Shqiptarët babë e bijë zgjidhen deputet në Zvicër

Nga zgjedhjet e zhvilluara në Zvicër më datë 7 mars, ishin të shumtë shqiptarët që kandiduan dhe fituan.

Rasti i fundit ka të bëjë me zgjedhjen e dy deputetëve të cilët kandiduan në zgjedhjet e së dielës për Kuvendin e Belmont-Broye, komunë e madhe në Kantonin Fribourg, transmeton KultPlus.

Pas numërimit të votave në mesin e më të votuarve ishin edhe dy kandidat me prejardhje nga Tërrnoci, Ismail Ismaili dhe Valentinë Xheladini.

Ismail Ismaili dhe Valentinë (Ismaili) Xheladini, janë babë e bijë. Ata garuan së bashku dhe tashmë të dy do të jenë përfaqësues në Kuvend dhe do të angazhohen për përfshirjen e bashkëkombasve në politikbërjen e shtetit helvetik si dhe në vendimmarrje.

Ismaili u rizgjodh nga zvicerianët dhe të tjerët me drejt vote edhe për 4 vitet e ardhshme si kandidat i Listës së Partisë Socialiste Zviceriane për këtë regjion. Valentinë (Ismaili) Xheladinini njëkohësisht ishte dhe udhëheqëse e fushatës zgjedhore për PSS në këto zgjedhje.

Valentina për herë të parë garoi në zgjedhje dhe falë shkollimit të saj dhe përkushtimit arriti të zgjidhet deputete në Kuvend dhe të bëhet pjesë aktive në jetën politike të Kantonit Fribourg. / KultPlus.com