Ballokumja është një nga ëmbëlsirat autentike shqiptare, traditë e qytetit të Elbasanit dhe simbol i Ditës së Verës gjithashtu. Pavarësisht se tradita e përgatitjes së saj është me rastin e Ditës së Verës ajo përgatitet edhe si ëmbëlsirë në çdo rast e kohë.
Kjo recetë kërkon durim dhe kujdes duke nisur nga përzgjedhja e përbërësve dhe deri tek përpunimi i tyre, e mandej procesi i fundit i pjekjes. Receta autentike e përgatitjes së ballokumes, të cilën AgroWeb.org e sjell më poshtë, ka disa elementë specifikë të cilët bëjnë diferencën në shijen perfekte të saj.
Një nga përbërësit unik të ballokumes është finja. Ajo përgatitet nga hiri i zjarrit, e madje nënat e gjyshet e vjetra elbasanase kujdesen që të marrin hi nga zjarri me dru ahu.
Finja i jep ballokumes shkriftësinë tipike. Ndiqni më poshtë recetën autentike të përgatitjes së Ballokumeve sipas traditës së amvisave të Elbasanit.
Përgatitja e Ballokumeve të Elbasanit në Shtëpi
Përbërësit
1 kg sheqer (jo i bluar)
1 kg mielli misri i situr
500 gr gjalpë i freskët (sipas këshillës së amvisave të Elbasanit gjalpi duhet të jetë dhie)
8 kokrra vezë
Gjysmë filxhani kafeje me ujë finje (përgatitet përmes hedhjes së dy-tre lugë gjelle nga hiri i zjarrit në një gotë me ujë, e cila lihet përreth 30 minuta dhe më pas kullohet me kujdes)
Përgatitja
Si fillim, në enën e bakrit apo qelqit, hidhet sheqeri dhe gjalpi i shkrirë, temperatura e të cilit duhet të jetë e vakët. Përzihet përmes një luge druri përreth 40- 45 minuta derisa masa të bëhet kremoze.
Më pas shtojmë një vezë dhe vijojmë përzierjen me lugë druri. Shtojmë vezën e dytë dhe vijojmë përzierjen me lugë druri, vijojmë po kështu me vezën e tretë dhe me radhë. Vijojmë pa ndërprerje përzierjen ndërsa shtojmë ujin e finjës ose në mungesë të tij shtojmë pak qumësht.
AgroWeb.org ju sugjeron të shtoni miellin e misrit me dorë gradualisht duke vijuar pa ndërprerje përzierjen me lugë druri derisa të keni mbaruar gjithë masën e miellit. Trazohet fort me lugë druri që të mos krijohen kokrriza dhe masa të bëhet krejtësisht e njëtrajtshme.
Masa nis të punohet me dorë derisa brumi të jetë aq i plotë sa të mos rrafshohet kur e mban në dorë. Brumi ndahet në copa të cilave u jepet forma e rrumbullakët. Më pas vendosen në një tavë të lyer me gjalpë dhe pudrosur me miell misri.
Ballokumet vendosen me një distancë nga njëra tjera pasi vëllimi i tyre do rritet gjatë pjekjes. Vendoset në furrë të parangrohur në temperaturën 180-200 gradë./AgroWeb.org/ KultPlus.com