Në Ulqin u përuruan dy veprat e njohura të studiuesit Ismail Doda “Balada Popullore të shqiptarëve në Malin e Zi”, të cilat vlerësohen si krijimet popullore më interesante në folklorin shqiptar.
Studiuesi Agron Xhagolli, vuri në dukje, rëndësinë e regjistrimit të baladave ndër shqiptarët në Malin e Zi që, sipas tij, paraqesin një punë studimore në nivel përgjithësues.
“Dr.Doda si njohës i mirë i të folurës së shqiptarëve që jetojnë në Malin e Zi ka ditur që me kujdes dhe vëmendje të regjistrojë si një mbledhës serioz lëndën folklorike duke respektuar parimin fonetik. Vlerat e këtij botimi nuk kanë të bëjnë vetëm me cilësinë dhe vlerat e baladave të përfshira. Lënda e renditur është e përfshirë në dy ndarje të mëdha: balada legjendare dhe balada realiste dhe me grupime të shumët brenda tyre “, tha zoti Xhagolli.
Analisti dhe kritiku i artit, Qazim Muja këto balada i quan vepra të artit, jo vetëm për shqiptarët në rajon, por për tërë njerëzimin me një funksion të veçantë letrarë dhe artistik, të cilat, siç tha ai, duhet të ruhen dhe të mbrohen në mënyrë të veçantë.
“Poezia popullore, qoftë ajo epike apo lirike meriton vëmendje të veçantë për shkak të karakterit të veçantë. Ajo historikisht është më e rrezikuar karshi ndryshimeve dhe zhdukjeve. Në fakt ajo nuk shfaqet gjithmonë dhe gjithkund, nuk gjendet tek të gjitha kombet, por vetëm tek disa popuj siç është rasti i tej theksuar në letërsinë popullit tonë dhe për ruajtjen e mirëmbajtjen e saj kërkohen kushte të veçanta socio historike”, tha zot Muja.
Në këtë kuadër zoti Xhagolli, vuri në dukje, rëndësinë e këtyre veprave, të cilat do të jenë një ndihmesë dokumentuese për folkloristikën shqiptare.
“Vëllimi i baladave është një ndihmesë dokumentuese për folkloristikën shqiptare në përgjithësi. Bibliotekat tona me botimin e këtij vëllimi do të pasurohen me një vlerë të cilësuar me shumë interes,” tha studiuesi Xhagolli.
Studiuesi dhe mbledhësi i folklorit Ismail Doda përkujtoj punën e gjatë dhe të mundimshme si në shkollimin ashtu edhe në mbledhjen e lëndës folklorike (INC)
“I takoj asaj gjenerate të dënuar që nuk guxonim të mësonim në gjuhën shqipe dhe kur janë pjekur kushtet unë u ktheva në vendin tim si bleta dhe duke studiuar në Prishtinë”, tha autori Doada
Studiuesit vlerësojnë se këto botime janë vepra unike që hyjnë në fondin e veçantë të folklorit të popullit shqiptar, shprehur në të folmen e gegërishtes dhe si të tilla fitojnë përjetësinë në antropologjinë kulturore shqiptare. A.K./TemA/KultPlus.com