Këngëtarja Avril Lavigne, ka ripërpunuar këngën e saj “Warriors” për ta shprehur mirënjohjen e saj për punëtorët e shërbimeve shëndetësore.
Ylli kanadez i muzikës që është në izolim në Los Angeles, ka sqaruar se këngën e ka përpunuar në studion e shtëpisë së saj, teksa klipin e ka xhiruar në oborr.
“Është një dedikim për të gjithë mantelbardhët që janë në vijën e parë të frontit në luftën kundër koronavirusit. Ata janë heronjtë e vërtetë dhe kështu kam dashur që të falënderoj gjithsecilin prej tyre”, ka thënë Lavinge.
Kënga origjinale ishte realizuar si një rrëfim për telashet shëndetësore që kishte pasur ajo shkaku i sëmundjes Lyme, transmeton KultPlus.
“E sfidova atë sëmundje dhe e mposhta. Që prej asaj kohe, më duhet të jem në formën më të mirë të shëndetit”, ka thënë këngëtarja.
Lavigne debutoi në skenën botërore në vitin 2002 me albumin “Let Go”.
Që prej atij viti e deri më tani, ajo ka realizuar gjashtë albume dhe ka shitur mbi 40 milionë kopje nëpër botë.
Ajo ka thënë se njerëzit kanë kaluar shumë kohë në izolim dhe sipas saj, këto momente duhet t’i shfrytëzojnë për reflektim.
“Teksa bota ngadalësoi, njerëzit kanë më shumë kohë që të mendojnë për gjithçka”, ka thënë ajo. / KultPlus.com