Azem Deliu në Panairin e Librit në Lajpcig të Gjermanisë

Azem Deliu do të prezantohet në Panairin e Librit në Lajpcig të Gjermanisë, ku në këtë panair do të jetë në mes të datave 16 e 19 mars, shkruan KultPlus.

Për këtë pjesëmarrje ka njoftuar Shtëpia Botuese “Onufri”, të cilin mund ta lexoni të plotë.

Një ditë pas ditëlindjes së 26 të shkrimtarit, ndajmë lajmin se Kosova në Panairin Ndërkombëtar të Librit në Leipzig të Gjermanisë do të marrë pjesë me Azem Deliun.

Shkrimtari do të jetë në Leipzig nga 16 deri më 19 mars, i ftuar në njërin prej panaireve më të mëdha të librit.

Urime!/ KultPlus.com

Sonte të kujtova, Nënë

Poezi nga Azem Deliu

Sonte të kujtova nënë.

Teksa mendoja për librin e ri
Gjeneralë, mjekë e viktima kam vënë.
E asnjë nuk është si ti.

Sonte të kujtova nënë

Tek thithja cigaren që më përgjëroje të mos e pi.
Në tramvajin polak vend kam zënë
Qytet plot me fëmijë,
E plot nëna, nënë
Por jo ti.

Sonte të kujtova nënë

Dhe ndjeva faj që ishe në kokën time një mendim
Kur unë në kokën tënde jam krejt mendimet.
Në suksese krahët m’i rrahin plot gëzim.
Ti ma përkëdhel kokën, në dështime.

Sonte të kujtova nënë

Dhe ndjeva vrapin tim pas mësimit,
Drejt gatimit tënd nëpër shi
Dhe ndjeva të të them: mos i fik dritat.

Kur ta mbaroj librin, prapë, do të vij.

Një gotë lëng mbushe për vete
Se ti alkoolin s’e pi
E unë do të vrapoj nga aeroporti
Se asnjë nuk është si ti./KultPlus.com

Shkrimtari i ri nga Kosova pjesë e programit ‘Artist in Residence’ në Poloni

Programi ndërkombëtar ”Artist in Residence” 2018 i organizuar nga Qendra Kulturore ZAMEK në Poloni ka zgjedhur fituesit e edicionit të sivjetmë të cilët do të zhvillojnë projektet artistike në Kështjellën e Poznanit në Poloni, përcjellë KultPlus.

Në këtë program janë zgjedhur 6 artistë nga e mbarë bota në arte të ndryshme e kësaj radhe, në letërsi, mes dhjetra shkrimtarëve kandidatë, është edhe shkrimtari 21 vjeçar nga Kosova, Azem Deliu.

21 vjeçari tashmë autor i njohur për ndjekësit shqiptarë të letërsisë, do të shkruajë pjesën e mbetur të romanit të radhës, në Kështjellën 100 vjeçare të Poznanit dhe do të mbajë një ligjëratë me temën ”Letërsia dhe kujtesa” e cila pritet të trajtojë mënyrën sesi arti ballkanik është marrë me konfliktet mes popujve, në bashkëpunim me Universitetin ”Adam Mickieviç” në këtë qytet. Në lidhje me këtë program, Deliu do të ketë edhe dy lexime dhe një takim special me publikun polak, kritikët e artit dhe skenën e letërsisë polake.

Përmes e-mailit, ZAMEK ka kontaktuar shkrimtarin i cili në letërsinë shqipe është bërë i njohur me ”Puthësin e paligjshëm”, roman i botuar nga Onufri në dy botime i cili pritet që muajt e ardhshëm t’i sigurojë autorit të ri debutimin ndërkombëtar duke dalë në tregun britanik, në gjuhën angleze.

Nga ana e tij, vetë autori nuk bën të ditur asgjë për romanin përveç faktit që do të ketë në trajtim historinë e grave të dhunuara në luftën e fundit në Kosovë. Qëndrimi rezidencial i Deliut në Poloni do të zgjasë tre muaj. Një hap më tutje në ndërkombëtarizimin e letërsisë së tij, romanin e ri të Deliut, sikur edhe gjithë krijimtarinë e tij deri tani, do ta sjellë Onufri ekskluzivisht për lexuesin shqiptar. / KultPlus.com