Filmi ‘M’ përmbyllë garën e filmave Ballkanik në PriFest

Natën e parafundit të festivalit, mbrëmjen e së shtunës, me filmin “M” përmbyllet gara e kategorisë së filmave të metrazhit të gjatë nga Ballkani.

Filmi trajton temën e rritjes dhe kërkimit të së vërtetës në një botë të mbuluar nga misteret dhe rreziqet. Në një pyll të vetmuar, Marko i ri jeton nën vëzhgimin e kujdesshëm të babait të tij mbrojtës dhe misterioz. Ekzistenca e tyre e mbrojtur është gjithçka që ai njeh. Marko gjen ngushëllim në librin e tij të dashur me figura, duke gjetur qetësi dhe përgjigje brenda faqeve të tij. Një ditë, një takim me një djalë të pafajshëm dhe zemërmirë të quajtur Miko sjell një dritë ngrohtësie dhe lidhjeje në botën e izoluar të Markos. Ndërsa kurioziteti i tij rritet, Marko dëshiron të zbulojë sekretet që ndodhen përtej kufijve të pyllit. Një kthesë mizore e ngjarjeve i jep atij dëshirën më shpejt se sa e priste. Një udhëtim i errët e pret, i mbushur me rreziqe të panjohura dhe një vështrim në një botë të ndryshuar përgjithmonë.

Skenari është shkruar nga Vardan TOZIJA dhe Darijan PEJOVSKI nën regjinë e Vardan TOZIJA.

Producentë të filmit janë: Darko POPOV, Vardan TOZIJA, Patrice NEZAN, Laurent VERSINI, Anita JUKA, Valon BAJGORA, Gazmend NELA, Adolf EL ASSAL.

Filmi “M” është bashkëprodhim i Maqedonisë, Kroacisë, Kosovës, Francës dhe  Luksemburgut.

Aktorët janë: Matej SIVAKOV, Saško KOCEV, Aleksandar NIČOVSKI, Kamka TOCINOVSKI, Bojana GREGORIĆ VEJZOVIĆ dhe Verica NEDESKA.

Filmi do të shfaqet më 14 shtator nga ora 19:30 në Kino Armata./ KultPlus.com

Festivali Ballkanik i Filmit për të 13-in vit në Pogradec, në garë 80 filma

Për të 13-in vit me radhë në Pogradec zhvillohet Festivali Ballkanik i Filmit. Ndryshe nga vitet e fundit, festivali këtë vit ka pasur më shumë prurje për konkurrim, por juria ndërkombëtare ka qenë e detyruar edhe për arsye ekonomike të sjellë në këtë festival vetëm 80 filma.

Drejtori i festivalit, Eno Milkani thotë se një pjesë e mirë e filmave konkurrues janë filma eksperimentalë të shkollave të ndryshme ballkanike.

“Në qoftë se sjell diçka ndryshe, është ajo që filmat, dokumentarët e shkurtër, filmat vizatimorë, filmat eksperimentalë janë për të gjitha gustot. Më thuaj një zhanër dhe ne e kemi: triller, eksperimental, dramë, aksion, problem social, të gjitha. Ishte një dëshirë për të prezantuar prodhimtarinë ballkanike, por këtë vit kemi vendosur pak me shume fokusin në filmin eksperimental”, ka thwnw Milkani, shkruan Euronews.al, përcjell Klankosova.tv

Për të, e veçanta e këtij festivali është se në Odeonin e qytetit do të shfaqen filmat e restauruar shqiptarë.

“Duke filluar me ‘Gjeneral Gramafonin’, me ‘Koncert në vitin ‘36’, ‘Përrallë nga e kaluara’, ‘Vitet e Pritjes’, filma që ne i shohim nëpër TV, por jemi mësuar t’i shohim me cilësi shumë të dobët, ndërsa kjo është një që punë e lavdërueshme që ka bërë arkivi e do të jepen për publikun në Odeon”, u shpreh ai.

Anëtarja e jurisë ndërkombëtare, francezja Emilie Richelle vlerësoi filmat që konkurrojnë në këtë festival.

“Unë kam 10 vite që e ndjek Festivalin Ballkanik të Filmit, i cili është tejet i pasur me produkte fantastike. Mendoj që është shumë interesante promovimi i këtyre filmave në Francë, që është vendi nga unë vij, por dhe shtete të tjera absolutisht. Mënyra se si ndërtohen këta filma dhe transmetojnë emocione, disa herë me heshtje, disa herë me muzikë, qoftë dhe aktorët më atë çka shfaqin, i bën këta filma shumë interesantë”, thotë Richelle.

Në natën e parë është shfaqur dokumentari “Legjendat e Gjolit” bazuar në dorëshkrimet e publicistit të njohur Fatos Baxhaku, realizuar nga Eno Milkani  dhe Gerta Qurku./EuroNews/KultPlus.com

Nis në Pogradec Festivali Ballkanik i Filmit dhe Kulinarisë

 Nis sonte në qytetin e Pogradecit, edicioni i 13-të i Festivalit Ballkanik të Filmit dhe Kulinarisë. Festivali do të zhvillohet nga data 20 deri 24 qershor.

Edicioni i vitit 2023 do të sjellë pranë qytetarëve e vizitorëve të Pogradecit, kineastëve dhe artdashësve nga vendi e rajoni, rreth 80 filma. Në program është parashikuar të projektohen filma të shkurtër, filma animacion, dokumentarë e filma të gjatë nga 11 vende të Ballkanit.

Veprat filmike përfaqësojnë Turqinë, Rumaninë, Shqipërinë, Kosovën, Serbinë, Bullgarinë, Kroacinë, Maqedoninë e Veriut, Slloveninë, Greqinë dhe Malin e Zi.

Këtë vit filmat do të shfaqen përgjatë 5 ditëve, në dy lokacione: programi i paradites do të shfaqet në kinemanë e qytetit, duke filluar nga ora 11.00. Programi i mbrëmjes do të fillojë nga ora 19.00, në lokacionin e dytë, pak metra larg liqenit të Ohrit, në Odeonin e mundësuar nga Bashkia Pogradec. Çdo mbrëmje aty do të shfaqen filma të vjetër shqiptarë të cilët janë restauruar së fundmi.

Edicioni i 13-të i Festivalit mundësohet falë mbështetjes së çmuar të Bashkisë Pogradec, Qendrës Kombëtare të Kinematografisë e partnerëve të tjerë./atsh/KultPlus.com

Project Synergy, dy kompozitorë shqiptarë në turin e madh ballkanik të muzikës klasike

 Veprat e dy kompozitorëve të përzgjedhur nga Shqipëria, Jetmir Zaganjori dhe Kris Sopiqoti u vlerësuan nga të gjithë kolegët dhe të pranishmit gjatë provave përgatitore të projektit Synergy, pjesë e Creative Europe, që u zhvillua këtë javë në Kotor.

Shqipëria përfaqësohet në projekt nga Qendra VOX Baroque, Jusuf Beshiri dhe Denis Bizhga ndërsa veprat janë shkruar enkas për projektin nga kompozitorët Jetmir Zaganjori me titullin “Anosmia” dhe nga Kris Sopiqoti me titullin “Noise”. Të dy kompozimet janë për kuartet harqesh.

Në Kotor u mblodhën artistë dhe kompozitorë për përgatitjen e 12 koncerteve që do të prezantohen në të gjitha qytetet e 6 shteteve pjesëmarrëse të projektit Project Synergy: Kotor, Dubrovnik, Trebinje, Tirana, Prishtina, Beograd dhe Ljubljana.

Koordinatori i projektit, Denis Bizhga solli momente nga ky event duke theksuar se u mbajtën dhe diskutime publike rreth përvojave të 12 kompozitorëve dhe 18 instrumentistëve, ku veprat e dy kompozitorëve të përzgjedhur nga Shqipëria, Jetmir Zaganjori dhe Kris Sopiqoti janë vlerësuar nga të gjithë kolegët.

“Ishte një kënaqësi që dhe muzikanti i mirënjohur Egli Prifti me duon e tij, ishte pjesë e muzikantëve të përzgjedhur për të interpretuar veprat e kompozitorëve në turin e koncerteve që do të zhvillohet në të gjithë Ballkanin Perëndimor”, u shpreh Bizhga në një postim në rrjetet sociale.

Projekti Synergy është pjesë e Creative Europe dhe bashkon festivalet, kompozitorët, artistët e rinj dhe hulumtuesit e menaxherët e rinj të kulturës, shumë të nevojshem për të ardhmen e Industrisë Kulturore si fushë e vecantë dhe sfiduese në rajon.

Finalja e madhe e eventit në Kotor ishte konferenca publike në të cilën kompozitorët prezantuan veten dhe ndanë përvojat e tyre në lidhje me kompozimin e veprave, procesin në tërësi dhe qasjen e tyre në lidhje me ide të caktuara.

Po ashtu, pati edhe diskutime në lidhje me publikimin e Udhërrëfyesit të produksionit të muzikës klasike, që është rezultat i 6 trajnimeve të mbajtura në 3 vjet në 6 vende të ndryshme të projektit.

Ky udhërrëfyes do të jetë i pari i llojit të vet në rajon dhe do të përmbledhë qasjet e produksionit të muzikës klasike në Ballkanin Perëndimor.

Java e provave në Kotor ishte dhe përgatitja finale për turin e madh veror të Festivalit, gjatë të cilit 12 kompozime të reja të shkruara si pjesë e projektit, do të kenë premierën./atsh/KultPlus.com