Mësuesja e muzikës e fyente sa ishte fëmijë, Gazmend Qyqalla mposhti diskriminimin, sot punon vetë si mësues

Xhemile Hysenaj

Fotografitë: Nok Selmani

‘Mësuesja e muzikës në shkollë fillore, para krejt klasës thoshte ”Defi ka ardhur nga magjuptë’, kjo më ka bërë të ndihem shumë keq. Pastaj më kujtohet se i kam thënë që jo nuk është kështu, dhe se ti nuk ke njohuri në këtë drejtim. Kjo gjë bëri që ajo të më largonte prej klasës dhe të mos më pranonte më’, kështu fillon rrëfimi i Gazmend Qyqallës, që tash ai vetë është mësues dhe dashurinë që ka për profesion e tij nuk e krahason me asgjë tjetër.

Qyqalla, i cili jeton dhe vepron në Fushë Kosovë ka gjashtë vjet që ushtron profesionin e mësimdhënësit, në kuadër të Organizatës Jo Qeveritare ‘Balkan Sunflowers’. Njëra nga arsyet që ai ka vendosur të ndjekë drejtimin e Pedagogjisë, ka të bëjë me dëshirën e madhe që ka për të ndihmuar komunitetin pakicë drejt zhvillimit dhe edukimit.

Ai tregon se këto gjashtë vite për të kanë qenë një eksperiencë tejet e mirë, pasi ka marrë shumë njohuri edhe nga fëmijët të cilët i ka mësuar përgjatë viteve.

‘Fëmijët të duan pa marrë parasysh se cilit komunitet i përket, ata nuk dine të diskriminojnë’, thekson Qyqalla.

BSFK është një OJQ lokale e themeluar në vitin 2007 duke trashëguar vizionin dhe misionin nga Balkan Sunflowers International e cila operon në Kosovë që nga viti 1999. SUNFLOWERS BALLKAN KOSOVA (BSFK) ndërton jetë aktiviste për ndryshime shoqërore. Kjo OJQ frymëzon dhe përfshihet në veprime të komunitetit për të drejtat dhe dinjitetin e njeriut, duke punuar në arsim, shëndetësi, kulturë, qytetari, punësim dhe respekt për diversitetin.

BSFK e ka përqendruar punën e saj kryesisht në fushat e arsimit dhe në çështjet që u përkasin romëve, ashkalive dhe egjiptianëve në Kosovë. Aktualisht, BSFK operon pesë qendra mësimore në 4 komuna të Kosovës. Përmes këtyre qendrave të të mësuarit, BSFK shërben afërsisht 500 fëmijë në ditë. Përveç qendrave të të mësuarit, BSKF ka programe që synojnë të rrisin përfshirjen dhe pjesëmarrjen e romëve, ashkalive dhe egjiptianëve në arsim dhe në jetën qytetare në Kosovë.

Të jesh pjesëtar i komunitetit pakicë në Kosovë nuk është aspak e lehtë, sfidat me të cilat duhet të përballesh qysh në hapat e parë të fëmijërisë janë barrë e rëndë për secilin, e sidomos për një fëmijë që klasën e parë e njoftimin me shokë e shoqe të reja e pret me gëzim të madh. Gazmendi tregon se duke qenë se ishte pjesë e gjeneratës së parë që filloi shkollën fillore menjëherë pas luftës së fundit, ka ekzistuar një presion i madh në drejtim të tyre. Ai tregon se ka shkuar gjithmonë me frikë në shkollë, shpesh edhe janë keqtrajtuar nga nxënësit e mësimdhënësit, janë ulur gjithmonë në bankën e fundit dhe më e keqja nga të gjitha shumica prej tyre edhe kishin braktisur shkollën.

E Gazmendi, një karakter shumë i fort dhe i vendosur drejt arritjes së qëllimeve të tija, nuk ishe dorëzuar asnjëherë me gjithë presionin e frikën e madhe që kishte pasur përgjatë shkollës fillore. Fatmirësisht, siç tregon tutje ai, në shkollë të mesme kishte pasur një trajtim krejt ndryshe ku kishte pasur raporte të mira me të gjithë.

‘Kam aplikuar në shumë vende të punës dhe më thonin që është mbyllur afati për aplikim edhe pse afati nuk ishte i mbyllur’, e këtu Qyqalla kishte hasur në racizëm të drejtpërdrejt, të cilin e kishte përjetuar mjaft rëndë.

Për një periudhë të shkurtë, Qyqalla tregon të ketë punuar edhe në Ideas Partnership, ku ka treguar se edhe aty është hasur drejtpërdrejt me racizëm, ku edhe pse ka pasur marrëdhënie të mira me kolegët e punës, e njëjta qasje shpesh ka munguar nga ana e prindërve, fëmijët e të cilëve ndiqnin aktivitete të ndryshme në këtë organizatë.

“Kam marrëdhënie të mirë me komunitetin shumicë. Kjo gjë më ka ndihmuar edhe në avancimin tim profesional. Kjo gjë është shumë e rëndësishme në realizimin e qëllimeve drejt një karriere, pasi nëse vazhdimisht diskriminohesh e bën pothuajse të pamundur avancimin në aspektin profesional. Njëherë me 1 qershor kemi pasë aktivitet me fëmijët e komuniteti shumicë, ka pasur prind që nuk i kanë lejuar fëmijët të vijnë tek ne që ishim me ngjyrë, edhe pse pas një kohe ku fëmijët u mësuan me ne, vinin tek ne pa asnjë ngurrim’, tregon Qyqalla.

Rruga drejt suksesit dhe ndërtimit të një karriere kurrë nuk është e lehtë, sidomos kur kjo rrugë vështirësohet nga indikator të palogjikshëm si diskriminimi e paragjykimi. E tillë ka qenë kjo rrugë edhe për Gazmend Qyqallën, i cili shtysë të madhe për të mos u dorëzuar duket ta ketë pasur vullnetin dhe motivin e madh, së pari për të ndihmuar në komunitetin e tij e më pas edhe motivin personal drejt ndërtimit dhe avancimit. Qyqalla potencon se është fare mirë në dijeni që racizmi nuk mund të zhduket kurrë 100%, mirëpo, çfarë ai kërkon është që të punohet më shumë në institucionet përkatëse drejt ‘zbutjes’ (siç e quan ai) të këtij fenomeni.

‘Fatkeqësisht racizmi ekziston edhe në vendet më moderne se Kosova. Racizmi është kur ti e mbivlerëson veten dhe e nënçmon tjetrin, për diçka që tjetri mendon që ke më shumë sesa të tjerët. Ndoshta nuk është racizmi tek ne siç ka qenë më herët, por akoma është prezent’, shprehet ai.

Ai flet me një pasion të madh për punën e tij, për fëmijët që i mëson, për aktivitet që zhvillojnë bashkë e për shumë gjëra të tjera që e mbushin një ditë të tij të zakonshme, për të nuk ka aspak rëndësi se cilit komunitet i përkasin fëmijët që ai i mëson. ‘Ata janë qenia më e dashur që ekziston’, pohon Qyqalla.

E në përfundim të bisedës sonë, Gazmendi ka vetëm një mesazh për të gjithë, ai nuk kërkon asgjë më shumë se të shohim njëri tjetrin vetëm si njerëz.

‘Kur unë dhe ti takohemi e bisedojmë, ti e vërën se ne jemi të njëjtë e ajo çfarë dallojmë është vetëm pamja apo gjinia. Ne të gjithë jemi njerëz dhe vetëm nëse e trajtojmë njëri tjetrin si të tillë, do të zhvillohemi si shoqëri’, deklaron Qyqalla.

TEKSTI NË GJUHËN ROME

(Ky tekst është prodhuar si pjesë e projektit “Mbështetja e mediave dhe gazetarisë për të drejtat e njeriut në Kosovë”, përkrahur nga zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe realizuar nga Kosovo 2.0, CEL dhe QKSGJ. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e KultPlus/YIHR KS dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i BE ose K2.0, CEL apo QKSGJ)