Axha Ramadan, 93 vjeçari që u bë frymëzim për banorët e lagjes gjatë kohës së karantinës

Jeta Zymberi
Fotografitë: Nok Selmani

Në rrugën “Nikollë Ivanaj” në Prishtinë, në krye të lagjes gjendet shtëpia dy katëshe e axhës Ramadan (Ramadan Rafuna), 93 vjeçarit që u bë inspirim për banorët e lagjes gjatë kohës së karantinës. Ballkoni i shtëpisë së tij rrallë qëllon i zbrazët, axha Ramadan është figura qendrore e këtij balloni nga ku banorët shpesh i kthejnë sytë për të parë skenat më të mira që mund t’i pikasësh gjatë një kohe të tillë izolimi, shkruan KultPlus.

Në rrethana normale, mëngjesi axhën Ramadan e ka gjetur në Tokbashqe apo Gërmi, ku bashkë me shokët kanë luajtur ndonjë lojë shah apo kanë ecur rreth parkut, por situata e krijuar nga pandemia Covid-19, e ka detyruar atë të izolohet në shtëpi. Por, kjo asnjëherë nuk ja ka zbehur energjinë e vullnetin për të kaluar ditën në mënyrën më të mirë. Në kushtet që ofron shtëpia, ai e ka shfrytëzuar ballkonin e shtëpisë për të bërë ushtrimet e mëngjesit, për të luajtur letra me mbesat e tij, teksa afër e mbante edhe një gotë çaj si shoqëruesin më të mirë në momente të tilla, e besa, ndonëse ju duket e pamundur për shkak të moshës së shtyrë, ai edhe ka lexuar gjatë kësaj kohë. Anekdotat e Anton Çettës, librin “Pa atdhe nuk kam fe” nga Selman Vokshi dhe “999 anekdota” të Salih Zogianit kanë qenë librat që e kanë shoqëruar gjatë kësaj kohe karantine.

“Masi na izoluan ka qenë një periudhë mjaft e vështirë, po masi i kam mbesat prapë mirë, se kemi lujt me letra, shah e domino, kështu që më ka kalu koha mirë, jo keq”, thotë ai për KultPlus.

Në rininë e tij ai ishte polic, por më vonë ai u bë pjesë e Këshillit Qendror të Lëvizjes Kombëtare për Pajtimin e Gjaqeve. Duke qenë pjesë e kësaj iniciative që ka arritur të pajtonte me mijëra familje të hasmuara dhe dukuria e keqe e gjakmarrjes pothuajse ishte zhdukur krejtësisht deri kah mesi i viteve ’90, ai padyshim ishte edhe afër Anton Çettës, kryetarit të kësaj lëvizje. E si duket “Plaku i urtë”, epitet të cilin Anton Çetta e kishte marrë nga populli i cili e respektonte dhe donte shumë, kishte ndikuar edhe te axha Ramadan. Ndonëse kanë kaluar vite e vite nga ajo kohë, ai e kujton me shumë nostalgji atë moment historik për shqiptarët.

“Ajo ka qenë një periudhë shumë e vështirë. Rinia sot nuk e kuptojnë, ka qenë një fushë që është quajtur ‘Fusha  e Pajtimit të Gjaqeve’, ku janë falë 7 mijë gjaqe. Kur u qojke nana e ja falke gjakun e djalit, ose baba të djalit, apo vllau të vllaut, ka qenë shumë e vështirë, gjithë ai popull që ka qenë prezent nuk kanë mundur t’i mbajnë lotët”, tregon axha Ramadan i cili edhe sot, pas kaq shumë vitesh, teksa rrëfente, nuk mund t’i mbante emocionet, zëri i dridhej e lotët gati e tradhtuan.

“Me Anton Çettën kemi kaluar shumë kohë bashkë. Ka qenë një njeri i urtë, me fjalë të matura e të mira. Anton Çetta e ka hapë një rrugë në shqiptari që asnjëherë më parë, askush nuk ka vepru më mirë. Me u pajtu njerëzit mes vete në atë mënyrë, kjo ka qenë e jashtëzakonshme. Edhe në të ardhmen ka me vazhdu mu shkru për këtë ngjarje historike për vendin tonë”, thotë ai.

Një 93 vjeçar duke lexuar, është një pamje frymëzuese të cilën nuk ka mundur ta neglizhojë as fotografi Nok Selmani i cili qëllon të jetë komshiu i tij i parë. Duke u ndjerë i frymëzuar çdo ditë nga kjo figurë dhe energjia e tij, Noku ka ngrirë disa nga këto momente që për të kanë një domethënie të madhe. E 93 vjeçari shprehet i lumtur që ka frymëzuar banorët.

“Jam i lumtur që i kam frymëzuar banorët e lagjes edhe pse pa vetëdijen time, unë thjesht e kam bërë rutinën time ditore. Me ushtrime merrna gjithmonë kapak, më ka mbet shprehi prej moti. Ushtrimet më kanë ndihmu e më ndihmojnë ende për me qenë ma i shëndetshëm”, thotë axhi Ramadan.

Ndërsa, sot pas më shumë se dy muajve, ai ka dalë për herë të parë në qytet.

“Gjatë kësaj periudhe më ka mungu shumë koha kur dilja. Sot kam dal në mëngjes me ec. Kur dola i gjeta shokët aty, ju thash mos mu afroni, të ruhemi, po jo vallahi than, krejt në n’gryk më kanë marrë”, pohon teksa fytyra i buzëqeshte. Vërehej qartë në fytyrën e tij që dalja nga karantina dhe takimi me shokë e kishin rilindur edhe njëherë.

Krejt për fund të intervistës, ai deshi të ndajë edhe një mesazh me lexuesit e KultPlus.

“Kjo koha e karantinës e ka pasur anën pozitive dhe atë negative. Besoj që ka ndiku për mirë shumë tek njerëzit, që me dashtë më shumë njëri tjetrin. Besoj që e kanë kuptu sa e rëndësishme është me pas shoqëri, dashni e rahati në mes vete, jo mu marrë me ngatërresa. Se kohëve të fundit njerëzit e këqyrshin veç interesin personal, e tash besoj që kjo situatë ka ndiku me pa botën ma ndryshe, me dashni.” / KultPlus.com