Nis ‘Festivali Ballkanik i Filmit dhe Kulinarisë’, do të shfaqen rreth 50 filma nga Ballkani

Në qytetin e Pogradecit nisi sot në mbrëmje “Festivali Ballkanik i Filmit dhe Kulinarisë”, ku do të shfaqen rreth 50 filma me metrazh të shkurtër e të gjatë nga i gjithë Ballkani.

Përgjatë pesë ditëve Pogradeci do të kthehet në qendrën ballkanike të filmave, ku marrin pjesë regjisorë, producentë, studentë të kinematografisë nga të gjitha vendet e Ballkanit.

Ceremonia hapëse u zhvillua në “Odeon”, ku edhe u shfaq premierë për qytetarët nga Pogradeci dhe turistët filmi “Spohie” me regji të Eduard Grishaj, i cili ka marrë disa çmime.

Themeluesi i festivalit, Eno Milkani tha për mediet se përveç filmave konkurrentë në netët e festivalit nostalgjikët dhe jo vetëm, do të kenë mundësinë të shijojnë edhe filma të vjetër të restauruar.

“Filmat janë të zhanreve të ndryshëm. Kemi komedi, dramë. Filma që trajtojnë probleme të të rinjve, moshës së tretë. E veçantë do të jetë prezantimi i librit të Stefan Cepalikut për Serafin Fankon, të cilin e njohim të gjithë si aktor, regjisor”, tha Milkani.

Në fund të këtij kompeticioni, që do të mbyllet me datë 29 qershor priten të ndahen çmime për zhanret e ndryshme pjesëmarrëse.

Ky festival është ideuar si një bashkëveprim jo vetëm filmik mes vendesh fqinje, por edhe si një shkëmbim e shijim gastronomik.

TransDinarica, e para rrugë çiklizmi që lidh shtetet e Ballkanit

Eksplorimi i pjesës shqiptare të TransDinarica – e para rrugë çiklizmi që lidh shtetet e Ballkanit, sapo ka nisur.

Me mbështetjen e GIZ Albania, skuadra sllovene nga instituti Visit GoodPlace, të cilët janë edhe ideatorët e këtij produkti, këtë javë filloi nga puna mbi segmentin që do të kalojë nëpër Shqipëri.

TransDinarica, pritet të jetë gati në 2024 dhe të ofrojë një larmishmëri peisazhesh, nga rrugët e shtruara në ato të çakullit që lidhin fshatrat e largët me monumentet kulture, parqet natyrore, apo kuzhinën lokale.

Jan Klavora, menaxher i këtij projekti, shprehet se është i magjepsur nga Shqipëria që prej momentit të parë, duke theksuar se synimi kryesor i këtij itinerari çiklistik, është që të afrojë njerëzit, kulturat dhe traditat përtej kufijve dhe pret me padurim rrugëtimin në ditët në vijim.

Ndërkohë Via Dinarica është një shteg 1930 km që lidh nga veriu në jug, vendet e Ballkanit Perëndimor. Arteria kryesore e rrjetit, e njohur ndryshe edhe si Shtegu i Bardhë, kalon përmes Sllovenisë, Kroacisë, Bosnjën dhe Hercegovinën, Malit të Zi, Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë dhe lidh majat përgjatë Alpeve Dinarike dhe maleve të Sharrit. / atsh / KultPlus.com

Kurti për suksesin historik të Ballkanit: Këtë vit tifozët tanë nuk do të jenë vetëm spektatorë

Kampioni i Kosovës në Superligën e Kosovës, FC Ballkan, ka arritur që të kualifikohet në grupe të Ligës së Konferencave, duke shënuar kësisoj edhe histori, shkruan KultPlus.

Dy ekipe shqiptare u përballën në “Play-off” për të siguruar një kualifikim tutje dhe këtë gjë e arriti Ballkani, duke e mposhtur Shkupin.

Pas këtij suksesi ka reaguar edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Kurti në Twitter ka shkruar se vetëm pas 6 viteve antarësi Kosova ka arritje të jashtëzakonshme në futboll.

“Këtë vit tifozët tanë të futbollit nuk do të jenë vetëm spektatorë të “Conference League”. Ata kanë mundësinë historike për të brohoritur dhe mbështetur ekipin e tyre vendas në një kompeticion evropian. Vetëm 6 vjet pas anëtarësimit të Kosovës në UEFA, Ballkani arriti të jashtëzakonshmen. Urime dhe suksese!”, ka shkruar Kurti. /KultPlus.com

Ballkani fiton 3-0 në tavolinë ndaj Gjilanit pas dhunës në stadium

Ndeshja e fundit në Superligën e Kosovës mes Gjilanit dhe Ballkanit u përcoll me zhvillime të shumta, përfshirë këtu edhe dhunën, shkruan KultPlus.

Suharekasit kishin udhëtuar në Gjilan për të zhvilluar takimin e tyre të radhës, mirëpo e gjithë ndeshja u “vendos” në minutat e fundit të ndeshjes kur edhe Enea Koliçi (portieri i Gjilanit), shënoi për të barazuar shifrat në 1-1.

Me të hyrë goli, tifozët janë futur në fushë dhe njëri prej tyre ka sulmuar portierin tjetër në fushë, atë të Ballkanit, Stivi Frashërin, i cili më pas edhe u dërgua në spital. Ndeshja u mbyll me rezultat 1-1, mirëpo gjithçka mbeti në duart e Komisionit të Garave.

Këta të fundit, kanë vendosur gjatë ditës së sotme që të dhurojnë 3 pikë për Ballkanin dhe rrjedhimisht rezultati i ndeshjes në mënyrë automatike të jetë 3-0.

Infografika: TopSporti

Kur mbetur edhe 6 ndeshje për t’u mbyllur stinori aktual i Superligës së Kosovës, “Xhebrailat” janë në vendin e parë me 57 pikë dhe favorit për t’u shpallur kampion.

Në anën tjetër, skuadra e udhëhequr nga Ismet Munishi, mbetet me 49 pikë në vendin e tretë dhe kjo ndeshje mund edhe të përcaktojë përfundimisht punën e kampionit. /KultPlus.com

Mbretëria e Bashkuar – Serbisë: Të mos glorifikohen autorët e gjenocideve

Në një deklaratë të qeverisë britanike, një pjesë i është kushtuar glorifikimit të autorëve të krimeve të luftës dhe gjenocidit, që u ka bërë Serbia disave prej tyre.

Pas takimit të sekretares së Jashtme britanike, Liz Truss, me kryediplomatët e gjashtë shteteve ballkanike, Qeveria e Mbretërisë së Bashkuara, ka lëshuar një njoftim të gjatë, ku komentohet situata aktuale në Ballkan.

Ndër shumë kërkesash tjera, britanikët, kërkojnë të mos glorifikohen në kë rajon përgjegjësit për krime lufte dhe gjenocid.

“Mbretëria e Bashkuara ka kërkuar nga liderët e rajonit ta ndalin gjuhen e urrejtjes, ta dënojnë çfarëdo glorifikimi të mohuesve të gjenocidit dhe krimeve të luftës, si dhe të respektojnë verdiktet e gjykatave ndërkombëtare dhe vendore”, thuhet në komunikatë.

Shteti serb ka glorifikuar kriminelin Radko Mlladiq, të shpallur fajtor për krime lufte, si një nga përgjegjësit për gjenocidin e Srebrenicës në Bosnjë. Atij i është vendosur një mural i madh në Beograd. Kjo nxiti reagime e madhe dhe protesta në kryeqytetin serb.

Ky reagim bëhet pak ditë pasi ministri serb i Mbrojtjes, Aleksander Vulin, për të disatën herë mohoi një nga masakrat e kryera ndaj popullsisë shqiptare në Kosovë nga shteti serb në luftën e vitit 1999. Ai e quajti gënjeshtër masakrën e Reçakut. / KultPlus.com

Kosova, veçohet në Ballkan me numrin më të madh të grave në pozita ministrore

Kosova është e para në Ballkan për sa i përket pozitave ministrore të cilat drejtohen nga gratë.

REL ka nxjerrë statistikat ku Kosova prinë me 31 për qind.

Pason Serbia me 23 për qind. Më pas, Mali i Zi me 21 për qind. E pason Maqedonia njëjtë me 21 për qind, Kroacia me 20 për qind dhe Bosnje e Hercegovina me 17 për qind.

Kujtojmë se për herë të parë që nga formimi i institucioneve të Republikës së Kosovës, në qeverinë e re të drejtuar nga Albin Kurti, që përbëhet nga 15 ministri, pesë prej tyre do to udhëhiqen nga gratë.

Ndërkaq, në krye të Kuvendit të Kosovës është zgjedhur po ashtu një grua, Vjosa Osmani e cila zëvendëse të parë ka po ashtu një grua, deputeten Arbërie Nagavci, transmeton Koha.net.

Ministret gra të votuara në Kuvendin e Kosovës janë Albulena Haxhiu, ministre Drejtësisë, Rozeta Hajdari ministre e Ekonomisë, Tregtisë dhe Financave – që të dyja nga Lëvizja Vetëvendosje.

Ndërkaq, nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Hykmete Bajrami është emëruar ministre e Arsimit dhe Vlora Dumoshi Ministre e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Ndërkaq, nga komunitetet joserbe, Emilia Rexhepi do të jetë ministre e Administrimit të Pushteti Lokal.

Image

Mjuzikli për Millosheviqin, shfaqja që do të ndajë sërish Ballkanin

Gjatë jetës së tij, Sllobodan Millosheviqi, ndau popujt në Ballkan. E tani, 12 vjet pas vdekjes gjatë gjykimit të tij për krime lufte, i fuqishmi i dikurshëm i Serbisë pritet të ndajë sërish ata – kësaj here si karakter i një shfaqjeje.

Millosheviqi nisi një valë të nacionalizmit popullist për t’u ngritur në pushtet në Beograd më 1989 teksa komunizmi po binte në mbarë Evropën lindore, e më pas e udhëhoqi Serbinë në një dekadë luftërash në Bosnje, Kroaci dhe Kosovë.

I quajtur nga nacionalistët serbë si mbrojtës i tyre kundër kroatëve katolikë dhe boshnjakëve e shqiptarëve të Kosovës myslimanë, Millosheviqi u ofendua si diktator brutal nga Perëndimi dhe përfundimisht, pas një fushate bombarduese të NATO-s më 1999, humbi pushtetin dhe përfundoi në gjykim për krime lufte në Hagë.

Një shkrimtare me bazë në Beograd, Jelena Bogavac, tani ka shkruar një shfaqje e cila do të luhet nga serbë të Kosovës në Graçanicë që përpiqet të portretizojë kompleksitetin e plotë të një njeriu që ende fajësohet në Ballkan për vdekjet dhe vuajtjet e dhjetëra mijëra njerëzve.

“Fillimisht kemi dashur të bëjmë një shfaqje për të treguar tregime personale të serbëve të Kosovës në të ’90-at, por derisa po i bënim intervistat e kuptuam se gjithçka ishte e ndërlidhur me një emërtues të përbashkët – Millosheviqin”, tha për Reuters Bogavac, që e shkroi shfaqjen, transmeton Koha.net.

“Në shfaqje po prezantojmë kronologjinë e ngjarjeve që përfundojnë në Hagë”, thotë ajo gjatë ushtrimeve për shfaqjen e saj në Beograd.

Njeri familjar
I quajtur “Ngritja – Shou i Slllobodanit”, shfaqja është një mjuzikël që përqendrohet më shumë në marrëdhënien e tij personale me bashkëshorten e tij të fuqishme Mirjana, vajzën e tij Marija dhe djalin e tij Marko sesa në politikë, sipas skenarit të papërfunduar që e ka parë Reuters.

Në një skenë ai ngushëllon të bijën e tij për shkak të gjendjes së dobët financiare të radio-stacionit të saj, dhe në një tjetër ai i thotë Markos që e mos tejngroh ujin në pishinën familjare.

Pjesa e fundit e shfaqjes – gjykimi i tij në Hagë, ku ai vdiq nga një sulm në zemër më 2006 – pritet të përfundohet.

Shfaqja nuk pritet të kënaq shqiptarët që përbëjnë shumicën në Kosovë, që shpalli pavarësinë e saj nga Serbia më 2008 në një hap që ende nuk është njohur nga Serbia apo nga 40,000 serbë që ende jetojnë në Kosovë, transmeton Koha.net.

Rreth 800,000 shqiptarë u dëbuan dhe rreth 10 mijë të tjerë u vranë nga forcat e Millosheviqit në vitet e ’90-ta.

“Askush nuk do ta ndryshojë historinë me një shfaqje”, thotë Naser Shatrolli, regjisor e skenarist.
“Nuk ka rëndësi se çfarë thotë shfaqja. Millosheviqi është kriminel, tiran, që shkatërroi rajonin e Ballkanit, jo vetëm shqiptarët, dhe kështu do të mbetet dhe askush nuk do ta ndryshojë këtë”./ KultPlus.com

Trashëgimia kulturore, themel i paqes në Ballkan

Trashëgimia kulturore është misionin parësor për bashkëpunimin e popujve të rajonit është porosia themelore për paqen dhe stabilitetin rajonal për të trajtuar problemet e ndryshme në mënyrën më të mirëfilltë të mundshme.

Kështu thanë të pranishmit në konferencën ndërkombëtare dyditore në Prishtinë, me temën “Kultura dhe Paqja në Ballkan – Roli i Parlamentarëve”.

Thomas Walsh, kryetar i Fondacionit Universal për Paqe, ka thënë se në këtë konferencë do të lansojnë Iniciativën e Parlamentarëve për Paqe në nivel të Ballkanit, e cila synon ndërtimin e marrëdhënieve më të mira ndërmjet vendeve të rajonit.

“Një prej iniciativave më të rëndësishme që kemi ndërmarr kohëve te fundit është lansimi i Shoqërisë Internacionale të Parlamentareve për Paqe, dhe ky është projekt që po e paraqesim sot këtu. Kemi lansuar këtë iniciative në rreth 40 shtete, dhe më shumë se 2000 parlamentarë kanë marrë pjesë dhe nga fundi i vitit ne presim që ta lansojmë në më shumë se 75 shtete dhe qëllimi jonë është ta shtrijmë në 120 shtete para muajit shkurt 2018. Qëllimi i Shoqërisë Internacionale te Parlamentareve për Paqe është që të ndërtojmë një rrjet global, në një mënyre rrjet jo formal, nuk është organizatë qeveritare, është iniciative e shoqërisë civile që punon për të promovuar komunikimin, ne ndërkohë edhe bashkëpunimin, ndarjen e praktikave më të mira mes veti, ndërtimin e urave që mund të na ndihmojnë të ndërtojmë marrëdhënie me të mira përtej kufijve të partive politike dhe ideologjive të thella politike, në mënyre që të ketë komunikim më të mirë dhe bashkëpunim”, tha ai, raporton KP.

Ish-presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu tha se trashëgimia kulturore duhet të shfrytëzohet si vlerë reale për afrimin dhe bashkëpunimin në mes të popujve të rajonit të Ballkanit.

“Në kohët që jetojmë karshi edhe fenomeneve të tilla të ngjashme që në variantet tjera edhe mund të gjenden edhe gjetiu, duke pasur parasysh gjithë atë trashëgimi kulturore është më se e domosdoshme që ajo të shfrytëzohet si vlerë reale dhe në misionin parësor për afrimin dhe bashkëpunimin e popujve të rajonit dhe të vendeve të tyre sovrane. Kjo mund të jetë edhe porosia themelore për paqen dhe stabilitetin dhe të ardhmen e mirë për brezat që vijnë, kjo do të ishte ndihmesë e madhe për politikën, e cila nuk mund të ikë nga problemet dhe trajtimet në mënyrën më të mirëfilltë të mundshme”, tha Sejdiu.

Sejdiu po ashtu tha se Serbia ende nuk është pajtuar me realitetin e ri në rajon sidomos kur ka të bëjë me Kosovën.

Ish-presidenti i Shqipërisë, Alfred Moisiu, tha se rajoni i Ballkanit është i interesuar për krijimin e një klime të përshtatshme në drejtim të rritjes së mirëkuptimit në mes njerëzve dhe politikës. Ai tha se kjo rrugë mund të arrihet vetëm duke punuar.

“Se të gjithë jemi të interesuar për të ndërtuar një klimë sa më të përshtatshme për krijimin e një klime sa më të organizuar dhe më reale që dërgon në drejtim të rritjes në mirëkuptimin midis njerëzve dhe politikës të vendeve të rajonit. E dimë që kjo është një rrugë jo e thjeshtë, ende me shumë vështirësi por jo e pa mundur dhe njerëzit që pretendojnë të bëjnë gjëra të mira për vendin e tyre dhe fqinjët sigurisht që mund të arrijnë çdo gjë me vullnet, punë dhe durim. Ky është një fillim i mbarë i cili duhet filluar dhe vazhduar”, tha Moisiu.

Ish-presidenti i Kroacisë, Stjepan Mesiq, ka folur për trashëgiminë e përbashkët kulturore si themel për paqe dhe stabilitet në Ballkan, si dhe për paqen dhe sigurinë në Evropë. Ai tha se kjo çështje sa është sfiduese, njëherësh është edhe e ndjeshme.

“Jetojmë në një periudhë ku duket se sikur të gjitha parimet e pranuara në marrëdhëniet ndërkombëtare janë lënë pas dore, në kohën kur sundon forca dhe se me forcë vendosen regjime, të cilat dikujt i përgjigjen, derisa në trashëgiminë kulturore flitet vetëm në mënyrë të përshtatshme. Pse e them këtë? Për arsye që të paralajmëroj për faktin shqetësues se si sot në skenën botërore asgjë nuk ka ndryshuar në aspektin pozitiv”, ka thënë Mesiq.

Mesiq ka thënë se në hapësirën e Ballkanit sot mund të konstatojmë se po jetojmë në një atmosferë pothuajse të zgjimit të serishëm të luftës.

“Po lihet në harresë trashëgimia jonë e përbashkët. Nuk ka përpjekje të përgjigjes ndaj revizioneve të ndryshme të shoqërive, provokime profashiste diku janë bërë dukuri e përditshme. Në disa hapësira harrohet se me pavarësimin e Kosovës, arkitektura e hapësirave tona ka përfunduar”, ka thënë Mesiq.

Në këtë konferencë po marrin pjesë burrështetas, parlamentarë, përfaqësues të shoqërisë civile nga Ballkani dhe Evropa, të cilët për dy ditë me radhë do t’i shpalosin përvojën e tyre në kërkim të zgjidhjeve për problemet kritike të botës, duke nisur nga qeverisja e mirë, ekstremizmi i dhunshëm, konfliktet etnike dhe mbrojtja e mjedisit.

Konferenca ndërkombëtare me temën “Kultura dhe Paqja në Ballkan – Roli i Parlamentarëve” mbahet me mbështetjen e Federata për Paqe Universale (FPU), dhe në partneritet me Shoqatën Ndërkombëtare të Parlamentarëve për Paqe (SHNPP). / KultPlus.com