Baleti Kombëtar i Kosovës sjell në Prishtinë premierën e shfaqjes ‘Tango Nights’ të koreografës Chiara Ajkun, përcjell KultPlus.
Në vjim KultPlus ua sjell postimin e plotë të Baletit Kombëtar të Kosovës:
Baleti Kombëtar i Kosovës, sjell në Prishtinë premierën “Tango Nights” me koreografi nga Chiara Ajkun.
“Tango Nights”, u shfaq si premierë në Neë York në maj të këtij viti në bashkëpunim me trupën amerikane Ajkun Ballet Company dhe e njëjta shfaqje, do të vihet në skenë edhe për publikun tonë.
Baleti Kombëtar i Kosovës, përmbylli sukseshëm gjysmë-sezonin me premierën e shfaqjes ‘AEON’, një performancë që e mbushi skenën me artin dhe emocionin e pafund. Shfaqja që erdhi si bashkëpunim nga BKK dhe koreografi Daniel Cardoso, ishte një kryevepër kontemporane që sfidoi dhe frymëzoi audiencën dhe futi në mendime rreth konceptit të kohës, shkruan KultPlus.
“Aeon” eksploron një nga konceptet më universale dhe misterioze të njerëzimit: kohën. Çfarë formon gjithçka? Çfarë ndikon në vendimet tona dhe përfundimisht përcakton trajektoren e jetëve tona? Këto pyetje thelbësore janë në zemër të kësaj shfaqje që trajton një burim të pashtershëm, të cilin nuk mund ta plotësojmë ose ta rikuperojmë pasi të jetë harxhuar.
Balerinët e Baletit Kombëtar të Kosovës, me veshjet, ngjyrat, lëvizjet e tyre, bënë që i gjithë koncepti i kësaj shfaqje të transmetohet tek publiku dhe të përcjellin vizualisht të gjithë pikëpyetjet që njerëzit kanë mbi kohën.
Trupa e baletit, të përbërë nga Aulonë Nuhiu, Behie Murtezi, Blerta Fanaj, Donmir Bilalli, Fatmir Smani, Fisnik Smani, Ilir Krasniqi, Isa Beg Gjocaj, Jeta Musolli, Kreshnik Musolli, Leonora Rexhepi, Marigonë Beha, Mërgime Morina, Muhame Bikliqi, Rikon Krasniqi, Sead Vuniqi, Vjollca Llugiqi dhe Vlora Prizreni, treguan edhe njëherë potencialin që ky institucion ka dhe që mund ta sfidojnë veten e tyre në çdo stil vallëzimi.
Pjesë e kësaj shfaqje ishte edhe vetë drejtori i BKK-së, Sinan Kajtazi, i cili në ‘AEON’ vjen në cilësinë e muzikantit, në klarinetë.
Balerina Behie Murtezi tha për KultPlus se për këtë shfaqje kanë punuar diku rreth dy muaj dhe se ka qenë një shfaqje sfiduese marrë parasysh se i përket një stili më ndryshe nga shfaqjet e mëparshme.
“Kemi punuar rreth dy muaj për këtë shfaqje, na ka marrë shuëm kogë dge përkushtim sepse ka qenë një shfaqje më ndryshe nga të tjeram shumë dinamike në koreografi, pastaj kostumet dhe grimi janë një pjesë e rëndësishme dhe e bëjnë më të veçantë si shfaqje. Bashkëpunimi me koreografin ka qene korrekt, Cardoso është një koreograf që kërkon shumë. Në proces te provave për shkak të dinamikës së punës ka pasë raste ku kemi pasë edhe lëndime mirëpo fatmirësisht të vogla dhe i kemi kaluar lehtë”, u shpreh Murtezi.
Pas shfaqjes, për KultPlus foli edhe ballerina Vjollca Llugiqi, e cila tha se kjo shfaqje trajton një temë interesante siç është ajo e kohës.
“Ka qenë një periudhë e gjatë e provave për arsye se kemi qenë në të njëjtën kohë edhe me një premierë tjetër në Neë York dhe provat kane qene te tejzgjatura mirepo bashkepunimi ka qene fantastik si me koreografin ashtu edhe me asistenten e cila me të vërtetë ka bërë një punë teper të mirë. Ne si trupë veç kemi qenë të njohur me stilin e koreografin për shkak qe ky ka qenë bashkëpunimi jonë i dyte me të dhe kjo na e ka lehtësuar punën për shkak se e kemi dikur se çfarë kërkon”, tha Llugiqi.
Me këtë premierë, Baleti Kombëtar i Kosovës përfundoi suksesshëm këtë gjysmësezon, duke lënë një përshtypje të thellë te audienca dhe kritikët. Shfaqja “Aeon” ishte një dëshmi e përkushtimit dhe talentit të trupës së baletit, si dhe e vizionit të Daniel Cardoso. Ajo pasqyroi potencialin e jashtëzakonshëm të Baletit Kombëtar të Kosovës për të sjellë në skenë shfaqje që jo vetëm argëtojnë, por edhe sfidojnë dhe frymëzojnë./KultPlus.com
Baleti Kombëtar i Kosovës është duke i zhvilluar provat intensive për realizimin e shfaqjes “Peter Pan”, shkruan KultPlus.
Kjo shfaqje që ka përfshirë shumë fëmijë në ansambël pritet të jetë premierë më 1 qershor, pikërisht në ditën e fëmijëve. KultPlus ju sjell pamje nga përgatitjet e kësaj shfaqje që janë publikuar nga Baleti Kombëtar i Kosovës.
Shfaqja e baletit “Peter Pan” po bëhet gati nga Baleti Kombëtar i Kosovës, për t’u shfaqur premierë me dt 1 qershor, në Ditën Botërore të Fëmijëve.
Foto nga provat e balerinëve të vegjël, të cilë me pasion e dashuri ndjekin direktivat e koreografes dhe asistentes. / KultPlus.com
Baleti Kombëtar i Kosovës, do të realizojë edhe një paraqitje tjetër të rëndësishme ndërkombëtare.
Përveç premierës “Tango Nights” e cila do të shfaqet si premierë në New York të SHBAve në datën 31 maj, BKK në po të njejtin qytet, me dt 6 qershor, do të shfaq edhe baletin “Shtegtimi”, shfaqje kjo e cila është dhënë si premierë në Kalabri të Italisë, vitin e kaluar. / KultPlus.com
Në mbrëmjen e 15 shkurtit, Pallati i Rinisë në Prishtinë u transformua në një skenë të veçantë për një shfaqje të pazakontë, e cila kombinonte baletin klasik dhe basketbollin modern. Baleti Kombëtar i Kosovës prezantoi “Rebounds, a Basketballet”, një shfaqje unike që eksploronte ndërthurjen e lëvizjeve delikate të baletit me dinamizmin dhe intensitetin e basketbollit, shfaqje kjo e krijuar nga koreografët Friederike Lampert dhe Jochen Roller, shkruan KultPlus.
Shfaqja shënonte një moment të ri për artin në Kosovë, duke sjellë për herë të parë përpara publikut një kombinim të tillë të këtyre elementeve. “Rebounds, a Basketballet” nuk ishte thjesht një performancë, por një përvojë impresive që kaploi shikuesit me energjinë dhe emocionet e lojës së basketbollit, ndërsa po ashtu i ofronte një vështrim të thellë në botën e baletit.
Një aspekt i veçantë i kësaj shfaqjeje ishte pjesëmarrja aktive e publikut. Balerinët kosovarë e lejuan audiencën të qëndronte pranë tyre, duke u dhënë mundësinë për të qenë pjesë e kësaj eksperience unike. Ky interaktivitet krijoi një lidhje të ngushtë midis artistëve dhe të pranishmëve, duke e bërë përvojën edhe më të paharrueshme për të gjithë.
Pas shfaqjes, që u paraqit si një lojë imagjinare e basketbollit, për KultPlus, foli edhe koreografi Jochen Roller, i cili u shpreh se është mjaft i kënaqur me lojën e balerinëve të BKK-së, me të cilët patën edhe bashkëpunimin e dytë.
“Kjo shfaqje ndjek strukturën e lojës së basketbollit. Ajo ka për qëllim të tregojë ngjashmërinë e baletit me basketbollit. Gjetëm shumë ngjajshmëri dhe qëllimi ishte që t’i shpërfaqim ato, u shpreh Roller.
Ndërkaq koreografja Frieferike Lampert u shpreh se kjo shfaqje pati për qëllim që të bëjë bashkë elementet gati të ngjajshme të të dyja disiplinave.
“Në kushtet e fjalorit të lëvizjeve, ne kemi shumë paralele në kërcimet në balet dhe gjithashtu shumë kërcime në basketboll, prandaj ne tentuam që t’i bëjmë bashkë këto dy kërcime, për të krijuar diçka të re. Është një lojë basketbolli e imagjinuar, është një basketbalet”, u shpreh Lampert për KultPlus.
E një eksperiencë po ashtu e veçantë ishte edhe për balerinin Sead Vuniqi i cili tha se kjo shfaqje ishte sfiduese edhe për vetë balerinët, meqë luajtën në një disiplinë që nuk kishin performuar më herët, megjithatë, ai beson se u mirëprit nga publiku.
“Ka qenë një shfaqje ndryshe nga ato që jemi mësuar të luajmë deri më tani. Besoj se ka qenë një shfaqje interesante për publikun, sepse edhe ata e kanë pasur mundësinë që të jenë afër nesh. Besoj se ka qenë një shfaqje frymëzuese si për neve ashtu edhe për publikun. Procesi i provave ka shkuar shumë mirë, ne me koreografët njihemi që disa vite, pra është bashkëpunimi jonë i dytë. Gjatë kësaj periudhe kemi kaluar shumë mirë, e kemi një relacion shumë të mirë me ta”, tha Vuniqi, i cili më tej u shpreh se si balerinë, ata janë munduar që të japin më të mirën e tyre në mënyrë që edhe shfaqja të përcillet ashtu siç kanë kërkuar ata.
Ndërkaq, drejtori i Baletit Kombëtar të kosovës, Sinan Kajtazi, tha se ndjehet i lumtur që stili në drejtim të së cilit po shkon arti bashkëkohor, tani po e sjellin edhe para publikut në Prishtinë.
“Pas premierës së fundit për vitin 2023, pas shfaqjes së madhe të baletit klasik ‘Arrëthyesi’, e cila ka qenë shumë sfiduese për balerinët tanë, si në aspektin fizik ashtu edhe artistikisht, po besoj që shfaqja ‘Robounds, a basketballet’ ka qenë një freski për balerinët tanë, një shfaqje shumë inovative, një shfaqje në një dimesion në të cilin ne nuk jemi mësuar të performojmë, të tillë janë koreografët Friederike Lampert dhe Jochen Roller, me të cilët punojmë për herën e dytë. Përveç në Prishtinë, këtë shfaqje synojmë që ta shfaqim edhe në Zvicër e Gjermani. Po besoj se sonte, publiku ka pasur rast që ta shohë një shfaqje të stilit në drejtim të së cilit është duke shkuar sot kërcimi bashkëkohor”, tha Kajtazi për KultPlus.
Pjesë e kësaj shfaqje ishin balerinët: Aulonë Nuhiu, Behie Murtezi, Besarta Shaljani, Blerta Fanaj, Drilon Podrimçaku, Donmer Bilalli, Elmedina Berisha, Erza Limani, Fatmir Smani, Fisnik Smani, Ilir Krasniqi, Isa Beg Gjocaj, Jeta Musolli, Kreshnik Musolli, Leonora Rexhepi, Liridon Mziu, Marigonë Beha, Mërgime Morina, Muhamet Bikliqi, Rigon krasniqi, Sead Vuniqi, Vjollca Llugiqi dhe Vlora Prizeni./ KultPlus.com
“Arrëthyesi” një nga shfaqjet më të njohura të repertorit botëror klasik, mbrëmë u dha premierë edhe në kryeqytet, e cila erdhi si bashkëpunim i Filharmonisë së Kosovës dhe Baletit Kombëtar të Kosovës, ku me magjinë dhe profesionalizmin e treguar, këto institucione veçse hodhën hapin e parë gjigand drejt përsosmërisë edhe në shfaqje të niveleve botërore, shkruan KultPlus.
Nata, atmosfera e ngrohtë e festave të fundvitit me borë, pemët e Vitit të Ri me drita, dhurata të festave të fundvitit, kostume tejet elegante, magji, zana, princa, princesha dhe muzikë fantastike të paraqitura në skenë, të dërgonin vërtetë në një botë ëndrrash.
Baleti “Arrëthyesi” është i bazuar në historinë “Arrëthyesi dhe Mbreti i Minjëve” nga E.T.A. Hoffmann, i kompozuar në vitet 1891-92 nga Çajkovski, ku tregohet historia e një vajze të re gjermane, e cila ëndërron një “Princ Arrëthyes” dhe një betejë të ashpër kundër një mbreti mi me shtatë koka.
Kjo premierë shënoi një ndër ngjarjet më të rëndësishme të historisë së Baletit Kombëtar të Kosovës, ku rëndësinë e saj e tregonte vetë prania e një publiku jashtëzakonisht të madh në numër, të cilët me padurim prisnin fillimin e saj.
Interpretimi i tingujve të qetë, nën drita të pakta blu shënoi fillimin e aktit të parë të shfaqjes, së cilës më vonë iu bashkuan edhe balerinët në një mënyrë të mistershme sikurse në ëndrra. Mjaftoi kjo skenë për të hipnotizuar publikun brenda magjisë dhe spektaklit të cilin do ta dhuronte pakëz më vonë trupa e Baletit Kombëtar të Kosovës në bashkëpunim me Filharmoninë e Kosovës dhe me Korin e Fëmijëve “Okarina”.
“Skena e Festës” në sfond me një pamje të një pallati madhështor, brenda së cilit familja Stahlabaum po organizonte festën e tyre vjetore të festave të fundvitit, ishte ndër më të të bukurat, e cila shikuesin e dërgonte drejt një bote përrallore. Familje të lumtura, me zonja me fustane tejet elegante dhe zotërinj me kostume që u jepnin pamje fisnike, duke festuar mes miqsh nën shoqërimin e muzikës, në një energji të pastër, jepnin panoramën e një jete ëndrrash, e cila kompletohej kur skenës i bashkëngjiteshin edhe fëmijët.
Kulmi i festës së tyre shënoi kur në skenë u paraqit kumbari Droselmajer, i cili ishte një krijues i aftë i lodrave, duke u dhuruar fëmijëve dhuratat e festave të fundvitit, ku Klarës ia dhuroi edhe Arrëthyesin duke e shndërruar në hit të festës. Mirëpo, për këtë dhuratë bëhet xheloz Fritzi, ku më pas edhe ia rrëmben lodrën, për t’ia thyer më pas.
Droselmajer, ishte ai që e riparoi lodrën e saj, me të cilën pas gostisë Klara ra në gjumë me të në krahun e saj poshtë pemës, nga ku edhe rrjedh historia tjetër si përrallë me Arrëthyesin i cili lufton dhe fiton kundrejt një ushtrie minjsh, ku pas fitores ai shndërrohet në një princ të bukur.
Më pas përmes një vallëzimi që shpinte drejt një jetese mbretërore, princi e dërgon Klarën në “Tokën e Borës” në një vend magjepsës, ku bora binte mbi balerinat me fustane zanash, në harmoni të plotë me muzikën fantastike në sfond, të cilën po e dhuronin Filharmonia e Kosovës, përderisa kulmin e paraqitjes e shënoi zëri kristal i fëmijëve të Korit “Okarina”.
Skena tjetër është “Toka e Ëmbëlsirave” në të cilën Princi e shoqëron Klarën në këtë tokë, në të cilën qëndronin Zana e Kumbullës dhe ajo e Sheqerit, ku përjetoheshin festa dhe vallëzime fantastike të zanave, nga ku edhe përfundon ëndrra e Klarës, e cila e gjen veten të zgjuar poshtë pemës së Krishtlindjes me Arrëthyesin e saj të dashur. Kjo shënoi edhe fundin e këtij spektakli fantastik të pa dhuruar më parë, në historinë e Baletit dhe të Filharmonisë së Kosovës.
Shfaqja në fund u duartrokit shumë, duke dhënë mesazhin që ajo çfarë iu dhurua për brenda dy orësh shfaqjeje qe diçka e mrekullueshme, dhe si e tillë do të mbahej në mend gjatë.
Krejt në fund të ngjarjes në një prononcim për KultPlus, foli edhe drejtori i Baletit të Kosovës, Sinan Kajtazi i cili tha se ndihej i lumtur me nivelin e balerinëve dhe të orkestrës së Filharmonisë së Kosovës, përkundër faktit se një shfaqje e tillë ishte shumë sfiduese dhe me kërkesa jashtëzakonisht të mëdha.
“Ka qenë përtej pritshmërive tona, edhe niveli i balerinëve por edhe niveli i Orkestrës së Filharmonisë së Kosovës, ky balet është sfidë për çdo teatër gjithandej nëpër botë, sigurisht ka qenë një sfidë e madhe edhe për ne, mirëpo jam shumë i lumtur që sonte kemi arritur ta kurorëzojmë në këtë formë para një audience të jashtëzakonshme, me një interesim shumë shumë të madh për shfaqjen Arrëthyesi. Po besoj që edhe duartrokitjet e publikut e treguan që me të vërtetë ky produksion i ka arritur edhe pritshmëritë edhe të atyre që kanë ardhur ta shohin”, tha Kajtazi i entuziazmuar me produktin final të institucionit të cilin ai e drejtonte.
Drejtori Kajtazi më tej tha se rruga për të sjellë shfaqjen deri në premierë, ishte e gjatë me vështirësi e sfida të shumta duke filluar nga mungesa e një salle adekuate.
“Procesi deri te nata finale është përcjell me sfida të shumta. Tashmë dihet problemi ynë i madh, e i vazhdueshëm me infrastrukturën, jemi munduar të adaptohemi në këtë sallë këtu e cila sigurisht nuk i ka kushtet e teatrit, pra në aspektin e skenografisë kemi qenë të cunguar, sepse nuk kemi pasur mundësi që të vendosim skenografi, kështu na është dashur të përdorim alternativa të tjera. Sfidë po ashtu ka qenë edhe pjesa e kostumeve e cila ka qenë një segment shumë i rëndësishëm i shfaqjes. Mund të them që ka qenë pjesa më e vështirë e realizuar, sepse ka pasur shumë kostume, pastaj lloji i kostumit që shfaqja kërkon po ashtu ishte shumë sfiduese si për rrobaqepësit ashtu edhe për kostumografen”, tha gjithashtu Kajtazi duke e potencuar edhe punën vetëmohuese të balerinëve, koreografit, asistentes, kostumografes, skenografes për të arritur nivelin e sapo prezantuar para publikut.
Kurse koreografi Ilir Kerni, vendosjen e Arrëthyesit në Baletin Kombëtar të Kosovës e ka quajtur moment historik për kulturën e vendit, e cila njëkohësisht e vendos edhe Prishtinën në nivel me kryeqytetet tjera ku tashmë kjo shfaqje jepet tradicionalisht, në muajin dhjetor me rastin e festave.
“Në këtë pikë jam shumë i lumtur që unë isha i pari që vendosi një gurëthemel në kuptimin e bashkëpunimit ndërmjet të gjithë sektorëve ku janë orkestra, baleti, teknika, ndriçimi. Kjo është hera e parë dhe me të vërtetë ndihem fatlum dhe i lumtur. Nuk mendoj të mbetem në histori, por mendoj që të mbetem si një kujtim i mirë i të gjithë njerëzve që kam punuar këtu. Historinë ia lëmë të tjerëve, unë jam për të bërë punën time në mënyrën më korrekte më të devotshme dhe më modeste të mundshme”, ka thënë Kerni.
Ai më tutje tha se ndihej jashtëzakonisht i kënaqur me performancën e balerinëve, duke uruar që rrugëtimin e tyre ta vazhdojnë me po të njëjtin pasion dhe punë, sepse sipas tij është është e vetmja gjë e cila të pajis me autoritet artistik
“Ky është një hap i parë gjigand mendoj unë, dhe pas kësaj çfarë? Sot, shtrohet kjo pyetje pas kësaj çfarë?, në ç’rrugë do të eci Baleti i Kosovës. Shpresoj shumë që ky të jetë një start për më lart, për më tej. Sigurisht që gjithmonë mundet për më shumë, problemi është që të mos ecim mbrapsht”, përfundoi koreografi Kerni.
Ndërsa solistja Jeta Musolli, balerinë e cila e luante rolin e Klarës tha që ndihej e privilegjuar për rolin që i ishte besuar, dhe po ashtu e kënaqur me mbarëvajtjen në tërësi të shfaqjes.
“Kanë qenë disa javë me të vërtetë intensive me një dinamikë të fortë, lodhje, emocion dhe intensitet tepër të lartë. Sonte jam ndier jashtëzakonisht mirë, edhe publiku është ndarë i kënaqur sonte. Kjo është ajo që ka rëndësi për ne, sepse të tjerat të gjitha harrohen pastaj”, ka deklaruar Musolli duke thënë që për mungesën e shfaqjeve të tilla klasike botërore para publikut, shkak është mungesa e sallës adekuate të përmasave aq sa kërkohen.
“Sa kemi qenë në TKK, kemi pasur një sallë pak më të vogël dhe skena nuk ka qenë e mjaftueshme për ne sepse i ka pasur dimensionet më të vogla. Këtu e bëmë skenën edhe sallën përafërsisht në dimensione të njëjta në mënyrë që të mos kishim probleme, dhe kjo ka ndihmuar shumë, sepse Arrëthyesi është një shfaqje botërore që kërkon shumë njerëz, dhe fatkeqësisht trupa jonë ka një numër të vogël, por që ja arritën ta realizojmë”, tha më tutje Balerina Musolli.
Ndërsa për dirigjentin Boian Videnoff shfaqja “Arrëthyesi” ishte një premierë e mrekullueshme.
“Është një premierë e mrekullueshme. Është mirë që pas kaq shumë vitesh e keni këtë produksion të baletit për herë të parë. Mendoj se ishte i veçantë për të gjithë. Është një kryevepër. Mendoj se ishte kënaqësi për të gjithë të shohin këtë produksion të plotë të bërë nga valltarët e mrekullueshëm, ishin edhe fëmijët. Kur erdha dje e pashë gjithë këtë hapësirë të mbushur me ta që dukeshin shumë të emocionuar”, tha dirigjenti Videnoff.
Shfaqjen e kishin shijuar shumë edhe balerinët mysafirë që kishin ardhur nga Bullgaria, për të qenë pjesë e shfaqjes “Arrëthyesi”, Marta Petkova dhe Nikola Hadjitanev
“E kam shijuar shumë këtë performancë, jam ndier princeshë e vërtetë me rolin tim, me shumë sharm, e kam shijuar pjesën time. Jam shumë e lumtur të shoh sallën e mbushur me njerëz, gjë që është shumë e rëndësishme për artistët. Kjo do të thotë se njerëzit në Prishtinë e kanë këtë kulturë gjë që është shumë me rëndësi për skenën artistike të baletit”, tha balerina Petkova , e cila pati rolin e princeshës Sheqerkë.
Ndërsa balerini Nikola Hadjitanev i cili luajti rolin e princit, tha që trupa e Baletit të Kosovës ka një potencial shumë të madh edhe përkundër mungesës së kushteve.
“Roli im është ai i princit që rritet dhe Klara e takon atë më pas. Teknikisht është shumë i komplikuar, me shumë shtresime dhe pjesë solo, por është një prej më të pëlqyerve të mi. Ne e kemi luajtur shpesh këtë pjesë, normalisht koreografia ka qenë pak më ndryshe, ndërsa sot e kemi sjellë saktësisht si version origjinal. Është hera e parë në Prishtinë. Mendoj se trupa ka shumë potencial, drejtori Sinani më tha se kjo është një ngjarje e madhe për ta, si diçka që e bëjnë për herë të parë, në këtë sallë që nuk është e duhura për një shfaqje të tillë, por janë munduar të bëjnë më të mirën sa i përket kësaj pjese”, ka thënë ai.
Kurse drejtori i Filharmonisë së Kosovës, Baki Jashari tha që gërshetimi i Baletit Kombëtar të Kosovës dhe Orkestrës së Filharmonisë së Kosovës paraqesin një moment historik për të realizuar veprën “Arrëthyesi”.
“Shënon një moment pothuajse historik në gërshetimin e dy institucioneve dhe realizimin një vepre madhore aspak të lehtë siç është “Arrëthyesi” i kompozicionit Çajkovski, një balet që realizohet në mbarë botën dhe që vjen për herë të parë para publikut tonë. Ishte një sfidë e jashtëzakonshme për Filharmoninë e Kosovës, një vepër me kërkesa të mëdha teknike, artistike dhe me kohëzgjatje” tha drejtori Jashari duke potencuar që premiera e mbrëmshme do të mbahet në mend, i cili edhe konsiderohet si gurthemel i bashkëpunimit të dy institucioneve, ngjashëm siç ndodh kudo në botë ku teatro të operës dhe baletit që realizojnë shfaqje, ku në të dyja rastet orkestra është ajo që i shoqëron.
Kurse Elikona Hysaj Shala, drejtoresha e Korit të Fëmijëve “Okarina” për pjesëmarrjen e fëmijëve të këtij kori në këtë projekt gjigand është shprehur të jetë shumë emocionuese, për faktin se fëmijët e korit “Okarina” do ta mbajnë në mend gjithë jetën se kanë qenë pjesë e këtij projekti kaq të rëndësishëm për baletin e Kosovës.
“Kori i Fëmijëve “Okarina” tashmë po merr pjesë pothuajse në të gjitha projektet më me rëndësi në vend, por pjesëmarrja në shfaqjen “Arrëthyesi” ka një rëndësi të madhe edhe për mua si udhëheqëse e korit, por edhe për fëmijët e korit, pasi që patën fatin të jenë pjesë e këtij projekti që ka gërshetuar kaq shumë institucione në një skenë”, ka thënë Hysaj Shala.
Edhe motrat Anna e Ninna Krasniqi, pjesë e korit të fëmijëve “Okarina” janë shprehur tejet të emocionuara për pjesëmarrjen e tyre në këtë shfaqje, të cilat shfaqjen “Arrëthyesi” e shpjeguan si shfaqjen me më shumë drita, ngjyra e kostume kaq të bukura.
Si solistë në shfaqje ishin: Princesha Sheqerkë- Marta Petkova & Mërgime Morina, Princi- Nikola Hadjitanev & Fatmir Sinani, Clara-Jeta Musolli, Drosselmeyer-Julind Dervishi & Fisnik Smani, Fritz-Muhamet Bikliqi, Arrëthyesi- Sead Buniqi & Isa Beg Gjocaj, Vallëzimi Arab- Leonora Rexhepi, Aulonë Nuhiu, Blerta Fanaj dhe Erza Limani, Kinezi- Muhamet Bikliqi, Vallëzimi Ukrainas-Sead Vuniqi, Kreshnik Musolli, Isa Beg Gjocaj, DonmirBilalli, Ilir Krasniqi, Mbreti i Minjëve-Ilir Krasniqi.
Përderisa pjesë e trupës së baletit janë: Aulonë Nuhiu, Behie Murtezi, Besarta Gashi, Donmir Bilalli, Drilon Podrimçaku, Elmedina Berisha, Fatmir Smani, Ilir Krasniqi, Jeta Musolli, Kreshnik Musolli Leonora Rexhepi, Liridon Mziu, Luljeta Ademi, Marigonë Hoxha Beha,Mërgime Morina, Muhamet Bikliqi, Nora Gashi Piraj, Sead Vuniqi, Vjollca Llugiqi, Teuta Krasniqi, Vlora Prizreni, Isa Beg Gjocaj, Erza Limani, Blerta Fanaj dhe Rigon Krasniqi.
Fëmijët të cilët morën pjesë në shfaqje ishin: Jana Përvetica, Erisa Ahmeti, Emy Rose Elshani, Dren Mustafa, Ami Gojani, Sira Rrahmani, Tiara Balaj, Alejna Prizreni dhe Ana Isufi.
Pjesë e stafit bazë me të cilin u realizua shfaqja ishin: Muzika: Pyotr Ilyich Tchaikovsky, Kostumografia:Elva Bella, Realizues i kostumeve: Shemsi Avdiu, Skenografia: Vesa Kraja, Asistent i koreografit:Rovena Shqevi, Fotograf Arben Llapashtica
Edhe sonte po vazhdon të jepet repriza e parë e shfaqjes “Arrëthyesi”, në sallën AMC./KultPlus.com
Balerinët e Baletit Kombëtar të Kosovës, nën direktivat e primabalerinit dhe koreografit shqiptar Ilir Kerni, po vazhdojnë provat e përditshme intensive për shfaqjen “Arrëthyesi”.
“Arrëthyesi”, një nga shfaqjet më të njohura të repertorit botëror klasik, shfaqet për herë të parë në Prishtinë.
Ky produksion i përmasave të jashtëzakonshme, vjen si rezultat i bashkëpunimit në mes të Baletit Kombëtar të Kosovës dhe Filharmonisë së Kosovës./KultPlus.com
Baleti Kombëtar i Kosovës ka filluar fazën e parë të projektit më ambicioz që BKK ka realizuar ndonjëherë.
Në Prishtinë do të vihet në skenë për herë të parë “Arrthyesi”, një nga shfaqjet më të famshme të repertorit botëror të baletit klasik.
Koreograf është primabalerini shqiptar me renome ndërkombëtare, Ilir Kerni (Nderi i Kombit).
Kjo vepër do të realizohet në bashkëpunim me Orkestrën e Filharmonisë së Kosovës, dhe siç e do zakoni do të shfaqet para publikut në dhjetor, afër festave të fundvitit. / KultPlus.com
Për herë të parë Trupa e Baletit do t’i ngjisë shkallët e skenës së festivalit “Fini Dance Festivale & Awards”, në New York.
Ditën e fundit të muajit gusht BKK-ja e ka rezervuar për Amerikën, ku nën koreografinë e Antonio Pio Fini dhe interpretimin e balerinëve të BKK, Aulonë Nuhiu dhe Fatmir Smani, publiku në New York, do të ketë mundësin të ndjek nga afër baletin “Shtegtimi”, shfaqje kjo e cila u dha si premierë në Itali muajin e kaluar.
Para kësaj performance Trupa e Baletit po ashtu do të shkojë në Graz të Austrisë për interpretimin e shfaqjes “Corror o Fado”./KultPlus.com
Së shpejti BKK në Austri për interpretimin e shfaqjes ‘Correr o Fado’.
Baleti Kombëtar i Kosovës do të udhëtojë në Graz të Austrisë.
Në Festivalin Ndërkombëtar “Bühnenwerkstatt International Tanzthetater Festival” të pranishëm do të jenë edhe Trupa e Baletit Kombëtar të Kosovës.
Balerinët nga Kosova do të performojnë ‘Corror o Fado’ nga koreografi Daniel Cardoso.
Shfaqja ‘Corror o Fado’ me koreografi nga portugezi Daniel Cardoso erdhi si premierë në Kosovë në bashkëpunim me BKK-në me 8 qershor të këtij viti./KultPlus.com
Baleti Kombëtar i Kosovës gjatë muajit korrik do të japë premierën e tretë për këtë vit. Shfaqja e titulluar “Shtegtimi”, do të jepet para publikut arbëresh në qytetet e Kalabrisë, San Benedetto, Villapiana dhe Altomonte në datat 13, 14 dhe 15 korrik. Kjo shfaqje është pjesë e Festivalit ndërkombëtar “Fini Dance Festival” dhe shënon edhe premierën e dytë që Baleti Kombëtar i Kosovës e jep në nivel ndërkombëtar, shkruan KultPlus.
Shfaqja “Shtegtimi” ka një tematikë të veçantë, migrimin, e kjo edhe do të shfaqet para publikut arbëresh, një popull ky që e ka ruajtur traditën e tyre shqiptare dhe i ka rezistuar dhe vazhdon t’i rezistojë kohës.
E kjo shfaqje vjen si bashkëpunim i Baletit Kombëtar të Kombëtar të Kosovës me koreografin arbëresh, Antonio Pio Fini. Përgjatë këtyre ditëve balerinët dhe koreografi kanë punuar bashkë për të përfeksionuar këtë shfaqje para premierës.
Shfaqja në vete prek motive arbëreshe ku përfshihen këngë të vjetra dhe të reja shqipe. Një moment i veçantë në shfaqje është përfshirja e këngës “Moj e bukura more”, një këngë arbëreshe që është një pjesë e rëndësishme e trashëgimisë kulturore të arbëreshëve. Përfshirja e këngëve të tjera shqiptare gjithashtu ka për qëllim të rrisë emocionin dhe të krijojë një lidhje të fortë me audiencën.
Drejtori i Baletit Kombëtar të Kosovës, Sinan Kajtazi, u shpreh për KultPlus se kjo është hera e dytë që BKK jep një premierë jashtë vendit dhe prapë në Itali, atje kur u prezantuan për herë të parë me një premierë në vitin 2014.
“Në festivalin ‘Fini Dance’, në këtë festival ndërkombëtar, kemi qenë të ftuar edhe në vitin 2013 me shfaqje jopremierë, me një shfaqje nga repertori ynë. Është një festival ndërkombëtar që mbahet në Kalabri të Italisë, në disa qytete dhe sigurisht se bashkëpunimin me koreografin Antonio Pio Fini i cili është po ashtu arbëresh e kemi ruajtur në vazhdimësi dhe e kemi kultivuar kështu që kemi ardhur prapë me ide që kësaj radhe të paraqitemi me një premierë edhe në vigjilje të 51-vjetorit të Baletit Kombëtar të Kosovës. Ndërkaq, me këtë premierë, Baleti Kombëtar i Kosovës është i ftuar i nderit i festivalit”, u shpreh Kajtazi duke shtuar më tutje se meqë koreografi ka prekur motive arbëreshe në këtë shfaqje, ai beson se do të ngjallë emocione tek audienca.
Më tutje, Kajtazi u shpreh se pavarësisht ngarkesave që Baleti Kombëtar i Kosovës i ka pasur, pasi së fundi e dhanë premierën e shfaqjes ‘Fado’, megjithatë, puna me koreografin ka sjellë një rezultat shumë të frytshëm.
“Ne sapo kemi përfunduar premierën e dytë ‘Fado’ dhe direkt kemi filluar punën për premierën e tretë ‘Shtegtimi’. Sigurisht se kjo agjendë e ngjeshur me premiera dhe prezantime ndërkombëtare është bukur një ngarkesë për balerinët tanë, marrë parasysh që baleti është art fizik, mirëpo përgjatë kësaj periudhe sa kanë punuar me koreografin Pio Fini, ka qenë një punë shumë e frytshme dhe praktikisht në një kohë ndoshta rekord kanë arritur që ta marrin të gjithë materialin”, tha mes tjerash Kajtazi duke shtuar se është një lloj para planifikimi që gjatë muajit tetor, kjo shfaqje të vijë edhe në Prishtinë.
Ndërkaq, koreografi Antonio Pio Fini, u shpreh i lumtur që është kthyer në Kosovë pas 10 vitesh dhe po punon më një trup balerinësh që i tani i sheh akoma më të rritur artistikisht.
“Kjo është mundësia ime e dytë që të punoj me Baletin Kombëtar të Kosovës, pas 10 viteve, dhe është e mrekullueshme të kthehem dhe të shoh se sa shumë ka ndryshuar qyteti dhe se si Baleti Kombëtar i Kosovës është rritur. Ne kemi shumë punë për të bërë në shumë pak kohë. Për herë të parë kur erdha këtu pasi zbulova rrënjët e mia arbëreshe, unë isha në 10 vite duke dëgjuar muzikë, dhe kjo punë e re quhet ‘Shtegtimi’, sikurse edhe zogjtë që fluturojnë në vende të tjera dhe është po ashtu edhe kur udhëton diku dhe e zbulon një kulturë të re por nuk e harron se nga vjen”, tha Pio Fini për KultPlus,
Më tutje, Pio Fini foli edhe për paraqitjet e balerinëve dhe kostumet e tyre, që sikurse edhe shfaqja e kanë një mesazh të veçantë.
“Balerinët do të jenë të veshur të gjithë në të bardha, sikurse një ëndërr, kurse pjesët që do t’i ngjiten veshjeve do të jenë shumëngjyrëshe. Kur fillova të punoj me Baletin Kombëtar të Kosovës, kisha disa ide, mirëpo shumë të tjera erdhën përgjatë punës”, tha koreografi Pio Fini, i cili më pas shtoi se qëllimisht janë ndërthurur edhe këngët e vjetra shqipe në mënyrë që kjo shfaqje të jetë akoma më emocionuese për audiencën arbëreshe.
E për fund ai shfrytëzoi rastin që të bëjë thirrje ndaj institucioneve të Kosovës, që të punojnë sa më shumë që Baletit Kombëtar dhe këtyre balerinëve t’ua mundësojë ndërtimin e një vendqëndrimi dhe infrastrukturë më të mirë të punës.
“Ata kanë nevojë për një shtëpi, Baleti Kombëtar i Kosovës ka nevojë për një shtëpi. Shpresoj që përmes kësaj interviste të ndihmoj edhe më shumë që të mundësohet një vendqëndrim për baletin e Kosovës, sepse ata po punojnë ne kushte të jashtëzakonshe”, përfundoi koreografi.
E për KultPlus foli edhe balerini Fatmir Smani, i cili shprehet i lumtur për realizimin e kësaj shfaqje dhe për bashkëpunimin me koreografin Antonio Pio Fini.
“Është një bashkëpunim shumë i mirë, marrë parasysh festivalin të cilin e zotëron koreografi Pio Fini në Kalabri. Kjo shfaqje është me temë shqiptare, pra e tregon pak ma shumë migrimin, këngët të cilat u janë kushtuar arbëreshëve dhe po besoj që atje do të mirëpritet shumë”, theksoi Smani për KultPlus.
Ndërkaq, balerina Aulonë Nuhiu e cila po ashtu vlerësoi lart bashkëpunimin me koreografin dhe asistenten e tij.
“Kemi filluar të punojmë për këtë shfaqje para 10 ditëve dhe është një kohë shumë e shpejtë me mbërri ta vëmë në skenë gjithë këtë lojë. Ka qenë një bashkëpunim shumë i mirë edhe me koreografin edhe me asistenten e tij dhe për këto dhjetë ditë jemi munduar që të jemi sa më efektivë dhe të japim maksimumin tonë që të mbërrijmë t’i japim lidhshmëri shfaqjes dhe të prezantohemi sa më mirë në Itali”, tha mes tjerash Nuhiu.
Ju rikujtojmë që Baleti Kombëtar i Kosovës do të shfaqet me premierën ‘Shtegtimi’ në kuadër të festivalit ‘Fini Dance Festival’më 13, 14, 15 korrik./KultPlus.com
Premierën e parë për vitin 2023, Baleti Kombëtar i Kosovës e dha mbrëmë me shfaqjen ‘Time’, e cila solli për herë të parë trupën e BKK-së në një stil komplet ndryshe, atë më modern e bashkëkohor.
Të sinkronizuar që nga veshja, lëvizjet e trupit e mimikat e fytyrës, me muzikën e lehtë në prapavijë që sa vinte e bëhej më dramatike, balerinët e Baletit Kombëtar të Kosovës, nën instruksionet e koreografit Taulant Shehu, arritën të pasqyrojnë jetën në raport me kohën, për të dëshmuar edhe njëherë atë që vallëzimi di të bëjë akoma më mirë se fjalët, shkruan KultPlus.
Ndonëse publiku kishte zënë çdo ulëse në amfiteatrin e Pallatit të Rinisë, çdo gjë u errësua dhe ndriçimi i vetëm ishin dritat e ngrohta të drejtuara në skenë, për të përcjellë çdo lëvizje të mirëmenduar të balerinëve.
Shfaqja u paraqit në dy formacione, në atë kur balerinët luanin të vetëm, në dyshe ose treshe, dhe në formacionin kur balerinët shfaqeshin të gjithë bashkë. E veçanta e “Time” është edhe hapësira që iu dha secilit prej balerinëve, ku të gjithë patën mundësi të kenë kohën e tyre të performancës, një moment kryesor, ashtu si çdo njeri që në jetë e ka momentin e vetë. Në fakt ky ishte edhe mesazhi i kësaj shfaqje, sepse “Time” është jeta, koha që jetojmë.
Pas shfaqjes, mes emocioneve, për KultPlus foli vetë koreografi Taulant Shehu i cili me ‘Time’ shënon premierën e tij të parë në Prishtinë.
“Jam shumë i lumtur që jam në Prishtinë sot, kemi bërë një bashkëpunim fantastik me Baletin e Kosovës, është bërë një punë fantastike. Kemi pesë javë që punojmë për premierën, katër javë është punuar me asistenten time, unë kam një javë që kam ardhur në Prishtinë”, thotë Shehu duke folur për shfaqjen.
“Unë isha shumë kurioz të dija se si reagon publiku i Prishtinës dhe Kosovës, sepse ky është një stil më ndryshe nga ajo që performon zakonisht baleti i Kosovës. Me sa e pashë u prit shumë mirë”, tha më tutje koreografi duke folur për pritjen që iu bë nga publiku në Prishtinë.
Pas shfaqjes për KultPlus foli edhe drejtori i BKK-së, Sinan Kajtazi i cili shprehet i lumtur që trupa e baletit pavarësisht mungesës së një shtëpie, u rikthye sërish me shfaqje pas paraqitjes së fundit më 9 tetor.
“Jam shumë i lumtur që pas datës 9 tetor të vitit të kaluar, kur e kemi pasë shfaqjen e fundit në kuadër të 50-vjetorit të Baletit Kombëtar të Kosovës, sonte u rikthyem prapë para publikut në Prishtinë. Sigurisht për ata që na kanë përcjellë prej së afërmi e dinë që ne jemi në një situatë të vështirë rreth hapësirave ku performojmë sepse ndërtesa e Teatrit Kombëtar është në rinovim dhe jemi adaptuar në amfiteatrin e Pallatit të Rinisë, në formën që e patë sonte dhe jam tejet i lumtur që publiku këtë bashkëpunim e priti në mënyrën më të mirë të mundshme”, tha Kajtazi duke shtuar më tutje që nuk ka pasur asnjë dyshim që kjo shfaqje do të ketë një sukses të madh duke e marrë parasysh angazhimin e balerinëve, koreografit dhe asistentëve.
Kjo shfaqje përveç që i parapriu sezonit të ri të Baletit Kombëtar të Kosovës, e vuri trupën e BKK-së në një stil më bashkëkohor e modern, stil ky deri diku më pak i njohur për këtë trupë. Mirëpo, pavarësisht vështirësive, balerina Aulonë Nuhiu u shpreh se arritën ta përvetësojnë shumë mirë, marrë parasysh edhe rëndësinë që ka tani në botë baleti modern e bashkëkohor.
“Ishte një bashkëpunim mjaft i mirë, jemi shumë falënderues ndaj koreografit, asistentes së tij me të cilën kemi punuar katër javët e parë e në javën e fundit edhe me koreografin dhe jemi munduar ta finalizojmë shfaqjen bashkë me të. Kanë qenë javë shumë të mira dhe me shumë disponim edhe ne e falënderojmë koreografin që ka sjellë tek ne një stil krejt ndryshe”, u shpreh Nuhiu.
Ndërkaq, paraqitje të suksesshme në shfaqjen ‘Time’, pati edhe balerini Isa Beg Gjocaj. Ai shprehet për KultPlus që pavarësisht të gjitha sfidave, me përkushtim dhe punë, arritën ta japin maksimumin e tyre.
“Fatmirësisht gjithçka deri në këtë pikë kanë shkuar shumë mirë, normalisht i kemi pasë këto sfidat e përditshme sepse siç dihet akoma ne si Balet Kombëtar i Kosovës nuk e kemi një shtëpi tonën, nuk i kemi kushtet kryesore që na duhen për me shfaq artin tonë, por duke i marrë parasysh të gjitha këto, në fund ja kemi dalë të japim maksimumin tonë”, tha mes tjerash Gjocaj.
Ju kujtojmë që në shfaqjen ‘Time’ performuan balerinët: Aulonë Nuhiu, Behie Murtezi, Donmir Bilalli, Fatmir Smani, Fisnik Smani, Isa Beg Gjocaj, Jeta Musolli, Kreshnik Musolli, Luljeta Ademi, MArigonë Hoxha Beha, Mërgime Morina, Mimoza Bytyqi, Muhamet Biklizi, Sead Vuniqi, Vjollca Llugiqi./ KultPlus.com
Baleti Kombëtar i Kosovës, ka filluar provat për premierën e parë për vitin 2023, përcjell KultPlus.
“Time” titullohet shfaqja e cila vjen me koroegrafi nga koroegrafi dhe kërcimtari i njohur shqiptar, Taulant Shehu.
Në fotot e publikuara nga faqja zyrtare e Baletit Kombëtar, shihen balerinët gjatë provave të shfaqjes “Time”, së bashku me asistenten e koroegrafit, Diletta Antolini.
Sipas njoftimit, premiera do të shfaqet më datë 19 mars. / KultPlus.com
Në kuadër të 15 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, Baleti Kombëtar i Kosovës, do të interpretoj në dy qytete të Kosovës.
Më datë 15 shkurt luhet shfaqja “Sisters” me koreografi nga Mehmet Balkan në “Teatrin e Qytetit” në Gjilan, duke filluar nga ora 20:00.
Ngjarja tjetër mbahet më 18 shkurt. Është pikërisht shfaqja “Exil” me koreografi nga Eno Peçi që do të luhet në shtëpinë e Kulturës “Isa Kastrati” në Kamenicë me fillim nga ora 19:00. / KultPlus.com
Baleti Kombëtar i Kosovës, ka përmbyllur sot bashkëpunimin tre javorë me mjeshtrin e baletit, Vladimir Shuvalov, përcjell KultPlus.
Shyvalov i lindur dhe shkolluar në Kiev të Ukrainës, i cili prej vitesh jeton dhe vepron në Kroaci, ka lënë vulën e vet tek shumë trupa dhe balerinë nëpër botë, të cilët kanë pasur fatin të marrin mësime nga maestro Shuvalov.
Baleti Kombëtar i Kosovës, ndër vite ka zhvilluar bashkëpunime me artistë me renome, të cilët kanë zbarkuar në Prishtinë për të dhënë kontributin e tyre të çmuar në funksion të BKK dhe balerinëve. / KultPlus.com
Drejtori i Baletit Kombëtar të Kosovës, Sinan Kajtazi, i shoqëruar nga Marsel Çollaku, njëri nga balerinët e gjeneratës së parë të balerinëve që kanë diplomuar në vitin 1972, ka vizituar sot në Shkup, ish-Drejtoreshën e Shkollës së Baletit në vitet 1968 – 1972, Tatjana Petkovska, për nder të 50 vjetorit të themelimit të BKK, për t’i shprehur mirënjohje për punën dhe mbështetjen e jashtëzakonshme që ka ofruar për edukimin e brezit të parë të balerinëve të Baletit Kombëtar të Kosovës, përcjell KultPlus.
Tatjana Petkovska ka qenë Drejtoreshë e Shkollës së Baletit në qytetin e Shkupit, kur gjenerata e parë e balerinëve të Kosovës, nga viti 1968 deri në 1972, u shkolluan në fushën e baletit, për çka, Petkovska dha kontribut të jashtëzakonshëm.
Petkovska, për arsye shëndetësore, nuk e kishte të mundur të jetë e pranishme në Prishtinë, në dt 09.10.2022, kur edhe u festua 50 vjetori i Baletit Kombëtar të Kosovës, por kontributi i saj i çmuar nuk u harrua, përkundrazi mbetet pjesë e historisë së nismës për të patur një institucion si Baleti Kombëtar. / KultPlus.com
Me rastin e 50 vjetorit të Baletit Kombëtar të Kosovës, BKK-ja ka falënderuar të gjithë të pranishmit për prezencën e tyre në këtë datë të rëndësishme, përcjell KultPlus.
Më poshtë gjeni postimin e tyre të plotë:
Falënderim e mirënjohje për të gjithë ata që ishin të pranishëm në shënimin e 50 vjetorit të themelimit të Baletit Kombëtar të Kosovës.
Kjo datë e rëndësisë së veçantë për institucionin e BKK, u bë edhe më madhështore me praninë e një numri jashtëzakonisht të madh art-dashësish dhe dashamirësh të Baletit Kombëtar të Kosovës.
Falënderim e mirënjohje për të gjithë ata që në forma të ndryshme kontribuuan që Baleti Kombëtar i Kosovës, të festoj ditëlindjen e 50të.
Respekt e mirënjohje për:
– Balerinin dhe ish-Drejtorin e Baletit Kombëtar të Kosovës, z.Ahmet Brahimaj
– Gjeneratën e parë të balerinëve të Kosovës, që ishin themeltarë të baletit në Kosovë.
– Gjeneratën e re të balerinëve të Baletit Kombëtar të Kosovës, të cilët me punë e përkushtim, kanë arritur të shkëlqejnë në skenat vendore e ndërkombëtare.
– Koreografët dhe asistent-koregrafët, të cilët me kreativitetin e tyre, kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në skenën kulturore të vendit tonë.
– Kostumografëve, skenografëve, fotografëve dhe dizajnerëve të cilët e kanë pasuruar çdo shfaqje të Baletit Kombëtar të Kosovës, me kreativitetin e tyre.
– Stafin teknik-artistik, të cilët me punë e përkushtim kanë dhënë kontributin e tyre për shfaqjet e BKK në këto 50 vite.
Falënderim të posaçëm për:
Alisa Gjonin, e cila morri përsipër pjesën artistike të kësaj nate dhe vënien në skenë të baletit të parë shqiptarë “Halili dhe Hajria”
Orkestrën e Filharmonisë së Kosovës, Drejtorin e këtij Institucion z.Baki Jashari dhe organizatorin Dardan Noka, të cilët i dhanë përmasa spektakulare 50 vjetorit të BKK.
Dirigjentin Gridi Kraja, i cili me mjeshtri udhëhoqi orkestrën dhe balerinët në skenë, për të funksionuar në formë unike.
Teatrin e Operës dhe Baletit të Shqipërisë, përkatësisht balerinët e TOB, të cilët pasuruan shfaqjen “Halili dhe Hajria” me prezencën e tyre. Drejtoreshën e TOB znj.Abigeila Voshtina, për bashkëpunimin e treguar për këtë ngjarje.
9 tetori shënon themelimin e Baletit Kombëtar të Kosovës, shkruan KultPlus.
Trupa e parë e Baletit të Kosovës u formua në vitin 1972. Valltarët e baletit nga ky brez u arsimuan në Shkollën e Mesme të Baletit në Shkup nën udhëheqjen e drejtorit Tatjana Petkovska. Njëzetepesë kërcimtarë nga Kosova u diplomuan nga shkolla – 19 meshkuj dhe 6 femra.
Pas përfundimit me sukses të shkollimit të tyre, shumica e kërcimtarëve u kthyen në Prishtinë. Baleti i Kosovës u formua në kuadër të Teatrit Kombëtar të Kosovës. Anëtarët e parë të baletit ishin: Ahmet Brahimaj, Rrustem Selca Nikçi Elez, shqip Hoxha, Asma Mulla, Selajdin Kice, Gani Loshi Jonuz Beqiraj, Hysen Podrimçaku, Rustem Bajrami, Rrustem Metaj, Isa Bajraktari, Gani Shala, Skender Domniku, Shaban Shabanaj , dhe Enver Berisha. Abdurrahman Nokshiqi u emërua drejtor. Më vonë, 5 balerinë femra nga Shkupi u bashkua me trupën (Nexhmije Meha Selca, Sabrije Spahiu Shkreli), si dhe dy balerinë të Kosovës (Enver Elshani dhe Jashar Berisha).
Për shkak të mungesës së valltarëve të baletit, Baleti i Kosovës gëzonte shumë artistë të ftuar nga e gjithë bota, si Anglia: Vanda Ibra, Suzan Lejk dhe Xhoana Xhenkins; Poloni: Joana Andziak, Lidija Tomashevska dhe Ana Stavnjak; Rumani: Lilana Benudau; Beograd: Vjollca Curri dhe nga Filipinet: Marja Bertlan.
Sot do të mbahet një ceremoni për të përkujtuar këtë ngjarje jubilare. Ceremonia fillon nga ora 19:00 në sallën e sportit ‘1 Tetori’ në Prishtinë./ KultPlus.com
Ndër më meritorët për sukseset e Baletit Kombëtar të Kosovës, pa dyshim janë koreografët me të cilët BKK ka realizuar krijime të jashtëzakonshme koreografike.
Me kreativitetin e tyre, këta koreografë u bënë pjesë e rëndësishme e krijimtarisë artistike të Baletit Kombëtar të Kosovës.
BKK ka kujtuar ndër të tjera emra si: Sylvia Tomova, Sergey Arendar, Konstanin Uralsky, Artan Ibërshimi etj.
“Në vigjilje të 50 vjetorit të Baletit Kombëtar të Kosovës, kujtojmë dhe falënderojmë të gjithë ata të cilët përmes përkushtimit e punës së tyre, lanë gjurmët të pashlyeshme përgjatë 50 viteve të ekzistencës së Baletit Kombëtar të Kosovës. Baleti Kombëtar i Kosovës, do të jetë falënderues përgjithmonë ndaj jush!”, thuhet në postimin e BKK-së.
Trupa e Baletit Kombëtar të Kosovës tashmë ka depërtuar në skenën kulturore ndërkombëtare duke mahnitur me çdo shfaqje të realizuar me mjeshtëri.
Në prag të shënimit të 50 vjetorit të Baletit Kombëtar të Kosovës, deri më tani janë përkujtuar: Ahmet Brahimaj, Abdurrahman Nokshiqi, Elez Nikçi dhe Esma Mulla, shkruan KultPlus.
Në vigjilje të 50 vjetorit të Baletit Kombëtar të Kosovës, kujtojmë dhe falënderojmë të gjithë ata cilët përmes përkushtimit e punës së tyre, lanë gjurmët të pashlyeshme përgjatë 50 viteve të ekzistencës së Baletit Kombëtar të Kosovës.
Baleti Kombëtar i Kosovës, do të jetë falënderues përgjithmonë ndaj jush!
Artist i Merituar” në vitin 1972 si Ansambli i Baletit.
Ikona legjendare Ahmet Brahimaj shërbeu si Drejtor i Baletit Kombëtar të Kosovës me shumë përkushtim dhe me dashuri, duke lënë pas një trashëgimi madhështore kulturore për Kosovën dhe për gjeneratat në vijim.
Gjenerata e Parë e Baletit të Kosovës përbëhej nga: Ahmet Bahimaj, Abdurrahman Nokshiqi, Gani Loshi, Jonuz Beqiraj, Elez Nikqi, Rrustem Selca, Selajdin Kiqe, Rrustem Bajrami, Hysen Podrimcaku, Esma Mulla, Shqipe Hoxha, Enver Berisha, Shaban Shabanaj, Isa Bajraktari, Gani Shala, Enver Elshani, Sabrije Spahiu, Jashar Berisha dhe Nexhmije Selca. Ato njihen për realizimin e produksioneve me sukses si: “Sokol & Mirusha”, “Halili & Hajria”, “Bolero”, “Legjenda mbi ngadhnjimin”, “Romeo and Juliet”, “Kënga e Rexhës”, “Besa”, “Don Quixote”, “Fyelltari”, “E bukura More”, etj.
Identiteti kombëtar i baletit kosovar vazhdon të forcohet dhe prezantohet me dinjitet në mbarë botën nga trupa e baletit, falë përkushtimit dhe punës së balerinëve të përkryer të Baletit Kombëtar të Kosovës, përkatësisht: Aulonë Nuhiu, Abetare Hyseni, Behie Murtezi, Drilon Podrimçaku, Fatmir Smani, Fisnik Smani, Ilir Krasniqi, Jeta Musolli, Kreshnik Musolli, Liridon Mziu, Leonora Rexhepi, Luljeta Ademi, Muhamet Bikliqi, Marigonë Hoxha, Mimoza Bytyqi, Sinan Kajtazi, Nora Gashi, Sead Vuniqi, Vlora Prizreni, Teuta Krasniqi, Vjollca Lugiqi, Besarta Shaljani, Flakarta Qorri, Elmedina Berisha dhe Isa Beg Gjocaj.
Artistët e Baletit Kombëtar të Kosovës kanë krijuar dhe mishëruar personazhe fantastike në rolet e tyre interpretuese, duke krijuar një karakter masiv për imazhin e baletit dhe duke e pasuruar atë me forma dhe stile të reja. Ndër vite, balerinët kombëtarë të Kosovës kanë dhuruar performanca të jashtëzakonshme, që kanë mahnitur dhe entuziazmuar publikun./ KultPlus.com