Nëntori i letrave shqipe dhe atdhedashurisë në Vjenë të Austrisë

Nga Besim Xhelili, Vjenë, Austri,

Me një përzierje të këndshme kulturore dhe letrare, Lidhja e Shkrimtarëve dhe Krijuesve Shqiptarë në Austri “Aleksandër Moisiu”, në bashkëpunim me Teatrin “ArbnoriIlir”, shfaqën para bashkëvendësve tanë në Vjenë, një program të bukur dhe plot ndjenjë atdhedashurie, shoqëruar me poezi, pika muzikore dhe përurime librash. E gjithë kjo me rastin e Festave të Nëntorit, Ditës së Flamurit dhe Alfabetit.

Festat e Nëntorit sërish i afrojnë dhe bëjnë bashkë shqiptarët gjithandej globit, njashtu edhe në Austri, ku jetojnë e veprojnë një numër i madh i tyre. Me këtë rast, LSHKSHA “Aleksandër Moisiu”, në bashkëpunim me Teatrin “Arbnoriilir”, në një ambient të bukur artistik, mbajtën një orë letrare, ku disa anëtarë lexuan krijimet e tyre dhe disa krijues të tjerë, të ardhur nga Zvicra, përuruan veprat e tyre më të fundit. Ardita Lajçi-Gjocaj paraqiti para artdashësve romanin e saj “Hije që mbesin”, një roman me një përmbajtje të ndjeshme mbi dhunën seksuale të agresorit në luftën e fundit për çlirim në Kosovë, ndërsa poeti Besnik Camaj librin e tij me poezi “Fryma e kandilit të dehun”, një vëllim i çmuar shumë nga lexuesit e kritikët, me copëza poetike, siç do të thoshte vetë autori, “thërrmija apo trohë të vogla”, të mbetura anësh nga libri paraprak “Strehë dashnie”.

Për mbarëvajtjen dhe udhëheqjen e këtij organizimi kulturor u kujdes poetja shkodrane Gabriela Mujaj, e cila lexoi me shumë patos emocional dhe fuqi artistike disa poezi të autorëve në sallë.

Anton Marku, poet dhe kryetar i LSHKSHA “Aleksandër Moisiu” pasi i falënderoi mysafirët për pjesëmarrje, uroi Festat e Nëntorit, të cilat na bashkojnë të gjithë shqiptarët, kudo që ndodhemi, pa marrë parasysh dallimet krahinore, politike e fetare.

Në emër të Ambasadës së Kosovës në Austri përshëndeti zyrtari Jeton Maliqi, ndërsa të Fondit Austriak të Integrimit, Bahri Troja. Me praninë e tyre e nderuan këtë aktivitet znj. Manjola Lumani, profesoreshë e gjuhës shqipe në Universitetin e Durrësit, znj. Alketa G. Fazliu, poete dhe gazetare pranë RTK-së, si dhe sopranoja e talentuar shkodrane Gesu Zefi, të cilat morën fjalën dhe përshëndetën të pranishmit dhe uruan festat. Të pranishëm ishin edhe mësuesit e gjuhës shqipe Miradije Berisha dhe Osman Ademi.

Në pjesën e parë të programit, me nga disa poezi u paraqitën Violeta Allmuça, Kimete Krasniqi-Prebreza, Besim Xhelili, Gabriela Mujaj dhe Angjelina Marku, në pjesën e dytë u përuruan romani “Hije që mbesin” i autores Ardita Lajçi-Gjocaj dhe vëllimi poetik “Fryma e kandilit të dehun” i autorit Bes Camaj. Një shkëputje nga romani gjergjësisht disa poezi nga vëllimi poeti i lexoi znj. Arilda Lleshi. Në pjesën e tretë, autori nga Shkodra me banim në Vjenë Gjergj J. Kola, bashkë me znj. Enxhi Rroji shfaqën një shkëputje të shkurtër të dramës së tij të radhës “Krishtlindje për fillestarë”, e cila në prag të Krishtlindjes, do të vihet në skenë para publikut vendas. Për shoqërimin muzikor të programit u përkujdes Prof. Lejla Agolli dhe në fund u shtrua një koktej rasti. /KultPlus.com

KÂ sjell në Austri koncertin ‘Festa e Flamurit – Don’t Listen To Your Neughbors’, një udhëtim në kohë përmes këngës shqipe

Organizata K në Austri, po vazhdon të sjell projekte me qëllimin e vetëm që të përçojë vlerat kulturore shqiptare sa më afër bashkatdhetarëve të cilët përherë jetojnë me mallin e vendlindjes dhe gjithë aktiviteteve që i kanë ndjekur këtu, përcjell KultPlus.

Kësaj radhe, KÂ po shënon festën e flamurit përmes një koncerti mjaft interesant duke u munduar të ju dërgoj bashkatdhetarëve sa më afër një copëz nga vendlindja.

I quajtur ‘Festa e Flamurit – Don’t Listen To Your Neughbors’, koncerti do të jetë një udhëtim në kohë nëpër gjithë hapësirën shqiptare përmes këngëve më të bukura që kemi të trashëguara ndër gjenerata. 

Njëri nga themeluesit e KÂ, Ermal Vejsa, ka treguar që koncerti i cili po organizohet për nderë të 28 nëntorit, i dedikohet producentës, themelueses dhe udhëheqëses së Festivalit të Filmit në Kosovë PriFest, tashmë të ndjerës, Vjosa Berisha, e cila mbetet ikonë e Prishtinës dhe figura më frymëzuese për të gjithë ata që kontribuojnë në fushën e kulturës. 

Koncerti mbahet në: Borromäus Saal, Karl-Borromäus-Platz 3 1030 Wien, duke filluar nga ora 20:00.

Projekti përkrahet nga Ministria e Jashtme e Republikës së Austrisë, Europa Haus Wien dhe disa firma me pronar shqiptar në Austri./ KultPlus.com

Me dy valixhe të vogla, “Hollyshit” me turne në Austri, Vejsa: Reagimi i publikut, ishte njësi matëse e suksesit për neve

Jeta Zymberi

Kur zhvendoseni në një vend të ri, ju largoheni nga zona juaj e rehatisë dhe zgjeroni kufijtë tuaj. Dhe le të jemi të sinqertë: është sa e frikshme, aq edhe emocionuese. Kështu ka vendosur të ‘udhëtojë’ kultura jonë sepse sfidat dhe emocionet e udhëtimit ishte e sigurtë që do t’i gjente në mesin e bashkatdhetarëve tanë në Austri, të cilët padyshim janë të etur për kulturën shqiptare, shkruan KultPlus.

Ishte shfaqja e suksesshme ‘Hollyshit’ e regjisorit Ilir Bokshi, me producente Albulena Kryeziu Bokshin dhe aktorët Adrian Morina e Ylber Bardhi, e cila pas jehonës së madhe që pati pasi u shpërblyer me çmimin për regjinë dhe aktori më të mirë në festivalin ‘’KoKo Fest’’ dhe prezantimin në vendin e njohur si “Producers Club Theaters’’ në New York, kësaj radhe mori rrugën e para për të nisur një turne shfaqjesh në Austri, si pjesë e projektit “Kultura në turne”.

Muaji shtator e dërgoi tragjikomedinë e bazuar në “Gurë në xhepat e tij” nga autorja Marie Jones në katër lokacione të ndryshme në Austri ku secila shfaqje mbushi sallën dhe solli emocione të mëdha.

“Kultura në turne”, ka për qëllim të krijojë një itinerar udhëtimi dhe prezantimit të kulturës shqiptare, me fokus në krijimtarinë artistike bashkëkohore (skenike dhe pamore), në të gjitha shtetet federale të Austrisë.

Dhe për këtë udhëtim të parë kulturor që rezultoi shumë i suksesshëm, në një intervistë për KultPlus, ka folur Ermal Vejsa, një prej bashkëthemeluesve të organizatës “kâ”, i cili po bën një punë të jashtëzakonshme në këtë aspekt.

KultPlus: Shfaqja teatrore ‘Hollyshit’ me regji të Ilir Bokshit pati një turne në Austri, si pjesë e projektit ‘Kultura në turne’, si erdhi ideja e këtij projekti?

Ermal Vejsa: Ishte një dëshirë e kamotshme e ‘kâ’ që të sjellim shfaqje teatrore në gjuhë shqipe në Austri, pasiqë na mungonte dhe mendonim se gjithë komuniteti ynë këtu kishte nevojë. Paralelisht duke luajtur me këto mendime, dëshira ishte që ajo shfaqje të arrinte edhe tek komuniteti shqiptar në pjesët tjera të Austrisë, jo vetëm në Vjenë.  

Zgjeruam kështu konceptin duke krijuar një projekt të quajtur ‘Kultura në turne’, në mënyrë që krijimtarinë shqiptare qoftë atë bashkëkohore apo të trashëguar (dmth. jo vetëm teatrin), ta dërgonim në udhëtim për t’a prezantuar gjithandej Austrisë. Ftuam kështu në bashkëpunim edhe disa shoqata tjera shqiptare nga Salzburg, Linz dhe Graz (Organizata austriako-shqiptare ‘Aleksander Moisiu’, Unioni i Femrave Shqiptare të Diasporës dhe Këshilli Koordinues për Steiemark), duke krijuar kështu një rrjet bashkëpunimi i cili do të lehtësonte realizimin e këtij projekti tej mase.

KultPlus: Cili është qëllimi i këtij projekti?

Ermal Vejsa: Qëllimi është që fillimisht publikut shqiptar, pastaj atij austriak dhe të huaj, t’i shfaqen shembujt më interesant të krijimtarisë artistike nga hapësira kulturore shqiptare, duke ngritur kështu standardin e prezantimit, komunikimit dhe shkëmbimit kulturor këtu në Austri. Kjo patjetër për të ndihmuar zhvillimin e shëndoshë dhe të qëndrueshëm kulturor të komunitetit shqiptar këtu dhe patjetër për të mbajtur lidhjen me vendin tonë amë.   

KultPlus: Pse është përzgjedhur pikërisht komedia ‘Hollyshit’ për të nisur këtë turne?

Ermal Vejsa: Fillimisht kemi dëgjuar kritika shumë pozitive rreth kësaj shfaqjeje teatrore. Pasi kemi parë përmbajtjen, kemi vendosur përfundimisht që ta fillojmë projektin me këtë shfaqje, sepse na dukej sikur mishërohej me komunitetin tonë këtu dhe mund të ndikonte për t’mirë.

Pavarësisht që shfaqja cilësohet si komedi dhe për nga forma e të shprehurit është tejet provokuese, ajo tregon diçka shumë më të thellë, që është dhimbja e lufta e atij komuniteti të vogël irlandez në marrëdhënie me super-industrinë filmike të Hollywood-it të cilën kishin angazhuar pothuajse gjithë fshatin si figurantë (statistë) në film. Aty shfaqej dëshira e flaktë e dy aktorëve irlandez të punësuar vetëm si figurantë për të çarë në karrierë, lufta me paragjykimet, keqshfrytëzimin, mosrespektin, shtypjen, etj. Por, si përfundim tek ta triumfon lidhja me njëri-tjetrin, vetëdija dhe rezistenca e tyre kulturore.  

E gjithë kjo histori komplekse shfaqet në skenë përmes lojës së jashtëzakonshme të vetëm dy aktorëve Adrian Morina dhe Ylber Bardhi, të cilët luajnë më shumë se 25 personazhe të ndryshme, në një paraqitjeje skenike tejet të thjeshtë dhe me vetëm disa rekuizita të thjeshta që i kishin sjellë në dy valixhe të vogla nga Kosova. Kjo shfaqje mbi të gjitha shfaq gjenialitetin dhe talentin e regjisorit Ilir Bokshi.  

KultPlus: Cilat ishin vendet që u prezantua shfaqja?

Ermal Vejsa: Shfaqja ‘Hollyshit’ u shfaq për katër ditë me radhë, së pari në Salzburg me datë 21 shtator në Kleines Theater; pastaj në Graz me datë 22 shtator në Kulturhaus Gratkorn; në Linz me datë 23 shtator në Central Linz dhe shfaqja e fundit ishte në Vjenë me datë 24 shtator në Odeon Theater.

KultPlus: A haset në vështirësi për të siguruar hapësirat (teatrin) në Austri, sa ishin bashkëpunues duke pas parasysh që ishte një shfaqje në gjuhën shqipe?

Ermal Vejsa: Për të realizuar një shfaqje këtu është shumë vështirë, lëre më një turne të tillë me një intensitet të madh siç ishte ky i shfaqjes ‘Hollyshit’, ku përveç sigurimit të hapësirave, shfaqjet duhej edhe të realizoheshin 4 ditë me rend.

Sa i përket Vjenës, kemi hasur në një bashkëpunim shumë profesional me teatrin Odeon, të cilëve ju kemi dërguar materialet e nevojshme dhe e kanë vlerësuar shfaqjen duke e pranuar në programin e tyre. Gjithsesi, dëshira jonë ishte që të arrinim ta përkthenim shfaqjen në ndonjë formë simultane në gjuhën gjermane, por shpejtësia dhe intensiteti i komunikimit që bëjnë aktorët në skenë ishte e pamundur të ndiqej me përkthim.  

KultPlus: Sa ishte interesimi nga ana e publikut shqiptar në Austri?

Ermal Vejsa: Në të katër qendrat ku është luajtur shfaqja, interesimi i publikut ka qenë i jashtëzakonshëm. Gjë që tregon se publiku shqiptar e do shumë teatrin dhe se ideja për të prezantuar një shfaqje teatrore ishte e qëlluar.

Posaçërisht në Vjenë kemi pasur mbi 270 persona në publik dhe salla e teatrit ofronte max. 286 vende. Kishim poashtu prezent përfaqësuesit e institucioneve shtetërore, si Ambasadorin e Shqipërisë në Vjenë z. Roland Bimo, Konsulin e Ambasadës së Kosovës në Vjenë z. Jeton Maliqi, mikun e shtetit të Kosovës eurodeputitetin z. Lukas Mandl, i cili u shpreh që është shumë falënderues që po sjellet kultura nga hapësira kulturore shqiptare, pasiqë sipas tij, ajo pasuron Vjenën, Austrinë dhe jo vetëm aq.

KultPlus: Cilat ishin përshtypjet e publikut në fund dhe sa u ndatë i kënaqur ju si organizator?

Ermal Vejsa: Pas shfaqjes publiku ishte pothuajse i ngazëllyer dhe me komplimente tejet pozitive rreth shfaqjes. Vërejtëm që edhe provokimet që krijonte shfaqja nuk kishin mbetur pa lënë shenj te publiku dhe ishin hapur disa tema të ndryshme. Ajo çfarë shihej gjatë diskutimeve me vizitorët pas përfundimit të shfaqjes, ishte që secili interpretonte aspekte të ndryshme të shfaqjes në mënyrën e vet: dikush komentonte çështjen e të folurit dhe ruajtjes së dialektit gjë e cila tematizohet shumë në shfaqje, dikush dhimbjen dhe vuajtjen që arrihej të shfaqej përmes një komedie, dikush për formën se si sfidat dhe nënshtrimi që përjetonin dy rolet kryesore në shfaqe tejkaloheshin me humor, etj. etj.

I gjithë reagimi i publikut, qoftë përmes fjalëve falënderuese, këshillave, komplimenteve e kritikave konstruktive, e sidomos duke komentuar e interpretuar tematikat e shfaqjes, ishte njësi matëse e suksesit për neve si organizatorë.

KultPlus: Cili do të jetë projekti i radhës që mendoni ta prezantoni para publikut shqiptar në Austri?

Ermal Vejsa: Tani vjen muaji nëntor dhe sigurisht që nuk do të mund ta lëmë të kalojë pa e shënuar dhe festuar 28 Nëntorin shqiptar. Prandaj këtë vit, shpresoj ta përfundojmë me një prezantim të muzikës qytetare shqiptare me grupin Don’t Listen to Your Neighbours dhe albumin e tyre të dytë ‘Udhëtim në kohë’. Për çdo gjë do të informoheni sigurisht përmes rrjeteve sociale të KÂ, prandaj ju ftojmë të na përcillni.

KultPlus: Ermal, kjo nuk është iniciativa e parë nga ju sa i përket promovimit të kulturës shqiptare në Austri, nga i gjithë ky vullnet?

Ermal Vejsa: Nga dashnia e madhe që kemi për kulturën, artin dhe traditën tonë dhe nga besimi i madh që kemi në to.

Me rëndësi, unë gjithmonë flas në shumës, sepse që nga aktiviteti i parë, akoma pa e themeluar KÂ-në, unë çdo gjë e kam realizuar në bashkëpunim me Lirjetë Avdiun, (bashkëthemeluese dhe bashkudhëheqëse e KÂ). Një person që e do dhe njeh shumë mirë kulturën shqiptare, e cila është e profesionalizuar në ruajtjen e trashëgimisë duke qenë edhe anëtare e ICOMOS, ndërkohë që unë shkollimin profesional e kam në menaxhim të kulturës. Dmth., asgjë e bukur nuk arrihet vet. Ne kemi arritur të bashkëpunojmë me sukses gjithnjë duke shtyrë njëri-tjetrin përpara dhe këtë frymë mundohemi ta përcjellim edhe tek e gjithë anëtarësia dhe mbështetësit e KÂ. / KultPlus.com

Monumentet shqiptare në Austri

Krahas kështjellave, muzeve, galerive etj, në Austri mund të vizitojmë edhe monumente dhe vepra të figurave të shquara shqiptare.

Reliktet e heroit Gjergj Kastriotit – Skënderbeu, në muzeun botëror të Vjenës (Weltmuseum)

Shqiptarët që dëshirojnë të vizitojnë Vjenën, zakonisht përcaktim të parë e kanë vizitën e relikteve të heroit kombëtar Gjergj Kastriotit – Skënderbeut. Ato janë pjesë e identitetit tonë kombëtar.

Sapo të prekësh sportelin e parë dhe pyet për përkrenaren e shpatën e Skënderbeut, e kuptojnë se kanë të bëjnë me shqiptarët. Pritja e ngrohtë e personelit të ofrohet që nga hapi i parë deri në të fundit. Fotografitë janë të lejuara, por pa ndriçim.

Reliktet e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, të cilat gjenden në muzeun botëror (Welt Museum) në Vjenë vizitohen nga shqiptarët e gjithë botës. Po ashtu janë të shpeshta grupe vizitorësh nga të gjitha trevat shqiptare dhe diaspora, veçanërisht arbëreshët nga Italia dhe Zara.

Reliktet e Skënderbeut në Vjenë janë vizituar edhe nga personalitete të shquara shqiptare dhe rilindës të njohur të kombit tonë. Vizitor i tyre ishte edhe poeti ynë i madh, Naim Frashëri, i cili e vizitoi  në vitin 1877 në Belvederë të Vjenës, ku ruheshin atë kohë përkrenarja dhe shpata e kryeheroit tonë kombëtar. Ai frymëzohet dhe ia kushtoi këto vargje tani të njohura:

“Lum ti, moj Shqipëri!” thashë,

Armët e ti’ kur i pashë

Ndër Belvedere në Vjenë,

Sikur pashë Skënderbenë.”

Naim Frshëri

Reliktet e Gjergj Kastriotit - Skenderbeu në muzeun e Vjenës
Reliktet e Gjergj Kastriotit – Skenderbeu në muzeun e Vjenës (Weltmuseum)

Karl Gega, gjeniu austriak me rrënjë shqiptare 

Carl Ritter von Ghega (Karl Gega) u lind më 10 janar të vitit 1802 në Venedik nga prindërit me prejardhje shqiptare, ndërsa vdiq më 14 mars të vitit 1860 në Vjenë. Babai i tij kishte qenë një oficer marine, kurse Karli tregoi një dashuri të madhe për matematikë dhe u bë inxhinieri austriak, i cili e ndërtoi hekurudhën e Semeringut (Semmeringbahn), prej Gloggnitz deri në Mürzzuschlag. Kjo hekurudhë, e cila lidh Vjenën me Triesten dhe Detin Mesdhe, e cila kalon përmes Alpeve austriake, ka 15 tunele dhe 16 harkore madhështore (Viaduke Romake), disa prej të cilave janë dykatëshe dhe kanë  984 metra lartësi mbidetare.

Hekurudha e “Semeringut” është e para e ndërtuar në vise malore, në gjithë botën, që është kryevepër ndërtimore e Karl Gegës dhe e Austrisë në atë kohë.

Në moshën 17-vjeçar, Karl Gega e arrin titullin “Doktor i Shkencës së Matematikës”. Ai radhitet ndër “100 austriakët më të mëdhenj” në historinë e kombit austriak. Karl Gega bën pjesë në këtë grup krahas personaliteteve si: Mozart, Froid, Maria Tereza, Franz Josefi, Kafka etj.

Varri monumental i Karl Gegës gjendet në varrezat qendrore të Vjenës (Zentralfriedhof), aty ku prehen të qetë figurat më të ndritura të historisë austriake.

Për nder të veprës së Karl Gegës, në monedhën austriake “20 Schiling” ishte vendosur figura e tij. Po ashtu një pllakë përkujtimore mund ta gjeni edhe në qendrën e Vjenës, përkatësisht në qoshen e lokalit Zanoni & Zanoni në Rotenturmstrasse.

Ndërkohë në Vilach, një rrugë është emërtuar me emrin: Carl Ritter von Ghega – strasse.

Një tjetër detaj interesant është se tani pas 160 vjetësh nga vdekja e tij, firma shqiptare në Austri “IAT”(Injektions-und Abdichtungstechnik GmbH) e udhëhequr nga vëllezërit Miftaraj, prej afro pesë vketësh përkujdeset për mirëmbajtjen statike të harkoreve dhe izolimin e mbajtëseve kundër erozionit të dheut nën fondamentet e harkoreve të urave të hekurudhës Semering.

Monumenti i Karl Gegës në varrezat qendrore të Vjenës (Zentralfriedhof)

Aleksandër Moisiu, yll aktrimi i shekullit të kaluar

Aktori i madh me prejardhje shqiptare, Aleksandër Moisiu, u lind më 2 prill 1879 në Triestë, ndërsa vdiq më 22 mars 1935 në Vjenë. Ai mësoi në shkollën fillore në Durrës, studioi në Austro-Hungari, aktroi në qendrat teatrore evropiane. Është i varrosur në varrezat e komunës së Morcote-së, pranë qytetit Lugano në kantonin e Ticino, në Zvicër.

Ishte aktori më i njohur në hapësirat gjermanishtfolëse dhe yll botëror i aktrimit, kryesisht teatror. Në Durrës, shtëpia e tij ku jetoi ai, tani është muze. Emri i tij është i përkujtuar gjithandej trojeve shqiptare, por edhe në Austri.

Në pjesëzën danubiane të Vjenës, jo larg qendrës së OKB-së në Vjenë, përkatësisht në qarkun (Bezirk) e 22-të të Vjenës, gjendet rruga me emrin e tij, Moissigassse. Po në këtë rrugë është edhe shtatorja e Aleksandër Moisiut. Shtatorja i tij është punuar nga skulptori Kasim Kortusha, ndërsa është përuruar në vitin 2005, në 70 vjetorin e shuarjes së aktorit. Në përurimin e shtatores së Aleksandër Moisiut pati marrë pjesë edhe ish presidenti i Republikës së Shqipërisë, Alfred Moisiu dhe kryetarja e Bashkisë së qarkut 22 të Vjenës, Renate Winklbauer. Vizitorët e kanë lehtë të orientohen, nga qendra e Vjenës arrihet për 20 minuta.

Shtatorja e Aleksandër Moisut në rrugën Moissigasse në Vjenë

Shtatorja e Shën Terezës në Grac

Graci i njohur si qytet i kulturës në Austri, dhjetë vjet më parë u pasurua edhe me shtatoren e Shën Terezës.

Autor i shtatores është skulptori vjenez, Ulrich Mertel. Falë angazhimit të Shoqatës “Nëna Tereze” të Gracit u siguruan mjetet dhe mundësia e vendosjes së saj në Annenstraße, “Straße der Menschenrechte”, të Bashkisë Gries, më 27 gusht 2010. Shtatorja është në përmasat e Shën Terezës, 163 centimetra e gjatë. Në bashkëpunim me organet kompetente të qytetit të Gracit u sigurua sheshi në të cilin u vendos shtatorja.

Vizitorët shqiptarë në Grac mund ta gjejnë dhe vizitojnë lehtësisht shtatoren e bukur të Shën Terezës”, alias Gonxhe Bojaxhiut. /albinfo/ KultPlus.com

Shtatorja e Shën Terezës në Graz
Shtatorja e Shën Terezës në Graz

Alberta Sinani, zyrtare për media në Ministrinë e Drejtësisë në Austri

Ajo e di se sa e vështirë është të gjendesh në një shtet të huaj, por mbi të gjitha, e di se sa krenari është të arrish sukses në një vend ku nuk flitet gjuha jote.

Alberta Sinani është lindur në Opojë të Kosovës. Kur ishte vetëm një vjeçe, familja e saj migroi në Austri për një jetë më të mirë. Ajo u rrit në shtetin gjermanofolës, pa harruar asnjëherë prejardhjen e saj, për të cilën është shumë krenare.

Ajo ka përfunduar studimet Bachelor për Shkenca Politike në Universitetin e Vjenës, për të vazhduar më tutje në studimet Master, në një drejtim krejtësisht të ndryshëm, atë të Social Design në Universitetin e Arteve të Aplikuara në Vjenë.

Puna në Ministrinë e Drejtësisë

Alberta ishte ende duke ndjekur studimet në Master, kur iu ofrua një pozicion pune në një nga institucionet më të rëndësishme shtetërore. Ajo zuri vend si Pressereferentin (zyrtare për media) në Ministrinë e Drejtësisë, në stafin e ministres me prejardhje boshnjake, Alma Zadiç. Në fillim nuk ishte paraparë që ajo të qëndronte gjatë në ministri. Por, duke parë aftësitë e Albertës për të menaxhuar punën dhe paraqitjen e Ministrisë së Drejtësisë në rrjetet sociale, si dhe duke parë efektin që kanë rrjetet sociale në pasqyrimin e aktiviteteve politike, asaj i është kërkuar që të qëndrojë në stafin e ministres Zadiç.

Përveç menaxhimit të rrjeteve sociale, Alberta merret edhe me pjesën e komunikimit me media. Kjo e bën edhe më të ngjeshur agjendën e saj.

Të arrish sukses në një vend të huaj

Për të pasur dikë gjithmonë afër vetes, duhet edhe ta njohësh. Dhe, duket që Alberta me ministren Alma, përveç marrëdhënieve profesionale, ndajnë edhe ca situata të ngjashme me njëra-tjetrën.

Ashtu si familja e Albertës, edhe ajo e ministres Zadiç ishte dashur të largohej dikur nga vendlindja. Andaj, siç na thotë Alberta, ajo e di më së miri se si është të jesh larg atdheut. E di se sa e vështirë është të gjendesh mes një shteti të huaj, por mbi të gjitha, e di se sa krenari është të arrish sukses në një vend ku nuk flitet gjuha jote.

Dashuria për Kosovën – malli për Opojën

Alberta ka një lidhje të veçantë me Kosovën, sidomos me Opojën. E pyeta se sa herë në vit shkon atje për vizitë. “Dy herë, tri herë, sa herë të mundem shkoj”, më thotë.

Në fakt, më tregonte se sa e mërzitur ishte për shkak se gjatë verës nuk kishte mundur të shkonte në Kosovë për shkak të situatës aktuale pandemike.

Ajo thotë se i mungojnë familjarët nga atje, sepse sipas saj, prej të gjithëve merr një dashuri dhe një energji pozitive të veçantë. “Vetëm atje, mund ta gjej një rehati shpirtërore, që nuk ta jep një vend ku flitet një gjuhë ndryshe nga e jotja”.

Falë performacës së mirë, i kërkohet të vazhdojë punën

Alberta ishte ende duke ndjekur studimet në Master, kur iu ofrua një pozicion pune në qeveri. Ajo zuri vend si zyrtare për media në Ministrinë e Drejtësisë, në stafin e ministres me prejardhje boshnjake, Alma Zadiç. Në fillim nuk ishte paraparë që ajo të qëndronte gjatë në ministri. Por, duke parë aftësitë e Albertës për të menaxhuar punën, asaj i është kërkuar që të qëndrojë në stafin e ministres Zadiç.

Paralelet në mes të Albertës dhe ministres Zadiç

Ashtu si familja e Albertës, edhe ajo e ministres Zadiç ishte dashur të largohej dikur nga vendlindja. Andaj, siç na thotë Alberta, ajo e di më së miri se si është të jesh larg atdheut. E di se sa e vështirë është të gjendesh mes një shteti të huaj, por mbi të gjitha, e di se sa krenari është të arrish sukses në një vend ku nuk flitet gjuha jote. /albinfo/ KultPlus.com

Nxënësja e padit shtetin për shkak të detyrimit për maskë

Një nxënëse 15-vjeçare e shkollës së mesme në Styria ka paditur Austrinë për shkak të kërkesës për të mbajtur maska ​​në shkollë.

Në padinë e saj, ajo argumenton se maskat nuk sigurojnë mbrojtje të përshtatshme nga Covid-19 dhe se qeveria nuk ka siguruar prova të mjaftueshme që mbështesin kërkesën e maskës, përcjell albinfo.at, transmeton KultPlus.

Padia e saj mbështetet nga një sërë organizatash skeptike të koronavirusit, përfshirë Nismën për Informacionin e Koronës të bazuar në Prova (ICI). ICI është një grup i përbërë nga skeptikë të masave të qeverisë federale, si dhe teoricienë konspiracioni dhe ekstremistë të shquar të krahut të djathtë, raporton Kurier.

Procesi gjyqësor pretendon jo vetëm që qeveria nuk ka siguruar prova që mbështesin nevojën për masat, por që fëmijët dhe të rinjtë nuk preken shumë nga Covid-19, që do të thotë se kërkesa nuk është proporcionale. Avokati i studentes tha se mbajtja e maskës për disa orë kishte potencialin të ishte e dëmshme, duke çuar në dëmtime mendore dhe fizike.

Martin Netzer, Sekretari i Përgjithshëm në Ministrinë e Arsimit, i tha Kurierit se refuzimi i maskave në shkolla ishte një fenomen i rrallë, por “ka raste individuale”.

Përfaqësuesi i sindikatës së mësuesve Herbert Weiß tha se shumica e prindërve ishin të kënaqur me masat shtesë mbrojtëse të kërkuara në shkolla./albinfo/KultPlus.com

Flamuri shqiptar ngrihet në Komonuelth Park të Austrisë, konsiderohet moment historik

Në Kanberra të Australisë për herë të parë do të ngrihet flamuri shqiptar në sheshin e flamujve të të gjithë misioneve diplomatike në Komonuelth Park.

Bashkë me vendosjen e pllakës Albania, ceremonia do të shënojë përfundimin e të gjithë procedurave për hapjen dhe njohjen zyrtare të ambasadës shqiptare në Australi, e cila nisi punën një muaj më parë.

Ambasadori shqiptar në Australi Edmond Trako thotë se ky është një moment historik që i shtohet nëntorit, muajit të festave shqiptare.

“Nëntori për shqiptarët është muaji i festave, për ne tani ky muaj ka një rëndësi edhe më të madhe sepse i shtohet edhe një moment historik, emocional dhe simbolik, ngritja e flamurit shqiptar bashkë me pllakën ‘Albania’ për herë të parë në parkun e Kanberra-s”, është shprehur ai.

Ka qenë guvernatori i përgjithshëm Sir William Deane iniciator i hapjes së këtij parku buzë liqenit Blake Griffin në Kanberra i cili sot është kthyer në një atraksion të rëndësishëm për turistët dhe vendasit.

Në këtë park valëviten gjithsej 110 flamuj, që përfaqësojnë 108 Misione që kanë një përfaqësi diplomatike si dhe flamujt e Bashkimin Evropian dhe Kombeve të Bashkuara./ Diaspora shqiptare/ KultPlus.com

Komuniteti shqiptar në Austri nderon viktimat e sulmit terrorist të 2 nëntorit

Me iniciativë të organizatave shqiptare në Austri dhe nën përkujdesjen e Këshillit Koordinues të Shoqatave Shqiptare në Austri, artistë dhe aktivistë shqiptarë të cilët veprojnë atje u bënë bashkë për të nderuar viktimat duke vendosur kurora të luleve ne të gjashtë vendet ku ndodhi sulmi makabër në natën e 2 Nëntorit në Vjenë, datë e cila fatkeqësisht është e zezë për Austrinë dhe mbarë njerëzimin.

Ky akt terrorist pati katër viktima e shumë të plagosur duke shokuar kështu Austrinë dhe mbarë botën.

Ky marsh solidarizues nisi nga Sinagoga, nga edhe ku nisi sulmi i tmerrshëm terrorist si dhe vazhdoi në të gjitha vendet ku mbetën viktima civile, të cilat paguan me çmimin më sublim dashurinë e tyre për këtë qytet të mrekullueshëm.

Me këtë gjest simbolik komuniteti shqiptar në Austri i shpreh ngushëllimet më të thella familjarëve të viktimave si dhe mbarë popullit austriak, gjithashtu shpreh mbështetjen ndaj bashkëqytetarëve të tyrë austriakë duke përçuar mesazhin se do të qëndrojnë bashkë në këto momente të vështira.

‘Aktet e tilla teorriste nuk do të arrijnë të zbehin vlerat e larta të demokracisë, respektin dhe harmoninë ndërnjerëzore që e karakterizonë popullin austriak, por përkundrazi do të na bëjnë edhe më të vendosur në mbrojtjen dhe avancimin e këtyre vlerave universale që dy popujt tanë i bashkëndajnë. Ashtu siç Austria çdo herë ka mbështetur popullin shqiptar, ashtu edhe ne do të mbështesim çdoherë popullin mik austriak. Bashkë jemi më të fuqishëm’, potencon Këshilli Koordinues. / KultPlus.com

Hoxha Ademsafi Bajrami dhe Prifti Don Nikson Shabani, bashkërisht duke ndezur qirinjë
Komuniteti shqiptar bashkërisht duke nderuar vendin e ngjarjes ku edhe ka filluar krimi, pranë Sinangoges në qendër të Vjenës
Vendi ku u vra shqiptari Nexhip Vrenezi
Ambasadori i Shqipërisë në Vjenë, Roland Bimo duke ndezur qirinjë pranë vendit të krimit

‘Javët e Kulturës Shqiptare’ në Austri s’i ndal as pandemia

“Javët e Kulturës Shqiptare” janë ngjarjet më të rëndësishme kulturore, artistike dhe sportive të komunitetit shqiptarë në Austri. Ato tashmë kanë krijuar emër, traditë, janë bërë institucion në vete, jo vetëm për aktivitetet e llojllojshme por, edhe si vendtakim, bashkim dhe përafrim me njëri-tjetrin.

Edhe pse në kohë pandemie, “Javët e Kulturës Shqiptare në Austri 20-21” edhe këtë vit do të organizohen. Për të shtatin vit më radhë këto aktivitete mbajnë vulën e organizimit të Këshillit Koordinues i Shoqatave Shqiptare në Austri.

Me moton “Bukë, kripë e zemër”, “Javët e Kulturës”, vijnë para publikut shqiptarë dhe austriakë për të treguar traditën, bujarinë, mikpritjen dhe zemërgjerësinë e popullit tonë.

“Planin për organizimin e “Javëve të Kulturës” e kishim mbaruar para pandemisë. Gjithçka tjetër ishte shumë sfiduese, duke filluar që nga pasiguria se a do të lejohen të mbahen aktivitetet. Situata më e komplikuar ishte nga fakti se sallat do duhej rezervuar. Megjithatë, momenti i relaksimit erdhi kur ne si “Këshillë Koordinues i Shoqatave”, vendosëm që mos të konkretizojmë asgjë deri një muaj para eventeve”, tha Kaltrina Durmishi, kryetare e KKSHSHA-së.

Të merret iniciativë për të organizuar të gjitha këto aktivitete në këtë kohë të pakohë, natyrisht që nuk ishte edhe aq e lehtë.
“Të marrësh vendime, duhet të kesh guxim. Kur ke guximin, tejkalohet gjithçka. Ne e kishim guximin dhe vendimi për të organizuar nuk ka qenë i vështirë. Pjesa më e vështirë ndoshta kanë qenë konsultimet më të gjithë anëtarët dhe shoqatat bashkëpunuese, ngase kishte mendime të ndryshme. “Javët e Kulturës” janë bërë institucion në vete dhe do të ishte e dhimbshme nëse kishim qenë të detyruar për t’i anuluar këto aktivitete”, thekson Kaltrina për Albinfo Austria, transmeton KultPlus.

Programi i Javëve të Kulturës në Austri

Në fokus të aktiviteteve do të jenë tri data kryesore
Ndryshe nga vitet e tjera, këtë vit “Javët e Kulturës” do të fillojnë nga muaji tetor dhe do të përfundojnë në muajin shkurt. “Këtë vit kemi menduar që përveç aktiviteteve tjera, në fokus t’i kemi tri data kryesore. Për nder të shtetit mik, Austrisë, do të fillojmë me 26 tetor, në Ditën e Pavarësisë së Austrisë, për të vazhduar me 28 Nëntor dhe për t’i përfunduar aktivitetet me 17 Shkurt, ditën e Pavarësisë së Kosovës”, shpjegon Kaltrina.

Një nga aktivitetet kryesore që edhe do të bëj hapjen e “Javëve të Kulturës” do të jetë koncerti “Classic meets Ethno” me 26 tetor i cili do të gërshetoj muzikën klasike dhe atë etno. “Fati jonë i mirë është se në Austri kemi një numër të madh artistësh të cilët kanë krijuar emër në botën e artit. Ky koncert do t’i bëj bashkë të gjithë ata për të na sjell një mbrëmje të paharrueshme për audiencën shqiptare dhe miqtë austriak e ndërkombëtarë. Në këtë koncert do të përformojnë: Flaka Goranci, mezzosoprano, Eno Peçi koreograf dhe balerinë, Rina Kaçinari, Zaimir Kabo në piano dhe me violinë, Aurel Qirjo i cili do të vij enkas nga Londra”, shprehet Kaltrina duke shtuar se ky koncert ka zgjuar interesim shumë të madh për pjesëmarrje të komuniteti tonë në Austri.

Për gjatë katër muajsh, do të këtë aktivitete të llojllojshme: si koncert klasik i gërshetuar me etno, turnir shahu, turnir futbolli, promovim libri, orë letrare, koncerte muzikore me këngë dhe valle shqiptare, mbrëmje rinore, shfaqje filmi, një panair shqiptarë ku do të përfshihen: punime dore, veshje kombëtare, promovim i produkteve shqiptare që janë në Austri, ecje në natyrë, e shumë të tjera.

Për shkak të ndryshimeve të masave nga dita në ditë që po merren nga qeveritë shtetërore, ekziston një drojë se ndonjë nga aktivitetet edhe mund të anulohet. “Frikën më të madhe e kemi për aktivitetet që do zhvillohen në muajin nëntor. Ka shumë spekulime që mund të këtë një mbyllje të lehtë, ndonëse ende as qeveria austriake nuk ka dhënë detaje. Deri më tani në nëntor është në pyetje vetëm eventi nga Shoqëria Kulturore Artistike “17 Shkurti” e cila zakonisht ka mbledhur deri në 1500 veta. Zotëri Tahir Turkaj ka më shumë se 25 vjet që asnjëherë nuk e ka humbur organizimin e manifestimit të festës së “28 Nëntorit”. Megjithatë, duhet të jemi të gjithë të kujdesshëm, të ruajmë shëndetin tonë duke mbajtur distancën dhe maskat dhe të respektojmë rregullat e institucioneve shtetërore austriake. Nuk dëshirojmë asnjë i infektuar të dal në aktivitetet tona”, tha kryetarja Durmishi.

“Javët e Kulturës Shqiptare në Austri” këtë vit janë përkrahur kryesisht nga institucionet austriake. Poashtu gatishmëri për të mbështetur këto aktivitete kanë premtuar edhe Rrjeti i Bizneseve Shqiptarë në Austri dhe disa kompani të tjera shqiptare. /albinfo/ KultPlus.com

Në Austri përkujtohen me nderim martirët e kombit shqiptar

Është bërë e ditur se ambasadori i Republikës së Shqipërisë dhe i Republikës së Kosovës në Austri përkatësisht Roland Bimo dhe  Lulzim Pllana, përkujtuan me nderim e respekt sakrificën supreme të martirëve të kombit, viktima të mizorisë naziste, që humbën jetën në kampin famëkeq të përqëndrimit në Mauthauzen, transmeton KultPlus.

Me mbishkirmin „Në kujtim të të gjithë të rënëve, viktima të mizorisë naziste dhe „I paharraur kujtimi i shqiptarëve të rënë në kampet naziste“, në Memorialin e kampit në qendër të sheshit famëkeq të apelit, u vendosën kurora me lule në emër të Republikës së Shqipërisë nga Z. Bimo dhe në emër të Republikës së Kosovës nga ambasodori Lulzim Pllana.

Po ashtu, ambasadorët Bimo e Pllana vizituan dhe vendosën lule në Memorialin e Republikës së Shqipërisë dhe Pllakën Përkujtimore të Republikës së Kosovës inaguruar para disa vitesh në „murin e akuzës“, në kujtim e respekt të viktimave të kombit shqiptar.

Morën pjesë gjithashtu atasheu policor i Republikës së Kosovës Kolonel Bekim Halilaj, si dhe studjuesi Hazir Mehemti, me eksperiencë e kontribut të veçantë në kërkime shumëvjeçare për shqiptarët e rënë në këtë kamp.

Gjatë kësaj ceremonie të veçantë për shkak të kufizimeve të impnuara nga rregullat për frenimin e pandemisë, Ambasadorët Bimo dhe Pllana u pritën dhe shoqëruan nga Z. Bernhard Muehleder, përgjegjës i seksionit të edukimit. /albinfo/ KultPlus.com

Austria heq obligimin për të mbajtur maska në vende të caktuara

Zhvillimet e mira drejt fundit të pandemisë kanë bërë që qeveria austriake tashmë të marrë edhe hapa të tjetër lehtësues. Kështu ka njoftuar ministri i Shëndetësisë, Rudolf Anschober, të dielën.

Me rregulloren e re maskat nuk janë të detyruara për njerëzit që blejnë nëpër dyqanet tregtare, që vizitojnë restorantet, hotelet apo lokalet e tjera afariste. Po ashtu nuk janë të obliguar të bartin maskë as personat që nuk jetojnë në të njëjtën shtëpi, edhe kur udhëtojnë së bashku me makinë.

Në anën tjetër, bartja e maskave do të vazhdon të jetë e obligueshme kur të udhëtoni me transport publik, në taksi, në shkolla, në gjitha shërbimet shëndetësore, duke përfshirë edhe farmacitë si dhe në çdo vend ku nuk është e mundur mbajta e largësisë së paku në një metër.

Sidoqoftë, distancë prej të paktën një metër duhet të mbahet për njerëzit që nuk jetojnë në të njëjtën familje.  Një lajm i mirë vjen edhe për gastronomët. Orari i mbylljes së restoranteve, i cili ishte deri në orën 23.00, është zgjatur deri në orën 01.00 pas mesnate. Po ashtu në një tavolinë mund të qëndrojnë ulur më shumë se 4 persona. Megjithatë, personeli i lokaleve të gastronomisë duhet të vazhdojnë të kenë të mbuluar hundën dhe gojën.

Një dritë e gjelbër është edhe lejimi i organizimit të kampeve të pushimeve si dhe lejimi i organizimit të panaireve tregtarë dhe kongreseve të ndryshme, por kjo vetëm pasi të jenë të garantuara të gjitha kushtet për organizimin sipas rekomandimeve të Ministrisë së Shëndetësisë. /KultPlus.com

“KÂ kamping” me një qëllim të veçantë, për krijimin dhe forcimin e marrëdhënieve në mes shqiptarëve në Austri

Jeta Zymberi

‘Kâ kamping’ i cili organizohet që disa vite me radhë, tashmë është shndërruar në një aktivitet tradicional që zhvillohet në Austri nga organizata KÂ. Sikurse edhe viteve të kaluara, edhe këtë vit ky grup kanë zgjedhur një vend të veçantë për ta eksploruar, shkruan KultPlus.

Nga data 11-14 qershor, të rinj e familjarë shqiptarë që jetojnë në Austri mund të kalojnë 4 ditë të paharrueshme së bashku në një prej zonave më të bukura malore të Niederösterreich (Austria e Ultë), gjegjësisht në Krumau am Kamp.

Ky organizim, thellë në vete ka një qëllim shumë më të fortë. Krijimin dhe forcimin e marrëdhënieve në mes shqiptarëve që jetojnë në Austri. Në këtë mënyrë edhe gjeneratat e reja njihen së bashku dhe krijojnë shoqëri, e kjo njëkohësisht ju ndihmon që mos të harrojnë gjuhën, kulturën e traditat shqiptare për të cilat edhe flasin gjatë këtyre ditëve, por edhe të kenë një copë Kosovë me vete. Në kamping shpesh ftohen edhe të huaj të cilët gjithashtu gjatë qëndrimit aty, mësojnë më shumë për shqiptarët. Gjatë qëndrimit në kamping nuk kanë munguar as ushqimet tradicionale, flija është shijuar shumë nga të gjithë aty.

“Gjatë krijimit të organizimeve të ndryshme me vetiniciativë dhe në mënyrë vullnetare, mbanim gjithsesi vetëm një qëllim në kokë, që njerëzit nga komuniteti jonë të njiheshin, të qëndronin sa më shumë në kontakt me njëri-tjetrin, të bashkëpunonin e shkëmbenin ide, të kalonin kohë të bukura dhe cilësore së bashku; gjëra për të cilat kishte nevojë secili nga ne”, thotë për KultPlus, Ermal Vejsa, njëri nga organizatorët e këtij kampingu.

Kampingu i sivjetshëm ka përsëri në fokus të veçantë eksplorimin e natyrës, aktivitete rekreative, edukative dhe artistike. Organizohet ecje në natyrë, aktivitete sportive, not, volejbol, joga, peshkim, etj. Duke pasur si qëllim rritjen e aktiviteteve sportive gjatë kampingut, ata kanë organizuar edhe garat e ashtuquajtura ‘lojëra pa kufi’ dhe turnire të ndryshme sportive, ku do të përfshihen të gjitha moshat. Aktivitetet tanimë tradicionale, të cilat kanë përcjellur kampingun që nga viti i parë, sikurse open-air kino (filma të përzgjedhur), mbrëmje rreth zjarrit me muzikë, përgatitje e ushqimit tradicional, do të realizohen përsëri.

“Sikurse edhe në vitet e kaluara, edhe këtë vit ‘KÂ kamping’ ka në fokus të veçantë sportin, prandaj është zgjedhur kampingu Seecamping u. Freizeitanlage Krumau am Kamp, i cili ofron mundësi të shumta për lojëra dhe sport si për fëmijë ashtu edhe të rritur sikurse: volejboll në rërë, terren të madh të futbollit, terren të tenisit, mini-golf, anije të ndryshme për sporte ujore, peshkim, hiking etj”, tregon për KultPlus, Ermal Vejsa.

Vejsa i fton të gjithë të interesuarit që të konfirmojnë pjesëmarrjen sa më parë, sepse duhet të lajmërohet numri i saktë i tendave që do të vendosen në kamping, pavarësisht që hapësira e përbashkët në kamping tanimë është e rezervuar.

Organizata KÂ njihet për organizimin e shumë aktiviteteve rinore në Austri, kryesisht në Vjenë.

KÂ filloi me organizimet vullnetare të Ermal Vejsës dhe Lirjetë Avdiut, të cilët përmes krijimit të kësaj oganizate e bënë më të lehtë jetën për shqiptarët që jetojnë në Austri.

“Duke jetuar jashtë vendlindjes, dhe rrethit të ngushtë familjar e shoqëror, u krijua nevoja që këtu në Vjenë ta gjejmë sadopak një zëvendësim të denjë, të asaj se çfarë kishim lënë pas. Nga dëshira që të afrohemi dhe njihemi me bashkëkombës, të krijojmë shoqëri të reja, kuptuam që ajo nevojë mund të përmbushej fare bukur dhe jeta në Vjenë mund të ngjante më e lehtë”, thotë Ermali për KultPlus.

Kjo organizatë, shikuar në një spektër më të gjerë, ka për qëllim të ndihmojë në integrimin e komunitetit shqiptar në Austri përmes aktiviteteve të ndryshme sportive dhe artistike, poashtu dhe përmes përçimit të vlerave tona kulturore. Organizata gjithashtu është e përkushtuar edhe në inicimin e aksioneve për qëllime humanitare.

“Përveç organizimeve të shumta vetanake, qëllimin tonë synojmë ta arrijmë edhe përmes bashkëpunimit me organizata të tjera joqeveritare, politike apo institucione shtetërore në Austri”, thotë Ermali.

Emri i organizatës ‘Kâ’, është frymëzuar nga dëshira për të kundërshtuar fuqishëm mendimet pesimiste se shqiptarët që jetojnë në Vjenë nuk organizojnë gjëra me vlerë dhe për të mbjellë një mendim pozitiv dhe frymëzues.

‘Kâ’ deri më sot ka arritur të organizojë evente të rëndësishme kulturore e artistike të cilat e kanë ndihmuar shumë jetën e shqiptarëve në Austri dhe padyshim që do të vazhdojnë edhe tutje.

Krejt për fund Erma Vejsa e përmbyllë intervistën me një thënie të Nënës Terezë: Ne s’mund të bëjmë gjëra të mëdha, vetëm gjëra të vogla me dashuri të madhe. / KultPlus.com



Austria, ashtu siç nuk e keni parë kurrë

Që nga mesnata, ligji për parandalimin e koronavirusit ka hyrë në fuqi.

Jeta publike është e kufizuar ashpër, pasi sot ekzistojnë edhe kontrolle nga policia. Lokalet e hotelerisë mund të hapet sot deri në orën 15.00. Universitetet, shkollat ​​dhe kopshtet janë të mbyllura, raporton gazeta “derstandard.at”.

Këshilli Kombëtar dhe Këshilli Federal miratuan të dielën " Ligjin e Coronës", i cili përcakton themelet ligjore për mbylljen e vendeve publike, siç janë fushat e lojërave dhe për kufizimet në tregti dhe hotelieri. Një fond me vlerë katër miliardë euro do të jetë në shërbim për të gjitha llojet e ndihmës, nga puna me orar të shkurtuar, ndihma për sipërmarrës dhe kompani deri tek blerja e gjërave të nevojshme për sektorin e shëndetësisë.

Qeveria e Austrisë bën thirrje për kufizimin e daljeve në gjithë Austrinë. Ekzistojnë vetëm tri arsye për përjashtime të largimit nga shtëpia: punë profesionale që nuk mund të shtyhen, nevojat urgjente (ushqimi) dhe nëse urgjentisht duhet të ndihmoni njerëzit e tjerë.

Trafiku ajror së shpejti do të ndërpritet në masë të madhe. Austriakët jashtë vendit duhet të "bëjnë rrugën e tyre" për në shtëpi urgjentisht, njofton albinfo.ch.

Takimet do të ndalohen plotësisht në të ardhmen. Në asnjë vend nuk duhet të qëndrojnë ose të takohen më shumë se pesë persona në të njëjtën kohë. Sipas Kancelarisë Federale, kufizimet në hapësirën publike do të kontrollohen nga policia nga e hëna e tutje, dhe nëse është e nevojshme ato mund të rezultojnë edhe me gjobë të rëndë administrative. Autoriteteve iu dha autoriteti të përdorin masa shtrënguese nga Këshilli Kombëtar. Nëse dëshironi të dilni jashtë në raste urgjente, "këtë mund ta bëni vetëm ose me njerëzit me të cilët jetoni" tha Kancelari Kurz.

Masa më të rrepta po zbatohen për landin Tirol. Atje ka kufizime të trafikut që përfshijnë një rrugëdalje të gjerë. Askujt nuk i lejohet të largohet nga shtëpia apo banesa e tyre pa ndonjë arsye të vlefshme. Megjithatë, kjo nuk vlen për nevojat themelore ose mjekësore. Gjithashtu dalja me qen është ende e lejuar, ose nëse patjetër është e nevojshme të shkoni në punë. Këto masa fillimisht janë paraparë për një javë.

Dyqanet ushqimore, farmacitë, bankat, dyqanet e cigareve, pompat e benzinës dhe disa dyqane të tjera mbeten të hapura – por ligji i planifikuar duhet të parashikojë trajtimin e blloqeve nëse është e nevojshme.

Në gjithë Austrinë deri të hënën në mëngjes janë regjistruar 959 raste të konfirmuara të infeksionit me koronavirusin. Shumica e rasteve ishin në Tirol. Një i moshuar 69-vjeçar i ardhur nga Italia, i cili kishte një sëmundje të mëparshme është vdekja e parë në të gjithë Austrinë si rezultat i epidemisë së koronës. Një vdekje e dytë u raportua të dielën, por konfirmimi i infeksionit është ende në pritje. Gjashtë persona aktualisht konsiderohet se janë shëruar. Gjermania mbylli kufijtë e saj me Austrinë të hënën, në orën 8.00 të mëngjesit. Ekzistojnë përjashtime për banorët që jetojnë në ato rajone dhe për qarkullimin e mallrave.

Kushdo që ka qenë në komunat: Ischgl, Kappl, Shih, Galtür, Heiligenblut ose Shën Anton am Arlberg që nga 28 shkurti është i thirrur të shkojë në izolim në shtëpi. Kushdo që ka pasur kontakte me njerëz që kanë qenë në këto rajone, duhet gjithashtu të izolohen. Kjo vlen gjithashtu edhe nëse asnjë simptomë nuk vërehet aktualisht. /Albinfo.ch / KultPlus.com

Mbrëmje letrare, 2018 Viti i Kulturës Austri-Shqipëri

Lidhja e Shkrimtarëve dhe Krijuesve Shqiptarë në Austri “Aleksandër Moisiu” në bashkëpunim dhe me mbështetjen e Ambasadës së Vjenës organizoi “Mbrëmje të Letërsisë shqiptare në Diasporë”.

Në fjalën e përshëndetjes, Ambasadori Roland Bimo ndër të tjera vuri në dukje kontributin e ndjeshëm të krijimtarisë artistike në Diasporë në ruajtjen e identitetit kombëtar dhe në të njëjtën kohë në shkallën e lartë të integrimit të diasporës shqiptare në shoqërinë austriake.

Të pranishmit i përshëndeti Z. Arno Riedel, ish-ambasador i Austrisë në Shqipëri dhe Kryetar i Shoqatës së Miqësisë Austri-Shqipëri, aktualisht funksionar i lartë në Ministrinë Federale për Europën, Integrimin dhe Punët e Jashtme të Austrisë.

Nderuan me pjesëmarrjen dhe prezantimet e tyre, Prof. Marianne Gruber, Kryetare e Lidhjes së Shkrimtarëve të Austrisë, Dr. Helmuth A. Niederle, Kryetar i PEN Klubit të Austrisë.
Autorët Hazir Mehmeti, Besim Xhelili dhe Anton Marku prezantuan botimet dhe krijimtarinë e tyre letrare në shqip dhe gjermanisht. Pjesë nga shkrimet e tyre u interpretuan me nivel profesional nga Kaltrina Durmishi, moderatore e mbrëmjes dhe Zj. Zyberi.

Albanologu dhe shkrimtari Dr. Kurt Gostentschnigg mbajti referatin: “Studentët shqiptarë të Austisë në periudhën midis të dy Luftërave”.

Në mbrëmje morën pjesë artdashës nga komuniteti shqiptar dhe miq austriakë. Ishin të fuar dhe morën pjesë edhe Ambasadori Zef Mazi dhe Konsulli i Nderit i Shqipërisë, Z. Reinhard Gnilsen./ ata/ KultPlus.com

Flaka Goranci magjeps publikun austriak në sallën e famshme “Stefanienesaal” (FOTO)

Për KultPlus, Goranci, tregoi emocionet që kishte mbrëmë gjatë interpretimit para publikut austriak, dhe gjatë këtij koncerti që dirigjohej nga Svetoslav Borisov.

Gili Hoxhaj

Mezzo-soprano shqiptare Flaka Goranci, mbrëmë interpretoi në një koncert në Grazë të Austrisë. Ajo me zërin e saj ka magjepsur të pranishmit gjatë interpretimit të mbrëmshëm në sallën e famshme “Stefanienesaal”, bashkë me orkestrën “Con fuoco”.

Për KultPlus, Goranci, tregoi emocionet që kishte mbrëmë gjatë interpretimit para publikut austriak, dhe gjatë këtij koncerti që dirigjohej nga Svetoslav Borisov.

“Ishte një kënaqësi e madhe të interpretosh nën drejtimin e një dirigjenti në zë si Svetoslav Borisov. Bashkë me orkestrën “Con fuco” kemi interpretuar tri arie nga repertori operistik dhe ai i operetave. Koncerti është pritë mjaft mirë nga publiku”, ka thënë për KultPlus, Goranci.

Flaka Goranci, ka interpretuar në sallën Stefaniensaal, që është një sallë 150 vjeçare dhe është një nga sallat më me renome jo vetëm ne Graz por edhe në gjithë Austrinë, meqë aty interpretojnë emrat më të mëdhenj të muzikës klasike. /KultPlus.com

Nisin “Javët e kulturës shqiptare në Austri”

Më 17 nëntor janë hapur edhe zyrtarisht “Javët e kulturës shqiptare në Austri”.

Të shndërruara tanimë në traditë, “Këshilli Koordinues i Shoqatave Shqiptare në Austri” në bashkëpunim me shoqatat tjera shqiptare të cilat veprojnë në shtetin austriak dhe përkrahjen e partnerëve të ndryshëm, arriti të organizojë aktivitete nga më interesantet dhe më të larmishmet me qëllim të përfaqësimit dhe prezantimit dinjitoz të kulturës shqiptare dhe njëherësh integrimit të komunitetit shqiptar në Austri.

Hapja solemne e këtij aktiviteti u bë në Gebietsbetreuung të Vjenës me hapjen e ekspozitës “Muscle Memorie’’ të krijuesit shqiptar Jakup Ferri.

Të pranishëm ishin rreth 300 persona në mesin e të cilëve edhe përfaqësues të Ambasadës së Kosovës dhe Shqipërisë në Vjenë si dhe përfaqësues të ministrisë së Diasporës së Kosovës.

Të gjithë u pritën me pije dhe ushqime tradicionale shqiptare, të sponsorizuara nga kompani shqiptare që veprojnë në Vjenë si dhe të sjellura edhe nga vet Kosova, poashtu edhe me pijen tradicionale austriake verën e vluar.

Ekspozitën e udhëhoqën moderatorët nga Kosova dhe Shqipëria Fjolla Doli dhe Franc Jakova, kurse fjalën hapëse e pati nikoqiri i mbrëmjes udhëheqësi i Gebiets Betreuung Christoph Gollner dhe gjithashtu kryetari i Këshillit Koordinues Ermal Vejsa.

Kuratorja e mbrëmjes ishte Stephanie Friedrich e cila bëri përshkrimin dhe prezantoni veprat dhe vet artistin Jakup Ferri.

Veprat e tij u sollën në Vjenë enkas nga galeria e tij në Amsterdam për “Javët e kulturës shqiptare”në Austri.

Mbrëmja vazhdoi me muzikën e veçantë të kompozitorit të ri, artistit Visar Kasa dhe grupit të tij muzikor.

“Javët e kulturës shqiptare në Austri“ do të vazhdojnë edhe me aktivitete të tjera që do të zhvillohen ditëve në vijim.

Të gjitha këto realizohen falë bashkëpunimit me Ministrinë e Diasporës së Kosovës, ambasadën e së Shqipërisë në Austri, ambasadën e Kosovës në Austri, Rrjetin e Bizneseve Shqiptare në Evropë, firma me pronarë shqiptar që veprojnë në Austri, vullnetar dhe aktivistë të Këshillit Koordinues të Shoqatave Shqiptare në Austri./ KultPlus.com

Së shpejti nisin “Javët e Kulturës Shqiptare” në Austri

13 aktivitete të ndryshme duke filluar nga pikturat, filmi, vallëzimi, muzika, shahu dhe futbolli, do të zhvillohen gjatë “Javëve të Kulturës Shqiptare” në Austri.

Nga 17 nëntori deri më 9 dhjetor do të jenë disa javë plot aktivitete dhe evente kulturore shqiptare në Austri.

Organizatorët e Këshillit Koordinues të Shoqatave Shqiptare (KKShShA) në Austri, më këtë projekt kanë për qëllim ruajtjen e identitetit kombëtar, promovimin e vlerave kulturore shqiptare në Austri, ngritjen e nivelit të kulturës, integrimin sa më të mirë të shqiptarëve në të gjitha fushat e jetës austriake, arritja e audiencës austriake dhe ndërgjegjësimi i diasporës shqiptare në Austri mbi vlerat kulturore dhe artistike të kombit të tonë.

Gjatë këtyre ditëve publiku shqiptarë por edhe ai austriak do të kanë mundësinë të përcjell 13 aktivitete të ndryshme duke filluar nga pikturat, filmi, vallëzimi, muzika, shahu dhe futbolli. Java e kulturës do të filloj në Vjenë më 17 nëntor me hapjen e ekspozitës nga piktori Jakup Ferri, dhe do të përfundoj me një mbrëmje festive ku do të performojë grupi Offchestra./ KultPlus.com