Arbër Selmani
Minutat e parë janë të heshtur, dhe trupat nuk lëvizin. Më pas, si bora e dimrit që shpeshtohet pa e vërejtur, duart e tyre shpejt nisin të lëvizin me shpejtësi, e rrisin shpejtësinë, dhe gotat në katër shporta sikur gjejnë sinkronizimin e tyre kur nisin të copëtohen dhe kur në fund duke dhënë shpirt ato e kuptojnë se nuk janë më të denja ti shërbejnë askujt. Njëjtë, as gratë nuk janë gjithmonë ‘të denja’ ta bëjnë pazarin e mëngjesit me shportën plot gota.
Nga heshtja në zhurmë që nuk është dhimbje për veshët, vajzat e kolektivit artistik HAVEIT mbrëmë hapën ekspozitën e tyre ‘Baby Blues’ në hapësirën ekspozuese Te Motrat në kryeqytet. Me këtë performancë, publiku i pranishëm u përball me intensitetin e, pse jo, nënave dhe grave që supozohet të jenë shembullore në lindje fëmijësh, në bërje pazari, në shëtitje karrocash shpesh pa ndihmën e askujt.
Para se ti hyjnë performancës dhe ekspozitës, vajzat kanë hulumtuar më shumë për “baby blues”, apo depresionin pas lindjes tek gratë. Laura Brown tek “Rethinking mental Health and Disorder” tregon se një periudhë e tillë mund të zgjasë deri në dy javë, shoqërohet me irritim dhe me depresion, ndërsa besohet të ndodhë në 50-80 për qind të nënave.
Kuratori Lulzim Zeqiri tregon se për performancën janë përkujdesur vetë vajzat, ndërsa atij i ka interesuar vetëm pikënisja e një vepre të tillë.
“Është interesante se vajzat gjithmonë bashkohen dhe pajtohen me mendimin estetik dhe kërkimor. Por është edhe më interesante fakti se sonte në përformancë erdhi edhe emocioni i burrit, sepse një gjendje e tillë i prekë edhe meshkujt. E kemi dëgju shpesh thënien “çka u bo, si lindi fëmija ky lujti…”, dhe mendoj se Haveit sot ka sjellë një temë tabu e cila nuk është dashtë me qenë tabu” tregon mes tjerash kuratori i ekspozitës, Lulzim Zeqiri.
Por prapë performanca kthehet në qetësi. Dhe kjo ndoshta është edhe gjendja e shoqërisë sonë ose e një gruaje e cila pas lindjes së fëmijës kalon nëpër gjendje të ndryshme emocionale.
“Kjo lojë e ilustron gjendjen në të cilën gjenden njerëzit me Baby Blues. Megjithatë është një performancë që afrohet me vështrimin njerëzor, jo vetëm anën gjinore të problemit. Unë jam i nderuar që bashkëpunoj me HAVEIT, për herë të parë me vajzat si kolektiv dhe më pëlqejnë temat të cilat ato zgjedhin ti trajtojnë” tregon Zeqiri.
Në anën tjetër, e djathta e hyrjes në hapësirën ekspozuese Motrat, ishte pikëtakimi i dy videove realizuar ditë më parë, ku nënat e katër vajzave të Haveit – Alketës, Lolës, Hanës e Vesës, janë ato që bartin shportat e mirëqenies familjare.
“Unë e mbaj në mend qysh e vogël nanën me karrocë duke e furnizu shtëpinë me ushqim, ajo ka qenë furnizuese e familjes. Të njëjtin send nuk e kom pritë prej babës. Në video ato shihen duke e shty një karrocë të zbraztë, edhe pse jeta e tyre nuk ka qenë kaq e zbraztë. Na kemi folë me nanat tona dhe ato na kanë tregu se moment i lumtur për to ka qenë kur e kanë mbushë frizin me ushqim” tregon Hana Qena nga HAVEIT.
“Në njëfarë mënyre, ne me performancën kemi dashtë me bo ikjen që nanat tona nuk kanë pas mundësi dhe as qejf me e bo” vazhdon Hana.
Lola Sylaj tregon se pjesë e hulumtimit dhe inspirimit është edhe filmi “The Hours” inspiruar nga libri me të njëjtin titull i shkrimtarit Michael Cunningham.
HAVEIT i njohim me disa prej performancave e pjesëmarrjeve artistike. Po përmendim puthjen e famshme në Ditën e Shën Valentinit para disa vitesh, para Teatrit Kombëtar, performancën e vitit të kaluar kur ato e ‘rruan patriarkalitetin’, afër shtatores së Skënderbeut në kryeqytet, performancën “Jepi me gojë”, apo një prej punëve të tyre më të reja që u prezantua në Ekspozitën ‘Çmimi Gjon Mili 2017’. / KultPlus.com