Avatar thyen sërish rekord, hyn në listen e 10 filmave më të shikuar të të gjithë kohërave

“Avatar: Way of water”, ka tejkaluar 1.5 milionë dollar dhe ka bërë histori.

James Cameron shton një tjetër hit të madh global në repertorin e tij pasi ‘Avatar 2’ madje e kaloi ‘Top Gun: Maverick’ si filmi më i suksesshëm komercial i vitit 2022.

Sipas raporteve të huaja, Avatari do të vazhdojë të shfaqet pafundësisht në kinema, pasi frekuentimi i njerëzve është vazhdimisht në rritje.

Filmi hyri në Top 10 të filmave më të suksesshëm komercial të të gjitha kohërave, duke justifikuar besimin që Disney i dha Cameron-it, me koston e lartë të prodhimit që ishte diskutuar disa herë. Tani, Avatar jo vetëm që është bërë fitimprurës, por po thyen rekordet njëri pas tjetrit.

Sipas Deadline, pritet të kalojë “Avengers” të Marvel dhe të ngjitet në vendin e 9-të në arkat e të gjitha kohërave në mbarë botën. /abcnews.al/ KultPlus.com

Cameron, regjisori i parë rekorder me tre filma, shuma e të cilëve kalon 1.5 miliard dollarë

Regjisori James Cameron tashmë veçohet për sukseset e tij në film, për arritje të disa rekordeve. Ai arriti edhe një rekord.

Cameron u bë regjisori i parë në historinë e filmit, me tre filma të cilët arritën shumën e fitimeve mbi 1.51 miliard dollarë për secilin në Box Office.

Fjala është për filmat: “Titanic”, “Avatar”, dhe filmi i ri “Avatar: The Way of Water”.

Filmi i tij i vitit 2009 “Avatar”, që vlerësohet filmi më fitimprurës në histori, ka fituar 2 miliard e 922 milion e 917 mijë e 914 dollarë amerikan.

Filmi i tretë më fitimprurës është “Titanic”, i cili në botë fitoi dy miliard e 187 milion e 535 mijë e 296 dollarë.

Më pas vjen  filmi i ri “Avatar: The Way of Water”, i cili deri më tani ka fituar një miliard e 516 milion e 558 mijë e 728 dollarë amerikan.

Të tre filmat në total në Box Office-n botëror fituan 6.6 miliard dollarë.

Sipas Unilad, arsyeja pse Cameron është kaq i suksesshëm me filma, është se është i guximshëm. Ai vërtetë jep maksimumin në punën e tij.

Cameron për të realizuar filmin “Titanic” në mënyrën që anija të duket sa më autentike, është zhytur në ujë 12 herë për të parë anijen origjinale.

Për filmin e parë “Avatar”, Cameron ka shfrytëzuar imazhe të nxjerra me kompjuter dhe metoda të tjera falë të cilave ka krijuar planetin e kaltër mahnitës të quajtur Pandora. Arsyeja pse filmi i ri “Avatar: The Way of Water” i mori kohë 13 vite për ta realizuar është se pjesa më e madhe e tij u realizua në ujë. Po ashtu, Cameron dhe ekipi i tij është dashur të kuptojnë rreth teknologjisë që është shfrytëzuar për të kapur imazhet mahnitëse të tij.

Pra, puna e regjisorit Cameron po shpërblehet. Tashmë është bërë e ditur se do të lansohen edhe tre filma të tjerë Avatar, njëri në vitin 2024, tjetri në vitin 2026 dhe tjetri në 2028-tën./21Media /KultPlus.com

‘Avatar: Rruga e ujit’, thyen rekord, mbledh 1 miliard dollarë në 2 javë

“Avatar: Rruga e Ujit ” ka arritur shifrën prej 1 miliardë dhe i bashkohet listës së filmave që “thyen arkat” pasi ka arritur shifrën e pabesueshme në më pak se dy javë pas daljes në kinema.

Siç konfirmohet nga themeluesi dhe redaktori i BoxOfficeGuru, Geetesh Pandya, filmi i dytë fantastiko-shkencor që vazhdon historinë nga bota e Pandorës ka fituar mbi 300 milionë dollarë në arkat e SHBA-së dhe 700 milionë dollarë ndërkombëtarisht.

Për James Cameron , filmi shënon një tjetër arritje historike, pasi “Avatar: The Way of Water” është filmi i tij i tretë (së bashku me Avatarin e parë dhe fituesin e Oskarit “Titanic”) që ka tejkaluar shifrën 1 miliard, dhe tani qëndron përkrah Steven Spielberg në listën e regjisorëve me fitimet më të larta në mbarë botën.

Avatar 2 arriti një miliard, më herët se sa pritej dhe po shkon drejt një suksesi të madh në arkë. Në fund të fundit, ky numër ishte qëllimi i Disney, që produksioni të përballonte shpenzimet e mëdha të filmit dhe të shmangte humbjen.

Siç kishte raportuar “Collider” rreth 24 orë më parë, filmi arriti të bënte një “hapje” të madhe në fundjavën e Krishtlindjeve, pasi kaloi 82 milionë dollarët në 4202 kinema.

Shuma që u desh për të realizuar filmin

Siç dihej, buxheti i Avatar 2 ishte rreth 250 milionë dollarë, por kjo shumë duket se është rritur pothuajse në dyfish. Sipas informacioneve të The Hollywood Reporter, shuma aktuale që është dashur për të xhiruar vazhdimin e James Cameron varion nga 350 deri në 400 milionë dollarë.

Siç raportohet në mediat e huaja, filmi më i shtrenjtë i bazuar në buxhetin e prodhimit, i cili gjithashtu arrin disa qindra milionë, është “Pirates of the Caribbean: On Stranger Tides” që kushtoi 379 milionë dollarë. Pra, nëse përafërsisht buxheti i Avatar 2 arrin në 400 milionë dollarë, atëherë ai zyrtarisht është filmi më i shtrenjtë i të gjitha kohërave.

Produksione të tilla duhet të bëjnë dyfishin e buxhetit të tyre, që të mos kenë humbje, pasi duhet të kenë parasysh edhe qindra milionë dollarët për reklamimin e tij, që në rastin e Avatar-it në 2009-ën arriti në 150 milionë.

Sinopsi i filmit

Avatar: The Way of Water zhvillohet më shumë se 10 vjet pas ngjarjeve të filmit të parë dhe fillon të tregojë historinë e familjes Sully (Jake, Neytiri dhe fëmijët e tyre), vuajtjet që i pasojnë, ekstremet që do të arrijnë. për të qëndruar të sigurt, betejat që do të bëjnë për të qëndruar gjallë dhe tragjeditë që do të durojnë.

Kanë kaluar 13 vjet që nga publikimi i filmit të parë. Sam Worthington dhe Zoe Saldana kthehen në rolet e tyre si Jake dhe Neytiri dhe jetojnë me familjen e tyre, të cilët janë rritur në botë të reja nënujore në planetin idilik të Pandorës.

Vazhdimi i ‘Avatar’ fiton lëvdata nga kritikët e filmit për spektaklin pamor

Vazhdimi i shumëpritur i filmit  “Avatar” fitoi lëvdata të martën nga kritikët e filmit, të cilët thanë se u mahnitën përsëri nga mjeshtëria pamore e regjisorit James Cameron, shkruan Reuters, transmeton KultPlus.

“Avatar: The Way of Water” shfaqet në kinema të premten, 13 vjet pasi filmi i parë mahniti audiencën me teknologjinë pioniere 3D dhe u bë filmi me fitimet më të larta të të gjitha kohërave me 2.9 miliardë dollarë shitje të biletave.

Vazhdimi ofron imazhe më të avancuara 3D, duke shfaqur krijesa ujore në hënën e harlisur të Pandorës.

Që nga e marta pasdite, 85% e 107 komenteve të mbledhura në faqen e internetit të Rotten Tomatoes e kishin duartrokitur këstin e ri.

“Avatar: The way of water” është një festë vizuale kaq mahnitëse, saqë fiton kohëzgjatjen prej 3 orësh dhe 12 minutash,” tha Richard Roeper i Chicago Sun-Times.

Disa lavdëruan gjithashtu historinë për njerëzit e gjatë dhe blu Na’vi, të cilët detyrohen të ikin nga pylli në oqean.

“Efektet speciale 3-D mbeten të jashtëzakonshme, por skenari është më i mirë këtë herë, me një skenar më tërheqës emocionalisht sesa në origjinal,” tha Randy Myers nga San Jose Mercury News./ KultPlus.com

Publikohet traileri zyrtar i filmit të ri të Avatarit (VIDEO)

Traileri i parë zyrtar për Avatarin e shumëpritur të James Cameron: The Way of Water ka bërë bujë.

Filmi i shumëpritur pas atij të fundit në vitin 2009, raportohet se do të jetë tri orë e 12 minuta i gjatë, që është 30 minuta më i gjatë se origjinali.

Regjisori James Cameron ka thënë se nuk donte të shihte njerëzit të ankoheshin për kohëzgjatjen e filmit ndërsa shumica kalojë orë të tëra para televizionit.

Krah Worthingtonit dhe Saldanas, Sigourney Weaver dhe Stephan Lang rikthehen, ndërkohë që paraqiten shumë aktorë të rinj.

Ky është i pari nga katër vazhdimet e filmit origjinal që janë planifikuar të prodhohen. /KultPlus.com

Filmi më i shikuar në botë Avatar po rikthehet në ekranet e Cineplexx!

Filmi me i shikuar i të gjitha kohërave, Avatar po rikthehet ne kinema. Më 22 shtator do të keni mundësi ta përjetoni për herë të parë në Kosovë në teknologjinë 3D në te dy lokacionet e Cineplexx, Prishtinë dhe Prizren.

Regjisori i filmit, James Cameron thot se rikthimi i Avatar në kinema është mënyra se si ishte e menduar të shihej ky film. Ai e kupton se ka shumë njerëz që e kanë shikuar filmin vetëm përmes televizionit dhe shpjegon se ata fansa nuk e kanë parë vërtet derisa ta shohin në ekranin e madh. Avatar është padyshim një nga filmat më të këndshëm vizualisht të publikuar ndonjëherë. Planeti i Pandorës është i mbushur me ngjyra të gjalla dhe peizazhe mahnitëse me një botë të detajuar në të cilën fansat mezi presin t’i shikojnë përsëri.

Që nga debutimi i tij, Avatar ka lënë një ndikim masiv në botën e filmit, duke u bërë filmi me fitimet më të larta të të gjitha kohërave, si dhe një nga më të shpejtë për të kaluar kufirin e 2 miliardë dollarëve. Në çmimet e Akademisë 2009, ai u vlerësua për arritjet e tij në teknologji dhe inovacion, duke fituar Regjinë Arti më të Mirë, Kinematografinë më të Mirë dhe Efektet Vizuale më të Mira.

19/02/2019 SOCIEDAD CULTURA FOX

Duke dalë ndoshta në kohën perfekte, dy muaj përpara premierës së Avatar: The Way of Water, rishfaqja e Avatarit do të shërbejë si një rifreskim për fansat dhe do t’u mundësojë të sapoardhurve të përjetojnë të dy filmat në kinema.

Biletat per rishfaqjen e Avatar më 22 shtator mund t’i bleni përmes aplikacaionit CineplexxKS apo në kinema duke filluar nga ora 15:30. Oraret mund t’i shikoni këtu. / KultPlus.com

“Avatar: The Way of Water”, ngacmon fantazinë në përmbledhjen e publikuar

Përmebledhja e parë e shkurtër e filmit të dytë të Avatar, e titulluar Avatar: The Way of Water, u publikua më në fund ditën e hënë. Bota fantastike tashmë ka një front të ri: atë nënujor që do të sjellë një spektakël të vërtetë aksioni me male pluskuese.

Filmi i parë i Avatar u shfaq në Dhjetor 2009 dhe u klasifikua si një revolucion i vërtetë i teknologjisë 3D. Edhe në këtë kast nuk do të mungojnë emrat e Zoe Saldana e Sam Worthington që do të jenë në rolet kryesore të Neytiri dhe Jake, ndërsa do t’i bashkohet edhe Kate Winslet.

Unë di diçka, kudo të shkojmë, familja jonë është fortesa jonë”, është fjalia përmbyllëse që Jake Sully (Sam Worthington) i thotë Neytiri (Zoe Saldana).

Familja Sully (Jake, Neytiri dhe fëmijët) vazhdon historinë e saj mbi 10 vite më vonë dhe përshkruhen telashet që i ndjekin, vështirësitë që kalojnë për të mbajtur njëri-tjetrin të sigurt, betejat që luftojnë për të qëndruar gjallë dhe tragjeditë që përballen.

Avatar: The Way of Water është programuar për të debutuar në kinema më 16 Dhjetor 2022. Një film i tretë do të pasojë në 2024, i pesti në 2026 dhe i gjashti në 2028. Gjithashtu, filmi i parë do të rishfaqet në kinema më 23 Shtator./tvklan.al/ KultPlus.com

‘Avatar’ me një rekord i ri

Regjisori James Cameron gjithmonë besonte se duhej të priste për të qenë në gjendje të shkëlqente sërish me filmin ”Avatar”, shkruan faqja vanityfair, transmeton KultPlus.

Filmi, i dalë në kinema në vitin 2009, u rikthye në kinematë kineze, ku fitimet e reja dhe të konsiderueshme e kthyen atë në titullin e filmit më fitimprurës ndonjëherë.

Me një fitim prej 2,802 miliardë dollarë, kapitulli i parë i ”Avatar” ishte në gjendje të rimarrte posedimin e një steme që Avengers Endgame kishte arritur t’ia vidhte.

Filmi ”Marvel”, në vitin 2019, kishte fituar një shumë rekord prej 2,797 miliardë dollarësh, duke tejkaluar ”Avatar”-in dhe duke u bërë, për pasojë, titulli më fitimprurës ndonjëherë. James Cameron, atëherë, i kishte kërkuar studios beteja të reja.

“Unë nuk dua të dukem mendjemadh, por mendoj se është një siguri”, tha ai.

”Avatar”, të cilin Avengers e kishin mundur për 8 milionë dollarë, doli më mirë se rivali i tij. Ai është ringjallur për tregun kinez dhe në fund të garës së filmit ai pritet ”të korrë” 3 miliardë dollarë. / KultPlus.com

‘Avatar’ rikthen titullin e filmit më fitimprurës në botë

“Avatar” bëhet sërish filmi më fitimprurës i të gjitha kohërave, pasi e riktheu këtë titull nga filmi “Avengers: Endgame”.

Projekti me buxhet të lartë i vitit 2009 me regji të James Cameron-it, është rilansuar në Kinë të premten më 12 mars, dhe falë të hollave të arkëtuara nga shfaqja nëpër kinema atje, ka arritur ta mund filmin hit të studios “Marvel” i cili renditej pari për nga shuma e të hollave të arkëtuara nëpër kinematë botërore. 

“Avatar” tani e gëzon shumën prej 2.802 miliardë dollarëve të fituara nga shitja e biletave nëpër kinematë anembanë botës, duke e tejkaluar “Avengers: Endgame” me rreth 5 milionë dollarë më shumë.   

“Jemi shumë krenarë që e kemi arritur këtë moment historik, por Jim dhe unë jemi më të lumtur për faktin se filmi është rikthyer nëpër kinema, gjatë kësaj kohe të vështirë të pandemisë. Duam t’i falënderojmë adhuruesit tanë kinezë për mbështetjen e vazhdueshme. Ne jemi duke punuar shumë në realizimin e filmit të ardhshëm ‘Avatar’, dhe mesi presim ta ndajmë me ju vazhdimin e këtij tregimi epik”, ka shkruar producenti Jon Landau në një prononcim për media.

Regjisorët e filmit “Avengers: Endgame”, Joe dhe Anthony Russo, e kanë pranuar këtë triumf duke e ndarë një imazh që ndërthurë logot e “Avengers” dhe “Avatar”.

“Po ua kalojmë trofeun juve James Cameron”, kishin shkruar ata në mesazhin përcjellës të fotografisë. 

Cameron aktualisht është duke punuar në vazhdimet e radhës së filmit “Avatar”. Në muajin shtator të vitit të kaluar ai tha se xhirimet e vazhdimit të dytë të këtij projekti me buxhet të lartë tashmë kanë përfunduar, ndërsa xhirimet e vazhdimit të tretë janë shumë afërt përfundimit. 

James Cameron e ka pranuar se ekipi prapa realizimit të filmit kishin arritur ta kenë një jetë afërsisht normale, derisa kanë punuar rreth tij në Zelandë të Re kjo për shkak se ky shtet është përballur me pandeminë e koronavirusit në mënyrë jashtëzakonisht të mirë. 

Vazhdimi i dytë në sagën e filmave fantastik-shkencorë “Avatar” do të fokusohet në personazhet, Jake Sully dhe Neytiri, të personifikuar në film nga Sam Worthington dhe Zoe Saldana, si dhe zë vend 12 vjet pas ngjarjes së filmit të parë të lansuar në vitin 2009.

Sipas studios filmike “20th Century Fox” pritet që filmi i dytë “Avatar” të lansohet nëpër kinema më 16 dhjetor të vitit 2022, filmi i tretë do të lansohet më 20 dhjetor të 2024. Ndërsa vazhdim i katërt dhe i fundit i këtij projekti me buxhet të lartë do të lansohen për publikun e gjerë në dhjetor të 2026 dhe 2028./ KultPlus.com

https://www.instagram.com/p/CMXgCRmp_B5/?utm_source=ig_embed

“Avatar” rinis xhirimet në Zelandën e Re

Kanë nisur në Zelandë të Re xhirimet e vazhdimit të filmit Avatar, pas dy muajsh bllokim si pasojë e pandemisë.

Ekuipazhi prej 55 personazhesh, përfshirë regjisorin James Cameron dhe producentin Jon Landau, zbarkuan të dielën në vend pasi udhëtuan me një avion charter me një leje të posaçme nga qeveria e Zelandës. Kufijtë janë ende të mbyllur për shtetasit e huaj dhe kjo ka çuar në polemika dhe akuza për pabarazi në trajtimin e njerëzve, situatë të cilën producenti e justifikon me përfitimin eko.

Do të gjenerojë mijëra vende të reja pune dhe miliona dollarë, thotë Landau, teksa ecën në mesin e turmës në Zelandë.

Industria e filmit në Zelandën e Re vlen më shumë se 3 miliardë dollarë në vit. Një film ndërkombëtar gjashtë-mujor mund të krijojë rreth 3,000 vende pune.

Cameron ka vite që punon me vazhdimet e “Avatar” dhe publikimi i tyre është vonuar disa herë. Seria e radhës është planifikuar të dalë në ekranin e madh në Dhjetor 2021, për t’u pasuar më pas nga tre të tjerë, deri në vitin 2027. / KultPlus.com

Publikohen pamjet e para të pjesës së dytë të filmit ‘Avatar’ (FOTO)

Filmi ‘Avatar’, i cili për herë të parë u dha premierë në vitin 2009, pati suksese të mëdha në kinemtaografinë amerikane, shkruan KultPlus.

Pjesa e dytë e këtij filmit u paralajmërua se do të dalë në vitin 2014, mirëpo kjo nuk u realizua dhe pritet që ky film të dalë në vitin 2021.

Planifikohet të publikohen gjithsej pesë filma, secili sipas planit. Llogaria zyrtare e “Avatar” në tëitter publikoi katër pjesë të konceptit për filmin e ri dhe duken si video-lojë.

Filmi është realizuar me një teknikë që nuk është parë kurrë më parë deri sot. / KultPlus.com

Gjoci sjellë industrinë e filmit hollivudian në Kosovë, për realizimin e filmit “Bregu i Diellit”

“Bregu i Diellit” me skenar dhe regji të Blerim Gjocit do të sjellë industrinë e filmit hollivudian në Kosovë. Përpos producentëve më me zë në Amerikë e Evropë, ky film ka pas vete edhe mjeshtrin e efekteve Michael Fink, që është i njohur edhe për filmin e famshëm “Avatar”. Vetë Blerim Gjoci në një intervistë për KultPlus ka treguar se në Kosovë, do të vjen edhe një aktore amerikane për të realizuar personazhin kryesor të gruas së këtij filmi, që 80% e filmit është e bazuar në jetën personale të Gjocit. Dhe jo vetëm për këtë film, ai për KultPlus ka treguar edhe për shumë projekte të tjera filmike që tashmë është duke i realizuar në Amerikë, sikurse që ka treguar edhe për projektet që për bazë kanë rrëfime shqiptare.

Ardianë Pajaziti

KultPlus: Filmi i metrazhit të gjatë “Bregu i Diellit”, i mbështetur nga QKK, është projekti më i madh që keni fituar në Kosovë, sa jeni duke besuar se do të sillni një film më ndryshe se sa ata që janë realizuar deri tashti në Kosovë, gjithnjë duke pasë parasysh se tashmë ju jeni shkolluar për film në Amerikë?
Blerim Gjoci:
Ky projekt i ka rrënjët qysh në vitin 1999. Kam pritë kaq gjatë, sepse nuk kam besuar që kam krijuar distancën që të tregoj këtë rrëfim. Me shkuarjen time në Amerikë, unë për tri vite rresht, përgjatë studimeve kam pasë edhe skenarin, jam trajnuar me skenaristët ndër më të mirët në botë, ku secili profesor i imi ka qenë fitues i Oscar për skenarë, dhe kemi punuar shumë në këtë drejtim.
Dhe filmi që kam punuar për diplomë “Pas territ”, më ka mundësuar që të kualifikohem edhe në një sfidë tjetër, atë të skenarit, ku pikërisht skenarin “Bregu i Diellit”, e kam punuar për një vit, nën monitorimin e katër mentorëve më të mirë për skenarë, ku nga 200 skenaristë, pikërisht skenari “Bregu i Diellit”, është përzgjedhur si skenari më i mirë, dhe tek atëherë skenari ka filluar me marrë formën që e kam dashtë dhe unë. Gati nuk ka asgjë me versionin e atëhershëm, sepse tek tashti e ka thellësinë që duhet ta ketë një skenar.
Në Kosovë, krejt filmat që bëhen për luftën, sepse edhe filmi im flet për luftën, e kanë nga një mallkim që i përcjellë, sepse, ne shpesh herë e humbim rrugën duke u munduar që të tregojmë cfarë na ndodhi, hapemi shumë rreth asaj të përgjithshmës dhe nuk fokusohemi në konkreten, ose cfarë u ka ndodhë atyre personazheve.
Unë duke ardhë prej këtij vendi, që nuk kemi trajnim për skenarë, nuk kemi njohuri se si duhet ti qasemi, qysh hetohet përralla…, përgjatë studimeve të mia, përkatësisht gjatë punimit të skenarit tim, me krejt këto gjëra jam ballafaquar dhe më pas i kam aplikuar në skenarin tim.
Unë po flas fjalë të mëdha për skenarin tim, por me të vërtetë skenari i mirë është baza e një filmi, prandaj shumë filma tek ne nuk funksionojnë, sepse kanë probleme në skenar, kanë probleme në shkrim. Unë jam munduar që njohuritë e mia ti aplikoj në këtë skenar, pa u rrëmbyer prej senzacionales, pa u joshë prej spektaklit, jam munduar të mbajë këtë rrëfim që është njerëzor.

KultPlus: Në bazë të asaj se cfarë po thoni, po nënkuptohet se filmi i juaj mund të konsiderohet edhe si filmi i parë mbi luftën, duke iu referuar qasjes që do të praktikoni në këtë film?
Blerim Gjoci:
Unë mendoj që filmi “Bregu i Diellit”, do të jetë filmi i parë për luftën që do të shkojë më larg, pasi që, qysh tash ka të involvuar producentë në zë, jo vetëm të Amerikës, por edhe të Evropës. Dhe pjesë e filmit janë pikërisht për shkak se ju ka pëlqyer rrëfimi.
Krejt parametrat tregojnë që ky film do të shkojë larg , edhe pse është shumë vështirë që të paragjykohet një film, ajo që i ka tërheqë producentë me zë që të jenë pjesë e filmit, kompani të mëdha, kompani serioze edhe të distribuimit, janë një matës që tregon se gjasat janë që të del një film shumë i madh.

KultPlus: Po flasim për një skenar që i ka rrënjët për 19 vite me radhë, një skenar kaq i heshtur brenda një shpirti artistik,vështirë të besohet se nuk ka dicka personale?
Blerim Gjoci:
80% e ngjarjes është ajo që e kam përjetuar, që e kam parë, kurse 20% është që kam marë nga rrëfimet e të tjerëve, pakëz fiksion, pastaj edhe përmbledhje interesante nga njerëz që kanë mbetë në Prishtinë, në kohën edhe kur është zbrazë Prishtina nga paramilitarët, pasi që po flasim për kohën e luftës. Filmi tregohet nëpërmjet dy personazheve të cilët e shohin luftën në vetën e parë.

KultPlus: Ndërkohë, këtë skenar e punove me mbiqkyrjen e skenaristëve që në shpatullat e tyre bartin Oscar, kurse pikërisht këtë skenar e solle në QKK, që të vlerësohej nga një juri kosovare. Pse e zgjodhe QKK-në?
Blerim Gjoci:
Ke të drejtë, unë në QKK kam konkurruar edhe më herët me një film tjetër, poashtu për luftë, një rrëfim shumë interesant. Me të vërtetë më vjen shumë keq që nuk është bërë, tash ai skenar i imi po realizohet me një producent irakian, dhe filmi po bëhet për luftën e Irakut, e ngjarja ka ndodhë në Kosovë, por lufta mund të përdoret si rrethanë në secilin shtet ku ka ndodhur lufta.
Një prej arsyeve se pse aplikova në QKK, ishte se po ti merrja paratë e para në Amerikë, atëherë filmi do të bëhej një film amerikan, me parametra të Amerikës, dhe nuk do të mund të imponoja ndjesinë e vendit tim. Kjo është arsyeja pse kam ardhë në Kosovë, që të kem një mbështetje bazë, që filmi të mbetet si filmi Kosovës. Dhe më pas të aplikoj edhe në fonde shtesë në rajon.
Mirëpo,edhe pse e kanë mbështetur filmin tim “Bregu i Diellit”, unë ende vazhdoj të mendoj se QKK është një prej institucioneve që nuk punon mirë, që punojnë me preferenca. Juritë që i kanë lexuar skenarët, mund të them me kompetencë se nuk kanë lidhje me skenarë. Por vazhdojnë të vendosin për ata që duhet të bëjnë filma në të ardhmen.

Blerim Gjoci me Michael Fink, mjeshtër i efekteve që do të punojë edhe në filmin “Bregu i Diellit”

KultPlus: Po shihet një entuziazëm për këtë film, si po mund të duroni deri në kllapën e parë të xhirimeve?
Blerim Gjoci:
Është e vërtetë që mezi po pres deri te momenti kur mund të them edhe ‘aksion’, por në të njëjtën kohë e di që pa u krijuar kushtet është gabim që të futemi në produksion, shumë më mirë është të presim deri sa të krijohen kushtet. Por po besoj që deri në vitin tjetër mund të jemi gati që edhe të fillojmë xhirimet.

KultPlus: Mund të na zbërthesh me pak fjalë se për cfarë flitet në këtë film?
Blerim Gjoci:
Jane grua e burrë, ideja e filmit është se si ky cift mundohen që të shpëtojnë vajzën ë tyre të sapolindur, në kohën e dyndjeve e të deportimit. E këta duke menduar që janë duke e shpëtuar vajzën, gjatë procesit e kuptojnë se vajza është duke i shpëtuar këta. Kjo është ideja, në krejt këto rrethana shihet tmerri i luftës së Kosovës.

KultPlus: Vetë jeni skenarist i filmit, dhe skenaristët përgjatë ndërtimit të karaktereve vec i shohin edhe fytyrat e aktorëve, i ke menduar këto personazhe.
Blerim Gjoci:
Unë jo që kam menduar për ta, po edhe kur bie në gjumë i shoh. Personazhi kryesor në këtë film është një grua amerikane,dhe aktorja që duhet të luaj në këtë film duhet të jetë amerikane.Një nga producentët e mi ka propozuar një aktore super të famshme amerikane, dhe pikërisht edhe ajo aktore pasi ka lexuar skenarin ka thënë një po të plotë. Mirëpo, nga frika se filmi do të merr fokusin pikërisht te kjo aktore, mediet si do të vërshojnë se pikërisht kjo aktore duhet të vijë në Kosovë për të xhiruar një film, na ka bërë që të mendojmë më thellë se mos po e zhvendosim foksuin.
Ende nuk jemi në një vendim të prerë, mirëpo në të njëjtën kohë jemi në diskutim edhe me tri aktore të tjera amerikane, që poashtu janë të njohura, por jo në formatin e së parës. Por gjithashtu duhet të presim edhe deri te hapja e audicionit, deri në vendosjen e rolit të mashkullit, pasi që, ata duhet të reflektojnë si një cift real. Por, përpos këtyre dy roleve ka edhe shumë role të tjera, që do të zgjidhen po nëpërmjet audicionit që do të hapet në periudhën e Vitit të Ri. Filmi do të ketë edhe skena masive, do të jenë skena reale sikurse që kanë ndodhë dyndjet në Prishtinë, kur edhe është boshatisë qyteti me urdhër të paramilitarëve serb. Xhirimet e eksterierit do të bëhen në Bregun e Diellit, kurse ato të interirerit do të realizohen ose në Zvicër ose në Gjermani.

KultPlus: Duke pasë parasysh se keni producentë të rëndësishëm, jeni duke e diskutuar se në cilin plan e keni më në fokus, atë të festivaleve apo atë të kinemave?
Blerim Gjoci:
Kemi shumë këso diskutime, në Amerikë është filozofia kinematë dhe festivalet, sepse edhe festivalet janë të rëndësishme për shkak të cmimeve, por edhe për kinematë, sepse duan që të shihet në krejt botën. Ne e dimë që asnjë film shqiptar nuk ka qenë në repertor të kinemave të botës, do të jetë nder i madh nëse e arrijë këtë. Një holokaust ka ndodhë në Kosovë në vitin 1999, po për fat ka intervenuar bota, dhe këtë duhet që ta tregojmë besushem, pasi që edhe ngjarja është e bazuar në ngjarje të vërtetë. Pastaj është edhe një film që ka një kosto prej 2 milionë dollarëve.

KultPlus: “Bregu i Diellit” po shihet të jetë një film i madh, po për projekte tjera sa ke pasë kohë që të angazhohesh?
Blerim Gjoci:
Unë kam shkruar një komedi, dhe jam në bisedime me disa producentë të tjerë po mbi këtë komedi. Pastaj jam duke e përgatitë një Look Book për Tv Show, për film serik të cilin e kemi kaluar në fazën e parë të prezantimit, po flas për një Tv Show të buxhetit të madh, jam në përgatitje të këtij seriali për katër sezona. Poashtu jam duke punuar edhe në një triologji, tashmë jam i angazhuar në këtë projekt. Triologjia do të jetë kulmi i asaj që do të bëj në Amerikë, sepse është një skenar që jam i angazhuar për ta bërë, mendoj që ajo do të jetë një ndër më të arrirat e mia.

KultPlus: Përvoja juaj në Kosovë, përvoja në Amerikë, qysh po e krahason karrierën para dhe pas jetës në Amerikë?
Blerim Gjoci:
Krejt koha që kam bërë filma në Kosovë është një bekim i madh, dhe gjithçka ka qenë e bazuar në instikte, e jo në njohuri në themel. E quaj fat të madh që nuk kam shkuar për të studiuar filmin diku në Evropë, sepse pata ardhë në një fazë kur pata thënë se sa instiktive është te ne krijimi i filmit. Nuk është një njohuri, se ne kemi kujtuar që dijmë të bëjmë filma, por në fakt ne nuk kishim ditur. Kur kam shkuar në Amerikë, muaji i parë më ka mundësuar që të kuptoj se më herët qasja me filmin kishte qenë sikur të shihje një film me perde të mbyllura, atje më kanë mësuar ti heq ato perde. Ne jemi popull emocional, jemi rrëfyes të mirë, jemi zanatlinj të mirë, fatkeqësia është që nuk po ka kush të na tregojë se si duhet të bëhen më mirë.

KultPlus: Dhe krejt këto projekte po dërgojnë një sinjal se e ardhmja e juaj është në Amerikë dhe jo në Kosovë, sa do të doje që pos “Bregu i Diellit”, të punoje prapë me rrëfime dhe me njerz të Kosovës?
Blerim Gjoci:
Michael Fink, mentori im, i cili është i njohur sidomos për punën e tij të efekteve në filmin e famshëm “Avatar”, i cili do të punojë edhe në filmin “Bregu i Diellit”, më pat pyetur se cfarë do të bëja pasi të përfundoj studimet. Unë i pata thënë se edhe unë jam duke kërkuar këtë vendim dhe po kërkoj dikë që të më ndihmoj për orientim. Ai me këtë rast më pat thënë: Unë nuk e njoh Kosovën, por e njoh Evropën, i njoh filmat e Evropës, dhe që të punosh atje film është njësoj sikurse të kryesh shkollën për pilot dhe të punosh në një taksi.
Dhe pikërisht kjo përgjigje më pat ndihmuar dhe më pat qartësuar se rruga ime është Amerika. Atje më janë dhënë të gjitha mundësitë për bërje të filmit, por në asnjë moment nuk do ta lë pa e kthy kokën nga Kosova. Se e kam kthyer kokën nga Kosova është dëshmia se tashmë jam duke punuar atje në një rrëfim për Skënderbeun, pastaj kam aplikuar me një rrëfim tjetër për Gjergj Elez Alinë. Dhe vazhdoj të besoj se Kosova ka plot njerëz me zemër prej ari, madje edhe në mesin e politikanëve. /KultPlus.com