Nënat

Poezi nga Azem Shkreli

Ato lahen në gazin
Tonë në lotët e tyre.

Bëhen rojë murane
Te krojet e shterra të gjirit.

Në ballin tonë përherë
U bëjnë dritë shejte gishtat.

Ditët na i prarojnë dhe rrugët.
Me nga një bekim më t’mirin.

Me rrëmetën e krrusur t’moteve
Na ruajnë nga hijet e liga.

Një ditë shkojnë si të shkonin
Të mos vijë më vdekja.

E s’na kërkojnë asgë
Pos një grusht dhe mbi krye.

Shkojnë. E sa herë vdes nënë
Vdes nënëmira ime.

“Takimet Ndërkombëtare letrare Azem Shkeli” hap konkurs për poezinë më të mirё

Drejtorati për kulturë, rini dhe sport -Sektori i Kulturës i komunës sё Pejës me rastin e Manifestimit tradicional, “Takimet Ndërkombëtare letrare Azem Shkeli” i cili organizohet në Pejë mё 23 e 24 maj tё këtij viti, shpall konkurs për poezinë mё tё mirё tё lexuar gjatё manifestimit letrar, e cila do të shpërblehet nga juria e propozuar nga Këshilli organizativ dhe aprovuar nga DKRS. Tё gjithë të interesuarit, poezinё e tyre duhet ta dërgojnë deri mё 31 mars 2020, nё adresën elektronike: [email protected]

Poezia duhet tё jetё e pabotuar, tё mos jetё mё e gjatё se dy faqe kompjuterike si dhe me emër dhe mbiemër.

Poezitё e përzgjedhura do të publikohen.

Konkurs për çmimin “Bulëzat”

Drejtorati për Kulturë, Rini dhe Sport nё Pejë, shpall konkurs për çmimin “ Bulëzat” i cili për çdo vit ndahet për krijuesit e rinj në kuadër të manifestimit letrar ndërkombëtar “Takimet e Azem Shkreli” i cili mbahet mё 23 dhe 24 maj 2020 në Pejë.

Të gjithë krijuesit e rinj, duhet të mos jenë mbi njëzet vjeç dhe të kenë një libër me poezi të botuar pas edicionit tё TNL 2019. Çmimi “Bulëzat” ka për qëllim pyetjen dhe motivimin krijues. Të gjithё të interesuarit mund të konkurrojnë deri mё 30 prill 2020, duke i dërguar krijimet e tyre në këtë adresë: [email protected]

Autorët të cilët dëshirojnë ti promovojnë librat në kuadër të këtij manifestimi, duhet të dërgojnë kërkesat me shkrim, në adresën elektronike: [email protected]. / KultPlus.com

Para elegjisë

Poezi nga Azem Shkreli

Një ditë do t’i marrësh në gji
gjethet e rëna të stinëve të tua
dhe do të kërkosh kot veten
shtigjeve të harruara të një moshe
e nuk do të kesh më as flokë ere,
as shikim ylberi ta matësh fillin
dhe fundin e mashtrimit tënd të shkurtër.

Një ditë do t’i shpalosh vjetët tua
si pajën e nuses së vdekur
e do të numrosh fluturat e shkuara
t’agsholeve t’prenduara
e s’do të kesh më as zjarr në buzë,
as lot në sy të qeshën ngrohtë,
të qajsh rrejshëm dhe t’i mahnitësh
djelmoshat.

Një ditë dot’i hash buzët e tua,
gjurmët e tua do t’i pështysh
dhe secilin muzg do ta pagëzosh
me nganjë pendim që dhemb
e s’do te kesh me as sy deti,
as hap te hedhur sorkadheje
te shohesh si t’perqeshin gonxhet
dhe te ikesh prej hijes sate.

Ruaju, moj se vashat më të bukura
i vret bukuria e vet. / KultPlus.com

Në Rrugë

Poezi nga Azem Shkreli

Tash jam diku larg teje, larg vedi
dhe – ku me dijtë kah më tresin
udhëkryqet e shumta t’jetës?

Jam ba përshëndetje e harrueme e kalimtarëve,
jam ba lot e kangë,
jam ba betim i rrugëve dhe rreze e shkrepun
majë gurit.

Tash jam diku larg teje, larg vedi
dhe – ku me dijtë ku sosin
fijet e këputuna t’kësaj kange?

Jam ba pre shitimi i syve zjarr,
jam ba bekim e namë,
jam ba zog e re n’krah t’agsholeve t’bardha?

Tash jam diku larg teje, larg vedi
dhe – ku me dijtë kah m’tresin
udhëkryqet e shumta t’jetës?!

Azem Shkreli, pena origjinale bashkëkohore

Azem Shkreli zë vend në krye të poezisë bashkohore shqipe. Me poezinë e tij, Shkreli përmes cilësisë së vargut, shënoi kthesën në rrjedhën e poezisë në Kosovë dhe Shqipëri, po ashtu. Tematika e gjerë e vargjeve shkreliane i këndoi heroit lirik, duke e subjektivizuar dhe solli një ndjesi të re, të mprehtë ndaj peshës së gjuhës e fjalës.

Furishëm, ai solli në poezinë e viteve pesëdhjetë këtë veçori, kur poezia ishte plot me patosin e euforisë kolektive.

Rrëfim ekskluziv i Lazim Destanit: Takimi im i fundit me Azem Shkrelin

Nga Bajrush Morina

Aeroplani i fluturimit nga Dortmundi i Gjermansë për në Prishtinë, më 27 maj të vitit 1997 po e sillte për herë të fundit në Kosovë një udhëtar të veçantë. Ky udhëtar zbriti lehtë shkallëve të aeroplanit në Aeroportin e Prishtinës, u skajua pak nga rreshti i udhëtarëve, u ulë në tokë, puthi tokën dhe iu lut asaj (tokës) që tash e tutje t’ia bënte një vend edhe atij…Prej atij momenti shpirti i Azem Shkrelit u ngjit te Engjujt në qiell e trupi i tij (Guri i rëndë peshon në vend të vet) pushoi i qetë në tokën e vendit të vet, në Kosovë! Azem Shkreli shkoi në amshim dhe u bë i pavdekshëm!

Më 7 korrik të vitit të kaluar – 2018, rastësisht (rasti mbret i botës) po merrja pjesë në ceremoninë e dorëzimit të Flamurit amerikan për biznesmenin dhe filantropin e njohur shqiptar Lazim Destani, nga kongresmeni Eliot Engel. Ceremonia e dorëzimit të flamurit amerikan u mbajt në selinë e Kongresmenit Engel në Nju Jork pasi muaj më parë ishte votuar propozimi për këtë dekoratë për z Destani nga Kongresi amerikan në Uashington.
Pasdite në një nga restoranet më luskoze të Nju Jorkut, gjatë një dreke të përbashkët, bashkë me gazetarin e botuesin e gazetës shqiptaro-amerikane “Illyria” z Vehbi Bajramin dhe bashkëpunëtorët e z.Destani po dëgjoja një rrëfim sa interesant aq edhe mbresëlënës. Fjala ishte për Azem Shkrelin!

Kështu përveç Vehbiut, miku ynë i përbashkët doli të jetë edhe Azem Shkreli.
“Një ditë më parë Azemi erdhi në zyrën time në Dortmund dhe më tha: Lazim ma prej një biletë njëdrejtimëshe për Prishtinë!, I thashë pse një drejtimëshe, merre kthyese, shko rri sa të duash, tako familjarët e miqtë e tu e kthehu! Jo, më tha, Lazim kësaj here dua biletë një drejtimëshe! Në raste të tilla Azemi ishte pak kokëfortë”, nisi rrëfimin e tij Lazim Destani, biznesmen, filantrop i njohur shqiptar e mik i ngushte i Azem Shkrelit.
“Ishte e kotë të ktheja mendjen Azemit. Ai këmbënguli që bileta të jetë njëdrejtimëshe! Të nesërmen më 27 maj të vitit 1997 e përcolla në Aeroport, e ula në ulëset e përparme të Aeroplanit dhe i thashë: Kthehu mos u vono! Rri sa të duash dhe kur të mërzitesh atje, ma bën një telefon dhe ta bëj gati biletën për kthim! Ai vetëm luante kokën në shenjë pohimi dhe më falënderonte me buzëqeshjen e tij karakteristike për pritjen dhe përcjelljen që po i bëja atij…E ndjeja se Azemi nuk dukej si më parë…më dukej pak më i qetë se herave tjera, fliste shumë pak dhe herë pas here shiqimin e trette jashtë dritareve të aeroplanit. U përshëndetëm para se të nisej aeroplani. Unë zbrita e ai u ngrit në qiell…Ky ishte takimi im i fundit me Azemin. Unë pata fatin e dhimbshëm që të jem personi i fundit që u përshëndeta me Azem Shkrelin para se ai të shkonte në amshim!”.
Ky rrëfim i Lazim Destanit më ka mbushur sytë me lot. Lazimi po fliste qetë dhe herë pas herë me plot mallëngjim për Azemin dhe unë po e dëgjoja këtë rrëfim për herë të parë, për një takim të fundit dhe për një ndarje të fundit të Azemit nga ne, nga kjo botë!

Rreth 4 vjet më parë, më 1993, kisha patur fatin që të takoja dhe të miqësohesha me Azemin në Munih të Gjermanisë. Bashkë me mikun tim Sokol Topallin, madje në një moment u kujdesëm edhe për shëndetin e Azemit. Kur Lazim Destani përmendi fjalën “…kokëfortë” mu kujtua një moment i rëndësishëm i jetës së Azemit në marsin e vitit 1993. Ai po kollitej rëndë, kishte temperaturë dhe rrinte gjithë kohë i shtrirë në dhomën e tij në vilën Valberta të Tucingut në periferi të Munihut. Kishte fituar bursë për një qëndrim 6 mujor nga Ministria për Kulturë e Bavarisë së Gjermanisë. Unë pata fatin që ato ditë të qndroja me Azemin. E shihja se nuk ishte mirë. Disa herë i thoja; “Azem hajde shkojmë te mjeku!

Hajde burrë gjysmë ore punë, ta jep ndonjë hap a barnishte dhe të kalon! Shkojme të një doktoreshë, jo te ndonjë doktor gjerman me qehre të rëndë!!!” Ai nuk lëvizte nga shtrati. Ashtu i shtrirë, vinte dorën mbi ballë dhe më thonte: “Jo he burrë se kalon! A shkon tan ky burrë të mjeku!”
Kur një ditë e pa se ishte lodhur së tepërmi, më tha: “A të shkojmë djalo të ajo doktoresha e bardhë…vec thuj asaj se nuk merrë “gjilpana”, një burrë si unë nuk “shpohet me gjilpana” nga një grua doktoreshë” dhe në fytyrën pak të zbehur u shfaq një fije buzëqeshje. Atëbotë Azemi e mori veten.
Lazim Destani fliste sa me krenari aq edhe me mall për Azemin. E kishte mik për krye kreje. Njiheshin prej shumë vitesh. Azemi në Gjermani e kishte derën e hapur gjithë kohën te Lazimi. Ishin miq të vjetër.
Kjo fotografi që po e botojmë për herë të parë flet për miqësinë e përhershme të Lazim Destanit me Azem Shkrelin.
Në 22 vjetorin e amshimit të Azemit, të gjithë ndjejmë dhembje, mallëngjim por edhe krenari për jetën edhe veprën e Azemit. Familjarët ia lënë ende një vend në sofër, miqtë e tij poetë edhe sot thurin vargje për Azemin e Lazim Destani edhe sot e kësaj dite e ka “pikë në zemër” pse nuk ia preu biletën kthyese Azemit, së paku ta kthente edhe njëherë të gjallë në Dormtund të Gjermanisë!

Rrëfimet për Azemin nuk kanë të ndalur ashtu siç vargjet e tij nuk ndalin rrjedhën e tyre në rrjedhat e letërsisë shqipe./botasot / KultPlus.com

22 vjet nga vdekja e Azem Shkrelit

Azem Shkreli zë vend në krye të poezisë aktuale shqiptare. Krahas cilësisë, poezia e Shkrelit shënoi kthesë në rrjedhat e poezisë në Kosovë: e zgjeroi spektrin tematik; e subjektivizoi dhe intimizoi heroin lirik dhe çka është më me peshë, solli një ndjesi të re, të mprehtë ndaj gjuhës, ndaj fjalës. Kështu, ajo i hapi rrugë bindshëm poezisë së viteve pesëdhjetë, të ngarkuar me patosin e euforisë kolektive.

Azem Shkrelí lindi më 1938 në Rugovë të Pejës. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa në Prishtinë ai vazhdoi shkollën e mesme për të vazhduar fakultetin Filozofik, degën e gjuhës dhe të letërsisë shqipe. Për shumë vjet ai ka qenë kryetar i shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, drejtor i Teatrit Krahinor në Prishtinë dhe themelues e drejtor i Kosova Filmit. Vdiq në pranverën e vitit 1997.

Ka botuar këto vepra në poezi Bulzat (1960), Engjujt e rrugëve (1963), E di një fialë prej guri (1969), Nga bibla e heshtjes (1975), Pagëzimi i fjalës (1981), Nata e papagajve (1990), Lirikë me shi (1994), Zogj dhe gurë (1997). Në prozë: Karvani i bardhë (1961), Sytë e Evës (1975), Muri përfundi shqipes Shtatë nga at, si dhe dramat: Fosilet (1968), Varri i qyqes (1983) etj. Poezitë e tij janë përkthyer në shumë gjuhë të huaja.

Shfaqja e Azem Shkrelit si poet, përpos që përputhej me ardhjen e talentit të fuqishëm, shënonte njëkohësisht kthesën e parë drejt hapjes dhe modernizimit të poezísë shqipe të Pasluftës. Shkreli u ngjít natyrshëm në kulmet e poezisë së sotme shqiptare dhe këtë vend ai e konsolidoi dhe e përforcoi nga njëra vepër poetike në tjetrën, deri në atë të fundit, që e la dorëshkrim “Zogj dhe gurë”, botuar më 1997.

Veprimtaria në poezi dhe në prozë e Azem Shkrelit në fund të viteve pesëdhjetë dhe në fillim të gjashtëdhjetave, shënon kthesë cilësore dhe kthesë në praktikat krijuese letrare. Gjatë viteve pesëdhjetë, si gjimnazist, Azem Shkreli, ka mundur të lexojë nga letërsia e kohës në gjuhën shqipe një poezi tematikisht të kufizuar, me strukturë dhe sajim artistik gjuhësor pa origjinalitetin e duhur. Në prozë gjendja ishte edhe më e varfër. Me përjashtim të ndonjë emri, (Hivzi Sulejmani) ajo pak prozë e autorëve jo fort të talentuar, kryesisht trajtonte tematikën e luftës dhe të fitores përmes rrëfimit klishe bardh e zi dhe të metodës së realizmit socialit.

Kështu Azem Shkreli shënoi kthesën e parë më të rëndësishme në poezi, në radhë të parë, duke e çliruar Unin lirik intim nga ai kolektlv, duke selitur në të temën e dashurisë për vendlindjen dhe duke portretizuar njeriun e truallit rugovas, me ngjyrimet e traditës dhe të lashtësisë, dashurinë për vashën, lirikën peizazhiste, etj. Nga ana tjetër thyerjen e parë të madhe në letërsinë shqiptare, kosovare, Shkreli e bëri me romanin “Karvani i bardhë” si edhe me tregimet e përfshira në vëllimin “Sytë e Evës”, që qëndrojnë ndër më të realizuarat në prozën tonë të shkurtër.

Vdiq në pranverën e vitit 1997. /KultPlus.com

Së shpejti do të mbahen takimet ndёrkombёtare “Azem Shkreli”

Pёr tё shtatёmbёdhjetёn herё me radhё nё Pejё, mё 23 e 24 maj organizohen takimet ndёrkombёtare letrare “Azem Shkreli”.

Emra prominent autorёsh do tё jenё tё pranishёm nё kёto takime si:
Hemuth A Niederle, Sylvestre Clancier, Emmanuel Pierrat, Hava Pinas Cohen, Rafaël Newman , Antonio Della Rocca …

Pёrveç autorёve tё huaj, edhe autorё tё njohur nga Kosova , Shqipёria e Maqedonia do tё paraqiten me poezi. Nё sesionin tematik nё kuadёr tё takimeve do tё mbahet konferenca shkencore “Lidhja e Pejёs” , ku do tё referojnё studiuesit Elena Kocaqi e Muhamet Mala. Nё sesionin e studimeve letrare promovohet libri i Skender R.Hoxhёs. Anton Nikё Berisha do tё promovojё kompletin e librave “Nёna Tereze nё shtatё shpalime”, nё zhanrin e prozёs promovohet romani i Florin Kelmendit “Vrasje nё kornizё”, ndёrsa pёrmbledhje me poezi do tё promovojnё: Erenestina Gjergji -Halili , Adem Gashi, Sali Bashota e Nikolin Gurakuqi. Muzeu i Durrёsit do tё hap ekspozitёn nё Galerinё e Arteve nё Pejё. Juria profesionale do tё ndajё çmimet e takimeve: çmimin ndёrkombёtar “Azem Shkreli” pёr kontributin nё gjuhёn dhe letersinё shqipe, çmimin ndёrkombёtar “Lirikat e Azemit’. Çmimin “poezia mё e mirё” pёr poezinё mё tё mirё konkuruese , çmimin “Bulёzat” pёr krijuesit e rinj , si dhe çmimin “Lirisё” qё sivjet jepet pёr herё tё parё./KultPlus.com

Mbahet manifestimi letrar dhe konkursi letrar për mërgatë “Azem Shkreli 2019”

Lidhja Shkrimtarëve Artistëve dhe Krijuesve Shqiptarë ne Gjermani për të trembëdhjetën herë me radhë organizon Manifestimin Letrar, si dhe Konkursin letrar për mërgatë “Azem Shkreli”.

“Ftojmë të gjithë dashamirët e fjalës së shkruar shqipe nga mërgata të marrin pjesë në këtë manifestimin kulturor dhe letrar. Manifestimit tonë letrar i paraprinë fjalët përshëndetëse dhe konkurrimi me poezi përkushtuse për Azem Shkrelin qe do të shpërblehet poezia fituese. Prezantojmë tri vëllimet e fundit të veprës  “Kosova” dhe Dosja B të shkrimtarit dhe historianit tonë të njohur Jusuf Buxhovi”, thuhet në njoftim, përcjell albinfo.ch.

Nga juria e zgjedhur do të shpërblehen dy librat më të mirë të botuar vitin e kaluar me poezi dhe prozë dhe që kanë konkurruar për Konkursin letrar për mërgatë “Azem Shkreli 2019”.

Promovohen edhe dy veprat e fundit të shkrimtarit dhe luftëtarit për liri, Martin Çuni “Universi i jetës” poezi dhe “Lulet e jetës” letra nga burgu, Sead Ramadani me veprën poetike “Malli për Tokën”, si dhe Mr. Sc. Murat Ajvazi me librin e tij “Skënderbeu në Historiografinë Zvicerane”.

Të ftuarit e nderit të këtij manifestimi janë: Përfaqësuesit e shteteve të Shqipërisë dhe Kosovës, gjegjësisht nga përfaqësuesit e ambasadave dhe konsullatave të tyre. Shkrimtari dhe historiani, Jusuf Buxhovi, biznesmeni i suksesshëm shqiptar, Lazim Destani, si dhe Prof. Dr. i muzikës Bekim Ramadani nga Tetova.

Manifestimin tonë do ta zbukurojë ekspozita të artit pamor nga artisti ynë Ben Kamili, thuhet tutje në njoftim nga organizatorët.

Do të ketë edhe të ftuar të tjerë nga shtetet tjera evropiane dhe politikanë nga spektrat e ndryshme politike lokale dhe shtetërore gjermane.

Të pranishmit me disa pika muzikore do ti argëtojnë vëllezërit Kurtishi dhe nxënësit e shkollës shqipe me disa valle popullore shqiptare. Për të ftuarit do të kemi edhe drekë imbis.

Manifestimi mbahet me datën 26 maj 2019, duke filluar nga ora 12:30.

Adresa: “Haus Ennepetal” Gasstraße -10, 58256 – E n n e p e t a l


Koha e krymbave

Azem Shkreli

Dalin kryezezë, kryeverdhë, nga vullnet i vrimave 
Turren terr në sy, myshqeve, mendimeve, muranave 
Trup e tërthori u bien trupave të palendshëm 
Sa marrin trok lëngatave, sa kalirojnë ligësive 
Lakmojnë krymbas, zbirojnë, gropojnë, krymben 
Në kënaqësi të zeza, gëzohen zi, cimbojnë me të zezë 
Marshim i jargët i tyre zvarret tryezave, shikimive 
Bien në dy gjunjë, luten të marrë mot i lëmashekët 
Hipin shoq me shoq dhe shpallin kremten e krymbave 
Shih si levrijnë, si i shtyn me gisht të madh koha 
Shenjti i Shenkoll, po tallemi apo na mori krymbëria?! / KultPlus.com

Kafsha e zezë

Poezi nga Azem Shkreli

Heshtja det i lëkundur dhe vetimët 
Fshikin terrin trupi i saj përdridhet 
Ku janë njerëzit. Nga janë nisur bimët 
Një langua leh e s’ik as lidhet 
Ulurin përmotshëm mbase së ligës 
Ja ndjen erën diku në gjakun tim 
Ai rrëmbimit të vet i turret digë 
Rreptas pastaj etur merr gufim 
Tej durimit dhimshëm. Të trazuara 
Ngrihen grevë të pabërat duan dëshmi 
Protestojnë. Gjithë gjërat e ndaluara 
Bredhin mëllefit të vet me zhauri 
Dhe leh kafshë e zezë e s’ik as lidhet 
Heshtja det i lëkundur dhe vetimët 
Fshikin terrin trupi i saj përdridhet 
Ku janë njerëzit. Nga janë nisur bimët 
Ja që kështu na qenka kafshë e dehur 
Mëtimi. Pastaj vetëm cuklat kur të na mbeten 
Do thonë: Ai me fjalë e ajo me të lehur 
Të rrojnë se njerëzisht e hëngrën veten 
Të pastë ndjesë harrimi hero i herave tjera

Katër këshilla vetes

Azem Shkreli

Mos u bëj poet nëse s’mund të lindësh 
me secilin varg, të lindësh me secilën fjalë. 

ngrehu mbi veten në dot t’rrokësh frerët e erërave, 
të shkelësh shpërgajt e mërisë dhe shtrëngatat 
e gjakut tënd. 

n’se dashurohesh, dashurohu n’flakë e n’valë, 
jo në sy të kaltër, se bëhesh det i çmendur pendimi. 

mos u bëj poet nëse s’mund të vdesësh 
për secilën varg, të vdesësh për secilën fjalë. / KultPlus.com

Sot 81 vjet nga lindja e poetit Azem Shkreli

Azem Shkrelí ishte një poet e kritik letrar shqiptar. Ai ka qenë kryetar i shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, drejtor i Teatrit Krahinor në Prishtinë dhe themelues e drejtor i Kosova Filmit.

Azem Shkrelí lindi më 1938 në Rugovë të Pejës. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa në Prishtinë ai vazhdoi shkollën e mesme për të vazhduar fakultetin Filozofik, degën e gjuhës dhe të letërsisë shqipe. Për shumë vjet ai ka qenë kryetar i shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, drejtor i Teatrit Krahinor në Prishtinë dhe themelues e drejtor i Kosova Filmit.

Poezitë e tij janë përkthyer në shumë gjuhë të huaja. Shfaqja e Azem Shkrelit si poet, përpos që përputhej me ardhjen e talentit të fuqishëm, shënonte njëkohësisht kthesën e parë drejt hapjes dhe modernizimit të poezisë shqipe të pasluftës. Shkreli u ngjít natyrshëm në kulmet e poezisë së sotme shqiptare dhe këtë vend ai e konsolidoi dhe e përforcoi nga njëra vepër poetike në tjetrën, deri në atë të fundit, që e la dorëshkrim “Zogj dhe gurë”, botuar më 1997. Vdiq në pranverën e vitit 1997.

Librat e tij me të njohur me poezi janë: Bulzat, Engjujt e rrugëve, E di një fjalë prej guri, Nga bibla e heshtjes, Pagëzimi i fjalës, Nata e papagajve , “Lirikë me shi, Zogj dhe gurë. Ndërsa në prozë ai shquhet sidomos me romanin e tij “Karvani i bardhë”.

Azem Shkreli u ngjit në maje të letrave shqipe dhe vazhdon të mbetet i tillë falë thesarit që ka lënë si pjesë e letërsisë shqipe. /KultPlus.com

Elegji për Azem Shkrelin

Poezi nga Din Mehmeti.

Mos e zgjoni!
Nuri i tij shndrit

Trupin e ka në të tashmen
Shpirtin në të ardhmen

Është duke përbiruar
Nëpër shkëmboren e mendimit
Për të arritur në anën tjetër të vetes

Rugovasit e mbështollën
Me shalla të bardhë
E vendosën në shpirtin e tyre
Për të jetuar gjithmonë me të

Drita i tha territ:
Nxima shikimin
Mos ta shoh të heshtur

Terri i tha dritës:
Më bëj edhe më të zi

O miku im më i miri mik
Zi zi zi – ajo ditë
Eh eh eh!…

Mos e zgjoni!

Çka mësova unë

Çka mësova unë – Azem Shkreli
(këngë gegërishte)

Me u ra tërthoreve n’trup
Me ndie andjet tue lehë
Me ra mbas xixave n’pup
Me u ndejtë dhimbjeve n’teh
Me shkel prajshëm n’për tokë
N’vene t’fjalëve mos me u deh
Me i ndreqë muret me kokë
Me thanë fat kobi kuje
Mos me dashtë ngushëllim
Me folë pa hile me mikun
M’u var n’çengelin tim
Me ndezë kandila të fikun
Me i venë vetimet n’sy
Me mat me dorë n’zemër
Me gjerbë e mos me pështy
Me prek Akilin n’themër
Ndër sqota mos me u mekë
Me dashtë si me vdekë
Me vdekë si me lujt.

“E sa herë vdes nënë, vdes nënëmira ime”

Poezia “Nënat” nga Azem Shkreli.

Ato lahen në gazin
tonë e në lotët e tyre.

Bëhen rojë murane
te krojet e shtera të gjirit.

Në ballin tonë për herë
u bëjnë dritë shejt gishtat.

Ditët na i prarojnë dhe rrugët
me nga një bekim më t’mirin.

Me rrëmetën e krrusur t’moteve
na ruajnë nga hijet e liga.

Një ditë shkojnë si të shkonin,
të mos vijë më vdekja.

E s’na kërkojnë asgjë,
pos një grusht dhe mbi krye.

Shkojmë. E sa herë vdes nënë,
vdes nënëmira ime.

Nënat sipas Azem Shkrelit

Azem Shkreli
(Shokut tim për nënën)

Ato lahen në gazin
tonë e në lotët e tyre.

Bëhen rojë murane
te krojet e shtera të gjirit.

Në ballin tonë për herë
u bëjnë dritë shejt gishtat.

Ditët na i prarojnë dhe rrugët
me nga një bekim më t’mirin.

Me rrëmetën e krrusur t’moteve
na ruajnë nga hijet e liga.

Një ditë shkojnë si të shkonin,
të mos vijë më vdekja.

E s’na kërkojnë asgjë,
pos një grusht dhe mbi krye.

Shkojmë. E sa herë vdes nënë,
vdes nënëmira ime.

“Kënga e turpshme” e Azem Shkrelit nën interpretimin brilant të Aurela Gaçes (VIDEO)

“Kënga e turpshme” e Azem Shkrelit është një nga poezitë e tij më të shkurtra por më kuptimplota, ku vargu të merr me dhimbjen e njeriut që bart në vete borxhin ndaj atdheut.

Kur këto vargje të një poeti të rrallë siç ishte Shkreli, bashkohen me zërin brilant të këngëtares Aurela Gaçes që dëgjohet çdo ditë e më shumë, bëjnë që vargjet të përjetohen në shumë dimensione artistike e të prekin shpirtin lehtë shpirtin e brendshëm. KultPlus sot ju përcjellë interpretimin e Aurela Gaçe.

Sonte
Qava sonte për ty
Arbëri
Nuk më vjen turp
Pse qava
Më vjen turp pse s’munda
Të bëj tjetër
Nga turpi qava.

Azem Shkreli, dorëshkrimin e fundit ia kishte dorëzuar këtij shkrimtari të njohur

Azemi , miku im
Azem Shkreli ishte nga shkrimtarët e parë të Kosovës që njoha nga afër . Nga ai kisha lexuar poezi dhe kisha dëgjuar të më tregonte ndonjëri, se jeton në Prishtinë një poet me emrin Azem Shkreli , se ka një pamje të tillë dhe se flet kështu apo ashtu dhe kaq. Por kur shkova për herën e parë në Kosovë në vjeshtën e 1972-së për Ditët e Poezisë që organizoheshin në Gjakovë e takova edhe Azemin mes grupit të shquar të poetëve të asaj ane të Shqipërisë. Në fillim më bënë përshtypje lëvizjet e tij të përhershme si veriu. Ai ulej pak në tryezë dhe papritur ngrihej, shkonte të takonte ndonjërin, kthehej për të qëndruar pakëz në tryezë dhe ikte përsëri ,se dikush e priste në ndonjë anë. Por edhe kur rrinte në tryezë , shpesh heshtëte me sy të përhumbur diku dhe dukej sikur nuk dëgjonte asgjë nga ç’flitej. Vetëm kur fjala vinte tek poezia dhe tek arti në përgjithësi dhe kur ndizej ndonjë polemikë , sytë e tij dilnin nga përhumbja duke shkrepëtirë, shikonte me kokën mënjanë dhe pastaj hidhej për të pohuar apo mohuar ndonjë mendim . Atëherë harronte të lëvizte nga tryeza dhe bëhej një bashkëbisefues i mirë. Megjithatë ai nuk fliste shumë . Kjo ishte përshtypja ime e parë në takimet e fillimit me Azem Shkrelin .
Në ato takimet poetike të Gjakovës , ku lexonim nga një vjershë poetët pjesëmarrës , unë lexova disa vargje kushtuar nënës sime, që fillonin:
Nëna ime , e bukura Hatixhé,
Më e bukura nga gjithë fshatarkat,
Atje në minder mbi një dyshemé,
Më polli mua kur u kthye nga arat.
Azem Shkreli gjithë ato ditë që qëndrova në Prishtinë, sa më takonte , e bënte zërin si timin, më imitonte dhe përsëriste:
-Dritëro!
-Hë, Azem?-përgjegjesha unë.
Dhe ai qëndronte para meje, duke më imituar në recitim dhe duke përsëritur vargjet:
Nëna ime , e bukura Hatixhé,
Më e bukura nga gjithë fshatarkat…
Pastaj qeshte dhe tundte kokën:
-E, Dritëro, nëna ime e bukura Hatixhé? Edhe ti boll i bukur ke dalë!…
Kaluan vitet dhe ne u bëmë miq. Sa herë që vinte në Tiranë , kur ishte drejtor i Teatrit të Prishtinës dhe më vonë drejtor i Kosova Filmit, ne takoheshim herë në Hotel Dajti dhe herë në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve, takoheshim edhe me Beharen, të shoqen e tij , një grua e dashur, e këndshme në kuvendime , e pashme dhe atdhetare. Por më vonë , pas lëvizjeve për liri dhe pavarësi në Kosovë, në fillimin e viteve 80-të, dhe pas mbylljes së kufinjve , rrallë takoheshim. Vetëm në vitet 90-të , filluan përsëri të vinin në Tiranë poetët e Kosovës, si zogj shtegtarë, të vinin nga vendet e tjera të Evropës, nga Gjermania, Zvicra apo Austria. Ne këtej po nuk mund të lëviznim për në Kosovë për ato arsye që përmenda . Megjithatë , në vitin 1992, pas Mbrëmjeve Poetike të Strugës, unë dhe gruaja ime Sadija, morëm guximin dhe shkuam në Prishtinë , duke e kaluar kufirin me Maqedoninë së fshehurazi . Në Prishtinë ne fjetëm atë natë gushti në shtëpinë e mikut tonë të dashur, Ali Aliut , që bashkë me të shoqen e tij Merza, grua fisnike dhe e palodhur për mysafirët, na pritën ngrohtë dhe mirë. Të nesërmen dolëm nëpër Prishtinë, e cila nuk e kishte atë gëzimin e njëzet vjetëve të shkuar , por dukej sikur ishte mbuluar nga një hije e rëndë si teneqe, hije e pushtimit të egër sërb. Nën këtë hije si teneqe ne u takuam me Rexhep Qosen, me Ibrahim Rugovën, Adem Demaçin e të tjerë. Mes tyre takuam
edhe Azem Shkrelin. Ai na tha se gruan e kishte të sëmurë rëndë nga veshkat dhe ne vumë re një trishtim në sytë e tij . Por Azemi ishte i çuditshëm! Na ftoi për drekë në shtëpi , edhe se Beharen e kishte të sëmurë.

Në shtëpi ne e gjetëm Beharen duke punuar për tryezën e mysafirëve. Kishte një fytyrë gati gri, fytyrë prej të sëmuri të vërtetë, por sëmundjen mundohej ta vinte poshtë me punën. U përqafuam dhe u ulëm bashkë me Ali Aliun , që ishte me ne. Pastaj erdhi edhe Ibrahim Rugova dhe një tjetër që nuk më kujtohet. U ul edhe Beharja në tryezë dhe ne shijuam gjellët e saj të mira. Azemi, në fillim i heshtur, u gjallërua. Duke pirë ne filluam të flisnim për politikën , dhe vetëm për atë, për gjendjen në Tiranë , për rrugën e demokracisë në Shqipëri, për genocidin sërb në Kosovë, për problemet e Lidhjes Demokratike e me radhë. Azemi, i menduar, donte t’ia ndryshonte drejtimin bisedës:
-E po, si nuk folëm për letërsinë!- tha ai dhe psherëtiu.
-Kur gjëmojnë topat, hesht muza!- përsërita unë një shprehje latine.
Vërtet , Azemin e shqetësonte letërsia : si do ecte ajo në kushtet e reja të ndryshimeve demokratike pas rënies së sistemit të socializmit totalitar, cilat do të ishin raportet mes shkrimtarëve dhe çfarë lidhje do të kishin shkrimtarët e Shqipërive këtej dhe andej Drinit. Këto shqetësime ai i kishte të sinqerta, pasi ishte një shkrimtar i vërtetë, një poet i shquar me një origjinalitet të papërsëritshëm. Ai është njê poet modern i një natyre të veçantë. Në poezinë e ti shkrihet fryma kombëtare me frymën evropiane me një harmoni të natyrshme, duke krijuar një variacion të lakmueshëm në artin poetik. Vargjet e tij janë metrikë dhe ametrikë , të matur e të lirë , po gjithmonë të shoqëruar me muzikalitetin poetik. Në to ndjehet shqetësimi për kohën dhe njeriun, kombin dhe lirinë. Në gjithë poezinë e Azem Shkrelit mbizotërojnë zogjtë dhe guri. Këto janë dy simbole apo metafora të qëndresës dhe ëndrrës , që përbëjnë jetën. Edhe vëllimi i fundit poetik , i botuar pas vdekjes, në qendër ka këto dy metafora. Këtë e tregon edhe titulli”Zogj dhe gurë”. Unë këtë libër e kam lexuar në dorëshkrim para nja dy muajve se të vdiste Azemi .Ai erdhi në shtëpi tek unë , si gjithmonë kur ndodhej në Tiranë , dhe ma dha dorëshkrimin në gjysma letrash .
-Ky është libri im i fundit-tha ai.
-Jo i fundit , por i gjashtëmbëdhjeti !- thashë unë duke qeshur.
-Fjala që vjen !- tha ai i skuqur pakëz.
Unë pastaj e pyeta për Ali Podrimjen se çfarë po bënte, biseduam për Fahredin Gungën dhe e kujtuam me dhimbje për vdekjen e tij të papritur. Folēm
për Din Mehmetin dhe për poezinë e tij , që unë e çmoj shumë, e me radhē.
Pastaj kujtuam ato shtatë-tetë ditë të vitit 1992, kur ai bashkë me Ali Podrimjen banuan në shtëpinë time . Në ato ditë mbrëmjeve polemizonim për partitë e majta dhe të djathta në Shqipëri. Unë mbroja të majtën , ata anonin nga e djathta. Kur polemika ndizej. Azemi ngrihej në këmbë me kokën mënjanë dhe me duart në xhepa, ndërsa Aliu shtrihej në kanape me krahun nën qafë. Heshtnim për një çast dhe pastaj fillonim e lexonim vjetsha. Ata kishin qenë në Vlorē dhe kishin shkruar vargje me motive nga ai qytet dhe nga deti .
-E , Azem? Poezia nuk na zemëron si politika!-thosha unë.
-Po të mos ishte poezia , do të kishim ngrënë njëri-tjetrin , siç ke thënë ti njëherë!- kujtonte Azemi një thënien time të vjetër diku në ndonjë tryezë.
Pas disa ditëve nga çasti që ma la dorëshkrimin “Zogj dhe gurë”, erdhi dhe e mori, doemos të përcjellë me lavdërimet e mia të përzemërta. Kur hyri në shtëpi ai ishte skuqur dhe merrte frymë me zor.
-Janë të larta këto shkallët tuaja!- i tha ai Sadijes.
Dhe këto ishin fjalët e fundit që dëgjova prej tij .
20 Janar 1998
Dritëro Agolli

Në rrugë

Poezi nga Azem Shkreli.

Tash jam diku larg teje, larg vedi
dhe – ku me dijtë kah më tresin
udhëkryqet e shumta t’jetës?

Jam ba përshëndetje e harrueme e kalimtarëve,
jam ba lot e kangë,
jam ba betim i rrugëve dhe rreze e shkrepun
majë gurit.

Tash jam diku larg teje, larg vedi
dhe – ku me dijtë ku sosin
fijet e këputuna t’kësaj kange?

Jam ba pre shitimi i syve zjarr,
jam ba bekim e namë,
jam ba zog e re n’krah t’agsholeve t’bardha?

Tash jam diku larg teje, larg vedi
dhe – ku me dijtë kah m’tresin
udhëkryqet e shumta t’jetës?!

Katër këshilla vetes

Poezi nga Azem Shkreli. Në kujtim të 21-vjetorit të vdekjes së tij.

Mos u bëj poet nëse s’mund të lindësh
me seicilin varg, të lindësh me seicilën fjalë.

ngrehu mbi veten në dot t’rrokësh frerët e erërave,
të shkelësh shpërgajt e mërisë dhe shtrëngatat
e gjakut tënd.

n’se dashurohesh, dashurohu n’flakë e n’valë,
jo ne sy të kaltër, se bëhesh det i çmendur pendimi.

mos u bëj poet nëse s’mund të vdesësh
për secilën varg, të vdesësh për secilën fjalë.

21 vite pa Azem Shkrelin

Sot mbushen plotë 21 vite nga vdekja e poetit të madh Azem Shkreli.

Krahas cilësisë, poezia e Shkrelit shënoi kthesë në rrjedhat e poezisë në Kosovë: e zgjeroi spektrin tematik; e subjektivizoi dhe intimizoi heroin lirik dhe çka është më me peshë, solli një ndjesi të re, të mprehtë ndaj gjuhës, ndaj fjalës. Kështu, ajo i hapi rrugë bindshëm poezisë së viteve pesëdhjetë, të ngarkuar me patosin e euforisë kolektive.

Azem Shkreli lindi më 1938 në Rugovë të Pejës. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa në Prishtinë ai vazhdoi shkollën e mesme për të vazhduar fakultetin Filozofik, degën e gjuhës dhe të letërsisë shqipe. Për shumë vjet ai ka qenë kryetar i shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, drejtor i Teatrit Krahinor në Prishtinë dhe themelues e drejtor i Kosova Filmit. Vdiq në pranverën e vitit 1997.

Ka botuar këto vepra në poezi Bulzat (1960), Engjujt e rrugëve (1963), E di një fialë prej guri (1969), Nga bibla e heshtjes (1975), Pagëzimi i fjalës (1981), Nata e papagajve (1990), Lirikë me shi (1994), Zogj dhe gurë (1997). Në prozë: Karvani i bardhë (1961), Sytë e Evës (1975), Muri përfundi shqipes Shtatë nga at, si dhe dramat: Fosilet (1968), Varri i qyqes (1983) etj. Poezitë e tij janë përkthyer në shumë gjuhë të huaja. Shfaqja e Azem Shkrelit si poet, përpos që përputhej me ardhjen e talentit të fuqishëm, shënonte njëkohësisht kthesën e parë drejt hapjes dhe modernizimit të poezísë shqipe të Pasluftës. Shkreli u ngjít natyrshëm në kulmet e poezisë së sotme shqiptare dhe këtë vend ai e konsolidoi dhe e përforcoi nga njëra vepër poetike në tjetrën, deri në atë të fundit, që e la dorëshkrim “Zogj dhe gurë”, botuar më 1997.

Veprimtaria në poezi dhe në prozë e Azem Shkrelit në fund të viteve pesëdhjetë dhe në fillim të gjashtëdhjetave, shënon kthesë cilësore dhe kthesë në praktikat krijuese letrare. Gjatë viteve pesëdhjetë, si gjimnazist, Azem Shkreli, ka mundur të lexojë nga letërsia e kohës në gjuhën shqipe një poezi tematikisht të kufizuar, me strukturë dhe sajim artistik gjuhësor pa origjinalitetin e duhur. Në prozë gjendja ishte edhe më e varfër. Me përjashtim të ndonjë emri, (Hivzi Sulejmani) ajo pak prozë e autorëve jo fort të talentuar, kryesisht trajtonte tematikën e luftës dhe të fitores përmes rrëfimit klishe bardh e zi dhe të metodës së realizmit socialit. Kështu Azem Shkreli shënoi kthesën e parë më të rëndësishme në poezi, në radhë të parë, duke e çliruar Unin lirik intim nga ai kolektlv, duke selitur në të temën e dashurisë për vendlindjen dhe duke portretizuar njeriun e truallit rugovas, me ngjyrimet e traditës dhe të lashtësisë, dashurinë për vashën, lirikën peizazhiste, etj. Nga ana tjetër thyerjen e parë të madhe në letërsinë shqiptare, kosovare, Shkreli e bëri me romanin “Karvani i bardhë” si edhe me tregimet e përfshira në vëllimin “Sytë e Evës”, që qëndrojnë ndër më të realizuarat në prozën tonë të shkurtër.

Azem Shkreli vdiq në pranverën e vitit 1997./ KultPlus.com