar në asnjë moment se ai do të zbraste fundin e trastës (thesit) së tij. Esati ndodhet në Itali pothuajse në pozitën e një udhëheqësi zyrtar. Ai pati një bisedë shumë të gjatë këtë mëngjes me markezin e San Giuliano-s në La Consulta. Ai konsideron se roli i tij nuk ka përfunduar dhe e gjithë kjo i imponon natyrisht një rezervë të madhe. Por përgjigjet e tij sidoqoftë tregojnë psikologjinë e tij të mundimshme dhe të ndërlikuar të aventurierit, gati për çdo gjë.
— E prisnit, i thashë, këtë që ndodhi ? A kishte shenja që mund të ju bënin të parashikonit bombardimin e shtëpisë dhe dëbimin tuaj ?
— Asgjë, absolutisht asgjë, u përgjigj ai, nuk mund të më bënte ta parashikoja këtë. Gjithçka ndodhi si një rrufe. U befasova papritur dhe, edhe tani, nuk e kuptoj pse reaguan kështu ndaj meje.
— Thuhet se një ditë para arrestimit tuaj, ju keni pasur një bisedë me princin, se ai është zemëruar me ju dhe ka kërkuar dorëheqjen tuaj.
— Është gënjeshtër, absolutisht gënjeshtër, përgjigjet Esati. E kam takuar me të vërtetë princin, një ditë më parë, si ditët e mëparshme. Por asnjëherë nuk ka ndodhur qoftë dhe një incident i vogël midis nesh. Po flija në shtëpi dhe u zgjova papritmas nga të shtënat e topave që goditnin shtëpinë time. Ju e dini pjesën tjetër.
— Por në fund të fundit, i thashë, çdo ngjarje, veçanërisht e kësaj rëndësie, duhet të ketë një shkak. Princi nuk mori një masë kaq të dhunshme, aq e madh me pasoja, pa patur një arsye të fuqishme ?
— Këto arsye, përgjigjet shumë qartë Esati, nëse ekzistojnë, unë nuk mund t’i marr me mend ato. Për më tepër, ajo që u bë, u bë. Më mirë të presim se çdo të ndodhë në vijim.
— Flitet, i thashë atëherë, se përfaqësuesi i një vendi të madh fqinj, duke ju parë shumë të nënshtruar ndaj politikës italiane, mund të mos jetë absolutisht i huaj në dëbimin tuaj.
— E di që kanë thënë këtë, përgjigjet Esati. Më kritikuan se isha një agjent italian. Pse ? Sepse u strehova këtu. Por duhej të strehohesha diku. Unë gjithmonë kam hasur shumë simpati në Itali. Është e vërtetë që, para se të shkoja për të marrë Princ Vidin në Neuwied, kalova nëpër Romë. U përshëndeta me shumë respekt dhe pata nderin të më prezantonin me mbretin e Italisë. Ku kam gabuar këtu ? E gjithë kjo nuk më ka penguar të jem shqiptar, i preokupuar mbi të gjitha në mbrojtjen e interesave të vendit tim. Diplomatin, për të cilin flisni, unë kam darkuar me të dy ditë para ngjarjes. Ne kemi pasur gjithmonë raportet më të mira
— Po tani, cilat janë planet tuaja ? A planifikoni të ktheheni në Shqipëri nëse shfaqet ndonjë mundësi ?
Esati jep një përgjigje orientale për këtë pyetje, ose, nëse preferoni, një përgjigje prej normandi (banor i Normandisë, Francë). Ndërsa përkthyesi ma përkthen – ai më vëzhgon me vëmendje, me një vështrim gjysëm serioz, gjysëm ironik, me pamjen e një njeriu që përmbahet disi për të mos qeshur.
“Gazetat kanë botuar që unë kisha marrë, në momentin e largimit tim, angazhimin zyrtar për të mos u kthyer në Shqipëri. Meqë gazetat e kanë thënë, kjo duhet të jetë e vërtetë. Të mos flasim dhe të shohim se çfarë ndodh. Unë ndihem shumë mirë këtu.”
Po, me të vërtetë, është apartamenti më i rehatshëm, në hotelin më të mirë në Romë, që e vunë në dispozicion të tij. Gjithsesi, ky njeri plot energji dhe gjallëri, nuk duket aspak i dorëzuar nga goditja që mori, përkundrazi duket i gëzuar dhe mjaft i argëtuar me ngjarjet që ndodhën pas largimit të tij; se ky njeri, i cili ka pas tij ndihmën dhe mbështetjen morale të një numri shumë të madh italianësh, të ketë hequr dorë nga çështja shqiptare, kjo gjë është e pamundur të besohet, qoftë dhe për një moment, mjafton një aspekt apo një shikim i vetëm i Esatit për ta përgënjeshtruar absolutisht këtë.
— Dhe çfarë mendoni për situatën ? – i them. Myslimanët duken të irrituar, janë revoltuar. Flitet për një ndërhyrje të katolikëve të Veriut.
— Gjithçka ishte e qetë, një ditë para arrestimit tim, përgjigjet Esati. Pse gjithçka shkoi keq menjëherë ? Mister. A janë vërtet katolikët duke luftuar kundër myslimanëve ? Kjo nuk ndodhi kur unë isha atje.
Esati lë të kuptohet, siç e shohim, se gjithçka që ndodhi ishte shkaktuar nga burgosja i tij e padrejtë. Nëse do ta kishin lënë të qetë, nuk do të kishte ndodhur asnjë rrëmujë.
Unë i flas atëherë për të kaluarën e tij, e pyes për jetën e tij. Ai lindi në Tiranë, jo larg Durrësit, në një familje me origjinë nga Kruja, por e vendosur prej më shumë se njëqind e pesëdhjetë viteve në këtë rajon. Është një krahinë pothuajse ekskluzivisht myslimane, siç tregon, jo pa insistim, Esati. Oficer i kalorësisë në Kostandinopojë, pasi mori pjesë në luftën e parë kundër Greqisë, ai komandoi për disa vite Janinën. Me ardhjen e regjimit të ri turk, ai u bë deputet i Durrësit. Kur shpërtheu lufta e fundit, ai u dërgua në Shkodër si shef i fraksioneve shqiptare.
Esat Pasha më flet për rrethimin, dhe vetëm për këtë : “Ne e dorëzuam atë vend, tha ai, vetëm kur nuk kishte më asgjë tjetër për të ngrënë.”
Ai doli nga Shkodra me ushtrinë e tij të paprekur dhe ajo që vijon e njohim.
Vendosa ta pyes për marrëdhënien e tij me Ismail Qemal beun dhe qeverinë e përkohshme të Vlorës.
— Pata pranuar, tha ai, jo pa hezituar, të marr pjesë në këtë qeveri. Por unë nuk kisha besim tek Ismail Qemali. Ai është vetëm një person intrigues që kërkon të mashtrojë të gjithë. Të jesh dikush tek shqiptarët, nuk mjafton të lindësh në vendin e tyre; ju duhet të zotëroni prona, t’i përkisni një familje të shquar. Ky nuk është aspak rasti i Ismail Qemalit. Ai është nga Vlora, kjo është e vërtetë; por ai nuk ka asgjë atje dhe nuk e llogarisin në asnjë mënyrë. Kur e pashë se kush ishte me të vërtetë dhe e kuptova se çfarë po kërkonte, u ndava me të.
Kështu foli, me një ton shumë përbuzës, Esat Pasha.
Ismail Qemali, tek i cili isha një orë më vonë, më mbajti të njëjtin fjalim ndaj Esatit.
— Të gjithë ata që janë marrë me të, më tha ai, janë mashtruar prej tij dhe ndonjëherë edhe më keq se kaq. Ai është një njeri të cilit askush nuk mund t’i besojë; premtimet dhe betimet nuk i kushtojnë shtrenjtë. Kur ngjarjet më detyruan të krijoja qeverinë tonë të përkohshme, unë sinqerisht i ofrova të bashkëpunoja me të. Ai kërkoi, para së gjithash, Ministrinë e Luftës, për arsye që mund të kuptohen lehtësisht. Gjatë një dite të bukur, ai u nis për në Durrës, duke na vënë kushte të papranueshme.
Ismail Qemali është një plak, me pamjen e një turku shumë të vjetër, një mjekër e bardhë që mbulon një fytyrë të lodhur. Ish-zyrtar nën regjimin e Abdyl-Hamidit, i internuar, ai rishfaqet në Shqipëri në kohën e revolucionit. Ai është gjithashtu deputet në Parlament. Kur Shqipëria u shpall autonome nga Konferenca e Londrës, ai u përpoq, në pritje të ardhjes së sovranit, të krijonte një qeveri të përkohshme.
“— Princ Vidi na u dha nga Evropa, më tha ai, dhe ne shqiptarët nuk kemi asgjë më të mirë për të bërë sesa t’i lehtësojmë detyrën atij dhe të grupohemi rreth tij. Unë jam një mysliman i mirë dhe do të preferoja një mysliman si sovran. Por e kuptoj që një princ i krishterë, në të gjitha aspektet, ishte shumë më i mirë.”
Ismail Qemali më tha që nesër do të niset për në Vlorë. Prej katër ose pesë muajve, ai ishte larguar nga Shqipëria. Tani po kthehet atje pa u vonuar. A beson ai se largimi i Esatit i ka lënë rrugën e lirë ?
Kjo që sapo ka ndodhur atje është, shkurt, një krizë ministrore që ndodhi dhe zgjidhet sipas proçedurave shumë origjinale, shumë të veçanta. Esat Pasha i sapo larguar, një kandidat i ri prezantohet në vend të tij. Shqipërisë nuk do t’i mungojnë burrat e shtetit!
“Excelsior” ka botuar, të premten e 14 prillit 1916, në faqen n°4, një shkrim në lidhje me dekorimin e Esat Pashë Toptanit nga presidenti francez, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :
Esat Pasha merr titullin e Oficerit të Madh të Legjionit të Nderit
“Dje, Presidenti i Republikës (Raymond Poincaré) dekoroi Esat Pashën me titullin “Oficer i Madh i Legjionit të Nderit” në prani, të z. de Fontenay, ministrit të Francës në Shqipëri, dhe z. Krajewsky, delegat francez në komisionin e kontrollit të Shqipërisë.
Presidenti i qeverisë së Shqipërisë u tregua i prekur thellësisht nga pritja që iu bë dhe falënderoi duke shpresuar se po afronte momenti kur ai do të bëhej akoma dhe më i denjë për simbolin e nderit qe Franca i bëri.” / KultPlus.com
“La Petite République” ka botuar, të martën e 19 nëntorit 1912, në faqen n°3, një shkrim në lidhje me intervistën e Luigj Gurakuqit në gazetën “Neues Wiener Tagblatt”, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar
Deklaratat e një shqiptari të shquar
Vjenë, 18 nëntor
Neues Wiener Tagblatt boton një intervistë të Dr. Luigj Gurakuqit, një shqiptar i shquar, i cili udhëtoi nëpër Vjenë për t’u nisur për në Vlorë.
Çështja e Lindjes nuk do të zgjidhet përfundimisht, thotë ai, nëse Serbia ose Mali i Zi pushtojnë qoftë dhe një pjesë të vetme të Shqipërisë.
Shqiptarët nuk duan të bëhen sllavë, ata duan të jenë të pavarur dhe do ta fitojnë pavarësinë ose do të vdesin duke luftuar për të. / KulPlus.com
“La Voix du combattant et de la jeunesse” ka botuar, të shtunën e 5 gushtit 1939, në faqen n°2, një shkrim ku ka zbuluar asokohe një fakt të rëndësishëm dhe të panjohur për mbretin Zog, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :
Mbreti në mërgim
“Mbreti Zog dhe Mbretëresha Geraldinë erdhën nga Riga në Suedi.
Ata i përshtaten mërgimit, por qëndrojnë të denjë në fatkeqësinë e tyre mbretërore.
Mbreti ka fituar të gjitha simpatitë falë dinjitetit të tij dhe mbretëresha falë buzëqeshjes së saj, ndërsa princi trashgimtar është një buçko ngjyrë rozë.
Njëqind e një valixhe ndjekin udhëtarët mbretërorë, dhe disa prej tyre tërhoqën vëmendjen e policisë veçanërisht,ato që përmbanin ar dhe bizhuteri : pasurinë mbretërore shqiptare në udhëtim.
Patriot dhe i ndjeshëm, mbreti Zog ka gjithashtu një qese me tokë shqiptare, të cilën e shtrëngon me trishtim pranë zemrës së tij dhe kurrë nuk e largon prej aty.” / KultPlus.com
La Libre Parole” ka botuar, të martën e 29 prillit 1913, në ballinë, një shkrim në lidhje me deklaratën e Ismail Qemal beut, në dalje të ministrisë së jashtme franceze, ndaj Esat Pashë Toptanit, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :
Kriza Evropiane
Fuqitë e Mëdha dhe Mali i Zi
Ismail bej Qemali në Quai d’Orsay (Ministrinë e jashtme franceze)
“Dje, z. Pichon, ministër i jashtëm i Francës, priti kontin Szecsen, ambasador i Austro-Hungarisë, z. Isvolski, ambasador i Rusisë dhe baronin Schoen.
Ai priti, gjatë pasdites, Ismail Qemal Beun, kreun e qeverisë së përkohshme shqiptare.
Ne nuk dimë se për çfarë diskutuan ambasadorët me z. Pichon, por Ismail Qemal Beu i pyetur në dalje të Quai d’Orsay, protestoi kundra grusht-shtetit të Esat Pashës, të cilin e përshkruan si tradhtar dhe të çmendur !
Ismail Qemal Beu nuk mendon, për momentin, të kthehet në Shqipëri, ku rivali i tij i lumtur ka në dispozicion një ushtri serioze.
Ai mendon se është më e përshtatshme të shkojë në Londër për të mbrojtur çështjen e “Qeverisë së Përkohshme” në Konferencën e Ambasadorëve.” / KultPlus.com
Gazeta franceze, “La Croix”, ka botuar të
premten e 3 janarit 1930, në faqen n°4, një shkrim në lidhje me “Lahutën e
Malësisë”, të poetit dhe atdhetarit të njohur shqiptar, At. Gjergj Fishtës, të
cilin Aurenc Bebja, nëpërmjet blogut të tij “Dars (Klos), Mat –
Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :
Epopeja shqiptare shkruar nga një françeskan.
“Poeti kombëtar i Shqipërisë është një
françeskan. At. Gjergj Fishta, ka shkruar, në fakt, një poemë, “Lahuta e
Malcis”, e cila rrëfen epopenë e Shqipërisë. Libri i parë u botua në vitin 1905
dhe i dyti në vitin pasues.
Entuziazmi qe i madh. At. Fishta ka vazhduar
veprën e tij dhe këngët e reja. Thuhet se ato do të botohen së shpejti.
Ky fetar është gjithashtu i njohur për poezitë
e tjera të tij, të cilat admirohen për bukurinë e formës, që i bashkohet
thellësisë së mendimit.
At. Fishta, i cili konsiderohet si një nga arkitektët më aktivë të pavarësisë dhe bashkimit të Shqipërisë, ka qenë përfaqësuesi i saj në Paris.”/KultPlus.com
“Le Figaro” ka botuar, të dielën e 24 shkurtit 1924, në
faqen n°3, një shkrim në lidhje me atentatin ndaj Ahmet Zogut, asokohe
kryeministër i Shqipërisë, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars
(Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :
Romë, 23 shkurt.
Na shkruajnë nga Tirana, më 23 shkurt, nëpërmjet Agjencisë
Stefani :
“Në momentin kur Kryeministri shqiptar, z. Zogu, hyri në
sallën e Asamblesë Kushtetuese, një student me emrin Beqir Valteri, qëlloi tri
herë me revolver mbi të, duke i shkaktuar plagë të lehta në dorë dhe në këmbë.
Nuk ka asnjë shqetësim për gjendjen e z. Zogu.
Fajtori u arrestua dhe u dorëzua para drejtësisë.
Qetësia mbretëron kudo.
Asambleja vazhdoi punën e saj. Z. Frashëri u zgjodh President.”
Gazeta franceze, “Le Radical”, ka botuar, të enjten e 8
gushtit 1912, në faqen n°3, shkrimin e medias britanike, “Morning Post”, mbi
traditat dhe zakonet shqiptare, në të cilin hasim trajtimin e temave të
ndryshme si përdorimi i armëve, mikpritja, respekti për gruan apo rritja
(edukimi) i fëmijëve.
Në vijim, do të gjeni tekstin e plotë, të sjellë në shqip.
Zakonet shqiptare
“Londër, 7 gusht. – Morning Post jep, në vijim, detaje
interesante mbi traditat dhe zakonet e popullit shqiptar :Nuk ka asgjë moderne
te shqiptarët përveç armëve të tyre, të cilat janë të shkëlqyera sepse në këtë
fushë ata janë njohës të vërtetë. Ceremonia vjetore e bekimit të pushkëve, në
fisin e mirditorëve, është shumë mbresëlënëse. Një fis shqiptar drejtohet në
mënyrë arbitrare nga një udhëheqës, i cili ka të drejtën të vendosë për jetën
dhe vdekjen e anëtarëve të këtij fisi.Frika është një ves i panjohur te
shqiptarët sepse, që nga lindja, ata kanë jetuar në një atmosferë luftimi dhe
përleshjet e tyre me fqinjët janë më të shpeshta se ndeshjet e futbollit në
Angli.Ushqimi i tyre është shumë i thjeshtë. Ata janë shumë mikpritës.Burrat,
në përgjithësi, janë të mëdhenj, dhe sytë e tyre janë jashtëzakonisht të gjallë
; gratë, me një karakter më të butë, kanë një shprehje të thellë ; durimi dhe
butësia e nënës shqiptare për fëmijët e saj nuk mund të tejkalohet.Ajo nuk
keqtrajtohet, sepse personi i saj është i shenjtë për gjininë dominuese.
Shqipëtari e shfryn zemërimin e tij mbi armikun dhe nëse harron e godet një
grua, ai do të dëbohet nga fisi.Për një fjalë përbuzëse apo një poshtërim disi
të dhunshëm, ai duhet të japë llogari përpara pleqve, dhe nëse familja e gruas
e merr vesh, kjo mund t’i kushtojë jetën.Nëna shqiptare zbaton të njëjtin
kujdes, me të cilin është rritur, për fëmijët e saj. Goditja e një fëmije
konsiderohet një mëkat monstruoz, dhe mohimi i diçkaje, derisa ai të arrijë
moshën e arsyes, nuk shihet me sy të mirë.Ky trajtim njerëzor nuk duket se e
llaston (përkëdhel) të riun shqiptar. Ai rrallëherë bërtet, dhe kërkesat e tij
janë të thjeshta.
Beteja e tij e parë është dita e madhe që ai pret dhe për të
cilën përgatitet sa më shpejt që të jetë i aftë të mbajë një pushkë.”
“Le Miroir” ka botuar, të dielën e 4 janarit 1920, në faqen n°11, një shkrim në lidhje me mënyrën se si argëtoheshin asokohe fëmijët shqiptarë në qytetin e Elbasanit, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :
Një vend feste në Elbasan, Shqipëri
“Disa shtylla telegrafi, trungje pemësh dhe dërrasash
mjaftuan për të ndërtuar shpejt një rrotë rudimentare të cilën disa burra e
shtyjnë me krahë.
Një daulle e madhe, dy flautë, dhe fëmijët, në grup e të
lumtur, nxitohen të ulen në këtë “Rrotë të Madhe” për kënaqësinë e tyre më të
madhe.
Kjo lojë argëtuese, nën drejtimin e një infermierje që i përket një misioni amerikan, nuk u ngjan aspak lojrave moderne franceze.”
“Le Radical” ka botuar, të enjten e 16 marsit 1922, në faqen n°2, një shkrim në lidhje me respektin që gëzonin gratë shqiptare në të kaluarën dhe po ky respekt kërkohej asokohe që të merrej si shembull edhe ndaj grave franceze.
Në vijim, do të gjeni tekstin e plotë të gazetës franceze, të sjellë në shqip nga Aurenc Bebja – Blogu “Dars (Klos), Mat – Albania” :
“Që prej disa ditësh, gratë mund të shëtisin në Paris, pa frikën që palltot e tyre të shqyhen apo të priten me brisk. Megjithatë, ato nuk duhet të dyshojnë më pak ndaj të sjellshmëve gjatë ditës se banditëve gjatë natës.
Ekziston një vend ku gratë respektohen gjithmonë, bëhet fjalë për Shqipërinë, për të cilën z. Justin Godart ka realizuar një vepër të mrekullueshme : “Shqipëria në vitin 1921”.
A kujtohen shqiptarët për të kaluarën e lavdishme të betejave të tyre, për rrethimin e famshëm të Shkodrës, në vitin 1474, ku Lavandini i vjetër shkruante se u pa “mbi muret, punimet, rreziqet dhe virtytet, shkëlqimi i matronava (grave)” ?
Sidoqoftë, burrat i admirojnë ato, nën flokët e tyre të ngjyrosura me bojë të zezë, prodhuar nga goglat e lisit (dushkut), një balluke e trashë e prerë drejt në ballë.
Në fakt, gratë shqiptare janë jashtëzakonisht të zellshme : në qytet, në treg, të veshura me pantallonat – fustan dhe boleron e ngushtë të qëndisur, me shirita metalikë, ato qëndisin qilimat e mrekullueshëm prej kadifi dhe mëndafshi.
Në fshat, pas punëve të vështirë në ara, i takojmë ende rrugëve, me furkën në dorë duke tjerrë leshin e bagëtisë.
Pra, si myslimanët ashtu dhe katolikët i konsiderojnë ato si qenie të shenjta. Ata mund të udhëtojnë ditë e natë në të gjitha vendet, pa frikë nga ndonjë sulm apo rrezik.
Për të ruajtur një thesar, mjafton t’ia besosh një gruaje; çfarëdo qoftë ajo, thesari është i sigurt. Me një grua, edhe vetë krimineli kursehet.
Ja pra një homazh. Mund të hapim Akademinë për gratë, por kur do të ngremë për to, ashtu si shqiptarët e ashpër, këtë altar të padukshëm të respektit.”
Në faqen n°1246 të dokumentit diplomatik të Kombeve të Bashkuara gjejmë telegramet revoltuese të udhëheqësve fetarë dhe politikë të Shqipërisë kundër priftit tradhëtar Anton Ashiku, dërguar asokohe Kombeve të Bashkuara, me kërkesë të Fan Nolit.
Telegramet në fjalë, të dërguara nga Shkodra, Oroshi dhe Tirana, gjatë muajit tetor të 1921, i ka sjellë në shqip Aurenc Bebja, nëpërmjet blogut të tij “Dars (Klos), Mat – Albania” :
Çështja e Mirditës
Telegramet e dërguara me kërkesën e Imzot Fan Nolit, delegat i parë i Shqipërisë në kuvendin e dytë të Kombeve të Bashkuara.
Shkodër (Shqipëri), 5 tetor 1921.
Si kreu i Episkopatit dhe në emër të të gjithë klerikëve të Shqipërisë, unë e mohoi Atin françeskan Anton Ashiku, tashmë i përjashtuar nga Shqipëria si tradhtar i vendit tonë, i cili ndodhet në Jugosllavi, me një emër të huazuar dhe një mandat të rremë, ku është vënë në shërbim të një kombi të huaj dhe përpiqet të përmbushë në Gjenevë shfrytëzimet më të këqijat. Kleri katolik mbështet qeverinë e Tiranës dhe në bashkëpunim me të gjithë shqiptarët e të gjitha feve dhe të gjithë krahinën e Mirditës, e cila është dhe do të jetë gjithmonë pjesë integrale e Mëmëdheut.
Kryepeshkop i Shkodrës dhe Mitropolit i Shqipërisë,
(Nënshkruar)
Jak Sereggi
Orosh, 7 tetor 1921.
Unë, udhëheqësi fetar i Mirditës, duke mësuar me habi hapat e ndërmarrë nga Anton Ashiku, i ashtuquajtur delegat kryesor mirditor, që kërkon ndarjen e Mirditës me atdheun tonë, më lejoni të theksoj se qeveria jonë qendrore është thjesht kombëtare, jo-fetare dhe përbëhet nga shtetas shqiptarë të tri feve.Në emër të të gjithë klerikëve katolikë dhe të popullatës së Mirditës, unë protestoj më të gjithë forcën time kundër veprimeve të shërbimëve të lartpërmendurit, i cili është në shërbim të propagandës së huaj, dhe ju lutem që të mos keni besim në komunikimet që do të bëjë në emër të Mirditës. Shtoj se delegacioni ynë në Lidhjen e Kombeve përfaqëson të gjithë Shqipërinë. Popullsia e Mirditës mendon vetëm për forcimin e pavarësisë së Shqipërisë dhe mbrojtjen e integritetit territorial të vendit kundër ambicieve dhe intrigave të fqinjëve të saj.
Udhëheqësi fetar i Mirditës
Don Jozef Gjonali
Tiranë, 9 tetor 1921.
Ne, përfaqësuesit e popullsisë katolike shqiptare në Parlamentin Kombëtar, duke mësuar se Anton Ashiku është afruar pranë Lidhjes së Kombeve, në cilësinë e delegatit të Mirditës, nxitojmë të paralajmërojmë Asamblenë e Lartë kundër manovrave të këtij individi që përfaqëson vetëm veten e tij, dhe për më tepër, ai është i njohur si agjent propagandistik i Jugosllavisë dhe si i tillë është përjashtuar prej vitit të kaluar nga territori kombëtar dhe rendi françeskan. Ne shtojmë gjithashtu se popullsia katolike shqiptare nuk kanë ushqyer apo shprehur kurë ndonjë dëshirë për autonomi, por përkundrazi, ajo është e vendosur të mbrojë deri në fund integritetin, unitetin dhe pavarësinë e atdheut të përbashkët.
Deputetët katolikë në parlamentin shqiptar:
(Nënshkruar)
At Ndre Mjeda
At Fishta
Luigj Gurakuqi
Kolë Thaçi
Shuk Gurakuqi
Fjalimi i më poshtëm është marrë nga libri i autorit Stephan Zannowich, me titullin « Le Grand Castriotto d’Albanie, Histoire ». Teksti prej 131 faqesh është botuar në vitin 1779 nga shtëpia botuese J.J.Kesler, Frankfurt. Gjergj Kastrioti, i sëmurë, nuk mund ti shmangej vdekjes dhe për këtë arsye fton në vatrën e tij princat, ambasadorët, gjeneralët, dhe drejtuesit kryesorë të vendit që tu lë amanetet e fundit ashtu siç i ka hije një luftëtari të madh. Para se heroi ynë të fillonte fjalimin, urdhëron që djali i tij i vetëm, Gjoni, asokohe dhjetë vjeç, të ndodhej mes të ftuarve. Fjalimin e Princit të Matit dhe mbretit të shqiptarëve e gjejmë në faqet 70 – 89 të librit, i shkruar në gjuhën frënge. Sipas autorit të veprës, ja si është shprehur Gjergj Kastrioti:
« Jam në prag të varrit. Po ju lë një mbretëri me forca të afta për ta mbrojtur, por me një pasardhës të paaftë nga mosha për ta drejtuar. Megjithatë, në qoftë se në të ardhmen ju bëheni trima dhe të virtytshëm, ju mund të përballoni të gjitha sulmet e armiqve tuaj. Nuk është sipërfaqja e vendit ajo që bën një fron të respektueshëm, por aftësia e atij që ulet mbi të. Në qoftë se ju jeni i djallëzuar, shërbëtor i ministrave tuaj, dhe naiv i lajkave të oborrtarëve tuaj, atëherë asgjë nuk do të jetë më e lehtë sesa përmbysja nga maja më e lartë ku ju ndodheni. Duhet të jetë virtyti themel i fronit. Virtyti nuk është fantazi. Ndoshta do ju a thonë një ditë, por mos harroni se ai që do ju a thotë, është një tradhtar, një dinak, që për të mbretëruar në vendin tuaj, do ju sugjerojë maksima të rreme, të cilat herët a vonë do të shkaktojnë përmbysjen tuaj. Duke pasur virtytin si udhërrëfyes, lajkatarët dhe të pabesët do të largohen prej jush…Të virtytshëm, ju mund të mbani lehtë perandorinë që po ju lë të tronditur nga lufta e vazhdueshme ; ta përforconi, ta rimëkëmbni nëpërmjet pushimit dhe qetësisë…
Krijoni vendshkrime të paçensuruara në të gjithë sipërfaqen e mbretërisë ku mund të publikohen të gjitha padrejtësitë dhe dhuna që mund të ushtrohen nga drejtuesit e krahinave tuaja. Bëni këtë edhe për miqtë apo familjarët e tyre që jetojnë në oborrin tuaj, të cilët i fshehin këto shkelje apo i përdorin nën pretekstin e drejtësisë dhe të domosdoshmërisë. Shqyrtoni gjithçka nga ju vetë, dhe nëse magjistrati, ushtari apo kleriku janë mashtruesë dhe të padrejtë, atëherë pa mëshirë varini në shtyllë në vendin e krimit : ju do të vini re se pasardhësi i tij do të bëhet i drejtë dhe i njerëzishëm…Kur sapo të keni marrë drejtimin e pushtetit, ju do të kujdeseni për Drejtësinë, e cila është themeli i të gjitha virtytëve. Ju do të mbroni artizanët, si njerëzit më të dobishëm të zonave të pushtetit tuaj, dhe do të parandaloni shtypjen e tyre nga pasanikët. Krenaria dhe lluksi i bën pasanikët të pandjeshëm ndaj fatkeqësive të varfërve, të cilët nuk kanë as tituj (grada) e as mbështetje. Duhet të jeni të butë dhe të dashur me njerëzit tuaj ; dukuni shpesh mes tyre, bisedoni me ta, pyesni ata nëse dëshirat tuaja për drejtësi janë ekzekutuar nga minisitrat tuaj. Princi që qëndron i mbyllur me oborrtarët e tij shikohet nga populli i tij si armik dhe tiran…Dëgjoni ankesat dhe kërkesat e popullit tuaj me qetësi sa që ti frymëzoni besim atij për t’ju ndihmuar të korrigjoni abuzimet dhe fatkeqësitë e shtetit.
Kujdesuni që Kombi juaj të rritet nëpërmjet fesë katolike, por mos persekutoni asnjeri që ta ndjekë atë me detyrim. Dielli, që është shëmbëllimi i Perëndisë, shkëlqen pa dallim për turkun ashtu si për të krishterin. Kushdo që këshillon për të luftuar për hir të Perëndisë është një mashtrues i cili dëshiron të sakrifikojë të vërtetën për interesat e tij. Zoti është i fuqishëm, ai mund të bëjë gjithçka vetë, pa ndihmën e askujt…Në qoftë se fati ju bën endacak, të varfër apo nevojtar kurrë mos e ndryshoni fenë për interes…Mbyllini që në origjinë mosmarrveshjet e teologëve dhe hipokritëve, të cilat janë më të rrezikshmet për lumturinë e një shteti. Kemi parë perandoritë më të lulëzuara të përçahen dhe të tronditen nga këta fanatikë…Shihni Perandorinë e Konstandinit të rrënuar nga Muhamedi, dhe princin Jean Paléologue (Gjon Paleologu) i shkelur nga kuajt e Arabëve. Ai ishte supersticioz, priftërinjtë e tij ambiciozë dhe injorantë, oborrtarët e tij të rremë dhe të shthurur nga luksi, dhe tani princi, priftërinjtë dhe oborrtarët kanë vdekur dhe po vdesin në skllavëri.
Nëse keni fat të mjaftueshëm për të pasur filozofë në vendqeverisjet tuaja, të cilët janë të ndriçuar nga drita e arsyes dhe jo nga sistemet e rreme, le të shkruajnë në paqe dhe të reagojnë ndaj paragjykimeve dhe makinacioneve të kujtdo që flet në emër të Zotit me qëllim për të heshtur mbretin dhe drejtësinë. Ju do t’i mbroni ata kundra zellit të tepruar të drejtuesve hipokritë duke i shpërblyer me vende pune në gjykatat dhe oborret tuaja.
Kur të ju flasin keq për dikë, ju do ta dëgjoni me gjysëm veshi… Ju do të jeni të sjellshëm me të gjithë shtresat popullore. Si arsye e dallimit të gradës që do të keni së shpejti në shoqëri, ju duhet të dalloheni nga të tjerët nëpërmjet bujarisë, i cili është karakteri dallues i princave. Një monark, edhe i varfër, duhet të jetë bujar…
Mbroni meritën dhe shpërblejeni atë kudo që ajo ndodhet. Mirësia duhet të shoqërohet me një zemër bujare. Njeriu ndërton tempuj, ngre altarë për Zotin falë mirësisë së tij. Evitoni për gjithmonë shekullit, rrethit dhe rracës tuaj turpin për të pasur njerëz të dëshpëruar nga mizoria, krenaria apo injoranca juaj. Mos harroni se njeriu lind për lumturinë e njëri-tjetrit…
Armatosuni nga guximi dhe vendosmëria në mjerim, me maturi në mirëqenie. Mos u zhytuni në përtaci, ajo është nëna e të gjitha veseve…Mos mbyllni sytë ndaj fqinjëve dhe traktateve të tyre : ata do të presin momentin kur ju do të jeni të brishtë për t’ju akuzuar dhe do të pohojnë pretendime të rreme mbi trashgiminë që po ju lë. Mos përdorni spiunë për të ditur se çfarë thonë njerëzit në lidhje me administrimin tuaj. Bëni punën tuaj ashtu si duhet, njerëzia le të flasin dhe të shkruajë çfarë të dëshirojë…
Ti jepet mundësia gjithsecilit prej rrethit tuaj që të ju shkruajë ; Ju do të punësoni sekretarët tuaj që të pergjigjen për çështje të ndryshme ose publike, por sekretet e shtetit duhen të mbeten mes jush…
Mos përbuzni askënd ; më i vogli dhe më i varfëri mund të ju rrëzojë, ashtu si dhe mund të ju ndihmojë me këshillat dhe kurajon e tij.
Jeni të durueshëm në çështjet e luftës, të patrembur në rreziqe, të butë dhe humanë, kurrë mizorë dhe gjaknxehtë. Fshihni dhimbjen që fatkeqësitë tuaja mund të ju shkaktojnë. Armiqtë tuaj do të jenë gjithmonë të gatshëm të ju fyejnë për fatkeqësitë, dhe ministrat të ju tradhëtojnë. Ftoni mes jush të huaj të arsimuar duke u dhënë një rol këshilltari edhe në rast kur ata nuk janë fisnikë e të pasur. Kompetencat që i akordohen fisnikërisë janë prodhim i politikës. Ju mund të përdorni fisnikët si të dëshironi. Pasanikët injorantë do t’i ledhatoni, kështu do të kurseni pasurinë tuaj për mirëmbajtjen e ushtrisë, dhe do të keni një oborr të shkëlqyeshëm falë krenarëve por dhe budallenjve, që nuk kanë asnjë lloj virtyti përveçse floririt.
Mos jeni të ndrojtur ndaj ndjenjave tuaja. Deklaroni haptazi oborrtarëve tuaj, se ai që do të ju gënjejë dhe do të ju dërgojë në rrugën e gabuar në administrim, pa asnjë falje do të varet në shtyllë. Poetëve që do të ju thurin vargje, për të ju bindur se jeni më i madhi, më bujari, më i mrekullueshmi, luftëtari më i madh ndër të gjithë mbretërit, u dërgoni në këmbim një copë letër, bojë dhe një pendë nga një oborrtar i panjohur, me urdhërin për të dëshmuar të vërtetën e asaj që shkruajnë, dhe në qoftë se nuk mund të bëjnë një gjë të tillë, të kufizojnë veten në dhënjen e këshillave, duke u lënë të kuptohet së nëse vazhdojnë të shkruajnë marrëzira të tilla të rrezikshme, ata do të mbyten nga vetë ju si person i shenjtë i të vërtetës.
Kujdesuni që të keni gjithmonë ushtarë të mirë dhe të disiplinuar ; që ushtarët tuaj të mos bëhen përtacë, ti stërvitni dhe ti trajtoni jo si skllevër por si shokët tuaj. Kur të jeni në luftë, ju do të udhëheqni ushtrinë si gjeneral dhe në betejë do të luftoni si ushtar. Emri i mbretit është një titull shumë i nderuar, por ky titull ka peshë të madhe dhe detyra të vështira për të realizuar. Kryesorja është të pranohesh dhe të respektohesh në rrethin tënd. Zoti nuk ka dhënë fuqinë supreme për të na zhytur në qullësi, për që të jemi mbrojtës të çështjes publike. Për një zemër të butë dhe një shpirt të virtytshëm, mirëqenia e përgjithshme e popullit tënd është kënaqësia më e madhe që mund të përjetohet. Neglizhenca dhe një lloj mirësie që e thërrasim « mendjelehtësia e një princi », u shkaktojnë dëme njerëzve ; dhe ju e dini se roli i mbretit është t’i mbrojë.
Dëboni larg jush astrologët gjykatës dhe kimistët prodhuesë ari dhe diamantesh. Një princ është gjithmonë i pasur, kur ai është i mençur dhe i lartësuar shpirtërisht. Emri juaj do të jetë i shkruar në një pllakë prej mermeri të bardhë me shkronja të zeza mbi dyert e kështjellave tuaja të destinuara për të burgosurit. Mjerim për guvernatorin që i feshu mbretit pafajsinë, që përkeqësoi nga koprracia dhe zelli i tij dënimin e fajtorëve…Mbroni njerëzit e dashur dhe të mirë, ndëshkoni shpirtrat e këqinj. Jeni të ndjeshëm ndaj lëndimit, por akoma dhe më shumë ndaj shërbimit të popullit tuaj dhe miqësisë të njerëzve të ngjashëm me ju.
Pika kulmore e një lufte është çorientuese, duhet ndjerë pasiguria (rreziku). Atëherë kujdesi dhe guximi do të ju shërbejnë më mirë se sa pasuria. Duhet të dish të fitosh, por mos harroni se edhe mund të mposhtesh. Sfidoni veten tuaj : mos e humbisni toruan nga zemërimi, sepse atëherë i thjeshti bëhet i keq dhe mbreti një përbindësh…
Mos harroni se politika turke është për të mbjellë përçarje mes princave të krishterë ; e gjithë madhështia e tyre gjendet në këtë politikë të shkëlqyeshme, e cila bën me shumë pushtime sesa armët e tyre. Së fundi, në qoftë se jeni xheloz se po ju lë një trashgimtar që ju pengon për të marrë fronin, mos harroni se kam qenë babai juaj, dhe shpatën do e përdorni vetëm për të rrëzuar armikun.
Ju do të keni lidhje të shumta me oborrin e Romës, që unë kam qenë deri tani mbështetës dhe mbrojtës. Interesat e mia më kanë detyruar të përshtas politikën time me të sajën. Rrethanat në të cilat jam gjetur veten nuk më kanë lejuar të luftoj uzurpimet turke dhe pretendimet e papës. Për të mirën e krahinave të mia kam qenë gjithmonë i lumtur me veprimet që kam ndërmarrë. Roma është fodulle vetëm me princat e dështuar. Roma, duke më pasur frikë, më ka bërë gjithmonë lajka. Ajo ndryshon maksimat dhe pozicionet sipas rasteve, por frika se humb tokat e saj ndaj sulmeve të Muhamedit, e ka detyruar atë të qëndrojë modeste ndaj meje, duke më njohur të gjitha të drejtat, titujt, dhe zotërimet e realizuara gjatë betejave të mia. Papët nuk kanë arritur kurrë të manipulojnë një ushtar të vjetër si unë, por nuk do të hezitojnë të bëjnë një gjë të tillë ndaj jush si arsye e moshës së re dhe mungesës së eksperiencës për të qeverisur, për të shërbyer. Mos harroni, se me praktikat e shumta që ata përdorin për të arritur qëllimet e tyre, më e forta, është rrëfimi. Por është e lehtë ta kuptoni : kur prifti do të dojë të dijë më shumë sesa mëkatet tuaja, kthejeni si një mashtrues në vendin e tij, dhe dënojeni si të tillë, që të shërbejë si shembull për pasardhësin e tij.
…Megjithatë, është shumë e rrezikshme të kundërshtosh hapur Papën, këtë idhull të madh të fesë sonë. Ai është një njeri si të tjerët, me pasionet dhe dobësitë e tij… Nëse Papa ju dërgon faljet, reliket, bekimet, merrni ato me respekt, dhe i nderoni me njerëzit tuaj duke e dhënë ju shembullin kryesor… Por në qoftë se Papa përpiqet të rrisë numrin e priftërinjve dhe murgjve për të nxjerrë para nga krahinat tuaja…ose ju nxit që të hapni luftëra në emër të Zotit, rrufeja hakmarrëse qëlloftë mbi ju dhe pasardhësit tuaj në rast pranimi. Zoti hakmerret ndaj fyersve të tij, pra nuk ka nevojë për ndihmën e njeriut. Mos kërcënoni Romën, kur ajo nuk ju kërcënon. Por shpallni lulftë ndaj kujtdo që mundohet të prishë harenë e popullit, dhe legjitimitetin e fronit.
Ju do të ndaloni çdo banor i cili ndodhet nën qeverisjen tuaj, që të mos bëhet as prift e as murg pa arritur moshën dyzet vjeçare. Për tu ushqyer nga puna e të tjerëve, duhet më parë që njeriu (mashkulli) të ketë kontribuar në mbështetjen e komunitetit, prej të cilit dëshiron të ndahet për të shijuar jetën e tij… Këta priftërinj dhe murgj duhet të ju ndihmojnë të mbroni kombin në kohë lufte, sepse në kohë paqeje po ky komb i ushqen pa i përdorur. Nëse Papa kundërshton, bindeni atë me butësi, dhe vetëm në qoftë se është e nevojshme përdorni shpatën… Një politikë e tillë do të ju pajtojë me dashurinë atërore të pasardhësve të tij, dhe do të bëheni shembull dhe lider për të gjithë mbretërit, të cilët frikacakë, të dobët, injorantë, budallenj, u uzurpohet nga Papa dhe ministrat e tyre, fuqia që Zoti u ka dhënë për të përhapur lumturinë e Kombeve, ku ata duhet të jenë zotërit dhe etërit »./ KultPlus.com
Në librin francez, të autorit Adrien de Boufflers, me titull « Le chois de plusieurs histoires et autres choses mémorables tant anciennes que modernes appariées ensemble, pour la plupart non encore divulguées », botuar në vitin 1608 nga shtëpia botuese mbretërore franceze, P. Mettayer, gjejmë një shkrim të rrallë, në faqet n° 102 – 103, dedikuar posaçërisht heroit tonë kombëtar, të madhit Gjergj Kastrioti.
Trimi shqiptar tashmë kishte ndërruar jetë. Kur turqit, e morën vesh, nuk vonuan të pushtonin Lezhën dhe të shkonin tek varri i luftëtarit legjendar që i kishte tmerruar për një çerek shekulli.
Në vijim, shkrimi i sjellur ekskluzivisht nga Aurenc Bebja, [Blogu Dars (Klos), Mat – Albania] :
” Pasi Muhamedanët pushtuan qytetin e Lezhës, ku ishte varrosur Rrufeja e madhe e luftës, Skënderbeu, ata e nxorrën trupin e tij nga varri për të parë të vdekur njeriun që i kishte bërë të largoheshin të tmerruar qoftë dhe vetëm me përmendjen e emrit të tij.
Të afruar pranë kockave të tij, këta ndiheshin të lumtur që mund t’i preknin, ose të paktën t’i admironin. Edhe krerët dhe komandantët morën monedhat e arit dhe të argjendit, e i mbanin ato me nderim të madh sikur të ishin diçka e shenjtë (hyjnore) duke besuar seriozisht se mbajtja e këtyre relikeve do t’u sillte atyre lumturi ashtu si qiejt kishin vepruar për Skënderbeun.
Bëmat e Skënderbeut në luftë nuk janë admiruar vetëm nga kapitenët Muhamedanë, por edhe nga vetë perandori (sulltani) Mehmet, i cili për të imituar princin shqiptar, përdori shpatën e tij pas vdekjes, duke menduar se do të bënte të njëjtat bëma me dorën e tij kundra të Krishterëve, të përjetonte të njëjtën eksperiencë si Mbreti i Epirit, por këto tehe nuk prenë ndaj të Krishterëve.
Virtyti nuk vinte aspak nga shpata, por nga energjia nervore e krahut dhe dorës së shpirtmadhit Skënderbe, i cili e përdorte atë për të flakëruar mohuesit. “
Në fillimin e veprës me titull “Scanderbegus hoc est vita et res strenue feliciterque gestae, Georgii Castrioti, Epiri regis, ob magna facta Scanderbegi dicti, contra Turcarum immanitatem & perfidiam, …” të autorit Georgio Bartholdo Pontano, gjejmë një portret të rrallë të heroit tonë kombëtar, të cilin, Aurenc Bebja, e ka sjellë për publikun shqiptar, nëpërmjet blogut të tij “Dars (Klos), Mat – Albania”./ KultPlus.com
Në veprën e autorit francez, Pierre-François Guyot Desfontaines, “L’esprit de l’abbé Des Fontaines, ou Reflexions sur differens genres de science et de litterature. Tome 4”, gjejmë një kritikë të veçantë, pikërisht në faqen n° 293, në lidhje me veprën me titull “Opéra de Scanderberg de MM. De la Motte & de la Serre”
Si është vlerësuar kjo vepër asokohe ? Në vijim, do të gjeni tekstin e plotë, të sjellë në shqip nga Aurenc Bebja – Blogu “Dars (Klos), Mat – Albania” :
“Kjo pjesë është e mbushur me karakteristika delikate, parime të shkëlqyera dhe mendime të hollësishme. Muzika është realizuar nga Zotërinjtë Rebel & Francoeur, të njohur që të dy për sukseset e mëparshme dhe sidomos për operan simpatike “Pyrame & Tysbé”.
Këngët e tyre janë të ëmbla dhe natyrale. Shprehja e tyre e drejtë, fisnike dhe prekëse. Recitimi i tyre është i ngjashëm me stilin e Lully dhe Zotit Destouches, megjithatë, nuk janë imituar (kopjuar) këto mjeshtra të mëdhenj.
Argëtimet duken të karakterizuara mirë. Instrumentet flasin me aq forcë sa dhe qartësi, dhe duken se tregojnë gjithmonë për çfarë bëhet fjalë, sepse simfonitë janë specifike për secilën pjesë të Baletit.
Të gjitha meloditë janë të këndueshme, të lehta për t’u kujtuar, nervoze pa çuditësi, të lehta pa përulje, natyrale pa paragjykime. Ata që duan ndjenja dhe gjeni i gjejnë në to; dashamirësit e punës, njohësit e muzikës, edhe pse nuk janë aspak të paralajmëruar, hedhin dritë në një numër të madh vendesh, ku ka kombinime të thella. Shkenca është veçanërisht në shoqërimet dhe në kor.
Së fundi, gjithçka është e llogaritur mirë; nuk janë aspak bukuri fati apo kapriçosh, bëhet fjalë për entuziazëm dhe reflektim; asgjë nuk është e shëmtuar, çdo gjë është e saktë dhe e ndjeshme. Nuk është aspak një punë e vështirë, e pashpirt, e papërshtatshme, është një art delikat që fshihet, i cili i ngjan natyrës dhe e zbukuron atë.
Kjo përzierje mes gjeniut, hulumtimit dhe shijes është misteri i Muzikës teatrore. Në lidhje me Poemën, sado gjeniale të jetë, nuk mund të fshehim se ka të meta të mëdha.
Një poemë e këtij lloji është gjithmonë e mirë kur intereson, kur përmban skena të gjalla dhe prekëse, festime të shkëlqyera, mendime delikate, melodi të bukura; me një fjalë, kur është e tillë si në këtë rast”./ KultPlus.com
Gazeta franceze, “Le Petit Parisien”, ka botuar, të martën e 17 shkurtit 1925, në faqen n°3, një shkrim në lidhje me interesat që ngjallte asokohe nafta shqiptare tek amerikanët, britanikët dhe italianët.
Dukej se britanikët ishin më të avancuar pranë qeverisë shqiptare mbi këtë çështje. Por amerikanët nuk kanë hezituar të reagojnë, sigurisht për të mbrojtur interesat e tyre ekonomike. Reagimi amerikan ka nxitur edhe qeverinë italiane.
Në vijim, do të gjeni shkrimin e plotë, të sjellë në shqip nga Aurenc Bebja – Blogu “Dars (Klos), Mat – Albania” :
“Londër, 16 shkurt (Dep. Petit Paris.)
Njoftohet në Washington nëpërmjet Exchange Telegraph-it se qeveria e amerikane i ka dërguar qeverisë shqiptare një shkresë proteste kundër projektit të dhënies së monopolit të një konçesioni nafte, nën kujdesin e Anglo Persian Oil Company, qeverisë britanike.
Z. Sinclair dhe Standard Oil Company pretendojnë se konçesioni në fjalë do t’i sigurojë Anglisë një monopol virtual në të gjitha fushat e naftës në Shqipëri. Shkresa amerikane bazohet në faktin se kur Shtetet e Bashkuara e njohën zyrtarisht Shqipërinë, ata këmbëngulën mbi parimin e “konkurrencës së barabartë” dhe pohon se ky parim u siguron Z. Sinclair dhe Standard Oil Company të drejta të barabarta me ato të Anglo Persian Oil Company.
Qeveria e Ahmet Zogut thuhet se i konfirmoi Anglo Persian Oil Company një konçesion të marrë nga ajo në 1921. Qeveria italiane ka protestuar në Tiranë duke kërkuar të drejtat prioritare në të njëjtën fushë dhe negociatat mbi këtë çështje janë angazhuar në Romë midis ambasadorit britanik dhe kabinetit”./ Kultplus.com
Hyacinthe Hecquard (Iasint Ekuar), konsull i Francës në Shkodër, Kalorës i Legjionit të Nderit, në librin e tij “Histoire et Description de la Haute Albanie ou Guégarie, 1858 – Historia dhe përshkrimi i Shqipërisë së Sipërme ose Gegëri, 1858”, përshkruan me hollësi Shqipërinë e veriut të asaj kohe.
Ndër analizat e ndryshme historike, gjeografike, politike, fetare në librin e tij prej 550 faqes, ai i ka dedikuar një kapitull të posaçëm traditave dhe zakoneve shqiptare në veri. Zoti Hecquard ka arritur të përkthejë nga shqipja në frëngjisht këngët e dasmave shqiptare të asaj kohe. Ndoshta këto këngë vazhdojnë ende të jenë të njëjta në ditët e sotme, ndoshta jo. Arsyetimi i dytë, më shtyu t’i risjell në shqip këto rreshta (duke u dhënë pak ngjyra gegnishtje), sepse besoj se kanë vlerë të rëndësishme kulturore kombëtare.
Gjatë rrëfimit të traditave dhe zakoneve tona, autori thotë se nuses së Shqipërisë së veriut, qoftë ajo myslimane apo katolike, i këndohet (recitohet) nga shtëpia e saj deri tek ajo e burrit. Për çdo etapë të dasmës, ka një këngë të veçantë, e cila këndohet vetëm nga gratë.
Ja këngët në vijim, sjellë në shqip nga Aurenc Bebja – Blogu “Dars (Klos), Mat – Albania” :
Një natë para se nusja të shkojë tek burri :
“Uluni, o male, uluni, që hana të lindë e të ndriçojë këtë mramje të bukur. Nusja jonë âsht eduku prej nanës saj ; ajo i ka thanë : Për besën time, oj vajzë, duje e respektoje vjehrrin. – Për shpirt tim, oj nana ime, rri e qetë, do ta due e respektoj, sepse âsht ai që më ka dhuru për burrë një djalë të ri e të bukur.”
Kur krushqit vijnë dhe marrin nusen :
“ Që rruga juej qoftë e lumtun, o miku ma i vjetër ; bani kryqin dhe kthehuni nga e djathta (Fragment për katolikët). Në qoftë se ju sillni një nuse të bukur, reçeli dhe karamelet që do ju dhurojna, qofshin të ambla për zemrën tuej ; por në qoftë se ju sillni një nuse të shëmtue e deformue, reçeli ju qoftë i hidhun (helm). ”
Gjatë rrugës kur vjen nusja :
“Nusja âsht rrugës, një lule po çel ; nusja âsht në prag të derës, një lule mban aromë të mirë ; nusja âsht në oborr, si një lule e lumtun ; nusja po ngjit shkallët, balli i saj âsht i bardhë si jasemini ; ajo âsht në banket, qafa e saj anohet si një zambak. Mos qaj oj nuse. – Kam qa mor burri im, sepse mu desht me u nda me babën e kurrë nuk do jetoj mâ te ai.”
Kur shoqëruesit e nuses largohen :
“Ndaluni, o vllazën, ndaluni ! Nusja ka me ju kërkue diçka ; Ndaluni, ndaluni ! Përshnetni për mue babën dhe vlleznit e mi ; Ndaluni, ndaluni ! Përshnetni për mue nanën e motrat e mia ; Thujuni atyne që kurrë zemra ime nuk ka me i harrue ; Ndaluni, ndaluni ! Thujuni atyne që çdo mramje flladi ka me u sjellë lutjet që do i baj Zotit për ata ; Ndaluni, ndaluni !”
Kur shpallet ardhja e nuses :
“A je humbun ; çfarë kërkon oj nuse ? – Derën e burrit. – Çfarë ke me më dhanë që ta tregoj oj nuse ? – Kmisha të qëndisuna e të palosuna mirë, o burri im. – Për këto, nuk të falenderoj, se pa t’pytun kam me i marrë, oj nuse !”
Kur i ngrejnë vellon nuses :
“O sa e bukur âsht nusja ! Zoti e ruajt !
Balli i saj âsht i gjanë e i gjatë ! O Zot !
Vetullat e saja janë si ylberi ! O Zot !
Sytë e saj janë si filxhan ! O Zot !
Faqet e saja janë të kuqe ! O Zot !
Goja e saj âsht si një kuti e artë ! O Zot !
Buzët i ka si qershi ! O Zot !
Dhambët i ka si perla ! O Zot !
Çehren e ka të bardhë si qumshti ! O Zot !
Trupi i saj âsht i hollë si një selvi ! O Zot !”
Gazeta franceze, “Paris-soir”, ka botuar, të premten e 26 nëntorit 1937, në faqe të parë dhe të shtatë një shkrim për princeshën Maxhide dhe emancipimin e grave shqiptare.
Në vijim, do të gjeni shkrimin e plotë të gazetës, të sjellë në shqip nga Aurenc Bebja – Blogu “Dars (Klos), Mat – Albania” :
“Ndodhi një revolucion i vërtetë.
Pranverën e kaluar, një dekret i Mbretit Zog të Shqipërisë shpalli barazinë mes gruas dhe burrit, dhe ndaloi ferexhen në të gjithë mbretërinë, e cila ishte vendi i fundit në Ballkan që u qëndronte ende besnik shumicës së traditave myslimane.
Pra, nesër, në përvjetorin e çlirimit të Shqipërisë, një batalion i grave do të marrë pjesë në paradën e madhe ushtarake. « Amazonat » e reja do të paraqiten me uniformën e zakonshme ushtarake : kaskën, çizmet, maskën e gazit, pushkën dhe mitralozin.
Ato do të komandohen nga Princesha Maxhide, një nga gjashtë motrat e Mbretit Zog, gruaja që ka bërë më së shumti për emancipimin e grave shqiptare. Ajo mban gradën e togerit në gardën mbretërore.
Nga ferexheja tek mbajtja e kaskës, në tetë muaj, gratë e Shqipërisë kanë bërë një rrugë të gjatë për t’u çliruar nga tutela mashkullore.”/ KultPlus.com