Adrian Asllani debuton me filmin “Ninullë” në ‘PriFest’, jetësohet balada e njohur e Gëtes

Era Berisha

Një temë tejet interesante që ka një potencial universal të arrirë është zbërthyer artistikisht nëpërmjet një skenari që shpërfaq një dimension ndryshe të baladës së njohur të Gëtes, “Erlkönig”. I tillë është rasti me filmin e metrazhit të shkurtër, “Ninullë” me skenar dhe regji të Adrian Asllanit, që erdhi sot si debutim në kuadër të edicionit të 15-të të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Prishtinë, ‘PriFest‘.

I realizuar në përmasa të larta artistike, filmi i zhanrit horror/thriller trajton raportin e një babai (Avni Dalipi) dhe birit të tij (Lis Kamberi) i cili në film na shfaqet me një “sëmundje” të zjarrmishme që i vlon nga brenda. Ndonëse raporti trajtohet në disa dimensione, ato që vihen në pah më shumti janë jeta reale dhe ajo halucinante, shkruan KultPlus.

Gjithçka nis në një shtëpi dhe gjithçka përfundon aty. Babai ka një punëtori të tijën në të cilën punon e gdhend kukulla të ndryshme të bëra nga materiale të ndryshme. Karakteri i vetë ambientit që na shfaqet në film, të bën të mendosh se diçka e tmerrshme, potencialisht do të ndodhë.

Loja e bukur që na dhuron aktori Avni Dalipi, e ndërthurur me vizionin vizual të regjisorit Adrian Asllani, ka krijuar një pikturë nëpër të cilën lëvizin mjeshtërisht fuqitë që kanë në vetvete mendimet e personazheve brenda filmit. Kuadrot shpeshherë të xhiruara nën drita të errëta, të japin imazhe fotografike, aq sa dialogët e pakta, nuk janë fare pengesë për të kuptuar thelbin e skenarit.

Bota emocionale dhe psikologjike e babait si dhe ajo e djalit të tij, janë aq të ndryshme nga njëra-tjetra, sa janë edhe të njëjta. Ai zjarri që eventualisht kuptohet si frika që e posedon djali nga “Mbreti i Zi”, në fakt është e vërtetë dhe s’janë vetëm ca ethe ashtu siç i percepton babai i tij.

Sipas baladës poetike të Gëtes, një burrë me djalin e tij të sëmurë në krahë, në një natë të stuhishme, hipin mbi kalë nëpër një pyll moçal. Legjenda me të njëjtin titull tregon për qenie misterioze e keqdashëse që shfaqen në zona moçalore dhe i çojnë njerëzit drejt vdekjes. Filmi e bën të njëjtën gjë por në mënyrë interpretuese krejtësisht ndryshe.

Vizitat keqdashëse të “Mbretit të Zi” e çojnë djaloshin drejt vdekjes, dhe në vdekje i bashkëngjitet motrave të tij. Veçse, “Mbreti i Zi” në këtë rast është vetë babai që shfaqet nëpërmjet dy personazheve kontraste, duke injoruar kështu ethet e djaloshit, e duke e dërguar atë drejt vdekjes.

Në filmin “Ninullë”, përkundër baladës origjinale, errësira dhe ndriçimi i zdritshëm janë dy elemente që lëshohen bukur. Veprimet e zëshme dhe dramatike të ndërthurura me shumë pak tekst, të japin një ndjesi të hovshme për të parë fundin. Fokusi në marrëdhënien babë e djalë jepet në mënyrë aq brilante, saqë ndjenjat si dhimbja, tmerri e befasia lirshëm hyjnë në shpirtin e pranishëm të secilit prezent.

Regjisori Adrian Asllani debutoi me një film që ka një interpretim origjinal, ndonëse inspiruar nga një baladë. Fokusi i tij përfshin guxim të paparë për të sjell diçka të tillë para publikut kosovar.

Filmi brenda hapësirës së Kino Armatës nisi fiks në orën 17:20, por paraprakisht në skenë doli e gjithë ekipi. Fjalën i pari e mori, regjisori dhe skenaristi i filmit “Ninullë”, Adrian Asllani.

“Në emër të krejt ekipit, dua të ju falënderoj juve që keni ardhur me shiku filmin, një film të cilin e kemi krijuar me shumë përkushtim. Ka qenë filmi im i parë i xhiruar në Kosovë dhe për mua ishte një eksperiencë që më ka bërë shumë përshtypje. Jam jashtëzakonisht mirënjohës ndaj ekipit dhe falënderues ndaj PriFest-it që më mundësoi hapësirën për debutimin e filmit. Por më së shumti, dua të falënderoj Vjosa Berishën, pa të cilën nuk do të ishte e mundur formimi i një festivali kaq të madh. Falënderoj edhe Fatosin, për vazhdimin e kësaj trashëgimie.”

Ndërsa, për KultPlus regjisori Adrian Asllani specifikoi idenë e tij për të krijuar diçka të tillë, deri tek shpalosja e premierave të radhës nëpër vende të ndryshme të botës.

“Ideja ka ardhur prej leximit të baladës së Gëtes që moti, dhe mendova se si ta krijoj një skenar që e ri-interpreton këtë baladë, dhe jo të jetë e njëjta, por më origjinale në aspektin filmik, andaj edhe gati hiç nuk ka dialog. Jam munduar që më së shumti me veprime ta tregoj të gjithë këtë histori. Njëkohësisht, jam munduar që t’i mbaj pezull pikëpyetjet që i shtron vetë balada. Ndonëse është një baladë, kam dashur që filmin ta quaj ninullë për shkak se edhe filmi është njëfarë ninulle. Ninulla i është kënduar edhe fëmijëve të vdekur, andaj e kam përdoru në këtë kontekst”, thotë ai.

Sipas tij, përzgjedhja e aktorëve ka shkuar mjaft mirë. Ka menduar që aktori Avni Dalipi i është përshtatur këtij lloji të filmit mjaft mirë, për shkak të syve sepse për regjisorin, sytë gjithmonë tregojnë një botë të brendshme.

“Filmin e kam dërguar në disa festivale. Fillimisht do të shfaqet në një festival në Zug të Zvicrës në muajin nëntor, si dhe në Atlanta në një festival pikërisht të këtij zhanri, në muajin tetor”, përfundon Asllani.

Ndërsa, aktori në rolin kryesor Avni Dalipi për KultPlus ka thënë se i ka kapërcyer të gjitha sfidat që i janë shfaqur rrugës, dhe në fund filmi ka dalë shumë më mirë se që e kishte parashikuar.

“Ftesa për filmin ka qenë shumë interesante. Regjisori më ka shkruar në rrjetet sociale dhe unë si çdo herë, marr shumë ftesa nga regjisorë të rinj nga jashtë që dëshirojnë të krijojnë diçka, andaj pranova. Kur e lexova skenarin, atëherë veç fillova të bëhem shpirtërisht pjesë e filmit. Uroj të ia kem arritur qëllimit për rolin që kam luajtur. Zakonisht, preferoj filmin që flet më shumë përmes fotografisë. Është një thënie që thotë se në film flitet me fjalë ajo e cila nuk mund të thuhet me fotografi. Meqenëse Adriani është shumë detajist në punën e tij, jam mundu që t’i kapërcej të gjitha sfidat, duke i arritur të gjitha idetë e tij. Mendoj që e kam bërë atë se çfarë është kërkuar nga unë. Jam munduar që t’i jap përgjigje pyetjeve brenda personazhit. Mund të ketë ndonjë dozë të subjektivizmit por filmi i ka tejkaluar ato pritshmëritë e mia”, ka thënë Dalipi. / KultPlus.com

Publikohet teaseri i filmit “Dita e Gruas” (VIDEO)

Është publikuar teaseri filmit “Dita e Gruas”, shkruan KultPlus.

Me skenar dhe regji të Goce Cvetanovski, producent Driton Ramadanit, produksion nga “Makedonska Krepost”, me drejtor të fotografisë Fejmi Daut, filmi “Dita e Gruas”, kishte filluar xhirimet në fillimin e tetorit të vitit 2020.

Në rolet kryesor të këtij filmi luajnë aktorët: Sladjana Vujosevic, Musa Isufi, dhe Ismail Kasumi. Kurse në rolet tjera janë: Avni Dalipi, Mendim Murtezi, Damjan Cvetanovksi, Osman Ahmeti, Egzona Salihu, Katerina Kocevska, Eleni Dekidis e të tjerë.

“Dita e Gruas” vie si një shprehje artistike për ironinë e shfrytëzimit të kësaj qenie, teksa në film ndeshen personazhet të cilët tentojnë të jenë shpëtim për gruan dhe ata të cilët i bëjnë dëm vazhdimisht asaj.

Filmi “Dita e Gruas” është xhiruar në Shkup dhe në Kumanovë. Në anën tjetër, ky film është realizuar me përfshirjen e tri gjuhëve: shqip, maqedonisht dhe anglisht. / KultPlus.com

“Ura”, si simbolikë për luftën mes jetës dhe vdekjes

Medina Pasoma

Shtigjet mes jetës dhe vdekjes e çështjet e luftës dhe pasluftës u paraqitën mbrëmë në Teatrin Kombëtar të Kosovës nëpërmjet roleve të aktorëve në shfaqjen premierë “Ura” të regjisorit Astrit Bytyqi, shkruan KultPlus.

Skena e errët u ndriçua dhe filloi të krijohej një “lojë” dritash, aktorët filluan të thellohen në personazhet të cilat e përbënin rrëfimin, ndërkaq audienca priste me padurim çdo pjesë të dramës.

Aktorët Avni Dalipi dhe Afrim Muçaj kishin marrë vendet e tyre, për të shfaqur personazhe krejtësisht të kundërta, mirëpo që kanë tejet shumë pika të përafërta. “Ura” nuk mbeti vetëm emërtim shfaqjeje por, ajo u kthye në simbolikë të personazheve, tentim vrasje dhe rikthim shprese por, mbi të gjitha në gjetjen e kuptueshmërisë së jetës.

Shfaqja, skenarin e së cilës e shkroi profesoresha Seadet Beqiri, trajtoj tema të ndryshme. Individi portretizohej si mjet përfaqësues i shoqërisë dhe si qenie ndryshimi. Doni, një luftëtar i lirisë së Kosovës, pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare i kishte shpëtuar vdekjes dy herë radhazi nga okupatori. Mirëpo, paslufta do të ishte ajo që do ta bënte shpirtin e tij “të vdiste”, kur humb gruan dhe vajzën.

Në anën tjetër, Rroni i cili kishte gjithçka në dorë, i ngrit duart kundër jetës, mirëpo duket se dikush tjetër ia ndërroi rrjedhën vendimit të tij.

Për shfaqjen ku dy protagonistë takohen te ura dhe thellohen në idenë nëse jeta ka kuptim apo jo, na foli regjisori Astrit Bytyqi, i cili për KultPlus theksoi se për të kishte qenë kënaqësi regjisura e tekstit të ish-profesoreshës së tij, Seadet Beqirit.

“Momentin që jam ballafaquar me tekstin kam parë se ai trajton shumë çështje, ngjarje dhe tema brenda vetes. Mirëpo e gjitha ajo që unë kam dashur ta krijoj ka qenë një koncept, që u pa nga publiku përmes aktorëve dhe punës së tyre”, nisi regjisori rrëfimin e tij.

“Ura” kishte pasur një periudhë provash prej 2 muajsh me të gjitha vështirësitë, të mirat dhe sfidat që i kanë dal përballë gjatë rrugëtimit.

“Si vepër kur e kam marrë kam dashur mbi të gjitha ta vlerësoj luftën, mënyrën se si kanë luftuar të parët tanë dhe se si na kanë sjell në këtë ditë që ne të jemi të lirë, të punojmë e të veprojmë. Gjithë fokusin e shfaqjes e kam dërguar në atë kahje që ta shohim edhe anën tjetër, të gjithë ata që kanë luftuar dhe vepruar në vendin tonë e kanë pasur një arsye të caktuar, e ajo ka qenë liria jonë”, shprehet Astrit Bytyqi.

Kjo shfaqje kishte mesazhe të shumta dhe të papritura, të cilat bënin që të shfaqeshin kthesa emocionale përbrenda saj. Mirëpo ajo që veçon Bytyqi në këtë rast është ballafaqimi i ushtarit me luftën dhe shpëtimi nga vdekja, ndërkohë që pasluftës ai humb të dashurit e tij.

‘’Vjen një moment kur ushtari humb vajzën edhe gruan e tij, e gjitha kjo bëhet bashkë me dhimbjen e tij, që e shtynë të ndërroj lokacion, të lë shtëpinë e të gjej strehim te një urë. Aty ballafaqohet me personazhin tjetër, e që ushtari ia jap vetes një mision, që çdokush që vjen aty t’iu bëhet mbështetës, ta rikthej kuptimin e jetës për të”, tha regjisori Bytyqi.

Aktori Avni Dalipi, në këtë shfaqje ka luajtur një rol jo të lehtë, atë të ushtarit. Ai shprehet se personazhi që i dha jetë, Doni, nuk kishte guxim të rikthehej në jetën e tij të dikurshme, andaj ia caktoi vetes një mision të veçantë.

“Qëllimi i tij ishte që t’i largoj nga rruga e gabuar të tjerët, t’i tregoj të gjithë njerëzve se sado që je i ngarkuar, të ballafaqohesh me realitetin është më mirë sesa të largohesh nga ai”, shpjegoi Dalipi.

Avniu tutje sqaron se jo vetëm si aktor por edhe si njeri, ky rol ka qenë më emotiv dhe se shpesh në jetën e përditshme na ndodh të jemi një “Don” dhe të bëhemi një urë mes vdekjes e jetës, duke i ndihmuar njerëzve të kalojnë nga e zeza në të bardhën.

“Brenda neve, në zemrat e shpirtrat tanë kemi vragë të natyrave të ndryshme nëpër këto periudha që kemi kaluar. Ditëve të fundit po ballafaqohemi me gjykimin në Hagë, dashtë e pa dashtë kjo na kthen në kujtimet e mëhershme dhe përjetimet që kemi pasur, e që kjo mund të na lëndojnë shumë në jetë”, ndërlidh Dalipi shfaqjen me aktualitetin.

Në mes të përpjekjeve jetë-vdekje, ekziston një mes, në të cilën aktorët gjallërohen duke e kënduar këngën “Sytë e zi”. Deri në atë moment, Avniu thotë se shfaqja ka pamjen e një klinike psikologjike, ku njëri e këshillon tjetrin duke e ngacmuar.

“Një nga momentet që përbëjnë kthesën emocionale është kur Doni i thotë Rronit ‘’këmbën tjetër, e jo atë’’ dhe ky e sheh që dikush po e pengon poshtë dhe në atë moment kur personi që dëshiron të bën vetëvrasje e sheh tjetrin, tërhiqet”, thotë aktori Dalipi.

Pjesa e këngës përveç që do të mbetet në mendjen e shikuesve, ajo ka lënë një vend të veçantë edhe te aktori Avni Dalipi. Kjo pjesë për të vlerësohet si ndërruese e rrjedhës së ngjarjeve, ku pas këndimit të përbashkët, personazhi të cilin e luajti ai fillon të mos jetë vetëm dëgjues i ndodhive të tjetrit, por edhe rrëfyes për jetën e tij.

“Përmes kësaj shfaqje kemi tentuar t’iu themi njerëzve që pavarësisht këtyre gjërave ne duhet të tentojmë që problemet t’i shndërrojmë në mundësi, e jo në shkatërrime e mbyllje për ne, sa të na humbasin edhe kuptimin e jetës”, tha për fund aktori Dalipi.

Shfaqja artistike “Ura” u duartrokit fuqishëm nga audienca dhe zuri vend në historinë dhe aktualitetin kosovar. / KultPlus.com

Shfaqja “Ura” me premierë në TKK

Të hënën në Teatrin Kombëtar të Kosovës do të jepet shfaqja premierë “Ura” e regjisorit Astrit Bytyqi, shkruan KultPlus.

Premiera do të shfaqet në orën 16:00 dhe interpretues të kësaj shfaqje do të jenë Avni Dalipi dhe Afrim Muçaj.

Gjithashtu autore e shfaqjes “Ura” është Seadet Beqiri/ KultPlus.com

Avni Dalipi në filmin “Dita e Gruas”: Do të përmbushem nëse Latifin do e urrej audienca

Avni Dalipi, aktori i njohur shqiptar do ti përveshë mëngët për tu transformuar në rolin e Latifit, në një film artistik të metrazhit të gjatë në Maqedoni, shkruan KultPlus.

Me skenar dhe regji të Goce Cvetanovski, producent Driton Ramadanit, produksion nga “Makedonska Krepost”, me drejtor të fotografisë Fejmi Daut, filmi “Dita e Gruas”, do të fillojë xhirimet në fillimin e tetorit të këtij viti, dhe Dalipi ka treguar se mezi që është duke pritur xhirimet e këtij projekti të madh.

Dalipi kujton momentin kur regjisori i ka ndarë rolin e Latifit, dhe ai shpjegon se pikërisht me rolin e tij, ndodhë edhe kthesa e filmit.

Latifi është drejtor i televizionit, dhe tenton që të zbardh rastin e shfrytëzimit të gruas, mirëpo ironia e këtij personazhi qëndron në faktin se ai tenton ta shpëtoj dikë, mirëpo që vet e shfrytëzon gazetaren.

“Një rrëfim i cili fillon prej gazetares,  e cila është e re dhe ambicioze, e që interesohet për problemin e prostitucionit, dhe përmes rrëfimit të saj, ajo gjen mbështetje apo prehje te drejtori i televizionit”, rrëfen në pika të shkurta rreth rolit të tij Dalipi, film që për bosht ka gruan, dhe keqpërdorimin e saj në shoqëri.

Mirëpo, ky rol do të jetë i përmbushur për Avni Dalipin, nëse do të arrijë që Latifi do të urrehet nga audienca, pasi që brenda këtij filmi trajtohet prostitucioni dhe keqtrajtime të tjera që i bëhen gruas në shoqëri.

Avni Dalipi, duke e vlerësuar këtë film me një temë shumë të ndjeshme ka thënë për KultPlus se është një punë që duhet të trajtohet me delikatesë, sikurse të ecësh nëpër fije të perit.

Filmi “Dita e Gruas”, që do të xhirohet në Shkup, por edhe në Kumanovë, do të realizohet me përfshirjen e tri gjuhëve: shqip, maqedonisht dhe anglisht, dhe zvarritja e xhirimeve për shkak të pandemisë, për aktorin shqiptar ka reflektuar më mirë, sepse, sipas tij ka pas kohë ta analizoj çdo detaj të këtij personazhi.  

“Dita e gruas” emri i këtij filmi përkon me festën e gruas si datë ndërkombëtare, dhe sipas Dalipit, pavarësisht që ka një festë për të, ajo vazhdon të jetë subjekt i krimit, që shkatërrohet, lëndohet, thyhet dhe shfrytëzohet.

Këtë film ai e sheh të guximshëm dhe si i tillë beson se do të ngjall kureshtjen e publikut.

“Ndikimi kulturor do të ishte një vetëdijesim i yni, që e drejta dhe e vërteta duhet të ndiqen apo të thuhen, pavarësisht çmimit që duhet të paguajmë për të qoftë edhe me jetë”, Dalipi.

Në rolet kryesor të këtij filmi luajnë aktorët: Sladjana Vujosevic, Musa Isufi, Sllagjana Vujosheviq dhe Ismail Kasumi. Kurse në rolet tjera janë: Mendim Murtezi, Damjan Cvetanovksi, Osman Ahmeti, Egzon Salihu e të tjerë. / KultPlus.com