Balerini shqiptar që shtypte rrush për bukën e gojës

Një nga balerinët më të njohur shqiptar në Itali është edhe Ilir Shaqiri, djali që bëri diferencën. Ai ka shumë dëshirë të flasë për jetën e tij, edhe pse e prek shumë kjo çështje. Ai tregon se ishte vetëm pesë vjeç dhe magjepsej tek e shihte nënën e tij ndërkohë që siç e quan ai “fluturonte” në skenë në majë të gishtave.

Ilir Shaqiri ishte gjithmonë pranë nënës së tij dhe shkonte në të gjitha provat që ajo bënte. Çdo ditë merrte pjesë në një skenar të gjallë të një fabule dhe nisi në këtë mënyrë të provonte dëshirën për t’u bërë ai vetë protagonisti.

Në një intervistë për një gazetë italiane, ai rrëfen një nga momentet që është ngulitur në memorien e tij. Ishte vetëm tetë vjeç dhe gjendej në Teatrin e Operës dhe Baletit për të asistuar në provat e një spektakli të nënës së tij.

Ishin momente shumë të bukura për të, muzika, dritat dhe arti që gjendej në ajër në ato momente. Duhej një djalë i vogël që të hynte në skenë për t’u puthur nga balerina e parë, do me thënë nëna e tij dhe kështu që zgjodhën atë. Kjo për Ilir Shaqirin ishte një eksperiencë shumë emocionuese.

Është shprehur midis të tjerash në shumë intervista, se mban mend muzikë të ëmbël dhe drita shumëngjyrëshe që e kanë shoqëruar në çdo hap fëmijërinë e tij, duke i ngjizur kështu pasionin dhe dëshirën për kërcimin.

Iu dha rasti për të realizuar ëndrrën e tij vetëm pak muaj pas ditëlindjes së tij të dhjetë. Në korrik të vitit 1983 vendosi të bënte provimin pranues në Akademinë Kombëtare të Dancit në Tiranë.

Ai thotë se do ta kujtojë atë ditë si një nga më emocionueset e jetës së tij. U fut në këtë mënyrë, në një nga fazat më të bukura dhe njëkohësisht më të vështira të jetës së tij, për plot tetë vjet duke studiuar pa pushim kërcim klasik, folklorik etj.

Ai arriti të kërcente në të njëjtën skenë që kishte parë të kërcenin edhe prindërit e tij, në Teatrin e Operës dhe Baletit. Nis kështu rruga e një balerini profesionist me turne në mbarë Evropën.

Por në vitin 1992, gjatë një turneu në Itali, ai vendosi të mos kthehej më. Nisi të punonte menjëherë në televizionet italiane si balerin, gjë që stimuloi pasionin e tij për dancin modern. Në moshën 20-vjeçare vendosi të hapte një shkollë në Sicili, në mënyrë që të transmetonte te të tjerët emocionet dhe pasionin që e lidhin me këtë art.

Braktisi kështu për disa vjet televizionin dhe u rikthye fuqishëm në vitin 1999, si pjesë e stafit të balerinëve në emisione të famshme italiane si: “Bouna domenica”, “Saranno famosi” dhe “C’e’ posta per te”, ku vazhdon të triumfojë edhe sot.

Megjithatë, Shaqiri nuk e ka pasur të shtruar me flori rrugën e karrierës së tij, përkundrazi, vështirësitë për të kanë qenë më të mëdha, duke pasur parasysh faktin se ndodhej në një vend të huaj. I ftuar në “Xing me Ermalin” ai ka treguar mbi sfidat e para në Itali, mbijetesën e vështirë, punët që bënte, madje thotë se është detyruar të duronte dhe talljet e italianëve.

“Nisja e karrierës dhe stabilitetit të jetës në Itali ka qenë shumë e vështirë. Ka pasur raste kur vinte fundi i muajit dhe nuk kishte një kokërr vezë në shtëpi për të ngrënë”,- thotë ai.

Balerini tregoi ndër të tjera se për disa kohë ka fjetur edhe në zyrat e një fabrike çimentoje. “Një ditë madje një fshatar aty më thotë: do të punosh e të mbijetosh? Ajo atje është kodra, këto janë kovat. Merri, mbushi me rrush dhe zbriti këtu sërish”,- kujton balerini.

Duke vijuar rrëfimin ai shton se pasi i zbriste këto kova, për një muaj rresht edhe duheshin shtypur.

“Meqenëse isha balerin, me këmbë të forta e me muskuj nga stërvitja, ata më thanë: ‘Po mirë, hip këtu dhe jepi, shtyp rrush sepse na duhet që të dal mushti tani. Kishin edhe muzikën italiane në sfond dhe ndërkohë që ata hanin panine dhe unë i uritur shtypja kovat me rrush’, ata më thonin:

‘Balla balla balerino… kërce, kërce, balerin! Ishte e frikshme për një person që kishte studiuar balet klasik e që kishte investuar vite të tëra në balet, të trajtohej ashtu. Më pas, gjërat ndryshuan”,- rrëfeu Shaqiri i prekur.

Gjërat ndryshuan për të në mënyrë radikale dhe filloi që të fitonte prestigjin që ka edhe sot e kësaj dite. Por Ilir Shaqiri, edhe pse ka vite që është përfshirë në ëndrrën italiane, mban gjithmonë me vete si hajmali një pjesë të Shqipërisë.

Është një copë gur nga kisha e Shën Ndoit, që prindërit ia kanë dhuruar për fat. Një fat i përcaktuar që në fëmijëri, i shoqëruar gjithnjë nga pasioni për kërcimin, duke marrë në konsideratë edhe faktin që të dy prindërit e tij ishin dy balerinë shumë të famshëm në Tiranë./KultPlus.com

Balerini i famshëm Angelin Preljocaj, nga Franca vjen në Prishtinë

Ambasada e Francës në Kosovë, në bashkëpunim me Teatrin Kombëtar dhe Baletin Kombëtar të Kosovës, do të organizojë një mbrëmje të jashtëzakonshme të shfaqjes së baletit nga balerini Angelin Preljocaj në Teatrin Kombëtar në Prishtinë.

Të dy pjesët “Un Trait d’Union & Création 2017” do të shfaqen të shtunën më 7 tetor në orën 20:00, shkruan KultPlus.

Angelin Preljocaj, koreograf francez me prejardhje shqiptare, është sot një nga artistët më të shquar të vallëzimit bashkëkohor ndërkombëtar. Baleti i tij do të performojë në Prishtinë si pjesë e një turneu ekskluziv në Shqipëri dhe në Kosovë për prezantimin e premierës botërore të shfaqjes së tij të re “Création 2017”, e prezantuar në Francë me 21 shtator 2017.

Angelin Prejlocaj ka lindur në Francë në vitin 1957, nga prindër shqiptarë. Ai filloi studimet në vallëzim klasik para se të vazhdoj me vallëzimin bashkëkohor. Themeloi kompaninë e tij në dhjetor 1984. Që nga ajo kohë ka bërë koreografinë e 50 shfaqjeve, nga solo deri në format e mëdha.

Krijimet e tij janë rimarr në repertorin e shumë kompanive, nga të cilat gjithashtu merr porosi, si për shembull nga La Scala e Milanit, nga Baleti i New York City dhe nga Baleti i Operës Kombëtare në Paris. Sot Baleti Prejlocaj përbëhet nga 24 valltarë dhe lokalizohet në Pavillon Noir në Aix-en-Provence prej tetorit 2006, një vend i dedikuar tërësisht për vallëzim, me Angelin Prejlocaj për drejtor artistik.

“Me mbështetjen e Teatroskopit në kuadër të FranceDanse Orient-Express. Teatroskopi është program i iniciuar nga Instituti Francez, ministria e Kulturës dhe ministria e Evropës dhe e Punëve të Jashtme”

Një konferencë për medie do të mbahet të premten më 6 tetor në orën 13:00 në Teatrin Kombëtar në Prishtinë./ KultPlus.com