Bashkim Shehu është fitues i çmimit të madh Balkanica i konsideruar si “Nobeli i Ballkanit”. Në ceremoninë e mbajtur dje në Shkup shkrimtari shqiptar është shpallur si më i miri, në një garë ku merrnin pjesë emra të rëndësishëm të letrave ballkanike.
Shehu fitoi çmimin e madh me romanin romanin “Loja, shembja e qiellit”, botimet Toena. Për këtë roman Shehu është shpallur fitues i çmimit “At Zef Pllumi” – 2013. Po këtë vit juria e Panairit të Librit Fier e nderoi me çmimin “Autor i Vitit” – 2013. Është hera e dytë që shkrimtari Bashkim Shehu, përzgjidhet për të konkurruar në këtë garë letrare ndërballkanike.
Në vitin 2007 ai u paraqit me romanin “Angelus novus” dhe arriti të ishte një nga tre të nominuarit e këtij çmimi. Romani “Loja, shembja e qiellit” është botuar në shqip nga Shtëpia Botuese TOENA, në vitin 2013. Për këtë roman dhe vlerat e tij letrare janë shkruar me dhjetëra artikuj vlerësues në median e shkruar. Në garë për çmimin Balkanica ishte dhe poetja Luljeta Lleshanaku. Për Çmimin “Balkanika 2015”, shkrimtari Bashkim Shehu ishte në garë me 6 autorë nga 6 vende të Ballkanit: Vladimir Yankovski “Invisible love” (FYROM) Christo Karastoyanov “The same night” (Bullgaria) Ana Ristovic “Directions for use” (Serbia) Seray Şahiner “The hairstyle of the bride” (Turqia) Dimosthenis Papamarkos “Gjak” (Greqia) Simona Sora “Hotel Universal” (Rumania) . Romani i Shehut flet për dramën psikologjike e një të riu në një raport problematik me autoritetin atëror, me autoritetin pushtetor dhe me autoritetin e Zotit. Rini e ndërprerë, dëshira dhe dashuri të gjymtuara: i përndjekur nën diktaturë me internim dhe me burg, i çorientuar në post – diktaturë, i rrethuar “nga një valle marramendëse fantazmash që e ka ndjekur gjithë jetën”, siç thuhet në roman, kërkon rrugëdalje nëpërmjet fesë dhe nuk arrin të besojë. Është miqësuar ndërkaq me një prift françeskan, bashkëvuajtës i tij, tek i cili gjen mbështetje shpirtërore. Dhe dikur, mbas burgut, vendos të shpaguhet për mikun: një shpagim pa dhunë, e megjithatë i tmerrshëm, i pamëshirshëm. A mund t’i shkojë gjer në fund asaj që ka vendosur? Në fabulën e romanit ndërthuren skena të dy epokave, duke përfshirë edhe ngjarje reale të futjes së armëve në Kuvendin Françeskan të Shkodrës nga Sigurimi i Shtetit.
Çmimi Letrar Balkanika jepet nga Fondacioni Balkanika me qendër ekzekutive në Sofje të Bullgarisë. Anëtarë të këtij Fondacioni janë shtëpitë botuese: Biblioteka 48 (Bullgari), Toena (Shqipëri), Magor (FYROM), Kedros (Greqi), Laguna (Serbi), Can (Turqi), Muzeul National al Literaturii Romane (Rumani). Fituesit e edicionit të 17-të dhe të
18-të të këtij Çmimi shpallen të dielën, në 3 dhjetor 2017, nga Juria Ndërballkanike e këtij kompeticioni, në Qendrën Kulturore për të Rinj – Shkup. Më parë këtë Çmim e kanë marrë shkrimtarët shqiptarë Fatos Kongoli (2002) dhe Ismail Kadare (2009)./ KultPlus.com