Shfaqja ‘Arrëthyesi’ së shpejti premierë nga Baleti Kombëtar në bashkëpunim me Filharmoninë e Kosovës

Baleti Kombëtar i Kosovës po sjell shfaqjen e shumëpritur “Arrëthyesi”, si dhuratë të fundvitit për publikun.

Datat 16 dhe 17 dhjetor janë rezervuar për premierën e kësaj shfaqje e cila vjen si rezultat i bashkëpunimit në mes të Baletit Kombëtar të Kosovës dhe Filharmonisë së Kosovës.

Nën koreografinë e Ilir Kernit, “Arrëthyesi”, një nga shfaqjet më të njohura të repertorit botëror klasik, do shfaqet për herë të parë në Prishtinë.

Ky produksion i përmasave të jashtëzakonshme do të shfaqet në Sallën AMC duke filluar a ora 19:30. / KultPlus.com

Trupa e Baletit Kombëtar të Kosovës mysafire në Teatrin e Gjilanit

Me koreografi të Mehmet Balkan, baleti “Sisters” u interpretua mbrëmë nga trupa e Baletit Kombëtar të Kosovës në Teatrin e Gjilanit.

Vepra hyn te baletet neo-klasike, ku lëvizjet e sofistikuara të balerinëve ndërthuren me interpretimin emocional të secilit në skenë. Aty shtjellohet historia e dy motrave dhe e dashurisë, fundi i të cilave rezulton me epilog tragjik.

Kjo shfaqje e kompletuar artistike dhe e pëlqyer për publikun, u luajt për nder të 15-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.

50 vjet punë, përkushtim e dashuri, Baleti i Kosovës feston me ‘Halili dhe Hajria’ pa shtëpi edhe pas gjysmë shekulli

Flonja Haxhaj

Gjysmë shekulli punë, dedikim dhe sakrificë e Baletit Kombëtar të Kosovës, u manifestuan mbrëmë me një organizim që erdhi përplot emocion, në datën që shënoi një përvjetor jubilar të një institucioni që i dhuroi shumë Kosovës për kaq vite jetë, shkruan KultPlus.

Publiku i shumtë në numër, pasi kishin zënë vend të sallën ‘1 Tetori’ në Prishtinë, ishin gjithë sy e veshë për të parë se dritat po uleshin dhe mbrëmja po fillonte.

Me zërin drithërues të Berat Miftarit dhe imazhet e historikut të BKK-së që po lëviznin në monitorët e dy skajeve të sallës, u shfaq dokumentari, si një dokument i një rrugëtimi nëpër të cilin kaloi Baleti i Kosovës përgjatë këtyre viteve.

E për të shënuar një 50-vjetor meritor të Baletit Kombëtar të Kosovës, BKK bashkoi forcat me Trupën e Teatrit të Operas dhe Baletit të Shqipërisë dhe Orkestrës së Filharmonisë së Kosovës për të jetësuar dhe rivënë në skenë baletin e parë shqiptar ‘Halili dhe Hajria’, shfaqje kjo me të cilën Baleti i Kosovës i hodhi hapat e parë, që do të pasoheshin me vështirësi dhe shumë sakrifica por një punë të madhe.

Në një sallë të improvizuar, vepra tërësisht shqiptare me muzikë nga Tish Daija dhe koreografi nga Panajot Kanaçi, erdhi në Prishtinë me një përcjellje të gjallë të orkestrës që u printe dirigjenti Gridi Kraja dhe balerinët e vënë në skenë nga Alisa Gjoni.

E mbrëmja u kurorëzua me paraqitjen e gjeneratës së parë të Baletit të Kosovës, të cilët u ngjitën në skenë me kokën lart pas duartrokitjeve që i morën nga publiku në shenjë mirënjohje për veprimtarinë e tyre të pashoq.

Ata iu bashkuan trupës së baletit dhe balerinëve të vegjël duke sjellë një performancë magjike nën tingujt e ‘Bareshës’ së Nexhmije Pagarushës duke ia shtuar edhe më shumë veçantinë kësaj mbrëmje madhështore.

Në mbrëmjen që përcolli emocion në publikun artdashës, pati edhe fjalime të krerëve të institucioneve shtetërore dhe nismëtarë të institucionit më të rëndësishëm të këtij arti.

Fjalën i pari e mori ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrullah Çeku, i cili filloi fjalimin e tij duke shprehur mirënjohje për qindra ata gra e burra që ndër dekada dhanë gjithçka për ta sjellë Baletin Kombëtar të Kosovës në gjysmë shekulli përvojë e lavdi.

“Që nga themelimi në brezin e parë, BKK ka korrur suksese të njëpasnjëshme, ka zhvilluar breza të tërë profesionistësh brenda Kosovës, ka ofruar program të pasur për publikun duke bashkëpunuar me koreografë të shumtë nga vendi dhe bota”, deklaroi Çeku duke shtuar se BKK ka pasur një rrugëtim aspak të lehtë por të mbushur me krenari, sfida të panumërta, përkushtim vetëmohues e shumë dashuri për artin e lëvizjes.

Çeku po ashtu foli edhe për problemin kyç që po e shoqëron këtë institucion tash e 50 vite, mungesën e një objekti të përshtatshëm për veprimtarinë artistike.

“Angazhimi institucional për përmirësimin e infrastrukturës kulturës do të jetë i vazhdueshëm përderisa ndërtesa e Teatrit Kombëtar është në proces rinovimi dhe po krijojmë hapësirë alternative pune e koncertimi për Filharmoninë e Kosovës, paralelisht do të zhvillohet procesi ndërkombëtar për projektimin dhe ndërtimin e Teatrit të Operas dhe Baletit, shtëpia jonë e përbashkët e cila do t’i akomodojë artet skenike të Kosovës”, përfundoi Çeku.

Ndërkaq, kjo mbrëmje nuk do të kishte të njëjtin kuptim pa prezencën dhe fjalimin e një prej nismëtarëve dhe pjestarëve të brezit të parë që vunë themelet artistike të institucionit të baletit, Elez Nikçi.

“Kam nderin dhe privilegjin që t’ju drejtohem në një fjalë rasti në këtë moment historik kur Baleti Kombëtar i Kosovës po shënon dinjitetshëm 50-vjetorin e lindjes. Kur e shikoj këtë atmosfterë në sallë më shfaqen imazhe të trupës së parë ktu e 50 vite më parë, një grup i vogël entuziastësh të diciplinuar në skenë, artistë në shpirt, vizionarë, unikë ndaj qëllimit final, morën përsipër që të bënin diçka që ishte e nevojshme për ne dhe për vendin tonë para së gjithash.”, u shpreh Nikçi e për të cilin kjo mbrëmje kishte edhe një dozë tjetër emocioni pasi 50 vite më parë ishte ai që u vish në kostumin e Halilit në baletin ‘Halili dhe Hajria’.

“Kalendarikisht brezi im ka realizuar rreth 22 premiera, për ajo që do të veçoja është koreografia e maestros dhe doajenit të baletit, Panajot Kanaçi, ‘Halili dhe Hajria’,me të cilën po e shënojmë simbolikisht standardin e rrugëtimit dhe formësimit tonë si kreatorë të skenës kombëtare”, shtoi Nikçi.

E për të festuar këtë përvjetor jubilar, në skenë u ngjit drejtori i Baletit Kombëtar të Kosovës, Sinan Kajtazi, i cili po ashtu i përket gjeneratës së parë së balerinëve të diplomuar pas luftës.

Kajtazi shprehet se për 50 vite me radhë fati i Baletit Kombëtar të Kosovës ka qenë i lidhur kryekëput me fatin e të gjithë popullit të Kosovës dhe nuk përbën ndonjë përjashtim në aspektin e vështirësive dhe sfidave nëpër të cilat ka kaluar vendi ynë.

“Baleti Kombëtar i Kosovës, historinë e ka të ndarë në dy etapa, atë të gjeneratës së parë të balerinëve të cilët nga viti 1972 vunë në skenë vepra të repertorit kombëtar dhe botëror deri në vitin 1991 kur në mënyrë të dhunshme u larguan nga teatri. Etapa e dytë është e pasluftës kur profesori Ahmet Brahimaj së bashku me kolegët e gjeneratës së vetë arritën të rithemelojnë Baletin Kombëtar të Kosovës duke krijuar brezin e rinj të balerinëve të cilët rivunë në jetë këtë institucion i cili kishte pushuar së funkionuari për një dekadë.”, tha Kajtazi i cili ndër të tjerash shtoi se balerinët sot e kanë më të lehtë sepse dikush tjetër e themeloi atë 50 vite më parë kurse tani u mbetet vetëm kujdesi ndaj tij që të festojë edhe shumë jubile në të ardhmen, përcjell KultPlus.

Më tutje, Kajtazi nderoi jetën dhe veprën e profesorit të ndjerë Ahmet Brahimaj, një prej nismëtarëve dhe pjesë e brezit të parë të baletit të Kosovës, duke e cilësuar si personin më  të rëndësishëm, pa kontributin e të cilit nuk do të bëhej mbrëmja e djeshme.

Ky fjalim u përcoll me duartrokitje të shumta, në falënderim për personin që i dha kaq shumë këtij institucioni që pavarësisht vështirësive dhe barrierave, mbrëmë shënoi gjysmë shekulli jetë.

Po ashtu, Kajtazi shfrytëzoi këtë fjalim për të kërkuar një sallë të mirëfilltë për Baletin Kombëtar të Kosovës duke shpresuar që 55-vjetori i këtij institucioni kaq të rëndësishëm ta gjejë atë me një teatër ku të gjithë balerinët të mund ta shprehin të gjithë potencialin e tyre artistik pa barriera, në kushte elementare të punës.

Në këtë mbrëmje dhe këtë manifestim kaq të veçantë e domethënës u nderua personi të cilit i jepen shumë atribute për të arriturat e Baletit Kombëtar të Kosovës, Ahmet Brahimaj, për të cilin u nda mirënjohje ‘Post Mortum’.

E në emrin e familjes, foli bashkëshortja e tij, Zogëza Mulaku – Brahimaj e cila e përgëzon punën e baletit dhe i uron suksese dhe jetë të gjatë deri në pafundësi.

“Me shumë emocione e pranoj këtë mirënjohje për Ahmetin dhe jam tejet e lumtur që balerinët tanë vazhdojnë të punojnë me energji të plotë dhe i tejkalojnë me mjeshtëri të gjitha barrierat. Sukseset dhe perfeksionimi i tyre vazhdojnë të mahnisin dhe të lobojnë për Kosovës përmes kulturës dhe vlerave cilësore jo vetëm në Kosovë por edhe më tej.” , u shpreh Mulaku – Brahimaj duke shtuar se fryma dhe shpirti i Ahmet Brahimaj janë në Baletin Kombëtar të Kosovës dhe për aq sa baleti ekziston aq edhe ai është i pavdekshëm.

Ju kujtojmë që Trupa e parë e Baletit të Kosovës u formua në vitin 1972. Balerinët e kësaj gjenerate u shkolluan në Shkollen e Mesme të Baletit në Shkup, nën udhëheqjen e Tatjana Petkovska. Në shkollë kanë diplomuar 25 balerinë nga Kosova – 19 meshkuj dhe 6 femra. Pas përfundimit të suksesshëm të shkollimit, shumica e balerinëve u kthyen në Prishtinë. Në kuadër të Teatrit Kombëtar të Kosovës u formua Baleti i Kosovës. Pjesëtarët e parë të baletit ishin: Ahmet Brahimaj, Rustem Selca, Elez Nikçi, Shqipe Hoxha, Esma Mulla, Salajdin Kice, Gani Loshi, Jonuz Beqiraj, Hysen Podrimçaku, Rrustem Bajrami, Rustem Metaj, Isa Bajraktari, Gani Shala, Skender Domniku, Shaban Shabanaj dhe Enver Berisha.

Drejtor u emërua Abdurrahman Nokshiqi. Më vonë trupës iu bashkuan edhe 5 baerinci nga Shkupi (Nexhmije Meha Selca, Sabrije Spahiu Shkreli), si dhe dy balerina nga Kosova (Enver Elshani dhe Jashar Berisha). Me punë dhe përkushtim, brezi i parë vuri në skenë shumë produksione te mëdha.

Në vitin 1991, balerinët u larguan me dhunë nga teatri duke ndërprerë të gjitha aktivitetet e tyre.

Pas luftës, me ndihmën e disa kolegëve, Ahmet Brahimaj hapi shkollën e parë të mesme të baletit, në kuadër të shkollës së mesme muzikore “Prenkë Jakova”. Në vitin 2001, pas shumë vitesh mungesë, gjenerata e parë e Baletit të Kosovës u rikthye në skenë e shoqëruar nga valltarët e rinj të shkollës. Emisioni i parë, “Fyelltari” u shfaq me shumë sukses.

Në vitin 2005 mbaron klasën e parë të Ahmet Brahimajt në Liceun e Baletit. Sot këta valltarë përbëjnë bërthamën e Baletit të Kosovës. Në mesin e maturantëve ishin: Bardha Neziri, Behije Murtezi, Luljeta Aderni, Vjollca Llugiqi, Leonora Rexhepi, Jeta Musolli, Sinan Kajtazi, Labinot Rexhepi, Drilon Podrimçaku, dhe Driton Saqipi. Më vonë në trupën e brezit të ri të shkollës bashkohen edhe më shumë balerinë si: Teuta Krasniqi., Marigona Hoxha, Kreshnik Musolli, Sead Vuniqi, Muhamet Bikliqi, Liridon Mziu, Fisnik Smani, Fatmir Smant, Aulonë Nuhiu, Nora Gashi, Abetare Hyseni, Vlora Prizreni, Mimoza Bytyqi, Mërgime Morina, Isa Beg Gjocaj, Donmir Bilalli, Elmedina Berisha, Besarta Shaljani, Flakarta Qorri, Shpëtim Mejtani etj. Baleti ka realizuar shumë shfaqje të suksesshme, moderne dhe klasike./ KultPlus.com