Kuratori italian prezanton detaje rreth festivalit “Autostrada Biennale”

I shpallur kryeqytet historik i Kosovës, Prizreni njihet si qytet i trashëgimisë kulturore, derisa dy muaj gjatë verës, do të jetë edhe një muze i hapur i artit bashkëkohorë.

Janë mbi 30 artistë vendorë e ndërkombëtar veprat e të cilëve nga 20 korriku deri me 21 shtator do të qëndrojnë në hapësira të ndryshme më qytetit.

Kuratori i këtij edicioni, Giacinto Di Pietrantonio përmes temës synon të përmbys idenë e të bërit revolucion, duke inkurajuar që individët ndryshimin ta nisin nga vetja, raporton “Express” i KTV-së.

“Revolucioni nuk duhet të nis nga politika por na ne, nga eksperienca jonë. Njerëzit duhet të kenë një koncept tjetër për revolucionin. Edicioni i sivjetmë i ngjarjes së artit bashkëkohorë do të paraqesë shumë vepra që shpërfaqin idetë e artistëve që marrin pjesë”, ka thënë Pietrantonio.

Përderisa për vizitorët “Autostrada Biennale” do të hapet këtë të diel, të shtunën, artistët bashkë me mysafirët do të nisin rrugëtimin nga stacioni i autobusëve për të vazhduar nëpër disa lokacione për të parë veprat e artistëve pjesëmarrës deri te Kalaja e qytetit.

Në këtë formë gjurmët e qytetërimit antik do të përballen me pyetjet që shtrohen nëpërmjet artit bashkëkohorë.

Kuratorit i është dashur më pak se një vit që të përgatisë temën e këtij edicioni “Revolucioni jemi ne” i bazuar në veprën e artistit Joseph Beuys.

Autostrada Biennale sjellë konferencën ndërkombëtare “Revolucioni Jemi Ne – La Rivoluzione Siamo Noi”

Autostrada Biennale, pas edicionit të parë të suksesshëm të vitit 2017, është duke organizuar konferencën vjetore “Revolucioni Jemi Ne – La Rivoluzione Siamo Noi” që do të mbahet me 14 dhe 15 dhjetor në Prishtinë dhe në Prizren.

Pas publikimit të konceptit dhe temës së edicionit të dytë “Revolucioni Jemi Ne – La Rivoluzione Siamo Noi”, ekipi i bienales dhe kuratori Giacinto Di Pietrantonio kanë filluar përgatitjet për konferencën e cila do të mbledhë artistë, kuratorë dhe përfaqësues të institucioneve kulturore dhe politike në panele që kane për qëllim të adresojnë çështje kulturore nëpërmjet perspektivës së artit, politikës dhe ekonomisë.

Përmes kësaj konference Autostrada Biennale synon konsolidimin e partneriteteve mes institucioneve publike dhe private të artit, artistëve dhe grupeve joformale, nëpërmjet rrjetëzimit dhe shkëmbimit të përvojave dhe ideve – me qëllim të përbashkët, nxitjen e krijimit të mundësive të reja për zgjerimin dhe ringjalljen e komunitetit artistik në vend dhe rajon.

Në konferencë ekipi i Autostrada Biennale do ta publikoje librin e saj të parë të quajtur “Autostrada Biennale: Libri i Përbashkët”, i cili synon ta promovojë bienalen në mbarë botën duke mbajtur prezantime dhe biseda në ngjarje të ndryshme kulturore.

Në prezantim do të shpaloset ideja e themelimit të Autostrada Biennale dhe aktivitetet e realizuara gjatë rrugëtimit të përbashkët.

I gjithë diskutimi mbi librin do të fokusohet në tregimin se si bienalja e ka bërë qytetin dhe qytetarin pjesë tejet të rëndësishme të organizimeve të saj, duke i përfshirë ata, pavarësisht përkatësisë nacionale, fetare dhe kulturore, dhe se si ky ka qenë edhe vetë qëllimi i këtij organizimi, thyerja dhe zhdukja e kufijve, si dhe gjithçka që konsiderohet të jetë tabu në shoqërinë tonë.

Gjithashtu do të diskutohet se si biennalja ka arritur së bashku me qytetarët dhe partnerët strategjik te krijoj hapësira të reja ekspozimi, edukimi joformal, diskutimi dhe hapësira të reja reflektimi, duke stimuluar në këtë mënyrë lirinë e shprehjes, këmbimin kulturor, mendimin kritik dhe ruajtjen e tolerancës ndërkulturore e ndëretnike, me qëllim të promovimit të mendimit demokratik, të ruajtjes së mjedisit dhe të vlerësimit të trashëgimisë kulturore.

Partnerët dhe përkrahësit e librit dhe të konferencës ndërkombëtare janë: UNKT – Ekipi i Kombeve të Bashkuara në Kosovë – më konkretisht Zyra e Koordinatorit për Zhvillim, Zyra Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim në Prishtinë, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve në Kosovë, Ministria e Diasporës dhe Investimet Strategjike në Kosovë, Komuna e Prizrenit dhe Komuna e Prishtinës.

Temat që do të adresohen në konferencë dhe detajet e paneleve mund ti gjeni më poshtë:
Dita e Parë / Prishtina 14. Dhjetor në Soma Book Station

17:00
Prezantimi i “Autostrada Bienaleve: Libri i Përbashkët”
Leutrim Fishekqiu, Baris Karamuco, Vatra Abrashi dhe përfaqësuesit e UNKT
Fjala Keynote / “Revolucioni Jemi Ne – La Rivoluzione Siamo Noi”
Giacinto Di Pietrantonio, Kurator i Autostrada Biennale 2019
Dita e Dytë / Prizren 15. Dhjetor në Muzeun Arkeologjik
11:00

Prezantimi i “Autostrada Bienaleve: Libri i Përbashkët”
Leutrim Fishekqiu, Baris Karamuco, Vatra Abrashi dhe përfaqësuesit e UNKT
Fjala Keynote / “Revolucioni Jemi Ne – La Rivoluzione Siamo Noi”
Giacinto Di Pietrantonio, Kurator i Autostrada Biennale 2019
Panel Diskutimi / “Revolucioni Jemi Ne – La Rivoluzione Siamo Noi”

Moderator: Hajrulla Çeku
Panelistë: Giacinto Di Pietrantonio (Kurator / Milano), Arta Agani (Drejtoreshe e Galerisë Kombëtare / Prishtina) dhe Richard Mei (Perfaqesues i Ambasades Amerikane në Prishtinë)
Panel Diskutimi / Zhvillim përmes Turizmit Kulturor
Moderator: Hajrulla Çeku
Panelistë: Mytaher Haskuka (Kryetar i Prizrenit), Ols Lafe (Ekspert për Turizmin Kulturor), Dren Zatriqi (Swiss Contact) dhe përfaqësues i Ministrisë së Diasporës dhe Investimeve Strategjike. /KultPlus.com

Autostrada Biennale prezanton librin në Manifesta12

Ekipi i Autostrada Biennale prezantoj librin e saj të parë, para publikut italian në njërën nga ngjarjet kryesore të këtij viti në Itali, në bienalen Manifesta12. Autostrada Biennale, pas edicionit të parë të suksesshëm të vitit 2017, ka botuar librin e saj të parë të quajtur “Autostrada Biennale: Libri i Përbashkët”, i cili synon ta promovojë bienalen në mbarë botën duke mbajtur prezantime dhe biseda në ngjarje të ndryshme kulturore.

Palermo sivjet është përzgjedhur kryeqyteti kulturor Italinë dhe për këtë arsye ekipi i bienales ka vendosur që prezantimin e parë të librit ta mbajë në Teatro Garibaldi në njërën nga teatrot më të njohura e restauruar enkas për ngjarjen e Manifesta12.

Në prezantim u shpalos ideja e themelimit të Autostrada Biennale dhe aktivitetet e realizuara gjatë rrugëtimit të përbashkët. I gjithë diskutimi u fokusua në librin i cili tregon se si bienalja e ka bërë qytetin dhe qytetarin pjesë tejet të rëndësishme të organizimeve të saj, duke i përfshirë ata, pavarësisht përkatësisë nacionale, fetare dhe kulturore, sepse ky ka qenë edhe vetë qëllimi i këtij organizimi, thyerja dhe zhdukja e kufijve, si dhe gjithçka që konsiderohet të jetë tabu në shoqërinë tonë. U diskutua se si biennalja ka arritur së bashku me qytetarët dhe partnerët strategjik te krijoj hapësira të reja ekspozimi, edukimi joformal, diskutimi dhe hapësira të reja reflektimi, duke stimuluar në këtë mënyrë lirinë e shprehjes, këmbimin kulturor, mendimin kritik dhe ruajtjen e tolerancës ndërkulturore e ndëretnike, me qëllim të promovimit të mendimit demokratik, të ruajtjes së mjedisit dhe të vlerësimit të trashëgimisë kulturore.

Partnerët dhe përkrahësit e librit dhe agjendës se promovimit janë: UNKT – Ekipi i Kombeve të Bashkuara në Kosovë – më konkretisht Zyra e
Koordinatorit për Zhvillim, Zyra Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim në Prishtinë, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve në Kosovë, Ministria e Diasporës dhe Investimet Strategjike në Kosovë, Komuna e Prizrenit dhe Komuna e Prishtinës.

Manifesta është një ngjarje e madhe ndërkombëtare e artit, e cila organizohet çdo dy vite në një qytet Evropian. Për vite të tëra ajo ka tërhequr vizitorë nga e gjithë bota.

Manifesta është vendi i duhur për zbulimin e artistëve në zhvillim, ideve që nxisin mendime, krijimit të veprave të reja të krijuara veçanërisht për ngjarjen dhe përvojat krijuese në dialog me vende spektakolare të çdo qyteti ku organizohet. Sivjet ajo po mbahet ne Palermo te Italisë. Qyteti i Palermos ishte i rëndësishëm për Manifesta për përfaqësimin e dy temave të rëndësishme që identifikojnë Evropën bashkëkohore: migrimin dhe ndryshimet klimatike dhe si këto çështje ndikojnë në qytetet tona./KultPlus.com

Përmbyllet sot Autostrada Biennale

Edicioni i parë i Bienales Ndërkombëtare të Artit Bashkëkohor – Autostrada Biennale, përmbyllet sot në Prizren, përcjellë KultPlus.

Ky rrugëtim artistik me temën “E ardhmja e kufijve” mblodhi në Prizren 24 artistë nga vende të ndryshme të botës, me mbi 30 vepra arti që shndërruan qytetin e Prizrenit në një galeri të hapur dhe në shtëpi të artit bashkëkohor në Ballkan.

Autostrada Bienale organizon sot konferencën përmbyllëse për shtyp, duke filluar nga ora 17:30, te “MeetingPoint” (Pikëtakimi), në shtratin e Lumbardhit në Prizren.

Nga ky pikëtakim fillon vizita e fundit e organizuar për ekspozitën ndërkombëtare të artit bashkëkohor, që solli përvoja të reja artistike në hapësira të ndryshme në Prizren, përfshirë qendrën e qytetit, shtëpitë e vjetra, stacionin e autobusëve, lumin Lumbardhi, zonën e Marashit dhe Kalanë e Prizrenit.

Vizita do të përfundojë në Stacionin e Autobusëve, ku në ora 21:00 do të zhvillohet ceremonia përmbyllëse.

Edicioni i parë i Autostrada Biennale, me kurator Manray Hsu nga Taivani, në thelb të kohës sonë, është përqendruar në probleme të ndryshme kufitare.

Me temën “E ardhmja e kufijve”, adresoi me guxim nocionet e kufijve të dukshëm dhe të padukshëm, përcjellë me mesazhin e domosdoshmërisë për të qenë një shoqëri më e jetueshme kolektive. / KultPlus.com

Autostrada Biennale diskuton “kufijtë gjinor në qytet”

Bienalja Ndërkombëtare e Artit Bashkëkohor – Autostrada Biennale, që po vazhdon në Prizren, organizon diskutimin mbi temën “Kufijtë gjinor në qytet”, përcjellë KultPlus.

Ky diskutim, i organizuar në bashkëpunim me FEMaktiv, do të jetë i hapur për publikun, për të bashkëbiseduar për kufijtë të padukshëm gjinor në qytet.

Diskutimi do të mbahet sot, 22 shtator, më fillim nga ora 17:00 tek shtëpia e vjetër Saraj, në Prizren.
Hapja do të bëhet nga Leutrim Fishekqiu – Autostrada Biennale, ndërsa panelistë janë: Adelina Hasani – përfaqësuese nga FEMaktiv dhe moderatore e diskutimit si dhe Besnik Leka – Sociolog i certifikuar për studime gjinore në SHBA.

Edicioni i parë i Autostrada Biennale, në thelb të kohës sonë, është përqendruar në probleme të ndryshme kufitare.

Me temën“E ardhmja e kufijve”, adreson me guxim nocionet e kufijve të dukshëm dhe të padukshëm, dhe përcjellë mesazhin e domosdoshmërisë për të qenë një shoqëri më e jetueshme kolektive.

Ekspozita ndërkombëtare e artit bashkëkohor e hapur në hapësira të ndryshme e në Prizren (19 gusht 2017 – 23 shtator 2017), përfshirë hapësirat në qendër të qytetit, shtëpitë e vjetra, stacionin e autobusëve dhe hapësirave përreth, përgjatë lumit Lumbardhi në zonën e Marashit, në kodra dhe kala, prezanton vepra artistike lidhur me gërmadhat, mjediset njerëzore-natyrore dhe hapësirën kohore përtej kufijve njerëzor. / KultPlus.com

Valentina Bonizzi prezanton dy filma në Autostrada Biennale

Puna e Valentina Bonizzi, vajzës së lindur në Milano, po që jeton në mes të Tiranës dhe Glasgos, thekson çështjet e drejtësisë sociale, ndërkohë që zbulon potencialet e demokratizimit, që shtrihen në ri-definimin artistik të praktikave hartografike.

Disa nga veprat e saj i përgjigjen metodave shkencore të përcaktimit të shtetësisë, duke paraqitur me kujdes individin në historinë kolektive. Valentina punon me një shumëllojshmëri mediash si filmi, fotografia, arkivi, zëri, radioja dhe ndërhyrja performuese me muzikë dhe dialog.

Valentina në Bienalen e artit bashkëkohor, Autostrada Biennale në Prizren, po prezantohet me veprat: “Is it yours?” (A është i yti?) që gjendet në Stacion të Autobusëve dhe “Hartografët”, që shfaqet në Kala, përcjellë KultPlus.

“Unë do të prezantoj dy filma që janë të ndryshëm. “Is it yours” është një pjesë që e kam bërë në kufirin mes Jerusalemit dhe Bethlehem, ku ndodhet pika e kontrollit. Pra, është një film Brenda pikës së kontrollit, ndërsa “Cartographer” është film më i gjatë që është bërë mes jugut të Italisë dhe regjioni i Molise”. “Cartographers” ka të bëjë me mënyrën se si mund të ndihemi përgjegjës kolektivisht rreth kufijve të cilët ne i krijojmë ose duhet t’i pranojmë në një formë, kurse “Is it yours” është një pjesë që ka të bëjë më shumë me ndershmërinë, të lidhur prapë me përgjegjësinë”, ka treguar Valentina.

Tema e punës se Valentina Boniyyit, në një formë lidhet gjithmonë me drejtësinë sociale, hibridin dhe emigracionin dhe të dy punimet lidhen me këtë .

“Mesazhi për publikun është i ndryshëm, bazuar në vendin se ku janë të vendosur filmat. Këtu në Autostradën Biennale është shumë e veçantë sepse ndodhet në kornizën e të ardhmes së kufijve dhe këtu në Kosovë, mendoj se mesazhi i punës është i ndryshëm nga vendet tjera ku i kam shfaqur filmat, edhe pse “Is it yours” po ekspozohet për herë të parë. Është një punë e realizuar në vitin 2014, por për herë të parë po ekspozohet këtu”, ka vazhduar të tregoj tutje ajo.

Valentina ka theksuar se kjo ngjarje është shumë e rëndësishme për kontekstin se ku po mbahet Autostrada, në Prizren.

“Mendoj se është një temë shumë e rëndësishme që sjellë mençuri organizative. Është shumë mirë e menduar që të transformohen hapësirat publike në hapësira ekspozite. Pra, kjo është përshtypja ime e parë dhe besoj se duhet të shohim se si do t’i përgjigjet publiku kësaj”, është shprehur artistja. / KultPlus.com

Shtëpitë e vjetra të Prizrenit, nën llupën e shndërrimit artistik në Autostrada Biennale (FOTO)

Në një kohë rrënimesh të objekteve të vjetra, dëmtimit të kujtesës kolektive e vlerave kulturore historike nëpër qytete të Kosovës, shtëpitë e vjetra të Prizrenit janë bërë destinacon i artdashësve.

Autostrada Biennale i ka shndërruar ato në vendtakime për artin bashkëkohor.

Nën kulmet e shtëpive të vjetra të qytetit, bashkë me trashëgiminë, kanë marre jetë shumë vepra të artit bashkëkohor, të lidhura me jetën e qytetit, historinë dhe diversitetin kulturor të Prizrenit.

Një nga to është shtëpia e Nafis Llokvicës, që është shtëpia më e vjetër në kompleksin e Marashit. Burimet e shkruara flasin shumë pak për këtë shtëpi, por pronari i kësaj shtëpie dëshmon që kjo shtëpi është ndërtuar nga paraardhësit e tij 250 vite më parë. Shtëpia ka qenë e banueshme deri në vitin 2013 dhe në të kanë jetuar 4 gjenerata të familjes Llokvica. Nga 2013 – 2016, pronari ka kërkuar vazhdimisht nga institucionet përgjegjëse dhe NGO-të mbështetje financiare për restaurimin e saj, por fatkeqësisht nuk ka marr përgjigje pozitive. Prej asaj kohe shtëpia lihet pas dore me çka fillon procesi i degradimit të saj.

“Ne prizrenasit me gjithë qejf, duke e rrahur gjoksin themi se Prishtina është kryeqyteti i Kosovës, por Prizreni është kryeqyteti kulturor i Kosovës. E gjithë kultura fillon nga Prizreni. Prizrenit nuk i thonë kot muzeu i hapur” , thotë pronari i shtëpisë, Nafis Llokvica, duke shtuar se kjo përvojë e ka inspiruar për gjëra më të mira:
“Në Prizren askund nuk ka galeri. Ndoshta, pas Autostrada Biennale, këtë vend do ta bëj galeri duke i ftuar piktorët, sepse mund të hapen ekspozita të bukura. I gjıthë ky Prizren me mbi 200 mijë banorë, nuk ka asnjë galeri. Vetëm hamamin e kemi, e cila herë pas here shfrytëzohet dhe asnjë galeri tjetër nuk e kemi.”

Pronari Nafis Llokvica për 40 vite me aparatin e tij ka qenë dëshmitar i shumë ndodhive të cilat janë dokument i kohëve të shkuara, të ruajtura në foto-arkivën e tij të pasur, shkruan KultPlus.

“Kur flas rreth këtij profesioni, më duhet të kthehem më prapa, sepse kam jetuar në këtë shtëpi. Mund të them që krijimi i arkivës, filloi si një hobi, dhe më vonë u shndërrua në fobi, sepse nuk doja ta humbas asnjë moment. Çdo gjë të incizoj, të filmoj, të fotografoj, e kam ndjerë nevojën t’i ruaj të gjitha, sepse e di që të gjitha këto një ditë do të bëhen histori. Ndoshta pas meje, ndoshta unë nuk do t’i shohë ato ditë, por borxhi im është që ta ruaj të gjithë këtë arkivë, ta digjitalizoj dhe ta mbroj nga zhdukja, ” tregon Llokvica.

” Ngjarjet kulturore në Prizren, plotësisht, të gjitha i kam xhiruar, sepse afro 20 vjet kam marrë pjesë në teatër. Ka edhe ngjarje politike, protesta. Unë gjatë luftës kam qëndruar këtu. Ka pamje nga lufta, pasluftës ka pasur shumë ngjarje, pas viti 1999 kemi pamje të shumta. Dokumentari më së shumti që ka pasur interesim është ‘’Çlirimi i Prizrenit’’. Ajo kasetë ka arritur në pesë kontinente.”

“Bukuria e fundosur”
Shtëpia e Nafis Llokvicës, dikur e përmbysur nga vërshimet e Lumbardhit, është kthyer në galeri ekspozuese për fotografitë e artistit Tajvanez YANG SHUN-FA, titulluar “Bukuria e fundosur e Formosës”
Me këtë seri fotografish, Yang kërkon të zgjojë vëmendjen e njerëzve për ndryshimet klimatike dhe ndryshimeve që ndodhin rreth nesh. Sipas Yang : “Gjithçka po ndryshon, përveç të menduarit tonë. Ne nuk i marrim paralajmërimet e Nënës Natyrë seriozisht dhe ende besojmë se njerëzimi do të triumfojë mbi natyrën.”

Në njërën nga dhomat e vjetra të shtëpisë, vazhdon të shfaqet video dokumetimi i performancës së Li Binyuan nga Kina, shkruan KultPlus.

Li Binyuan punon me mjedisin e tij të afërt dhe ngjarjet që ndodhin rreth tij. Puna e tij nënvizon përsosjen e individit, trupin në sjelljet e tij të shumëfishta. Li Binyuan e vendos vetë jetën në qendër të punës së tij, por nganjëherë na sjell edhe përtej kësaj.

“BUJQËSI E LIRISË” është vepër mbi tokat që artisti trashëgoi pas vdekje së të atit, që ai i përdori për fermë.
“Kjo më bëri të humbas, duke mos ditur se çfarë të bëj me të. Unë u përpoqa ta shmangja atë. Duke u turpëruar nga përballja me realitetin, unë rrallë shkoja në shtëpi. Megjithatë, problemi nuk zgjidhet për shkak të tjetërsimit tim. Ndjesia ime e përkatësisë dhe e identitetit është zhdukur gradualisht.,” shpjegon Li Binyuan, duke vijuar:

“Nuk është se deri në vitin 2014 unë kam vendosur të bëjë një performancë në një nga pronat e tokës, që të përdor trupin tim për të rishikuar dhe riprekur vendin tim të lindjes, i cili është bërë i çuditshëm dhe i afërt me zemrën në të njëjtën kohë. Unë hidhesha lartë dhe bija përsëri në tokë vazhdueshëm derisa pushoi rraskapitja, më në fund u afrova me të. Titulli “Bujqësia e Lirisë” vjen nga certifikata e pronësisë së tokës dhënë nga Komiteti i Fshatarëve. E shoh këtë proces si një masë të vetë-shpëtimit. “Bujqësia e Lirisë” është një vepër e dialogut me vet – veten, me gjeneratën e prindërve të mi dhe realitetin tim, përmes të cilës përpiqem të gjej një ekuilibër në mes të trejave. Ndoshta për të ringjallur disa gjëra, në të njëjtën kohë për të rikonfirmuar përkatësinë time. Çdo kërcim është një largim dhe rënia është kthimi në shtëpi. Midis largimeve dhe kthimeve, diçka definitivisht mungon.”

“Bukuria e fundosur e Formosës” dhe “Bujqësi e lirisë” qëndrojnë të ekspozuara në shtëpinë Nafis deri më 23 shtator, kur edhe përmbyllet edicioni i parë i Autostrada Biennale. / KultPlus.com

Artisti italian Ettore Favini vë në pikëpyetje identitetin e kosovarëve

Me ardhjen e Pavarësisë së Kosovës, me 17 shkurt të vitit 2008 dhe kësisoj edhe me formimin e një shteti me tërë komponentët e tij, në opinionin publik nisi të qarkullonte ideja se pasi Kosova u bë shtet, tash duhej të flitej edhe për Kosovën si komb.

Çdo shtet duhet ta ketë edhe kombësinë. Artisti Ettore Favini shpalosë një inspirim të tillë në konceptin e punës artistike të cilën e ka sjellë në Prizren.

Gjithçka po ndodhë në kuadër të Autostrada Biennale – një Bienale arti e cila duket se kësaj radhe ka qëlluar në shenjë me edicionin debutues, me vepra e artistë të ndryshëm. Favini, një prej artistëve pjesëmarrës, vjen me një instalacion mbi simbolizmin kosovar.
Në fakt – “Simbolizmi Kosovar” është emri i punës së artistit italian.

Ai ka zgjedhur të punojë me atë që ai e quan element dekorativ që prezanton edhe sferën kolektive, por edhe atë personale: qilimin.

“Qilimi është hapësirë dhe vend i privatësisë shtëpiake, vend ku edhe shkëmbehen mendime. Qilimi është hapësirë pa kufi ku përfaqësohen simbole të përbashkëta. Ideja ime me punën në Prizren është që të krijoj një punë të hapur, ku audienca mund të bëhet vetë autore, të përfshihet në zgjidhjen e simboleve” tregon artisti.

Një pyetësor tenton të marrë mendime njerëzish për një identitet të ardhshëm kosovar, bazuar në memorien kolektive, të ardhmen dhe peizazhin. Ai e ka kuptuar se fakti që kosovarët janë vend i izoluar dhe në nevojë për viza udhëtimi, kjo paraqet problem edhe në krijimin e një identiteti, në të cilin zë vend më pas ndjenja kombëtare e ajo shtetërore, shkruan KultPlus.

Favini ka lindur në Kremones të Italisë në vitin 1974. Ai cakton përvojën e dëgjimit të tregimeve “të vogla” për të ushqyer veprat që përcaktojnë marrëdhëniet mes njerëzve dhe mjedisit të tyre. Kujtesa, të dyja – individuale dhe kolektive, është shpesh në qendër të një rruge që lëviz nga burime autobiografike të frymëzimit drejt temave universale, si koha dhe ekzistenca. Puna e tij, e cila priret të jetë specifike për vendin, zhvillohet përmes një procesi të gjatë rritjeje, që i bënë ato organizma të gjallë, pa përfunduar realisht kurrë: pajisjet e hapura të vizionit në çikrik, në të cilën puna merr pjesë në jetë, duke e bërë shikuesin pjesëmarrës aktiv.
Çmimi Artegiovane nga Dhomat e Tregtisë së Milanos dhe Torinos (2005) dhe Çmimi prestigjioz në Nju Jork nga Universiteti i Kolumbias (2007), janë në mesin e çmimeve që artisti ka marrë. / KultPlus.com

Alketa Xhafa Mripa, artistja që pështynë e nuk njeh kufij (FOTO)

Tabela e bilardos është moment eksitimi. Njëjtë, edhe moment i duelit, gjithmonë për fitore. Tabela e bilardos është tabela e topave me ngjyra. Tabela vështirë se mendohet si vend ku pështyhet, a prej të cilit pështyhet në drejtim tjetër.

Por tabela është edhe vendi i veprës artistike të radhës nga Alketa Xhafa Mripa.

Përderisa loja zhvillohet normalisht, në një tavolinë bilardoje rregullat dhe kufijtë e arenës dakordohen nga lojtarët. Kur fillon performanca e artistes, ajo del nga diku, rreth publikut, ecën drejt tavolinës, ngjitet, shtrihet në bark, e nxjerr kokën dhe pështyn.

Pështyma e saj natyrore shkon përtej kufijve. Performancën e tillë “Ujëvara/Waterfalls” Alketa Xhafa Mripa e realizoi para disa ditësh në kuadër të Autostrada Biennale – Bienalja e Artit e cila në Prizren po sjellë artistë të ndryshëm që sfidojnë kufijtë me mediume të ndryshme e duke ndërtuar art mbi inspirime të ndryshme.

Performanca ka ardhur në Stacionin e Autobusëve, vend ku politikat e mëdha dhe të vogla bashkohen përmes pasagjerëve dhe automjeteve, një vend që përfaqëson të dyja, rrugët e ndryshme të kontrollit politik dhe njëkohësisht prodhon linjat e fluturimit që vijnë e shkojnë përmes kufijve.

Projeksioni i performancës është i shfaqur në tavolinën e bilardos deri në fund të Bienales, deri me 13 shtator. / KultPlus.com

Foto: Tuğhan Anıt

Në Prizren po shpërndahen pasaportat e ‘shtetit’ NSK (VIDEO)

Në Autostrada Biennale në Prizren po ndodhë shumëçka.

Madje, po shpërndahen edhe pasaporta të veçanta, me gjithë popullin e Kosovës i cili është brenda një guace të getoizuar e me probleme për të udhëtuar kudo në botë.

Neue Slowenische Kunst – është ky një ‘shtet’ i deklaruar në vitin 1992, pjesë edhe e Bienales së Venecias këtë vit. Kolektivi artistik po shpërndanë pasaporta edhe në Prizren, shkruan KultPlus.

Kjo po ndodhë me anë të grupit IRwIN, grupi i njohur nga Ljublana me anëtarët Dusan Mandic, Miran Mohar, Andrej Savski, Roman Uranjek dhe Borut Vogelnik. IRWIN, bashkë me Laibach, grupin teatror Gledalisce Sester Scipion Nasice dhe me ‘Novi Kolektivizem’ janë bashkuar për të formuar kolektivin artistik Neue Slowenische Kunst (NSK) – në vitin 1984.

“Shteti në kohë i NSK-së, u themelua në fillim të viteve 1990. Filluam menjëherë të lëshonim pasaportat: prodhimi dhe cilësia e tyre plotësojnë standardet e kërkuara për këtë lloj produkti. Deri më sot, një numër i madh njerëzish kanë aplikuar dhe kanë marrë pasaportat tona, duke u bërë qytetarë të NSK Shtetit në kohë. Pa dyshim, ata kanë mbajtur nënshtetësinë e tyre kryesore. Shumica e aplikantëve janë njerëz nga skena e artit, domethënë artistë apo njerëz që ndjekin rregullisht ngjarjet e artit. Ky grup I mbajtësve të pasaportave të NSK, vjen kryesisht nga vendet e zhvilluara të Evropës Perëndimore dhe të Amerikës së Veriut dhe janë anëtarë të shtresave relativisht të pasura të shoqërisë. Kështu që, mund të themi se shumica e shtetasve të Shtetit në kohë NSK, vijnë nga e ashtuquajtura Bota e Parë” thuhet mes tjerash në konceptin e veprës.

Artistët po qëndrojnë në Prizren dhe po kërkojnë qytetarë që duan ta kenë këtë pasaportë.
“Vendimi ta sjellim pasaportën në Kosovë është më ndryshe se herëve tjera sepse qytetarët e Kosovës janë të privuar nga lëvizja e lirë, dhe kjo është padrejtësia kryesore. Këta njerëz kanë vuajtur gjatë luftës, sot nuk mund të udhëtojnë lirshëm, dhe kjo është e tmerrshme” thotë njëri nga artistët që e shpërndanë pasaportën për të interesuarit.

Pasaporta nuk është zyrtare, nuk mund të përdoret për udhëtim, ironike kjo të thuhet kur e dimë se kosovarët duhet të presin në radhë para dyerve të Ambasadave në Kosovë për çfarëdo lloj të vizitës jashtë saj. Një pasaportë NSK pra, është vec përdorim i fantazisë, siç thonë nga IRWIN, për KultPlus.

“Interesimi megjithatë është i madh, këtyre ditëve, këtu në Prizren. Kjo Biennale po i jep qytetit një dimension ndërkombëtar të artit, ndërsa bashkë me pasaportën tonë po plotësohet një dëshirë për qytetarët e këtij vendi” tregon më tutje një prej anëtarëve të IRWIN, Miran Mohar.

Vitet e fundit, aplikimet kanë filluar të vijnë nga Afrika, më saktë, nga Nigeria. Në fillim vetëm një grusht njerëzish, por më vonë numri i tyre filloi të rritet, shkruan KultPlus.

Në Prizren, pasaportat po lëshohen në Stacionin e Autobusëve.
Pos pasaportës, IRWIN ka sjellë në Prizren edhe video instalacione.
Katër video dokumentare të bëra gjatë dy viteve të fundit, do të shfaqen në ekspozitë dhe një arkiv i koduar i letrave të shumta të aplikimit për pasaportën e NSK-së.
– Shtetasit e NSK-së nga Nigeria, IRWIN 2007
– Shtetasit e NSK-së në Sarajevë, IRWIN 2007
– Shtetasit e NSK-së në Vienna dhe Berlin, IRWIN 2007/8
– Shtetasit e NSK –së në Taipei, IRWIN 2007
– Fjalët nga Afrika, IRWIN në bashkëpunim me qytetarët e NSK – së (NSKSTATE.COM) 2007
(Teksti u realizua me ndihmën e Rozafa Kelmendit dhe Anisa Radës. Fotografitë: Tuğhan Anıt)

Përmbyllet sot konferenca për ‘të ardhmen e kufijve’

Konferenca ndërkombëtare treditore “E ardhmja e kufijve”, organizuar nga Bienalja Ndërkombëtare e Artit Bashkëkohor – Autostrada Biennale, përmbyllet sot në Prizren, përcjellë KultPlus.

Në sesionin e sotëm, me fillim nga ora 11:00, në Hamamin Gazi Mehmet Pasha, do të diskutohet për: Kufijtë e padefinuar të artit bashkëkohor.

Arti modern dhe bashkëkohor ka pretenduar gjithmonë të jetë pa kufij, në emër të ndërkombëtarizimit, avant-gardës globale, kozmopolitane apo nomade. Dhe ende ekzistojnë kudo kufijtë në art, në aspektin e mjediseve shoqërore, politike apo ekonomike të artit. Ndërkohë që kërkojnë të kontekstualizojnë veprat e fillesave të ndryshme, arti bashkëkohor duket të përjetësojë kufijtë e padëshiruar. Atëherë, si bëhet fjalë për trendet e kërkimit të kufijve në shoqërinë bashkëkohore? Ose, a mund të jetë kthimi i kufijve që e bëjnë artin bashkëkohor edhe më sfidues, bindës apo problematik?

Folës në panelin e sotëm janë: Sislej Xhafa (SHBA), Miran Mohar (Slloveni), Yehuda Safran (SHBA) si dhe të gjithë artistët dhe folësit e konferencës. Fjalimi kryesor mbahet nga Sezgin Boynik (Finlandë), ndërsa moderohet nga Manray Hsu (Taivan), kurator i edicionit të parë të Autostrada Biennale.

Sot do të bëhet prezantimi i artistëve: Valentina Bonizzi (Itali) dhe Alban Muja (Kosovë). / KultPlus.com

Autostrada Biennale e bën Prizrenin qytetin e debatit dhe ekspozitave të rralla

Bienalja Ndërkombëtare e Artit Bashkëkohor – Autostrada Biennale (AB) hapi ekspozitën me fotografi në Hamamin Gazi Mehmet Pasha të Prizrenit dhe në të gjitha hapësirat në qytetin e Prizrenit, përfshirë hapësirat në qendër të qytetit, shtëpitë e vjetra, stacionin e autobusëve dhe hapësirave përreth, përgjatë lumit Lumbardhi në zonën e Marashit, në kodra dhe kala, raporton Anadolu Agency (AA).

Në Hamamin Gazi Mehmet Pasha të Prizrenit, që është njëra nga hapësirat e Autostrada Biennales u hap ekspozita me fotografitë e hapësirave dhe objekteve kulturore e fetare të qytetit të Prizrenit nga vitet e para të shekullit të 20 deri në periudhën e Luftës së Dytë Botërore. Në të njëjtat fotografi mund të shihen edhe versionet aktuale të objekteve të ruajtura të këtij qyteti. Po ashtu në hamam u zhvillua edhe diskutimi me temë “Kufijtë e qytetit” ku folës ishte Manray HSU (kurator i këtij edicioni të Autostrada Bienale), Eliza Hoxha, Yehuda Safran (SHBA) dhe Edi Muka (Shqipëri), në kuadër të konferencës ndërkombëtare të AB-së.

Gjatë diskutimit folësit theksuan nevojën dhe ndjesinë që kanë qytetarët e Kosovës për të qenë pjesë e një bote më të gjerë.

Lidhur me organizimin dhe ecurinë e Autostrada Biennale-s, udhëheqësi i ekipit dhe themeluesi i AB-së, Leutrim Fishekqiu, në një intervistë për AA-në theksoi se që nga data 21 gusht të gjitha hapësirat e AB-së janë të hapura për publikun deri më 23 shtator.

Fishekqiu duke vënë theksin tek ideja inovative e Bienales së Stambollit dhe Venecias theksoi se me Autostrada Biennale ata kanë vendosur që ta zhvillojnë një ide të tillë inovative në Kosovë. “Të gjitha veprat e artit janë të shpërndara në hapësirat e Prizrenit. Kjo është ajo magjia e AB-së ku një qytet pa galeri po e shndërron totalisht në një muze ku të gjitha hapësirat si shtëpitë e vjetra, muzetë pra edhe stacioni i autobusëve po shndërrohen në galeri”, u shpreh Fishekqiu.

Fishekqiu tha se kanë punuar me një ekip të gjerë për përgatitjen e bienales ku sipas tij, kuratori i edicionit të parë të AB-së, Manray Hsu, nga Tajvani është një njeri që ka sjellë një përvojë të re në rajon. Ai theksoi se Hsu ndodhet në Prizren qe një muaj ku ka punuar së bashku me ekipin për t’i shndërruar hapësirat dhe objektet e trashëgimisë kulturore në galeri të artit.

Duke folur edhe për aktivitetet e ndryshme të AB-së, Fishekqiu u shpreh se do të ketë aktivitete të ndryshme edukative. “Kemi organizuar një konferencë tre ditore e cila ka filluar më 20 gusht dhe do të vazhdojë deri më datën 22 gusht e quajtur “E ardhmja e kufijve” (The Future of Borders) e cila është edhe tema e edicionit të parë të AB-së. Ndërkaq ditëve në vazhdim të gjitha hapësirat do të jenë të hapura ku do të shtohen edhe disa hapësira kreative kryesisht nëpër hapësira publike”, tha Fishekqiu.

Ndryshe, gjatë bienales do të realizohen intervenime artistike në shtëpitë e vjetra të qytetit. Të përhapura në qendër të qytetit do të jenë disa vepra lidhur me jetën e qytetit, historinë dhe diversitetin kulturor. / KultPlus.com

HAVEIT, nesër pjesë e Autostrada Biennale në Prizren

Katër vajzat e kolektivit artistik HAVEIT janë në mesin e pjesëmarrësve në edicionin e Autostrada Biennale – organizim artistik që do të nisë sonte në Prizren.

HAVEIT, të njohura për performancat e tyre në rrugë dhe ndërhyrjet aty ku vajzat e kanë parë të nevojshme, do të jenë pjesë e Autostrada Biennale me datë 20 gusht, këtë të diele.

“Do ti shfaqim katër video të titulluara “Kur baba kajke, nana mi lajke sytë”, ndërsa poashtu do të kemi edhe një performancë” tregon Hana Qena nga HAVEIT, për KultPlus.

HAVEIT do të paraqiten në ora 15:30 tek Hamami i Prizrenit, të dielën e 20 gushtit.
HAVEIT këtë vit do të jenë të pranishme edhe në disa ekspozita tjera në Prishtinë. HAVEIT përbëhet nga Hana Qena, Vesa Qena, Lola Sylaj dhe Alketa Sylaj ndërsa ato kanë performuar e ekspozuar në Stokholm, në Itali, në Tiranë, Greqi e në vende tjera. / KultPlus.com