Hygo, i fundit që vizitoi Balzakun

Vizita e fundit në shtëpinë ku kishte vdekur Balzak, kishte qenë ajo e Viktor Hygosë. Ishte data 18 gusht 1850. Gruaja e tij kishte qenë paradite te Hanska, e cila i kishte thënë se Balzaku ishte në grahmat e fundit.

Po atë ditë, Hygo kishte shkruar në ditarin e tij: «I rashë ziles. Ishte një hënë e plotë me re. Rruga ishte e shkretë. Prita. Askush nuk e hapi. I rashë prapë. Porta u hap. Duke qarë, një shërbëtore me shandan në dorë pyeti: Çfarë doni zotëri? I thashë emrin. Më çuan në sallon, ku përballë oxhakut ishte një bust i madh në mermer i Balzakut. Një grua tjetër u afrua duke thënë:

“Ai po vdes. Zonja ka ikur në dhomë, po kështu dhe mjekët, ikën që dje. Ai nuk flet më. Prifti erdhi dhe i bëri shërbimin e fundit.»…Një erë kufome ishte shpërndarë në dhomë. Kërkova ta takoj Balzakun. Kaluam një korridor dhe ngjitëm shkallët. Ishte atje, me kokën e zhytur në jastëk. Kishte një fytyrë ngjyrë violet, gati të zezë, të parruar dhe me flokët gri, të prera. Ngjante me perandorin. Një erë e padurueshme kundërmonte nga krevati. Ngrita jorganin dhe mora dorën e tij. Ishte gjithë djersë. E shtrëngova. Nuk m’u përgjigj. Zbrita duke mbajtur në kujtesë atë fytyrë të zbehtë. Ishte e diel. Duke hyrë në shtëpinë time njerëzit më prisnin. Ju thashë: «Zotërinj, Europa do të humbë një shpirt të madh!”

Balzaku vdiq pak kohë pasi u largua Hygo, i cili ishte dhe vizitori i fundit në botën e të gjallëve. Në orën 23.30, ai dha shpirt. «E pashë në profil, i ngjante Perandorit», kishte shkruar Hygo. Të nesërmen, arkivoli i tij u vendos në kishën Saint-Nicolas. Pastaj lumi i njerëzve që shoqëronte funeralin, kaloi përmes Parisit drejt varrezave të «Père Lachaise». Pikonte shi. “Ishte një nga ato ditët kur të duket se dhe qielli derdh lot”, – shkruante Hygo. Në varreza, përballë gropës së hapur dhe turmës njerëzore që nderonte autorin e Komedisë Njerëzore, Viktor Hygo u shfaq para tyre dhe foli: “Ky punëtor i jashtëzakonshëm dhe asnjëherë i lodhur, ky filozof, ky poet, ky gjeni, ka jetuar midis nesh një jetë stuhish, luftërash, zënkash, betejash. Sot më së fundi ai është në paqe: ai iku nga kundërshtitë dhe urrejtjet. Dhe në të njëjtën ditë ai hyn në lavdi dhe në varr!”…/express/KultPlus.com

Letra që Honore de Balzak i shkroi konteshës polake Ewelina Hanska

Zjarri dhe pasioni i një letre që Honore de Balzak i shkruante konteshës polake Ewelina Hanska, qershor 1835.

Jam aq i çmendur për ju e më shumë se kaq nuk mund të jem. Nuk të arrij të mendoj as dy gjëra të vetme, pa ju menduar edhe juve ngatërruar mes tyre.

Nuk arrij të mendoj asgjë tjetër veç jush. Megjithëse përpiqem të qëndroj, imagjinata më çon gjithnjë te ju. Ju përqafoj, ju puth, ju përkëdhel dhe mijëra përkëdhelje dashurie pushtojnë qenjen time.

Mund t’ju them se do jeni gjithnjë e pa diskutim në zemrën time. Brenda saj ju ndjej në një mënyrë kaq të këndshme. Por, Zot, ç’do të ndodhë me mua nëse ju më hiqni dashurinë tuaj, qëllimin e ekzistencës sime? Ky është mendimi më i tmerrshëm i vetmisë që më tmerron këtë mëngjes.

Ngrihem papritur duke i thënë vetes: “Do shkoj te ajo!” Por ulem përsëri i shtrënguar nga detyrimet që kam. Brenda meje kam një konflikt të frikshëm. Kjo nuk është jetë. Nuk jam ndjerë kurrë kështu. Më keni gllabëruar plotësisht.

Sa herë mendoj për ju ndjej një gëzim prej të çmenduri. Shoh e rishoh një ëndërr aq të bukur sikur në një moment të vetëm arrij të jetoj një mijë vjet. Ç’tmerr i vërtetë!

Pushtuar nga dashuria që më ka hyrë në çdo por, e duke jetuar vetëm për dashurinë, e shoh veten të konsumuar nga dhimbja e si të mbështjellë në një rrjetë merimange.

Eva ime e dashur, ju nuk e dinit. E mora letrën tuaj. E kam këtu para dhe po ju flas njësoj si t’ju kisha edhe ju këtu. Ju shoh njëlloj si dje, të bukur, çmendurisht të bukur!

Mbrëmë i përsërisja vetes pa pushim: Ajo është e imja! Ah! Nuk besoj se engjëjt në parajsë janë më të lumtur sesa isha unë dje! / Nga Albert Vataj / KultPlus.com

Honore de Balzak, shkrimtari i madh francez

Honoré de Balzak ishte një shkrimtar francez i shekullit të 19-të. Ai lindi më 20 maj 1799 në Tours, dhe konsiderohet një nga mendjet më të ndritura të botës së letrave. Në vitet 1820, kur Honoré de Balzak vendosi të bëhej shkrimtar, në Francë romani ishte ende një zhanër i parëndësishëm letrar.

Ashtu si Volteri, francezët e shkolluar preferuan poezinë dhe tragjeditë e mëdha, ku virtyti, e vërteta, entuziazmi dhe shpresa, marshonin solemnisht nëpër faqe. Si rezultat, romancierët bashkëkohorë francezë thuajse turpëroheshin për prozën e tyre. Shumë botuan me pseudonime: burrat, sepse toni i tyre kishte tendencë të lehtë, shkollor dhe shumë antiklerikal; gratë, sepse e dinin që do pasoheshin nga mosmarrëveshje, do shiheshin shtrembër nëse shkruanin haptas për botim.

Viktor Hygoi e konsideroi Balzakun si një nga shkrimtarët më të mëdhenj të shekullit të 19-të, çka do ta shprehte me forcë dhe fuqimisht në elozhet e fjalimit të varrimit: “Të gjithë librat e tij formojnë vetëm një libër, një libër të gjallë, me shkëlqim”.

Shokë udhe, dy gjigantët e letërsisë franceze e filluan karrierën në të njëjtën kohë dhe frekuentuan të njëjtat rrethe; secili ndoqi karrierën e tjetrit, Balzaku me zili, Hygoi me simpati. Ata morën drejtime të ndryshme: Hygoi filloi të ishte kundërrevolucionar dhe do të ndiqte një evolucion drejt të majtës, Balzaku, nga një liberal, do të bëhej një konservator solid. Hygoi do kishte të gjitha nderimet (deputet, akademik), kurse Balzak do të rrëzohej tri herë për t’u zgjedhur nën Kupolë. Përgjatë një shekulli në lëvizje, ata janë dy autorë të mëdhenj, edhe pse pozicioni në fushën e letrave nuk është i njëjtë. Hygoi, në fillesat e hershme do mbështetej financiarisht dhe do gëzonte përfitime dhe lehtësira. Nga ana tjetër, Balzaku ishte i dënuar t’ia dilte me forcat e veta. Jeta e tij mishëron, që nga fillimi i viteve 1820, tregun letrar.

Romancier, gazetar, botues, sipërmarrës, kritik, eseist, Balzaku ndoqi një karrierë shembullore, duke pasur parasysh dëshirën për të qenë i suksesshëm. Me “Komedia njerëzore”, si një zot, ai krijoi një botë të tërë, një katedrale libër dhe, për t’ia arritur qëllimit, i vuri vetes detyrën e një minatori fjalësh. Pena e tij e kredh lexuesin në pallatet nën sundimin e Lui-Filipit, në rrugica të zhurmshme e rrugica të qeta. Lexuesi takohet me mashtrues, borgjezë, fisnikë të mëdhenj, grabitës, kontesha dhe vajza.

“Të gjitha personazhet e tij janë të pajisur me zjarrin jetësor, me atë pasion që e karakterizonte atë vetë”, – shkroi me admirim Sharl Bodëleri.

Në ditët e sotme, jeta dhe vepra e Balzakut vazhdon të na magjepsë. Autori pretendon se familja është njësia themelore e shoqërisë, mirëpo shumë nga protagonistët e tij enden si jetimë. Gjithçka që përshkruan, shkon thuajse përkundër parimeve që ai beson se janë themeli i një shoqërie në harmoni. Ai përshkruan rrënoja, përshkruan zhgënjime pasionesh, gjithçka që mund të ushqejnë individualizmin, madje edhe zgjidhjet revolucionare. Përpos gjithçkaje, frymëzimet vizionare, fluturimet mistike dhe poetike përshkojnë gjithë krijimtarinë e tij me një bukuri dhe fuqi që jehojnë endenë 2021. Realizmi dhe mprehtësia me të cilën Balzak vizualizon gjendjen njerëzore, janë karakteristikat kryesore të shkrimeve. Duke qenë vëzhgues shumë i mprehtë, ia ka dalë ta përshkruajë sjelljen individuale dhe shoqërore par excellence.

Si shumë kolosë të mëdhenj në histori, jeta e Balzakut nuk ka qenë e lehtë: ai i mbijetoi një fëmijërie dhe adoleshence të karakterizuar nga abuzimi, përjetoi një histori dashurie të denjë për roman, që zgjati gati gjithë jetën, por, mbi të gjitha, Balzaku zgjoi admirimin e bashkëkohësve të tij. Përmes veprave letrare, Balzaku la gjurmët e tij të mençurisë për eksploruesit më të guximshëm të etur për dije. Vdiq në Paris, më 18 gusht 1850.

‘Guximi nuk mund të falsifikohet, është një virtyt që i shpëton hipokrizisë’

Dhjetë thënie nga romancieri dhe dramaturgu francez Honore de Balzak.

“Tronditjet e mëdha të jetës na shërojnë nga frikërat e vogla.”

“Është më e lehtë të jesh dashnor se bashkëshort, pasi është më e vështirë të jesh në humor çdo ditë, sesa të flasësh ëmbël tek-tuk.”

“Aq e dëshiruara famë është pothuajse përherë një prostitutë e kurorëzuar.”

“Artisti jeton siç do, ose siç mundet.”

“Asnjë femër nuk lihet pa arsye. Kjo aksiomë është e shkruar në zemrën e çdo femre. Ja, nga buron gjithë ai tërbim i femrave të lëna.”

“Ata që dashurojnë ose nuk dyshojnë asgjë, ose dyshojnë gjithçka.”

“Barazia mund të jetë një e drejtë, por asnjë forcë njerëzore nuk mund ta bëjë realitet.”

“Dashuria e vërtetë është e përjetshme dhe gjithmonë e njëjtë; që edhe kur flokët janë të thinjur, zemra mbetet gjithnjë e re.”

“Guximi nuk mund të falsifikohet, është një virtyt që i shpëton hipokrizisë.”

“Një prej mangësive të njerëzve inteligjentë është se ata nuk mund të rrinë pa kuptuar çdo gjë.” / KultPlus.com

Kur Balzaku prezantonte kandidaturën e tij për deputet në Asamblenë Kombëtare franceze

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 16 Tetor 2021

“Journal des débats politiques et littéraires” ka botuar, të dielën e 19 marsit 1848, në faqen n°3, letrën e Honoré de Balzac në lidhje me kandidaturën e tij për deputet në Asamblenë Kombëtare franceze, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar.

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

— Z. H. de Balzac prezantohet si kandidat në Asamblenë Kombëtare. Këtu është letra në të cilën ai njofton se po bashkohet me radhët :

Zotëri,

Disa persona që më nderuan duke menduar për mua për postin e deputetit në Asamblenë Kombëtare, prita që numri i tyre të ishte mjaft i konsiderueshëm dhe që emri im të futet në lista në mënyrë që të mos tatohet për mëndjemadhësi (përbuzje), duke deklaruar se nëse funksione të tilla më besoheshin, do t’i pranoja.

Rëndësia e rrethanave, solemniteti i debatit, madhësia dhe qëndrueshmëria e perandorisë që do të themelohet, pas pesëdhjetë e tetë vjet përpjekjesh, nuk lejojnë asnjë përfaqësues të zgjedhur të largohet nga një mandat i tillë, në një kohë kur Franca thërret të gjitha forcat dhe inteligjencat e saj.

H. BALZAC

https://www.darsiani.com/la-gazette/journal-des-debats-politiques-et-litteraires-1848-kur-balzaku-prezantonte-kandidaturen-e-tij-per-deputet-ne-asamblene-kombetare-franceze-letra/ / KultPlus.com

Thënie të urta nga Honore De Balzac

Honore de Balzac u lind në Turs (Francë) më 20 maj 1799. Balzacu është një nga themeluesit e realizmit në letërsinë evropiane.

Ka qenë gazetar, industrialist i munguar, krijues i afërsisht njëqind romaneve në 20 vjet, figurë brilante e një shoqërie, së cilës ai përfundon duke iu imponuar. Për bashkëkohësit ishte thuajse një mit: burrë aventurash dhe dëshirash në të njëjtën kohë, ëndërrimtar, i plagosur nga kontradiktat e jetës moderne.

Kryevepra e tij është Komedia Hyjnore, që përshkruan jetën e shoqërisë franceze pas rënies së Napoleonit. Kjo vepër përbëhet nga 90 romane dhe novela dhe përfshinte më shumë se 2000 karaktere, personazhe nga të gjitha klasat dhe profesionet. Romanet kryesore të tij janë: “Luis Lambert”, “Evgjeni Grande”, “Në kërkim të absolutes”, “Xha Gorio”, “Iluzionet e Humbura”, “Kushërira Betë” dhe “Kushëriri Pons”. 

Më poshtë kemi përmbledhur disa nga thëniet e tij më të mençura:

“Femrat, kur nuk dashurojnë, e kanë gjakun e ftohtë si atë të një avokati të vjetër.”

“Shpirtrat e mëdhenj mezi besojnë se ka në botë ligësi dhe mosmirënjohje.”

“I pasur bëhesh, elegant lind.”

“Zgjuarsia është leva me të cilën mund të lëvizësh lëmshin e tokës.”

“Mos vallë dashuria hap në zemër shtigje ku të pëlqen të rikthehesh?”

“Kush di të lajkatojë, di edhe të shpifë.”

“Zakonet që ka njeriu në rini, shfaqen me më shumë forcë në pleqëri.”

“Vullneti i dashnorëve mposht çdo pengesë.”

“Veshja është të shprehurit e shoqërisë.”

“Zemra juaj është një thesar, por po e shpenzuat në një herë të vetme, morët fund.”

“Njerëzit shpirtmëdhenj janë zakonisht tregtarë të pazot.”

“Shpotia vyshk zemrën dhe tret çdo ndjenjë.”

“Mospërfillja është si i ftohti i poleve; ngrin gjithçka.”

“Të pakuptueshmit ndahen në dy kategori: femrat dhe shkrimtarët.”

“Njeriu superior nuk ndjek hapat e askujt.”

“Çelësi i të gjitha shkencave është pyetja.”

“Zemra e një nëne është një abis në fundin e të cilit gjendet gjithmonë një falje.”

“Policia trillon më shumë nga ç’zbulon.”

Qeveria që kupton interesat e të gjithëve është gjë e zakonshme. Qeveria që i parashikon është qeveri e madhe.

Besoni çdo gjë që dëgjoni mbi botën, asgjë s’është aq e keqe sa për të qenë e pamundur.

“Secila orë e humbur gjatë rinisë është një rrezik palumturie për të ardhmen.”

“Opinioni publik është më e llastuara e prostitutave.”

“Sovrani duhet t’i falë gabimet, jo t’i harrojë.”

“Vetëm dashuria e fundit e një femre mund të kënaqë dashurinë e parë të një mashkulli.”

“Të varfrit apo të pasurit, kurrë nuk kanë para për nevojat e jetës, por për kapriçot e tyre i gjejnë përherë.”

“Një natë dashurie është një libër i palexuar.”

“Koha është tërë kapitali i njerëzve që s’kanë tjetër pasuri përveç mençurisë së tyre.”

“Femrat do të ishin për t’u qarë hallin, po të dilnin fajtore për çdo dëshirë që na ngjallin.”

“Privilegji i të qëndruarit, kudo, si në shtëpi të vet, u përket vetëm mbretërve, kurvave dhe hajdutëve.”

“Gjeniu u ngjason të gjithëve, kurse atij askush.”

“Popullit i duhen dhënë festa të zhurmshme. Budallenjtë i duan festat e zhurmshme dhe turmat përbëhen nga budallenjtë.”

“Fama është helm që duhet marrë me doza të vogla.”

“Nëse drita është dashuria e parë e jetës, a nuk është dashuria drita e zemrës?”

“Koprracia fillon aty ku varfëria mbaron.”

“Ka një jetë të tërë në një orë dashurie.”

“Dashuria është poezia e shqisave.”

“Burokracia është një mekanizëm gjigant i vënë në lëvizje nga pigmei.”

“Nuk është skandaloze që disa bankier kanë përfunduar në burg, skandaloze është se gjithë të tjerët janë të lirë.”

“Një bashkëshorte është një skllav që duhet ditur si të vihet në fron.”

“Një shoqëri ateistësh do të shpiknin menjëherë një fe”.

171 vjet nga vdekja e Honore de Balzak, shkrimtarit të madh francez

Honoré de Balzak ishte një shkrimtar francez i shekullit të 19-të.

Honoré de Balzak është shkrimtari më i madh dhe më i lexuari i gjysmës së parë të shekullit të 19-të.

Ai lindi në Turs, më 20 maj të 1799. Në moshën 8 vjeçare mamaja e tij e dërgoi tëstudionte në oratorin e Vendome, ku për 6 vjet studioi shumë lende, por gjithashtu duke nxjerrë në pah talentin e tij në letërsi. Studioi në kolegjin Tours e më pas Paris, ku u transferua së bashku me familjen. U regjistrua në fakultetin e jurisprudencës, dhe në të njëjtën kohë punonte në një zyre noterie. Në moshën 20 vjeçare zbuloi dhuntinë e tij për të shkruajtur.

Në një dhome të vogël në lagjën Bastija, i vetëm ose në bashkëpunim me Auguste Le Poitevin, një botues komercial, nga 1821 deri 1829, shkroi vepra popullore, duke i firmosur si Horas dë Sent-Obë ose L’or de rhoon nder të cilat veçohen : L’héritié de Bïrag (trashëgimtari i Birag, 1821), viker des Ardennes (Famullitari të Ardennët, 1821), Argow le pirate (Argow pirati, 1824).

Në 1822 Balzac u njoh me L’or de Bernit, një grua e pjekur e cila i qëndroi gjithnjë pranie deri në ditën e vdekjes së tij(1836). Asaj gruaje ai i kushtoi “Le lit de la vallée” (Zambaku në lugine, 1835). Në 1825 u bë botues dhe tipograf. Në të njëjtën kohë bleu gjithashtu një fonderi por përpjekjet e tij për të bëre tregti dështuan dhe e futën atë në borxhe.

Përsëri një përpjekje për biznes, këtë herë në Sardenjë ku u përpoq të risillte në pune mijërat e vjetra të argjendit dhe përvec kësaj provoi të tregtonte dru nga Polonia. Shpenzoi shuma marramendëse për kohën, duke mobiluar shtëpinë me mobilie antike. Jeta e tij karakterizohet nga përpjekje të kota për tu pasuruar dhe për të qenë një njëri i suksesshëm në një kohë shumë të shkurtër.

Për 20 vjet ai arriti të bënte 90 krijime midis te cilave kishte romanca e tregime, të gjitha këto të bashkuara në një vepër të vetme me titull “La comédie humaine” (Komedia njerëzore) dhe të ndara në Sèn dë la vi privé (Skena të jetës private), Sèn dë la vi dë provens, Skena të jetës në provincë) Sèn dë la vi parizien (Skena të jetës parisienë). Behet fjale për një analize të jetës shoqërore dhe private në një Francë në zhvillim e sipër, epoka e “monarkisë borgjese” të Luigjit Filip.

E para është një romancë historikë, Le Shuons (1829), për të cilën është frymëzuar nga revolta e Vande-se ; megjithatë do të jenë veprat e tjera të tij që do ti sigurojnë sukses dhe admirim nga ana e publikut. Nder të cilat mund të përmendim : La po dë chagrë (Lëkura e shegrenit, 1831), Evgjéni Grande (1833), Lë médsë dë shampanj (Mjeku i fshatit, 1833), Ilyzio perdy (Ilusione të humbura, 1837-43), Splendër e mizer de kurtisan (1839-47).

Honore ishte frekuentues i rregullt i salloneve, dhe shumë i apasionuar si pas jetës mondane ashtu dhe pas grave fisnike të oborreve të ndryshme, të cilat i përshtateshin më se miri snobismit të tij. Megjithëse ishte vazhdimisht i persekutuar nga njerëz të cilëve u detyrohej para, Balzac për një farë kohë arriti të realizonte ëndrrën e tij për të qenë njëri i pasur.

Kjo erdhi falë lidhjes dashurore me baroneshes polake Eva Hanska, me të cilën u martua pak kohë përpara se të vdiste. (Dashuria me Eva Hanska ishte vetëm një “loje salloni” por një gjë të tillë Balzac nuk e mori vesh kurre).

Në 1834 Balzac pati idenë që të shkrinte të gjitha krijimet e tij në një vepër të vetme monumentale, një afresk i vërtete mbi shoqërinë francezë të asaj kohë nga perandoria e parë deri në monarkinë e Korrikut, kështu publikoi të famshmen Komedia njerëzore.

Fillimisht vepra duhet të përmbante 150 romanca të ndara në tre vija kryesore : Studim zakonesh, Studim filozofik e Studime analitike. Grupi i parë përbehej nga vepra të përfunduara prej kohësh dhe ishte i ndare në 6 skena të cilat përfaqësonin jetën : private, provincës, parisienë, politike, ushtarake dhe fshatit.

Romancat duhet të përmbanin rreth 2000 personazhe, sepse dëshira e tij ishte të krijonte një rrjet ngatërresash midis vëllimeve të ndryshme. Vetëm 2/3 e projektit u realizua. Episodet më të famshme janë : Xha Gorio (1834-35), Evgjéni Grande (1833), Kusherira Betta (1846), Iluzione të humbura (1837-1843).

Në 1937 realizoi “La vielle fille” që u bë romani i parë që publikohej në një gazete. Në 1838 Balzak u dallua për luftën e tij për të drejtën e autorit. Honor kishte një vullnet shumë të madh për të punuar megjithëse shëndeti kishte filluar të bëhej një pengese e madh për të. Në 1839 u bë anëtar i shoqërisë së shkrimtareve dhe po atë vit ai u zgjodh kryetar i saj.

Më 18 gusht  1850, disa muaj pasi ishte martuar me baroneshën Hanska, Balzak u nda nga jeta. Dashuria e tij me aristokraten polake pasqyrohet më se miri në letërkëmbimin midis tyre që u publikua në 1968 nën titullin “Lettre à madame Hanska./KultPlus.com