Galeria 17, më 5 korrik do të prezantojë ekspozitën “Back to the Gorges of Balkan”, ekspozitë që është kuruar nga Thibaut de Ruyter dhe me pjesëmarrje të artistëve Dren Maliqi, Driton Hajredini, Jakup Ferri dhe Merita Harxhi Koci, shkruan KultPlus.
Kjo ekspozitë vjen në kuadër të temës Arkivimi i Tranzicionit, një prej katër temave që Galeria 17 trajton në kuadër të programit të vet.
Kuratori dhe kritiku i artit Thibaut de Ruyter është ftuar që të reflektojë mbi këtë temë dhe ai ka përzgjedh që ta vë në një kontekst një prej ekspozitave më të mëdha të artistëve të Ballkanit.
Në vitin 2003, kuratori i famshëm gjerman René Block organizoi një ekspozitë të madhe me jo më pak se 90 artistë nga ish-Jugosllavia, Shqipëria, Turqia, Greqia, Bullgaria dhe Rumania. Titulli i ekspozitës “In den Schluchten des Balkan [In the Gorges of Balkan] –” u mor nga një roman i shkruar nga Karl May në vitin 1892 dhe theksoi me ironi faktin se Evropa Perëndimore më në fund po shikonte një territor dhe skenë arti mjaft të panjohur. Pikërisht njëzet vjet më vonë ne rindërtojmë, në Galerinë 17, pjesëmarrjen e katër nga shtatë artistëve nga Kosova dhe prezantojmë veprat artistike që ishin ekspozuar në Gjermani për vizitorët në Prishtinë. Do të jetë një shans unik për të zbuluar video ose instalacione të hershme nga artistë të njohur kosovarë, për të eksploruar arkivin e një ekspozite të rëndësishme, por gjithashtu, për të parë se çfarë ka ndryshuar (ose jo) në skenën e artit vendas gjatë dy dekadave të fundit.
Ekspozita do të hapet në ora 19:00./ KultPlus.com