Mbrëmje artistike me V në Prishtinë, autorja amerikane që ka prekur zemrat e miliona lexuesve

Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) dhe Artpolis – Qendra për Art dhe Komunitet, në bashkëpunim me Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani” organizon ngjarjen e veçantë kulturore “Mbrëmje artistike me V”, që do të mbahet më 21 nëntor, nga ora 20:00 në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, “Pjetër Bogdani”.

“Mbrëmja Artistike me V” është një festë e letërsisë, artit, aktivizmit feminist dhe avokimit për ndryshime shoqërore.
V, një dramaturge, autore, interpretuese, feministë dhe aktiviste amerikane, e njohur më parë si Eve Ensler, ka prekur zemrat dhe mendjet e miliona lexuesve me veprat e saj të fuqishme.

“Shko aq larg sa të mos kesh më frikë të mos kthehesh.” – V

Veprat artistike të V dhe kontributi i saj aktivist kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në botë. Ajo renditet ndër autoret me numrin më të madh të kopjeve të librave të shitura nga lista e New York Times, me dramat dhe librat e saj të botuara në mbi 48 gjuhë dhe të interpretuara në mbi 140 vende. V është vlerësuar edhe me “Çmimin Tony” për arritjet në Teatrin Amerikan Broadway dhe “Çmimin Obie” për arritjet në shfaqjet e luajtura jashtë Broadway. Ajo njihet edhe për themelimin e “V-Day”, lëvizjes globale me bazë në komunitet për t’i dhënë fund dhunës kundër të gjitha grave dhe vajzave (përfshirë personat cis-gjinor, transgjinor, atyre që mbajnë identitet fluid, dhe jo-binar) dhe planetit. Ajo është themeluese e “One Billion Rising”, fushatës më të madhe për t’i dhënë fund dhunës kundër të gjitha grave dhe vajzave në mbi 200 vende, si dhe bashkëthemeluese e “City of Joy”, një qendër revolucionare udhëheqëse për gratë kongoleze të mbijetuara të dhunës në Bukavu të Republikës Demokratike të Kongos.

“Mbrëmja Artistike me V” ofron një mundësi unike që përmes diskutimit të njoftoheni me perspektivat e saj depërtuese mbi letërsinë dhe përkushtimin e V ndaj kauzave aktiviste feministe e ndryshimeve shoqërore.

Diskutimi do të shoqërohet me interpretime artistike të copëzave nga krijimet letrare të V, të interpretuara nga shkrimtaret/ët dhe artistet/ët e Ansamblit të Artpolis. Mbrëmja do të moderohet nga Zana Hoxha, Themeluese dhe Drejtore Ekzekutive e Artpolis. / KultPlus.com

109 vite nga lindja e autores franceze Marguerite Duras

Shkrimtarja franceze lindi më 4 prill 1914 dhe është një nga prozatoret, eseistet dhe skenaristet më të mira të shekullit të XX. Ajo u nda nga jeta më 3 mars 1996.

Marguerite Duras, konsiderohet si “zonjë e parë” e letrave franceze, dhe romani “Dashnori” (L’Amant, 1984) i së cilës është fitues i çmimit të madh letrar “Prix Goncourt”, i përkthyer deri tani në më shumë se 40 gjuhë, i vlerësuar si një nga dhjetë romanet më të mira të botuara në dhjetëvjeçarin e fundit të shekullit të kaluar dhe një bestseller si në Europë, ashtu edhe në Shtetet e Bashkuara

Marguerite Duras lindi më 1914, në Indokinë, bija e dy mësuesve francezë. Edukimi i saj kolonial e frymëzoi për imazhet e këqija dhe ekzotike, që gjurmët i lanë në librat e saj – ai përbën gjithashtu subjektin e romanit të hershëm “Un barrage contre le Pacifique” (1950), por edhe të veprës së saj më të njohur, “Dashnori” (botimi i parë – DITURIA, 1995; botim i rishikuar – DITURIA, 2014), që është historia e dashurisë mes një pesëmbëdhjetëvjeçareje franceze dhe një të riu kinez miliarder, në sfondin e portretit të një familjeje në Indokinën e viteve tridhjetë.

Duras u shpërngul në Paris më 1931 dhe katër vjet më vonë u diplomua në drejtësi. Ajo ka punuar si sekretare në Departamentin e Kolonive – punë të cilën e braktisi me pushtimin gjerman të Francës, më 1940, kohë kur Duras iu bashkua Rezistencës. Për një dekadë, ajo ka qenë anëtare e Partisë Komuniste Franceze, për të cilën shkroi më vonë me një lloj përbuzjeje lakonike, u dallua edhe në gazetari e publicistikë, dhe së fundit është bërë e njohur jashtë vendit për skenarët e saj, nga të cilët më i njohur është ai i 1961, “Hiroshima, Mon Amour”.

Në fakt, që me romanin e saj të parë, ajo hyri në letërsinë bashkëkohore franceze si një uragan, ku natyra njerëzore gjeti pasqyrimin e vet më të çiltër. Emri i saj ka mbi pesëdhjetë vjet që udhëton nëpër botë me vepra befasuese, në të cilat problemet e mprehta sociale që shqetësojnë sot botën njerëzore kanë gjetur te pena e shkrimtares bisturinë e së vërtetës së dhimbshme. Personazhet e Duras përpiqen t’i shmangen vetmisë, për t’i dhënë kuptim jetës së tyre nëpërmjet dashurisë absolute, krimit apo çmendurisë.

Duras ndoshta është nga shkrimtarët e rrallë që nuk i kanë fshehur asgjë lexuesit, duke bërë autopsinë e tyre, mbasi kanë bërë autopsinë më të vështirë të njeriut, atë të vetvetes. Romanet e Duras janë histori e rrëfime të shkurtra me personazhe, emra vendesh, linja dialogu, ngjarje dhe situata që përsëriten vazhdimisht, duke krijuar një atmosferë vetëreferencialiteti klaustrofobik. Në thelb, ato janë meditime rreth temës së një dashurie erotike që të çon në skllavëri ose vdekje. Edhe pse ka dhunë në veprat e saj, kjo është një dhunë për të cilën personazhet nuk janë protagonistë, por vëzhgues bashkëpunues. Në romanin e saj të parë, “Les Impudents” (1943), heroina mbulon vrasjen e mundshme të të vëllait ndaj të dashurës së tij.

Në romanin e saj të dytë, ajo fsheh vrasjen e tij ndaj ungjit. (Djali pastaj vret veten.) Në veprën e gjallë e plot zgjuarsi, me titull “Dhjetë e gjysmë e mbrëmjes në verë” (botim i rishikuar, DITURIA, 2016), një grua me pushime në Spanjë ndihmon për arratisjen e një të panjohuri vendës, i cili sapo ka vrarë gruan dhe të dashurin e saj. Heroina ëndërron të fillojë një jetë të re me të huajin dhe fyhet kur ai e paguan përkujdesjen e saj duke kryer vetëvrasje.

Burrat dhe gratë e Duras flenë, dehen dhe dëshirojnë vdekjen: ata janë kukulla të marrta që s’kanë kurrfarë kontrolli mbi fatet e tyre dhe kështu kandidatë të përsosur për t’u manipuluar nga një autore me peshë, që ka shumë për të thënë (edhe pse asnjëherë drejtpërdrejt) për vdekjen, vetminë dhe kotësinë.

Në romanet e Duras, vendin e veprimit e zë ndjesia: pasionet binjake janë narcisizmi dhe një dëshirë e madhe për të vuajtur. Kjo dëshirë e madhe shpesh është e ngopur nga vuajerizmi seksual: heroina tipike e Duras shtyn të dashurin e saj apo burrin të joshë shoqen e saj më të mirë, në mënyrë që ajo të mund të këqyrë – një temë, veçantia e së cilës mund të ndihmojë për të shpjeguar se pse veprat e Duras kanë arritur një lexues më të gjerë sesa ka tërhequr zakonisht letërsia eksperimentale franceze.

Marguerite Duras është vlerësuar shpesh për stilin e saj të bukur në prozë. Stili letrar i këtyre rrëfimeve të mprehta dhe pikante të zjarrmisë, ligështisë dhe tradhtisë është i thjeshtë. Frazat janë koncize, dialogu i reduktuar në një shkëmbim monologësh të përsëritur, skenat janë të shkurtra dhe sureale. Megjithatë, “Dashnori i Kinës së Veriut” (DITURIA, 2016) nuk është thjesht “romani për dashnorin”, nuk është thjesht një roman ndjenjash, por edhe një lloj rikthimi në të kaluarën e Duras, historia e një “ngjarjeje”, në kuadër të kolonializmit të viteve tridhjetë, në një lokalitet të Savanahës, në jug të Indokinës franceze, e cila qëndron në zanafillë të historisë së jetës së saj, dhe, paralelisht, në produktin e frytshëm narrativ, kinematografik, teatral, eseistik etj.

Është e vërtetë, në fakt, që të gjitha romanet e Duras vënë në skenë dëshirën: e të shkruarit, nga njëra anë, por edhe, mbi të gjitha, të dashurisë si “iluzion i paharruar”, që përsëdytin “kërkimin e një çasti të humbur”, të një “ngjarjeje e cila ka zgjatur fare pak por që i ka dhënë jetë një sigurie të përhershme” dhe që është e paracaktuar të përsëritet si një lloj rifillimi përfundimtar; është e vërtetë edhe se kjo ngjarje do të jetë e destinuar të përsëritet, sidomos në veprat, të cilat edhe pse zënë vend në kufirin mes shkrimit letrar dhe atij autobiografik, inkuadrojnë fragmente nga një histori personale, copëza kujtimesh që “murosin” të shkuarën. “Dashnori” dhe “Dashnori i kinës së Veriut” janë, saktësisht, romane të kësaj “ngjarjeje”.

Edhe “Dhimbja” (DITURIA, 2016) – përmbledhja e gjashtë historive të shkurtra autobiografike dhe gjysmëautobiografike, të shkruara gjatë dhe menjëherë pas pushtimit gjerman të Francës – është një dëshmi intime, drithëruese dhe e pasionuar për tragjedinë e deportimeve dhe të kampeve të përqendrimit. Janë faqet ku Duras tregon – si grua dhe si bashkëshorte – për dhimbjen, e rrënjosur e gjitha në shpresën e pritjes, një pritje e ankthshme, e shoqëruar nga tragjedia e kthimit: kthimit të bashkëshortit që nuk ishte më njeri, por tashmë i shndërruar në një larvë. Janë faqe të një ditari, të cilin vetë autorja e përcakton si një nga gjërat më të rëndësishme të jetës së saj.

Nga krijimtaria e gjerë dhe e pasur, e gjitha e përkryer, që ka dalë nga pena e një koloseje të letërsisë franceze dhe europiane, siç është Marguerite Duras, lexuesi shqiptar ka fatin të lexojë në shqip katër veprat e botuara nga Sh. B. DITURIA nën përkthimin e kujdesshëm, profesional dhe mjeshtëror të përkthyesve Mira Meksi (Dhjetë e gjysmë e mbrëmjes në verë), Nasi Lera (Dashnori) dhe Krenar Hajdëri (Dashnori i Kinës së Veriut dhe Dhimbja)./express/KultPlus.com

Vrasjet e grave në Meksikë janë rezultat i mosndëshkimit

Autores Cristina Rivera Garza iu deshën dekada për të treguar historinë e motrës së saj Liliana, e cila u vra më 16 korrik 1990, në Mexico City. Për vite me radhë, Liliana po përpiqej t’i jepte fund lidhjes me të dashurin e saj, i cili ishte posesiv dhe i dhunshëm, sipas shënimeve dhe shkrimeve që la pas, shkruan Rivera Garza, profesore në Universitetin e Hjustonit, në librin e saj të ri “Vera e pathyeshme e Lilianës”.

“Disa javë para tragjedisë, Liliana më në fund mori një vendim përfundimtar. … Ajo do ta linte. Ajo do të fillonte një jetë të re. Ajo do të kryente studimet master dhe më pas ato të doktoratës; ajo do të udhëtonte për në Londër. Ai mendonte se ajo nuk do të kishte jetë pa të”, shkruan Rivera Garza.

Çështja e Lilianës nuk është zgjidhur ende, megjithëse kërkimi dhe libri i Rivera Garza-s kanë zbuluar informacione të rëndësishme për rastin.

Në një vend si Meksika, ku rreth 10 gra vriten çdo ditë, libri ka arritur të kapërcejë sferën letrare për t’u bashkuar me debatin intensiv social mbi rritjen e pakontrollueshme të femicideve dhe abuzimeve ndaj grave. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, “femicidi në përgjithësi kuptohet se përfshin vrasje të qëllimshme të grave sepse ato janë gra, por përkufizimet më të gjera përfshijnë çdo vrasje të grave ose vajzave”.

Në vitin 2021, në Meksikë u regjistruan 1004 femicide, një numër që rritet çdo vit që nga viti 2015, kur autoritetet filluan të regjistrojnë raste të tilla.

Pas punës intensive arkivore, intervistave me familjarë, miq dhe autoritete, përveçse bëri një ushtrim të ndershëm të kujtesës, Rivera Garza botoi një vëllim që i çon lexuesit në jetën e studentes së re si dhe në dëshirat dhe ëndrrat e saj. “Ndërsa ishte në këtë botë, ajo mori mundimin për të mbledhur dosjen e saj dhe unë e mora shumë seriozisht, sikur të ishte udhëzimi i saj për të treguar për jetën e saj, e respektova shumë atë që tha, pa u përpjekur të interpretoja”, tha Rivera Garza në një intervistë me Noticias Telemundo.

“Ne kemi vënë një email në dispozicion të publikut në mënyrë që ata të na dërgojnë informacione për rastin. Lexuesit kanë qenë shumë bujarë dhe kemi marrë të gjitha llojet e këshillave, një pjesë e informacionit na çoi tek zbulime të rëndësishme për rastin, ” tha Rivera Garza.

Megjithëse çështja e Lilianës nuk është zgjidhur, ka pasur progres kohët e fundit./ qika.org / KultPlus.com

Lea Ypi do të promovojë sot në Prishtinë librin ‘Të Lirë’

Më 5 janar nga ora 18:00, në librarinë Dukagjini në Prishtinë do të bëhet promovimi i librit “Të Lirë”, ku do të marrë pjesë edhe vetë autorja Lea Ypi.

Libri “Të Lirë” nga autorja Lea Ypi sjell perceptimin prej fëmije të Shqipërisë së rrënuar në komunizëm dhe në përpjekjet e saj drejt lirisë në post-komunizëm.

Ky roman është botuar në 15 gjuhë të ndryshme të botës./KultPlus.com

“Njohja e Shqipërisë” përmes librave, një udhëtim me autorë

 

“Sepse urat nuk janë bërë më gurë e zall, por me njerëz, me fjalë, me atë që jeton në zemrat e njerëzve dhe në historinë e tyre, në atë që ndërtohet me pasion, kujdes e dashuri”.

Ky ishte thelbi i takimit të parë të “Njohja e Shqipërisë përmes librave”, të iniciuar në Itali nga “Albania News”. I ftuari i parë ishte Livio Muçi, botues, profesor i Botimeve në Universitetin e Leçes dhe ish zyrtar i Einaudi, një punë që i kushtoi 30 vite të jetës së tij dhe themelues i shtëpisë botuese Besa, me qendër në Nardo në provincën e Leçes në Puglia.

“Një shtëpi botuese që lindi me vëmendjen e kushtuar atyre fushave letrare që janë penalizuar gjithmonë nga qarku i madh botues, dhe që është krenar për një flamur të veçantë: letërsinë nga Ballkani, të cilën ai konsideroi një thesar të kulturës së çmuar. Ekspertiza e tij, që vjen nga përvoja, një qëndrim proaktiv që vjen nga dëshira për të pasur sukses dhe pasioni i atyre që besojnë fort në atë që bëjnë”.

Gjatë takimit, që u moderua nga Arbër Agalliu dhe Denata Ndresa u bisedua për punën e madhe botuese të bërë prej tij për të mbrojtur kulturën dhe dinjitetin e një populli të larguar nga tokat e tij në kërkim të lirisë dhe një jete më të mirë. Një punë që nis të mbillet tashmë pas udhëtimit të parë të Muçit në Shqipëri, fundi i viteve ’80, dhe sot ka më shumë se 50 autorë shqiptarë dhe qindra libra nga trojet shqiptare, redaktuar dhe botuar nga Livio Muci Editore.

Por çfarë e bën një njeri të dëshirojë të shpëtojë një trashëgimi kulturore që nuk është e tija? Çfarë e shtyn një njeri të kalojë kufirin me Serbinë për të arritur në Kosovë dhe për të sjellë libra në gjuhën shqipe? Çfarë e shtyn jë njeri, botues, të shkëptet nga pjesa tjetër e vijës së tij botuese kombëtare dhe të zhytet në atë det që bashkon dhe ndan- dhe pastaj e gjen veten në anën e më të dobëtit. Mbase dashuria, sepse librat janë si dashuria. Ato ndryshojnë jetën tonë./ Albania News / KultPlus.com

Arbër Selmani promovon ‘Kosova në 14 tregime kulturore – 2’, në ndihmë fëmijëve me autizëm

Fotografitë: Laura Hasani

Personazhë që kanë kontribuuar në artin kosovar, përkundër veprës shpesh i mbulon pluhuri i harresës, por për të dokumentuar personazhë të tillë përmes librit, po kujdeset autori Arbër Selmani.

14 tregime të rrëfyera nga personazhë të tillë me një mjeshtëri dhe gjallëri emocionale, por të shkruara me një thjeshtësi magjepsëse, Selmani i ka sjell mbrëmë përmes ciklin e dytë të librit ‘Kosova në 14 tregime kulturore’, promovimi i secilit ndodhi në Librarinë Dukagjini në Prishtinë, shkruan KultPlus.

Libri përmbledhte gjithsej 14 intervista që në fokus kishin rrëfimin e karrierës dhe jetës së 14 personazheve si: Xhevat Syla, Mixha Ramë, Adelina Thaqi Meta, Agim Qena, Luan Hajra, Hana Cakuli, Lala Meredith-Vula, Naser Berisha, Rifat Kukaj, Bajram Bylykbashi, Malda Susuri, Zake Prelvukaj, Kenneth Andresen dhe Abdullah Konushevci. 

Ky promovim që rreth vetes kishte mbledhur shumë dashamir të fjalës së autorit, solli në vëmendje edhe kauzën e tij kryesore e që ishte mbështetja e fëmijëve me autizëm dhe shoqatës ‘Autizmi’ në Prishtinë, ku të gjitha mjetet e grumbulluara nga libri do të ju dedikohen atyre. Një iniciative kjo që është duartrokitur nga të gjithë e madje edhe ka frymëzuar edhe autorë të tjerë që të veprojnë njëjtë.

Ideja e autorit Arbër Selmani, ishte të krijojë një libër ku dokumentohet arti dhe kultura në Kosovë nga personazhë të ndryshëm dhe mosha të ndryshme. Personazhet në libër nuk barazohen, por ata janë një peshë e fushave të ndryshme të artit. Libri ka një format interesant sepse mund të prezantohet tek publiku si përfaqësim nga Kosova. 

Të pranishëm gjatë natës së mbrëmshme ishin edhe njerëz të cilët kanë kontribuar në artin dhe kulturën e Kosovës ndër vite, në një formë apo tjetër. E në mesin e tyre ishte edhe Xhevat Syla, njëri ndër personazhët e librit. Syla tregoi për KultPlus se përshtypjet e para të tij për idenë e librit ishin jashtëzakonisht të mira ku pastaj edhe pasoi zhvillimi i rrëfimeve në një bisedë mes Sylës dhe autorit i cili incizonte tregimet e rrëfyera në siluetën e atmosferës. 

Edhe pse vetë Syla gjithmonë bazohet në normën letrare, gjuhën letrare dhe shkruan në gjuhën standarde, megjithatë përjashtim ishin disa trajta të cilat janë shpalosur në dialektin gegë për qëllim të autencitetit të rrëfimit, prandaj veçantia e Arbërit, mahniti figurën e njohur Xhevat Syla, i cili në përfundim të tekstit ishte befasuar me përkujdesjen e madhe të Arbërit. Arsye e këtij befasimi ishte rrjedha e rrëfimit e cila morri kahje të lezetshme, të këndshme, të lirë dhe mjaft shoqëror. Syla iu drejta autorit “Mos qofsha në lëkurën tënde që të nxjerrësh tekstin nga ky rrëfim”.

Ndonëse vështirësitë nuk munguan për shkak të COVID-19, pasi pothuajse një viti angazhim, vjeshta solli realizmin e idesë që mbrëmë u kurorëzua me botimin e librit. Talenti, dëshira e madhe për librin dhe krijimtarinë lë prapa të gjitha pengesat e mundshme. Jeta është e pasur me një larmi shumëngjyrëshe dhe natyrisht njeriu ka çka të rrëfejë, prandaj ndoshta është edhe problem përzgjedhja e asaj se çka dëshiron të shprehësh. Por kjo përzgjedhje nuk ishte e vështirë për Arbër Selmanin i cili me një mjeshtëri dhe kujdes arriti në fundin e lumtur.

Në promovimin e këtyre tregimeve unike, Xhevat Syla nuk hezitoi që të thotë se arti është i pakufishëm, mundësitë e shprehjes ekzistojnë dhe nuk duhet që asnjëri të ngurrojë që të shfaq talentin, pavarësisht në cilën fushë i posedojnë ato. Po ashtu, ai sugjeron tendencën për perfeksionim, për të arritur synimin e dëshirave tona.

“Çka më la përshtypje është nocioni ‘tregime kulturore’, nocion ky i cili ndoshta del jashtë normave letrare dhe teorike por megjithatë e përgëzoj Arbërin për lirinë dhe guximin që ai t’i emërtojë ashtu sepse vërtetë ato edhe të tilla përjetohen. Ndjehem i nderuar që jam në mesin e gjithë personazheve të tjerë dhe që pata rastin të shpalosë diçka nga jeta ime, krijimtaria ime dhe mendimet e mia”, tha Syla për KultPlus.

Ndërsa, atmosfera letrare e cila shoqërohej me prezencën e aromave të librave, u përcoll edhe me përkujtimin e Agim Qenës, njëri ndër karikaturistët më të njohur kosovarë dhe autor i personazhit komik shumë të njohur “Tafë Kusuri”. E këtë përkujtim më së miri e shpalosi mbrëmë edhe motra e tij, aktorja e njohur Melihate Qena, e cila u shpreh për KultPlus se rrëfimi i botuar në këtë libër për Agim Qenën është një rrëfim i mirë, i ngrohtë, si pasojë e sinqeritetit të fëmijëve të Agim Qenës, të cilët me kujtimet dhe artin e thellë brenda tyre e shpalosin si mos më miri këtë tregim, gjithmonë duke vlerësuar qasjen objektive.

Kritikat nuk munguan as edhe për mungesën e respektit ndaj artistëve dhe artit në përgjithësi. Sipas Melihate Qenës, 20 vitet e fundit kanë qenë një periudhë jashtëzakonisht e vështirë për artistët, ndonëse ajo beson që kjo mund të tejkalohet por me shumë vështirësi, gjë që s’duhej të ndodhte në një shtet të ri si Kosova i cili do të duhej të kishte një vizion më të gjerë sepse pa kulturë nuk ka as shtet, pa kulturë nuk ka as civilizim, pa kulturë njeriu nuk është njeri.

“Arti është vetë jeta, ku thellimi në botën e brendshme është padyshim një shpëtim”, përfundon Qena.

Pra, këto katërmbëdhjetë tregime dhe rrëfime përmbajnë njerëz të fateve të ndryshme, që shënuan dhe ende shënojnë kulturën dhe artin shqiptar, e përmes këtij libri do të mbesin dëshmi edhe për gjenerata e ardhshme.

Komentet pozitive nuk munguan as për shkrimtarin, Arbër Selmani, i cili deri më sot ka botuar dy libra. Ai gjithashtu është shumë i njohur edhe për poezitë e tij, e në veçanti për poezinë ‘Kur vdiq baba’, e cila deri më sot është përkthyer në shumë gjuhë të botës dhe ka marrë një shpërndarje të madhe në rrjetet sociale, e ku së fundmi është botuar edhe në revistën e njohur amerikane ‘Songs of Eretz Poetry Review’.

Selmani ka bërë të ditur për KultPlus se krahas kësaj ai do të bëjë edhe një përmbledhje të shkrimeve të tija letrare, pjesë e së cilës do të jetë edhe poezia ‘Kur vdiq baba’. Ndërkohë ai do të vazhdojë edhe në të ardhmen për të botuar libra për të ndihmuar kauza të tjera, po njëlloj edhe si ajo e mbrëmshmja, mbështetja për fëmijët me autizëm.

Në mesin e falënderimeve autori për ndihmën e realizimit të librit falënderon Komunën e Prishtinës posaçërisht Adrian Berishën dhe Blerta Bashollin. Kurse në veçanti edhe gazetën KultPlus, ku u botuan fillimisht këto tregime.

Për të gjithë të interesuarit librin mund ta gjeni në librarinë Dukagjini, librarinë Buzuku, librarinë Artini – Toena, SOMA Book Station, Dit’ e nat’, KultPlus Caffe Gallery dhe Project Space (Shtatëmbëdhjetë). Po ashtu mund të blihet edhe nga shqiptarët në diasporë, me anë të platformës, Librariashqiptare.ch . Dërgimi bëhet në të gjithë Evropën. / KultPlus.com

Arbër Selmani dhe Vlora Konushevci botohen në revistën e njohur amerikane “Songs of Eretz Poetry Review”

Poezitë e dy autorëve të njohur nga Kosova, Arbër Selmanit dhe Vlora Konushevcit, janë botuar në revistën e njohur amerikane “Songs of Eretz Poetry Review”, misioni i të cilës është të sjellin pak më shumë poezi dhe art të mirë në botë, shkruan KultPlus.

Vlora Konushevci është bërë pjesë e revistës përmes tri poezive të saj në gjuhën angleze: “Fllanzat”, “Kokrra rrushi” dhe “Letër nga karantina”, ndërsa Arbër Selmani me poezinë “Kur vdiq baba”, një poezi e cila po pëlqehet jashtëzakonisht shumë nga lexuesit.

Ajo që i bën poezitë e kësaj reviste unike është se e paraqesin poetin po aq sa poezinë. Secila poezi paraqitet me mendime, çiftëzohet me vepra arti (me përjashtime të rralla si për poezitë konkrete), dhe shoqërohet me bio të poetit, shënime të poetit (nëse poeti dëshiron), nganjëherë edhe një shënim të një redaktuesi.

Revista Letrare “Songs of Eretz Poetry Review”, është krijuar në vitin 2014 në SHBA. Ajo ka publikuar poetë dhe autorë me letra kredenciale mbresëlënëse, duke përfshirë: Poetin Laureat aktual të Shtetit, tre ish-poetë laureat të shtetit, dy ish- poetë laureat lokal, fitues të Çmimit Brams Stoker, fitues të Çmimit Emerson, fitues të Çmimit Pushcart, fitues të Çmimit të Poezisë William Stafford etj.

Shumica e poetëve të botuar në këtë revistë letrare kanë publikuar botime në revista të tjera prestigjioze. Shumë prej tyre gjithashtu janë poetë tashmë me një bagazh të pasur letrar. Ndërkaq të tjerët janë poetë dhe shkrimtarë të ardhshëm, zëri i të cilëve sapo ka filluar të dëgjohet. Kjo revistë letrare përfshinë poetë dhe shkrimtarë nga të gjitha shtetet e ShBA-ve, ndërkaq nga arena ndërkombëtare poetë që kanë kontribuar në “Songs of Eretz Poetry Review”, janë nga: Australia, Kanada, Kina, Anglia, Franca, Greqia, India, Irlanda, Izraeli, Italia, Holanda, Zelanda e Re, Pakistani, Filipinet, Rusia, Skocia, Spanja, Turqia, Vietnami dhe tashmë edhe Kosova. / KultPlus.com

‘Natën kur yjet u vranë’ i autores së re Dea Basha, secila poezi fryt i një momenti unik

Me botimin e librit të saj të parë, Dea Basha nis një rrugëtim i cili jo gjithmonë ka një tapet të shtruar përpara, e sidomos pa pasur mbështetje, e cila ofrohet më së miri nga familja, tregon Dea. Në çdo hap të jetës dhe në realizimin e ëndrrave, përkrahësja më e madhe e saj ishte tezja, e cila edhe pse nuk jeton më, mbetet gjithmonë forca dhe shpresa e saj, shkruan KultPlus.

Libri ‘Natën kur yjet u vranë’ i Dea Bashës i cili u botua këto ditë, ndahet në tre pjesë kryesore, ku në total përmban gjithsej 60 poezi, të ngjashme për nga tematika, por të ndryshme për nga mënyra e trajtimit. Motivet janë ato që pikasin më së miri diferencimin në mes të tri pjesëve. Në pjesën e parë të titulluar ‘Kalipso’, hasim një ndjeshmëri, një brishtësi e ndjenjës, një dashuri e gërshetuar me dëshpërim dhe dhembje. Ndërkohë në anën tjetër, romanca e cila trajtohet në pjesën e dytë, të titulluar ‘Leucosia’, në të cilën mbizotëron erotika, së bashku me trishtësinë, mallin dhe melankolinë, të cilat shndërrohen në efekte që ndezin pishtarët e Erosit. Ashtu si dashuritë e zjarrta që konsumohen shpejt, edhe ky cikël është më i shkurtër nga dy të tjerët. Pjesa e tretë ‘Empusa’ qëndron në kontrast me dy pjesët e para. Poezitë e këtij cikli janë sa brutale dhe të vrazhda, po aq edhe të drejtpërdrejta dhe të fshehta. Një paraqitje e pazakontë ku imagjinata, makthi dhe realiteti gërshetohen mahnitshëm.

E gjithë vepra është rezultat përmbledhës i një pune tre vjeçare të autores, një punë kjo e realizuar spontanisht, që filloi si shfrenim pasionesh në letër, por fundin e saj e njohu në formën e një libri. Padyshim që secila poezi është fryt i një momenti unik, produkt i një kohe të jetuar, andaj edhe paraqitja e sentimentit në kulminacion, është zgjedhja e preferuar e autores nga Prishtina. Po ashtu nuk kanë munguar as sfidat e hasura përgjatë procesit të shkrimit, ku më e vështira ishte sistemimi i mendimeve dhe koordinimi i tyre në nivel me spektrin emocional.

“Nuk është e pamundur për tu arritur, por e domosdoshme”, thekson Dea për KultPlus.

“Natën kur yjet u vranë”, jo rastësisht, libri ka këtë titull që bazohet në njërën nga poezitë, me po të njëjtin emër, e përfshirë në përmbledhjen poetike dhe duke marrë parasysh përmbajtjen e poezisë përkatëse e cila njëkohësisht përfaqëson thelbin e tërë veprës. Secili lexues, varësisht nga formimi individual, arrin të konceptojë vetvetiu anën përmbajtësore, mirëpo tre elementet që paraqiten në titull: ‘Natë’, ‘Vdekje’ dhe ‘Yje’, të japin një ide të qartë se natyra e veprës karakterizohet nga një kompleksitet ndjenjash, duke filluar nga më të errëtat, e deri tek ato që verbojnë pamëshirshëm.

Qëllimi kryesor i veprës është prezenca e emocionit, me ç ’rast prania e tij shpie në shmangien e vargjeve të thata, boshe ose të mangëta. Përmes kësaj vepre, i pranishëm është edhe komunikimi me lexuesin, në mënyrë indirekte ku prezantohet një plan spiritual, me anë të së cilës të ndjehesh i kuptuar, është një ‘përsosmëri e lirisë’ nga çdo lloj paragjykimi.

“‘Fool’, said my muse to me. Look in thy heart and write.” – Sir Philip Sidney. Njëra nga kuotat e famshme, “Mjafton të shikosh brenda zemrës, dhe aty gjen muzën e vërtetë, atë që jeton së bashku me poetin duke njohur rrënjësisht secilën dridhje të shpirtit njerëzor”, veçon Dea.

“Dashuria, ky fenomen kaq tokësor por në të njëjtën kohë kaq hyjnor, përherë mbetet një nga temat më së shpeshti të trajtuara në kuadër të çdo fushe të artit. Në kuadër të letërsisë, motivi i dashurisë shpaloset në forma dhe trajta nga më të ndryshmet. E në të vërtetë, e tillë është kjo ndjenjë kaq sublime për të cilën nuk hezituan të shkruajnë poetët, që nga antikiteti e deri më sot. Dashuri e realizuar, e pamundur, e ndalur, e njëanshme, platonike, egoiste e toksike, e sa e sa epitete tjera që i kemi dëgjuar pambarisht. Por të dashurosh në vetmi duke mos u ndikuar nga askush dhe asgjë, është akti më i pastër dhe më i bukur. Andaj dhe në hyrje të veprës është vendosur citati, “All I loved, I loved alone”, nga autori amerikan Edgar Allan Poe, i cili ende ruan vendin  më të veçantë në radhët e autorëve më të dashur”, thotë Dea.

Teksa flet për periudhën e krijimit, Dea shpreh edhe arsyen bazë se pse vendosi që ajo të dizajnojë kopërtinën e librit. Dëshira që çdo element artistik i përfshirë në këtë botim, të jetë origjinal. Arsyeja sekondare është që lexuesi të krijojë një përfytyrim të saktë mbi mënyrën se si funksionon fantazia mbi të cilën thur vargjet. Piktura dhe poezia nuk ndahen nga njëra-tjetra, ndërkohë që padyshim shfaqen në forma  të ndryshme, të cilat kanë po të njëjtat rrënjë inspirimi.

“Një e ardhme pa letër, penë, bojë dhe kanvas, nuk e dua fare. Përndryshe do thoja: ‘… and the rest is rusk and stardust’ – Lolita, Nobokov. Çdo njeri ka diçka për të ofruar nga vetja dhe nuk duhet të stepet përballë asgjëje. ‘Bë art dhe je art’, sepse ne jemi bota dhe bota është kryevepra jonë”, përfundon autorja e re.

Poezia më identifikuese që publiku veçon, është poezia ‘Mizar’, nëpërmjet së cilës dallohet thjeshtësia e fjalëve, shkrirja totale e autores, ndërkohë që Mizari është ylli i saj, një burim i pashtershëm i frymëzimit poetik.

                                        “MIZAR”

Lësho  misteret e fjetura mbi tufanin e natës së mllefosur,

  të cilën e maltretoj në Alkatrazin që drejtoj shpirt  pas

                                          shpirti.

        Të kërkoj dorën nën këto erëra zemërbardha,

             buqeta vërtitet në ballkonin e harruar.

                               Më marto me atë,

 qe kuptimin gjithherë tjerr në dashuritë e përjetuara,

                    zgjuar prej zjarri të mirëfilltë.

                                 Ti, vetëm ti,

           rezervon veshët ndaj dëgjimit të fjalëve,

                stërngopur në helm keqtrajtimi.

              Që nga brendia shpërthen esenca,

          lidhur në flatrat e operës shkatërruese.

                 Dhëmbi i flet tjetrit, fqinji im,

          ta lësh zemrën time të vetmuar të fle,

    krah yllit që tërheq telat e pasionit të dënuar.

                             Shko pas asaj,

         që floku i kushton dedikime të pastra,

                     shembëlltyrë qetësie,

reflekton përkëdheljet ndër fijet bashkuar në dritë.

                Shtrihem në rrezen e ballit tim,

                         ende arrij ta kujtoj,

        nga ditët në tokën e ëngjëjve të baltës.

            Lumenjtë e syve lotues luajnë,

             me qiellin e së njëjtës ngjyrë.

               Të thërras me tufat e reve,

           dhe njësoj si ti i tymos ëndrrat,

          poshtë rruzullimit qiellor nga ku,

          sec më kujtohet dialog i shkretë,

     kambanë e përhumbur mes planetësh.

      Një shtrëngim vërsulet aty ku ngrita,

                 kurthin e lumturisë,

        që aq shumë u  përpoqa ta ruaj.

Ti djallë, kthehu në dheun ku një nga një groposa,

 viktimat e ligësisë që si e pushtuar i dashurova.

        Mizari im, trokitës në kristalet ngrirë

                      në pafajësi fëmijë.

   Më thuaj, me gjuhën që flitet përtej tokës,

               më trego dyndjet e trishta,

        të një stuhie në jug të kontinentit.

           O dashuri mbi cdo dhembje,

       kënaqësi e dëshirës përvëluese,

ylli  i dytë në konstelacionin Ursua Major,

  bashkëshorti im, ai që huazoi hijeshitë

             kushtuar natyrës që po vdes,

 e vendosi të ndritshmet diamante në fustanin e nusërisë.

             Betimin e shkruajta me puthje,

                 njomur në zjarr diellor.

       E jotja është bukuria marramendëse,

         ndaj së cilës  si akull shkrihem,

  për të shoqëruar në natën e parë të dashurisë.

Më fshih në sekretet qe i pëshpërit Alkorit në vajtim,

            të ruhem nga ky terr i cili me vrap,

  po ngjet pallatatet duke i rrënuar nga zemërimi.

             E vetmja torturë që përgjon,

  mendimet e kësaj koke të rënduar në mëkat.

                       A do t’i besosh,

prehja e ankthit të cilin përtyp për të munduar vetveten,

     pasojës që u bë shkak i vdekjes sime njerëzore?

         Forcat e cliruara më zvarrisin mesazhe,

        e  unë ndrydh ndjenjat në formë drapri.

                      Se e pres prej teje,

I shtrenjti dënim t’më hudhet nga iluminimi rrjedhës,

             prej afsheve tua mbinjerëzore.

                 Perfundo këtë vuajtje,

 ashtu sic më ngrite në qytetin tënd të dritës,

                 poshtë të më lëshosh,

       me delikatesën e vrapit të thëllënzës.

Do të kaloj vitet e mbetura pas hekurave të frikës,

   të cilëve do t’u bëj ballë me njërën dorë,

                  aty ku mbaj rrethin,

          në të cilin ringjallet yjësia,

               në gishtin e unazës,

       ku fsheha lotët e histerisë sime. 

Biografi e autores

Dea Basha u lind më 5 Mars 2002 në Prishtinë. Shkollimin fillor dhe të mesëm e kreu në Shkollën “Dardania”, kurse shkollimin e mesëm të artë e përfundoi në Gjimnazin “Xhevdet Doda” në Prishtinë. Aktualisht është studente e vitit II në Fakultetin Filologjik, dega Letërsi Shqipe, në UP “Hasan Prishtina” në Prishtinë. / Era Berisha / KultPlus.com

Botohet libri ‘Lirika e dashurisë’-Arapi dhe Shkreli, të autores Serafina Lajçi

Këto ditë Shtëpia Botuese ‘Olymp’, botoi veprën me studime letrare me titullin  ‘Lirika e dashurisë” Arapi dhe Shkreli, të autores Serafina Lajçi, përcjellë KultPlus.

Objekt i këtij studimi është lirika e dashurisë e poezisë së Fatos Arapit dhe Azem Shkrelit. Kjo lirikë, e shprehur me një figuracion të pasur dhe me një mjeshtëri poetike është ndër lirikat më të realizuara të dashurisë në poezinë shqipe. Krijimtaria poetike e këtyre dy poetëve të mirënjohur, Arapi dhe Shkreli, e pasuroi poezinë shqipe me elemente, veçori dhe tendenca të reja ideoartistike dhe stilistike.

Arapi dhe Shkreli, krijuan në një kohë të përbashkët, i pari në gjysmën e dytë të viteve ’50, dhe i dyti në etapën e parë të këtyre viteve, atëherë kur letërsia shqipe i ishte nënshtruar censurimit të saj, si pasojë e problemeve të shumta ideologjike, në mes të ish Jugosllavisë dhe Shqipërisë. Kjo ndikoi që letërsia e Kosovës për periudha kohore të caktuara, të mbetej krejtësisht e larguar dhe e veçuar nga letërsia që krijohej brenda territorit të Shqipërisë. Në këtë periudhë kohore, zë fill krijimtaria poetike e Arapit dhe e Shkrelit, e cila duke filluar rrugëtimin e saj nga trevat rajonale të Vlorës dhe të Rugovës, erdh dhe u zhvillua më tej, duke zënë vend në panteonin e vlerave të poezisë shqipe.

Poezia e tyre, e përshkruar nga motive të shumta, shpërfaq spektre të gjera që sjellin koloritin e mjedisit të cilit i përkasin poetët, duke u nisur kështu nga vetvetja, drejt një konceptimi universal. Krahas lirikës atdhetare, sociale, meditative, të peizazhit, që zë një pjesë të konsiderueshme të krijimtarisë poetike të tyre, lirikae dashurisë tek këta dy poetë, mund të thuhet më shumë të drejtë që arrin kulmin e talentit të tyre krijues. Dashuria për gruan, dhembja që sjell kjo dashuri, tensionimi dhe çekuilibrimi shpirtëror, reflektohet fuqishëm në vargun poetik të Arapit dhe të Shkrelit.

Kjo lirikëe dashurisë që i përshkon poezitë e këtyre dy poetëve, ndonëse nuk shfaq vëllimshmëri, në krahasim me motivet e tjera të poezisë së tyre, zë një vend të veçantë në lirikën erotike shqipe. Nëse tek Arapi, tema e dashurisë është e pranishme që në fillimet e tij poetike, por që më vonë shkon duke u rrudhur, tek Shkreli, lirika e dashurisë zë një vend të rëndësishëm, ndonëse jo me vëllim të madh.

Duke u nisur nga ky aspekt dhe duke marrë parasysh konceptin e ndryshëm tematik dhe motivor të këtyre poetëve për dashurinë, studimi i nënshtrohet dy metodave, metodës analitike, përmes së cilës do të njihet më afër poezia e tyre erotike me të tëra elementet e saj, dhe asaj krahasimtare, që do t’i vë ballë për ballë Arapin dhe Shkrelin, qëllim ky që do të shërbejë për t’i njohur më mirë veçantitë e njërit kundrejt tjetrit. Thelbi i lirikës erotike të këtyre dy poetëve, në mënyrë përmbledhëse do të shpaloset bashkë me historikun dhe zhvillimin periodik të lirikës në përgjithësi, veçmas asaj shqipe, për të shpalosur kështu një informacion më të plotë tëlirikës erotike dhe rrugëtimit të saj nëpër kohë, si dhe vendin e caktuar të Arapit dhe të Shkrelit në të.

Studimi është i ndarë në disa kapituj: “Etimologjia e poezisë lirike, (termi, tipat, zhvillimi historik)”, “Në vend të biografisë, Arapi dhe Shkreli, Deti dhe Mali”, “Lirika e dashurisë në fillimet e krijimtarisë poetike- etapa e parë”, “Lirika e dashurisë në etapën e dytë krijuese”, “Në botën poetike erotike të Arapit”, “Një vështrim mbi mjeshtërinë dhe veçantinë krijuese të Arapit dhe të Shkrelit” dhe Përfundimi.

Tek kapitulli i parë, sikundër u cek më lart, do të shpaloset historiku i lirikës, që nga antikiteti gjer në kohët e sotme, duke u ndalur në manifestimin e lirikës erotike dhe vendin e saj në letërsinë shqipe, që nga krijimet popullore gjer tek poezia bashkëkohore; tek kapitulli i dytë, do të vihet në pah binomi deti-mali, si komponent i rëndësishëm në poezinë erotike të Arapit dhe të Shkrelit; tek kapitulli i tretë do të trajtohen fillimet e poezisë erotike të këtyre dy poetëve, gjegjësisht konceptimi dhe qasja e tyre mbi dashurinë dhe ndikimet e tyre të para; tek kapitulli i katërt do të veçohet krijimtaria poetike e Shkrelit, gjegjësisht vëllimi “E di një fjalë prej guri”; tek kapitulli i pestë poezia erotike e Arapit, elementet dhe veçantitë e saj; tek kapitulli i gjashtë do të shpalosen veçoritë e poetikës, stili, figurshmëria dhe veçantitëkrijuese të Arapit dhe të Shkrelit, si dhe pjesa e fundit e që është përfundimi.

Duke iu qasur në mënyrë sa më përfshirëse lirikës së dashurisë të këtyre poetëve, synohen të arrihen qëllime dhe rezultate të caktuara. Duke e vënë në pah fazën e parë të krijimtarisë poetike të tyre, gjegjësisht poezinë e dashurisë në fillimet e saj, dhe duke e gërshetuar, krahasuar me atë të periudhave më të mëvonshme, do të arrihet një njohje më e plotë e konceptit krijues të këtyre poetëve mbi dashurinë, të ndryshimeve dhe të zhvillimeve që do të shfaqë ky lloj i poezisë së tyre gjatë etapave krijuese të saj.

Biografi e autores

Serafina Lajçi u lind më 17.07.1989 në Pejë, ku kreu shkollimin fillor dhe atë të mesëm. Vijoi studimet bachelor dhe master në Universitetin e Prishtinës, në Fakultetin e Filologjisë, Dega e Letërsisë Shqipe, ku aktualisht është duke ndjekur edhe studimet e doktoratës.

Interesimi i saj profesional lidhet kryesisht me veprat e autorëve romantikë shqiptarë, me fokusim tek ‘Poema romantike arbëreshe’ që është orientimi i saj kryesor në studimet e doktoratës.  

Ka botuar shkrime, recensione dhe studime në gazeta e revista letrare-kulturore, brenda dhe jashtë vendit, duke marrë pjesë edhe në konferenca të organizuara ndërkombëtare për letërsinë.

Aktualisht, punon si asistente e rregullt në Universitetin e Prishtinës, në Fakultetin e Filologjisë. / KultPlus.com