‘Mos ndiqni gjurmët e dashurisë së dëshmorëve, ato janë flutura që s’kapen dot’

Poezi nga Bahri Fazliu

Të gjallëve

Nëse dëshironi të dini për jetën e dëshmorëve,
mos kërkoni nëpër libra,
aty s’është jeta e tyre, është jehona e saj.

Nëse dëshironi të dini si jetuan dëshmorët,
mos shkoni në shtëpitë e tyre,
shikoni robrinë tuaj.

Nëse dëshironi të dini me sa zjarr dashuruan dëshmorët,
mos ndiqni gjurmët e dashurisë së tyre,
ato janë flutura që s’kapen dot.

Nëse dëshironi të dini këngën e dëshmorëve,
mos thërrisni këngëtarin,
do të pendoheni nga tingujt e zbrazët.

Nëse dëshironi të dini amanetin e dëshmorëve,
mos pyesni kë kishin afër në çastin e fundit,
secili prej nesh ka qenë prezent.

Nëse dëshironi t’i nderoni dëshmorët,
mos shkoni te varret e tyre për të vendosur lule,
lulet do t’u vyshken në dorë.

Nëse…
Çdo gjë që u intereson të dini për dëshmorët,
ecni në rrugën e tyre,
aty do të gjeni gjeninë e tyre. / KultPlus.com

24 vjet nga rënia e Bahri Fazliut

Më 7 maj të vitit 1998 në vendin e quajtur Bogiqe të Malit të Zi ra heroikisht Bahri Fazliu.

Bahri Fazliu ishte anëtar i LKÇK-së dhe pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Për disa vjet jetoi në ilegalitet dhe ishte kryeredaktor i revistës “Çlirimi” e cila botohej nga LKÇK-ja.

Bahri Fazliu ishte vëlla i heroit Fahri Fazliut, i cili më 2 nëntor të vitit 1989 bashkë me Afrim Zhitinë ranë heroikisht në një betejë me policinë serbe në lagjen “Bregu i Diellit” në Prishtinë.

Për nder të 24 vjetorit të rënies së heroit të kombit, Bahri Fazliu bëhen homazhe pranë varrit të tij te varrezat e dëshmorëve në lagjen Velania në Prishtinë në ora 12:00. /kp/ KultPlus.com