Studiuesi, njëherazi anëtar i këshillit shkencor të UNESCO-s, Auron Tare ka bërë të ditur se Muzeu britanik ka korrigjuar gabimin e tij ku e cilësonte Butrintin si pjesë të Greqisë.
Aulon Tare shkruan se i ka dërguar një letër Muzeut britanik lidhur me një koleksion të vjetër monedhash nga “Buthrotum” (Butrint), ku thotë se ajo është pjesë Parkut Antik në Shqipërinë Moderne (Buthrotum Epirus Vlorë/Albania) dhe jo në Greqi si Buthrotum Epirus Greece.
“Jam i lumtur të njoftoj vendimin e sotëm të Muzeut Britanik për të ndryshuar emrin e vendndodhjes së Butrintit nga Buthrotum Epirus Greece në Buthrotum Epirus Albania. Muzeu Britanik reagoi shpejt pas një letre që i dërgova Drejtorit të Përgjithshëm mbi saktësinë e terminologjisë së përdorur për të përshkruar Butrintin si qytet grek.
Falë kuratorit të Departamentit të Monedhave dhe Medaljeve në Muzeun Britanik, z. Tom Hockenhull iu përgjigj me një term të saktë duke e vendosur saktë origjinën e koleksionit të monedhave që vinte nga Butrinti si Buthrotum nga Epiri, ose Shqipëria moderne”, shkruan Tare në Facebook.
Muzeu Britanik është krijuar në 1753 dhe është një muze publik kushtuar historisë njerëzore , artit dhe kulturës, i vendosur në Londër. Muzeu u hap për herë të parë për publikun në 1759 dhe ishte muzeu i parë publik kombëtar që mbulonte të gjitha fushat e dijes.
Në koleksionin e saj përshihen 8 milionë veprash, ku dokumentohet historia e kulturës njerëzore nga fillimet e saj deri në kohët e sotme moderne./rtsh.al/ KultPlus.com
Studiuesi Auron Tare ka publikuar një shkrim që pritet të hapë shumë debat. Tare pretendon se dy shkrimtarët Ernest Koliqi dhe Martin Camaj, kanë qenë bashkëpunëtorë të shërbimeve të huaja të inteligjencës.
“Ftoj dashamirësit e historisë te lexojne nje punim i cili me ka kushtuar mjaft kohe per tu pregatitur. Kjo jo vetem per temen delikate qe trajton por edhe per hulumtimin e arkivave te shperndara ne disa vende. Dokumentacioni origjinal i arkivave verteton katerciperisht se Koliqi dhe Camaj ishin per nje kohe te gjate ne sherbim te inteligjences se huaj. Marrëdhëniet e tyre te komplikuara me sherbimet sekrete Italiane, amerikane, gjermane, UDB-s. Si duhen trajtuar keto figura ne driten e fakteve te reja? Duke mos dashur te zgjatem shpresoj se koha e harxhuar do ta justifikoje interesimin e lexuesve” shkruan ai.
Pas publikimit të shkrimit, reagimi i parë ka ardhur nga Ardian Ndreca. Ai e cilëson Taren si megallomanan, ndërsa thekson se historia na mëson se Koliqi dhe Camaj ishin në krahun e drejtë. Sipas tij, shkrimi i Tares nuk kishte asnjë fill logjik, nuk kishte as erë arsyeje historike, veç disa dokumente të pakontekstualizueme, e mandej shumë hamendësime që dy rreshta ma poshtë paraqiteshin si të vërteta historike të provueme e ma tej rishtas makinacione dashakeqëse prej sigurimasi.
“S’do ta kisha mendue kurrë se nën atë fytyrën prej Shvejku baballek të Auron Tares mund të mshehej nji historian i hollë që përpiqet me hjedhë ndonji kovë baltë mbi figurat e Ernest Koliqit dhe Martin Camajt. Por ky Tarja ka meritën se të paktën nuk asht marrë me veprën e tyne por ka ba detyrat e shtëpisë tue u ushtrue në atë profesionin e vetëm që njeh. Tarja ka nisë me gërmue virtualisht ndër arkiva në vend që me vijue me koleksionue gëzhoja të ndryshkuna ndër poligonet ku dikur i kallte datën Paktit të Atlantikut. Fotokopjet e Tares ndër arkiva janë si fotokopjet e bankënotave të Bankës së Shtetit që ndokush mundohet me t’i shitë si të vërteta. Përtej humorit, pse në fund të fundit i shkreti asht produkt i patjetërsueshëm i kohës dhe rrethanave që e kanë prodhue dhe e ka këtë tarë të pashlyeshme në vetvete, shkrimi i tij s’kishte asnji fill logjik, nuk kishte as erë arsyeje historike, veç disa dokumente të pakontekstualizueme, e mandej shumë hamendësime që dy rreshta ma poshtë paraqiteshin si të vërteta historike të provueme e ma tej rishtas makinacione dashakeqëse prej sigurimasi.
S’po pretendojmë që Tarja të kishte kapë pasaktësitë e dokumenteve që me nder me thanë ka shqyrtue dhe as të kishte shmangë pohimet e rreme me shumicë (psh. Koliqi ambasador në Vatikan në vitin 1943!!) – e gjithë kjo të ban me mendue sesa lehtë të kishte hangër dreqi dikur me pasë përfundue para Tares me çfarëdolloj uniforme të ishte veshë ky i fundit! Tarja asht qartësisht nji prej megallomanëve nostalgjikë që ka të drejtën me shkrue çfarëdolloj gjaje t’i kërcejnë në krye, madje ka meritën që s’e mshehë këtë gja, përkundër më habit dashakeqësia e atyne që kontrabandojnë si të ishin studime historike ato që Tarja – i pafuqishëm në artin e historishkrimit – gjen të gatshme në internet dhe i ban copy/paste me zellin e nji Shvejku hoxhist.
Në nji shenj vendi m’u dhimbt madje se s’kishte mbërrijtë me e mshehë nostalgjinë për kohën e “shkëlqimit” të Sigurimit! Lodhesh kot o Tare, deri dje kishit nji makineri të fuqishme dhune dhe shpifje që për 50-vjet nuk mbërrijti me i ba gja as Koliqit dhe as Camajt, asht peshë e randë për ty, manipulator mediokër dhe injorant në sensin pozitiv të termit, me zëvendësue i vetëm nji sistem të tanë! Pastro ma mirë pluhnat koleksioneve të distinktivave me maoceduna dhe me buste të Enverit se aty e gjen veten 100%, pse te Koliqi e te Camaj ti s’mbërrin kurrë, edhe me u çue në maje të gishtave! Me të dhanë ty besim kur ban se po gjurmon të vërtetat historike asht si me ia besue repartin e kirurgjisë në QSUT atij berberit që ka dyqanin përballë spitalit! As Koliqi dhe as Camaj s’e kanë shtëpinë aty ku ti pandeh se ia ke gjetë emnin. Asht e kotë me të spjegue ty dallimin mes rastësisë dhe domosdoshmënisë historike, pse këto gjana nuk bajnë pjesë tek manuali bazë i pushkës model 56. Historia na mëson se Koliqi dhe Camaj ishin në krahun e drejtë, ndërsa taborri yt sot e 30-vjet ma parë falimentoi me turp përpara historisë tue lanë nji popull të izoluem, të unshëm, të përçamë për shkak të pronave të grabituna, të padijtun dhe të pashpresë” shkruan Ndreca.
Një nder ekspertët e njohur Auron Tare propozon reduktim të turistëve në Butrint, pasi mbipopullimi dhe mungesa e restaurimit po rrezikon dëmtimin e këtij monumenti shumë të rëndësishëm për kulturën shqiptare.
I ftuar në emisionin “Arena,” Tare tha se Butrinti po
vuan të njëjtin problem që ka Venecia sot apo Dubrovniku. Duke theksuar se
mbipopullimi dhe mungesa e restaurimit po rrezikon dëmtimin e këtij momenti
tepër të rëndësishëm për kulturën shqiptare, ai propozoi një metodë
bashkëkohore të ruajtjes së objekteve, e cila është reduktimi i vizitorëve në
rrënojat e qytetit antik.
Auron Tare tha: “Butrinti sot ka një problem tjetër. Ka
vërshim të jashtëzakonshëm njerëzish. Nuk është më ajo magjia që ti shkoje
dikur. Ti ke autobusë, autobusë, që nuk ke ku parkon më. Ka humbur magjia.
Përvec humbjes së magjisë, që është pjesë e turizmit, është impakti në monument.
Kur nuk ka restaurime për një kohë të gjatë. Butrinti po vuan të njëjtin
problem që ka Venecia sot apo Dubrovniku. Këto lloj vendesh kanë thënë ju lutem
si mund ta pakësojmë turizmin.
Dikur kemi bërë një plan menaxhimi si të rrisnim turizmin në
Butrint, unë sot kam thënë dhe publikisht si të reduktojmë numrin e shkuarjes
sepse kërcënohet monumenti, Teatri. Ka modele në botë. Vetë Saranda ka 102
monumente të kategorisë së parë por nuk i njeh njeri. Nuk ka një
shprëndarje të njerëzve dhe të gjithë shkojnë në Butrint. Një shembull. Ke
shumë muaj që shkarravitin, s’ka restaurim për teatrin e Butrintit.”