Trupa e Baletit të Kosovës sjellë sonte premierën e shfaqjes O.TAKA

Alberina Haxhijaj

Sonte duke filluar nga ora 20:00 në Teatrin Kombëtarë do të jetë premiera e shfaqjes O.TAKA me koreografi nga Sinan Kajtazi. Shfaqja sjellë historinë e një valltari i cili përmes vallëzimit mundohet të gjejë shpëtim, shkruan KultPlus.

Osman Taka, një personazh i cili ka qenë një funksionar në fund të Perandorisë Osmane për shkak të aktivitetit të tij politik dhe pasi i takon në familje patriotike shqiptare shumë të njohur të kohës, dënohet me varje. Osman Taka, i njohur në rrethin ku ka jetuar si një valltar i jashtëzakonshme, dëshirë të fundit e ka që ti lejohet që të vallëzojë.

“Do të përpiqem që si temë ta shndërroj në diçka aktuale pasi fatkeqësisht edhe sot ne si balerinë jemi të dënuar në forma të ndryshme, duke përmendur këtu se jemi të detyruar që të punojmë në kushte të vështira me shumë sfida. Ajo çka ne bëjmë shpeshherë edhe na ka shpëtuar. Në shfaqje jam duke punuar akoma sidomos në pjesën e fundit. Mendoj se Osman Taka nuk ka gjetur shpëtim pasi pas një periudhe që është falur ai prapë është vrarë në pritë. Ngjarjen e Osmanit e kam si bosht për realizimin e kësaj shfaqjeje”, pati treguar Kajtazi për KultPlus. Ai përveç krijimit të koreografisë ka punuar edhe muzikën e shfaqjes.

Koreografi dhe balerini Sinan Kajtazi është rritur në skenën e Teatrit Kombëtar. Dërrasat e kësaj skene kanë pritur qindra kërcime të tij dhe qindra duartrokitje që kanë ardhur nga publiku. Mbi supet e tij qëndrojnë më shumë se 50 shfaqje si balerinë.

Pjesë e kësaj shfaqje do të jenë balerinët: Abetare Hyseni, Aulona Nuhiu, Besarta Shaljani, Donmir Bilalli, Drilon Podrimçaku, Elmedina Berisha, Fatmir Smani, Fisnik Smani, Ilir Krasniqi, Jeta Musolli, Liridon Mziu, Luljeta Ademi, Marigona Hoxha, Mergime Morina, Mimoza Bytyqi, Muhamet Bikliqi, Niki Musolli, Nora Gashi, Sead Vuniqi, Teuta Krasniqi, Vjollca Llugiqi, Vlora Prizreni. Kostumet janë realizuar nga Vesa Kraja ndërsa skenografia nga Aziz Maloku./ KultPlus.com

“Le Corsaire” erdhi me karizmën e Trupës së Baletit të Kosovës

Alberina Haxhijaj

Trupa e Baletit të Kosovës, mbrëmë ka dhënë premierën e tretë për këtë vit, “Le Corsaire” koreografin e të cilës e ka realizuar Israel Rodriguez, shkruan KultPlus.

Ka një muaj që Trupa e Baletit të Kosovës ka punuar për të sjellë në Prishtinë një ndër shfaqjet më të njohura të baletit klasik. Një balet i cili u veçua mbrëmë për shkak të pjesëve në duet dhe solo që kishte. Kjo shfaqje po ashtu solli në skenë edhe një numër më të madh të balerinëve në skenë, të cilët përmes shfaqjes së ndarë në tri akte sollën në skenë piratët, dashurinë, tradhtinë, intrigat dhe lumturinë brenda një kornizë të vetme. Një shfaqje për të cilën shpesh herë është thënë se balerinët duhet ta ketë të shënuar që e kanë luajtur gjatë karrierës së tyre.

Historia e baletit “Le Corsaire” edhe pse është luajtur nëpër shumë teatro ka ndërruar gjatë kohës disa elemente brenda vetës. Disa ndryshime i ka bërë kësaj shfaqje edhe koreografi Israel Rodriguez. Ai përmes tri akteve solli historinë e piratit Conrad (Sinan Kajtazi), i cili bie në dashuri me Medoren (Teuta Krasniqi), një vajzë e cila qëndron brenda haremit të Lakendemit ( Sead Vuniqit). Ky i fundit dëshiron që të ia shes dy nga vajzat e haremit Pashait (Liridon Mziu), Medoren dhe Gulnarën (Jeta Musolli). Mirëpo Conrad është i vendosur që të shpëtoj Medorën dhe vajzat dhe ti lejë të lira. Ai ndihmohet nga miqtë e tij piratë si dhe Aliu (Fatmir Smani). Por historia merr kthesa të ndryshme kur pikërisht miku i tij Birbanto (Muhamet Bikliqi) dëshiron ta vrasë atë.

“Isha pak i shqetësuar për reagimet qe do të marrë nga publiku për shkak të historisë që ky balet ka në origjinal. Është e vështirë që të kombinosh një balet të tillë në një kohë kaq të shkurtë. Pastaj kjo është sfidë edhe për faktin se ka më shumë balerinë dhe kjo mund të jetë sfidë edhe për Teatrin, dhe në kulmin e kësaj kur erdha këtu dëgjova që ka probleme financiare. Mirëpo, jam i lumtur që balerinët përkundër rrethanave kanë bërë shumë mirë punën e tyre. Ky balet ka shumë variacione, ka shumë duete, solo dhe mendoj që është hera e parë që një formacion i tillë bëhet këtu”, tregoi koreografi Rodriguez për KultPlus.

Pikërisht dashuria e madhe dhe puna që ka bërë koreografi së bashku me balerinët për të sjellë këtë shfaqje ishte diçka që u vërejt edhe nga të pranishmit,u shpreh balerina dhe pedagogia Sabrije Spahiu.

“Shfaqja ka qenë teknikisht shumë e vështirë por balerinët ishin shumë të saktë, shumë preciz dhe u pa edhe nga publiku të cilët i ndërprenë disa herë me duartrokitje. Vërtetë kanë qenë të mrekullueshëm. Nuk kam fjalë. Problemi është se te ne për valltarë të baletit salla është shumë e vogël dhe shpesh herë duhet t’ju ndërpritet kërcimi aq i madh që e kanë. Israeli si gjithmonë ka punuar me shpirt, me përkushtim të jashtëzakonshëm”, tregoi ajo.

Punën e balerinëve e veçoi edhe Melihate Qena, ajo u shpreh për KulPlus se balerinët çdo herë po janë frymëzim sesi të punohet me shumë dashuri.

“I adhuroj dhe i çmoj shumë këta balerinët tanë sepse punojnë me dashuri të madhe. Po dëgjojë që ka disa muaj që nuk kanë marrë roga dhe kjo është një fatkeqësi e jona që po na ndodh. Nuk e di këta njerëz të cilët po e udhëheqin këtë shtet a mendojnë për kulturë. Duhet këta njerëz mos me i keqpërdorë, njëlloj siç nuk duhet me e keqpërdor as dashurinë e vullnetin që e kanë, sepse ky është një profesion jashtëzakonisht i vështirë”, u shpreh ajo.

Rikthimi i koreografit Rodriguez për të punuar së bashku me balerinët për herë të katërt pasi që ai ka punuar me BKK-në, në vitin 2012 “Don Kishotin” e një vit më vonë “Liria ime”,kurse në vitin 2015 “Spartacus”, e ka bërë gjithë këtë proces më të lehtë tregoi për KultPlus balerini Sinan Kajtazi.

“Që në fillim të provave kemi pasur disa tundime do thosha dhe jo problem mirëpo asnjë ditë këto nuk i kemi vendos në plan të parë pasi që e kemi ditur se premiera do të vijë shumë shpejt dhe njerëzit të cilët do vijnë për të na parë do kenë dëshirë që të na shohin në nivel. Çdo ditë gjithë balerinët jemi angazhuar që të jemi në nivel dhe jemi të lumtur që kjo shfaqje u prit mirë nga publiku. Israeli është shumë i përshtatshëm për të punuar më të pasi që akoma është aktiv edhe vet si balerinë kështu që është treguar shumë i kuptueshëm. Ai akoma nuk e ka harru se sa e madhe është përgjegjësia kur je në skenë”, theksoi ai.

Në anën tjetër balerina Teuta Krasniqi u shpreh se kjo shfaqje është një ndër shfaqjet më të mëdha dhe më të vështira gjithashtu edhe nga ana teknike.

“Shfaqja është e gjatë me tri akte dhe deri në 2 orë e gjysmë por të ne është shkurtuar rreth 50 minuta. Por megjithatë shfaqja ka dal mirë dhe nuk i ka humbur ajo historia të cilën e ka shfaqja, besoj që kjo është shumë e rëndësishme. Arsyeja pse e kemi ftuar pikërisht koreografin Rodriguez për realizimin e kësaj shfaqje qëndron të fakti se shfaqjet të cilat ai i ka bërë më parë kanë qenë shumë të mira dhe janë prit mirë nga publiku. Tri shfaqje kanë qenë klasike kurse”Liria ime” ka qenë kryesisht tango pra në këtë rast edhe ne kemi mësuar shumë nga ai”, tha ajo për KultPlus.

Repriza e parë e shfaqjes “Le Corsaire” do të jetë sonte duke filluar nga ora 20:00 në Teatrin Kombëtar të Kosovës./ KultPlus.com

Baleti Kombëtar i Kosovës me “Recomposed” tri ditë në Paris

Ambasada e Francës në Kosovë përmes një njoftimi për media bën të ditur se Baleti Kombëtar i Kosovës me shfaqjen “Recomposed” shkon në një skenë ndryshe nga herët e tjera, në Francë.

Është teatri ‘Le Palace’ në Paris, i cili do të mirëpresë balerinët nga Kosova, të cilët do të pushtojnë për 3 ditë radhazi, në datat 1, 2, dhe 3 qershor, skenën e këtij teatri.

Në vizitën e tij të parë në Francë, Baleti Kombëtar i Kosovës do të udhëtojë me shfaqjen »Recomposed »

Shfaqja « Recomposed » u dha për herë të parë premierë në vitin 2016 edhe në skenën tonë, shfaqja është projekt i realizuar në mes të Baletit Kombëtar të Kosovës dhe Ambasadës Franceze në Kosovë dhe është punuar me koreografi të francezëve Christophe Beranger dhe Jonathan Pranlas-Descours

Recomposed i referohet gjendjes aktuale të Kosovës, të ardhmes së saj, perceptimit të traditave, diçka që të gjithë kërcimtarët bashkëndajnë me kulturën kosovare.

Si një vepër politike, baleti portretizon dëshirat e shoqërisë kosovare në marshimin drejt lirive individuale universale, një proces kompleks por i pandalshëm.

Ngjarja zhvillohet në kuadër të “vitit të përbashkët mes dy ambasadave”, të Kosovës në Francë dhe të Francës në Kosovë, dizajnuar me rastin e 10 vjetorit të Pavarësisë së shtetit.

Ambasada e Francës në Kosovë dhe Ambasada e Kosovës në Francë po bashkëpunojnë për të promovuar programin e përbashkët të ngjarjeve kulturore që tregojnë lidhjen dhe miqësinë mes dy vende.

Trupa e Baletit të Kosovës mahnitë publikun gjerman, përfaqësuesit e Kosovës në Berlin nuk ishin prezent (VIDEO)

Mbrëmë në Berlin u dha shfaqja e fundit nga Trupa e Baletit Kombëtar të Kosovës, shkruan KultPlus.

Kjo trupë, është duke qëndruar për disa ditë në Berlin atje ku dhanë gjithsej katër shfaqje, ndërsa sot udhëtojnë për në Hamburg ku do t’i kenë edhe tri shfaqje të tjera.

Duartrokitje të forta morën nga publiku gjerman balerinët e Kosovës. Kjo gjë tregohet edhe përmes një video të publikuar në rrjetin social Facebook, nga balerini Sinan Kajtazi, i cili poashtu ka shkruar për ndjesinë dhe ka kritikuar edhe përfaqësuesit e shtetit të Kosovës në Berlin, për mos prezencë në asnjë shfaqje të kësaj trupe e cila po mrekullon qytetarët e shteteve të ndryshme.

Po sjellim të plotë reagimin e Sinan Kajtazit të bërë mbrëmë bashkë me një video:

“Sonte në Berlin, dhamë edhe shfaqjen e fundit, ku për katër netë me radhë, publiku me duartrokitje dhe ovacione, aprovoj shfaqjet e BKK në kryeqytetin gjermanë. Sigurisht që kjo na bëri krenarë të gjithëve, dhe po aq na turpëruan përfaqësuesit e shtetit të Kosovës në Berlin, përkatësisht Ambasada e RKS, punonjësit e së cilës nuk gjetën 2 orë kohë të ishin prezent në njërën nga katër shfaqjet e BKK. Për 46 vite jetë të BKK, ky ka qenë prezantimi i parë në Gjermani, dhe neglizhenca e përfaqësuesëve të shtetit tonë në raport me prezantimin e parë të një institucioni shtetëror në vendin ku janë deleguar, është për keqardhje.
Nesër udhëtojm për Hamburg, ku do t’i kemi edhe tri shfaqje të tjera.
Thank you Berlin for your great hospitality!!!
PS- Televizoni i famshëm evropian ARTE, në fund të këtij viti, do të realizoj dokumentar rreth punës së BKK”, ka shkruar Kajtazi./ KultPlus.com

Balerini i famshëm Angelin Preljocaj, nga Franca vjen në Prishtinë

Ambasada e Francës në Kosovë, në bashkëpunim me Teatrin Kombëtar dhe Baletin Kombëtar të Kosovës, do të organizojë një mbrëmje të jashtëzakonshme të shfaqjes së baletit nga balerini Angelin Preljocaj në Teatrin Kombëtar në Prishtinë.

Të dy pjesët “Un Trait d’Union & Création 2017” do të shfaqen të shtunën më 7 tetor në orën 20:00, shkruan KultPlus.

Angelin Preljocaj, koreograf francez me prejardhje shqiptare, është sot një nga artistët më të shquar të vallëzimit bashkëkohor ndërkombëtar. Baleti i tij do të performojë në Prishtinë si pjesë e një turneu ekskluziv në Shqipëri dhe në Kosovë për prezantimin e premierës botërore të shfaqjes së tij të re “Création 2017”, e prezantuar në Francë me 21 shtator 2017.

Angelin Prejlocaj ka lindur në Francë në vitin 1957, nga prindër shqiptarë. Ai filloi studimet në vallëzim klasik para se të vazhdoj me vallëzimin bashkëkohor. Themeloi kompaninë e tij në dhjetor 1984. Që nga ajo kohë ka bërë koreografinë e 50 shfaqjeve, nga solo deri në format e mëdha.

Krijimet e tij janë rimarr në repertorin e shumë kompanive, nga të cilat gjithashtu merr porosi, si për shembull nga La Scala e Milanit, nga Baleti i New York City dhe nga Baleti i Operës Kombëtare në Paris. Sot Baleti Prejlocaj përbëhet nga 24 valltarë dhe lokalizohet në Pavillon Noir në Aix-en-Provence prej tetorit 2006, një vend i dedikuar tërësisht për vallëzim, me Angelin Prejlocaj për drejtor artistik.

“Me mbështetjen e Teatroskopit në kuadër të FranceDanse Orient-Express. Teatroskopi është program i iniciuar nga Instituti Francez, ministria e Kulturës dhe ministria e Evropës dhe e Punëve të Jashtme”

Një konferencë për medie do të mbahet të premten më 6 tetor në orën 13:00 në Teatrin Kombëtar në Prishtinë./ KultPlus.com