Trupa e Baletit Etoile, ardhur nga Ukraina, i ka sjellë publikut durrsak e jo vetëm, traditën, kulturën dhe shpirtin e vërtetë ukrainas.
Të pranishëm në teatrin “Aleksander Moisiu”, përveç artdashësve, kanë qenë edhe kryetarja e bashkisë Durrës, Emiriana Sako, ambasadori i Ukrainës, Volodymyr Shkurov, ambasadori i Japonisë, Takada Mitsuyuki, si dhe mjaft personalitete të tjera.
Teatri “Aleksandër Moisiu” hapi dyert dhe mikpriti për 3 javë këtë trupë, duke mbështetur në çdo aspekt të gjithë këtë sipërmarrje me përmasa të mëdha.
Publiku për dy orë rresht ndoqi me vëmendje këtë shfaqje të vecantë.
“Yjet e Trupës së Baletit Klasik të Ukrainës vendosën që përpos çdo lloj traume e tragjedie që po kalon qyteti i tyre i origjinës, Kharkhivi, të gjejnë forcën e të krijojnë duke inspiruar e shpërndarë artin”, shkroi në rrjetet sociale ministrja Milva Ekonomi.
Trupa ukrainase interpretoi baletin “Princesha e akullit” me koreografi të Andrea Heise, e cila është një histori romantike me muzikën e Mozart, Vivaldi, Halvorsen dhe Leontovich. / atsh / KultPlus.com








