Erzen Shkololli emërohet kurator i edicionit të pestë të Autostrada Biennale, 2025

Autostrada Biennale në Prizren njofton me kënaqësi se Erzen Shkololli është përzgjedhur kurator i edicionit të 5-të, i cili do të mbahet prej 5 korrikut deri më 5 tetor 2025.

Autostrada Biennale u themelua në vitin 2014 me misionin për të përdorur artin bashkëkohor si një mjet për të fuqizuar komunitetin dhe për të nxitur kreativitetin me vizionin e një të ardhmeje më gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme.

Me këtë rast, bashkëthemeluesit e Autostrada Biennale Leutrim Fishekqiu, Vatra Abrashi dhe Barış Karamuço, deklaruan: “E mirëpresim emërimin e Erzen Shkolollit kurator të edicionit të 5-të të Autostrada Biennale. Ekspertiza e gjerë e Shkolollit dhe bashkëpunimi i tij me institucione vendore e ndërkombëtare dhe artistë të shumtë nga rajoni dhe bota i përshtatet në mënyrë të përkryer karakterit të Bienales. Erzeni bëhet kuratori i parë kosovar i bienales dhe bashkëpunimi ynë me të synon të përmbushë njërin prej qëllimeve tona për shndërrimin e artit në një forcë, që sjell ndryshime pozitive dhe mirëqenie.”

Erzen Shkololli – (1976) është artist dhe kurator. Aktualisht, ai është kurator i përgjithshëm i galerisë Cukarna në Ljubljanë. Shkololli ka udhëhequr suksesshëm disa institucione të artit, përfshirë Galerinë Kombëtare të Arteve të Shqipërisë (2018–2022) dhe Galerinë Kombëtare të Arteve të Kosovës (2011–2015). Nën udhëheqjen e tij, të dy institucionet kanë kaluar nëpër transformime të rëndësishme. Krahas roleve të tij në institucione, Shkololli ka shërbyer si komisioner i pavijonit inaugurues të Kosovës në Bienalen e Venecias (2013) dhe ka kuruar ekspozita ndërkombëtare, duke përfshirë Edi Hila: Piktori i transformimit (2018), bashkëpunimi ndërmjet Galerisë Kombëtare të Arteve në Tiranë, Muzeut të Artit Modern në Varshavë dhe Koleksionit Kontakt në Vjenë; Ne jetojmë mbi një yll (2016), edicioni i dytë i Trienales Hannah Ryggen, i ekspozuar në Ørland dhe Nordenfjeldske Kunstindustrimuseum, Trondheim; Bota nuk do të dëgjojë (2007) në Punëtorinë e Artit Lazareti, Dubrovnik; Historia filloi të luante me jetën time (2007) në Digital Art Lab (DAL), Holon, Izrael; dhe Rishfaqja (2004) në Muzeun e Kosovës, Prishtinë. Shkololli shërbeu si këshilltar kuratorial i documenta 14. Ai u nderua me bursën DAAD Artists-in-Berlin (2008/2009) dhe Premio Michetti nga Fondazione Michetti (2001). Në vitin 2013 bashkëthemeloi Institutin e Artit Bashkëkohor EXIT në Pejë. Veprat artistike të Shkolollit janë ekspozuar në Stedelijk Museum në Amsterdam, Centre Pompidou në Paris, Tate Modern në Londër dhe MUMOK në Vjenë.

“Jam i nderuar me këtë emërim prestigjioz. Si kosovari i parë i ftuar për të kuruar Autostrada Biennale-n në Prizren, ndjej një respekt të thellë dhe i gëzohem mundësisë së bashkëpunimit me një nga platformat më të rëndësishme të artit bashkëkohor në Kosovë dhe në rajon. Për mua, kjo është një sfidë dhe një përgjegjësi e madhe, të cilën po e pranoj me entuziazëm dhe ambicie. Mezi pres të bashkëpunoj ngushtë me ekipin e jashtëzakonshëm të biennales, për të sjellë artistë në Kosovë dhe për t’i zbatuar projektet e tyre. Shpreh mirënjohjen time të përzemërt për themeluesit e bienales Leutrim Fishekqiun, Vatra Abrashin dhe Barış Karamuçon, për këtë mundësi të veçantë,” tha Shkololli.

Si i vetmi institucion i artit bashkëkohor në Prizren, Autostrada Biennale ka dy funksione – organizimin e ekspozitës ndërkombëtare të artit bashkëkohor që mbahet çdo dy vjet, që nga viti 2017, dhe Autostradën Hangar, hapësirën për edukim, krijim dhe ekspozim në ish-bazën ushtarake të KFOR-it gjerman (tani, Parku i Inovacionit dhe Trajnimit). Me këtë të fundit, ne kemi zgjeruar platformën tonë, duke e parë procesin e krijimit të artit si formë të qëndrueshme të të mësuarit dhe shkëmbimit, që u përgjigjet nevojave të komuniteteve artistike. Autostrada Biennale gëzon mbështetjen e një game të gjerë institucionesh, artistësh e artdashësish. Kjo platformë ka zhvilluar partneritete të suksesshme me organizata dhe institucione të ndryshme, duke përfshirë Fondacionin Allianz, Ministrinë e Kulturës në Kosovë, Komunën e Prizrenit, Komunën e Prishtinës, Fondacionin për Iniciativa Artistike, Ambasadën Amerikane në Prishtinë, ITP Prizren, e shumë të tjerë.

Kuratorët e mëparshëm të Autostrada Biennale-s ishin: 2017: Manray Hsu, 2019: Giacinto Di Pietrantonio dhe 2021 & 2023: Joanna Warsza dhe Övül Ö. Durmuşoğlu. / KultPlus.com

Autostrada Biennale prezanton konceptin kuratorial, artistët e ftuar dhe programin e hapjes së edicionit të 4-të

Austostrada Biennale ka prezantuar konceptin kuratorial, artistët e ftuar dhe programin e hapjes së edicionit të 4-të me radhë. Nga tridhjetë projektet e shfaqura këtë vit, shtatëmbëdhjetë janë komisione të reja të cilat i përgjigjen kontekstit lokal dhe shtjellojnë temat e autobiografive kolektive, arkivave kulturore, kujtesës shumëdrejtimëshe si dhe shpresës dhe këmbënguljes.

Artistët e Edicionit të 4-t të Autostrada Biennale: 

 Prizren          

Agnes Denes, Anna Boghiguian*, Bajram Mehmeti, Bella Rune, Blerta Haziraj*, Bouchra Khalili, Dardan Zhegrova*, Darinka Pop-Mitić*, Hong-Kai Wang, Gözde İlkin*, Ivo Nikić*, Kameelah Janan Rasheed, Kostas Bassanos*, Luchezar Boyadjiev, Michael Rakowitz*, Mila Panić*, Nathan Gray and the Juluwarlu Group Aboriginal Corporation*, Nil Yalter, Neda Saeedi*, Núria Güell, Open Group*, Oscar Lara, Sebastián Díaz Morales & Ruangrupa, School of Mutants*, Selma Selman, Vatra Gallery*, Xhevdet Xhafa 

Prishtina       

Agnes Denes, Hera Büyüktaşcıyan* 

Mitrovica      

Alban Muja*, Rena Rädle & Vladan Jeremić* 

Organizatorët e Autostrada Biennale përmes një komunikate kanë dërguar edhe disa porosi të reja se cfarë ata dëshirojnë të arrijnë përmes këtij edicioni e të cilat KultPlus ju sjell më poshtë:

Çfarë ne dëshirojmë – me njohuri lokale dhe dituri nga anën jonë – është të bëjmë një ndryshim të vogël përmes artit dhe të adresojmë të paarkivueshmen. Jemi të nderuar të vazhdojmë këtë rrugëtim që kemi nis në vitin 2020 dhe të shohim se si institucioni ynë pritës është rritur dhe vazhdon të rritet, thonë kuratoret Joanna Warsza dhe Övül Ö. Durmuşoğlu. Ju mund të lexoni deklaratën e tyre të plotë këtu dhe të shihni programin e hapjes këtu

Autostrada Biennale funksionon në dy shpejtësi, njëra është bienalja ndërkombëtare e cila zhvillohet që nga viti 2017, dhe tjetra është hapesira jonë me programin e saj të vazhdueshëm për edukim dhe prodhim – Autostrada Hangar. Ne e konsiderojmë prodhimin e artit si një formë të qëndrueshme të të mësuarit dhe shkëmbimit që adreson nevojat e komuniteteve. Për edicionin e ardhshëm të Autostrada Bienales, ne jemi krenarë që prodhojmë një numër të konsiderueshëm të veprave të reja të porositura rishtazi në hapësirën tonë Autostrada Hangar, thonë drejtorët themelues të Autostrada Biennale, Leutrim Fishekqiu, Vatra Abrashi dhe Barıs Karamuço. 

Ky edicion është i kuruar në bashkëpunim me CuratorLab 2022/23, një program studimi për profesionistë në Universitetin e Arteve Konstfack në Stockholm: Andria Nyberg Forshage, Áron Rossman-Kiss, Giulia Menegale, Giovanni Giacomo Paolin, Hana Halilaj, Hala Alnaji, Hampus Bergander, Ieva Laube, Maximilian Lehner, Orestis Mavroudis. 

Edicionit të 4-t i Autostrada Biennale është bërë i mundur me mbështetjen bujare dhe partneritetin e Allianz Foundation, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Komuna e Prizrenit, Komuna e Prishtinës, Komuna e Mitrovicës, Foundation for Art Initiatives, Ambasada Amerikane në Prishtinë, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, GIZ dhe ITP Prizren, 7 Arte, SAHA Foundation, ERIAC, Ambasada Franceze, Goethe Zentrum Prishtina dhe HBS. Gjithashtu, Autostrada Biennale është mirënjohëse për kontributin e çmuar të bashkëpunëtorëve të shumtë individualë të punës dhe bisedave në Prishtinë, Prizren dhe Mitrovicë, të cilët e bënë të mundur realizimin e këtij edicioni. 

Ekspozita premton takime të paparashikueshme brenda dhe jashtë Prizrenit, në gjeografi të mëtejshme dhe të imagjinuarat e tyre. / KultPlus.com

Të shtunën u hap ekspozita “Tregimi i Autostrada Hangar”

Të shtunën u hap ekspozita “Tregimi i Autostrada Hangar”, qëllimi i së cilës ishte që të ndahet me publikun, historia e rrugëtimit drejt krijimit të institucionit të artit bashkëkohor “Autostrada Hangar”.

Në hapjen solemne morrën pjesë me fjalimet e tyre: bashkëthemeluesja e Autostrada Biennale, Vatra Abrashi, ministri i Kulturës Çeku, kryetari i Prizrenit Totaj, përfaqësusja nga GIZ, Qerimi dhe shumë mysafirë, miq, partner dhe mbështetës të Autostrada Biennale.

Mbrëmja vazhdoi me performancën muzikore nga Jazz Trio franceze “Contraccordiano”, shoqëruar nga vokalisti Claude Vadas e cila u mbështetet nga Ambasada Franceze në Prishtinë. Nata u përmbyll me performancë muzikore të mrekullueshme nga DJ Adrian.

Duke e parë që ka interes shumë të madhë të audiencave lokale dhe ndërkombëtare për tu njoftuar me procesin e krijimit të hapësirës dhe programeve, Autostrada Biennale e ka parë si shumë të nevojshme organizimin e kësaj ekspozite e cila do të jetë e hapur për publiku çdo ditë nga dita e hënë deri të shtunën prej orës 10:00 deri në 17:00 në Autostrada Hangar (Parku i Inovacionit dhe Trajnimeve në Prizren). / KultPlus.com

Autistrada Biennale me thirrje të hapur për programin e edukimit

Autostrada Biennale po fillon me klasa të reja në hapësirën e saj të edukimit dhe prodhimit në Autostrada Hangar.

Afati i fundit për aplikim është data 20 Tetor 2022.

Klasat e punëtorive do të fillojnë nga 29 tetori 2022 dhe do të përfundojnë me 22 prill 2023 (Çdo të shtune).

“Autostrada Biennale është në kërkim të të rinjëve të moshës 18-28 vjeç të interesuar për t’i zgjeruar aftësitë dhe njohuritë e tyre në klasat e mëposhtme:

  • Studio e Dizajnit Industrial që përfshin projektimin dhe fabrikimin e drurit, metalit dhe tekstilit.
  • Komunikimi dhe Mediat e reja që përfshin fotografinë dixhitale, filmin dixhital, dizajnin grafik, gazetarinë dhe shkrimin.
  • Koncepti i përgjithshëm i klasave:

“Si vazhdimësi e programit të edukimit dhe prodhimit të Autostrada Hangar në ITP Prizren, ne do ta zhvillojmë projektin e ri të quajtur “Hapësirat e Përbashkëta”, i cili do të shërbejë si vend takim për të rinjtë dhe komunitetet e ndryshme, ku do të kenë mundesinë të kultivojnë komunikimin ndër-etnik mbi çështjet sociale, kulturore, ekonomike ose mjedisore në nivel lokal”, thuhet në njoftim.

“Me të rinjtë nga këto komunitete, në kuadër të programit të edukimit do t’i dizajnojmë dhe prodhojmë disa hapësira të jashtme që do të shërbejnë si zona vendtakimi. Të rinjtë duke u bërë pjesë e dizajnimit dhe krijimit të hapësirave të përbashkëta, do të bëhen pjesë e zhvillimit, për të sjellë diskutime dhe ndryshime pozitive. Ky program i edukimit do të jetë një mundësi unike për të rinjtë që t’i shprehin dhe realizojnë idetë e tyre.”

Kush mund të aplikojë?

Klasat janë të hapura për të gjithë të rinjtë nga rajoni i Prizrenit dhe nga Kosova në përgjithësi duke filluar nga mosha 18-28 vjeç, ku inkurajohen që burrat dhe gratë nga të gjitha komunitetet të aplikojnë.

Këto klasa të punëtorive do të ofrojnë shkathësi dhe njohuri të nivelit bazik që do të sigurojnë një bazë të fortë për pjesëmarrësit të cilët do të mund t’i zhvillojnë këto njohuri më tutje.

“Ne i mirëpresim të gjithë, pa marrë parasysh nivelnt e arsimit. Eksperienca paraprake nuk është e nevojshme, vetëm kuriozitei dhe entuziazmi juaj”, thuhet tutje në njoftim.

Programi i edukimit do të mbahet në Autostrada Hangar në ITP (Parku i Inovacionit dhe Trajnimit) Prizren. Gjatë punëtorive në Autostrada Hangar, shpenzimet e udhëtimit dhe ushqimit do të mbulohen nga Autostrada Biennale.

Programi i edukimit për pjesëmarrësit ofrohet falas. Ky projekt është mbështetur nga Ambasada Amerikane në Prishtinë dhe bashkë financuar nga Komuna e Prizrenit. / KultPlus.com

Autostrada Biennale ka filluar zyrtarisht përgatitjet për edicionin e katërt që do të mbahet në verën e vitit 2023

Pas rizgjedhjes së kuratoreve Övül Ö. Durmuşoğlu dhe Joanna Warsza për edicionin e katërt, ekipi i Autostrada Bienales së bashku me kuratoret kanë filluar përgatitjet intensive përmes vizitës në kuadër të programit të hulumtimit kuratorial.

Këtë vit programi i hulumtimit është pasuruar përmes bashkëpunimit me Universitetin e Arteve Konstfack në Stokholm, më konkretisht me pjesëmarrjen e 10 kuratorëve nga programi CuratorLab 2022/23 të cilët do të zhvillojnë programin publik dhe do ta mbështesin programin e hulumtimit kuratorial të edicionit të ardhshëm të Autostrada Biennale.

Gjatë javës së hulumtimit, jemi njohur, kemi shkëmbyer ide, kemi vizituar hapësira të ndryshme në Prizren, kemi udhëtuar në Prishtinë dhe Mitrovicë dhe kemi takuar artistë, partnerë, miq e aktivistë.

“Bienalja e rezistencës është korniza e përgjithshme dhe një pikënisje, për të cilën ne do të punojmë së bashku në nivelet e saj epistemike, ekzistenciale, shoqërore dhe poetike. Ajo që ne dëshirojmë është – me njohuritë dhe mençuritë lokale në anën tonë – ta bëjmë ndryshimin e vërtetë përmes artit, t’i drejtohemi trashëgimisë, arkivave kulturore, kujtesës shumëdrejtimëshe, kulturës bashkëkohore të ushqyer nga elementet diasporike apo nga jeta e përditshme…” janë shprehur kuratoret e edicionit të ardhshëm Övül Ö. Durmuşoğlu dhe Joanna Warsza.

Edicioni i katërt po përgatitet në hapësirën e re “Autostrada Hangar”, e cila u hap për publikun në mars të këtij viti. Hapësira jonë multifunksionale do të përdoret për programe të hulumtimit, të edukimit, të rezidencave dhe të prodhimit artistik dhe do të jetë hapësirë ekspozimi për edicionin e ardhshem.

Programi i hulumtimit mbështetet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Komuna e Prizrenit dhe Komuna e Prishtinës. Ne gjithashtu falenderojmë miqtë dhe partnerët tanë Vladan Jeremic, Rena Raedle, Nora Prekazi, Lulzim Hoti, Tevfik Rada dhe Valdete Idrizi të cilët iu bashkuan programit të hulumtimit./ KultPlus.com

“Fushat e Lulediellit 2022”: Artistja ikonike feministe Agnes Denes vazhdon projektin e saj për Autostrada Biennale

Përmes një komunikate nga Autostrada Biennale, është njoftuar për vazhdimin e projektit “Fushat e Lulediellit 2022” nga artistja Agnes Denes, shkruan KultPlus.

Jemi të lumtur t’ju njoftojmë për vazhdimin e projektit “Fushat e Lulediellit 2022” nga Agnes Denes, artiste pioniere feministe për çështjet ekologjike, projekt ky që ishte realizuar fillimisht në Prishtinë dhe Prizren për edicionin e 3-të të Autostrada Biennale.

Nga sot farat e lulediellit po mbillen sërish pranë hapesirës së Autostrada Hangar në ITP Prizren, së bashku me aktivistë mjedisorë, studentë dhe fëmijë që iu bashkuan ekipit tonë, duke u bërë kësisoj agjentë të rëndësishëm në këtë prodhim artistik dhe duke e përqafuar njërin prej objektivave tona: rolin jetik të artit brenda shoqërisë dhe ftesën drejtuar publikut që të bashkëkrijojnë dhe zotërojnë punë artistike.

Krahas bukurisë dhe energjisë pozitive, për artisten është me rëndësi edhe fakti se si farat e lulediellit e pasurojnë tokën sepse ‘e gjithë jeta varet nga kjo shtresë e hollë që e rrethon globin’. Nga studioja e saj në New York, artistja na dërgon nje porosi të përzemërt: “Kur gjërat rriten, lulëzojnë, dhe jeta po i shprehë transformimet dhe sekretet e saj. Shiko, dëgjo, merr pjesë. Të gjithë mund të jemi si luledielli, të rritemi, të ushqehemi, të pajisim të tjerët me pasurinë tonë, të kthehemi kah Dielli, e të reflektojmë për nxehtësinë e Diellit drejtuar të gjitha krijesave të gjalla”.

Kuratoret tona Övül Ö. Durmusoglu dhe Joanna Warsza theksojnë rëndësinë e vazhdimësisë kur bëhet fjalë për projekte artistike që dëshirojnë të ndryshojnë vizionin tonë për të jetuar së bashku. Prandaj, luledielli po mbillet sërish, këtë herë rreth Autostrada Hangar, në ish-zonen ushtarake te KFOR’it tani ITP, për të ri-theksuar rolin kryesor të artit në vendosjen e paqes. Hapësira e dytë e Fushat e Lulediellit 2022, ashtu si vitin e kaluar, do të jetë shulli i gjelbërt në lumin e Prizrenit.

Edicioni i 3-të dhe i 4-të i Autostrada Biennale kurohet nga Övül Ö. Durmusoglu dhe Joanna Warsza. Edicioni i 4-të do të zhvillohet në verën e vitit 2023.

Fushat e Lulediellit 2022 nga Agnes Denes prezantohet nga Autostrada Biennale në partneritet me ITP Prizren. /KultPlus.com

Autostrada Biennale prezantohet në konferencën ndërkombëtare të artit bashkëkohor në Sardinia të Italisë

Autostrada Biennale prezantohet në konferencën ndërkombëtare të artit bashkëkohor “Cosa non fare, la febbre dell’arte!” në Sardinia të Italisë, përcjell KultPlus.

Autosrada Biennale u prezantua nga dy prej bashkëthemeluesve: Vatra Abrashi dhe Leutrim Fishekqiu, së bashku me prezencën e ambasadores së Republikës së Kosovës në Itali, Lendita Haxhitasim, kryetarit të Komunës së San Vero Milis, (Sardinia), Luigi Tedeschi, kritikut të artit dhe anëtarit të bordit këshillues të Autostradës Biennale, Yehuda Emmanuel Safran dhe artistit dhe anëtarit të bordit këshillues të Autosradës Biennale, Sislej Xhafa.

Me ftesë të kryetarit të komunës së San Vero Milis, Luigi Tedeschi dhe drejtorit artistik të konferencës Sislej Xhafa, ekipi i Autostrada Biennale ka prezantuar “Autostrada Hangar” si institucion unik dhe kreativ i artit bashkëkohor dhe edukimit në Kosovë, gjatë diskutimit në sesionin e titulluar “Kur shkretëtira bëhet qendër”.

Përgjatë tre ditëve të konferencës ku morrën pjesë profesionistë nga fushat e ndryshme, pati shumë diskutime të frytshme bazuar në tre temat kryeseore: “Unwanted grace”, “When desert becomes center”, “Creativity in daily resistance” që ndërlidhen me artin, arkitekturën, rezistencën, mjedisin dhe krijimtarinë në të gjitha fushat. / KultPlus.com

Hapet “Autostrada Hangar”, i vetmi institucion i artit bashkëkohor në Prizren

Pas suksesit në edicionin e tretë të Autostrada Biennale, është angazhuar në institucionalizimin e “Autostrada Hangar” si i vetmi institucion i artit bashkëkohor në Prizren i cili do të filloj me program të saj vjetor.

Kjo hapësirë multi-funksionale cilësohet se do të jetë vend i cili do t’i plotësoj nevojat e komuniteteve të ndryshme duke e konsideruar prodhimin e artit si formë të qëndrueshme e të mësuarit dhe shkëmbimit.

“Autostrada Hangar” synon të gjenerojë bashkëjetesë midis komuniteteve duke punuar dhe prodhuar së bashku si ekip dhe do të angazhohet për të plotësuar nevojën urgjente për edukim joformal dhe programe të zhvillimit të shkathtësive, për të fuqizuar të rinjtë e Kosovës dhe të rajonit.

Hapja solemne filloi me fjalimin mirëseardhës të bashkë-themeluesve të Autostrada Biennale: Vatra Abrashi, Baris Karamuco dhe Leutrim Fishekqiu, të cilët shpalosën procesin e krijimit të Autostrada Hangar, programin e edukimit dhe “Pavijonin e Gjelbërt” si projekt i ri i cili ka filluar në bashkëpunim të ngushtë me ITP dhe do të zgjerohet edhe me partnerët e tjerë.

Fjalimi vazhdoj me pjesëmarjen e Ministres së Industrisë, Ndërmarësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari dhe Ambasadorit Gjerman në Kosovë, Joeren Rohde, të cilët potencuan rëndësinë e projekteve të tilla të cilat fuqizojnë të rrinjët në Kosovë dhe kontribojnë në zhvillim e qëndrueshëm social dhe ekonomik.

Si institucioni i vetëm i artit bashkëkohor në Prizren, Autostrada Biennale funksionon me dy shpejtësi: njëra është ekspozita fizike që zhvillohet çdo dy vjet nga viti 2017, tjetra është hapësira e re e edukimit, prodhimit dhe ekspozimit në ish bazën ushtarake të KFOR-it Gjerman tani ITP (Parku i Inovacionit dhe Trajnimeve në Prizren).

Përmes edukimit, trajnimit dhe prodhimit të hapur drejt ekspozimit, qëllimi i tyre është të zhvillohen modele të reja të krijimit kulturor që do të inkurajojnë brezin e ri të mendoj në mënyrë kritike për artin dhe të bëhet pjesë e procesit të krijimit dhe instalimit të veprave artistike.

Infrastruktura e re e krijuar me mjete dhe paisje të ndryshme, laboratorin teknologjik, hapësirën e ekspozitës, pavijonin e gjelbërt, bibliotekën, barin dhe kuzhinën, hapësirën e përbashkët pune dhe ambientet tjera, do t’i plotësojnë nevojat e komuniteteve që operojnë në fushën e Industrisë Kreative dhe Kulturore por edhe më gjerë.

Për më tepër, hapësira me dy studiot e saj: Atelenë dhe Laboratorin e Teknologjisë, përmes programit të saj të edukimit do të angazhoj ekspertë në fushat e tyre dhe do të ketë një ndikim afatgjatë tek të rinjtë për profesionet e së ardhmes në lidhje me artin, teknologjinë dhe inovacionin. Më konkretisht do të ketë punëtori të vazhdueshme për zhvillim të shkathtësive në: formësim, dizajnim dhe prodhim të drurit, metalit dhe textilit; komunikim dhe multimedia; punëtori për robotikë, kodim dhe elektronikë; dhe punëtori për 3D modelim dhe 3D printim.

Edhe pse hapësira u përdor si një nga hapësirat kryesore gjatë edicionit të tretë në 2021, ku ishte një vit mjaft i suksesshëm me ekspozitën e tyre ndërkombëtare, programin e zhvillimit të aftësive dhe edukimit, nga tani kjo hapësirë do të jetë në funksion me program vjetor.

“Autostrada Hangar” u mundësua me mbështetjen dhe partneritetin bujar të ITP Prizren dhe Ambasadës Gjermane në Prishtinë, Ambasadës Amerikane në Prishtinë, Komunës së Prizrenit, Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Kosovë, FfAI Fondacionit për Iniciativa Artistike, Zyrës Zvicerane për Bashkëpunim, Ambasadës së Luksemburgut në Prishtinë, UNKT dhe UNDP, Kreativ Qeramika, Gjirafa50 dhe Birra Peja. / KultPlus.com

“Çka nëse një rrugëtim”, dokumentari që përfshinë edicionin e tretë të Autostrada Biennale

Autostrada Biennale ka prezantuar filmin dokumentar të edicionit të 3-të “Çka nëse një rrugëtim…”, dokumentar që përfshinë gjithë rrugëtimin e kësaj bienale, që është mbajte përgjatë këtij viti, shkruan KultPlus.

Organizatorët, në të njëjtën kohë kanë bërë të ditur se Övül Ö. Durmuşoğlu dhe Joanna Warsza do të vazhdojnë rolin e tyre si bashkëkuratore edhe në edicionin e 4-të, e që do të mbahet në vitin 2023.

“Viti 2021 nuk ka qenë i lehtë për shumë njerëz në botë. Megjithatë, për ne që punojmë në fushën e artit bashkëkohor, gjetja e mënyrave për të realizuar dhe ndarë punën tonë me publikun është kthyer në një formë rikuperimi dhe mbijetese. Jemi të lumtur të ndajmë me juve filmin dokumentar i cili na kthen pas në punën tonë të madhe që e kemi bërë gjatë verës, e që e ka bërë të mundur edicionin Çka nëse një rrugëtim…”, thuhet në njoftimin e Autostrada Biennale.

Edicioni i 3-të i Autostrada Biennale Çka nëse një rrugëtim…u mbajt me sukses në Prizren, Prishtinë dhe Pejë gjatë verës së vitit 2021. Ekspozita ishte e thurur rreth ndërveprimit midis një mikpritësi dhe një mysafiri – domethënë veprat e artit u realizuan kryesisht në vend nga bashkimi i forcave të brendshme dhe të jashtme të imagjinatës artistike, ekspertizës, njohurive dhe kërkimeve lokale, në vend që të transportohen nga jashtë. Ata i krijuan komunitetet e tyre brenda dhe përreth. “Ne organizuam shumë biseda emocionuese dhe të vazhdueshme që mblodhën së bashku artistë, aktivistë, krijues, punonjës të kulturës, studiues vendas dhe ndërkombëtarë”, thuhet mes të tjerash.

KultPlus ju sjell dokumentari e këtij edicioni, ku janë të përfshirë edhe mbështetësit e këtij edicioni.

Kryeministri Kurti vizitoi “Autostrada Biennale”

I shoqëruar nga ministri Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, vizitoi tre ekspozita të bienales ndërkombëtare të artit bashkëkohor, Autostrada Biennale.

Ata fillimisht vizituan Hapësirën e Edukimit dhe Prodhimit të Autostradës Biennale në Parkun e Inovacionit dhe Trajnimeve (ITP) në Prizren, ku u njoftuan mbi ekspozitën dhe programin e edukimit që kjo biennale po zhvillon.  E ndodhur në hangarin e dikurshëm të KFOR-it gjerman, transformuar tashmë në një hapësirë inovacioni, ajo ka për qëllim fuqizimin e të rinjve të Kosovës përmes edukimit, trajnimeve dhe punëtorive në fushën e artit, teknologjisë dhe inovacionit.

Nga aty, kryeministri Kurti dhe ministri Çeku vazhduan për në Stacionin e Autobusëve në Prizren kur po shfaqen ekspozitat e katër artistëve të artit bashkëkohor. Stacioni i Autobusëve këtë vit po mirëpret ekspozitat e Autostradës Biennale për të tretën herë radhazi.

Në fund, ata vizituan ekspozitën e artistëve Sezgin Boynik dhe Tevfik Rada e cila po mbahet në Shtëpinë e Shani Efendiut.

“Se arti nuk është vetëm e bukura, por edhe mësimi dhe puna, po na e dëshmon edhe ky edicion i Autostrada Biennale”, u shpreh kryeministri Kurti. Ai i falënderoi organizatorët dhe kuratorën për prezantimin e tyre. Meqë arti dhe veprat e artit duhet të jenë të atilla që sa më shumë njerëz t’i shohin sa më shpesh, kryeministri uroi që gjithnjë e më shumë qytetarë të bëhen vizitorë të këtyre ekspozitave.

Autostrada Biennale është i vetmi institucion i artit bashkëkohor në Prizren dhe është themeluar në vitin 2014.

‘’Lule, Mosmëharro’’, një fole përrallore e dashurisë, ëndrrës dhe diversitetit

Era Berisha

Lulet boshtra, farat e palmës, luleqershia, luleftoi dhe karafili, janë këto lulet gjigande të krijuara nga pëlhura për instalacionin e titulluar ‘’Lule Mosmëharro’’ të artistit bashkëkohor Petrit Halilaj, i cili së bashku me Alvaro Urbano, përmes edicionit të tretë të Autostradës Biennale, kanë sjell këtë instalacion në Bibliotekën Kombëtare ‘Pjetër Bogdani’ e që në vete ngërthen një thirrje unike, një thirrje për diversitet, ndryshim dhe guxim për të shpresuar e ëndërruar, shkruan KultPlus.

Biblioteka Kombëtare dje ishte shndërruar në një fole madhështore ku kupolat e saj tashmë nuk të kapnin syrin, për arsye se pikërisht nën kupolën kryesore, të vendosura ishin lulet shumëngjyrëshe e llojllojshme të cilat kishin zënë vendin e tyre në ajër. Instalacioni u plasarit para publikut si një kopsht përrallor, një strofull ku dashuria zë vend dhe nuk lë hapësirë për asnjë lloj ndjesie tjetër. Ndërsa, ishte pikërisht kjo dashuri për artin e njeriun që dje mblodhi afër vetes, artistë të shumtë e artdashës të këtyre krijimeve unike.

Fillimisht, pasi që të pranishmit ishin mbledhur jashtë Bibliotekës dhe ishin furnizuar me nga një libër që përmbante informacione rreth edicionit të tretë të Autostradës Biennale, padurimi i tyre për të hyrë brenda vërehej jo vetëm në fytyrë por edhe në lëvizjet e luhatjet e vogla që trupi i tyre krijonte. Pas 10 minuta pritje, dyert e Bibliotekës u hapën e së bashku me vështrimin e syve të të pranishmëve që direkt u cungua drejt hapësirës ku lulet ishin prezente, u zgjerua edhe hapësira brenda nesh, aty ku lumturia, gëzimi, habia, kureshtja dhe trazirat e ëmbla krijojnë një rrokullisje skalitëse brenda stomakut të njeriut.

Ajo se çka çuditi dhe shtangu të gjithë, ishin dy persona të veshur me kostume kafshësh duke shoqëruar të pranishmit e sidomos fëmijët deri sa ata ngjiteshin në shkalla. Kjo e papritur ishte një befasi që futi të gjithë në një humor tejet të duhur e specifik dhe njëkohësisht gjallëroi atmosferën deri në një masë të paparashikuar.

Kokat e gjithsecilit ishin gdhendur në një pozitë përpjetë dhe njëlloj si ky instalacion, nuk po mund të dilnin nga hipnotizimin që lulet krijonin. Ulërima e tyre erdhi në formën e heshtjes dhe në gërshetimin e ngjyrave nga më të ndryshmet, një gërshetim ky që portretizonte edhe mesazhin e instalacionit. Ndërsa, entuziazmi i të pranishmëve nuk po mbaronte dot, ata lëviznin herë në një qosh e herë në këndin tjetër për të vëzhguar e admiruar këto lule të veçanta që publikun kosovar e lanë pa mend e pa frymë.

Ndërkohë, për të shënuar nisjen e kësaj ngjarje, sopranoja Urta Haziraj, e vendosur në një nivel paralel me lulet gjigande në një kat më lart dhe pianisti Melos Buza, që ishte vendosur poshtë e i cili me një shikim të vetëm me sopranon, filluan të pushtojnë ambientin me një harmoni të dalluar. Tingujt e instrumentit bardh e zi dhe timbri dramatik i zërit të sopranos, kapluan atmosferën në një harmoni ku fuqia e pasur artistike dhe melodike ndërlidhej në një rënkim sensual e pasionant të një agonie të dëshiruar.

Pastaj, pas duartrokitjeve dhe brohoritjeve të sinqerta të publikut, radhën për të interpretuar këngën ‘Shingjergjat po sillen’, në një version admirues, doli artisti Plator Gashi, i cili ishte vendosur në një pllakë rrethore që jepte ndjesinë se çdo hapësirë mund të kthehet në një vend performimi. Zëri i tij verbues e i papërsëritshëm përqafoi meloditë e tingujt me një talent karakteristik që vetëm ai mund të posedoj, kurse interpretimi në kitarë tashmë për të është shndërruar në një epilog jetësor e ekzistencial e që publikun e trazoi duke i futur ata brenda një ngatërrese emocionale e tejet ndikuese.

Kështu, pas këtyre aktivitete kulturore e të domosdoshme në një kohë të tillë ku nevoja e dëshira për to nuk ka qenë asnjëherë më e madhe, nisën edhe fjalimet pasuese. Në fillim, fjalën e morri Vatra Abrashi, bashëkthemeluesja e Autotradës Biennale, e cila hapi këtë ngjarje me një fjalim.

“Jemi shumë të lumtur që së bashku po fillojmë rrugëtimin tonë të edicionit të tretë të Autostrada Biennale, këtu me ju nën veprën e mrekullueshme të Petrit Halilaj dhe Alvaro Urbano. Si bashkëthemeleues të Autostrada Biennale, së bashku me Leutrimin dhe Barisin, kemi fillua rrugëtimin tonë në Prizren në vitin 2014 dhe edicionin e parë e kemi mbajtur në vitin 2017 bazuar në nevojën për më shumë shkëmbime kulturore”, thotë Abrashi.

Sipas saj, gjithmonë është menduar që Autostrada Biennale të jetë si një pikë ndërlidhëse dhe një rrugë në hartën e Ballkanit perëndimor. Mirëpo, pandemia ka bërë që Austrada ta rimendojë modelin e Biennales duke shtrirë aktivitetet e tyre edhe në Prishtinë e Pejë.

“Jemi të gëzuar që edicionin e tretë ‘What if…’, e kanë kuruar dy kuratore të dashura për ne e që i falenderojmë përzemërsisht për një edicion magjik me artistë dhe vepra të mrekullueshme”, ka thënë Abrashi.

Pastaj, fjalën e morri edhe drejtori i Drejtorisë për Kulturë, Adrian Berisha.

“Me qenë në këtë hapësirë është e jashtëzakonshme. Biblioteka sot po duket si asnjëherë më parë. Lulet magjepse të Petritit dhe Alvaros, u sollën në Prishtinë për të na rikujtuar disi se si nuk ka kufi për kujtimet e përbashkëta. Ky instalacion sikur është një ftesë për të na rikthyer në memoriet tona por edhe shpresat për ndryshim e guxim e moskonformizëm me preokupime të përbashkëta që kemi si komunitet”, thotë Berisha.

Sipas tij, ai ndjehet shumë i lumtur që në emër të Komunës së Prishtinës, ata kanë arritur të përkrahin ardhjen e luleve të Petritit në Prishtinë në bashkëpunim me ekipin e Autostradës Biennale.

“Ne do të mundohemi për të gjetur një vend apo hapësirë publike që lulet e Petritit, të kanë një vend të përhershëm në Prishtinë”, përfundon Berisha.

Ndërsa, Tatiana Tarago nga Manifesta, në emër të të gjithë ekipit të Manifestës, përshëndeti të pranishmit duke i falënderuar për prezencën e tyre.

“Unë vetëm doja të shprehja se sa të nderuar jemi që të bashkëpunojmë dhe mbështesim Autostradën Biennale e njëkohësisht për të vërtetuar se sa e rëndësishme është puna që ata po bëjnë. I uroj artistët për këtë punë të jashtëzakonshme dhe shpresoj që të vazhdojmë të bashkëpunojmë tutje”, ka thënë Tarago.

Fjalimi i Leutrim Fishekqiut nga Autostrada Biennale, ishte ai i radhës ku ai është shprehur se për të është një kënaqësi e jashtëzakonshme që po punon me një ekip të jashtëzakonshëm.

“Pas një kohe të gjatë të pandemisë, kishim me të vërtetë nevojë për të parë këto fytyra të bukura që jeni ju këtu ndër këto lule kaq të bukura”, ka thënë Fishekqiu.

Pastaj, radhën e kishin kuratoret e edicionit të tretë të Autostradës Biennale, ‘What if a journey…’, si: Ovul O.Durmusoglu dhe Joanna Warsza.

“Është një thashethem që kjo ndërtesë ka 99 kupola dhe kjo është në të mirë të objektit i cili gjithmonë mund të zhvillohet tutje e të rritet. Kjo ide është ajo që ne po e zhvillojmë edhe në këtë edicion, pra idenë e e paplotësisë”, ka thënë Warsza.

Në ndërkohë këto kuratore lexuan edhe një pjesë të tekstit nga libri informues që përmban fakte rreth edicionit të Autostradës Biennale dhe konceptit të tij.

Kështu krejt në fund, pritjes së çdo kujt i dha fund prezenca e artistëve Petrit Halilaj dhe Alvaro Urbano, të cilët po ashtu dolën përpara për të folur.

“Lulet vinë si një gjest i vogël i një relacioni, gjeste dashamirëse, lule të cilat i dhurojmë njëri-tjetrit dhe familjeve. Ne dëshiruam që këto gjeste t’i shndërrojmë në madhësi shumë më të mëdha”, ka thënë Urbano.

Ndërsa, artisti bashkëkohor, Petrit Halilaj, është shprehur se po ndjehet tejet i lumtur që ai ndan këto momente me të pranishmit.

“Faleminderit që keni ardhur sepse është gëzim i veçantë për të ndarë këtë moment me juve, për të pasur Alvaron afër, kuratoret, Autostradën Biennale, Komunën e Prishtinës, të gjithë qytetarët e familjen time”, ka thënë Halilaj.

Sipas tij, ai është rritur çdo herë me fjalët: liri, barazi e demokraci, dhe çdo gjeneratë ka pasur sfidat e kërkesat e tyre për barazi.

“Këto lule janë goxha të mëdha, por janë lule që i kemi dhuruar njëri-tjetrit me Alvaron. Ne jemi bashkë që 10 vjet dhe pa ato lulet e vogla që ia kemi dhuruar njëri-tjetrit, s’do të kishin pasur kuptim këto lule të mëdha. Por këto lule kanë kuptim sepse ia kemi dhuruar shoqërisë tonë”, përfundon Halilaj.

Kështu krejt në fund, njëra nga kuratoret e edicionit të tretë të Autostradës Biennale, Ovul O.Durmusoglu, shënoi fundin e kësaj ngjarje me një këngë turke që fliste për dashuri, behar e zogj.

Autostrada Biennale në edicionin e saj të tretë, së bashku me edicionin e pestë të Javës së Krenarisë në Kosovë, në bashkëpunim me Bibliotekën Kombëtare të Kosovës ‘’Pjetër Bogdani’’, kanë prezantuar dje këtë instalacion artistik. / KultPlus.com

Publikohen datat e mbajtjes të edicionit të tretë të Autostradës Biennale

Autostrada Biennale ka bërë të ditur emrat e artistëve të edicionit të saj të tretë, idetë dhe hapësirat, shkruan KultPlus.

Edicioni i tretë i Autostradës Biennale titullohet ‘Çka nëse një rrugëtim…’, si ekspozitë për të papërfunduarën, sy skajet e rrugës që takohen ndërmjet mikpritësit e të ftuarit, të mërguarës e vendores, ndërmjet infrastrukturës dhe intimitetit. “Çka nëse një rrugëtim…”është poashtu ekspozitë për artin si formë e rikuperimit nga kurthet e përditshmërisë.

Më poshtë gjeni njoftimin e plotë të tyre:

Autostrada Biennale  me kënaqësi ju njofton me artistët e saj, idetë, hapësirat dhe datat e edicionit të saj të tretë:

Çka nëse një rrugëtim…

Kuruar nga Övül Ö. Durmuşoğlu dhe Joanna Ëarsza

Prishtina: 1 korrik – 11 Shtator, 2021

Agnes Denes; Petrit Halilaj & Alvaro Urbano

Prizren: 17 korrik – 11 Shtator, 2021

Agnes Denes, Alban Muja, Agnieszka Polska; Agron Blakçori, Banu Cennetoğlu, Bora Baboçi, Camila Rocha, Cooking Sections & Fejsal Demiraj, Doruntina Kastrati, Edona Kryeziu, Fernando García-Dory, Flaka Haliti, Gülsün Karamustafa, HAVEIT, Hera Büyüktaşcıyan, Iman Issa, Iramamama, Małgorzata Mirga-Tas & Edis Galushi, Marëa Arsanios, Núria Güell & Lumnije Gërguri Stojkaj, Rossella Biscotti, Sezgin Boynik & Tevfik Rada, Ulf Aminde & Manuel Gogol, Vahida Ramujkić, Valbona Zherka

Peja: 19 korrik – 11 shtator, 2021

Ex-EXIT me Agush Beqiri, Hüseyin Bahri Alptekin

Çka nëse një rrugëtim… është një ekspozitë për të papërfunduarën. Mund të jetë një rrugë, një hartë elektrifikimi, një shtëpi, një fushë me lule, një tregim, një marrëdhënie ose një shtet. Është ekspozitë që paplotësinë e merr si ftesë për t`u përgjigjur, për t’u lidhur dhe për t’u rritur.

Çka nëse një rrugëtim… është ekspozitë për dy skajet e një rruge që takohen ndërmjet mikpritësit e të ftuarit, të mërguarës e vendores, ndërmjet infrastrukturës dhe intimitetit.

Çka nëse një rrugëtim… është poashtu ekspozitë për artin si formë e rikuperimit nga kurthet e përditshmërisë. Të merr me vete e të shpie në një rrugëtim, duke filluar nga qendra e Prishtinës, e përgjatë rrjedhës së Lumbardhit në Prizren, për të përfunduar në një bar arti në Pejë.

“Në udhëtimin tonë të parë kërkimor në Prizren, në vjeshtën e vitit 2020, ne dëgjuam histori që nevojiteshin të dëgjoheshin: nga artistë, organizatorë, etnologë të ushqimit, një aktivist rom, një mbrojtës i trashëgimisë, një sociolog urban dhe një filozof, ndër shumë të tjerë. Ekspozita është përgjigjja jonë ndaj atyre historive. Grumbulli i endur i rrugëve të mbivendosura të artistes Valbona Zherka, na ofroi një hartë orientimi të përbërë nga rrjedhat e lumenjve, rrugët e arratisjes, shtigjet e migrimit, parregullsitë pozitive, kthesat në formë U, mënyrat e papritura të nisjes dhe mbërritjes. Edicioni i 3-të Autostrada Biennale është ftesë për një rrugëtim të papërfunduar, brenda dhe jashtë Kosovës – për në Berlin, Stamboll, Varshavë dhe prapa. Ose diku ndërmjet.”

— Övül Ö. Durmuşoğlu dhe Joanna Ëarsza

Autostrada Biennale është krijuar nga dy artistë dhe një pedagog në vitin 2014. Si institucioni i vetëm i artit bashkëkohor në Prizren funksionon me dy shpejtësi, njëra është ekspozita fizike që ndodh çdo dy vite në hapësirën publike dhe e dyta plani ynë afatgjatë për të krijuar qendrën edukative në ish bazën ushtarake te KFOR’it, ku procesi i përgatitjes së ekspozitës është i hapur për publikun, duke e bërë krijimin e veprave artistike një formë të të mësuarit dhe të menduarit kritik.

Autostrada Bienale është bërë e mundur me mbështetjen bujare dhe partneritetin e Zyra Zvicrane për Bashkëpunim ne Kosovë, Komuna e Prishtinës, European Cultural Foundation, Foundation of Art Initiatives, Komuna e Prizrenit, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Manifesta 14 Prishtina, United Nations Kosovo Team, UNDP, KFOS, Raiffeisen Bank, Goethe Zentrum Prishtina, SAHA Foundation, Italian Institute for Culture in Tirana, Qendra Regjionale për Trashëgimi Kulturore në Prizren, Bibloteka Kombëtare, Museum of Modern Art in Ëarsaë, Institut Ramon Llull, Stacioni i Autobusave ne Prizren, Instituti Arkeologjik i Kosoves, Friedrich Ebert Stiftung, JYSK, ITP Prizren, DokuFest, Fondacioni Lumbardhi, Anibar, Pallati i Rinisë dhe Sportit në Prishtinë, Edicioni i 5’te i Javes se Krenarise, MAM Foundation, Kultplus, ADN Galeria, Mor Charpentier, Galerist, Ëilfried Lentz and ChertLüdde.

Autostrada Biennale hapësira për edukim dhe prodhim u mbështet nga Ambasada Amerikane në Prishtinë, Komuna e Prizrenit, Gjirafa50, dhe Kreativ Qeramika.

Autostrada Biennale është mirënjohëse për mbështetjen bujare të partnerëve të shumtë individual për punën dhe bashkëbisedimet në Prishtinë, Prizren dhe Pejë, të cilët e bënë të mundur realizimin e këtij edicioni./ KultPlus.com

Nënshkruhet memorandum për organizimin e Autostradës Biennale në Prizren




Drejtori i Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren Samir Hoxha, ka pritur në takim përfaqësuesit e festivalit ndërkombëtar Autostrada Biennale, me të cilët ka nënshkruar një memorandum bashkëpunimi, për organizimin dhe mirëvajtjen e kësaj ngjarje kulturore në Prizren, përcjellë KultPlus.

Nënshkrimi i memorandumit ka për qëllim mbështetjen e festivalit nga Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren, për të realizuar zhvillimin e aktiviteteve që ndërlidhen me mbrojtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore përmes artit bashkëkohor.

Drejtori i QRTK-së në Prizren Samir Hoxha, u shpreh i lumtur me nënshkrimin e këtij memorandumi duke thënë se “aktivitetet e përbashkëta të Autostradës Biennale dhe Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore – Prizren do të ndikojnë në ngritjen e vetëdijes për rëndësinë dhe rolin e trashëgimisë kulturore në vendin tonë”.

Po ashtu, drejtori Hoxha sqaroi se pikat e bashkëpunimit si pjesë përbërëse e këtij Memorandumi do të zhvillohen në kuadër të zbatimit të Strategjisë Kombëtare për Trashëgimi Kulturore. Ai ka theksuar se promovimi i trashëgimisë kulturore, duke ri-funksionalizuar ndërtesat si hapësira për art bashkëkohor, ngritja e vetëdijes për mbrojtjen dhe promovimin trashëgimisë kulturore si dhe ofrimi i aktivitete të shumta, ku shtjellohen edhe tema sociale si barazia gjinore, të drejtat e njeriut dhe mesazhet të përcjella në gjuhën e artit bashkëkohor, do të nxisin promovimin e zhvillimit e turizmit kulturor dhe do rrisin ndikimin ekonomik për qytetin e Prizrenit.

Ndërkaq, drejtori ekzekutiv i festivalit ndërkombëtar Autostrada Biennale, Leutrim Fishekqiu, falënderoi drejtorin e Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren për gatishmërinë e tij për të bashkëpunuar në realizimin e këtij festivali me rëndësi të madhe në fushën e kulturës dhe të trashëgimisë kulturore.

Ai tha se edicioni i tretë i festivalit do të zhvillohet në përputhje me rrethanat aktuale, dhe do të paraqitet në formë analoge dhe digjitale të infrastrukturës së butë, me art, performanca, pjesë bisedash, lexime, skulptura dhe forma të tjera të artit dhe jetës në verën e 2021.

Bienalja Ndërkombëtare e artit bashkëkohor “Autostrada Biennale”, do të mbahet në Prizren, gjatë periudhës 17 Korrik – 11 Shtator 2021. Kjo ngjarje kulturore, filloi për herë të parë nënë vitin 2014, themeluar nga një ndjenjë e mungesës dhe nevojës për më shumë shkëmbim kulturor në rajon, si dhe për hapje ndaj botës. / KultPlus.com

“Fushat e Lulediellit” në qendër të Prishtinës, projekti i ri nga artistja ikonike Agnes Denes



 

Edicioni i tretë i Autostrada Biennale zyrtarisht po e fillon rrugëtimin e tij në Kosovë.

Agnes Denes, një grua e jashtëzakonshme dhe një artiste feministe ikonike nga New York, e ka konceptuar punën e saj të re në Prishtinë, titulluar “Fushat e Lulediellit 2021”. Prej sot ka nisur në kryeqytet mbjellja e farave të lulediellit në mënyrë që të rriten dhe të krijojnë një fushë mahnitëse luledielli, e cila do të jetë e gatshme për hapjen e edicionit të tretë të Autostrada Biennale, në verën e këtij viti. 
 
Do të duhet kohë që këto fara të lulëzojnë, ndërsa Prishtina kësisoj do të mbajë mbi supe një vepër arti që të lë pa frymë, pikërisht te Platoja e Pallatit të Rinisë dhe Sporteve. 
 
“Luledielli është bimë e lumtur” tregon artistja Agnes Denes. “Për kinezët, luledielli simbolizon fatin e mirë ndërsa për popullin Incas në Amerikë, luledielli mbahet si Zoti i Diellit”. Krahas bukurisë dhe energjisë pozitive, për artisten është me rëndësi edhe fakti se si këto fara luledielli e pasurojnë tokën ku mbillen dhe vijnë ngadalë në jetë. Mbjellja e tyre kthen sytë kah vëmendje që duhet të tregojmë për tokën, sepse ‘e gjithë jeta varet nga kjo shtresë e hollë që e rrethon globin’. Nga studioja e saj në New York, artistja dërgon një mesazh të mbështetjes për Prishtinën. “Kur gjërat rriten, lulëzojnë, dhe jeta po i shprehë transformimet dhe sekretet e saj. Shiko, dëgjo, merr pjesë. Të gjithë mund të jemi si luledielli, të rritemi, të ushqehemi, të pajisim të tjerët me pasurinë tonë, të kthehemi kah Dielli, e të reflektojmë për nxehtësinë e Diellit drejtuar të gjitha krijesave të gjalla”.
 
Jo rastësisht, dita e parë e plantacionit dhe mbjelljes për “Fushat e Lulediellit 2021” përkon me Ditën e Tokës, në 22 prill, një datë që shënohet vit për vit që prej vitit 1970 dhe risjellë në vëmendje nevojën për ta ruajtur mjedisin ku jetojmë e marrim frymë. Aktivistë mjedisorë, studentë dhe fëmijë nga Prishtina u bashkuan me ekipin për të mbjellur farat e lulediellit, duke u bërë kësisoj agjentë të rëndësishëm në këtë prodhim artistik dhe duke përqafuar njërin prej objektivave të edicionit të sivjetmë: rolin jetik të artit brenda shoqërisë dhe ftesën drejtuar publikut që të bashkëkrijojnë dhe zotërojnë punët artistike.

“Në Manifestone saj të vitit 1969, Agnes Denes potencoi se dëshironte ta braktiste studion e saj të punës dhe të hynte në botën e shqetësimeve globale, ‘për të komunikuar të pakomunikueshmen, për të vizualizuar të padukshmen, për të mos pranuar kufizimet të cilat shoqëria i ka pranuar’. Përgjatë jetës e karrierës së saj, ajo ka imagjinuar dhe iniciuar eksperimente vizionare mjedisore të bashkëjetesës përmes artit. Ne jemi shumë të nderuar që një artiste me forcë të madhe artistike si Denes ka pranuar ftesën tonë modeste dhe ka propozuar një vepër të re artistike ku luledielli intervenon në jetën e përditshme në qendër të Prishtinës dhe Prizrenit – me fjalët e vetë artistes – një gjest ky që sheh kah realiteti por të lejon të ëndërrosh” – tregojnë kuratoret e edicionit të tretë të Autostrada Biennale, Övül Ö. Durmusoglu dhe Joanna Warsza. 
 
Puna e kompletuar do të prezantohet me 1 korrik 2021, kur edhe do të fillojë edicioni i tretë i Autostrada Biennale në Prishtinë. Fushat e Lulediellit 2021 nga Agnes Denes prezantohet në partneritet me Manifesta 14 Prishtina. / KultPlus.com

Autostrada Biennale dhe Manifesta 14 e shpallin partneritetin e tyre në Prishtinë

 
Në frymën e bashkëpunimit, miqësisë dhe solidaritetit, Autrostrada Biennale dhe Manifesta 14 Prishtina, dy bienale arti të cilat momentalisht po operojnë në Kosovë, kanë kënaqësinë të shpallin bashkëpunimin dhe partneritetin e tyre që do të rezultojë me prezantimin e dy punëve artistike ku do të angazhohet edhe publiku, në Prishtinë, në korrik të këtij viti.
 
Autostrada Biennale dhe Manifesta 14 Prishtina aktualisht po përgatiten secila për edicionet e tyre të radhës për verën e këtij viti dhe vjeshtën e vitit 2022, përkundër rrethanave të vështira. Ne besojmë se veçanërisht gjatë këtij realiteti të shtrënguar, të dyja bienalet e vendosura në Kosovë duhet të qëndrojnë të bashkuara dhe në solidaritet me njëra tjetrën. Duke e pasur këtë në mendje, jemi të lumtur e të kënaqur që po e lansojmë partneritetin tonë. 
 
Edicioni i tretë i Autostrada Biennale do të hapet në Prishtinë, me 1 Korrik 2021, me dy punë të mëdha të komisionuara artistike që do të zënë vend në hapësira publike, në bashkëpunim dhe mbështetur nga Manifesta 14 dhe organizata të tjera lokale, për të vazhduar më pas në Prizren me 17 Korrik dhe në Pejë me 21 Korrik. Kuratoret e këtij edicioni janë Övül Ö. Durmuşoğlu dhe Joanna Warsza.
 
“Autostrada Biennale i ka fillet e saj në Prizren, në Kosovë, në vitin 2017, bazuar në nevojën për më shumë shkëmbime kulturore me anë të artit bashkëkohor në Ballkanin Perëndimor. Pandemia na detyroi që ta rimendonim modelin e sivjetmë të Bienales dhe rolin e saj në ndërtimin e infrastrukturës, prandaj jemi shumë të entuziasmuar të bashkojmë forcat me Manifesta 14 Prishtina. Në këtë mënyrë, ne do të vazhdojmë punën në objektivat tona: shumë lokal dhe shumë të ndërlidhur”
Vatra Abrashi, Leutrim Fishekqiu, Barış Karamuço – Bashkëthemeluesit e Autostrada Biennale 
 
“Në këtë moment shumë të veçantë në kohë, kur bota është ende e bllokuar dhe gjithçka mbetet në një ngërç shkaku i pandemisë globale, ekziston një kërkesë për metodologji të reja, për mënyra të reja të bashkëpunimit dhe fokus intensiv në krijimin e projekteve lokale të qëndrueshme. Manifesta e ndjen se me mbështetjen e projekteve lokale në Kosovë, duke nisur me mbështetjen e Autostrada Biennale në kapitullin e saj në Prishtinë, po e stimulon një ekonomi kulturore të bujarisë dhe harmonisë, përtej zhvillimit të një edicioni tjetër të Manifestas përmes ekspozitave të kuruara monolite. Aktet e solidaritetit me institucionet ekzistuese në Kosovë dhe krijimi i një ndikimi të qëndrueshëm për komunitetet lokale do të jenë dy rrugë përmes së cilave do të rigjenerohen bienalet gjithandej nëpër botë, në një periudhë pas Covid”.
Hedwig Fijen – Drejtoreshë Themeluese në Manifesta
 
Puna në bienale përgjatë pandemisë na ka bërë të kuptojmë se arti sot është mbi të gjitha një formë e rimëkëmbjes, një mënyrë për të kapërcyer izolimin. Ne e shohim bashkëpunimin tonë si një akt rezistence”
Övül Ö. Durmuşoğlu dhe Joanna Warsza – kuratore të edicionit të tretë të Autostrada Biennale
 
Autostrada Biennale dhe Manifesta 14 Prishtina do të bashkëpunojnë gjatë kurimit dhe implementimit të programeve publike të cilat lidhen me këto dy punë artistike dhe ekspozitat respektive, për të cilat do të njoftoheni me kohë. Të dyja organizatat artistike kanë përzgjedhur një bashkim shembullor të forcave, duke ftuar kësisoj edhe banorët e Prishtinës që të marrin pjesë në këto prodhime.
Lajme të tjera fantastike po vijnë së shpejti në emailin tuaj!
Bashkohuni me ne për edicionin e tretë të Autostrada Biennale, 1 Korrik – 11 Shtator 2021 në Prishtinë, dhe Manifesta 14 Prishtina, në vjeshtën e vitit 2021.

Edicioni i trete i Autostrada Biennale në Prishtinë përkrahet nga:
Komuna e Prishtinës dhe
Zyrës Zvicerane për Bashkëpunim në Kosovë/ KultPlus.com

Autostrada Biennale prezanton datat dhe qytetet për edicionin e tretë

Nuk ka qenë një vit i lehtë për shumë prej nesh. Megjithatë, arti na jep shpresë dhe strukturim për të ardhmen.

Autostrada Biennale ka ndarë disa fakte të rëndësishme për edicionin e tretë, të cilin organizatorët po e përgatisin intensivisht, së bashku me dy kuratorët Övül Ö. Durmuşoğlu dhe Joanna Warsza.

Edicioni i ardhshëm nuk do të shtyhet dhe do të zhvillohet pavarësisht dhe brenda rrethanave aktuale, në tre qytete: Prizren, Prishtinë dhe Pejë. Prizreni do të mbetet bërthama e Bienales, ndërsa instalime dhe ndërhyrje shtesë do të ndodhin edhe në Prishtinë dhe Pejë.

Datat për edicionin e tretë të Autostrada Biennale janë: 17 korrik – 11 shtator 2021.

Autostrada Biennale filloi nga vendlindja e saj, Prizreni, në vitin 2014 (edicioni i parë në 2017) themeluar nga një ndjenjë e mungesës dhe nevojës për më shumë shkëmbim kulturor në rajon, si dhe për hapje ndaj botës. Ajo u formësua si një pikë lidhëse dhe si një rrugë në hartën e Ballkanit Perëndimor.

Pandemia ka bërë që të rimendohet modeli i bienales dhe për këtë ata janë shumë entuziastë për t’i zgjeruar aktivitetet në tre qytete, duke punuar kështu edhe më tej me identitetin e tyre: shumë lokal dhe shumë të ndërlidhur.

“Edicioni i ardhshëm i Autostrada Biennale do të bazohet në një model infrastrukture, formë të “takimit të verbër” midis interesave, dëshirave dhe shpresave paralele” shkruajnë Övül Ö. Durmuşoğlu dhe Joanna Warsza. “Ne shpresojmë t’a përforcojmë rolin e bienales përmes ndërtimit të një infrastrukture të butë në Kosovë, duke mbështetur kështu komunitetin si dhe solidaritetin translokal në kohë të izolimit të dyfishtë.”

Edicioni i ardhshëm i Autostrada Biennale do të paraqitet në formë analoge dhe digjitale të infrastrukturës së butë, me art, performanca, pjesë bisedash, lexime, skulptura dhe forma të tjera të artit dhe jetës në verën e 2021.

Autostrada Biennale edicioni i tretë dhe i gjithë programi Pre-Biennale është duke u përkrahur nga Zyra Zvicerane për Bashkëpunim dhe Zhvillim në Prishtinë, Fondacioni Europian për Kulturë, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Komuna e Prizrenit dhe Komuna e Prishtinës. / KultPlus.com

Autostrada Biennale do të mbahet në verën e vitit 2021

Autostrada Biennale nuk do të shtyhet por do të mbahet gjatë verës së vitit 2021, bëjnë të ditur organizatorët përmes një postimi në Facebook.

“Për më tepër, bienalja do të trajtojë drejtpërdrejtë atë se sa na ka bërë pandemia të mendojmë për qytetet tona, hapësirat përreth nesh, çkafit do të mund t’i rikthehemi, çfarë mund të lëmë pas dhe sa i nevojshëm është arti në kohë pasigurie”, thuhet në njoftimin e Austrada Biennale.

Tutje Autostrada Biennale ka konfirmuar se kush janë kuratoret edicionit të tretë.

“Jemi të lumtur dhe krenarë që e filluam rrugëtimin tonë me bashkë-kuratoret Ovul O. Durmusoglu dhe Joanna Warsza drejt edicionit të tretë. Pandemia na ka bërë që ta rimendojmë modelin e bienales dhe për këtë ne jemi shumë entuziastë për të bashkëpunuar me dy kuratoret të cilat do të punojnë edhe më tej me identitetin tonë: shumë lokal dhe shumë të ndërlidhur”.

Periudha e “pre-biennale” përfshin aktivitetet e hulumtimit për hapësira potenciale për art bashkëkohor dhe program të edukimit, hulumtimin për artistë dhe përgatitjet e konceptit kuratorial./ KultPlus.com

https://www.facebook.com/autostradabiennale/posts/3286810194759706

Autostrada Biennale publikon librat Audio-Vizual “Hero në Shtëpi”

Autostrada Biennale ka kënaqësinë të publikojë vëllimin e dytë të një serie librash audio-vizual që targetojnë fëmijët e moshës 6-9 vjeç dhe prindërit e tyre, duke i ndihmuar ata qe të zhvillojnë qasje edukative në informimin e fëmijëve te tyre për situatën Covid-19.

Ideja prapa projektit “Nuk ka dallime ndërmjet nesh” ishte krijimi i librave audio-vizual që adresojnë ndikimin e aspektit shëndetësor dhe social të Covid-19 tek fëmijët dhe prindërit e tyre.

Përmes ilustrimeve, fëmijët së bashku me prindërit e tyre do të informohen si t’a mbrojnë veten dhe të tjerët nga virusi, duke ndjekur këshillat e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik. Gjithashtu projekti trajton aspektin social dhe synon të ketë ndikim afatgjatë në adresimin e çështjeve gjinore në familje duke paraqitur (mos)ndarjet e roleve dhe përgjegjësive ndërmjet anëtarëve të familjes gjatë periudhës së izolimit nga Covid-19.

Librat titullohen “Hero në Shtëpi” dhe janë publikuar në 5 gjuhë: shqip, serbisht, anglisht, turqisht dhe romisht.

Ndiqni udhëzimet në video dhe hapni librin përmes vegzës:

http://autostradabiennale.org/audiovisualbooks/

Projekti është financuar nga Agjencia Austriake për Zhvillim dhe Komuna e Prizrenit.

Autostrada Biennale prezanton kuratoret e edicionit të tretë

“Autostrada Biennale” ka prezantuar Övül Ö. Durmusoglu dhe Joanna Warsza nga Berlini si bashkë-kuratore për edicionin e tretë, i cili do të mbahet nga korriku deri në shtator të vitit 2021 në Kosovë, njofton KultPlus.

‘AUTOSTRADA BIENNALE nuk do të shtyhet por do të mbahet gjatë verës së vitit 2021. Për më tepër, bienalja do të trajtojë drejtpërdrejtë atë se sa na ka bërë pandemia të mendojmë për qytetet tona, hapësirat përreth nesh, çkafit do të mund t’i rikthehemi, çfarë mund të lëmë pas dhe sa i nevojshëm është arti në kohë pasigurie.’, thuhet në komunikatën për media.

AUTOSTRADA BIENNALE filloi nga vendilindja e saj, Prizreni, në vitin 2014 (edicioni i parë në 2017) themeluar nga një ndjenjë e mungesës, e nevojës për më shumë shkëmbim kulturor në rajon, si dhe hapjes ndaj botës. Ajo u formësua si një pikë lidhëse dhe si një rrugë në hartën e Ballkanit Perëndimor. Pandemia na ka bërë që t’a rimendojmë modelin e bienales dhe për këtë ne jemi shumë entuziastë për të qenë partnerë me dy kuratore të pavarura, të cilat do të punojnë edhe më tej me identitetin tonë: shumë lokal dhe shumë të ndërlidhur.

AUTOSTRADA BIENNALE, një organizatë e re e themeluar nga artistë dhe pedagogë në vendlindjen e tyre, Prizren, na dërgon në një udhëtim të jashtëzakonshëm”, shkruajnë Övül Ö. Durmusoglu dhe Joanna ëarsza. “Sot është koha për të imagjinuar një tjetër të nesërme: si të ndërtojmë ura arti përtej ekraneve dhe kubeve të bardha në publik; si të vazhdojmë të jemi kurreshtar; si të gëzohemi dhe si të bashkëndjejmë; si të jemi të afërt me artin dhe artistët; si të praktikojmë çasjen translokale; si t’a përqafojmë shqetësimin për të ardhmen e paparashikueshme dhe të ëndërrojmë përtej saj.

Udhëtojmë me Autostrada Biennale në një rrugë drejt rrjeteve komplekse të ndërvarësisë mes vete, dhe me jetë të tjera me të cilat e ndajmë planetin. Autostrada Biennale do t’u përgjigjet rrethanave dhe peisazhit politik, do të dërgojë sinjale tymi nga këtu – atje, do të prodhoj kënaqësi të përbashkët përmes mësimit dhe veprimit asimetrik. Ne jemi më shumë se të ngazëllyer për të ndërmarrë këtë udhëtim, duke filluar nga Prizreni, një nga qytetet më multietnike dhe multikulturore të Evropës.”

Övül Ö. Durmusoglu është kuratore e pavarur dhe shkrimtare, profesoreshë e angazhuar dhe bashkë-udhëheqëse e programit në Graduate School në UdK në Berlin dhe profesoreshë e angazhuar në HfBK në Braunschëeig. Ajo vepron në mes të krijimit të ekspozimit dhe programimit publik, gjuhëve të ralla dhe energjive kolektive, zhytjeve të zakonshme dhe kozmologjive politike. Övül ka qenë kuratore në Steirischer Herbst; ka bashkë-kuruar seksionet e ndryshme të Istanbul Biennial ne edicionin e 10, 13 dhe 14; dhe ka organizuar Programe Publike për dOKUMENTA (13). Është me origjinë nga Ankaraja dhe jeton në Berlin.

Joanna Warsza është drejtoreshë e programit CuratorLab në Universitetin e Arteve Konstfack në Stokholm, kuratore e pavarur dhe redaktore e interesuar për mënyrën se si funksionon arti në aspektin politik dhe social jashtë kubeve të bardha. Ajo ishte drejtoreshë artistike e Public Art Mynih më 2018, kuratore e pavijonit të Gjeorgjisë në Biennalen e 55-të të Venedikut dhe kuratore e asociuar e Biennales së 7-të të Berlinit dhe redaktore e disa librave. Është me origjinë nga Varshava dhe jeton në Berlin.

Në prill të vitit 2020, Övül dhe Joanna inicuan ekspozitën “Die Balkone: Life, Art, Pandemic and Proximity” në dritare dhe ballkone të rrethit Prenzlauer Berg të Berlinit, ku të dyjat edhe jetojnë.

Autostrada Biennale do të prezantohet në verën e vitit 2021 në të dy format, atë analoge dhe dixhitale. / KultPlus.com

“Dita e Familjes” në Autostrada Biennale

Ka filluar programi i “Family Days”, ku çdo të diele, prindërit të cilët i marrin fëmijët me vete nëpër hapësirat e ekspozitave do t’i kenë biletat falas!

“Kjo nismë është brenda programit edukativ. Qëllimi është që të inkurajojmë prindërit të marrin pjesë aktivisht në programet tona. Themelet e edukimit vihen në fëmijëri, prandaj ne si Biennale kemi vendosur të ua bëjmë pa pagesë prindërve që me vete i kanë fëmijët e tyre deri në moshën 12 vjeçare”, thuhet në njoftim.

Arti është fusha e domosdoshme për njeriun. Krahas dijes nevojitet edhe shija. Programet tona e kanë këtë synim. Të krijojmë gjenerata të cilat kanë shije të hollë edukative e arsimore.

Nga sot, 28 korriku, për të vazhduar me 4, 18, 25 gusht e me 1, 8 dhe 15 shtator, Autostrada Biennale do të siguroj qasje të pakufizuar në të gjitha hapësirat e festivalit për këto familje.

Më shumë informata rreth ekspozitës mund te gjeni në linkun e mëposhtëm:

http://autostradabiennale.org/wp-content/uploads/2018/10/AB_2019_Web_Brochure_N.pdf

Jazz grupi Arthur Posing Quartet në Autostrada Biennale

Sonte nën tingujt e muzikes Jazz te grupit Arthur Posing Quartet, argetohen artistet pjesemarres te Autostrada Biennale, përcjell KultPlus

Nën mbështetjën e Ambasadës së Luksemburgut. Koncerti po mbahet ne urën Topokli të rrugës Vatrat Shqiptare në Prizren, dhe kjo nuk është e rastesishme, pasiqe edhe ky event është titulluar “Singing to the River”.

“Singing to the River” konsiderohet të jetë një metaforë dhe një fillim i ri i një koncepti që ka të bëjë me njerëzit e profileve të ndryshme që mblidhen sëbashku. Ky event pritet të mbahet edhe në vitet e ardhshme, duke u bërë kështu një traditë.KultPlus.com

“Revolucioni jemi ne”, tema e konferencës së sotme në Autostrada Biennale

Autostrada Bienale, në ambientin e Hamamit të vjetër të Prizrenit ka mbajtur konferencën me temë “Revolucioni jemi ne” ku u fol për revolucionin si art, e poashtu edhe për revolucionin në art, përcjell KultPlus.

Konferencën e hapi organizatori i festivalit, për t’ia dhënë fjalën më pas disa prej artistëve panelistë. Sot u fol për revolucionin si art, e poashtu edhe për revolucionin në art.

Artistët shprehën mendimet e tyre se cka është revolucioni për ta, si e shprehin ata revolucionin në art dhe si duhet të realizohet ai në jetë.

I pari qe mori fjalën ishte kuratori i festivalit, Giacinto Di Pietrantonio, sipas të cilit revolucioni funksionin atëherë kur ne vendosim t’i shohim gjërat në aspekte apo këndvështrime tjera. Sislej Xhafa, revulucionin e shihte si vetë ekzistencë të qenies. Yehuda Safran, artin në përgjithësi e konsideronte si dicka që na falë çlirim nga konsporacioni dhe na lejon të lidhemi me atë që është përtej nesh. Secili është i lindur të flas një gjuhë që askush nuk e kupton, detyra e cdo artisti është që ta paraqesë gjuhën e vetë para të tjerëve.

Dhe si çdoherë kur mbledhen artistat, edhe për diskutime serioze, prapë se prapë arti zë vend. Klod Dedja mori fjalën me nja cantë të vendosur mbi kokë dhe duke përsëritur disa herë radhazi “Revolucioni jam unë. Revolucioni je ti. Revolucioni është ai. Revolucioni jemi ne. Revoulcioni jeni ju. Revolucioni janë ata”. Klod Dedja e shihte revolucionin si mbijetesë. Deklaroi se “Pa revolucion jemi asgjë”. Dhe në fund për Tomasso Pincio-n, revolucioni fillon nga vetja. “Kapeni karrigen apo ulësen që gjendet në shtëpine e juaj, dilni në rrugë. Revoltohuni me gjërat e juaja./ KultPlus.com

Kur tradita dhe historia shndërrohen në art në Prizren

 Stacioni i autobusëve, muzeu arkeologjik, ish-burgu, gjimnazi Gjon Buzuku dhe Kalaja ishin këto vendet ku zënë pjesë ekspozitat e këtij edicioni te festivalit Autostrada Biennale, i cili po mbahet në Prizren, shkruan KultPlus.

Si pikë nisje për pjesëmarrësit e këtij edicioni ishte stacioni i autobusëve që të ekspozuara kishte vepra të artistëve shqiptarë e të huaj. Në këtë lokacion kryesisht ishin vepra që shprehnin revoltë, ose vepra që para publikut mund të vinin në jetë vetëm përmes krijuesit të tyre.

Në muzeun arkeologjik pjesëmarrësit, disa prej tyre për herë të parë, përpos veprave artistike të cilat kishin ardhur të i shihnin, ata u njoftuan edhe me materialet arkeologjike të zonës së Prizrenit e vendeve përreth.

Veprat e artit që zinin vend në muze ishin kryesisht piktura dhe fotografi.

Pas vizitës së muzeut, pjesëmarrësit vazhduan drejt gjimnazit “Gjon Buzuku”, brenda të cilit ekspozita ndodhej në një vend mjaft interesant, në tavanin e gjimnazit. Kësaj radhe, artistët përmes videos shpalosën artin e tyre para publikut.

Ish-burgu i qytetit ishte destinacioni i radhës. Vepra e artit që gjindej aty ishte si një top i rrumbullakët që funksiononte përmes elektricitetit. E në fund të vizitës së burgut, artistët u ndanë të kënaqur, pasiqë edhe një vend të frikshëm si burgu, arti arrin të fshehë aromën e frikës që normalisht do të mbizotëronte në një vend të tillë.

Destinacioni i fundit për ditën e parë të këtij edicioni, ishte kalaja e qytetit. Disa prej veprave u ekspozuan në televizorë, e disa në ekrane të mëdha. Veprat gjendeshin nëpër skutat e bukura të kalasë. Skuta këto, që kur bashkoheshin me bukurinë e kalasë, krijonin një atmosferë të këndshmë artistikë. / KultPlus.com

‘Është një gjë shumë e bukur kur artistët ndihmojnë artistët e tjerë’

Prizreni edhe këtë herë do të jetë mikëpritës për shumë artistë, vendorë e të huaj. Këtë vit po mbahet edicioni i dytë i Autostrada Biennale me moton ‘Revolucioni jemi ne’, shkruan KultPlus.

Festivali ku si pikë kryesore të tij ka ekspozitat, do të jetë i hapur për publikun deri më 21 shtator. Sot, në ditën e parë të hapjes së këtij edicioni, kishte shumë të pranishëm. Përveç artistëve të cilët janë edhe pjesë e këtij festivali ka pasur edhe shumë të tjerë të interesuar për veprat e artit që zënë vend në Prizren në kuadër të këtij festivali.

E pranishme ishte edhe ministrja e kulturës së Shqipërisë, Elvi Margariti, e cila për KultPlus deklaori se: “ Është hera e parë që jam e pranishme në këtë festival dhe po ndjej shumë energji pozitive. Është një gjë shumë e bukur kur artistët ndihmojnë artistët e tjerë. Është si një komunitet që lidh artistët shqiptarë, kroat,serb e artistët nga Shqipëria përmes artit, domethënë nuk ka asnjë lloj kufizimi territorial apo kulturor”.

Ekspozita e parë që u vizitua nga pjesëmarrësit ishte ajo në stacionin e autobusave në Prizren, për të vazhduar më pas deri te muzeu arkeologjik, gjimnazi Gjon Buzuku, te ish-burgu e pastaj për fund edhe në kalanë e qytetit. Veprat e artit të cilat u prezantuan ishin piktura, fotografi, video etj. / KultPlus.com