BKK shpalos premierën “Deadline”, në hap me ritmin e ethshëm të shtypit, pushtetit dhe përndjekjes

Era Berisha
Fotografitë: Qëndrim Morina

“Deadline”, titullohet baleti bashkëkohor nga koreografi Sead Vuniqi, që mbrëmë audiencën e Ateliesë në Pallatin e Rinisë dhe Sportit e dërgoi brenda vorbullës së perfeksionit. Ka qenë një botë magjepsëse që rrallëherë vjen e trajtuar në këtë formë. Balerinët e Baletit Kombëtar të Kosovës kanë shpalosur historitë e një redaksie gazete e cila ka qenë në kulmin e epokës së artë të shtypit rreth viteve 1920 në një metropol evropian, shkruan KultPlus.

Pak para se ora të shënonte 20:00, të pranishmit pritnin jashtë sallës në të cilën pas murit sipër ishte e kapur një fletëz e gjatë që vazhdonte gjerë në hyrje të sallës brenda, porsi një gazetë e letrës që shpaloset lehtë. Me mbishkrime si “Rilindja 1945”, tregoheshin fakte të asaj kohe që ishin të mbledhura në fletën e bardhë. Kjo atmosferë i mirëpriti të pranishmit që u ulën në vendet përkatëse dhe mbushën sallën plot.

Një mjegull drite në ngjyrë ari qe piktura që priste për ringjallje në prapaskenë. Reflektorët u gjallëruan fiks në orën 20:16, duke paraqitur kështu në skenë gjithsej tetë tavolina pas të cilave ishin të ngjitura tetë makina shkrimi. Tavolinat ishin lëvizëse dhe lëvizja sipër tyre apo rreth tyre është kufizuese por kjo nuk vlente aspak në rastin e mbrëmshëm. Figurat e balerinëve nisën lojën me akte aktrimi dhe eleganca e tyre ishte mbresëlënëse. Ata lëviznin si boja ngjyrë zezë sipër letrës së bardhë. Ajri në atmosferë të jepte ndjesinë e një urgjence, një tensioni që të shtynte të lëvizje këmbën vetë. Pëshpëritjet e lajmeve të fundit, shushurima e faqeve në tokë që binin nga makina e shkrimit dhe shikimet e shkëmbyera portretizonin garën me kohën dhe shpalosnin pasojat që vijnë kur ky afat nuk respektohet.

Pos tetë tavolinave, ishte një tavolinë e drurit ajo kryesorja në të cilën portretizoheshin mbledhjet kryesore. Trupat e balerinëve lëkundeshin si pikëpyetje, si pikëçuditëse, si presjet e mendimit të ndërprerë. Secili balerin ishte një gazetar, i pasionuar pas arritjes, secila balerinë – poete e kohës. Kostumet e tyre në anën tjetër, i jepnin një hijeshi të paparë lojës. Tregonin seriozitet, ashpërsi, autoritet, por në fund të fundit, ishin pikërisht trupat e tyre që tradhëtonin. Gjymtyrët e gjatë, të hollë e të trashë, shkrepnin fotografi lëvizjesh nga çasti në çast. Balerinët e BKK-së rikthyen pulsin tashmë të pangopshëm për audiencën e Prishtinës. Fuqia e tyre jepte ndjesi lakmitare.

Koreografi i këtij baleti, Sead Vuniqi, i cili njashtu është balerin i Baletit Kombëtar të Kosovës, ka shpalosur një gjuhe lëvizjeje dinamike dhe ekspresive duke pasqyruar energjinë dhe përkushtimin e këtij mjedisi të gjallë, ku bashkëpunojnë gazetarë dhe fotoreporterë, gazetarë të rinj, një magnat i shtypit, punëtorë, stenografistë dhe sekretare.

Baleti “Deadline” trajtoi vështirësitë e kohës së viteve 1930-1940 në krahasim me realitetin e sotëm. Në atë periudhë, gazetat ishin një pjesë thelbësore e jetës së qytetit, ndërsa sot ato janë në zhdukje. “Deadline” është një term që e përcakton qartë ritmin e shfaqjes dhe ndjesinë e urgjencës që ndiejnë personazhet. Harqet e balerinëve patjetër që kanë shpuar audiencën me precizitetin dhe ndjenjën e ankthit.

Nga secili qosh, hijet e tyre qëndronin si vëzhgues të heshtur, redaktorë skeptikë, fantazma të historive të kaluara, të mbetura, të patreguara. Dritat e vëmendjes herë binin në tërësi, herë fokusoheshin në dy apo katër balerinë, varësisht kombinimeve dhe akteve performuese. Baleti Kombëtar i Kosovës kësaj here ka frymuar më ndryshe. Me “Deadline”, ata vulosën aftësinë e vallëzimit kontemporan, një frymë që sa vjen e shtohet akoma më shumë. Ndriçimi i ulët që i ngjasonte dritës së llambës ishte pika kryesore nëpërmjet së cilës dalloheshin lëvizjet e kyçeve të dorës dhe këmbëve. Dalloheshin edhe kthesat më të imëta. Balerinët e BKK-së shpërfaqën britmat e heshtura të atyre që luftojnë për t’u dëgjuar. Në atë redaksi të artë, historia nuk shkruhej – kërcehej.

Koreografi Sead Vuniqi në një prononcim për KultPlus ka treguar se është ndarë i kënaqur me suksesin e baletit “Deadline”.

“Jam jashtëzakonisht i lumtur dhe krenar për suksesin e mbrëmshëm të baletit Deadline. Ishte një natë magjike, ku BKK arriti të sjellë një performancë në nivelin më të lartë të mundshëm. Publiku u përfshi dhe u magjeps nga dinamika, intensiteti dhe estetika e kësaj shfaqjeje, duke përjetuar çdo moment me emocion dhe kuriozitet. Për mua, ka qenë një privilegj i madh të kem mundësinë të krijoj këtë shfaqje, dhe për këtë falënderoj drejtorin e BKK-së, Sinan Kajtazi, i cili më dha hapësirën dhe besimin për ta realizuar këtë projekt. Gjithashtu, mirënjohja ime më e thellë shkon për të gjithë balerinët, të cilët me përkushtim dhe profesionalizëm e sollën këtë vepër në jetë”, thotë Vuniqi.

Ai tutje ka falënderuar ekipin krijues: asistentja Diletta Antoni, për mbështetjen dhe kontributin e saj të çmuar, kompozitorin Phil Von, i cili me muzikën e tij i dha shfaqjes një dimension të thellë emocional, dramaturgen Eva Wagner, për qasjen e saj artistike dhe ndihmën në ndërtimin e strukturës dramaturgjike, kostumografen Elva Bela, për krijimin e një identiteti vizual të fuqishëm përmes kostumeve, skenografin Berat Hansi, për ndërtimin e një hapësire skenike që i dha jetë atmosferës së shfaqjes.

Po ashtu, balerini Fatmir Smani për KultPlus ka thënë se shfaqja është realizuar për një kohë rreth 4 javë.

“Shfaqja Deadline është projekti i fundit i përgatitur nga kolegu Sead Vuniqi. Kjo shfaqje është realizuar për një kohë rreth 4 javë. Bashkëpunimi me Seadin ka qenë tejet i mirë, duke e pasur parasysh që edhe në muajt e kaluar kemi pas mundësinë të bashkëpunojmë në projektet Terminal dhe Hope. Seadi si koreograf është mjaft kërkues dhe kjo e ka bërë që shfaqja të përthekohet në maksimum ku dhe rezultati u pa në premierë pasi që publiku e priti mjaft mirë. Poashtu asistentja Dileta e ka bërë një punë të mrekullueshme. Mesazhi i shfaqjes ka qenë i fokusuar tek krahasimi i gazetarisë në kohërat e vjetra dhe në të tashmen ku lajmi dhe oraret për të depërtuar ka qenë mjaft i vështirë dhe ka marr shumë kohë ndërsa sot gjithçka bëhet virale shumë shpejt”, thotë Smani.

Po ashtu, Isa Gjocaj, balerini i ri i cili tashmë është pjesë e përhershme e institucionit të BKK, dhe i cili pati një paraqitje dukshëm të bukur, për KultPlus ka thënë se periudha gjashtë javore e provave ka qenë mjaft intensive dhe po aq sfiduese.

“Si zakonisht, kemi pas problemet me te cilat ballafaqohemi për një kohë të gjatë tani siç janë mungesa e sallës së ushtrimeve dhe një vendi adekuat si teatri për shfaqjen e projekteve tona, si rrjedhim i të cilave hasim në probleme tjera si orari dhe koha e shkurtër për përgatitjen e shfaqjeve. Por e gjithë trupa bashkë me koreografin, asistenten e tij dhe pjesën tjetër të ekipit teknik kemi punuar me pasion dhe përkushtim maksimal për një rezultat sa më të mirë. Puna me Seadin është gjithmonë shumë e veçantë dhe produktive. Seadi është një krijues dhe koreograf shumë i talentuar, dhe besoj se kjo ka dal në pah përmes kësaj shfaqjeje”, thotë Gjocaj.

Sipas tij, “Deadline” ka sjellë një koncept unik në dallim me shfaqjet e tjera, duke e vendosur historinë në atmosferën e një redaksie të gazetës së viteve 1920-30.

“Thelbi ka qenë tek pasqyrimi i përkushtimit dhe pasionit të atyre që punojnë në industrinë e shtypit, duke sjellë në skenë sfidat, rivalitetet, intrigat dhe bashkëpunimin mes gazetareve, fotoreportereve, dhe stafit mbështetës, duke na rikujtuar rëndësinë e gazetarisë në shoqëri. Përmes lëvizjeve tona ritmike dhe lidhjes së personazheve, shpresojmë ta përçojmë idenë dhe konceptin tek publiku”, ka thënë ai.

Sonte, po ashtu është luajtur repriza e parë e “Deadline” në Sallën e Ateliesë në Pallatin e Rinisë dhe Sportit./ KultPlus.com


Premiera “Deadline” nga Baleti Kombëtar i Kosovës shpalos kulmin e epokës së artë të shtypit me prapaskenat urgjente

Era Berisha

Baleti Kombëtar i Kosovës, një institucion që krijon artin e pakrahasueshëm të vallëzimit, së shpejti do të dhurojë premierën e radhës për këtë vit, “Deadline”. Brenda katër mureve të heshtjes kolektive, mblidhen balerinët të cilët i bëjnë ballë kohës dhe njëkohësisht i japin formë asaj. Muzika që hyn brenda shpirtit të tyre rreh vrazhdë si daullet që kërcasin me njëra-tjetrën. Balerinët shpalosin çdo herë një histori të pathënë, kreative dhe secila lëvizje e tyre simbolizon një kambanë për shikuesit. Të njëjtin rast do e gjejmë edhe brenda koreografisë së “Deadline” që po krijohet mjeshtërisht nga balerini Sead Vuniqi, shkruan KultPlus.

“Deadline”, koreografit Vuniqi, i ka ardhur si ide para shumë vitesh, duke reflektuar se sa shumë punë dhe presion ekziston për të sjellë lajmin te qytetarët dhe garën mes redaksive për të qenë më të lexuarat në vend. Njëkohësisht, shfaqja trajton vështirësitë e kohës së viteve 1930-1940 në krahasim me realitetin e sotëm. Në atë periudhë, gazetat ishin një pjesë thelbësore e jetës së qytetit, ndërsa sot ato janë në zhdukje. Në vendin tonë nuk ka më shtyp të gazetave si dikur, dhe kjo e ka bërë këtë temë për koreografin Vuniqi të rëndësishme për t’u trajtuar.

Titulli “Deadline” vjen si një metaforë për presionin, garën me kohën dhe për pasojat që vijnë kur ky afat nuk respektohet. Është një term që e përcakton qartë ritmin e shfaqjes dhe ndjesinë e urgjencës që ndiejnë personazhet. Dhe harqet e balerinëve besohet se do të shpojnë audiencën me precizitetin, ndjenjën e ankthit dhe veçantinë që e kanë. Trupat e tyre do të flasin nga një frymëmarrje në tjetër dhe ekuilibri i tyre do të shpalosë përherë një pyetje, një mendim dhe po ashtu nuk do mungojnë as shpalosjet e prapaskenave brenda gazetave në vend dhe kudo.

Koreografi Sead Vuniqi në një intervistë për KultPlus ka treguar se provat kanë filluar qysh më 10 shkurt me punë intensive, dhe gjithçka po shkon siç e kanë planifikuar. Ai uron që deri më 20 mars trupa të jetë gati para publikut për të sjellë diçka unike.

“’Deadline’ sjell tension, presion dhe emocion. Jo gjithmonë duhet të shkruhet vetëm për skandale, por ndonjëherë edhe për gjëra emocionale. Kjo reflektohet në mënyrën si zhvillohet historia brenda shfaqjes. Shfaqja përcjell emocione të forta duke treguar sakrificën dhe punën që bëjnë të gjithë brenda redaksisë. Përtej presionit dhe ritmit të shpejtë, ajo synon të tregojë përkushtimin e gazetarëve dhe përpjekjet e tyre për të sjellë të vërtetën”, ka thënë Vuniqi për KultPlus.

Qasja e Vuniqit ndaj koreografisë është e ndërtuar mbi një strukturë të ngjashme me një lojë matematikore – një rrjedhë e vazhdueshme, ku çdo skenë është e ndërlidhur me tjetrën në mënyrë precize. Ai ka eksploruar lëvizje që reflektojnë ngutjen, përplasjen dhe fragmentimin e vëmendjes, duke përdorur tavolina dhe karrige si pjesë organike të gjuhës koreografike.

“Shfaqja ka lëvizje të stilit bashkëkohor dhe mes neoklasikes, duke krijuar një ndërlidhje mes dinamikës së gazetarisë dhe shprehjes përmes trupit”, thotë ai.

Në anën tjetër, muzika nga Phil Von konsiderohet si një përzierje mes kohërave. Pra, përdoren pjesë të rikompozuara nga xhazi, tango dhe muzika e viteve 1930, të ndërthurura me tinguj bashkëkohorë për të krijuar një atmosferë që lëviz mes të shkuarës dhe së tashmes.

“Dua që publiku të ndiejë ritmin e shpejtë dhe presionin e vazhdueshëm, por edhe të vërejë lëvizjet e balerinëve që ndryshojnë herë pas here. Shfaqja ka një ndërthurje interesante mes pjesëve, duke krijuar një rrjedhë që e mban audiencën të angazhuar. Shfaqja ka shumë nuanca që flasin për kohën e viteve 1930, si nëpërmjet kostumeve që i referohen asaj periudhe, ashtu edhe në skenografi, e cila i kushtohet po asaj kohe. Do të ketë karrige lëvizëse, makina shkrimi të asaj periudhe dhe një estetikë që përpiqet të sjellë ndjesinë e një redaksie të asaj kohe. Lëvizjet po ashtu janë krijuar duke ruajtur frymën e asaj epoke, ndërsa ndërthuren me qasjen bashkëkohore”, shpalos Vuniqi për KultPlus.

Më 4 shkurt është dhënë premiera e shfaqjes “Hope” e para e BKK-së për këtë vit, dhe “Deadline” tashmë është shfaqja e dytë premierë. Koreografinë për dy shfaqjet e ka krijuar vetë Vuniqi, i cili thotë se “Hope” ka qenë një projekt shumë personal dhe emocional, që i erdhi nga nevoja për të shprehur një mesazh mbi luftën me sëmundjet dhe forcën njerëzore.

“Si pjesë e trupës, unë gjithmonë kërkoj të sjell diçka që jo vetëm sfidon kërcimtarët, por që gjithashtu ka një peshë emocionale dhe intelektuale për publikun. Inspirimi për një balet të ri shpesh vjen nga një ndjesi e fortë ose një temë që ndihem i detyruar ta eksploroj”, përfundon ai.

“Deadline”, një balet bashkëkohor nga koreografi Sead Vuniqi, na çon në botën magjepsëse të një redaksie gazete në kulmin e epokës së artë të shtypit – vitet 1920 në një metropol evropian. Përmes një gjuhe lëvizjeje dinamike dhe ekspresive, shfaqja pasqyron energjinë dhe përkushtimin e këtij mjedisi të gjallë, ku bashkëpunojnë gazetarë dhe fotoreporterë, gazetarë të rinj, një magnat i shtypit, punëtorë, stenografistë dhe sekretare.

Premiera e shfaqjes do të epet më 20 mars në sallën e Ateliesë, në Pallatin e Rinisë dhe Sportit, duke filluar nga ora 20:00.

Repriza e parë epët një ditë më vonë, më 21 mars./ KultPlus.com

Baleti Kombëtar i Kosovës do të performojë në Berlin të Gjermanisë

Baleti Kombëtar i Kosovës, ka njoftuar se më 4 dhe 5 janar të vitit 2025, do të performojë në Berlin të Gjermanisë.

“Baleti Kombëtar i Kosovës, më 4 dhe 5 janar 2025, me ftesë nga festivali “Raven”, do të performojë në Berlin, Gjermani, me shfaqjen “Rebounds A. Basketballet” nën koreografinë e Friederike Lampert”, thuhet në njoftim.

Shfaqjet e BKK në Berlin do të mbahen në teatrin Theater HAU1 – Hebbel Theater./KultPlus.com

Një magji e përjetshme: Udhëtimi unik i “Arrëthyesi-t” nën peizazhin e Baletit Kombëtar të Kosovës

Era Berisha

Fotografitë: Enes Sahiti

Interpretuar në dy akte, nën meloditë e muzikës së Pyotr Ilyich Tchaikosvky, baleti “Arrëthyesi” erdhi i bazuar mbi historinë “Arrëthyesi dhe Mbreti i Minjve” nga E.T.A. Hoffmann, mbrëmë brenda sallës AMC. Baleti Kombëtar i Kosovës, Orkestra e Operës së Kosovës dhe Kori i fëmijëve “Okarina” arritën të krijojnë një natë magjike ku u shpalos këndshëm një nga kryeveprat më të dashura të repertorit klasik botëror. Ky balet tashmë është jetësuar për të dytën herë për artdashësit e shumtë dhe duket qartazi që do vazhdojë si traditë vjetore, shkruan KultPlus. 

Para se mbrëmja të gjente pikënisjen e vetë, të pranishmit dalëngadalë po zinin vendet e tyre të rezervuara përballë skenës. Skena gjigante nën kujdesin e Ceren Incedursun, ishte e përshtatur për të rrëfyer historinë e baletit “Arrëthyesi”, një kryevepër e njohur dhe e dashur në mbarë botën për aftësinë e tij për të transportuar audiencën në një botë magjepsjeje, gëzimi dhe nostalgjie. Tërheqja e tij e qëndrueshme buron nga një përzierje e përsosur e muzikës, tregimit dhe kërcimit, secila duke kontribuar në hijeshinë e saj të përjetshme. 

Historia e baletit – një udhëtim nga pafajësia e fëmijërisë në sferat fantastike të imagjinatës – rezonoi universalisht. Ka ftuar audiencën të ëndërrojë duke rijetuar frikën dhe mrekullinë e zbulimit të një bote ku lodrat marrin jetë, lulet e borës kërcejnë në harmoni dhe ëmbëlsirat performojnë në festë. Kjo temë mahnitëse, e kombinuar me mjedisin e festave, e bëri “Arrëthyesin” një traditë bazë për familjet në mbarë botën. Vizualisht, “Arrëthyesi” është një festë për sytë. Skenat dhe kostumet luksoze shndërrohen në sfera magjike brenda Mbretërisë së Embëlsirave.

Ishte një pamje e bukur që të krijonte ndjesi të paparashikueshme. Skena qe e veshur me perde në ngjyrë të kuqe, teksa ekrani prapa gjatë aktit të parë shfaqte rënien e borës në mënyrë brilante. Një bredh i vitit të ri me disa dhurata poshtë tij, ishte epiqendra kryesore mbi të cilën rrethoheshin plotë balerinë e bashkë me ta edhe një tregim. Balerinat e vogla në anën tjetër, i dhanë hijeshi skenës teksa këmbët e tyre të vogla kur lëviznin, portretizonin mu atë ndjenjën e ngrohtë të shikuesve të ulur prapa tyre.  

Orkestra e Operës së Kosovës në krye kishte dirigjentin Renato Balsadonna dhe asistent dirigjentët, Lirjona Sylejmani dhe Edon Ramdani, të cilët shkëlqyen ta drejtonin orkestrën deri në perfeksion. Instrumentistët në anën tjetër dhanë gjithçka nga vetja. Orkestra nuk qe vetëm një sfond i baletit – por vetë shpirti i tregimit, duke frymëzuar emocione dhe atmosferë në çdo moment. Ata krijuan një vend të çudirave dëgjimore ku çdo instrument u bë një personazh më vete. Telat shkëlqyen si ngrica e parë në një mëngjes dimri, meloditë e tyre i ngrenë lëvizjet e balerinëve në lartësitë qiellore. Së bashku, orkestra dhe balerinët u sinkronizuan në mënyrë perfekte, si dy copëza të një frymëmarrjeje të vetme.

Instrumentistët pikturuan të padukshmen – valëvitjen e borës, vezullimin e dritës së yjeve, shushurimën e ëmbëlsirave të pirueteve në Mbretërinë e Ëmbëlsirave, ndërsa balerinët u dhanë formë të qëndrueshme atyre vizioneve. Çdo notë e shtyu historinë tutje, duke vendosur tonin për skenat e trilleve, rrezikut dhe triumfit. Muzika ka fuqinë të transformojë gjithçka, duke ndezur një magji që zgjat vazhdimisht, dhe këtë e ka krijuar mbrëmë Orkestra e Operës së Kosovës. Muzika ka rezonuar përtej veshit, deri në zemër.  

Me muzikën brilante nga Tchaikovsky dhe koreografinë klasike nga Ilir Kerni (sipas Marius Petipa, Lev Ivanov), u përçua një elegancë e festave, një vepër që na transportoi në një botë magjike ëndrrash që mori jetë nga çasti në çast. Ky balet qe një simbol i festimeve dimërore dhe një moment i përkryer për të përjetuar artin në gjithë madhështinë e tij. Gjithashtu, ato që erdhën si një simfoni ngjyrash, teksture dhe imagjinate, ishin kostumet e krijuara nga Elva Bella. Kostumet shkëlqenin nën reflektorët e shumtë të vendosur lartë, (kryesisht në ngjyrë të kaltër). Fustanet portretizuan pafajësi, teksa tregonin për shpirtin e ri të vajzave të reja brenda një aventure. Shumë tuta, shumë kurora, shumë bizhuteri e pëlhura vezulluese që shkëlqyen si vesa e mëngjesit, arritën ta përthekojnë këtë mbrëmje në një histori të bukur elegante dhe magjepsëse.

Po ashtu, si qershi mbi tortë kanë ardhur fëmijët e korit “Okarina”, që i dhanë baletit një dimension hyjnor. Zërat e tyre të pastër e engjëllorë u gërshetuan pa probleme në partiturë. Harmonia e tyre erdhi si një reshje e butë bore – një prani delikate por transformuese që përforcoi magjinë në skenë. Kur zërat e tyre bashkoheshin, duket se i bënin jehonë pafajësisë dhe mrekullisë. Çdo notë dukej se barte shpresat dhe ëndrrat e të rinjve, duke lëvizur nëpër hapësirë dhe duke u vendosur butësisht në zemrat e audiencës.  

Por, ylli kryesor, mbrëmë qe Trupa e Baletit Kombëtar të Kosovës. Lëvizjet e tyre u shpalosën si një përzierje magjepsëse e bukurisë dhe atletizmit, çdo hap një manifestim vizual i muzikës së Tchaikosvky. Balerinët rrëshqitnin shpesh, kërcenin dhe rrotulloheshin si pa peshë, trupat e tyre gjurmonin magjinë e historisë në ajër. Çdo lëvizje kishte kuptim, duke treguar një përrallë ëndrrash, betejash dhe mrekullish. Krahët e tyre valëviteshin si era nëpër degë të akullta, ndërsa piruetet e tyre të sinkronizuara krijuan një stuhi lëvizjesh, duke e kthyer skenën në një vend të çudirave dimërore.  

Pastaj, lëvizjet bëheshin të guximshme dhe dramatike. Kërcimet e larta e shpërthyese përçonin guxim dhe vendosmëri, ndërsa nuk munguan as hapat e mprehtë e të tokëzuar. Balerinët pasqyronin përplasjen e forcave, duke ndërthurur tensionin me tekat lozonjare. Çdo variant shfaqte një shije unike kërcimi. Puna delikate në majë të këmbëve dhe hapat e ndërlikuara u interpretuan magjishëm. Ata thuajse fluturonin me fuqi të personazheve të tyre, qofshin ato princërore apo të tjerë. Pati shumë kthesa që treguan forcë e përsosje. Trupa e BKK-së rrëfeu një simfoni të rrjedhshmërisë, teksa lëvizte sikurse një valë që imitonte shpalosjen e butë të luleve. Çdo lëvizje tregonte një kanavacë mrekullie, duke përzier mjeshtërinë teknike me magjinë e tregimit. Balerinët e shndërruan skenën në një ëndërr të gjallë, ku çdo kërcim sfidoi gravitetin dhe çdo kthesë e çoi audiencën më thellë në botën magjepsëse. 

Dua të veçoj katër solistët brenda këtij baleti: Mërgime Morina, Fatmir Smani, Jeta Musolli dhe Fisnik Smani. Hijeshia e tyre përfaqësoi një variacion unik në Mbretërinë e Ëmbëlsirave. Ata erdhën si xhevahire në një kurorë, secili duke ofruar një shije të veçantë dhe verbuese të artit. Solot e tyre nuk ishin thjesht kërcime, por histori të treguara përmes lëvizjes ku secila u shpalos me sharmin dhe karakterin e vet. Trupat e tyre të portretizuara si mëndafshi, qenë të mbushur me pakufi të shumtë lëvizjesh. Ritmet e tyre pasqyruan lëvizje të mprehta, të sakta, sikurse tingëllimat e një zileje. Hapat e shpejtë valëviteshin sa majtas e djathtas, për të treguar një ëndërr ngrohtësie. Ata sfidonin çdo gjë që dilte para tyre. Audienca pati rastin të hyjë brenda një shpërthimi energjik që tregonte për një atletikë të pastër, këmbë të fuqishme që tronditën vendin. Ata lanë publikun pa frymë, por edhe u bënë çelësi kryesor që ata të frymonin. Mishëruan elegancën dhe rafinimin. Krahët e tyre gdhendën harqe precize, piruetet vinin si fjolla dëbore. Ekuilibri i tyre dëshmoi magjinë e “Arrëthyesi-t”, duke na dërguar në një vorbull qiellore. Performancat e tyre ishin po aq të ëmbla dhe të larmishme sa edhe ëmbëlsirat që përfaqësonin, duke magjepsur audiencën me mjeshtërinë e tyre lirike dhe duke lënë një ndjenjë të vazhdueshme mrekullie.

Krejt në fund, ishin duartrokitjet e vazhdueshme për secilin protagonist që frymoi në skenë. Ovacion në këmbë kanë përjetuar të gjithë solistët, instrumentistët, dirigjentët dhe Trupa e Baletit Kombëtar të Kosovës, por vetëm atëherë kur të gjithë njëkohësisht dolën në skenë. Dukej se duartrokitjet e tyre të vakëta nuk i përshtateshin aspak hijeshisë që “Arrëthyesi” ka paraqitur mbrëmë. 

Baleti “Nutcracker” është një udhëtim verbues në një botë ku magjia dhe muzika ndërthuren, duke zgjuar shqisat dhe duke ndezur imagjinatën. Fillon në një prag të ftohtë të Krishtlindjeve, ku një festë madhështore shpaloset në ngrohtësinë e një shtëpie madhështore, e mbushur me të qeshura, të ftuar vals dhe shkëlqimin e një peme të shkëlqyer. Mes gëzimit, Klara e re merr një dhuratë kurioze nga kumbari i saj misterioz Drosselmeyer – një Arrëthyes prej druri që duket se mbart një magji të fshehtë. Ndërsa mesnata godet, Klara e gjen veten në një botë të transformuar ku pema e Krishtlindjes rritet në lartësi të larta dhe Arrëthyesi i saj lind, duke udhëhequr një ushtri ushtarësh lodrash kundër mbretit të frikshëm të miut. Beteja e tyre është e ashpër, por fantastike, me përplasje vezulluese me shpata dhe kërcime lozonjare. Kur fitohet fitorja, Arrëthyesi zbulohet si një princ i pashëm dhe së bashku ai dhe Klara nisin një udhëtim të jashtëzakonshëm. Nëpërmjet flokëve të dëborës që rrotullohen, ata rrëshqasin në Tokën e Ëmbëlsirave, një mbretëri vezulluese e sunduar nga Zana mbretërore e Kumbullës së Sheqerit. Këtu ata priten me një festë kërcimesh, secila më magjepsëse se e kaluara: ritmet e mprehta të kafesë arabe, kërcimet e zjarrta të kallamishteve ruse, lulet delikate që bëjnë vals në harmoni të përsosur. Çdo lëvizje, çdo notë e partiturës në rritje të Çajkovskit përshkruan një tapiceri të gjallë mrekullie dhe kënaqësie. Kreshendot e baletit me vallëzimin eterik të Zanës së Kumbullës së Sheqerit, lëvizjet e saj delikate dhe të sakta, si modele të gdhendjes së ngricave në xhamin e dritares. Kur ëndrra zbehet dhe Klara zgjohet pranë pemës, kujtimi i kësaj nate magjike mbetet – një kujtim i bukurisë së pakufishme që shtrihet vetëm përtej velit të realitetit.

“Arrëthyesi” do të mbetet një traditë vjetore, ashtu siç ndodh në të gjitha trupat e baletit anembanë botës, dhe mezi po presim atë të vitit 2025. 

Krejt në fund, në një prononcim për KultPlus foli Meriton Ferizi, Ushtrues i Detyrës së Drejtorit të Operës së Kosovës, i cili u nda i kënaqur me shfaqjen.

“Ky ishte bashkëpunimi jonë i parë si institucion i Operës së Kosovës me Baletin Kombëtar, ku kaluam shumë mirë me premierën dhe sonte besoj njëjtë edhe me reprizën. Arrëthyesi, është vepër që hyn në kategorinë e repertorit të vështirë, ku kërkon trupë profesionale të përgatitur shumë mirë si nga ana e balerinëve, ashtu edhe nga ana e instrumentistëve dhe gjithashtu koreografit e dirigjentit me shumë eksperiencë. Andaj, për orkestrën ishte një sfidë e një provimi të dhënë për këto vepra monumentale të vështira, që kërkojnë pjekuri e pervojë edhe për balerinët, instrumentistët e orkestrat me shumë traditë”, ka thënë ai.

Gjithashtu, Sinan Kajtazi, drejtori i Baletit Kombëtar të Kosovës për KultPlus ka thënë se publiku vazhdon të jetë i etur për vepra të tilla.

“Vitin që shkoi, kur për herë të parë realizuam “Arrëthyesin”, pamë se sa i etur është publiku ynë për vepra të tilla, pra për vepra madhështore të repertorit botëror. Ishte krejtësisht e natyrshme që ta konsideronim mbajtjen në repertor të kësaj shfaqjeje çdo dhjetor, dhe këtë vit ashtu vepruam. Si produksion, “Arrëthyesi” këtë vit ishte në një nivel shumë më të lartë se vitin e kaluar, pavarësisht vështirësive teknike që kemi, si mungesa e një teatri të mirëfilltë. Shpresoj që vitin e ardhshëm të arrijmë një nivel edhe më të lartë. Realizimi i një shfaqjeje të tillë, një kryevepër e repertorit botëror si “Arrëthyesi”, na bën një me trupat botërore, të cilat e kanë këtë shfaqje si pjesë të pandashme të fundvitit. Dua ta falënderoj institucionin e Operës së Kosovës për bashkëpunimin në realizimin e shfaqjes këtë vit, si dhe falënderoj të gjithë ata që në çfarëdo forme kanë dhënë kontribut të çmuar për të sjellë magjinë e “Arrëthyesi-t” për dy net radhazi”, ka thënë ai.

Një nga solistët e baletit Arrëthyesi, Fatmir Smani, për KultPlus potencoi se pati privilegjin për të qenë pjesë e këtij Baleti.

“The Nutcracker një shfaqje festive botërore ku çdo trupë e ka privilegjin ta ketë në repertuarin e tyre në fundvit. Për neve si BKK është viti i dytë me radhë që e kemi në repertuarin tonë. Në këtë shfaqje jam paraqitur në rolin e Princit, një rol mjaft sfidues nga ana teknike e lëvizjeve ku me kënaqësinë më të madhe e kam performuar dhe e kam shijuar pa fund. E gjithë trupa e baletit ka dhënë maksimumin e vetë që të realizohet ky projekt edhe pse pa teatër në një sallë të improvizuar, dhe jemi shumë krenarë për faktin që publiku ka shfaqur një interesim të jashtëzakonshëm dhe kjo na bën edhe më të përmbushur në aspektin artistik, poashtu na jep forcë që t’vazhdojmë përpara  duke shpresuar që vitet e ardhshme mos ta gjejë Arrëthyesin pa teatër”, thotë Smani.

Po ashtu, Elikona Hysaj Shala, drejtoresha e korit të fëmijëve “Okarina” për pjesëmarrjen e fëmijëve të këtij kori në këtë projekt gjigand është shprehur tejet e lumtur.

“Përshtypjet e mia sigurisht që nuk kanë të mbaruar për të mirë. Çdo herë në secilën mbrëmje që e shënojmë, bëhet çdo herë më e bukur se tjetra. Kjo vjen falë një emocioni të veçantë nga ky organizim. Përfshirja e Korit Okarina po ndodh për të dytën herë brenda këtij projekti të madh. Kjo shfaqje ka aq shumë elemente brenda, dhe ku kaq bukur e ka shkruar kompozitori Çajkovski, ku ka futur edhe pjesën korale të fëmijëve, jo rastësisht, në aktin e parë. Në  gjithë aktin e parë mbizotërojnë fëmijët në skenë dhe baleti kulmon me koralen e korit të fëmijëve në partiturë. Mbrëmë ishte një emocion i jashtëzakonshëm. Për fëmijët ka qenë një emocion i rrallë dhe një ndjenjë përgjegjësie edhe më e madhe përballë një orkestre dhe trupë e baletit, profesionale. Për në është një kënaqësi e madhe dhe mbi të gjitha një kujtim që nuk do të shlyhet asnjëherë”, thotë Hysaj-Shala.

Trupa e Baletit Kombëtar të Kosovës: Aulonë Nuhiu, Behie Murtezi, Donmir Bilalli, Drilon Podrimçaku, Elmedina Berisha, Fatmir Smani, Fisnik Smani, Ilir Krasniqi, Jeta Musolli, Kreshnik Musolli, Leonora Rexhepi, Liridon Mziu, Luljeta Ademi, Marigonë Hoxha-Beha, Mimoza Bytyqi, Mërgime Morina, Muhamet Bikliqi, Sabrije Spahiu, Sead Vuniqi, Shpëtim Mejtani, Vjollca Llugiqi, Teuta Krasniqi, Vlora Prizreni, Isa Beg Gjocaj, Erza Limani, Blerta Fanaj, Rigon Krasniqi, Nisa Krasniqi, Ensar Lutaj, Ersa Sopa. 

Fëmijët: Jana Përvetica, Erisa Ahmeti, Emy Rose Elshani, Dren Mustafa, Ami Gojani, Sira Rrahmani, Tiara Balaj, Alejna Prizreni, Ana Isufi. 

Asistente koreografie: Rovena Shqevi. 

Baletmaestre: Jeta Musolli. 

Mjeshtër i dritave: Mursel Bekteshi. 

Realizues i kostumeve: Shemsi Avdiu./ KultPlus.com 

“Terminal” i Baletit Kombëtar të Kosovës do të prezantohet me premierë në Obiliq

Baleti Kombëtar i Kosovës  do të prezantohet me shfaqjen “Terminal”, premierë që do të jepet më 14 nëntor prej orës 19:00 në Qendrën Kulturore të Obiliqit.

 “Si premiera e pestë për sezonin 2024, “Terminal” shënon kulmin e një viti të jashtëzakonshëm për BKK, të vlerësuar si në nivel kombëtar ashtu edhe ndërkombëtar” thuhet në njoftimin e Baletit Kombëtar të Kosovës.

Ky prodhim prezantohet në bashkëpunim me koreografët Evgeny Kozlov dhe Romane Petit./ KultPlus.com

Baleti Kombëtar i Kosovës do të përformojë në Elbasan

Baleti Kombëtar i Kosovës, do të shfaq baletin “Time” në Elbasan, me koreografi nga Taulant Shehu, në kuadër të Festivalit “Albanian Dance Competition, Creativity and Interpretation 2024”.

“Time” do të shfaqet në teatrin Skampa në qytetin e Elbasanit, me dt 29.04.2024, duke bërë kështu edhe përmbylljen e festivalit.

Që prej vitit 1982, 29 prilli shënohet edhe si Dita Botërore e Vallëzimit, prandaj me këtë paraqitje në Elbasan, Baleti Kombëtar i Kosovës shënon edhe Ditën Botërore të Vallëzimit./KultPlus.com

‘Rebounds. A BasketBallet’ nesër premierë nga Baleti Kombëtar i Kosovës, MKRS sjell video nga provat

 

Fotografia: Arben Llapashtica

Baleti Kombëtar i Kosovës nesër sjell premierën e parë të vitit 2024, “Rebounds. A BasketBallet”, me koreografi të Friederike Lampert & Jochen Roller, shkruan KultPlus.

Muzika e shfaqjes “Rebounds. A BasketBallet” është realizuar nga Ohad Talmor.

Shfaqja para publikut do të jepet me datat 15.02.2024 dhe 16.02.2024, në Atelienë e Pallatit të Rinisë duke filluar ora 20:00.

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit sot ka sjell edhe një video nga provat e kësaj premierë e cila po pritet me shumë entuziazëm. / KultPlus.com

Balerinët pajisen me sigurime shëndetësore

Balerinët e Baletit Kombëtar të Kosovës për herë të parë pajisen me sigurime shëndetësore, thuhet në një njoftim në faqen zyrtare të këtij institucioni, shkruan KultPlus.

“Baleti është një nga artet më të bukura dhe në të njëjtën kohë, nga më të vështirat për t’u realizuar.

Balerinët përgjatë procesit të punës, në vazhdimësi ju ekspozohen lëndimeve fizike.

Sigurimet shëndetësore të cilat deri sot ju kanë munguar, janë jashtëzakonisht të rëndësishme, për t’i trajtuar lëndimet eventuale që mund t’i kenë përgjatë ushtrimit të profesionit të tyre.

Balerinët tanë nga sot do ta kenë këtë mbështetje të rëndësishme nga Institucioni i BKK, për t’ju garantuar kushte sa më të favorshme për punë”, thuhet në këtë njoftim./ KultPlus.com

Baleti Kombëtar i Kosovës nesër sjell premierën e shfaqjes “CORRER O FADO”

Baleti Kombëtar i Kosovës nesër sjell premierën e radhës për këtë vit, përcjell KultPlus.

Shfaqja “CORRER O FADO” me koreografi nga portugez Daniel Cardoso do të interpretohet nga trupa e Baletit Kombëtar të Kosovës.

Për shkak të kërkesës së madhe të publikut, repriza e shfaqjes do të luhet të premten më 9 qershor.

Në këtë shfaqje do të marrin pjesë personalitet të larta shtetërore.

Premiera vjen nesër, më date 8 qershor, në ora 20:00, në sallën e Amfiteatrit të Pallatit të Rinisë. / KultPlus.com

Baleti Kombëtar i Kosovës ofron klasa falas baleti për balerinët e rinj

Mësime mbi hapat e detajuar të baletit së shpejti do të ofrojnë trupa e Baletit Kombëtar të Kosovës, përcjell KultPlus.

Nga përvoja e tyre do të kenë mundësi të mësojnë gjeneratat e reja (mosha 14 – 18 vjeçare).

Për regjistrime, drejtuesit e shkollave ose prindërit, duhet të dërgojnë informacionet bazë (emri, mbiemri, mosha, klasa dhe shkolla e nxënësve pjesëmarrës) në email-in [email protected], më së largu deri më 11 prill.

Klasat mbahen në sallën e ushtrimeve të “AKV Shota”, nga ora 15:00. / KultPlus.com

Baleti Kombëtar i Kosovës me “Exil-in” në Teatrin e Operas dhe Baletit në Shqipëri

Në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit, është risjellë në skenë baleti Exil me koreografi të Eno Peçit. Kësaj here Exil u interpretua nga trupa e Baletit Kombëtar të Kosovës.

Exil-i i Eno Peçit rrëfen trazirat e një vendi, dhe lidhet me temën e emigracionit. Një rrëfim për familjet e shkatërruara, për fëmijërinë e humbur, për nënat e braktisura që kërkojnë kuptim në mërgimin e fëmijëve të tyre dhe tragjedinë e popujve që emigrojnë.

Vite më parë, balerini shqiptar që korri sukses jashtë kufijve të Shqipërisë, e solli premierë këtë vepër, me trupën e balerinëve të TKOB.

Me rastin e festave kombëtare, shfaqja u rikthye mbrëmë, me balerinët nga Kosova dhe do të jetë edhe sonte në Teatrin e Operas dhe Baletit.

I lindur në Tiranë, Eno Peçi është primo balerin i arsimuar në Akademinë e Baletit të Tiranës dhe në Shkollën e Baletit të Operës Shtetërore të Vjenës “Wiener Staatsoper”. Ai jeton e punon në Austri. Njihet si i pari balerin shqiptar, i cili performoi live në Koncertin e Vjenës që mbahet çdo fillimviti./ atsh / KultPlus.com

Ka filluar realizimi i bashkëpunimit mes Baletit të Kosovës dhe Universitetit të Arteve në Zurich

Bashkëpunimi në mes të Baletit Kombëtar të Kosovës dhe Universitetit të Arteve të Zurich-ut, ka filluar të marrë jetë, pas marrëveshjes së nënshkruar muajin që shkoj, në mes të BKK dhe ZHdK.

Andrei-Nicolae Cozlac, është balerini-pedagogu i parë që ka ardhur në Prishtinë, për të filluar kështu bashkëpunimin në mes të BKK dhe ZHdK, bashkëpunimin i cili në fushën e kërcimit, do të jetë shumëdimensional. / KultPlus.com

Tatjana Petkovska, pjesë e historisë së nismës për të patur një institucion si Baleti Kombëtar i Kosovës

Drejtori i Baletit Kombëtar të Kosovës, Sinan Kajtazi, i shoqëruar nga Marsel Çollaku, njëri nga balerinët e gjeneratës së parë të balerinëve që kanë diplomuar në vitin 1972, ka vizituar sot në Shkup, ish-Drejtoreshën e Shkollës së Baletit në vitet 1968 – 1972, Tatjana Petkovska, për nder të 50 vjetorit të themelimit të BKK, për t’i shprehur mirënjohje për punën dhe mbështetjen e jashtëzakonshme që ka ofruar për edukimin e brezit të parë të balerinëve të Baletit Kombëtar të Kosovës, përcjell KultPlus.

Tatjana Petkovska ka qenë Drejtoreshë e Shkollës së Baletit në qytetin e Shkupit, kur gjenerata e parë e balerinëve të Kosovës, nga viti 1968 deri në 1972, u shkolluan në fushën e baletit, për çka, Petkovska dha kontribut të jashtëzakonshëm.

Petkovska, për arsye shëndetësore, nuk e kishte të mundur të jetë e pranishme në Prishtinë, në dt 09.10.2022, kur edhe u festua 50 vjetori i Baletit Kombëtar të Kosovës, por kontributi i saj i çmuar nuk u harrua, përkundrazi mbetet pjesë e historisë së nismës për të patur një institucion si Baleti Kombëtar. / KultPlus.com

Kryetari Rama: Trupa e mrekullueshme e Baletit Kombëtar të Kosovës, vazhdon të mbetet imazhi më përfaqësues i kulturës

Gjysmë shekulli punë, dedikim, sakrificë e Baletit Kombëtar të Kosovës, u manifestuan mbrëmë me një organizim që erdhi përplot emocion, në datën që shënoi një përvjetor jubilar të një institucioni që i dhuroi shumë Kosovës për kaq vite jetë, shkruan KultPlus.

Me këtë rast, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama ka theksuar se trupa e mrekullueshme e Baletit Kombëtar të Kosovës, vazhdon të mbetet imazhi më përfaqësues i kulturës, civilizimit dhe sakrificës së shoqërisë tonë.

Më poshtë gjeni postimin e plotë të tij:

Mbrëmë u shënua 50-vjetori i themelimit të Baletit Kombëtar të Kosovës 🩰
Balerinët nga Baleti Kombëtar i Kosovës dhe ata të Teatrit të Operës dhe Baletit të Shqipërisë, nën përcjelljen e Orkestrës së Filharmonia e Kosovës, sollën në skenë shfaqjen “Halili e Hajria”, që është edhe vepra e parë e baletit shqiptar.
Në një skenë të improvizuar, larg skenës, sallës dhe kushteve që meritojnë këta artistë, të cilët me gjenerata mbajtën gjallë baletin e Kosovës, dëshmuan dhe njëherë vullnetin dhe profesionalizmin që i karakterizon.
Trupa e mrekullueshme e Baletit Kombëtar të Kosovës, vazhdon të mbetet imazhi më përfaqësues i kulturës, civilizimit dhe sakrificës së shoqërisë tonë! / KultPlus.com

50 vjet histori, Baleti Kombëtar i Kosovës falënderon artdashësit për kontributin e dhënë (FOTO)

Me rastin e 50 vjetorit të Baletit Kombëtar të Kosovës, BKK-ja ka falënderuar të gjithë të pranishmit për prezencën e tyre në këtë datë të rëndësishme, përcjell KultPlus.

Më poshtë gjeni postimin e tyre të plotë:

Falënderim e mirënjohje për të gjithë ata që ishin të pranishëm në shënimin e 50 vjetorit të themelimit të Baletit Kombëtar të Kosovës.

Kjo datë e rëndësisë së veçantë për institucionin e BKK, u bë edhe më madhështore me praninë e një numri jashtëzakonisht të madh art-dashësish dhe dashamirësh të Baletit Kombëtar të Kosovës.

Falënderim e mirënjohje për të gjithë ata që në forma të ndryshme kontribuuan që Baleti Kombëtar i Kosovës, të festoj ditëlindjen e 50të.

Respekt e mirënjohje për:

– Balerinin dhe ish-Drejtorin e Baletit Kombëtar të Kosovës, z.Ahmet Brahimaj

– Gjeneratën e parë të balerinëve të Kosovës, që ishin themeltarë të baletit në Kosovë.

– Gjeneratën e re të balerinëve të Baletit Kombëtar të Kosovës, të cilët me punë e përkushtim, kanë arritur të shkëlqejnë në skenat vendore e ndërkombëtare.

– Koreografët dhe asistent-koregrafët, të cilët me kreativitetin e tyre, kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në skenën kulturore të vendit tonë.

– Kostumografëve, skenografëve, fotografëve dhe dizajnerëve të cilët e kanë pasuruar çdo shfaqje të Baletit Kombëtar të Kosovës, me kreativitetin e tyre.

– Stafin teknik-artistik, të cilët me punë e përkushtim kanë dhënë kontributin e tyre për shfaqjet e BKK në këto 50 vite.

Falënderim të posaçëm për:

Alisa Gjonin, e cila morri përsipër pjesën artistike të kësaj nate dhe vënien në skenë të baletit të parë shqiptarë “Halili dhe Hajria”

Orkestrën e Filharmonisë së Kosovës, Drejtorin e këtij Institucion z.Baki Jashari dhe organizatorin Dardan Noka, të cilët i dhanë përmasa spektakulare 50 vjetorit të BKK.

Dirigjentin Gridi Kraja, i cili me mjeshtri udhëhoqi orkestrën dhe balerinët në skenë, për të funksionuar në formë unike.

Teatrin e Operës dhe Baletit të Shqipërisë, përkatësisht balerinët e TOB, të cilët pasuruan shfaqjen “Halili dhe Hajria” me prezencën e tyre. Drejtoreshën e TOB znj.Abigeila Voshtina, për bashkëpunimin e treguar për këtë ngjarje.

Mirupafshim në ngjarjet e radhës!

Fotografitë: E.I / KultPlus.com

BKK është përgatitur për përvjetorin jubilar pavarësisht sfidave të shumta, Kajtazi: Në fund të shfaqjes do të ketë edhe një befasi të këndshme

Uranik Emini

Lëvizja njerëzore bën të mundur ekzistencën e formave të artit krijues si baleti. Në thelb, baleti ka një ton dramatik, i cili shfaqet para një publiku në një skenë duke përdorur skenografi, kostume dhe ndriçim. Mes tjerash, përmes baletit mund të komunikohet një mesazh ose një ide, ndjenjë ose mënyrë të menduari. Të bërit kërcim balet përfshin pjesën magjepsëse, emocionuese, provokues ose ai mund të jetë ndonjëherë mund të përcjellë edhe emocione të frikshme, shkruan KultPlus.

Baleti Kombëtar i Kosovës shënon 50-vjetorin e themelimit më 9 tetor të këtij viti, ku përgatitjet për këtë përvjetor jubilar janë bërë dhe po vazhdojnë të bëhen në mënyrë të organizuar, pavarësisht problemeve që janë shfaqur në këtë rrugëtim.

Drejtori i BKK-së, Sinan Kajtazi, në një intervistë për KultPlus, bën të ditur se shfaqja e përgatitur për këtë ngjarje madhështore është përzgjedhur në mënyrë të natyrshme të jetë pikërisht ajo e “Halilit dhe Hajrisë”, siç njihet edhe si “baleti i parë shqiptar”.

“Baleti Kombëtar i Kosovës, në vazhdimësi përveç veprave të repertorit botërorë, ka promovuar edhe repertorin kombëtarë, prandaj përzgjedhja e baletit “Halili dhe Hajria”, vjen natyrshëm në këtë jubile, jo vetëm për faktin se është baleti i parë shqiptar, por se edhe është një vepër jashtëzakonisht e mirë”.

Gjatë muajve të fundit në llogarinë zyrtare të këtij institucioni është bërë promovimi dhe falënderimi i njerëzve që e zhvilluan dhe e ngritën në maje baletin e Kosovës.

“Sigurisht se e kemi për obligim të njohim meritat e gjithsecilit për këtë gjysmë dekade jetë të Baletit Kombëtar të Kosovës, e sidomos themeltarëve të institucionit të BKK, të cilët para 50 vitesh, nisën këtë storje suksesi për ta vazhduar edhe gjenerata e re e balerinëve. Më vjen mirë që kjo kampanjë ka pas impakt të mirë tek njerëzit dhe sigurisht se ky ka qenë edhe qëllimi që të gjithë ata që kanë kontribuar në forma të ndryshme për BKK, me e pas parasysh se dikush iu njeh meritat dhe kontributin”, thotë Kajtazi.

Ai gjithashtu njofton se janë në fazën finale të përgatitjeve për shënimin e evenimentit të 50-vjetori të BKK-së.

“Mbyllja e ndërtesës së Teatrit Kombëtar për rinovim, na ka shkaktuar telashe të mëdha. Jemi sistemuar në sallën e AKV Shota, për ushtrimet dhe provat, në ndërkohë kemi siguruar edhe hapësirat e Sallës së Sporteve “1 Tetori” dhe deri në këtë moment, gjithçka duket se po ecë mirë. Përveç premierës së baletit, që do të jetë pjesa kryesore e mbrëmjes së 9 tetorit, sigurisht se do të ketë fjalime e ndarje mirënjohjesh dhe po besoj një befasi të këndshme për audiencën në fund të shfaqjes”.

Kajtazi beson se mbyllja e Teatrit ka kosto të madhe për profesionin e tyre, pasi baleti është art i ndishëm dhe përvec angazhimit të përditshëm, kërkon edhe kushte adekuate.

Në fund, kreu i BKK-së shprehet i bindur që Baleti Kombëtar i Kosovës ka treguar përkushtim e punë të pakompromis.

“Jam i bindur që Baleti Kombëtar i Kosovës, ndër vite ka treguar përkushtim e punë të pakompromis, duke përfaqësuar vlerat e një arti elitarë e universal si në vend, poashtu edhe nëpër Evropë, duke krijuar kështu një respekt të jashtëzakonshëm në komunitetin artistikë ndërkombëtarë”, përfundon ai.

Shfaqjet e baletit, veçanërisht ato klasiket, synojnë t’i tregojnë një histori audiencës. Gjithçka, nga dekorimet e ndërlikuara të skenës deri te kostumet e ndryshme, përfshirë këtu edhe grimin e kërcimtarëve, ndikojnë në përthekimin e duhur të një përralleje baleti dhe efektin e tij të përgjithshëm te audienca. Shfaqjet e baletit janë kulmi i bashkimit të disa elementeve krijuese dhe entuziazmi e emocioni i kërcimtarëve janë qershia në krye. /KultPlus.com

Baleti Kombëtar i Kosovës dhe Universiteti i Arteve në Zurich lidhin marrëveshje bashkëpunimi

Baleti Kombëtar i Kosovës dhe Universiteti i Arteve të Zurich, lidhin marrëveshje bashkëpunimi!

Baleti Kombëtar i Kosovës ka arritur marrëveshje bashkëpunimi me Universitetin e Arteve të Zurich, duke vënë bazën për krijimin e një hapësire bashkëpunuese për të ardhmen me këtë institucion të respektuar.

Faza e parë e këtij bashkëpunimi do të realizohet në gjashtë muajt e ardhshëm, ku përmes vizitës së gjashtë artistëve-studentë të Departamentit të Koreografisë dhe Kërcimit të ZHdK, do të vihen themelet e një bashkëpunimi që do të shërbejë si një urë lidhëse në mes të dy institucioneve. / KultPlus.com

Ahmet Brahimaj, Abdurrahman Nokshiqi, Elez Nikçi dhe Esma Mulla përkujtohen në prag të 50 vjetorit të BKK-së

Trupa e Baletit Kombëtar të Kosovës tashmë ka depërtuar në skenën kulturore ndërkombëtare duke mahnitur me çdo shfaqje të realizuar me mjeshtëri.

Në prag të shënimit të 50 vjetorit të Baletit Kombëtar të Kosovës, deri më tani janë përkujtuar: Ahmet Brahimaj, Abdurrahman Nokshiqi, Elez Nikçi dhe Esma Mulla, shkruan KultPlus.

Në vigjilje të 50 vjetorit të Baletit Kombëtar të Kosovës, kujtojmë dhe falënderojmë të gjithë ata cilët përmes përkushtimit e punës së tyre, lanë gjurmët të pashlyeshme përgjatë 50 viteve të ekzistencës së Baletit Kombëtar të Kosovës.

Baleti Kombëtar i Kosovës, do të jetë falënderues përgjithmonë ndaj jush!

Artist i Merituar” në vitin 1972 si Ansambli i Baletit.

Ikona legjendare Ahmet Brahimaj shërbeu si Drejtor i Baletit Kombëtar të Kosovës me shumë përkushtim dhe me dashuri, duke lënë pas një trashëgimi madhështore kulturore për Kosovën dhe për gjeneratat në vijim.

Gjenerata e Parë e Baletit të Kosovës përbëhej nga: Ahmet Bahimaj, Abdurrahman Nokshiqi, Gani Loshi, Jonuz Beqiraj, Elez Nikqi, Rrustem Selca, Selajdin Kiqe, Rrustem Bajrami, Hysen Podrimcaku, Esma Mulla, Shqipe Hoxha, Enver Berisha, Shaban Shabanaj, Isa Bajraktari, Gani Shala, Enver Elshani, Sabrije Spahiu, Jashar Berisha dhe Nexhmije Selca. Ato njihen për realizimin e produksioneve me sukses si: “Sokol & Mirusha”, “Halili & Hajria”, “Bolero”, “Legjenda mbi ngadhnjimin”, “Romeo and Juliet”, “Kënga e Rexhës”, “Besa”, “Don Quixote”, “Fyelltari”, “E bukura More”, etj.

Identiteti kombëtar i baletit kosovar vazhdon të forcohet dhe prezantohet me dinjitet në mbarë botën nga trupa e baletit, falë përkushtimit dhe punës së balerinëve të përkryer të Baletit Kombëtar të Kosovës, përkatësisht: Aulonë Nuhiu, Abetare Hyseni, Behie Murtezi, Drilon Podrimçaku, Fatmir Smani, Fisnik Smani, Ilir Krasniqi, Jeta Musolli, Kreshnik Musolli, Liridon Mziu, Leonora Rexhepi, Luljeta Ademi, Muhamet Bikliqi, Marigonë Hoxha, Mimoza Bytyqi, Sinan Kajtazi, Nora Gashi, Sead Vuniqi, Vlora Prizreni, Teuta Krasniqi, Vjollca Lugiqi, Besarta Shaljani, Flakarta Qorri, Elmedina Berisha dhe Isa Beg Gjocaj.

Artistët e Baletit Kombëtar të Kosovës kanë krijuar dhe mishëruar personazhe fantastike në rolet e tyre interpretuese, duke krijuar një karakter masiv për imazhin e baletit dhe duke e pasuruar atë me forma dhe stile të reja. Ndër vite, balerinët kombëtarë të Kosovës kanë dhuruar performanca të jashtëzakonshme, që kanë mahnitur dhe entuziazmuar publikun./ KultPlus.com

Baleti Kombëtar i Kosovës mbrëmë në Ulqin ka bërë hapjen e edicionit të 35 të Festivalit “Skena Verore”

Baleti Kombëtar i Kosovës mbrëmë në një atmosferë të bukur në Ulqin, ka bërë hapjen e edicionit të 35 të Festivalit “Skena Verore”.

BKK e ka bërë hapjen me shfaqjen “Tanzminiaturen&Tangata” me koreografi nga Ricardo Fernando.

Shfaqja e mbrëmshme në Ulqin, i dha fund turneut të shfaqjeve të BKK nëpër disa qytete në Kosovë dhe rajon. / KultPlus.com

Baleti Kombëtar i Kosovës do të zhvillojë turne nëpër Kosovë

Baleti Kombëtar i Kosovës do të realizojë turneun e shfaqjeve nëpër Kosovë, shkruan KultPlus.

Do të interpretohen dy koreografi nga Richardo Fernando, shfaqje që kanë ngjallur emocione të jashtëzakonshme në të gjithë botën.

Madhështia e koreografit do të ndërthuret me balerinët për të shfaqur pjesën magjike të baletit.

Më 15 Qershor, Baleti Kombëtar do të jetë në Gjakovë, për të vazhduar më pas në Prizren (16 qershor), Ferizaj (17 qershor) dhe për ta përmbyllur me Gjilanin në 20 qershor. /KultPlus.com

Me një intensitet të motiveve akademike dhe romantike, BKK solli premierën “Concerto Con Brio & Untitled”

Era Berisha

Loja madhështore e Baletit Kombëtar të Kosovës u vu në pah edhe këtë herë me rastin e premierës “Concerto Con Brio & Untitled”. Një shfaqje kjo që mbrëmë doli përtej limiteve dhe depërtoi tek publiku me një elegancë të pakrahasueshme me ç’rast trupa e baletit dëshmoi për një seriozitet ndryshe në skenë si dhe për një thjeshtësi unike që në pamje dukej aq e lehtë në krijim por që në të vërtetë nuk është e tillë, shkruan KultPlus.

Trupa e Baletit të Kosovës mbrëmë ka dhënë premierën e dytë për këtë vit me një shfaqje të ndarë në dy pjesë. “Concerto Con Brio” erdhi nën koreografinë e Yannick Boquin si dhe “Untitled” erdhi nën koreografinë e Siner Gonenc. Të dyja këto pjesë shfaqën dy botë krejtësisht të ndryshme nga njëra-tjetra por që gërshetimi i tyre rezultoi në një përfundim aq të lezetshëm.

Bardha Neziri

Salla e Teatrit Kombëtar dalëngadalë po mbushej në një numër të konsiderueshëm, ndërsa teksa ndriçimi po zbehej edhe shfaqja gjeti fillimin e saj. Qysh në fillim, ishte dizajni i dritave nga Sherif Sahiti, Mursel Bekteshi dhe Arben Aliu, ajo që kapi vëmendjen e gjithsecilit për të mos e lëshuar deri në fund. Ndërkaq, skenografia nga Aziz Maloku bëri që ende pa filluar kjo shfaqje, të sjellë një frymë të veçantë para të pranishmëve.

Gjithçka nisi me largimin e perdeve dhe ndaljen e dritave deri në një errësirë që kaploi gjithë hapësirën. Pas pak çastesh, pjesa e parë “Concerto Con Brio” mori gjithë vëmendjen e artdashësve dhe jo vetëm. Në një version të adaptuar për Baletin Kombëtar të Kosovës, koreografi Yannick Boquin ka shfaqur në pah një anë ndryshe të trupës së baletit. Një teknikë e lartë e ndarë në tri pjesë ka karakterizuar pjesën e parë të shfaqjes e cila nis me motive akademike, vazhdon tek romantikja dhe përmbyllet me një intensitet të lëvizjeve.

Bardha Neziri

Nën meloditë e muzikës së “Piano Concerto No.2” të kompozitorit Dmitri Shostakovich, “Concerto Con Brio” erdhi me një qetësi të jashtëzakonshme. Lëvizjet, hapat dhe kërcimet e trupës së baletit ndërronin brenda sekondave. Ata sollën një klasikë të pastër të niveleve botërore të cilën e interpretuan në një mënyrë të jashtëzakonshme. Dhe në një anë, dukej se trupat e tyre ndërlidheshin mes vete si një fjongo e mëndafshit dhe po aq lehtësisht lëshoheshin në një vijë e cila ishte në hap me muzikalitetin.

Ndërsa, balerini Sead Vuniqi dhe balerina Jeta Musolli në një pikëtakim romantik, interpretuan në një mënyrë të mahnitshme pjesën e tyre. Me një prapavijë në ngjyrë të kaltër si dhe një platformë në ngjyrë të bardhë, të dy balerinët zotëruan skenën me prezencën e tyre. Një akt ky romantik që ngjalli emocione të shumta tek të pranishmit, dëshmoi për një dyshe e cila fuqinë e trupit të tyre të ndërlidhur me pasionin për vallëzimin, e përdorin në një mënyrë që lë gjurmë në kujtesën e çdo njeriu.

Bardha Neziri

Për këtë copëz magjie dhe gjithë pjesën e parë të shfaqjes, ishte publiku ai i cili i falënderoi ata për këtë performancë me duartrokitje të shumta si dhe brohoritje të cilat zunë vendin e tyre të posaçëm. Ndërsa, pas pauzës prej dhjetë minutash, pjesa e dytë e titulluar “Untitled” erdhi premierë botërore mbi skenën e Teatrit Kombëtar të Kosovës, dhe si vetë domethënia e këtij emri, ajo solli një precizitet të saktë të lëvizjeve të shumta që kapluan vendin përnjëherë.

Me përzgjedhjen e muzikës së “Symphony No.25” të kompozitorit Wolfgang Amadeus Mozart, koreografja Siner Gonenc ka arritur që audiencës t’i dhurojë një përfundim të mrekullueshëm.

Bardha Neziri

Premiera botërore erdhi nëpërmjet lëvizjeve të shpejta të cilat dëshmuan për një energji të lartë të balerinëve. Forca, tempoja dhe dinamika e tyre trupore në ndërlidhje me shpirtin e tyre artistik, bëri që kjo mbrëmje të luhatet mes klasikes dhe të bukurës. Ndërsa, ishin kostumet e punuara nga Vesa Kraja dhe Shemsi Avdiu, ato të cilat shtuan hijeshinë e trupës së baletit në secilin akt të performuar mbi skenë.

Përgjatë gjithsej një ore, “Concerto Con Brio & Untitled” shpalosi një anë të papërsëritshme të Baletit Kombëtar të Kosovës. Dëshmitar për këtë është edhe vetë publiku i cili krejt në fund u ngrit në këmbë për të duartrokitur me minuta të shumtë, interpretimin e mahnitshëm të balerinëve.

Bardha Neziri

Për të shprehur emocionet dhe ndjenjat pas vënies në skenë të premierës botërore, në një prononcim për KultPlus foli koreografja Siner Gonenc.

“Isha shumë e emocionuar, sepse ishte një premierë botërore dhe unë kam krijuar mbi trupën e baletit, me ta dhe së bashku. Jam shumë e kënaqur me atë që bënë dhe më pëlqeu shumë. Erdha vetëm tre javë më parë, por për shkak se pjesa e parë merrte shumë kohë, pjesa e dytë shkoi pak më shpejt. Më duhet të them, ata janë të gjithë shumë të mirë, të sjellshëm dhe gjithmonë japin zemrën e tyre. Askush nuk mund ta mohojë këtë. Edhe ata që punojnë këtu, nuk mund ta mohojnë këtë”, thotë ajo.

“Pavarësisht kushteve të tmerrshme, ata ende përpiqen të bëjnë më të mirën dhe këtë nuk e shihni askund tjetër.”

Bardha Neziri

Ndërsa për të treguar më shumë për momentet e veçanta pas një shfaqjeje të tillë, për KultPlus ka folur edhe balerini Sead Vuniqi.

“Mesa e pashë unë, ndjenjat e emocionet e publikut ishin shumë pozitive. Çfarë i ka lënë atyre përshtypje ka qenë teknika jonë dhe niveli i lartë artistik duke marrë parasysh edhe nivelin paraprak për shkak të ndikimit të pandemisë dhe pauzës së dëmshme. Kjo është hera e parë që po bashkëpunojmë me këta koreografë dhe ka qenë një bashkëpunim shumë i mirë por jo dhe aq i lehtë për neve për shkak të kërkesave të tyre dhe mënyrës me të cilën ata janë mësuar të punojnë”, thotë Vuniqi.

Sipas tij, trupa e baletit gjithmonë është munduar që me punë e vullnet të arrijë në nivelin që koreografët e kërkojnë nga balerinët.

“Pjesa e parë ka qenë pikërisht “shkolla” e baletit që kërkon një teknikë të lartë klasike. Ndërsa, pjesa e dytë ka sjell një lartësi të balerinëve në aspektin teknik për të krijuar diçka të re, të bukur, të gjallë dhe më të ndjeshme”, përfundon ai.

Po ashtu, balerina Jeta Musolli për KultPlus ka folur rreth përshtypjeve për koreografinë si dhe ka përmendur edhe komentet pozitive që ka marrë pas shfaqjes.

“Dua të falënderoj koreografët tanë për punën që e kanë bërë dhe që nuk janë dorëzuar asnjëherë teksa kanë punuar me neve. Ka pas momente në të cilat jemi lodhur por të paktën nuk kemi hequr dorë që edhe ne të arrijmë maksimumin tonë. Provat kanë qenë sa të lodhshme aq edhe të bukura por mendoj që publiku u nda shumë i kënaqur sonte. Ndërsa, ne në veçanti jemi shumë të emocionuar dhe mendojmë se ia kemi arritur qëllimit tonë”, thotë Musolli.

Sipas saj, pjesa e parë ka qenë një shfaqje më precize, me lëvizje të prera e të njëjta sidomos për grupet. Ndërsa, pjesa e dytë ka qenë më e lëvizshme dhe muzika ka qenë pak më e gëzuar në muzikalitet, në mënyrë që edhe ata të jenë më të lirshëm pas pjesës së parë.

“Është kënaqësi që të vallëzoj me Suadin. Ai është një nga partnerët me të cilin vallëzoj shumicën e kohës. Ka qenë një punë për të cilën jemi munduar që të dal sa më mirë dhe mendoj se ia kemi arritur mjaft bukur. Kryesorja është se ia kemi dalë që të transmetojmë një emocion tek publiku, duke marrë parasysh komentet që i morëm deri më tani”, përfundon ajo.

Shfaqja “Concerto Con Brio & Untitled” vjen reprizë sonte në Teatrin Kombëtar të Kosovës, duke filluar nga ora 20:00.

Fotografia në ballinë: Bardha Neziri / KultPlus.com

Bardha Neziri

BKK sjell premierën e dytë për këtë vit, “Concerto Con Brio & Untitled” shfaqet të enjten

“Concerto Con Brio & Untitled” është premiera dytë e Baletit Kombëtar të Kosovës për vitin 2022.

Premiera e shfaqjes vjen këtë të enjte, duke filluar nga ora 20:00 në Teatrin Kombëtar të Kosovës.

Ndërkaq, repriza e parë e “Concerto Con Brio & Untitled” vjen me datë 03.06.2022, po ashtu në TKK./ KultPlus.com

Ceremoni në Ditën Botërore të Vallëzimit, Kajtazi: BKK tash e 50 vite ka dhënë kontributin e vet në pasurimin e kësaj tradite

Për nder të Ditës Botërore të Vallëzimit, mbrëmë Teatri Kombëtar i Kosovës mirëpriti një ceremoni festive e cila mblodhi rreth vetes një numër të madh të artdashësve dhe një numër të madh të balerinave të vogla të cilat për këtë ditë po shpërndanin fotografi tejet të bukura të artit të baletit që vinin të shtypura në formën e kartolinave për të pranishmit, shkruan KultPlus.

29 prilli festohet si Ditë Ndërkombëtare e Vallëzimit pasi që në këtë datë në vitin 1727 lindi veprimtari i baletit bashkëkohor, Zhan-Zhorzh Nover.

Që nga viti 1982, çdo vit nëpër botë mbahen shfaqje në të cilat loja dhe vallëzimi janë gjuhë universale me mision t’i afrojë dhe miqësojë njerëzit. E kjo më së miri u dëshmua edhe mbrëmë me pjesëmarrjen e miqve artdashës të cilët shkrepnin fotografi nga çasti në çast, për të festuar këtë ditë të veçantë që iu dedikua atyre dhe jo vetëm.

Në këtë ceremoni i pranishëm ishte edhe drejtori i Baletit Kombëtar të Kosovës, Sinan Kajtazi i cili përkujtoi ata që më nuk janë në mesin tonë fizikisht, për kontributin e tyre dhe pasurimin e vlerave të vallëzimit në vendin tonë.

“Vallëzimi është gjuha më universale e komunikimit në mes të njerëzve dhe si i tillë e zë një vend të rëndësishëm në traditën shpirtërore dhe intelektuale tek i gjithë populli. Baleti Kombëtar i Kosovës tash e 50 vite ka dhënë kontributin e vet në pasurimin e kësaj tradite ku përmes punës së palodhshme të balerinëve tanë, bashkëpunimeve me artistë nga e gjithë bota, shfaqjeve artistike të dhëna në vend e në qendra të ndryshme të Evropës, pashmangshëm është bërë pjesë e nevojës sonë kolektive por edhe pjesë e vlerave universale botërore të vallëzimit dhe kjo dëshmohet më së miri përmes faktit që BKK që nga viti 2014 është anëtarësuar në Këshillin Ndërkombëtar të Vallëzimit, organizatë kjo me seli në UNESCO”, thotë Kajtazi.

Sipas tij, duke shfrytëzuar këtë ditë dhe moment të veçantë, ai falënderoi të gjithë ata që janë dhe nuk janë në mesin e tyre fizikisht, për kontributin e tyre për pasurimin e vlerave të vallëzimit në vendin tonë.

“Mirënjohja ndaj tyre përveçse na nderon, shërben si model për gjeneratat e reja të kërcimtarëve të cilët kanë talentin dhe dëshirën për të nisur rrugën e vështirë por edhe të bukur të kërcimit. Në fakt, mirënjohja, falënderimi dhe motivimi i atyre që merren me gjininë e bukur të vallëzimit, në këtë rast, Baletit, është edhe qëllimi i shërbimit të Ditës Botërore të Vallëzimit që prej vitit 1982”, përfundon Kajtazi.

Ndërsa, këshilltari i ministrit të Kulturës, Librun Jupolli, tha se tashmë është bërë ndarja e lokacionit për ndërtimin e Teatrit të Operës dhe Baletit ku komuniteti i muzikës dhe në veçanti ai i Baletit, do të kenë ndërtesën e tyre të dinjitetshme e të shumëpritur.

“Dita Ndërkombëtare e Vallëzimit është festë botërore e cila është nisur nga komuniteti i vallëzimit të institutit ndërkombëtar të teatrit, partneri kryesor i arteve skenike të UNESCO-s, dhe si i tillë festohet tashmë për çdo vjet. Të dhënat më të hershme historike që tregojnë për origjinën e vallëzimit janë pikturat e shpellave në Indi që datojnë rreth vitit 8000 p.e.s. e po ashtu evidencë të tillë të vallëzimit gjejmë edhe në pikturat egjiptiane të cilat paraqesin vallëzimin rreth 3300 vite p.e.s. Baleti dhe gjegjësisht vallëzimi është gjuha e trupit tonë dhe shprehja më direkte që e kemi si qenie. Gjuha e trupit të një populli dhe kapaciteti shprehës trupor i një vendi, njihet më së miri nga valltarët e vet. Akterët tanë të profilit të vallëzimit dhe kontributi i tyre profesional janë shprehja më e lartë e fisnikërimit të shpirtit përmes lëvizjes”, thotë Jupolli.

Sipas tij, sot Kosova dhe mbarë kultura e profilit të vallëzimit njeh një histori me lëvizje që nga shekulli i njëzet me Baletin e parë kosovar ‘Sokoli e Mirusha’ nga kompozitori Akil Mark-Koci pastaj me zhvillime të tjera përgjatë shekullit njëzet ku kompozitorët vazhdojnë me kompozime të tjera të baleteve të reja.

“Në shekullin njëzet e një, po ashtu njohim edhe kompozime të baletit modern dhe produksione të tjera të ngjashme. Vallëzimi sot në Kosovë njeh edhe zhvillime të shumta në edukim dhe pedagogji të cilat padyshim që do të sjellin frytet e veta për gjeneratat e reja dhe të lartësojmë më lart, artin e lëvizjes në vendin tonë. Këtë herë, Dita Ndërkombëtare e Vallëzimit koincidoi me një lajm shumë të mirë, pra me ndarjen e lokacionit për ndërtimin e Teatrit të Operës dhe Baletit ku komuniteti i muzikës dhe në veçanti ai i Baletit, do të kenë ndërtesën e tyre të dinjitetshme të shumëpritur e shumë merituar. Shumë shpejt vazhdojmë me konkursin arkitektonik ndërsa faza pasuese do të kryhet me efikasitet e cilësi deri në inaugurimin e ndërtesës”, përfundon Jupolli.

Ai tutje foli rreth veçantisë së 50 vjetorit të Baletit Kombëtar të Kosovës dhe si rast ky i veçantë, është konsideruar të jetë i rëndësishëm për t’i kujtuar sakrificat për këtë profil të cilat janë bërë që nga shekulli njëzet me gjeneratën e të ndjerit, Abdurrahman Nokshiqi e gjerë tek vitet pasuese e drejtuesit e tjerë duke përfshirë edhe punën e të ndjerit, Ahmet Brahimaj si dhe punën e palodhshme të trupës artistike.

Pas këtyre fjalimeve, të pranishmit tutje vazhduan brenda sallës së Teatrit Kombëtar të Kosovës për të shikuar dhe rishikuar edhe një herë talentin e BKK-së që lehtazi shfaqej nëpërmjet shfaqjes ‘Romeo dhe Zhulieta’, shfaqje kjo e cila pati ardhur premierë më 25 mars. / KultPlus.com

Sinan Kajtazi: Ëndrra e Ahmet Brahimaj për Baletin Kombëtar të Kosovës, duhet të jetë mison për ne

Drejtori i Baletit Kombëtar të Kosovës, Sinan Kajtazi ka përkujtuar sot ‘babain e baletit’, Ahmet Brahimaj, përcjell KultPlus.

“Po e mbyll ditën e sotme, e po e nis rrugëtimin e ri duke bërë homazhe pranë varrit të njeriut që dha aq shumë për Baletin Kombëtar të Kosovës, Ahmet Brahimaj.

Ëndrra e tij për Baletin Kombëtar të Kosovës, duhet të jetë mison për ne. Përjetësisht falenderues, profesor!”, ka shkruar Kajtazi në rrjetet sociale.

Sinan Kajtazi është një ndër balerinët e parë të trupës së baletit të pas luftës. / KultPlus.com