Me një intensitet të motiveve akademike dhe romantike, BKK solli premierën “Concerto Con Brio & Untitled”

Era Berisha

Loja madhështore e Baletit Kombëtar të Kosovës u vu në pah edhe këtë herë me rastin e premierës “Concerto Con Brio & Untitled”. Një shfaqje kjo që mbrëmë doli përtej limiteve dhe depërtoi tek publiku me një elegancë të pakrahasueshme me ç’rast trupa e baletit dëshmoi për një seriozitet ndryshe në skenë si dhe për një thjeshtësi unike që në pamje dukej aq e lehtë në krijim por që në të vërtetë nuk është e tillë, shkruan KultPlus.

Trupa e Baletit të Kosovës mbrëmë ka dhënë premierën e dytë për këtë vit me një shfaqje të ndarë në dy pjesë. “Concerto Con Brio” erdhi nën koreografinë e Yannick Boquin si dhe “Untitled” erdhi nën koreografinë e Siner Gonenc. Të dyja këto pjesë shfaqën dy botë krejtësisht të ndryshme nga njëra-tjetra por që gërshetimi i tyre rezultoi në një përfundim aq të lezetshëm.

Bardha Neziri

Salla e Teatrit Kombëtar dalëngadalë po mbushej në një numër të konsiderueshëm, ndërsa teksa ndriçimi po zbehej edhe shfaqja gjeti fillimin e saj. Qysh në fillim, ishte dizajni i dritave nga Sherif Sahiti, Mursel Bekteshi dhe Arben Aliu, ajo që kapi vëmendjen e gjithsecilit për të mos e lëshuar deri në fund. Ndërkaq, skenografia nga Aziz Maloku bëri që ende pa filluar kjo shfaqje, të sjellë një frymë të veçantë para të pranishmëve.

Gjithçka nisi me largimin e perdeve dhe ndaljen e dritave deri në një errësirë që kaploi gjithë hapësirën. Pas pak çastesh, pjesa e parë “Concerto Con Brio” mori gjithë vëmendjen e artdashësve dhe jo vetëm. Në një version të adaptuar për Baletin Kombëtar të Kosovës, koreografi Yannick Boquin ka shfaqur në pah një anë ndryshe të trupës së baletit. Një teknikë e lartë e ndarë në tri pjesë ka karakterizuar pjesën e parë të shfaqjes e cila nis me motive akademike, vazhdon tek romantikja dhe përmbyllet me një intensitet të lëvizjeve.

Bardha Neziri

Nën meloditë e muzikës së “Piano Concerto No.2” të kompozitorit Dmitri Shostakovich, “Concerto Con Brio” erdhi me një qetësi të jashtëzakonshme. Lëvizjet, hapat dhe kërcimet e trupës së baletit ndërronin brenda sekondave. Ata sollën një klasikë të pastër të niveleve botërore të cilën e interpretuan në një mënyrë të jashtëzakonshme. Dhe në një anë, dukej se trupat e tyre ndërlidheshin mes vete si një fjongo e mëndafshit dhe po aq lehtësisht lëshoheshin në një vijë e cila ishte në hap me muzikalitetin.

Ndërsa, balerini Sead Vuniqi dhe balerina Jeta Musolli në një pikëtakim romantik, interpretuan në një mënyrë të mahnitshme pjesën e tyre. Me një prapavijë në ngjyrë të kaltër si dhe një platformë në ngjyrë të bardhë, të dy balerinët zotëruan skenën me prezencën e tyre. Një akt ky romantik që ngjalli emocione të shumta tek të pranishmit, dëshmoi për një dyshe e cila fuqinë e trupit të tyre të ndërlidhur me pasionin për vallëzimin, e përdorin në një mënyrë që lë gjurmë në kujtesën e çdo njeriu.

Bardha Neziri

Për këtë copëz magjie dhe gjithë pjesën e parë të shfaqjes, ishte publiku ai i cili i falënderoi ata për këtë performancë me duartrokitje të shumta si dhe brohoritje të cilat zunë vendin e tyre të posaçëm. Ndërsa, pas pauzës prej dhjetë minutash, pjesa e dytë e titulluar “Untitled” erdhi premierë botërore mbi skenën e Teatrit Kombëtar të Kosovës, dhe si vetë domethënia e këtij emri, ajo solli një precizitet të saktë të lëvizjeve të shumta që kapluan vendin përnjëherë.

Me përzgjedhjen e muzikës së “Symphony No.25” të kompozitorit Wolfgang Amadeus Mozart, koreografja Siner Gonenc ka arritur që audiencës t’i dhurojë një përfundim të mrekullueshëm.

Bardha Neziri

Premiera botërore erdhi nëpërmjet lëvizjeve të shpejta të cilat dëshmuan për një energji të lartë të balerinëve. Forca, tempoja dhe dinamika e tyre trupore në ndërlidhje me shpirtin e tyre artistik, bëri që kjo mbrëmje të luhatet mes klasikes dhe të bukurës. Ndërsa, ishin kostumet e punuara nga Vesa Kraja dhe Shemsi Avdiu, ato të cilat shtuan hijeshinë e trupës së baletit në secilin akt të performuar mbi skenë.

Përgjatë gjithsej një ore, “Concerto Con Brio & Untitled” shpalosi një anë të papërsëritshme të Baletit Kombëtar të Kosovës. Dëshmitar për këtë është edhe vetë publiku i cili krejt në fund u ngrit në këmbë për të duartrokitur me minuta të shumtë, interpretimin e mahnitshëm të balerinëve.

Bardha Neziri

Për të shprehur emocionet dhe ndjenjat pas vënies në skenë të premierës botërore, në një prononcim për KultPlus foli koreografja Siner Gonenc.

“Isha shumë e emocionuar, sepse ishte një premierë botërore dhe unë kam krijuar mbi trupën e baletit, me ta dhe së bashku. Jam shumë e kënaqur me atë që bënë dhe më pëlqeu shumë. Erdha vetëm tre javë më parë, por për shkak se pjesa e parë merrte shumë kohë, pjesa e dytë shkoi pak më shpejt. Më duhet të them, ata janë të gjithë shumë të mirë, të sjellshëm dhe gjithmonë japin zemrën e tyre. Askush nuk mund ta mohojë këtë. Edhe ata që punojnë këtu, nuk mund ta mohojnë këtë”, thotë ajo.

“Pavarësisht kushteve të tmerrshme, ata ende përpiqen të bëjnë më të mirën dhe këtë nuk e shihni askund tjetër.”

Bardha Neziri

Ndërsa për të treguar më shumë për momentet e veçanta pas një shfaqjeje të tillë, për KultPlus ka folur edhe balerini Sead Vuniqi.

“Mesa e pashë unë, ndjenjat e emocionet e publikut ishin shumë pozitive. Çfarë i ka lënë atyre përshtypje ka qenë teknika jonë dhe niveli i lartë artistik duke marrë parasysh edhe nivelin paraprak për shkak të ndikimit të pandemisë dhe pauzës së dëmshme. Kjo është hera e parë që po bashkëpunojmë me këta koreografë dhe ka qenë një bashkëpunim shumë i mirë por jo dhe aq i lehtë për neve për shkak të kërkesave të tyre dhe mënyrës me të cilën ata janë mësuar të punojnë”, thotë Vuniqi.

Sipas tij, trupa e baletit gjithmonë është munduar që me punë e vullnet të arrijë në nivelin që koreografët e kërkojnë nga balerinët.

“Pjesa e parë ka qenë pikërisht “shkolla” e baletit që kërkon një teknikë të lartë klasike. Ndërsa, pjesa e dytë ka sjell një lartësi të balerinëve në aspektin teknik për të krijuar diçka të re, të bukur, të gjallë dhe më të ndjeshme”, përfundon ai.

Po ashtu, balerina Jeta Musolli për KultPlus ka folur rreth përshtypjeve për koreografinë si dhe ka përmendur edhe komentet pozitive që ka marrë pas shfaqjes.

“Dua të falënderoj koreografët tanë për punën që e kanë bërë dhe që nuk janë dorëzuar asnjëherë teksa kanë punuar me neve. Ka pas momente në të cilat jemi lodhur por të paktën nuk kemi hequr dorë që edhe ne të arrijmë maksimumin tonë. Provat kanë qenë sa të lodhshme aq edhe të bukura por mendoj që publiku u nda shumë i kënaqur sonte. Ndërsa, ne në veçanti jemi shumë të emocionuar dhe mendojmë se ia kemi arritur qëllimit tonë”, thotë Musolli.

Sipas saj, pjesa e parë ka qenë një shfaqje më precize, me lëvizje të prera e të njëjta sidomos për grupet. Ndërsa, pjesa e dytë ka qenë më e lëvizshme dhe muzika ka qenë pak më e gëzuar në muzikalitet, në mënyrë që edhe ata të jenë më të lirshëm pas pjesës së parë.

“Është kënaqësi që të vallëzoj me Suadin. Ai është një nga partnerët me të cilin vallëzoj shumicën e kohës. Ka qenë një punë për të cilën jemi munduar që të dal sa më mirë dhe mendoj se ia kemi arritur mjaft bukur. Kryesorja është se ia kemi dalë që të transmetojmë një emocion tek publiku, duke marrë parasysh komentet që i morëm deri më tani”, përfundon ajo.

Shfaqja “Concerto Con Brio & Untitled” vjen reprizë sonte në Teatrin Kombëtar të Kosovës, duke filluar nga ora 20:00.

Fotografia në ballinë: Bardha Neziri / KultPlus.com

Bardha Neziri

Ceremoni në Ditën Botërore të Vallëzimit, Kajtazi: BKK tash e 50 vite ka dhënë kontributin e vet në pasurimin e kësaj tradite

Për nder të Ditës Botërore të Vallëzimit, mbrëmë Teatri Kombëtar i Kosovës mirëpriti një ceremoni festive e cila mblodhi rreth vetes një numër të madh të artdashësve dhe një numër të madh të balerinave të vogla të cilat për këtë ditë po shpërndanin fotografi tejet të bukura të artit të baletit që vinin të shtypura në formën e kartolinave për të pranishmit, shkruan KultPlus.

29 prilli festohet si Ditë Ndërkombëtare e Vallëzimit pasi që në këtë datë në vitin 1727 lindi veprimtari i baletit bashkëkohor, Zhan-Zhorzh Nover.

Që nga viti 1982, çdo vit nëpër botë mbahen shfaqje në të cilat loja dhe vallëzimi janë gjuhë universale me mision t’i afrojë dhe miqësojë njerëzit. E kjo më së miri u dëshmua edhe mbrëmë me pjesëmarrjen e miqve artdashës të cilët shkrepnin fotografi nga çasti në çast, për të festuar këtë ditë të veçantë që iu dedikua atyre dhe jo vetëm.

Në këtë ceremoni i pranishëm ishte edhe drejtori i Baletit Kombëtar të Kosovës, Sinan Kajtazi i cili përkujtoi ata që më nuk janë në mesin tonë fizikisht, për kontributin e tyre dhe pasurimin e vlerave të vallëzimit në vendin tonë.

“Vallëzimi është gjuha më universale e komunikimit në mes të njerëzve dhe si i tillë e zë një vend të rëndësishëm në traditën shpirtërore dhe intelektuale tek i gjithë populli. Baleti Kombëtar i Kosovës tash e 50 vite ka dhënë kontributin e vet në pasurimin e kësaj tradite ku përmes punës së palodhshme të balerinëve tanë, bashkëpunimeve me artistë nga e gjithë bota, shfaqjeve artistike të dhëna në vend e në qendra të ndryshme të Evropës, pashmangshëm është bërë pjesë e nevojës sonë kolektive por edhe pjesë e vlerave universale botërore të vallëzimit dhe kjo dëshmohet më së miri përmes faktit që BKK që nga viti 2014 është anëtarësuar në Këshillin Ndërkombëtar të Vallëzimit, organizatë kjo me seli në UNESCO”, thotë Kajtazi.

Sipas tij, duke shfrytëzuar këtë ditë dhe moment të veçantë, ai falënderoi të gjithë ata që janë dhe nuk janë në mesin e tyre fizikisht, për kontributin e tyre për pasurimin e vlerave të vallëzimit në vendin tonë.

“Mirënjohja ndaj tyre përveçse na nderon, shërben si model për gjeneratat e reja të kërcimtarëve të cilët kanë talentin dhe dëshirën për të nisur rrugën e vështirë por edhe të bukur të kërcimit. Në fakt, mirënjohja, falënderimi dhe motivimi i atyre që merren me gjininë e bukur të vallëzimit, në këtë rast, Baletit, është edhe qëllimi i shërbimit të Ditës Botërore të Vallëzimit që prej vitit 1982”, përfundon Kajtazi.

Ndërsa, këshilltari i ministrit të Kulturës, Librun Jupolli, tha se tashmë është bërë ndarja e lokacionit për ndërtimin e Teatrit të Operës dhe Baletit ku komuniteti i muzikës dhe në veçanti ai i Baletit, do të kenë ndërtesën e tyre të dinjitetshme e të shumëpritur.

“Dita Ndërkombëtare e Vallëzimit është festë botërore e cila është nisur nga komuniteti i vallëzimit të institutit ndërkombëtar të teatrit, partneri kryesor i arteve skenike të UNESCO-s, dhe si i tillë festohet tashmë për çdo vjet. Të dhënat më të hershme historike që tregojnë për origjinën e vallëzimit janë pikturat e shpellave në Indi që datojnë rreth vitit 8000 p.e.s. e po ashtu evidencë të tillë të vallëzimit gjejmë edhe në pikturat egjiptiane të cilat paraqesin vallëzimin rreth 3300 vite p.e.s. Baleti dhe gjegjësisht vallëzimi është gjuha e trupit tonë dhe shprehja më direkte që e kemi si qenie. Gjuha e trupit të një populli dhe kapaciteti shprehës trupor i një vendi, njihet më së miri nga valltarët e vet. Akterët tanë të profilit të vallëzimit dhe kontributi i tyre profesional janë shprehja më e lartë e fisnikërimit të shpirtit përmes lëvizjes”, thotë Jupolli.

Sipas tij, sot Kosova dhe mbarë kultura e profilit të vallëzimit njeh një histori me lëvizje që nga shekulli i njëzet me Baletin e parë kosovar ‘Sokoli e Mirusha’ nga kompozitori Akil Mark-Koci pastaj me zhvillime të tjera përgjatë shekullit njëzet ku kompozitorët vazhdojnë me kompozime të tjera të baleteve të reja.

“Në shekullin njëzet e një, po ashtu njohim edhe kompozime të baletit modern dhe produksione të tjera të ngjashme. Vallëzimi sot në Kosovë njeh edhe zhvillime të shumta në edukim dhe pedagogji të cilat padyshim që do të sjellin frytet e veta për gjeneratat e reja dhe të lartësojmë më lart, artin e lëvizjes në vendin tonë. Këtë herë, Dita Ndërkombëtare e Vallëzimit koincidoi me një lajm shumë të mirë, pra me ndarjen e lokacionit për ndërtimin e Teatrit të Operës dhe Baletit ku komuniteti i muzikës dhe në veçanti ai i Baletit, do të kenë ndërtesën e tyre të dinjitetshme të shumëpritur e shumë merituar. Shumë shpejt vazhdojmë me konkursin arkitektonik ndërsa faza pasuese do të kryhet me efikasitet e cilësi deri në inaugurimin e ndërtesës”, përfundon Jupolli.

Ai tutje foli rreth veçantisë së 50 vjetorit të Baletit Kombëtar të Kosovës dhe si rast ky i veçantë, është konsideruar të jetë i rëndësishëm për t’i kujtuar sakrificat për këtë profil të cilat janë bërë që nga shekulli njëzet me gjeneratën e të ndjerit, Abdurrahman Nokshiqi e gjerë tek vitet pasuese e drejtuesit e tjerë duke përfshirë edhe punën e të ndjerit, Ahmet Brahimaj si dhe punën e palodhshme të trupës artistike.

Pas këtyre fjalimeve, të pranishmit tutje vazhduan brenda sallës së Teatrit Kombëtar të Kosovës për të shikuar dhe rishikuar edhe një herë talentin e BKK-së që lehtazi shfaqej nëpërmjet shfaqjes ‘Romeo dhe Zhulieta’, shfaqje kjo e cila pati ardhur premierë më 25 mars. / KultPlus.com

Sinan Kajtazi: Ëndrra e Ahmet Brahimaj për Baletin Kombëtar të Kosovës, duhet të jetë mison për ne

Drejtori i Baletit Kombëtar të Kosovës, Sinan Kajtazi ka përkujtuar sot ‘babain e baletit’, Ahmet Brahimaj, përcjell KultPlus.

“Po e mbyll ditën e sotme, e po e nis rrugëtimin e ri duke bërë homazhe pranë varrit të njeriut që dha aq shumë për Baletin Kombëtar të Kosovës, Ahmet Brahimaj.

Ëndrra e tij për Baletin Kombëtar të Kosovës, duhet të jetë mison për ne. Përjetësisht falenderues, profesor!”, ka shkruar Kajtazi në rrjetet sociale.

Sinan Kajtazi është një ndër balerinët e parë të trupës së baletit të pas luftës. / KultPlus.com

“Romeo dhe Zhulieta”, premiera e Baletit Kombëtar të Kosovës që kaloi përtej përsosmërisë

Era Berisha

Premierën e parë për vitin 2022, mbrëmë Baleti Kombëtar i Kosovës e solli nëpërmjet një fryme romantike, intensiteti i së cilës kaloi përtej përsosmërisë. E titulluar “Romeo dhe Zhulieta”, shfaqja erdhi me një stil tejet ndryshe nga e zakonshmja, me ç’rast modernizmi i kësaj shfaqjeje pikturoi një peizazh që vështirë se do të harrohet ndonjëherë, shkruan KultPlus.

Kulminacionin e kryeveprës së Shekspirit, në skenën e Teatrit Kombëtar të Kosovës kanë arritur ta sjellin koreografi Konstantin Uralsky dhe asistenti i tij, Yury Romashko. Historia legjendare e shfaqjes së bazuar në dramën e Shekspirit, u shpërfaq jashtëzakonisht mirë sa që vështirësia e kërcimit në kuadër të përkthimit të mendimit në veprim, nuk ishte aspak e vështirë për trupën e baletit.

Salla e Teatrit Kombëtar dalëngadalë po mbushej me prezencën e të pranishmëve që po zinin vendet e tyre përkatëse. Ishin dritat e ndriçimit të zbehtë ato që po shoqëroheshin me padurimin e njerëzve për të parë sa më shpejt këtë premierë që pas pak do të sillte një frymë sa dramatike aq edhe pasionante. Qetësia e cila hodhi krahët mbi skenë bëri që dritat të fiken si një qiri.

Errësira ishte ajo që kaploi për pak sekonda sallën dhe u zhduk papritmas në mënyrë që shfaqja të gjente fillimin. Me hapjen pa muzikë në një mënyrë krejtësisht unike, skenografinë që portretizonte aq bukur periudhën kohore si dhe me shprehjet e fytyrës të çdo kërcimtari në skenë, Baleti Kombëtar i Kosovës shpalosi dramë, butësi, humor si dhe dhimbjen e zemrës që me një talent të mrekullueshëm, portretizohej në fytyrën e roleve kryesore, të cilët mbi skenë lanë shpirtin e tyre duke shënuar fundin e tragjedisë epike.

“Romeo dhe Zhulieta” pati një shtrirje të jashtëzakonshme emocionale. E gjithë drama vjen nga hapat dhe ndërveprimi mes personazheve në skenë dhe kjo është arsyeja pse natyraliteti i tyre i lejoi ata të jepnin diçka nga vetja për publikun. Sigurisht se shfaqja zbuloi atë se çfarë vallëzimi mund të bëjë më mirë se fjalët. Shprehja e emocioneve nëpërmjet lëvizjeve, hapave dhe teknikës së veçantë të trupës së baletit, ka skalitur trajektoren e një tragjedie me një qartësi të pashoq.

Me ndihmën e muzikës që vjen nga Sergey Prokofiev e që dukej se hynte në shpirtin e secilit të pranishëm me vrullin e saj në secilin akt e në secilën situatë, skenografinë që qysh nga fillimi publiku veçse ishte bërë pjesë e kalasë të vendosur në skenë, inkuadrimin e shpatave që shoqëroheshin me zhurmën e përplasjeve të tyre si dhe kostumet e mahnitshme të gjithsecilit, ka rrumbullakuar përsosmërinë e “Romeo dhe Zhulieta”, nivel ky që erdhi pikërisht nga Baleti Kombëtar i Kosovës, me ç’rast arriti që publiku të shndërrohet në vetë autorin e kësaj tragjedie, William Shakepare, i cili i njeh të gjitha ndodhitë, duke nisur nga fillimi, intrigat, përleshjet e deri tek fundi tragjik.

Në ndërkohë janë emocionet e ndryshme që vinë nga pjesë të ndryshme përgjatë dy orëve, ato të cilat ju marrin me vete e të dërgojnë në historinë e njohur shekspiriane me muzikë të llojllojshmërisë së vendosur. Të dashuruarit në skenën e ballkonit përcillen me muzikë jo aq intensive siç janë skenat e luftimit që kërcasin me energji e që po njëlloj janë edhe skenat e topit ku balerinët takohen ndonjëherë në kërcime të shkurtra e të ndryshme.

Në një ndriçim sa në të kuqe e herë në të kaltër, tempoja e kërcimeve të shumta fizike në ajër dhe  lëvizjeve të mprehta të ngadalta kishin kapluar sytë e buzëqeshur të të pranishmëve. Po ashtu, përgjatë dy pjesëve nuk munguan as duetet e balerinëve që treguan forcë, hijeshi por mbi të gjitha; dhunti hyjnore.

Krejt në fund, duartrokitjet dhe brohoritjet e shumta nuk munguan për asnjë sekondë të vetme, kurse në anën tjetër buzëqeshjet e publikut kishin qenë të vendosura përgjatë gjithë kësaj shfaqjeje.

Për të shprehur emocionet dhe ndjenjat pas një shfaqje të tillë, në një prononcim për KultPlus, foli koreografi Konstantin Uralsky.

“Ishte një premierë shumë e mrekullueshme dhe vërtet e pabesueshme. Unë kam një ndjenjë shumë të ngrohtë dhe jam plot emocione, kështu që është vërtet e vështirë të shpjegohet sepse ajo që po ndjej është si një spektër i tërë. Gjatë performancës kam qenë pjesë e saj, kam qenë në skenë me çdo balerin në çdo moment. Gjithçka më bëri përshtypje, është një balet romantik dhe vërtet nuk mund të zgjedhësh një pjesë apo një tjetër. Ndoshta, pjesa vërtet e rëndësishme për mua është audienca dhe ajo heshtje e veçantë kur njerëzit janë plotësisht të interesuar. Unë jam shumë i lumtur”, thotë Uralsky.

Ndërsa për të treguar më shumë për ndjenjat e veçanta pas një shfaqje të tillë, për KultPlus, ka folur edhe balerini Fatmir Smani, i cili barti rolin e Romeos.

“Kjo shfaqje ka qenë njëra ndër sfidat më të mëdha në karrierën time, duke pasur parasysh kohën e shkurtër për këtë shfaqje. Vetëm tri javë për një shfaqje me përmasa të tilla, rreth dy orë dhe me vlerën që e përmban duke i mbijetuar shekujve si dhe që luhet në krejt teatrot botërore, ka qenë një sfidë më vete. Përveç kësaj, është krijuar edhe si një balet i tërë, pa ndërprerje me dy akte në krejt kuptimin e vetë dhe ka qenë sigurisht ndër shfaqjet më të gjata që e kemi pasur në repertorin e Baletit Kombëtar, andaj dhe për mua ka qenë një privilegj që ta luaj këtë rol”, thotë Smani.

Sipas tij, vështirësia e këtij roli janë ndryshimet e situatave aty për aty, emocioni, gjendja dhe për t’u arritur ky qëllim për një javë, ka qenë një sfidë për krejt trupën e baletit. Ndërsa, lëndimi i partneres së tij, Leonora Rexhepi, tri ditë para shfaqjes ishte një fatkeqësi por megjithatë çdo gjë është arritur mirë, duke u kaluar edhe kjo sfidë.

“Tashmë ka filluar një vit festiv me një shfaqje shumë të madhe ku merita kanë krejt themeluesit, sidomos i ndjeri ish-drejtori Ahmet Brahimaj, që do të doja shumë që ai të ishte sonte këtu dhe me shiju këtë shfaqje, por besoj se ai do të na përcjell, si gjithmonë”, përfundon Smani.

Po ashtu, ushtruesi i detyrës së Drejtorit në Baletin Kombëtar të Kosovës, Niki Musolli, tregoi rreth përshtypjeve të tij pas shfaqjes.

“Jam jashtëzakonisht i lumtur që ka përfunduar gjithçka me sukses dhe nuk kam pasur asnjë dyshim se a do t’i pëlqej publikut apo jo, mirëpo çdo herë është ajo brenga se mos është pak e gjatë shfaqja apo diçka e tillë. Por për fat të mirë, të gjithëve iu ka pëlqyer dhe koreografi është jashtëzakonisht i kënaqur. Secila pjesë e shfaqjes është shumë e bukur por ndoshta pjesa e ballos është më e fuqishme duke pasur parasysh muzikën dhe vlerën që e ka në skenën e artit”, thotë Musolli.

Sipas tij, BKK është një institucion që ka përmbush gati gjysmë shekulli dhe prapëseprapë përballet me problemet e njëjta për fat të keq dhe vlerësimi që është i nevojshëm, mungon. Por ai shpreson që të kuptohet rëndësia e artit të baletit në mënyrë që t’i kushtohet vëmendja e duhur.

Gjithashtu, balerini Sead Vuniqi për KultPlus foli rreth vështirësive që janë hasur përgjatë krijimit të kësaj shfaqjeje.

“Sa i përket trupës së Baletit, jemi shumë të kënaqur duke e ditur se ka qenë një kohë shumë e shkurtër për të realizuar premierën. Nuk na ka ndodhur asnjëherë që të kemi kaq kohë të shkurtër për një projekt kaq të gjatë, afër dy orëve, por besoj se ia kemi dalur aty ku kemi dashur të arrijmë. Por, asnjëherë ne nuk jemi dorëzuar duke dhënë maksimumin tonë jo vetëm nga ana teknike por edhe me mjaft gjëra tjera”, thotë Vuniqi.

Sipas tij, dy rolet kryesore janë aq të vështira sepse kanë të bëjnë sa me anën teknike aq dhe me atë emocionale, dhe kjo i ka bërë ata që të lodhen akoma më shumë.

“Të gjithë të pranishmit duken shumë të kënaqur pas shfaqjes dhe kjo sepse u ka munguar shumë një shfaqje e tillë me një kohëzgjatje më të gjatë për arsye se të gjitha shfaqjet botërore klasike të shkurtohen për shkak të publikut. Por, koreografi ka vendosur kohën minimale diku rreth një orë e katërdhjetë minuta. Me këtë shfaqje ka ardhur një risi goxha e madhe dhe po ndihem shumë i lumtur”, përfundon Vuniqi.

Fotografia: Arben Llapashtica

Për arsye të shpalljes ditë zie në nderim të ish-Sekretares Amerikane të Shtetit, Madeleine Albright, repriza e shfaqjes “Romeo & Zhulieta” që ka qenë e planifikuar për sot, nuk do të mbahet. Repriza e ardhshme do të jetë në muajin prill.

Fotografia në ballinë: Arben Llapashtica / KultPlus.com

Fotografia: Arben Llapashtica

BKK vjen me premierën e parë për vitin 2022, koreografi Uralsky: Do të sjellim diçka të re që do t’i përkasë vetëm këtij teatri

Era Berisha

Me një stil tejet të modernizuar dhe ndryshe nga e zakonshmja, shfaqja “Romeo dhe Zhulieta” e cila vjen si premiera e parë për vitin 2022 nga Baleti Kombëtar i Kosovës, hapjen do ta ketë në një mënyrë krejtësisht unike, me ç’rast publiku do të përjetojë një risi të pa ndjerë më parë nga trupa e baletit që do të frymojë për dashurinë nën një peizazh që i ka munguar botës deri më tani, shkruan KultPlus.

Ajo se çfarë dëgjohet qysh nga kati i sipërm së hapësirës për prova të trupës së baletit, është një muzikë sa e lehtë aq edhe intensive. Trupa e baletit në gjithë gjendjen kaotike dhe të bukur, nëpërmjet hapave, lëvizjeve trupore e kërcimeve, shpalosi dramë, butësi, humor dhe dhimbjen e zemrës që përkon me historinë legjendare të shfaqjes së bazuar në dramën e William Shakespeare.

E mbushur me luftime dramatike me shpata, hapa precize, kërcime që të lënë pa frymë e deri tek emocioni që shprehej nëpërmjet fytyrave të mbuluara me djersë të trupës së baletit, nuk ka dyshim se shfaqja do të sjell lojën mjeshtërore të emocioneve të fuqishme duke sjell në jetë jo vetëm dashurinë e dy protagonistëve por edhe mallin e humbjen së kësaj tragjedie epike.

Teksa lëvizjet dhe hapat magjepsëse të tyre lundrojnë në atmosferë, vëmendja e tyre bie direkt tek zëri i koreografit Konstantin Uralsky, i cili së bashku me asistentin e tij udhëzojnë trupën nën komandën e tyre besnike. Si një dukuri e shenjtë, vallëzimi i tyre tashmë kalonte përtej lodhjes trupore, duke u shndërruar në një kryevepër që dukshëm do të lë gjurmë në skenën e Teatrit Kombëtar të Kosovës më 24 mars.

“Romeo dhe Zhulieta”, konsiderohet se do të luhet në një mënyrë tërësisht të re, në diçka që nuk është parë ende. Duke u dalluar nga stili tradicional i shfaqjes, koreografi Uralsky tenton që këndvështrimi i tij të jehojë jo vetëm mbi dashurinë e dy të rinjve, por të arrijë edhe deri tek filozofitë e tjera që ndërthuren në atë shfaqje. Andaj dhe kjo cilësohet të jetë diçka që do t’i përket vetëm Teatrit Kombëtar të Kosovës ngaqë elementet e reja po vinë për herë të parë nga vetë koreografi i cili këto elemente nuk i ka sjell asnjëherë më parë në jetën e tij.

Duke kujtuar bashkëpunimin mes Baletit Kombëtar të Kosovës dhe koreografit Uralsky në vitin 2009, ky bashkëpunim i radhës që po vjen së shpejti, duket se do të emocionojë publikun si asnjëherë më parë. Ndonëse, provat kanë filluar qysh nga dita e hënë, me një periudhë të shkurtër kohore, Baleti Kombëtar i Kosovës, beson se do të arrijë që shfaqja të gjejë fundin me një perfeksion të jashtëzakonshëm.

Për të na folur për shfaqjen, atmosferën dhe provat para një premiere që është kaq afër, për KultPlus tregon koreografi Konstantin Uralsky.

“’Romeo dhe Zhulieta’ është një kryevepër e famshme dhe e përjetshme e William Shakespeare e cila ndoshta është në skenë që nga viti 1935. Ka opera, filma, ka gjithçka, kështu që njerëzit janë shumë të njohur me historinë. Është një histori për dashurinë, jetën, vdekjen dhe konkretisht në lidhje me këtë shfaqje, ajo që po bëjmë nuk është aq e lehtë sepse nuk po përpiqemi ta bëjmë në mënyrë tradicionale, por të sjellim diçka të re. Diçka që do t’i përkasë vetëm këtij grupi njerëzish, vetëm këtij teatri. Pra, këndvështrimi im për këtë është më shumë se vetëm për dashurinë e dy të rinjve që takohen me njëri-tjetrin në një situatë shumë të diskutueshme”, thotë Uralsky.

Sipas tij, nëse e shikojmë në aspektin filozofik, në mënyrën se si paraqitet, është një balet bashkëkohor, jo domosdoshmërisht në një teknikë kërcimi sepse i përket baletit klasik bashkëkohor. Pra, ai po sjell elemente të një teatri bashkëkohor në të dhe që do të ketë edhe shumë surpriza.

“Ne do të kemi disa elemente të papritura në duart tona që do të luhen dhe kjo është arsyeja pse publiku do të jetë absolutisht i emocionuar për t’i parë ato.”

Për të, ndonjëherë njerëzit nuk mendojnë se sa lehtë mund të humbasin jetën dhe ndonjëherë performanca është jeta e tyre dhe kjo është arsyeja pse ai po përpiqet të vendosë elemente që nuk i ka bërë kurrë më parë në jetën e tij.

“Provat janë shumë emocionuese. Unë kam qenë këtu në vitin 2009 dhe shumë nga kërcimtarët janë ende të njëjtët kërcimtarë. Është shumë e mrekullueshme të punosh me një kompani të re e cila është kaq e etur për të marrë nga ju, për të mësuar nga ju dhe për të ecur përpara. Ata janë shumë të interesuar për shfaqjen dhe kjo është arsyeja pse unë po e shijoj kaq shumë”, përfundon Uralsky.

Ndërsa se si erdhi bashkëpunimi i dytë me koreografin Uralsky, na tregon edhe balerini Kreshnik Musolli.

“Bashkëpunimin e parë e kemi pasur në vitin 2009 ku mbaj mend se ka qenë një shfaqje fantastike e cila është pëlqyer mjaft shumë nga publiku dhe që nga ajo kohë kemi mbajtur një kontakt shumë të afërt me koreografin, i cili për ne është njeri shumë i rëndësishëm. E kemi parasysh se ardhja e një shtetasi amerikano-rus në atë kohë nuk ka qenë diçka e lehtë dhe për të gjithë ne ka qenë një surprizë se si kemi arritur bashkëpunimin me të. Gjithashtu, prej anës së tij, ai nuk pati ditur se çfarë të pres nga ne por mund të them se është ndarë jashtëzakonisht i kënaqur. Për këtë arsye, kur e ftova vitin e kaluar për të nisur përgatitjet për këtë shfaqje, ka pranuar ftesën me një entuziazëm të madh”, thotë Musolli.

Sipas tij, provat kanë filluar qysh nga dita e hënë dhe deri më tani materiali koreografik konsiderohet të jetë mjaft shumë i mësuar.

“Është një kohë shumë e shkurtër mirëpo jemi duke punuar intensivisht që të sjellim një premierë të suksesshme si çdo herë dhe të sjellim një këndvështrim tjetër ndaj “Romeo dhe Zhulieta”. Kjo shfaqje kësaj here është modernizuar me shumë gjëra dhe të cilat vetë ne po i mësojmë ditë pas dite për arsye se nuk na është treguar që nga fillimi saktësisht se çka do të bëjë ai. Po e shohim si një proces mjaft interesant sepse po punojmë me një koreograf me renome botërore. Është një nder që atë ta kemi në mesin tonë dhe shpresojmë që ta kemi edhe në të ardhmen”, thotë ai.

Duke pasur parasysh se Baleti Kombëtar i Kosovës ka realizuar tri premiera në një situatë pandemike dhe tani po e sjell të katërtën me radhë, Musolli tutje tregon se kjo shfaqje dhe pse e realizuar në këto kushte me të cilat janë mësuar tashmë, sjell një hapje ku ngjarjet futen dalëngadalë dhe tejet interesante përbrenda shfaqjes.

“Mënyra se ai e nis shfaqjen është tejet e bukur dhe mendoj se do të jetë një risi për publikun por edhe për balerinët që shfaqja nuk do të filloj vetëm si shfaqje por e ka edhe një fillim pak më interesant që fut ngjarjet dalëngadalë.”

Se si po zhvillohen provat për një hapje interesante dhe për bartjen e një roli kryesor siç është ‘Romeo’, për KultPlus tregon edhe balerini Sead Vuniqi.

“Kjo është java e parë që kemi nisur me prova. Për momentin gjithçka po shkon mirë dhe normal që tash problemi është se koha është shumë e limituar dhe janë diku afër njëzet ditë për të krijuar një lloj vepre siç është “Romeo dhe Zhulieta”. Jemi duke e stërzgjatur edhe provat dhe orarin në mënyrë që të arrijmë të përfundojmë procesin e punës dhe të realizojmë shfaqjen në kohë”, thotë Vuniqi.

Sipas tij, roli i Romeo-s është një privilegj për t’u luajtur dhe është një ndjenjë e mirë për shkak se është një vepër e Shekspirit, vepër kjo e veçantë që atij po i dhuron shumë ndjenja të ndryshme, duke inkuadruar dhe muzikën e çdo gjë tjetër.

“Zakonisht ne kemi shumë shfaqje të ndryshme të baletit por këto klasiket e bëjnë më të veçantë për arsye se baleti klasik është një shkollë ndryshe e një balet krejt ndryshe prej arteve tjera për arsye të sfidës që posedon. Njëkohësisht, jemi tërë kohën në tension për të bërë më të mirën sepse lëvizjet e baletit klasik janë shumë të vështira dhe gjithmonë kjo e bënë pak më të veçantë, duke nisur edhe nga ndjeshmëria dhe gjithçka rreth saj. Pra, thjesht të sjell emocione ndryshe”, përfundon Vuniqi.

Ndërsa, për të na treguar më shumë rreth rolit të saj si ‘Zhulieta’, për KultPlus foli balerina Leonora Rexhepi.

“Për të bartur rolin kryesor natyrisht është një ndjenjë shumë e veçantë dhe po ndihem shumë mirë. Pa diskutim se është një privilegj i madh dhe do mundohem ta jap maksimumin tim. Të gjitha rolet që kanë të bëjnë me dashurinë e ndjenjat, janë më të ndjeshme dhe mendoj që aty e kam pikën më të dobët dhe se mund ta jap më të mirën time”, thotë ajo.

Sipas saj, është diçka krejt ndryshe dhe mendon se do t’ia dali shumë mirë në fund, dhe pse shfaqjen të tërën në tërësi nuk e kanë parë as trupa e baletit.

“Për gjithë këto vite, ne me të vërtetë jetojmë për duartrokitjet e publikut.”

Premiera e shfaqjes “Romeo dhe Zhulieta” vjen me datë 24 mars. Ndërkaq, repriza e parë vjen me datë 25 mars. / KultPlus.com

Një koreograf rus në premierën e Baletit Kombëtar të Kosovës

Përderisa shumë festivale botërore, organizata sportive, bienale dhe shumë aktivitete të ndryshme janë duke i penalizuar pjesëmarrësit rus, Baleti Kombëtar i Kosovës ka paralajmëruar për premierën e këtij muaji, por që ka rastisë të jetë koreografi rus.

Shfaqja “Romeo dhe Zhulieta” me koreografin rus Konstatin Urlasky, është paraparë të jepet premierë më 24 mars.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Baletit Kombëtar të Kosovës, Kreshnik Musolli ka thënë për KultPlus se tashmë kanë filluar provat e kësaj shfaqje.

Se nëse do të anulohet kjo shfaqje, duke pas parasysh se shumë festivale prestigjioze kanë anuluar tashmë shfaqjet, koncertet dhe shumë aktivitete tjera sportive me pjesëmarrës rus, Kreshnik Musolli ka thënë se nuk do të këtë ndonjë ndryshim.

“Kjo shfaqje ka qenë e planifikuar tash e sa muaj, ne kemi filluar provat, dhe se nuk do të ketë ndonjë ndryshim në lidhje me këtë shfaqje. Konstatin Urlasky nuk është një njeri që mbështetë Putinin, andaj nuk kem arsye që të anulojmë shfaqjen”, ka thënë Musolli për KultPlus.

Ndërkohë, përpos asaj që në këtë shfaqje ka rastistë të jetë një koreograf rus, edhe menaxhmenti i Teatrit Kombëtar i Kosovës nuk është treguar i kujdesshëm me rezervimin e datës për këtë shfaqje. Duke kujtuar që 24 marsi është datë kur edhe kanë filluar bombardimet e NATO-s në Kosovë. Lista e sporteve ku nuk mund të garojë Rusia janë : Futboll, Basketboll, Volejboll, Atletikë, Xhudo, Taekwondo, Skitari, Hokej, Patinazh, Biatlon, Not, Formula 1. // KultPlus.com

Baleti Kombëtar i Kosovës bëhet me drejtor, zgjidhet Sinan Kajtazi

Baleti Kombëtar i Kosovës zyrtarisht ka një udhëheqës në krye, e ai është balerini Sinan Kajtazi, shkruan KultPlus.

Sinan Kajtazi e ka konfirmuar këtë vendim edhe për KultPlus, gjithnjë duke iu referuar vendimit të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, që edhe e ka publikuar në faqen zyrtare.

KultPlus merr vesh se këtë pozitë e kanë synyar edhe katër të tjerë, por që komisioni e ka vlerësuar Sinan Kajtazin.

Sinan Kajtazi është një ndër balerinët e parë të trupës së baletit të pas luftës./ KultPlus.com

Sinan Kajtazi me Ahmet Brahimajn, ku ky i fundit e udhëhoqi këtë institucion për shumë mandate

Baleti Kombëtar i Kosovës në bashkëpunim me David Peden për ngritjen e nivelit tekniko-artistik të balerinëve

Baleti Kombëtar i Kosovës së fundmi ka filluar bashkëpunimin me pedagogun David Peden, përcjell KultPlus.

Pedagogu Peden do të jetë në Teatrin Kombëtar të Kosovës për 3 javë në kuadër të ngritjes së nivelit tekniko-artistik të balerinëve. / KultPlus.com

Koncerti Inaugurues i Operës së Kosovës mbrëmë solli magjinë operistike të nivelit botëror

Era Berisha

Interpretimi i Orkestrës së Filharmonisë së Kosovës, Korit të Filharmonisë së Kosovës dhe Baletit Kombëtar të Kosovës, mbrëmë nëpërmjet veprave operistike kombëtare dhe atyre botërore, duke përfshirë këtu ariet, koralet, uverturat dhe duetet e ndryshme, erdhi me inkuadrimin e sopranos Adelina Paloja, baritonit Armando Likaj, sopranos Arta Jasharit, sopranos Besa Llugiqit, mezzosopranos Flaka Gorancit, sopranos Kaltrina Miftarit, tenorit Liridon Sadriut dhe sopranos Zana Abazit, të cilët ndezën skenën si yje ndriçuese që po shpërthenin në secilën sekondë, prej momentit kur ora shënoi 19:10, shkruan KultPlus.

Koncerti inaugurues i Institucionit të Operës së Kosovës, i titulluar si “Opera Gala” portretizoi një literaturë operistike që fillimisht mbrëmë Orkestra e Filharmonisë së Kosovës, shënoi nisjen e këtij koncerti të magjishëm me veprën e kompozitorit të njohur Rauf Dhomi, ‘Goca e Kaçanikut’, nën dirigjimin e Edon Ramadanit, për të vazhduar me interpretimin e veprave të kompozitorëve botërorë si: Gaetano Donizetti, Giuseppe Verdi, Wolfgang A.Mozart, Charles Gounod, Giacomo Puccini dhe Georges Bizet, nën dirigjimin e Edon Ramadanit dhe Leonardo Quadrinit, ku krahas tyre nuk mungoi as edhe vepra e mirënjohur e kompozitorit Prenk Jakova “Mrika”, duke sjellë kështu vepra të cilat fuqishëm buronin nga zëri unik i performuesve të njëpasnjëshëm e hynin thellë brenda të pranishmëve për ti futur ata brenda fuqisë mbinatyrore të struktur në çdo melodi e tingull.

Para se koncerti të fillonte, të pranishmit ngadalë po mbushnin vendet e tyre të rezervuara përballë skenës në Sallën e Sportit në Pallatin e Rinisë dhe Sportit, e që kësaj radhe kjo sallë kishte marrë një formë krejtësisht ndryshe. Perdet e zeza e të lëshuara përgjatë gjithë hapësirës, reflektorët që gjithmonë ndërronin ngjyrën sipas programit, karriget blu, imazhet e shfaqura në sfondin mbrapa Orkestrës, podiumet, dritat e ngrohta e të ndezura, lulet e vendosura përgjatë skenës që rrethonte vendin ku Baleti Kombëtar do të performonte, instrumentet diversive që ishin të shtrira në karriget e vendosura për performuesit e të cilat posedonin një hijeshi të paparë kur heshtja kaplonte kohën, si dhe instrumenti i bukur ‘Harpa’ që dallohej dukshëm, ishin këto specifika që krijuan një atmosferë ku perfeksionimi kishte gjetur shtëpinë e përhershme të tij.

Ndërlidhja e dy institucioneve si ajo e Operës së Kosovës dhe Baletit Kombëtar të Kosovës, ishte diçka aq e përsosur dhe e mistershme, saqë ajo fuqi që arti operistik e i vallëzimit e posedon në një frymë të vetme, do të përshkruhej pothuajse si një ëndërr e pashpjegueshme, në të cilën njeriu përhumbet dhe rrezikon nga mos dalja e saj. Një ëndërr si kjo e jo nga ato të zakonshmet, erdhi posaçërisht nga kjo ndërlidhje që solli ngrohtësinë, paqen, krenarinë dhe lumturinë në një koncert të vetëm.

Në skenë, të veshur me të zeza ishin instrumentistët e Orkestrës së Filharmonisë së Kosovës të cilët së bashku me instrumentet si: violina, viola, violonçeli, kontrabasi, flauti, obo, klarineta, fagoti, korno, trumbeta, tromboni, tuba, timpani e perkusionet, përgjatë gjithë koncertit, pa ndalur, sollën interpretime të vazhdueshme të cilat i përngjanin atyre të nivelit botëror. Krahas kësaj Orkestre, ishte zëri i Korit të Filharmonisë së Kosovës, ai që plotësoi pjesën e fundit të një mozaiku operistik. Një mozaik ky tejet magjepsës që shpalosi vokalin unik të Korit dhe muzikën e veçantë mes të instrumentistëve që po performonin me një dëshirë të zjarrtë që nuk po mbaronte dot.

Në ndërkohë, veprat si: “Luicia di Lammermoor”, “La Traviata”, “Dasma e Figaros”, “Romeo et Juliette”, “Madama Butterfly”, “Dasma Arbëreshe”, “Nabucco” dhe “Carmen”, nën interpretimin e sopranove si: Besa Llugiqi, Adelina Paloja, Kaltrina Miftari, Zana Abazi Ramadani, Arta Jashari, Elona Sadiku, mezzosopranove Flaka Gorancit dhe Teuta Kurtit, tenorit Liridon Sadriu si dhe baritonit Armando Likaj, dëshmuan se porsi veshjet e tyre plot elegancë, mbrëmë vokalet e tyre po aq elegant, shpërthyen furishëm përmes teknikave mjeshtërore e lëvizjeve skenike, duke rrëmbyer zemrën e të pranishmëve, duartrokitjet dhe brohoritjet e së cilëve dëgjoheshin ende pa mbaruar veprat.

Për të treguar më shumë rreth krijimit të vendit më të mirë të mundshëm për Operën e Kosovës, për KultPlus foli kryeministri Albin Kurti.

“Sonte u dëshmua se ne kemi përmbajtje, kemi substancë, i kemi talentët tonë që kanë bërë shumë punë, kemi organizim të jashtëzakonshëm që erdhi deri te kjo mbrëmje historike për kulturën dhe artin tonë, meqenëse opera është shumë e vështirë, e këta ia kanë dalë fort mirë”, ka thënë ai.

Sipas tij, ky art i lartë e do edhe një infrastrukturë adekuate dhe se ata pa humbur kohë do të bëjnë hulumtimet për vendin me të mirë të mundshëm dhe gjithashtu për karakteristikat e nevojshme.

“Pra, meqë jemi në përfundim të këtij viti, pa dyshim që vitin e ardhshëm do të fillojmë përgatitjet ashtu që sa më parë të krijojmë kushtet për atë që dëshmuam sonte se nuk ngelim prapa vendeve të rajonit e mbase edhe më gjerë se kaq”, ka thënë Kurti.

Ndërsa, për të treguar për përshtypjet e tij rreth koncertit dhe procesin e provave, për KultPlus foli ushtruesi i detyrës së Drejtorit në Baletin Kombëtar të Kosovës, Niki Musolli.

“Jam shumë i lumtur që çdo ka shkuar sipas planit sepse ne e patëm premierën tonë para një jave e disa ditë e ka qenë goxha problematike, çështja e agjendës por për fat të mirë që është shtyrë në këtë datë dhe kemi pasur mundësi të përgatisim pjesën nga shfaqja ‘Karmen’ si dhe valësin në fund që është dashur të adaptohet nga shfaqja ‘Pushimi i Kalorësve’ me muzikë të Verdit nga Orkestra këtu”, thotë ai.

Sipas tij, provat janë mbajtur në sallën e tyre e të cilat kanë vazhduar deri në ditën e premte. Por, kjo punë e dy institucioneve, ishte tejet e madhe.

“Dy pjesët janë pjesë shumë shumë të bukura dhe janë bota komplet ndryshe nga njëra-tjetra dhe besoj se publikut i ka pëlqyer shumë”, përfundon Musolli.

Po ashtu, dirigjenti Edon Ramadani për KultPlus tregoi se si kapacitetet e të gjithë pjesëmarrësve u treguan sonte, por që të njëjtat janë treguar edhe shumë më herët.

“Ka qenë një organizim i madh duke pasur parasysh se vetëm në skenë kanë qenë rreth 120 muzicientë duke përfshirë Korin dhe Orkestrën, pastaj natyrisht dhe Baleti i Kosovës i cili e zbukuroi tërë këtë organizim e po ashtu edhe në prapaskenë ka qenë një ekip i madh i cili ka punuar për tërë këtë projekt. Kjo nuk është hera e parë që ne realisht po dëshmojmë se mundemi të fillojmë një Operë e punimin e shfaqjes operistike sepse ato janë bërë edhe më herët prandaj tani është momenti që të kemi objektet tona kur ne do të mund të ushtronim veprimtarinë tonë dhe të fillojmë me shfaqjet operistike”, thotë Ramadani.

Sipas tij, kapacitetet u treguan edhe sonte e janë treguar edhe shumë më herët.

“Pas disa vitesh, unë besoj shumë që do të kemi mundësinë që ti kemi dy Orkestra të plota, dy Kore të plota, të cilat do të mund të funksionin edhe në mënyrë të pavarur pa problem. Ishte një program operistik meqenëse ishte festimi i inaugurimit të Operës së Kosovës e veçoria e këtij programi ishte repertori tejet i larmishëm”, përfundon ai.

Kurse, mezzosporanoja Flaka Goranci për KultPlus ka thënë se për të ka qenë një ndjenjë e veçantë këndimi për inaugurimin e institucionit të Operës të Kosovës.

Sipas saj, kjo mbrëmje arrin të krahasohet me koncerte shumë me të mëdha që zhvillohen në vende të tjera dhe të tilla që marrin epitetin si gala-koncerte.

“Mendoj që tash na pret një punë mjaft e madhe. Ne kemi parë që kemi gjithë trupën për të krijuar një shtëpi të operës dhe mendoj se patjetër do të jetë punë e madhe e Qeverisë për të arritur të ndërtojë shtëpinë, një objekt si secili institucion që e ka shtëpinë e tij”, ka thënë ajo.

Opera e Kosovës e solli këtë koncert në bashkëpunim me Filharmoninë e Kosovës.

Fotografitë: Majlinda Hoxha & Arben Llapashtica / KultPlus.com

“Tanzminiaturen & Tangata”, premiera e dytë e Baletit Kombëtar të Kosovës për këtë vit

Baleti Kombëtar i Kosovës së shpejti shfaq premierën e dytë për vitin 2021 të titulluar: “Tanzminiaturen” dhe “Tangata”, përcjell KultPlus.

Premiera “Tanzminiaturen” dhe “Tangata” vjen nën koreografinë e Ricardo Fernando dhe asistentes Christine Ceconello, duke u shoqëruar nga meloditë e muzikës së J.S.Bach dhe Astor Piazzollës.

Ndërsa, kostumet janë realizuar nga Ricardo Fernando e po ashtu edhe dizajni i ndriçimit dhe skenografisë.

Premiera shfaqet ditën e enjte në orën 19:00. Kurse, repriza e parë shfaqet të premten duke filluar nga ora 19:00. / KultPlus.com

Ahmet Brahimaj nderohet me pllakatën ‘Post Mortum’ nga shoqata ‘Artal’ në Tetovë

Shoqata ‘Artal’ ka nderuar ish-drejtorin e Baletit Kombëtar të Kosovës, Ahmet Brahimaj me pllakatën ‘Post Mortum’, përcjell KultPlus.

Në postimin e Baletit Kombëtar të Kosovës, thuhet se Brahimaj u nderua për ndihmën dhe kontributin e dhënë në realizimin e Festivalit ndërkombëtar “Meridians” në Tetovë.

KultPlus ua sjell njoftimin e plotë:

Ish Drejtori i Baletit Kombëtar të Kosovës – Ahmet Brahimaj u nderua nga Shoqata “Artal” me pllaketën Post Mortum për ndihmën dhe kontributin e dhënë në realizimin e Festivalit ndërkombëtar “Meridians” në Tetovë./KultPlus.com

Çeku: Ahmet Brahimaj mbetet një prej heronjve tanë popullor që i kanë dhënë shpirt vendit tonë

Në një vjetorin e vdekjes së Ahmet Brahimaj, Baleti Kombëtar dha reprizën e shfaqjes “Sisters” ku Ministri Hajrulla Çeku pati nderin t’i ndaj disa fjalë.

Fjalimin e plotë të ministrit e gjeni më poshtë:

“E nderuara zonja Brahimaj,

E nderuara familja Brahimaj,

Balerin dhe miq të Baletit Kombëtar,

Zonja dhe zotërinj,

Shfaqja e natës së sontme iu dedikua të ndjerit Ahmet Brahimaj, një prej figurave kyçe të zhvillimit të baletit në Kosovë, fillimisht si pjesëtar i gjeneratës së parë të baletit dhe më pas si drejtor i institucionit.

Ahmeti, me kontributin e tij jetësor në kulturë, mbetet një prej heronjve tanë popullor që i kanë dhënë shpirt vendit tonë. Ai i takon gjeneratës që e ka mbajtur kulturën gjallë me rezistencë dhe devotshmëri.

E kemi parë edhe në situatë pandemike që pa art dhe kulturë, muzikë dhe vallëzim, jeta është e thatë. Baleti në Kosovë, si medium, është kulmi i disiplinës, kapaciteteve fizike, ekselencës njerëzore.

Gjatë udhëheqjes së tij si drejtor, Baleti Kombëtar ngriti zërin tonë në botë. Trupa e baletit ka bashkëpunuar me shumë koreografë të shquar ndërkombëtarë, performoi anembanë Evropës, por më e rëndësishmja, u ofroi qytetarëve tanë netë të paharrueshme muzikore.

Pa figura si Ahmet Brahimaj, baleti kosovar do të dukej shumë ndryshe. E gjithë kultura kosovare e çmon, dhe i gjithë populli i Kosovës e nderon punën dhe figurën e tij në këtë përvjetor.

Për baletin kosovar, ai e bëri pjesën e tij, bile në mënyrë të jashtëzakonshme. Tani është radha jonë.

Qoftë i përjetshëm kujtimi për Ahmet Brahimajn.” / KultPlus.com

“Entre dos Aguas & Troy Game”, premiera e Baletit Kombëtar të Kosovës që shpërtheu pamëshirshëm

Era Berisha

Performanca e Baletit Kombëtar të Kosovës, mbrëmë jo vetëm që vërtetoi se trupa e baletit është një trupë që hapat, lëvizjet dhe kërcimet e pa para më parë, i sjellin si një trup i vetëm unik, por trupi i tyre shndërrohet në instrumentalin që dëgjohej, në një dukuri hyjnore që shkrihet tërësisht si një vullkan i zjarrtë që shpërthen atëherë kur nuk pritet nga askush dhe depërton furishëm në shpirtin dhe mendjen e secilit, shkruan KultPlus.

Trupa e Baletit të Kosovës mbrëmë ka dhënë premierën e parë për këtë vit të titulluar ”Entre Dos Aguas & Troy Game”, nën koreografinë e Robert North, i cili për shkak të kushteve pandemie nuk ka qenë i pranishëm në rrugëtimin e plotë të shfaqjes, por në vend të tij ishin dy asistentë dhe njëkohësisht koreografë: Lale Balkan dhe Julian Moss.

Në një ndriçim të zbehtë në sallën e Teatrit Kombëtar, të pranishmit dalëngadalë zunë vendet e tyre të distancuar. Teksa, në fytyrat e tyre shihej padurimi për premierën e cila solli një frymë ndryshe të pa identifikuar, nën qetësinë e publikut, ajo se çka dëgjohej ishin vetëm hapat e qetë të balerinëve që po bëheshin gati të dilnin në skenë.

Pas një brohoritje relaksuese të përbashkët nga balerinët, e cila erdhi prapa perdeve por të cilën tashmë jemi mësuar ta dëgjojmë, dritat humbën zbehjen e tyre duke zbritur në nivelin e errësirës që për një moment kaploi sallën dhe kështu perdja filloi të mbështjellët në vendin e saj për t’iu liruar balerinëve të shpalosin pjesën e parë të titulluar ‘Entre Dos Aguas’. E pikërisht si domethënia e saj që do të thotë në mesin e dy ujërave, balerinet vajza nisën hapat nën melodinë e tingujve latin, ku secila nga to kishte kostume të njëjta por me ngjyra të ndryshme se çka shtyu të formohet ideja se ato po kërcenin në një ritëm shumëngjyrësh.

Këtij ylberi latin, që filloi në një ritëm të butë e pothuajse të ngadaltë, surprizoi publikun kur në skenë iu bashkëngjiten edhe balerinët djem të cilët u ngritën nga karriget e tyre duke rritur intensitetin kur dy gjinitë u bashkuan, jo vetëm në një trup të vetëm por edhe në hapa dhe lëvizje të shpejta, për të cilat vështirë ti kapësh me sy por që është lehtësisht ta dashurosh punën madhështore të tyre në stilin flamengo.

Në një ndriçim sa në të kuqe e herë në të kaltër, tempoja e kërcimeve të shumta fizike në ajër kishin kapluar të gjithë sytë e buzëqeshur dhe adhurues të publikut. Po ashtu, në mesin e pjesës së parë herë pas here, nuk munguan as solot e balerinave që treguan një hijeshi të bukur me trupin e tyre duke ndjekur kështu tingujt instrumental spanjoll.

Me përfundimin e pjesës së parë, duartrokitjet dhe brohoritjet e vazhdueshme bënë që të gjithë balerinët të kthehen në skenë edhe një herë për të shijuar këtë moment të veçantë dhe mjaft inkurajues për pjesën e dytë që do të fillonte pas 5 minutave pauzë.

Teksa balerinët djem po bëheshin gati për pjesën e dytë të titulluar ‘Troy Game’, të pranishmit që as për një moment nuk iu ndahej vezullima në sytë e tyre, e shfrytëzuan rastin që të bisedonin me njëri-tjetrin për magjinë, identitetin, për energjinë që kapërceu nga ta e direkt mbi atmosferën e sallës dhe natyrisht për stilin e ri që pjesa e parë solli.

Ndërsa, kur pjesa e dytë nisi, ajo që e befasoi publikun ishin jo vetëm veshjet armatore por edhe fillimi pa asnjë melodi të vetme. Krejt se çka dëgjohej ishin të qeshurat dhe britmat e gjithsej tetë balerinëve të cilët nisën lojën e tyre për të shprehur talentin e secilit mashkull dhe fuqinë e tyre prej ‘burri’, duke e kthyer teknikën e tyre të lëvizjeve të shpejta në një formë të humorit.

Dinamika dhe harmonia e veçantë e lëvizjeve të tyre, e cila më vonë u shoqërua edhe me melodi, pasoi në një luftë të vërtetë të kërcimeve të fuqishme por që njëkohësisht ishin aq të bukura dhe aq të shpejta saqë vështirë të mbahen mend të gjitha nga audienca por që këtë talent balerinët e kanë të futur thellë brenda vetes duke treguar koncentrimin e tyre përderisa fokusi i tyre mbetet sjellja e magjisë unike që vetëm ata dinë ta sjellin në formën e tyre të mrekullueshme.

Dëshmi për këtë ishte edhe momenti kur secili në sallë u ngritë në këmbë dhe duartrokiti vazhdueshëm me një energji të jashtëzakonshme kur balerinët përfunduan aktin e fundit humoristik por tejet të suksesshëm.

Për të shprehur emocionet dhe ndjenjat pas një shfaqje të tillë, në një prononcim për KultPlus, asistenti Julian Moss i cili për herë të parë ishte në Kosovë për realizimin dhe finalizimin e kësaj premiere, e cilësoi këtë si një natë të mrekullueshme.

“Unë mendojë se ishte një natë tepër e mrekullueshme, trupa e baletit performoi në një mënyrë mjaft të mirë dhe shpresoj se audienca është kënaqur shumë gjithashtu. Ishte shumë e mirë sepse trupa e baletit ka përmbushur pritshmëritë e mia, por që gjëja më e rëndësishme është që publiku ta shijojë performancën dhe kur ata të largohen, të largohen duke u ndjerë se kanë parë diçka që është e mirë”, thotë Moss.

Sipas tij, është e këndshme që në një kohë të tillë pandemike, e cila është një kohë shumë e vështirë për të gjithë, ata kanë arritur të kenë një audiencë të vogël të cilët kanë parë një grup kërcimtarësh duke punuar vërtetë shumë dhe kjo për Moss është gjithmonë gjëja më e bukur sepse ai e dashuron teatrin prandaj duke parë trupën duke kërcyer dhe publikun duke e shijuar, nata për të ishte perfekte.

Ai tutje tregon se pikërisht koreografi i njohur Robert North ka lënë një mesazh për natën e mbrëmshme.

“Unë fola me të në telefon sot në mëngjes dhe ai tha: paçi fat dhe ‘break a leg’, që është një shprehje në botën e kërcimit. Por, edhe pse jo prezent, ai ishte këtu me shpirt”, shprehet Moss.

Duke rikujtuar intervistën e mëparshme për KultPlus ku ai është shprehur se ishte duke kërkuar për një diamant i cili është i vrazhdë por që është dashur ta lustrosh deri në shkëlqimin perfekt të tij, Moss pohon se pikërisht e gjithë trupa e baletit po shkëlqenin sonte dhe kjo është gjithmonë e mrekullueshme.

Ndërsa për të treguar më shumë për momentet e veçanta pas një shfaqje të tillë, për KultPlus, ka folur edhe balerini Fatmir Smani.

“Për neve performanca ishte e veçantë në disa aspekte e sidomos për shkak të pandemisë sepse duke pasur parasysh kushtet tona dhe se si është realizuar e gjitha kjo me kufizime dhe distancë, për të cilat jemi munduar ti respektojmë, por që megjithatë profesioni jonë nuk mund ti përballojë të gjitha gjërat sepse normalisht ka qenë rrezikshmëri për neve por që në fund e gjitha kjo ka një vlerë të madhe”, tregon Smani.

Ai tutje tregon se për të ishte një privilegj që luajti në këtë shfaqje e cila ka emër botëror dhe luhet nga trupat më të mëdha të baletit dhe e cila është përgatitur për një muaj e një javë me praninë e koreografëve fantastikë.

“Është kënaqësi e madhe edhe pse me 20% publik, për neve ka qenë si me qenë 200%”, potencon ai.

Sipas tij, performanca e tyre i ka tejkaluar pritshmëritë e publikut sepse në momentin kur e kanë kuptuar se publiku do të jetë vetëm 20%, ata kanë menduar se energjia do të jetë më e zbehtë por përkundrazi energjia ishte aq e madhe saqë të gjitha ulëset e zbrazëta janë përmbushur edhe me energjinë e atyre të cilët nuk ishin prezent.

Repriza e parë e shfaqjes ‘Entre Dos Aguas & Troy Game’, vjen sonte pastaj është menduar një pauzë e shkurtër sepse teatri do të filloj renovimin e shumëpritur. / KultPlus.com

Baleti Kombëtar i Kosovës vjen me premierën e parë për këtë vit, sjell një frymë të re

Dy rryma krejtësisht ndryshe nga njëra-tjetra, do të frymojnë së bashku në premierën e parë për këtë vit nga Baleti Kombëtar i Kosovës, duke shpalosur kështu lëvizje, hapa dhe kërcime fizike të reja në një tempo mjaft të definuar, shkruan KultPlus.

Para disa javëve në Teatrin Kombëtar të Kosovës, kanë filluar provat e trupës së Baletit për premierën e titulluar “Entre dos Aguas” & “Troy Game’’, e realizuar nën koreografinë e Robert North.

Kjo koreografi shpalos dy pjesë krejtësisht të ndryshme nga njëra tjetra, ku në pjesën e parë ‘Entre dos Aguas’, luajnë balerina dhe balerinë dhe kuptimi i saj do të thotë ‘në mesin e dy ujërave’ e cila shpalos dashurinë dhe dijeninë e koreografit North, për kërcimin në stilin flamengo, ndërsa në pjesën e dytë ‘Troy Game’, luhet vetëm me balerinë dhe shpalos dashurinë e koreografit për muzikën dhe ka të bëjë me termin ‘djemtë janë djemë’, duke futur kështu në ‘luftë’, talentin e gjithanshëm të 8 balerinëve në gjithsej 23 minuta të kërcimit.

Pjesa e parë e koreografisë është e realizuar në vitin 1984 në Londër, ndërsa pjesa e dytë është realizuar në vitin 1974, e cila është luajtur edhe nga 15 trupa të mëdha botërore të baletit. E njëra nga këto trupa do të jetë edhe ajo e baletit kombëtar të Kosovës.

Ndërsa se si erdhi bashkëpunimi me koreografin North, na tregon edhe ushtruesi i detyrës së Drejtorit në Baletin Kombëtar të Kosovës, Niki Musolli.

“Bashkëpunimi me koreografin e njohur Robert North ka ardhur nëpërmjet koreografit Mehmet Balkan, ku pikërisht përmes tij ka filluar ky projekt. Prandaj për trupën e baletit është një privilegj i madh që të realizojë dhe performojë veprat e tij’’ thotë Musolli për KultPlus.

Sipas tij, procesi është shumë i ngarkuar sepse të dy pjesët janë shumë specifike në stilin e tyre, edhe në aspektin muzikor dhe në aspektin e lëvizjeve. Në pjesën e parë do të ketë një stil spanjoll kurse pas një ndërprerje 10-15 minutëshe, për ndërrimin e kostumeve dhe shfaqjen e një botë tjetër në pjesën e dytë, e cila përmban lëvizje krejtësisht të ndryshme me një stil të arteve marciale braziliane, japoneze e të tjera.

Ndërsa në pamundësi që vetë koreografi të jetë prezent për shkak të kohës pandemike, ata që po vëzhgojnë gjithë procesin janë asistentët e tij, Julian Moss dhe Lale Balkan. Për të na folur për provat dhe atmosferën para një premiere, për KultPlus tregon edhe vetë Julian.

“Ne kemi pasur një ftesë nga Niki për të sjell punën e Robert North’s këtu, gjë që është shumë emocionuese sepse po ndodh për herë të parë në Kosovë. Procesi ka filluar në një periudhë më pak se një muaj dhe ka shkuar shumë mirë deri tani. Për momentin jemi në një pjesë shumë intensive, pothuajse sikur jemi duke kërkuar për një diamant i cili është i vrazhdë dhe duhesh ta lustrosh deri në shkëlqimin perfekt të tij”, thotë Julian.

Sipas tij, duhet që koreografia të rafinohet para se të shfaqet në skenë së bashku me ndriçimin, kostumet të cilat nisin nga zero e mbërrijnë në performancë. Balerinët janë duke bërë një punë shumë të mirë, por normalisht është gjithmonë e vështirë që balerinët të mësojnë një stil të ri.

“Secila kompani që takon, sjell një identitet të ri, probleme të reja e po ashtu edhe zgjedhje të reja, andaj edhe pse baleti është vendosur, procesi ende evoluon. Është vetë jeta. Prandaj edhe pse pothuajse secili ka një solo për të performuar, është e rëndësishme i gjithë grupi dhe bashkëpunimi i tyre duke kërcyer për të shprehur një lojë ideore, nga e cila është vështirë të mos duash të kërcesh”, përfundon Moss.

Se si po zhvillohen provat për një hapje të re të një stili të veçantë të paemërtuar ende, për KultPlus tregon edhe balerini Sead Vuniqi.

“Jemi shumë mirë me prova, me Lalen nuk hera e parë që po bashkëpunojmë, kurse sa i përket anës tonë jemi shumë të privilegjuar që kemi edhe një asistent si Gulio i cili ka njohuri të të mëdha rreth baletit, i cili vazhdimisht po na korrigjon në mënyrën e ushtrimit të lëvizjeve të reja që i kemi në këtë shfaqje”, thotë Vuniqi.

Sipas tij, shfaqja është shumë e madhe dhe Julian është shumë i përpiktë në punën e tij sepse fokusi është shumë i rëndësishëm, prandaj edhe vrazhdësia e tij në aspektin disiplinor po i ndihmon atyre si balerinë që të ndihen më mirë duke plotësuar kriteret e tij.

“Një tingull ka dy lëvizje prandaj është edhe pak më e vështirë sesa shfaqjet e tjera të realizuara, kur ka kohë për të marrë frymë. Vazhdimisht gjatë gjithë kohës jemi në kontakt me njëri-tjetrin sepse fokusi është më detajizues sesa shfaqjet tjera prandaj edhe mendoj se publikut do ti pëlqejë shumë, duke pasur parasysh se nuk janë mësuar të shohin një stil të tillë”, përfundon Vuniqi.

Premiera e shfaqjes ”Entre dos Aguas” & “Troy Game”, do të vjen më datë 15 prill, por se në cilën mënyrë do të shfaqet dhe a do të ketë publik, ende mbetet e pacaktuar. / Era Berisha / KultPlus.com

Sonte në televizionin francez ‘Baleti Kombëtar i Kosovës’ vallëzon për mbijetesë

Sonte, më 11 mars 2021, në televizionin francez-gjerman Arte jepet kroniak “Aschenputtel Ballerinas” (Balerinat si Hirushja), njofton TV Arte, transmeton KultPlus.

Kronika e titulluar “Baleti Kombëtar i Kosovës vallëzon për mbijetesë” shfaqet me fillim në orën 19:40, transmeton KultPlus.

Po ashtu mund të shikohet edhe në internet.

Teuta Krasniqi jep gjithçka nga vetja edhe në provën e sotme. Baleti i ardhshëm është shumë i rëndësishëm për solisten e Baletit Kombëtar Kosovar, sepse atë e ka kompozuar dhe koreografuar një nga valltarët e trupës.

20 artistët e baletit bëjnë prova në bodrumin e teatrit në Prishtinë. Pavarësisht kushteve të vështira, pagës së dobët dhe mungesës së çdo perspektive, valltarët mendojnë se është një nder i veçantë të jesh pjesë e baletit kombëtar, përcjell albinfo.ch. Përmes artit të tyre ata gjithashtu duan t’u japin bashkatdhetarëve ndjenjën se ia vlen të qëndrojnë në vendin e tyre të varfër dhe të jenë krijues.

“Baleti Kombëtar i Kosovës vallëzon për mbijetesë” përsëritet nga Arte: Më 12 Mars, 2021 në 12:15 pasdite. Zakonisht mund ta gjeni programin në internet pasi të jetë transmetuar në TV.

Viti i prodhimit është 2018, pra bëhet fjalë për reprizë por pasi nuk ka ndryshuar shumë për të mirë, ja vlen të shikohet edhe sot. / KultPlus.com

Baleti Kombëtar i Kosovës zë vend në ballinën e revistës amerikane të arteve

Baleti Kombëtar i Kosovës ka zënë vend në kopertinën e revistës amerikane të arteve në New York, ‘Revista 1212’, shkruan KultPlus.

Lajmi është bërë i ditur nëpërmjet një postimi në faqen zyrtare të Baletit të Kosovës në Facebook.

“Është një nder shumë i madh për Baletin Kombëtar të Kosovës që të paraqitet në kopertinën e revistës amerikane të arteve në New York – Revista 1212.  Faleminderit 1212digital dhe Lee Bradshaë për mbështetjen e ëndrrave tona”, thuhet ndër të tjera në postim./ KultPlus.com

https://www.magcloud.com/browse/issue/1909286?__r=656386&fbclid=IwAR1gDc58SEgDRob1upVj3XGIP5Q7Dl1VIP_8hfvjH3QcMx0ydHXJXJjWO_k

Është një nder shumë i madh për Baletin Kombëtar të Kosovës që të paraqitet në kopertinën e revistës amerikane të arteve…

Posted by Baleti Kombëtar i Kosovës – The National Ballet of Kosovo on Sunday, January 3, 2021

Baleti Kombëtar i Kosovës do të performojë në ngjarjen ndërkombëtare të kulturës

Baleti Kombëtar i Kosovës do të performojë në ngjarjen e madhe artistike me karakter ndërkombëtar, shkruan KultPlus.

Në mesin e baleteve, teatrove, institucioneve të ndryshme kulturore në organizimin “The Nutshell” është edhe emri i Baletit Kombëtar të Kosovës.

Balerinët kosovar do të performojnë për të qenë pjesë e Misteletoe Cast në kuadër të këtij organizimi, e cila do të transmetohet virtualisht në mbarë botën.

Përgjatë datave 25 dhe 26 dhjetor si dhe 1 e 2 janar do të mund të shihen lëvizjet artistike të pjesëtarëve të këtij institucioni publik.

Për më shumë informacione rreth biletave në ditët e performancave: https://www.facebook.com/BaletiKombetariKosoves/posts/4711055295631488 / KultPlus.com

Baleti Kombëtar i Kosovës pjesëmarrës në performancën ndërkombëtare ‘The Nutshell’ (VIDEO)

Me ftesë nga Mannakin Theater and Dance nga San Francisco, Baleti Kombëtar i Kosovës është pjesë e video-performancës me titull “The Nutshell!” së bashku me shumë kompani të Baletit nga vende të ndryshme si New York City, Kina, Gjermania, Egjipti, Nigeria, San Francisco, etj. 

Kjo është një festim i një tradite 75-vjeçare e shfaqjes së baletit “Arrëthyesi” i adaptuar në kushte të pandemisë duke performuar në ambient të hapur dhe mbajtje të maskave, njoftojnë nga Baleti Kombëtar i Kosovës. / KultPlus.com

https://www.facebook.com/BaletiKombetariKosoves/posts/4694841187252899

Sot ka datëlindjen “babai” i baletit në Kosovë, Ahmet Brahimaj

6 dhjetori përveç lindjes së një fëmiu në familjen Brahimaj, do të shënonte edhe lindjen e një personi i cili do të kthehej në ikonë të Baletit Kombëtar të Kosovar, shkruan KultPlus.

Ahmet Brahimaj lindi në fshatin Novosellë të Pejës. Lidhja e tij me baletin filloi që në bankat e shkollës së mesme, atëherë kur vazhdoi shkollimin në Shkup për të hyrë në historinë e gjeneratës së parë të Baletit të Kosovës.

Viti 1972 përveç që u bë koha kur u rikthye në Prishtinë, kjo periudhë shënon edhe kohën e formimit të Ansamblit të Baletit, për t’u gdhendur në kujtesën kulturore të vendit.

Si solist i kësaj trupe, Brahimaj ka qenë aty në çdo shfaqje të asaj kohe, duke jetësuar role në 38 premiera të baletit.

Mirëpo, ai nuk mbeti vetëm solist, në vitin 1985 Brahimaj emërohet Shef i Baletit. Për punën e tij krijuese ai mori shumë lëvdata, si dhe për nder të 48 vjetorit, u dekorua me “Plaketën e Teatrit Popullor Krahinor” (1986), dhe me rastin e 60 vjetorit të Teatrit Kombëtar të Kosovës, është shpërblyer për punën artistike e krijuese.

Veprimtaria e tij kulturore nuk mbetet vetëm me kaq. Pas luftës, së bashku me disa nga kolegët e tij, hapin Shkollën e Mesme të Baletit, në kuadër të shkollës së muzikës “Prenkë Jakova”, në Prishtinë.

Klasa e Ahmet Brahimajt u diplomua në vitin 2005, dhe është gjenerata e parë pas luftës e njëherit edhe bërthama e Baletit të Kosovës. Gjithashtu, Brahimaj ka kontribuar dhe në formulimin e Ligjit të Operës, Filharmonisë dhe Baletit, Ligj I cili është në funksion tani dhe është aprovuar në vitin 2005.

Edhe pas vdekjes së tij në moshën 66 vjeçare, të gjithë kolegët e tij e kujtojnë me mall dhe dashuri për përkushtimin dhe mundin e madh që dha në skenë dhe për skenën.  Shfaqjet në të cilat ai shkëlqeu me rolet e tij janë listë e gjatë, e që përfshijnë “Karmen” (Don Hose), “Romeo e Xhyljeta” (Romeo), “Zhizela dhe Interplay” (Albert), “Era dhe Kolona” (Komandanti), “Piter Pan” (Kryeplaku Indian),” Kopelia” (Prefekti), “Don Kishoti” (Espado), “Halili e Hajria” (Sadiku), “Bolero e Shtrausiana”, “Vallja pranverore”, “Trëndafili I përgjakur” (Luisillo), “Ritme të zgjuara”, “Kënga e Rexhës” (Valleheqësi), “Besa” (Princi), “Balloja e Kadetëve”, “Zef Lush Marku” (Tri hije të vdekjes), “Loja e Sizifit” (Udhëheqësi I), “E bukura More” (Thanasi), “Legjenda mbi ngadhnjimin” (Vdekja), “Mbrëmje baleti”, kurse Hans Fyelltarin te “Fyelltari” dhe te shfaqja “Tranzicion II” ka luajtur pas luftës, në vitin 2001/02.

Vepra e tij do të mbetet e paharruar për jetën kulturore të vendit. / KultPlus.com

Vjosa Osmani: Premiera e baletit ‘Sisters’ ishte thirrje për vëmendje ndaj artistëve

Teksa dje u dha premiera e veprës “Sisters”, e pranishme për të shijuar magjinë që krijuan balerinët e Baletit Kombëtar ishte edhe ushtruesja e detyrës së Presidentit, Vjosa Osmani, shkruan KultPlus.

Osmani ka çmuar lartë këtë shfaqje e cila ishte dedikim për “babain” e Baletit në Kosovë, Ahmet Brahimaj. Ajo e vlerësuar premierën e shfaqjes “Sisters” si një thirrje për vëmendje ndaj artistëve të vendit të cilët veprojnë në sfera të ndryshme kulturore.

KultPlus ua sjell të plotë reagimin e u.d. Presidentes, Vjosa Osmani:

Janë padyshim disa nga ditët më të vështira këto me të cilat po ballafaqohemi, për shkak të pandemisë. Por rikthimi mbrëmë në Teatrin Kombëtar të Kosovës për të parë premieren e baletit ‘Sisters’ ishte shpresëdhënës, frymëzues, por njëkohësisht, një thirrje për vëmendje. Thirrje për vëmendje të shtuar ndaj artistëve tanë, qofshin baletanë, kineastë, kompozitorë, piktorë, skulptorë, regjisorë, të gjithë ata që me mjeshtrinë e talentin e tyre e ngjyrosin jetën, momentet e veçanta, skenën ku ata përformojnë me ngjyra, lëvizje e tinguj shpesh përtej imagjinatës tonë.

E di që fjalët nuk mjaftojnë për të adresuar sfidat e tyre, që për fat të keq janë të shumta, por sonte jam plot fjalë mirënjohjeje ndaj tyre. Sidomos ndaj Baletit Kombëtar të Kosovës, një grup fantastik i vajzave dhe djemve të talentuar, e mbi të gjitha shumë punëtorë, të përkushtuar dhe këmbëngulës, që përkundër sfidave për shkak të kushteve të vështira të punës si dhe sfidat e shkaktuara nga pandemia, sollën në skenë një performancë për çdo lëvdatë. Ju lumtë!

Kjo shfaqje e baletit e dedikuar mjeshtrit të ndjerë, z. Ahmet Brahimaj, është mirënjohje për punën e pashoq të tij për të mbajtur gjallë dhe për të kultivuar baletin në Kosovë. Le të na shërbej në të tjerve si thirrje për këndjellje dhe për vlerësim për punën, kontributin, dhe veprën e gjithë artistëve tanë! / KultPlus.com

Baleti Kombëtar i Kosovës mban nesër konferencë për media

Baleti Kombëtar i Kosovës gjatë ditës së nesërme do të mbajë konferencë për media me rastin e premierës së shfaqjes “Sisters”, shkruan KultPlus.

Konferenca do të mbahet me fillim nga ora 13:00.

“Baleti Kombëtar i Kosovës mban konferencë për media me rastin e Premierës së shfaqjes “Sisters” me koreografi nga Mehmet Balkan. Konferenca mbahet nesër me 02.12.2020 në orën 13:00 në Teatrin Kombëtar të Kosovës”, thuhet në njoftim./ KultPlus.com

Kreshnik Musolli: Baleti Kombëtar i Kosovës, 48 vite histori suksesi

Trupa e Baletit Kombëtar të Kosovës tashmë ka depërtuar në skenën kulturore ndërkombëtare duke mahnitur me çdo shfaqje të realizuar me mjeshtëri.

Trupa është formuar nga Ahmet Brahimaj “Artist i Merituar” në vitin 1972 si Ansambli i Baletit. Ikona legjendare Ahmet Brahimaj shërbeu si Drejtor i Baletit Kombëtar të Kosovës me shumë përkushtim dhe me dashuri, duke lënë pas një trashëgimi madhështore kulturore për Kosovën dhe për gjeneratat në vijim.

Gjenerata e Parë e Baletit të Kosovës përbëhej nga: Ahmet Bahimaj, Abdurrahman Nokshiqi, Gani Loshi, Jonuz Beqiraj, Elez Nikqi, Rrustem Selca, Selajdin Kiqe, Rrustem Bajrami, Hysen Podrimcaku, Esma Mulla, Shqipe Hoxha, Enver Berisha, Shaban Shabanaj, Isa Bajraktari, Gani Shala, Enver Elshani, Sabrije Spahiu, Jashar Berisha dhe Nexhmije Selca. Ato njihen për realizimin e produksioneve me sukses si: “Sokol & Mirusha”, “Halili & Hajria”, “Bolero”, “Legjenda mbi ngadhnjimin”, “Romeo and Juliet”, “Kënga e Rexhës”, “Besa”, “Don Quixote”, “Fyelltari”, “E bukura More”, etj.

Sot Trupa e Baletit Kombëtar të Kosovës drejtohet nga Kreshnik Musolli, i cili shërben si U.D. i Drejtorit të Baletit. Lindur në Prishtinë, Kreshnik Musolli ka përfunduar studimet në regji teatri në Fakultetin e Arteve në Prishtinë në vitin 2013. Karrierën e tij si balerin e filloi në vitin 2007 dhe ka realizuar shumë shfaqe me sukses me balerinët e talentuar të Trupës së Baletit. Në rolin e koreografit Musolli debutoi me shfaqen “Andërr” (2019) me balerinët Sead Buniqi, Sinan Kajtazi dhe Aulona Nuhiu në rolet kryesore. Në baletet e tij, koreografi Kreshnik Musolli shquhet për inovacion, përmbajtje të thellë imagjinare dhe ekspresivitet dramatik.

Identiteti kombëtar i baletit kosovar vazhdon të forcohet dhe prezantohet me dinjitet në mbarë botën nga trupa e baletit, falë përkushtimit dhe punës së balerinëve të përkryer të Baletit Kombëtar të Kosovës, përkatësisht: Aulonë Nuhiu, Abetare Hyseni, Behie Murtezi, Drilon Podrimçaku, Fatmir Smani, Fisnik Smani, Ilir Krasniqi, Jeta Musolli, Kreshnik Musolli, Liridon Mziu, Leonora Rexhepi, Luljeta Ademi, Muhamet Bikliqi, Marigonë Hoxha, Mimoza Bytyqi, Sinan Kajtazi, Nora Gashi, Sead Vuniqi, Vlora Prizreni, Teuta Krasniqi, Vjollca Lugiqi, Besarta Shaljani, Flakarta Qorri, Elmedina Berisha dhe Isa Beg Gjocaj.

Artistët e Baletit Kombëtar të Kosovës kanë krijuar dhe mishëruar personazhe fantastike në rolet e tyre interpretuese, duke krijuar një karakter masiv për imazhin e baletit dhe duke e pasuruar atë me forma dhe stile të reja. Ndër vite, balerinët kombëtarë të Kosovës kanë dhuruar performanca të jashtëzakonshme, që kanë mahnitur dhe entuziazmuar publikun. Trupa e Baletit Kombëtar është prezantuar jashtë Kosovës me këto shfaqe të suksesshme: “Dasma”, “Xhuljeta pa Romeon”, “Ngjyrat e Vallezimit”, “Një Legjendë për dashurinë”, “Newborn-SYN”, dhe “Recomposed”.

Me datën 3 Dhjetor 2020, e enjta, ora 16:00, do shfaqet në Teatrin Kombëtar të Kosovës premiera e dytë e shfaqes shumë të kërkuar “Sisters”, me koreografi nga i mirënjohuri Mehmet Balkan. Shfaqja i dedikohet ikonës legjedare dhe ‘babait” të Baletit Kombëtar, Ahmet Brahimaj.

Intervistë me Kreshnik Musollin, U.D. i Drejtorit të Baletit Kombëtar të Kosovës, Balerin dhe Koreograf

Çfarë do të thotë Skena e Teatrit Kombëtar për ju dhe për gjeneratën tuaj të balerinëve?

Kreshnik Musolli: Skena e Teatrit Kombëtar të Kosoves ka një domëthënie të madhe për ne si gjeneratë e re e Baletit Kombëtar të Kosovës. Aty jemi rritur që nga mosha e re kur kemi filluar të merremi me këtë lloj arti dhe qysh herët kemi pas fat të angazhohemi në shfaqjet e institucionit tonë. Ne ende jemi në pritje të ndërtimit të Teatrit të Operës dhe Baletit ku do të kemi “shtëpinë” tonë pasi që është vështirë të ushtrosh veprimtarinë në objekt të huaj. Poashtu problem për ne është hapësira shumë e vogël si në sallë ashtu edhe në skenë, gjë që ndikon direkt në performancën tonë si balerinë.

Cilat tre shfaqje të trupës së Baletit të Kosovës që kanë qenë më të vlerësuarat dhe pëlqyerat nga publiku?

Kreshnik Musolli: Në përgjithësi të gjitha shfaqjet e Baletit Kombëtar të Kosovës janë vlerësuar shumë si nga publiku vendor poashtu edhe në rajon e Europë në turne e festivale të ndryshme. Një nga shfaqjet më të pëlqyera por edhe më të reprizuara është shfaqja “Dasma” me koreografi nga Mehmet Balkan e cila është realizuar si premierë në vitin 2012 dhe është reprizuar deri në vitin 2017, diku më shumë se 38 herë.

Çfarë konsideroni si të arritura tuaja, me të cilat krenoheni në karrierën tuaj?

Kreshnik Musolli: Balerinët e BKK-së edhe pse në kushte tejet të tmerrshme të punës në sallën e ushtrimeve dhe provave që gjendet në bodrumin e Teatrit Kombëtar, nuk janë ndalur kurrë duke punuar me këmbëngulje e vendosmëri të madhe që të arrihen sukseset që i kemi arritur që nga ri-themelimi pas luftës. Që nga viti 2001 deri më tani janë punuar mbi 50 shfaqje premiera të ndryshme me koreograf nga më shumë se 21 vende të botës duke bërë kështu që institucioni jonë të njihet jo vetëm në vend e rajon por edhe në të gjithë botën. Kjo patjetër që është arritë falë ish-Drejtorit Ahmet Brahimaj i cili është njeriu më meritor për ri-themelimin e Baletit në Kosovë pas luftës.

Poashtu ai e rriti gjithë grupin e balerinëve sikur të ishin fëmijët e tij, të gjithë duke funksionuar si një familje e madhe, kompakte dhe e disiplinuar gjë që ka bërë që të instalohet në mendjen e secilit që vetëm me punë të pandalshme mund të arrihen sukeseset në karrierën tonë pasi që në këtë profesion është shumë e limituar koha që mund të jesh aktiv në skenë. Për fat të keq në muajin Maj të këtij viti Ahmet Brahimaj “Babai” i Baletit të Kosovës u nda nga jeta dhe ne si gjeneratë e re e kemi obligim që të vazhdojmë tutje atë që ai ka nisur duke mos u ndalur asnjëherë me punë e suksese që institucionin tonë ta ngrisim edhe më lart në çdo aspekt.

Së shpejti keni dhe premierën e re me 3 dhejtor, nën koreografinë e të mirënjohurit Mehmet Balkan. Mund të na tregoni për historinë e shfaqjes, dhe elementet që e përbëjnë?

Kreshnik Musolli: Me datën 3 Dhjetor do të kemi premierën e dytë për vitin 2020 me koreografi nga Mehmet Balkan nga Turqia i cili është një emër me renome botërore. Me të kemi filluar bashkëpunimin në vitin 2010 dhe është shfaqja e pestë që e realizojmë së bashku. Shfaqja titullohet “Sisters” dhe ka si temë dy motra të cilat dashurohen në personin e njëjtë dhe pastaj lindin situatat dramatike mes tyre me xhelozi e inate.

Është një shfaqje e jashtëzakonshme e baletit neoklasik me një muzikë të mrekullueshme të kompozuar nga Erim Ardal nga Turqia. Asistente e shfaqjes është Lale Balkan, Kostumet dhe Skenografia janë dizajnuar nga Tayfun Çebi dhe Video që shfaqet si skenografi virtuale në prapavi përmes projektorit nga Ahmet Şeren. Këtë herë është pak sfiduese puna e organizimit të premierës për shkak të pandemisë së COVID-19 ku masat e qeverisë janë që lejohet vetëm 30% e sallës të mbushet me publik, sepse zakonisht jemi detyruar që të fusim karrige shtesë në sallë për shkak të interesimit tejet të madh.

Sa e karakterizon qytetin tuaj arti i baletit apo arti në përgjithësi në lidhje me mbështetjen nga publiku apo instituiconet lokale? Dhe sa të ndërthurur keni qene në aktivitete jashtë Kosovës?

Kreshnik Musolli: Baleti si art është shumë i dashur për popullatën në Prishtinë e në Kosovë dhe interesimi është shumë i madh në çdo premierë e reprizë të shfaqjeve që kemi. Do të duhej të ishte një përkrahje edhe më e madhe nga ana e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit për arsye që ne e kemi problem kyç objektin e Teatrit të Operës dhe Baletit, sepse siç e ceka edhe më lart është tejet sfidë e madhe të punohet në kushtet që i kemi momentalisht ku mungon hapësira e duhur, ajrosja e mjaftueshme e drita natyrale të cilat ndikojnë shumë negativisht çdo ditë në performancën dhe shëndetin e balerinëve.

Problem tjetër ose nevojë urgjente e jona është edhe Shkolla Kombëtare të Baletit që ende presim të themelohet. Vetëm përmes kësaj shkolle e cila do të jetë nën ombrellën dhe kontrollën e Baletit Kombëtar të Kosovës, mund të sigurohen e shkollohen gjeneratat e reja të cilat do ta vazhdojnë këtë art në Kosovë në mënyrë të mirëfilltë.

Sa i përket aktiviteteve jashtë vendit, kemi pas fat të marrim pjesë në shumë festivale e turne në shtetet e Ballkanit e Europës si: Shqipëri: Durrës, Tiranë, Vlorë, Elbasan; Maqedoni: Shkup, Tetovë, Manastir, Dibër, Ohër; Bullgari: Pravets, Sveti Vlas, Ruse; Zvicërr: Cyrih; Itali; Villapiana, Altomonte, Crotone, Napoli; Austri: Graz; Gjermani: Berlin, Hamburg; France: Paris; Finlandë: Tampere, Helsinki, Turku, Pori.

A mendoni se keni lënë gjurmë artistike?

Kreshnik Musolli: Padyshim që Baleti Kombëtar i Kosovës ka lënë gjurmë të rëndësishme në artin e kulturën e shtetit tonë duke treguar një nivel tejet të lartë teknik e artistik në secilën paraqitje si në vend ashtu edhe jashtë Kosovës. Shumë herë është emëruar si Institucioni më i suksesshëm kulturor në vend. Kjo është thënë edhe nga secili koreograf që kemi bashkëpunuar për këto vite, ku secili prej tyre ka punuar e punon në vendet më të zhvilluara me Kompani tejet të sukesshme të baletit dhe janë në gjendje të vlerësojnë këtë punë në mënyrën më të drejtë. / KultPlus.com

Premiera “Sisters” e Baletit Kombëtar të Kosovës shfaqet të enjten

Baleti Kombëtar i Kosovës sjell premierën e dytë për këtë vit, nën emërtimin “Sisters”, shkruan KultPlus.

Nën koreografinë e Mehmet Balkan, të enjten duke filluar nga ora 16:00 do të ipet premiera në Teatrin Kombëtar të Kosovës.

Kjo shfaqje do të jetë dedikuar Ahmet Brahimaj, teksa nëpërmjet lëvizjeve trupore do të performojnë balerinët Luljeta Ademi, Vjollca Llugiqi, Jeta Musolli, Sinan Kajtazi, Fatmir Smani, Muhamet Bikliqi, Behie Murtezi, Leonora Rexhepi, Aulonë Nuhiu, Fisnik Smani, Kreshnik Musolli, Drilon Podrimçaku, Marigonë Beha, Sead Vuniqi, Vlora Prizreni, Liridon Mziu, Mërgime Morina, Nora Gashi, Ilir Krasniqi, Flakarta Qorri, Isa Beg Gjocaj, Besarta Shaljani dhe Elmedina Berisha. / KultPlus.com

Salla e Baletit kundërmon rëndë, balerinët e Kosovës bëjnë thirrje për kushte më të mira

Jeta Zymberi

Pa një sallë adekuate për prova dhe pa një Teatër të mirëfilltë të Operës dhe Baletit, balerinët kosovarë po përballen me vështirësi skenike. Mungesa e një Teatri të Operës dhe Baletit ka kohë që konsiderohet “mëkati” i Qeverive që përkundër fjalëve ende nuk kanë arritur të konkretizojnë asgjë.

Kësaj sfide të artistëve, pritet t’i dalë ballë ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, shkruan KultPlus.

Por balerinët, deri në pritje të atij momenti, kërkojnë një zgjidhje të shpejtë sepse kushtet në të cilat ata punojnë janë të mjerueshme.

Me gypa që rrjedhin ujë, pa ngrohje adekuate, me xhama të thyer e pa ajër të mjaftueshëm, salla ku balerinët e Kosovës bëjnë provat është shndërruar në një vend gati të pamundur për punë. Kujtojmë që mungesa e ngrohjes së objektit të Teatrit ku shpesh ka munguar furnizimi me naftë, ka sjell edhe deri te anulimi i shfaqjeve.

Pas një pauze të gjatë për shkak të pandemisë Covid-19, ditën e djeshme, balerinët i janë kthyer ambientit të punës, por kushtet me të cilat po përballen i kanë nxitur ata të reagojnë. Përderisa dimri është në prag, artistët janë në panik që përkundër problemeve të tjera, problemi i vjetër, ai i ngrohjes do të u hap telashe.

Kreshnik Musolli, ushtrues detyre i drejtorit të Baletit Kombëtar të Kosovës ka thënë për KultPlus se gjendja e sallës ku ata punojnë është e mjerueshme dhe kjo ndikon direkt në punën e tyre të përditshme.

“Hapësira është shumë e vogël, ajër nuk ka mjaftueshëm pasi që janë vetëm 4 dritare që hapen tepër pak dhe një sistem ventilimi që është i nivelit shumë të dobët. Gjithashtu dyshemeja ka nevojë të rinovohet komplet sipas kritereve që nevojiten për profesionin tonë. Zhveshtoret dhe banjot janë në gjendje të tmerrshme, madje zhveshtorja e meshkujve nuk ka asnjë dritare brenda”, ka treguar kështu në detaje Musolli për problemet e theksuara të kësaj hapësire.

Sipas tij, e gjithë hapësira e tyre brenda Teatrit Kombëtar duhet të ristrukturohet që të jetë adekuate dhe funksionale.

Përkundër kërkesave të tyre të vazhdueshme për intervenim, deri më tani nuk kanë marr ndonjë përgjigje nga institucionet relevante.

“Kemi bërë kërkesë që sa kohë në ministri dhe janë të informuar shumë mirë në hollësi me të gjitha problemet që i kemi në aspektin e infrastrukturës”, ka thënë Musolli.

Balerina Behie Murtezi, është shprehur se salla ku ata ushtrojnë është baza që i mban si balerinë dhe përderisa kushtet në atë sallë janë të mjerueshme, ata nuk ndihen mirë të punojnë aty. Ajo madje theksoi edhe një tjetër problem, atë të erës së keqe që kundërmon aty.

“E kemi pritur me padurim kthimin në prova sepse kjo është baza që na mban neve balerinëve. Por kushtet që i ofron salla padyshim që na bën të mos ndjehemi mirë secili prej neve. Përveç asaj që sheh syri, aty kundërmon edhe një erë shumë e keqe. Do të doja shumë që fokusi i njerëzve kompetent të jetë të paktën në rregullimin e kushteve të sallës së baletit”, ka thënë Murtezi.

Balerinët mbesin me shpresë të një ndërhyrje sa më të shpejt të institucioneve në këtë hapësirë që për profesionin e tyre është jetike. KultPlus.com