Bachelard: Momenti poetik dhe momenti metafizik

Gaston Bachelard (1884-1962), filozof francez i shkencës dhe poezisë, epistemolog i njohur, autor i shkrimeve të shumta që lidhen me njohjen dhe hulumtimin.

Momenti Poetik dhe Momenti Metafizik

Nga Gaston Bachelard

I

Poezia është metafizikë çastësore. Në një kompozim të shkurtër duhet të transmetojë një vizion të botës dhe sekretin e një shpirti. Nuk mund të kufizohet në përmbushjen e kohës së jetës; për ta kapërcyer jetën duhet ta bëjë të palëvizshme, duke e jetuar në të njëjtën kohë dialektikën e gëzimeve dhe dhimbjeve. Vetëm në këtë mënyrë poezia bëhet fillimi i një simultaniteti esencial, në të cilin edhe të qenët më i çarë arrin të fitojë integritetin e saj.

Përderisa të gjitha përvojat e tjera metafizike janë prezantuara nga parathënie të pafundme, poezia i refuzon preambulat, fillimet, metodat, eksperimentet. Refuzon dyshimin. Më e shumta, ka nevojë për një prelud të bërë me anë të heshtjes. Fillimisht, duke ritmuar fjalët kavie, poezia e bën të heshtë prozën dhe mërmërimën e vazhdueshme që e shpërqendrojnë shpirtin. Pastaj, pas tingullsive boshe, poezia e prodhon çastin e saj. Poeti e shkatërron vazhdimësinë e thejshtë të kohës pikërisht për të ndërtuar një çast të tillë kompleks.

Në çdo poezi të vërtetë gjenden elementet e një pauze kohore, të një kohe që do ta quajmë vertikale, për ta dalluar nga koha e rëndomtë që rrjedh horizontalisht si uji i lumit, si era. Nga këtu një paradoks që duhet parashtruar qartë: derisa koha e prozodisë është horizontale, ajo e poezisë është vertikale. Prozodia i organizon vetëm tingullsitë vijuese, i rregullon kadencat, i mbarështon vrullet dhe turbullimet, shpesh në mënyrë të pavend. Duke i pranuar pasojat e çastit poetik, prozodia mund të rilidhet me prozën, me mendimin e shpalosur, me dashuritë e vuajtura, me jetën sociale, ikanake, lineare dhe të vazhdueshme. Por të gjitha rregullat prozodike nuk janë tjetër veçse mjete arkaike. Qëllimi është vertikaliteti, në thellësi ose në lartësi; është momenti kur simultanitetet e ndryshme, duke u sistemuar, demonstrojnë se çasti poetik e ka një perspektivë metafizike.

Çasti poetik është domosdoshmërisht kompleks, ngase mallëngjen, inkurajon, ngushëllon, habit sado që është familjar. Thelbësisht, momenti poetik është një raport harmonik i dy të kundërtave. Në çastin e pasionit të poetit kapet përherë një aspekt racional; në refuzimin e arsyeshëm përherë mbetet diçka nga pasioni. Anitezat vijuese i pëlqejnë poetit. Por për rrëmbimin, ekstazën, lypset që antitezat të shndërrohen në ambivalenca. Atëherë lind çasti poetik… Momenti poetik është vetëdija e një ambivalence. Në të vërtetë është diçka më shumë, meqë është një ambivalencë e nxitur, aktive, dinamike. Momenti poetik e detyron qenien të vlerësojë ose zhvlerësojë. Në të, qenia ngrihet ose fundoset, pa e pranuar kohën e botës që do të çonte sërish ambivalencën te antiteza, simultanen te vijuesja.

Nuk është zor të verifikohet ky raport i antitezës dhe ambivalencës, me kusht që të pranohet të komunikohet me poetin që, me shumë gjasë, i jeton në një çast të vetëm dy termat të antitezave të tij. Termi i dytë nuk kërkohet nga i pari. Të dy termat lindin bashkërisht. Momentet e vërteta poetike të një poezie bashkohen në të gjitha pikat ku zemra njerëzore mund t’i përmbysë antitezat. Në mënyrë më intuitive, ambivalenca e plotë jepet në karakterin e saj kohor: në vend të kohës mashkull dhe trimërore që turret dhe thyen, në vend të kohës së ëmbël dhe të shtruar që brengoset dhe ankohet, kemi çastin androgjin. Misteri poetik është një androgjini.

II

Po a i takon ende kohës ky pluralizëm ndodhish kundërthënëse të ngujuara në një çast të vetëm? A është kohë e gjithë kjo perspektivë vertikale që qëndron mbi momentin poetik? Po, ngase simultanitetet e grumbulluara janë simultanitete të sistemuara? I japin çastit një dimension, një rend të brendshëm. Koha nuk është veçse rend. Pikërisht kohën vertikale e zbulon poeti kur e refuzon kohën horizontale, do të thotë të ardhmen e të tjerëve, të ardhmen e jetës dhe botës. Ja tri rendet e eksperiencave vijuese që duhet të çlirojnë qenien e lidhur për kohës horizontale:

-të mësuarit me atë që të mos i referohet koha vetanake kohës së të tjerëve – të thyhet kuadri social i kohëzhgjatjes;

-të mësuarit me atë që të mos i referohet koha vetanake kohës së gjërave – të thyhen skemat fenomenologjike të kohëzgjatjes;

-të mësuarit – ushtrim i rëndë – me atë që të mos i referohet koha vetanake asaj të jetës – të mos dihet më a rreh zemra, a lulëzon gëzimi – të thyhet kuadri jetësor i kohëzgjatjes.

Vetëm kështu mund të arrihet te një referim autosinkronik; të përmblidhemi në qendrën e vete sonë, pa jetë perfierike më. Papritur i gjithë horizontaliteti i rrafshët zhduket, koha nuk rrjedh më: gufon.

III

Për ta mbajtur, o më mirë, për ta rigjetur një çast poetik stabil, ka poetë, si Mallarme, që e brutalizojnë dhe detyrojnë kohën horizontale, e përmbysin sintaksën, e ndalin a i shmangin pasojat e momentit poetik. Prozoditë e komplikuara janë si papërdhokë në fund të përroit: i shpërbëjnë imazhet e kota, plasaritjet banale, i devijojnë reflektimet. Jo rrallë, kur lexojmë Mallarmen, kemi përshtypjen e një kohe të përsëritshme që vjen t’i përfundojë çastet e përmbysura. I përjetojmë kështu, me vonesë, çastet që do të duhej të kishim përjetuar; përshtypje edhe më e vaçantë përsa është pa keqardhje, pendesë a nostalgji. Ajo përbëhet thjesht nga koha e punuar, që shpeshherë na lejon të dëgjojmë jehonën para zërit, të perceptojmë refuzimin e lejes.

Poetë të tjerë, më të lumtur, e kapin me natyrshmëri çastin e papenguar. Baudelaire, si kinezët, është i zoti të lexojë orën në syrin e maceve, orën e pandjeshme ku pasioni është kaq komplet sa refuzon të realizohet:

Në fund të syve të tij të adhurueshëm shoh përherë orën e qartë, gjithmonë e njëjta, një orë e gjerë dhe solemne, e paanë si hapësira, e pandarë as në minuta, as në sekonda – një orë e ndalur në fushë, e pa shënjuar…

Për poetët që e kapin me kaq lehtësi çastin, poezia në vend se të shtriqet, lidhet nyje, gërshetohet. Drama e tyre nuk realizohet, e keqja e tyre është një lule e qetë…

Në ekuilibër në mesnatë, pa pritur gjë nga frymëmarrja e orëve, poeti çlirohet nga jeta e kotë; e ndien ambivalencën e të qenit dhe të mos qenit. Në errësirë ia del ta shquajë më mirë dritën e saj. Vetmia ia ofron mendimin vetmitar, pa rravgime, që ngrihet, qetohet në ekzaltim të pastër.

Koha vertikale është një ngjitje. Nganjëherë edhe një rënie. Mesnata, për atë që e ka lexuar Korbin, nuk bie kurrë në kuptimin horizontal. Jehon në shpirt si një zbritje e pandërprerë… Të rralla janë netët kur kam guximin të shkoj deri në fund, deri tek e rëna e dymbëdhjetë, plaga e dymbëdhjetë, kujtimi i dymbëdhjetë… Atëherë kthehem te koha e rrafshët: ankorohem, rilidhem, kthehem në botën e të gjallëve. Të jetosh do të thotë gjithmonë të rradhtosh fantazmat…

Në kohën vertikale vihen në skenë mundimet më të këqija, mundimet pa shkak kohor, mundimet e mprehta që e therin zemrën pa u topitur dot. Te koha vertikale – në përpjetë – konsolidohet ngushëllimi pa shpresë, ky lehtësim bizar autokton pa mbrojtje. Shkurt, e gjithë ajo që na largon nga shkaku dhe nga kompensimi, ajo që e mohon historinë intime dhe vetë dëshirën, e gjithë ajo që privon nga vlera të kaluarën dhe të ardhmen është e pranishme te momenti poetik.

Për ta thelluar studimin e kohës poetike vertikale, le ta shqyrtojmë çastin e brengës buzëqeshëse, kur nata përgjumet dhe e qeton errësirën, kur orët mezi marrin frymë dhe vetmia tashmë është në vetvete një brejtje ndërgjegjeje. Polet ambivalente të brengës buzëqeshëse pothuajse preken. Lëkundja më e vogël bën që ta zëvendësojnë njëra-tjetrën. Brenga buzëqeshëse është pra njëra prej ambivalencave më të ndjeshme të zemrës, që zhvillohet, qartë, në një kohë vertikale, duke qenë se asnjëri prej dy momenteve, ai i buzëqeshjes dhe ai i brengës, nuk mund ta mbajë veten më të mëparshëm se tjetri. Këtu ndjenja është e kthyeshme, ose, thënë më mirë, kthyeshmëria e qenies është ndjenjë: buzëqeshja është e dhimbshme, dhimbja buzëqesh, dhe ngushëllon. Asnjëra prej dy kohëve të shprehura pastaj nuk është shkak i tjetrës dhe kjo tregon sa jnë në të vërtetë të shprehura keq në një kohë të mëpastjame, në kohën horizontale. Në mes të dy momenteve ekziston një e ardhme, që mund të eksperimentohet vetëm vertikalisht, në përpjetë, duke risjellë përshtypjen se dhimbja po zbutet, se shpirti po ngrihet lart, se fantazma po humbet. Atëherë zezaona lulëzon. Një metafizik i ndjeshëm do të gjejë kështu te brenga buzëqëshëse bukurinë formale të zezonës. Në funksion të shkakshmërisë formale do ta kuptojë vlerën e çmaterializimit në të clin duhet të dallohet momenti poetik. Kjo konfirmon se shkakshmëria formale lidhet me çastin, në kuptimin e një kohe vertikale, ndërsa shkakshmëria efikase shpaloset në jetë dhe në gjëra, horizontalisht, duke mbledhur çaste të instensitetit të ndryshueshëm.

Në perspektivën e çastit mund të eksperimentohen ambivalencat e rrezeje më të gjatë: «Sa isha ende fëmijë ndieja në zemrën time dy ndjenja kundërthënëse: tmerrin e jetës dhe ekstazën e jetës». Çastet në të cilat kët ndjenja provohen në të njëjtën kohë e bëjnë të palëvizhme kohën, ngase eksperimentohen që të dyja të lidhura me interesin dhe magjinë e jetës. E bartin qenien matanë kohëzgjatjes së rëndomtë. Një ambivalencë e tillë nuk mund të përshkruhet në kohë pasuese, si një bilanc vullgar i gëzimeve dhe mundimeve kalimtare. Të kundërta kaq të gjalla dhe fundamentale u përkasin një metafizike imediate. E eksperimentojmë lëkundjen e saj në një çast të vetëm, me atë të ekstazave dhe rënieve që madje edhe mund t’iu kundërvihen zhvillimeve: neveria e jetës na kap për fyti me të njëjtin fatalitet me të cilin krenaria nxjerr kokën në zezonë. Temperamentet ciklile që zhvillohen në kohëzgjatjen e zakonshme, duke ndjekur hënën, në gjendje kundërthënëse, nuk paraqesin tjetër pos ca parodi të ambivalencës fundamentale. Vetëm një psikologji e thelluar e çastit do të mund të na i japë skemat e domosdoshme për ta kuptuar dramën poetike esenciale.

IV

Njëri prej poetëve që më fuqishëm ka ditur të kapë çastet vendimtare të qenies është poeti i korrespondencave. Korrespondenca baudelairiane nuk është, siç pohojnë shumëkush, një transpozim i thjeshtë që krijon një kod analogjish seksuale. Është shuma e qenies së ndjeshme në një çast të vetëm. Simultanitetet e ndjeshme që mbajnë tok parfumet, ngjyrat dhe tingujt, nuk bëjnë tjetër veçse tërheqin simultanitetet më të largëta dhe më të thella. Në këto dy njësi të natës dhe të dritës gjendet përjetësia e dyfishtë e të mirës dhe të së keqes. Ajo që është e «gjerë» te nata dhe te kthejlltësia sidoqoftë nuk duhet të na sugjerojë ndonjë vizion hapësinor. Nata dhe drita nuk evokohen për shtrirjen e tyre, infinitin e tyre, por për unitetin e tyre. Nata nuk është hapësirë. Është kërcënim i përjetësisë. Nata dhe drita janë çaste të palëvizshme, çaste të zeza ose të qarta, të lume ose të trishta, të zeza dhe të qarta, të lume dhe të trishta. Çasti poetik kurrë s’ka qenë kaq komplet si në këtë varg në të cilin mund t’i asociohet një kohe pafundësia e ditës dhe natës. Ambivalenca e ndjenjave, manikeizmi i parimeve kurrë nuk janë eksperimentuar me kaq intensitet.

Duke medituar në këtë rrugë arrihet te një përfundim: çdo moral është çastësor. Imperativi kategorik i moralit nuk di ç’të bëjë me kohëzgjatjen. Nuk përmban asnjë shkak të ndjeshëm, nuk pritet kurrfarë pasoje. Shkon drejt përpara vetes, në drejtim vertikal, në kohën e formave dhe personave. Atëherë poeti është udhërrëfyesi natyror i metafizikut që dëshiron të kuptojë të gjitha fuqitë e nyjave çastësore, vrullin e flijimit, pa e lënë veten të përçahet nga dualiteti filozofik i subjektit dhe objektit, pa e lënë veten të ndalet nga dualizmi i egoizmit dhe detyrës. Poeti e gjallëron njëfarë dialetike të hollë. Ia zbulon një kohe, në të njëjtin çast, solidaritetin e formës dhe personit. Ai tregon se forma është person dhe personi formë. Kështu poezia bëhet çast i shkakut formal, i fuqisë personale. Poezia humb interesin për atë që çan dhe tret, për njëkohëzgjatje që i shkapërderdh jehonat. Nuk i duhet asgjë më shumë se momenti, prandaj e krijon atë. Përtej momentit poetik nuk ka tjetër veçse prozë dhe këngë. Poezia gjen dinamizmin e saj të veçantë në kohën vertikale të një çasti të bërë të palëvizshëm. Ekziston një dinamizëm i poezisë së pastër. Dhe është ai që zhvillohet vertikalisht në kohën e formave dhe të personave.

/Marrë nga Gaston Bachelard, “Il diritto di sognare”, Edizioni Dedalo, 1975/Përkthimi: Gazeta Express/ KultPlus.com