Nga 1 tetori arsimi i lartë në Kosovë do të jetë pa pagesë

Kryeministri Albin Kurti, ka njoftuar që nga 1 tetori i këtij viti, do të hiqen pagesat për të gjithë ata që dëshirojnë të studiojnë në nivelin Bachelor dhe Master, në universitetet publike në Kosovë. Kurti theksoi se ky vendim vlen për studentët e vitit akademik 2021/2022.

Kryeministri tha se lehtësime do të ketë edhe për studentët e Doktoratës.

“Nga një tetori i këtij viti duke filluar nga viti akademik 2021/2022, arsimi i lartë në Kosovë do të jetë pa pagesë për të gjithë ata që dëshirojnë të studiojnë për nivelin Bachelor dhe Master ndërsa ata të Doktoratës do të kenë lehtësime”, ka thënë Kurti.

Ndër të tjera, kryeministri Kurti tha se nga ky vendim do të përfitojnë edhe studentët e vendeve të rajonit.

“Besojmë që në këtë formë nxisim interesimin për studime të larta duke përmirësuar nivelin e përgjithshëm arsimor të popullsisë sonë dhe duke kontribuar në zhvillimin e kapitalit njerëzor që është parakusht për zhvillim ekonomik e progres shoqëror.

Nga ky vendim do të përfitojnë të gjitha kategoritë e shoqërisë. Do të përfitojnë edhe studentët e vendeve të tjera e sidomos të atyre të rajonit që do të trajtohen si të gjithë studentët e tjerë”, ka thënë Kurti. / KultPlus.com

UP-ja hap konkurs për pranimin e studentëve në nivelin bachelor

Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”, ka hapur sot konkursin për pranimin e studentëve të rinj në nivelin bachelor për vitin akademik 2021-22.

Në këtë vit të studimeve, UP-ja do të pranojë 6 mijë e 247 studentë të rregullt.

Afati aplikim online do të zgjas deri më 24 gusht, teksa afati për dorëzimin e dokumentacionit fizik do të bëhet nga data 25.08.2021 deri më datë 28.08.2021.

Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” e shpall të hapur konkursin për pranimin e studentëve të rinj në vitin e parë të studimeve themelore për vitin akademik 2021-22.

UP-ja në vitin e parë të studimeve themelore, në afatin e parë të konkursit për këtë vit akademik, do të regjistrojë 6247 studentë të rregullt.

Aplikimi online nis nga sot, më datë 06.08.2021 dhe zgjat deri më datë 24.08.2021 në ora 16.00. Ndërkaq, dorëzimi i dokumentacionit fizik, vetëm për kandidatët të cilët kanë aplikuar online, do të bëhet prej datës 25.08.2021 deri më datë 28.08.2021.

Konkursi është publikuar në uebfaqen zyrtare dhe në platformat e tjera të UP-së. / KultPlus.com