Baleti Kombëtar i Kosovës nesër sjellë “New Born”, premierën e fundit për vitin 2017-të

Trupa e Baletit të Kosovës nesër do të sjellë për publikun premierën e fundit për këtë vit të titulluar “New Born”, me koreografi të Jochen Roller dhe Friderike Lampert, shkruan KultPlus.

Gili Hoxhaj

Kjo shfaqje do të ngjitet në skenë përmes një loje të pasur kolektive nga balerinët: Muhamet Bikliqi, Donmir Bilalli, Abetare Hyseni, Aulonë Nuhiu, Sinan Kajtazi, Teuta Krasniqi, Jeta Musolli, Kreshnik Musolli, Leonora Rexhepi, Fatmir Smani, Fisnik Smani, Sead Vuniqi, Behie Murtezi, Drilon Podrimçaku, Ilir Krasniqi, Liridon Mziu, Luljeta Ademi, Marigonë Hoxha, Mimoza Bytyqi, Mërgim Morina, Nora Gashi, Vjollca Llugiqi dhe Vlora Prizreni.

Drejtori i Baletit Kombëtar të Kosovës, Ahmet Brahimaj e cilësoi këtë vit si një nga vitet më të suksesshëm për shkak se brenda këtij viti janë shfaqur gjithsej gjashtë premiera.

“Në historinë e Baletit Kombëtar të Kosovës, asnjëherë nuk i kemi pasur gjashtë premiera brenda një viti, ku dy nga premierat kanë qenë të paplanifikuara dhe në bashkëpunim me ndërkombëtarët”, tregoi drejtori Brahimaj.

Ai sot gjatë një konference për media po ashtu tregoi se kjo premierë ka qenë e planifikuar qysh nga viti i kaluar dhe kjo për dy arsye, që ta sjellin një shfaqje të mirë për publikun e Kosovës dhe që puna e Trupës së Baletit të shfaqet edhe në Gjermani, ku Trupa e Baletit të Kosovës do ketë katër prezantime në Berlin dhe tri në qytetin e Hamburgut.

Jochen Roller, tregoi kur kishte ardhur në Prishtinë, fillimisht e kishte vizituar monumentin “New Born”, dhe ishte intriguar nga ideja që ky monument reprezentativ është krijuar në dialog mes artistëve.

“Duke u munduar të gjejmë një ide për bashkëpunimin me Baletin e Kosovës, ne vendosëm baletin si një gjuhë universale ku së bashku me dymbëdhjetë balerinë të krijojmë një monument që përdor të njëjtën logjikë, ku përdor gjuhën e të kaluarës, hapat tradicional të Baletit pra diçka që është e re dhe një prezantim të bashkëpunimit tonë”, ka thënë koreografi Jochen Roller.

Kjo shfaqje e cila do të zgjasë rreth një orë, bazën e ka në baletin klasik mirëpo që vjen më e modernizuar për publikun, për shkak se do të përcillet me muzikë moderne në sfond. Lidhur me muzikën koreografi Roller tha se e cilëson një gjuhë universale në të gjithë botën ndërsa shtoi se po pret me padurim reagimin e publikut kosovar.

Të dy koreografët thanë se janë ndjerë shumë të mirëpritur nga Trupa e Baletit të Kosovës dhe të kënaqur me bashkëpunimin e tyre.
Koreografja gjermane Friderike Lampert, poashtu tregoi se kjo shfaqje ka ardhur në dialog me Baletin Kombëtar të Kosovës, ku ata kanë vendosur që me hapat e balerinëve në mënyra të ndryshme brenda hapësirës të ndërtojnë një shfaqje mjaft bashkëkohore.

“Është shumë kënaqësi për neve që të punojmë me Baletin e Kosovës, ata kanë një energji pozitive dhe me punën e tyre në këtë performancë të vështirë kështu që ne e vlerësojmë shumë angazhimin e tyre”, tregoi sot koreografja Lampert.

Balerini nga Kosova, Sinan Kajtazi, tha sot se bashkëpunimet me koreografë të ndryshëm kanë ndikuar në zgjerimin e diapazonit të tyre si balerinë.

“Jochen dhe Frederika e kanë një stil shumë unik në aspektin e ndërtimit të shfaqjes ne vetëm jemi mësuar t’i plotësojmë kërkesat e koreografëve kurse ndërtimi i shfaqjeve ka qenë një sfidë mjaft e madhe pasi që jemi dymbëdhjetë balerinë”, tregoi koreografi Kajtazi.

Premiera e kësaj shfaqje vjen nesër më 21 dhjetor duke filluar nga ora 20:00. Shfaqja “New Born” shënon premierën e gjashtë për këtë vit nga trupa e Baletit Kombëtar të Kosovës./ KultPlus.com