Shqipëria dhe Kosova në Balkan Film Festival në Romë

Balkan Film Festival rikthehet në Casa del Cinema në Romë (29 nëntor – 4 dhjetor 2022) e përmes tij, shoqata Occhio Blu – Anna Cenerini Bova që e organizon përpiqet t’i ofrojë sërish publikut një udhëtim të shumëplanësh nëpër kinematografinë ballkanike. Përmes premierave të filmave, evenimenteve speciale, ndërhyrjeve të kineastëve dhe të ftuarve nga vendet e Ballkanit, do të diskutohen çështje jashtëzakonisht aktuale në fushën artistike, politike dhe ekonomike.

Juria i këtij viti përbëhet nga personalitete të kinematografisë. Në krye të saj, regjisori i Maqedonisë së Veriut Milcho Manchevski, fitues i Luanit të Artë në 1994 me filmin e tij “Para shiut”, ndërsa anëtarët janë Mimmo Calopesti, regjisor, aktor dhe skenarist, Ylljet Aliçka, shkrimtar dhe skenarist, dhe Francesco Ranieri Martinotti, president i ANAC (National Shoqata e Autorëve të Filmit).

Festivali hapet më 29 nëntor me një dialog mbi linjat e reja të kinemasë ballkanike mes presidentit të ANAC Francesco Ranieri Martinotti dhe regjisores Jasmila Žbanić, Ariu i Artë në edicionin e 56-të të Festivalit të Filmit në Berlin, një nga personalitetet më interesante të kinematografisë ballkanike. Kryevepra e saj “Quo vadis, Aida?”, në 5-shen e kandidatëve për Oscar 2021 për filmin më të mirë ndërkombëtar, është zgjedhur si filmi hapës i Festivalit.

Në ditën e dytë të festivalit përballja e regjisores kosovare Kaltrina Krasniqi me filmin e saj “Vera andrron detin” (30 nëntor, ora 17.30) me regjisorin italian Francesco Costabile me “Një femër” do të mbyllet me një debat në të cilin do t’i jepet zë dy realiteteve të gruas që rezultojnë të jenë jo të largët nga njëri-tjetri dhe nxjerrin në pah një ngjashmëri italo-ballkanike mes problemeve universale të figurës femërore.

Vëmendje e veçantë u kushtohet këtë vit producentëve të rinj ballkanikë dhe italianë të cilëve u kushtohet dita e tretë e festivalit (1 dhjetor). Nëpërmjet një seminari, shfaqjes së disa filmave dhe krijimit të një paneli, Festivali synon të forcojë zhvillimin e një rrjeti marrëdhëniesh midis kineastëve të rinj për të nxitur proceset e integrimit evropian dhe bashkëprodhimet.

Mes të ftuarve të shumtë të seminarit (që do të mbahet paraditen e 1 dhjetorit) edhe Jonid Jorgji, producent dhe regjisor i ri shqiptar, që do të raportojë mbi pengesat konkrete që dalin për bashkëprodhimet, bazuar në një anketë të realizuar mes kineastëve të rinj ballkanikë dhe Arben Zharku që do të flasë për produktivitetin e jashtëzakonshëm të kinemasë së re kosovare.

Gjithnjë më 1 dhjetor, në orën 17:00, regjisorja kosovare Norika Sefa debuton në Balkan Film Festival me “Në kërkim të Venerës”, filmi i saj i parë me metrazh të gjatë i vlerësuar me çmim në Festivalin e Filmit në Roterdam, në të cilin rrëfen përvojën e parë seksuale të një vajze të re, e shtyrë nga një kuriozitet i papërmbajtshëm. Pas filmit, në një panel, regjisorët Dina Duma, Antonio Romagnoli, Gregor Božič dhe Norika Sefa së bashku me Luisa Chiodin drejtoreshë e Observatorit Balcani Caucaso Transeuropa, do të reflektojnë mbi ndjeshmërinë artistike dhe sociale në kinematografinë e re italo-ballkanike, për të kuptuar sugjerimet e saj novatore mes interpretimeve të së shkuarës dhe planifikimit të së ardhmes.

Më 2 dhjetor, festivali hapet në orën 15:00 me shfaqjen e filmit Virgjëresha Shqiptare të Bujar Alimanit, që do të prezantohet nga Eduart Makri, drejtor i Qendrës Kombëtare të Kinematografisë.

Pasditja e 3 dhjetorit i dedikohet regjisorit të madh grek Théo Angelopoulos në  dhjetëvjetorin e ndarjes nga jeta. Me shfaqjen e filmit të tij “Vështrimi i Uliksit” dhe me një ndërhyrje të veçantë të Amedeo Paganit, mik dhe ekspert i veprës së  regjisorit grek.

Në mbrëmje të të njëjtës ditë (3 dhjetor, ora 21:00), shfaqet filmi “Makina e imazheve të Alfredo C.“, fitues i Shiritit të Argjendtë 2022 si Dokufilmi më i mirë i vitit. Do të prezantohet nga regjisori i filmit Roland Sejko, aktori kryesor Pietro de Silva, montazheri Luca Lucone Onorati dhe autori i muzikave Riccardo Giagni në bisedë me regjisorin Agostino Ferrente.

Festivali mbyllet më 4 dhjetor me dy filma e një fokus mbi Bosnje-Hercegovinën dhe me ceremoninë e ndarjes së çmimeve.

Programi i plotë i Balkan Film Festival /diasporashqiptare/ KultPlus.com

“Vera Andrron Detin” me regji të Kaltrina Krasniqit edhe në “Balkan Film Festival” të Romës

Filmi kosovar “Vera Andrron Detin” me regji të Kaltrina Krasniqit, fitues i shumë çmimeve të rëndësishme ndërkombëtare, do të ketë premierën edhe në “Balkan Film Festival” në Romë, shkruan KultPlus.

“Të dashur miq në Romë,
Vera Dreams of the Sea shfaqet javën e ardhshme në kuadër të Festivalit Ballkanik të Filmit në Romë.
Ky festival tash e disa vite ka shërbyer si platformë për promovimin e filmave dhe kineastëve të rajonit tonë.
Regjisorja jonë Kaltrina Krasniqi do të jetë aty për të prezantuar filmin”, thuhet në njoftim.

“Vera andrron Detin” ka fituar dy çmime në Festivalin e Venedikut përveç kësaj ky film ka arritur të marr shpërblime në festivale të tjera si në Festivalin e Filmit në Wiesbaden, Festivalin Ndërkombëtar të Filmit dhe Forumin për të Drejtat e Njeriut në Gjenevë, në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Tokio të Japonisë e shumë të tjerë.

Sa i përket ngjarjes së filmit, Vera është një përkthyese e gjuhës së shenjave në moshë të mesme, e cila bën një jetë të mirë: një grua me një gjykatës të famshëm, një nënë mbështetëse dhe një gjyshe të kujdesshme. Paqja e saj prishet nga vetëvrasja e papritur e të shoqit e ndjekur nga një paradë e padëshiruar, kërcënuese e të afërmve që pretendojnë pronësinë e shtëpisë së familjes së tyre në fshat. Kur fillesat e një skeme të botës së krimit fillojnë të dalin në sipërfaqe, bota e Verës do të përballet me rrezikun dhe do të duket e gatshme të shembet. Frika dhe mosbesimi do ta detyrojnë Verën të marrë në duart e saj fatin e familjes.

Filmi është me skenar nga Doruntina Basha dhe me producent Shkumbin Istrefi. Aktorët në rolin kryesor janë Teuta Ajdini Jegeni, Astrit Kabashi dhe Alketa Sylaj.

Kjo përrallë tërheqëse, si thriller nga regjisorja Kaltrina Krasniqi është “e mbushur me një atmosferë ogurzezë… [është një] debutim i mrekullueshëm, prekës dhe i interpretuar në mënyrë të shkëlqyer… Vera, e luajtur sinqerisht dhe pa frikë Teuta Ajdini, është në ekran pothuajse çdo moment, cilido qoftë një arritje pasi pak filma marrin një grua nga kjo fazë e veçantë e jetës dhe klasës shoqërore si heroinë të tyre… Kjo histori e nuancuar, nervozuese [është] po aq një portret personazhi, aq edhe një film kritik shoqëror”, shkruan Variety.

Festivali do të mbahet nga 29 nëntor deri më 04 dhjetor në Romë (Casa del Cinema). / KultPlus.com